Folkloristi Filipaj dhe tri këngë dashurie

» Dërguar më: 12/11/2009 - 14:57



Simon Filipaj, lindur më 1925 në fshatin Kllezën (Ulqin). Ka kryer Fakultetin Teologjik në Zgareb". Këtë informacion telegrafik jep për mbledhësin e perlave korpusi "Letërsi popullore", e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ndërsa revista "Gjurmime Albanologjike. Folklor dhe etnologji" e Institutit, punën e tij specifike e përmbledh edhe më shkurt, si lajm flesh: "Shënoi: Simon Filipaj-Shëngjergj, Ulqin". Nga viti 1971 gjer në vitin 1988, Filipaj do të botojë në kolanat e arta të kulturës shqiptare në mbijetesë, në Kosovë, 1500 vargje burimore dhe 30 faqe prozë popullore, nën sitën e imët vlerësuese të elitës së këtij lëmi: Anton Çetës, Rustem Berishës, Myzafere Mustafës, Sadri Fetiut, Shefqet Pllanës, Mark Krasniqit, Demush Shalës, Fazli Sylës, Anton Berishës, Halit Ternavcit. Realisht, Dom Simoni repertorin kërkues e nisi më herët, më 1954 dhe e përmbylli më 1975, meqë më pas iu përkushtua trup e shpirt përkthimit të Besëlidhjes së re e të vjetër. Portreti i folkloristit Filipaj s'do të ishte i plotë pa emrat e 20 subjekteve, grave e burrave me dell artisti, amvisa apo bujq, analfabetë a veç me fillore, të cilët treguan, kënduan a vajtuan në prani të tij. Tingujt kumbonin në qiell e fjalët shkruheshin në letër. Përveç 10 këngëve të dashurisë, dy ninullave, dy vajtimeve, gjashtë baladave, tri këngëve historike në poezi, ai ka mbledhur dhe publikuar edhe një kallëzim, dy përralla, 18 përrallëza dhe katër anekdota në prozë. Prania e veç dy motërzimeve në 48 krijimet orale, tregon se ai e ka lakmuar motivin origjinal folklorik si kopshtari frutën e parë të stinës.

Hapësira

Shtrirja e thesarit gojor mbledhur prej Simon Filipajt nis nga vendlindja Kllezën-Ulqin (25 krijime popullore), ngjitet në rrafshnaltën e Llovgë-Grudës (2), valëzon në katundet e Stjepo e Budëz të Trijeshit (10), zbret në Livadhet e Oroshit, Mirditë (2) dhe mbaron në vendshërbimin e tij si famullitar, në fshatin Shëngjergj të Bregut të Bunës (4). Tri këngë popullore të Rilindjes Kombëtare janë lënë pa vende mbledhjeje, si për ta zgjeruar më tepër këtë qark. Është një hapësirë gjeografike me konfiguracion ylberor, nga bregdeti tek majëmali. Mirëpo, hapësira shpirtërore e njerëzve të këtij peizazhi ka reliev edhe më kontrastues. Nga lirizmi i lehtë erotik e përkundja e ëndërrt e djepit, tek vëllavrasja a përzënia e motrës për hir të gruas, nga krenaria e djemve të rënë për shqiptari, e tek vaji shkulës për një perri të pamort, tek sentencat proverbiale a humori fin, jetëdhënës, nga magjia e përrallës e shëmbëlltyra e fabulës, tek përvoja e kallëzimit a loja me fjalën. Një univers i shprehur me të gjitha ojnat e gegërishtes.

Tri këngë dashurie

Në visarin popullor që Filipaj botoi në vëllimet "Këngë dashurie I", "II", Prishtinë 1979 dhe 1987, vajza protagoniste del në tri mënyra: fytyra përballë-personalizuar, profili djathtas-simbolizuar, profili majtas-përgjithësuar.

Fytyra përballë-personalizuar

"Moj Havo faqet simit". Këndoi Leze Mirdita, lindur më 1936, në fshatin Kllezën. Ka kryer katër klasë të shkollës fillore. Amvisë. Bukuria shtangëse e identifikon Havon edhe pa mbiemër. Përsosmëria e tipareve jepet harmonikisht përmes një linje zbritëse: balli i ndritshëm, faqet e buta, qafa vezulluese. "Ç'ka t'ka balli çi t'shëndritë?/ "Tu i vu flori përditë!". Pyetjes tërheqëse të djalit, fshatarja Havo që e çon jetën mes bimëve të arave i përgjigjet: "-Ç'janë florit-e, gja nuk di!". Pyetja vijon pa e ndryshuar thelbin sensualisht: "Ç'ka t'ka faqja çi t'shëndritë?/ Tu i vu bakam për ditë!". Vajza Havo që e çon jetën mes tufave të deleve ia kthen: "Ç'isht bakami, gja nuk di?" Pyetja në një formë tjetër bëhet edhe më joshëse: "Ç'ka t'ka qafa ç'i shëndritë?/ Tu i vu gjerdan për ditë!" Bukuroshja Havo që e çon jetën mes gjindve të thjeshtë i thotë: "Ç'isht gjerdani, gja nuk di?". Bukuria me nam s'ka nevojë për ornamente dhe stoli. Bukuria që vjen nga lart, të godet në shpirt. Të vetmen gjë që di, Havoja e përsërit tri herë para djalit ngulmues: "M'ka falë Zoti bukuri!". Ky është vargu i fundit i këngës. Fati i Havos lihet në dorë të Zotit.

Profili djathtas-simbolizuar

"O zamak, o lule bardhë". Këndoi Lekë Koçaj, lindur më 1939 në Kllezën. Në sintezën e 16 vargjeve me aromë erosi, vajza "portogale" dhe djali "zamak" i falin njëri-tjetrit "sy e vet'lla". "Mori Kumbull, zardeli, se ç'u rrite me shpejti!". Pastërtia dhe hijeshia e vajzës spikasin jo veç në rimën mashkullore të këngës, ku djali ia zbulon hiret, por edhe në rimën femërore, ku vajza ia tregon rrënjët e saj: "Se në ty dashni kam xanë, n'm'ë dhaçin babë e n'm'dhaçin nanë". Sistemi simboliko-metaforik bëhet përcjellës i kodit etik. Në dialogët poetikë të qëmtuar nga Dom Simon Filipaj del se ai si folklorist e përzgjedh heroin lirik me bukuri morale.

Profili majtas-përgjithësuar

"Kur kalova nanda male". Këndoi Kolë Mirdita, lindur më 1898 në fshatin Pistull (Ulqin). Bujk. Elementët që e shkëpusin vajzën nga përgjithësimi janë epitetet "Syzezë" (vargu 4), "shtatselvi (vargu 15) dhe 'faqebardhë' (vargu 18), që nga tri pika shikimi japin pamjen e saj. Kapërcimi i nëntë maleve nga djali është pak për të gjetur dashurinë. Veç duke tejkaluar shumësin folklorik, ndesh bukuroshen e fjetur. Në situatën epike me dridhje lirike, vlerat e vajzës-nuse dalin përmes një antiteze të rrallë. "Çova fjalë së krushkës -o/ ta mora syzezën-o/ ta shymtova derën-o/ hijeshova temën-o". Djali-burrë shkon më tej në lartësimin e cilësive të nuses edhe mbi veten e tij: "Më çon fjalë gjith kojshija/: -Ku e ke marrë kët shtatselvija?/ -Ma ka falë perëndija!" Burri dhe gruaja që i dhurohen njëri-tjetrit...Këtu pena e mbledhësit Simon është ndalur pak. Befas ka thënë: "-Po shënoj zërin e rapsodit a po përkthej Këngën e Këngëve?

gsh