Nga Express më 18.09.2009 në ora 19:19
Qytetarët shqiptarë në Maqedoni shprehen jashtëzakonisht të fyer me përmbajtjen skandaloze të Enciklopedisë së parë të Maqedonisë, të promovuar ditë më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë., në të cilën akademikët maqedonas paraqesin shqiptarët si të ardhur nga Shqipëria, dhe uzurpues të shtëpive maqedonase. Reagon ashpër shoqëria civile.
Në këtë enciklopedi të financuar nga Qeveria e Maqedonisë, akademikët maqedonas thonë se shqiptarët njihen si "arbanasë", "arnautë" dhe "shqiptari", kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës (njerëz mali).
Në këtë enciklopedi shkruhet se "prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishe nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. Deri në fillimet e shekullit të XIX-të shqiptarët numëronin 20 mijë banorë".
Sipas akademikëve maqedonas, rritja e numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni argumentohet me natalitetin e lartë dhe migrimet nga Kosova
Lëvizja Qytetare “ZGJOHU në reagimin e sajë vlerëson se, veprimet e vazhdueshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë krijojnë përshtypjen që detyra e vetme e këtij institucioni është që të funksionojë si laborator për përvetësimin e figurave historike shqiptare, falsifikimin e historisë, në veçanti asaj të popullit shqiptar, si dhe të shpërlajë trurin e popullit të vet.
ZGJOHU! shpreh dyshimin se projektet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë përpilohen në Beograd dhe kanë qëllime djallëzore.
ZGJOHU! konsideron se ky institucion me agjendë politike, që propozoi ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001, po nxit urrejtje ndërnacionale dhe po rrezikon marrëdhëniet ndëretnike në vend. (B. Iseni/ RTK)
Krijoni Kontakt