Dell: Rivotim edhe në Gjilan
Prishtinë, 23 dhjetor - “Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada amerikane, pas takimit që ambasadori Christopher Dell ka zhvilluar me kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka zhvilluar sot një takim me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta.
Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga Ambasada amerikane, thuhet se “Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e KQZ-së, të datës 22 dhjetor, për të implementuar, pjesërisht, vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), të datës 19 dhjetor, i cili udhëzoi përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan”.
“Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan. Qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tri komunat sipas vendimit të KZAP-it të datës 19 dhjetor”, thuhet në komunikatë.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet e kryetares së KQZ-së, zonjës Lushta, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe i inkurajojmë të gjitha partitë dhe entitetet politike të respektojnë si germën ashtu edhe frymën e ligjit, gjersa ky proces vijon si dhe të përmbahen nga përpjekjet për të minuar institucionet dhe proceset e vendosura me ligj për avantazhet e tyre partiake”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada amerikane.
Krijoni Kontakt