Një simpozium mbi problemet e emigrantëve dhe zvarritjet e pafundme burokratike në dokumentacione

Gratë, të heshturat dinjitoze të kurbetit

Në 12 vjet, devotshmërinë karakteristike ua kanë falur të moshuarve dhe fëmijëve grekë

Marko Caka/ Athinë
Ato janë pjesa më e panjohur dhe në mënyrë paradoksale më përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Greqi. Njëkohësisht, pjesa më e dhimbshme e tij. Askush nuk mund të mohojë kontributin që kanë dhënë gratë shqiptare emigrante në shërbimet e ndryshme publike, në kujdesin e të moshuarve dhe të fëmijëve të vegjël. Në të gjithë këtë 12-vjeçar, gratë shërbyese kanë punuar, madje edhe me orë të zgjatura, por asnjëherë nuk i kanë marrë pullat siguruese (ensimat), pa të cilat rrezikojnë të mos u njihet vjetërsia e punës. Gjatë rinovimit të lejeve të qëndrimit, si grave shërbëtore, ashtu dhe grave baby-sitters, u kërkohej marrëveshja e punës me pronarët e tyre si dhe pullat siguruese, për të përmbushur dokumentacionin, por një gjë e tillë është e pamundur. Punëdhënësit nuk paguajnë sigurime duke e quajtur shërbimin një punë sezonale.
Këto ditë në qytetin e Naplios organizohet takimi i ministrave të Punës së BE-së, nën kryesimin e Presidencës greke dhe aty duhet të diskutohen edhe të drejtat e grave shqiptare, në kuadrin e të drejtave të punëtoreve emigrante, që jetojnë në Bashkimin Evropian.
Simpozium
Këto ditë në Athinë u organizua një simpozium nga Instituti i Punës dhe i Emigrimit, ku u parashtruan të gjitha problemet që ndeshen emigrantët në legalizimin e tyre. Me temën kryesore “Tendencat emigruese dhe politika evropiane e emigrimit”, Presidenti i këtij instituti, Kristos Polizogopullos, tha se “Greqia përpara disa dekadash zinte vendin e parë për emigrantët grekë që shkonin drejt vendeve të tjera të Evropës, por tani jemi një ndër vendet që përballojnë një nivel të lartë emigracioni nga jashtë. Politika jonë duhet të jetë një politikë e afrimit dhe e bashkëpunimit, në mënyrë që emigrantët të ndjehen si në atdheun e tyre dhe të trajtohen të barabartë”,- shtoi më tej Polizogopullos. Në raportin i ministrit të Brendshëm, Kostas Skandalidhis, u njoftua program-platforma që ka përcaktuar qeveria greke në lidhje me trajtimin e emigracionit, një nga iniciativat e para që do të ndërmarrë BE-ja në këtë 6-mujor të parë. “Ne kërkojmë të vihet një ligj i përbashkët për të gjithë emigrantët e BE-së, pra një zbatim i politikës emigruese evropiane”,- tha në këtë takim z. Skandalidhis.
Në këtë simpozium dyditor morën pjesë shumë përfaqësues të shoqatave të emigrantëve të huaj që punojnë dhe jetojnë në Greqi, të cilët trajtuan shumë probleme serioze, ende pa zgjidhje nga organet drejtuese vendore. Me interes u ndoq raporti i mbajtur nga përfaqësuesi i komunitetit të emigrantëve shqiptarë, që u kryesua nga presidenti i konfederatës së punëtorëve, Lefter Marta. Ai theksoi se emigrantët shqiptarë janë pjesa më ë madhe dhe më e dobishme në Greqi, por njëkohësisht edhe komuniteti i përballur me ndjenjat më të shpeshta të racizimit. Marta numëroi disa raste kur dokumentacioni i dhënë nga zyrat e emigrimit nuk njihet nga përfaqësues të policisë greke. “Dezinformimi dhe zvarritjet burokratike bënë që shumica e shqiptarëve që shkuar për festa të bllokohen në kufi”, -shtoi z.Marta.
U ngrit edhe shqetësimi i rinovimit të “librit të shëndetit” nga ana e emigrantëve. Kjo procedurë pengohet nga udhëresa te veçanta burokratike. Shtyrja e librit të shëndetit duhet bërë duke dërguar pullën në adresën e emigrantit, por kjo e fundit vonohet se tepërmi. Në shumë raste rinovimi i këtij libri nuk kryhet, pasi koincidon me skadimin e lejes së qëndrimit.


Evropës së plakur, i duhen emigrantët

Sipas një raporti që nxori Instituti i Kërkimeve të Ambientit Civil dhe të Kapacitetit Njerëzor, për llogari të Ministrisë së Jashtme greke, mësohet se në zonën e BE-së llogaritet se deri në vitin 2025 duhet të sistemohen 150 milionë emigrantë, që të zëvendësohet ulja e fuqisë punëtore, pra të balancohet raporti mes të punësuarve dhe pensionistëve. Për shembull, Gjermania, që të ruajë raportin e punëtorëve me pensionistët, duhet të pranojë ose, më mirë, të fusë brenda territorit të saj 500 mijë emigrantë në vit, gjithashtu të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Italia, e cila ka moshën më të vjetër të popullsisë në Evropë dhe i duhet t’u hapë kufinjtë rreth 300 mijë emigrantëve në vit. Siç rezulton në kërkimet e kryera nga pedagogu i Universitetit Padiu të Athinës, z.Angelo Cigris, në vitin 1998 , 3,5% e popullsisë së BE-së, pra, rreth 13 milionë banorë, ishin shtetas të vendeve të treta. Përqindja është më lartë në shtetet e Evropës Qendrore, p.sh. Austria 9,3%, Gjermania 6,7% dhe më e ulët në shtetet e Mesdheut, si Spanja, Italia dhe Greqia. Pastaj lufta në Jugosllavi dhe në përgjithësi gjendja në Ballkan, solli dyndjen më të madhe të emigrantëve të paligjshëm dhe të ligjshëm, sidomos nga ish-shtetet e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë. Njëkohësisht e rëndësishme ishte edhe ardhja e emigrantëve nga kontinentet e tjera të Azisë dhe asaj të Afrikes Veriore nga faktorët ekonomikë, politikë dhe demografikë të saj.


TABELA

Të huajt
Në vitin 1981 gjatë regjistrimit të popullsisë, u shënuan 176.119 të huaj, ndërsa në atë të vitit 2001 numri i të huajve shkoi në 797.093. Të huaj të regjistruar rezultojnë në 7,2 % të popullsisë vendase greke, por në vërtetë janë më tepër, duke ditur se shumë emigrantë janë të paligjshëm dhe nuk e kanë deklaruar praninë e tyre.

Lindjet
Në bazë të të dhënave statistikore, nga 100.000 lindje në vit, 15.000 prej tyre janë nga familjet e emigrantëve. Shtetet të cilat kanë sjellë numrin më të madh të emigrantëve janë: Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania, të cilët përbëjnë 76% të numrit të përgjithshëm të emigrantëve që u legalizuan dhe që tani jetojnë në tokën greke. Nga shtetet e ish-B.Sovjetik, numri i grave emigrante është shumë më i lartë se ai i burrave, si Ukrania me 86% gra, Moldavia me 74,4% gra dhe Gjeorgjia me 63,8% gra.

Arsimi
Lëvizjet demografike, që lëkunden për hir të emigracionit, kanë sjellë ndryshime të dukshme edhe në periferi të Greqisë. Në shumë shkolla të fshatrave greke numri nxënësve të huaj është më madh se i atyre vendas. Në vitin shkollor 1995-‘96 në shkollat fillore dhe tetëvjeçare mësuan 47.700 fëmijë të huaj dhe në vitin 1997-‘98 mësuan 67.200 fëmijë të huaj, domethënë 4,6% i numrit të përgjitshëm të nxënësve në tërë Greqinë.

Legalizimi
Sipas tabelës së statistikave, që referohen nga Instituti Kombëtar i Punës Greke rrjedh se 369.629 të huaj në vitin 1999 dorëzuan dokumentacionet në zyrat e emigrimit për kartën jeshile (leje qëndrimi) në Greqi. Nga ky numër, 267.502 ishin të seksit mashkull dhe 93.482 të seksit femër, ndërsa 8.645 veta nuk e deklaruan seksin e tyre.

Përqindjet
Shqiptarët përbëjnë përqindjen më të madhe dhe radhiten në vend të parë me 65%, pastaj radhiten bullgarët me 6,7% dhe me radhë: rumunët me 4.5%, pakistanezët me 2,9%, ukrainasit me 2,7%, polakët me 2,3%, gjeorgjanët me 2,0%, indianë e egjiptianë me 1,7%, filipinezë me 1,5%, moldavianë me 1,2% sirianë 0,9%, rusë me 0,8% etj.
----------------------------------
-----------------------------------------
Oj sharki e lehte si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvera?