Çlirimi i Tiranës, Moda që lanë pas pushtuesit

» Dërguar më: 18/11/2009 - 09:30


Vitin 1944 e mbajmë mend më së shumti si viti i luftës dhe i çlirimit. Vitin, kur një ideologji ra, e një tjetër u ngrit. Por, ai vit kishte më shumë se kaq. Dje, më 17 nëntor, Biblioteka Kombëtare prezantoi një ekspozitë të veçantë me të cilën përkujtoi Çlirimin e Tiranës, si edhe jubileun e 65-të të Çlirimit të vendit. Nga sa shihet nga dokumentet e atij viti, larg maleve, larg krismave, larg vatrës së nxehtë të të shtënave për liri, një oaz “paqeje”, një oaz qetësie gjendej në kryeqytetin e vendit. Ai ishte luksi në mes të luftës, një luks që vinte me të gjitha instrumentet e veta e me tërë shkëlqimin që e karakterizon. Shtëpitë botuese botonin, prodhuesit prodhonin e reklamonin. Në të njëjtin treg lexuesish, karshi njëri-tjetrit qëndronin botimet e ideologjisë komuniste e asaj naziste, duke u përfaqësuar nga Stalini e Hitleri. Më tej, ishin botimet shqiptare, me idetë e librat e Ballit Kombëtar, por edhe me botimet e “Zërit të Popullit”, organ i Partisë komuniste.

Ekspozita

“Kjo ekspozitë hapet në kuadrin e 65-vjetorit të çlirimit, dhe vjen në kuadër të veprimtarive kulturore të kësaj feste. Ne si Bibliotekë Kombëtare, evenimentin e prezantojmë përmes librave e botimeve”, - shprehet Maksim Gjinaj, shef i sektorit të Bibliografisë pranë BK-së. Në ekspozitë shfaqen tituj gazetash, postera dhe reklama. “Thelbi i kësaj ekspozite që titullohet ‘Chic & Luftë’ është viti 1944, i cili si çdo vit, madje si çdo ditë e jetës së njerëzve, ka të përbashkët të gjithë elementët jetësorë që ka një shoqëri. Viti 1944, sigurisht që ka të pranishme luftën, e madje tepër fort, por 1944-ra përveç luftës që ishte e përbashkët për të gjithë banorët, ka edhe të tjera anë të përbashkëta, jetën e përditshme, ekonominë, mënyrën e të gatuarit e elementë të tjerë”, - thotë Gjinaj. Ai shprehet se qëllimi i kësaj ekspozite është të tregojë njërën anë të jetës, përmes reklamave për prodhimet e kohës. Ekspozita përpiqet të pasqyrojë jetën e atyre që nuk morën pjesë aktivisht në luftë, por që jetonin me luftën. 1944, përveç sheshit të Luftës së Dytë Botërore kishte edhe produkte që shiteshin e bliheshin. “Chic dhe Luftë” e mori titullin nga prezantimi i modës së kohës. Realizuesit e ekspozitës kanë si qëllim të na tregojnë neve sot jetën e vitit 1944, por edhe jetën e viteve 1940 në vendin tonë.

Objektet

Ekspozita është konceptuar e tillë që të shfaqë veprimtarinë botuese të këtij viti, pjesën më të madhe të gazetave e disa tituj të librave të botuar në Shqipëri, që ndodhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare. “Ne kemi zgjedhur pjesën më interesante të atyre që kemi në dispozicion për këtë vit. Nuk duhet të harrojmë se kultura e një kombi nuk është vetëm krijimtaria e tij, por është në të vërtetë ajo që ne kërkojmë, ajo që ne lexojmë, çfarë shohim, apo pëlqejmë. Përmes posterave ne shohim se kishte edhe modë, edhe reklama tregtie, libri, reklama luftarake. Shohim se në shtypin e ilustruar të kohës ka modele të huaja. Ne duam të ndryshojmë mendimin për vitin 1944, të ndryshojmë konceptimin e këtij viti. Ai vërtet pati si ngjarje kryesore luftën, por s’ka pasur vetëm atë”, - shprehet Maksim Gjinaj. Kur e pyesim për titujt e gazetave, reklamave apo librave në gjuhë të huaj, Maksimi thotë: “Ka anglisht, por edhe rusisht. Reklama ishte e pranishme përmes revistave të huaja, e shtypit të huaj. Ajo kërkohej nga një pjesë e vogël e popullsisë së kohës që kishte mundësi ta përballonte çmimin e produktit”. Përveç librit politik e letrar, është edhe ai turistik, por ka edhe këshilla mjekësore për çiftet, shkrime për sportin dimëror, e të tjera. I ekspozuar është edhe një shkrim i një reviste të po atij viti, për Shën Naumin, e shoqëruar me fotografi të mëdha. Në ekspozitë, i pranishëm si autor, por edhe si person për të cilin shkruhet, është Hitleri, ashtu si edhe literatura për Partinë Komuniste të Rusisë. Jeta i ka që të gjitha. “Chic & Luftë” na ndihmon të krijojmë konceptimin e saktë se gjërat bashkëjetojnë me kontrastet e tyre. Mënyra e të reklamuarit është e ndryshme. Në ekspozitë janë edhe botimet e organeve kombëtare, me shkrimet e tyre të kohës. Viti 1944, shënon sipas Maksim Gjinajt, numrin më të madh të librave të botuar në letërsinë artistike. Të atij viti janë botimet e disa librave të Sterjo Spasses, Mitrush Kutelit, Gjergj Fishtës, Nonda Bulkës me pseudonimin ‘Chri-Chri’, libra mbi legjislacionin, krijimtarinë folklorike të Musine Kokalarit, letërsia për fëmijë që ribotohet edhe sot. Letërsia e përkthyer është mjaft interesante. Vihet re që janë përkthyer shkrimtarë të majave të letërsisë botërore, si Edgar Allan Poe, Tolstoi etj. por ka edhe një libër tjetër që tregon krimet e gjermanëve. Letërsia artistike e autorëve të mëdhenj qëndron pranë krimeve të gjermanëve në Shqipëri.

Shumëllojshmëria

Botimet e vitit 1944, reklamat, librat dhe revistat na vijnë si dëshmi se në atë kohë kishte një jetë paralele me luftën. Ajo qe jeta tjetër, ajo shpirtërore, materiale e nevoja për t’u informuar, për të ditur ç’po ndodh. Titujt e gazetave apo librave të përzgjedhur e që janë ekspozuar, janë si vijon: “Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”, “Adolf Hitler, Prijësi i Evropës së Re”, “Revolucion i Kongresit të I-rë të Gruas Antifashiste Shqiptare”, “Amerika”, “Leninizmi”, “Lufta në Pacifik”, “Parti Komuniste apo Parti Terroriste...?!” që shoqërohet me shkrimin “disa fakte, disa trakte, disa dokumente”, një libër ky nga Balli Kombëtar. Përkrah tyre qëndron edhe gazeta e botuar nga gjermanët gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Shohim titullin “Frenezi Botimesh”, e botuar në “Fryma”, nr.4, 1944, poshtë të cilit shkruhet “Libri shqip kishte vdekur prej shumë kohe më parë. Tash e nja dy muaj ka zënë e po ngjallet. Gjatë katër vjetësh librave shqip u kish shkuar moda. Të pakë ishin ata që i lëçitnin, më të pakë ata që i shkruanin...” Shtëpia botonjëse Kristo Luarasi, Tiranë njofton se “kanë dalë në shitje romancat ma të bukura” që publiku ka kënduar deri më sot.” Më poshtë ajo shkruan “Bija e mallkuar”, “Kasollja e Xha Tomit”, “Pse”, “Zonja me kameliet”, ndërsa njofton se janë në shtyp “Manon Lesko”, “Konti i Montekristos”, “Dashurija në Hong-Kong”, “Lypsja e urës”, “Nastradin Hoxha”, “Sonja”, “Romeo e Xhulieta” dhe “Jaudiu Shëtitës”. Por nga ana tjetër qëndron moda: “Francesco Zingone, Magazinat ma të mëdhaja të kryeqytetit”, e më poshtë në reklamë shkruhet “robe për zonja, robe për burra, robe për fëmij, artikuj për lindje, mëndafsh, pambuk, të linjta, lesh, tapeceri, fanella, valixheri...” Por nuk është vetëm kjo firmë rrobash, sepse më tej gjejmë edhe Mc Call Printed Pattern, Ladies and misses, “Vogue Pattern”, e që të dy reklamat në pamje të parë kanë zonja të hijshme të veshura bukura, plot klas, sharm e elegancë, plot ngjyra, modele e kombinime. Çdo gjë për të qenë chik. Shtëpia e muzikës dhe e kinkaleris, Tiranë-Delvinë, Shqipni, “A.Abaxhogllu dhe i biri” ofrojnë instrumenta, Pllaka gramafoni, radio dhe veglat e tyne, por edhe muzikë popullore të vendit, ripa rim radiosh të çdo marke si edhe incizion pllakash.

Amerikanët e rusët

Mes librash e posterash shohim karshi njëri-tjetrit edhe amerikanët e rusët. Posterat e luftës tregojnë diçka për këto dy vende në atë kohë. Nëse amerikanët në thirrjen për luftë iu drejtohen grave të luftojnë, rusët iu kërkojnë atyre t’i ndihmojnë të prodhojnë industrinë e luftës. “Nëse posteri amerikan reklamon femrën luftëtare (amerikanët janë më të emancipuar), rusët reklamonin gruan fshatare e punëtore”, - thotë Gjinaj. Fjalët që shkruhen ekzaktësisht janë “Na duhet gratë që të zëvendësojnë burrat në industrinë e luftës”. Numri i librave botuar për Amerikën në vitin 1944, duket të ketë qenë i konsiderueshëm. Po si u ruajtën librat? Gjinaj thotë se detyra kryesore e Bibliotekës Kombëtare është ruajtja e tyre. Librat që hyjnë në këtë bibliotekë, nuk dalin më prej andej.

gsh