Nga Express më 17.10.2009 në ora 19:24
Qindra protestues nga Anamorava i janë bashkuar lëvizjes “Vetëvendosje”, në protestën kundër decentralizimit, duke e vlerësuar këtë proces si shumë të dëmshëm për Gjilanin dhe komunat e Anamoravës.
Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, tha se përmes decentralizimit mbi baza etnike në tërë Kosovën, ku nuk ka as 10 për qind serbë, strukturat e Serbisë do të kontrollojnë rreth 1/3 e territorit. “Në komunën e Gjilanit nuk ka as 10 për qind serbë, por strukturat e Serbisë në emër të popullsisë serbe do ta marrin një të tretën e territorit të Gjilanit”, tha Kurti, transmeton KosovaLive.
Ai tha se duke ja marrë Pasjakun dhe Stanishorin, dy paralagje të qytetit të Gjilanit, bëhet copëtimi i territorit të komunës së Gjilanit. Sipas tij, decentralizimi ka filluar të zbatohet në Anamoravë me zgjedhjet lokale të cilat legjitimojnë komunat e reja me shumicë serbe.
Kurti tha se ky decentralizim që po ndodh këtu, e shkëput vazhdimësinë territoriale të Anamoravës me Luginë e Preshevës. Ai sqaroi se “Vetëvendosja” është kundër decentralizmit dhe strukturave paralele të Serbisë këtu, e jo kundër serbëve lokalë.
Demonstruesve u është drejtuar edhe Ismajl Kurteshi, zyrtar i PDK-së nga Gjilani. “Me këtë demonstratë ua rikujtojnë përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare se qytetarët e Gjilanit dhe të Anamoravës janë kundër decentralizimit, që është i papranueshëm për qytetarët”, tha ai.
Kurteshi tha se decentralizimi është kundërshtuar edhe përmes institucioneve, kuvendeve komunale të Gjilanit dhe Vitisë, partive politike dhe shoqërisë civile , qysh më 2006, duke i thënë jo decentralizimit, jo ndarjes në baza etnike për çka janë tubuar mbi 30 mijë nënshkrime.
Edhe përfaqësues të Luginës së Preshevës dhe të disa fshatrave të komunës ë Gjilanit dhe Vitisë, që preken nga decentralizmi kundërshtuan këtë proces duke thekuar se do t’i bojkotojnë zgjedhjet.
Demonstrata është përcjellë edhe me brohoritje kundër pushtetarëve, kundër decentralizimit dhe kundër këtyre zgjedhjeve lokale, raporton KosovaLive.
Krijoni Kontakt