08 Prill 2011 - 17:00 | Shqiperi
Berat, përplasen dy motocikleta plagosen 3 persona
BERAT- Një aksident me pasojë plagosjen e 3 personave ka ndodhur rreth orës 15:00 të ditës së sotme në lagjen Uznovë të qytetit të Beratit.
Dy motoçikleta, që vinin në drejtim të kundërt me njëra-tjetrën, janë përplasur kokë më kokë dhe si pasojë të tre pasagjerët që ndodheshin mbi mjetet kanë përfunduar mbi asfalt.
Dy te rinjtë që udhëtonin në një nga motoçikletat, Altin Hoxha 27-vjeç dhe Kliton Oboni 23-vjeç, kanë marrë plagë të lehta, ndërsa 60-vjeçari Nexhmedin Çela, i cili udhëtonte në motoçikletën tjetër, ka ngelur i shtrirë në rrugë për rreth 20 minuta në pritje të ambulancës edhe pse spitali ndodhet rreth 500 metër larg vendit ku ndodhi aksidenti.
Ndërkohë mësohet se në ambulancën e mbërritur për të marrë të plagosurin nuk ka pasur personel mjekësor të ndihmës së shpejtë, por në të ka qënë vetëm drejtuesi i mjetit.
Vonesa e ambulancës ka rënduar mjaft gjëndjen shëndetësore të të aksidentuarit, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Policia që mbëriti menjëherë në vendngjarje, po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
(e.m/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt