Një ndër temat më aktuale në Kosovën e pasluftës është ajo lidhur me
multietnicitetin. Njëkohësisht ky është edhe një ndër pretendimet më të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Ky objektiv nuk është aspak i lehtë në një vend si Kosova, e cila ende i ka të freskëta plagët e luftës.

E megjithatë, duhet ecur përpara, drejt Perëndimit euro-atlantik. Prandaj, shtrohet pyetja: si mund të ndërtohet një shoqëri multietnike dhe çfarë mjete kërkohen për të realizuar këtë përcaktim politik?

Përgjegjia këtu nuk synon mbështjen apo kundër-shtimin e vetë konceptit si të tillë, domethënë konceptit për shoqëri multietnike, apo politikën ndërkombëtare për plotësimin e standarteve parase të legjitimohet shteti.

Qëllimi është që të shihet ky standard politik me një vështrim të shkurtër nga aspekti historiko-teorik për të parë se si është sëndërtuar gjetiu koncepti i shoqërisë multietnike dhe për të konstatuar se si do të mund të sendërtohet multietniciteti edhe në Kosovë.

Sa na mëson historia e vendeve tashmë të shpalluara multietnike si për shembull Kanadaja, Australia e Suedia nuk mundet të supozohet një shoqëri multietnike apo të fillohet me procesin e integrimit në rast se mungon principi bazë me të cilën forcohet shteti për të ushtruar ndikimin e vet dhe për të ndërmarrë masa ndaj personave që i shkelin ligjet e shoqërisë multietnike. Legjitimiteti është mekanizmi më i fuqishëm për shtetin.

Përgjegjësi për procesin e integrimit mund të bartë shteti legjitim dhe pushteti i tij i pranuar. Në këtë mënyrë mund të bashkohen të gjitha forcat kundër devijimeve eventuale apo ndonjë tendence destabilizues. Kësisoji fuqizohet shteti dhe ka mundësi për t'i orientuar veprimet e nënshtetasve me qëllim që ta ruajnë suvranitetin e shoqërisë multietnike.

Një shtet multietnik mund të krijohet kur të gjitha interesat e grupeve etnike shkrihen në interes të këtij shteti për të cilin angazhohen të gjithë pjestarët e saj. Kjo nënkupton njëherit që në këtë shtet të legjitimuar krijohet një lojalitet në mes të nënshtetasit dhe shtetit, pra forcohet besimi i nënshtetasit ndaj shtetit.

Përveç kësaj, legjitimiteti i shtetit është i domosdoshëm ngase secili nënshtetas obligohet të kontribuojë për të ardhmen e shtetit të vet dhe shikuar nga ky këndvështrim bëhet ndarja e detyrave në mënyrë proporcionale me potencialin përkatës në mes të të gjitha grupeve që bashkëjetojnë në shoqëri. Në këto suaza mundet shteti i legjitimuar t'i garantojë të gjithë nënshtetasit për të drejta të pacenueshme, por edhe për obligime për ndërtimin dhe ruajtjen e shoqërisë multietnike.



Vesat Haradinaj,Sociolog.