Emigracioni, pengesë e integrimit tonë në Europë!

Jam vetë emigrant. Logjika e thjeshtë, mund ta quajë si lajthitje titullin e mësipërm. Edhe eksperienca shumëvjeçare e emigracionit ndërkombëtar na mëson se emigracioni, nuk importon vetëm valutë të huaj, aq të vlefshme për ekonominë e vendit, por edhe vlera kulturore.

A qëndrojnë kështu punët me emigracionin shqiptar? Përgjigja ime është: JO. Në këtë rast, unë po i kundërvihem artikullit tim, të botuar pak kohë më parë, po në Tribuna Shqiptare, ku unë vlerësoj kontributin e emigrantëve.

Valuta e huaj që derdhet në tregun shqiptar, ngjan si ato pikat e shiut, të cilat sapo shëmben në një tokë të djegur, derdhen në lumenj dhe detëra. Valuta jonë avullon shumë shpejt në tregjet e huaj, kthehet në burimin e origjinës, mbasi importimet shqiptare janë dhjetëra herë më të mëdhenj sesa eksportet.
Shkurt, konsumatorin shqiptar unë e krahasoj me një turist të huaj. Paguhemi si ballkanasit më varfanjakë, dhe blejmë si europianë portofolmajmë. Prindërit e emigrantëve nuk e çajnë kokën. Dengjet me para do të postohen sëshpejti. Prandaj, edhe tjerrin e ç’tjerrin thashamethemet politike, duke pirë kafetë e mëngjezit në kafenetë pompoze, zhurmëmadhe të qytetit. Nevojën për të demonstruar nuk e ndjejnë aspak. Bijtë e tyre, kthehen si të çoroditur në Shqipëri. Kohë nuk kanë t’u tërheqin veshin prindërve të tyre. Kohën ia thithin si vampira pompat e korrupsionit dhe burokracisë të legalizmit të dokumentave si në Shqipëri ashtu edhe në vendet ku ata banojnë. Edhe ato pak këshilla të hajrit për prindërit e tyre, u thahen në buzë teksa djersiten e sorrollaten sa nga njëra zyrë në tjetrën. Shkurt, optimizimi për një Shqipëri moderne u shteron shumë shpejt.

Si qëndron puna me vlerat kulturore perëndimore?

Ato strehohen në çdo qënie të pashpirtë: pajisje elektrike, automjete, beton apo flori.

Ndërsa, udhëheqësit tanë mbushin me kënaqësi fenerët e tyre me vajin e emigracionit. Ata ecin të qetë mbi tokën shqiptare. Ata ecin shumë më të qetë se paraardhësit e tyre në epokën enveriste. Atëherë kundërshtarët e regjimit dergjeshin nën labirinthët e nëndheshëm, fare pak metra poshtë këmbëve të tyre. Ndërsa sot, klasa perëndimore shqiptare, është më pak e rrezikshme se kurrë.

Zbrazim portofolat tërë mllef. I helmatisim prindërit tanë pak ditë para se t’ia mbathim.

Ata, duke rënkuar e fshirë lotët që i shkakton largimi ynë, kthehen në bunkerin e thashathemeve kombhelmatisëse.

Ç’ndikim lot atëherë emigrimi ynë në ndërtimin e një Shqipërie perëndimore? Zoti më ruajtë, por kam përshtypjen se ai vetëm sa e frenon integrimin tonë në Europë.

Sepse, siç e përmenda edhe më sipër, djersa jonë avullon menjëherë në tregjet e huaja. Vlerat perëndimore nuk i përçojmë dot tek prindërit tanë, apo brezi i ri, sepse optimizmi ynë tretet si qiri në koridorët e pistë, të urryer të institucioneve shqiptare.

O, zot! Më mirë të mos kishim emigruar. Më mirë të kishim ndenjur në Shqipëri. Të na kishte therur uria të gjithëve padallim, dhe ashtu, të gjithë, me sy të zgurdulluar dhe stomak uribombarduar, t’i kishim shporrur vampirat e pafytyrë. Edhe një herë: Një emigracion i tillë, e thyen embargon që i ka vënë Europa shtetit tonë që ngjan me një punishte vampirësh. Djersa e emigrantëve, në këtë rast, dembelos prindërit tanë, mbush me vetëdije karafat e verës të vampirëve të politikës shqiptare.

Ky lloj emigracioni i çoroditur, vetëm sa e pengon integrimin e Shqipërisë në Evropë!


Rezart Palluqi

Holandë, shtator, 2008 www.rezartpalluqi.com