30 mijë monedha antike në mëshirë të fatit


Petrika GROSI

Nga rreth 50 mijë monedha antike që trashëgojmë deri më sot, frut i gërmimeve arkeologjike të bëra për dekada të tëra në qytetet e lashta të paraardhësve të shqiptarëve, vetëm 20 mijë prej tyre janë restauruar, ndërkohë që pjesa tjetër (30 mijë monedha) çdo ditë e më tepër, po shkatërrohet pasi është lënë në mëshirë të fatit. Sipas specialistit të restaurimit, Frederik Stamati, që këto monedha të mos prishen në mënyrë të pariparueshme dhe që korozioni e mineralizimi i tyre të shmanget, duhet të bëhet sa më parë restaurimi dhe ndalja e proceseve kimike që kanë nisur t’i dëmtojnë monedhat e bakrit e të bronzit gjatë gjithë këtyre viteve. “Këtë vit, pritet që të restaurohen rreth 850-900 monedha të zbuluara sivjet por edhe kohë më parë, që nga vitet ’60.” –thotë Stamati për gazetën “Albania”. Ai vijon më tej se “Ndokush mund të thotë se është një shifër e kënaqshme, por nëse do t’i futemi në brendësi problemit, kjo është një shifër e kënaqshme vetëm për ata që nuk e njohin problemin. Gjatë viteve, arkeologjia shqiptare ka zbuluar rreth 50 mijë monedha që nga shek. III deri në Mesjetë. Nga këto monedha, një pjesë e tyre ndodhen në ruajtje pranë Qendrës së Studimeve Arkeologjike, ndërsa të tjerat janë nëpër muze, në Bankën e Shtetit, apo pranë koleksioneve private. Që të ruhen monedhat, kanë nevojë për një trajtim konservues laboratorik dhe një trajtim restaurues. Kjo që të marrim vesh se çfarë ato janë, pasi kur dalin nga toka, monedhat janë të mbuluara nga balta e materiale të tjera.”
Sipas restauratorit Stamati, nëse monedhat që dalin nga nëntoka nuk restaurohen, proceset e korozionit vazhdojnë dhe ato kthehen në një masë me sipërfaqe të pluhurosur, pra, në hi. Mbi sipërfaqet e monedhave janë depozitimet minerale tejet të forta, mbi të cilat duhet punuar që të zbulohet fytyra e vërtetë e monedhës. Nëse korozioni avancon, atëherë puna e restauruesit vështirësohet deri në pamundësi. “E thënë në mënyrë figurative, mendoni pak, nëse një operacion stomaku bëhet për një orë e gjysmë, pastrimi i një monedhe kërkon deri në katër orë, kaq e madhe është puna. Të mos harrojmë pastaj trajtimet e tjera kimike, dokumentacionin përkatës, hedhjen në skedar dhe fotografimet etj. Një monedhë që ngelet për një kohë të gjatë pa u restauruar prishet.” –sqaron Stamati, duke pohuar se “në Shqipëri, nga 50 mijë monedha që janë zbuluar në total deri më sot, rreth 30 mijë prej tyre janë të rrezikuara pasi nuk janë restauruar. Jemi marrë më tepër me restaurimin e thesareve.”

Monedhat, bronz, bakët dhe argjend
Kryesisht, monedhat e të parëve tanë kanë qenë në bronz, bakër, bakër të lartë me argjend ose vetëm në argjend, ndërkohë që monedhat prej ari na mungojnë. Thuajse përvit, zbulohen 500-1000 monedha të reja nga gërmimet dhe ekspeditat e ndryshme arkeologjike. Që të trajtohen të gjitha dhe të restaurohen monedhat, në laborator duhet të ketë të paktën dy punonjës, të cilët të merren vetëm me këtë punë. Lidhur me këtë, Stamati thotë se “Ne nuk kemi nevojë për aparatura pasi ato nuk na mungojnë. Na duhen njerëzit. E kam fjalën për kuadro, që të kenë aftësitë dhe durimin e duhur për ta bërë këtë punë. Një gjë e tillë është urgjente pasi kemi vënë re se monedhat që janë zbuluar në vitin ’85 dhe që kanë mbetur pa u restauruar, e kanë sipërfaqen të dëmtuar jashtë mase, aq sa ajo është shndërruar në pluhur e hi. E gjitha kjo ndodh për shkak se monedhat nuk u restauruan në kohë. Sipërfaqja e tyre nuk kthehet më me asnjë trajtim dhe do të mbetet pluhur, e përveç kësaj për këto monedha nuk japim dot asnjë garanci.

Mungesa e klimatizatorit
Një tjetër problem i laboratorit të vetëm shkencor në Shqipëri, i cili parandalon dëmtimin e trashëgimisë arkeologjike shqiptare dhe restauron objektet e dëmtuara, është mungesa e kushteve klimaterike. Dihet se ajri i kondicionuar është një nga faktorët bazë për të ruajtur shumë objekte. Të mos harrojmë këtu, se sa më të rënda që të bëhen problemet në këtë fushë, aq më të ngadalta do të jenë pastaj proceset e zgjidhjes së tyre dhe ritmi i restaurimit. E veç këtyre, agravimi i situatës, pa dyshim që në fund do të shoqërohet ose me humbjen e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare, ose me një kosto shumë herë më të lartë sesa sot, të restaurimit të këtyre objekteve, kuptohet, në rastet kur ato do të mund të restaurohen...


Mungesa e personelit
“Kemi kërkuar shpesh më shumë personel por kërkesat tona asnjëherë nuk janë plotësuar. Për këtë arsye jemi në kushtet e vështira që na gjeni sot.” –thotë Stamati. Sa u takon monedhave ai vijon se “Duhet thënë që nomizmatja e vetme që kemi, Shpresa Gjongeci, ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë për sistemimin e monedhave. Ajo ka marrë tabaka nga Gjermania, të ndara me fole sipas madhësisë së monedhave, me pelush vishnjë e me kapakë peçiklasi. Nga kjo pikëpamje është bërë një punë e mirë por nuk mjafton. Është laboratori, ajri, parametrat mjedisore, mënyra sesi trajtohen objektet, një sërë komponentësh që duhet të koordinohen për të ruajtur objektet që trashëgojmë nga lashtësia.”

Monedhat e Durrësit më të dëmtuarat
Ndërsa e pyesim shefin e Laboratorit të Restaurimit mbi faktorët që ndikojnë në dëmtimin e monedhave, ai tregon se mjedisi ku monedhat janë gjetur, ndikon së tepërmi e gjithashtu, ka rëndësi edhe përbërja e tyre; “Masa e dëmtimit të monedhave varet nga reaksionet që ato kanë marrë në mjedisin ku kanë qëndruar për një kohë të gjatë. Tjetër faktor është mosha e monedhës dhe materiali përbërës. Nëse marrim një enë të re prej bakri dhe e lëmë disa vite do të vëmë re se ajo nis të jeshiloset edhe pa u groposur.
Bronzi prishet edhe më shpejt se bakri. Mjedisi i tokës ndikon shumë. Vëmë re se monedhat që dalin në Apoloni janë më të mira se ato të Durrësit. Edhe monedhat e Finiqit dalin mjaft të dëmtuara. Toka e Durrësit është e mbushur me klor e kripë, të cilat i gërryejnë dhe deformojnë metalet.


15 Shtator 2009 - gazeta Albania