http://www.dritare.com/lajme/default.asp?LajmiID=4853
Meta, vizitë surprizë në Beograd
Ish kryeministri i Shqipërisë dhe një nga figurat e njohura të PS, Ilir Meta do të vizitojë nesër Serbinë. Sipas burimeve pranë tij, ish kryeministri do të udhëtojë herët në mëngjes me një fluturim çarter nga aeroporti i Rinasit për në aeroportin e Beogradit. Po nesër mbasdite, Meta parashikon të takohet me Kryeministrin Serb Xhinxhiç dhe me disa nga figurat e tjera të njohura politike në vend. Po sipas burimeve pranë Metës, qëndrimi tre ditor në Serbi do të shfrytëzohet edhe për një vizitë në zonën e Preshevës dhe Bujanovcit dhe për një takim me liderët lokalë atje. Nuk ka më shumë detaje për vizitën e papritur të ish kryeministrit, por konfirmohet tashmë se në udhëtimin e tij ai do të shoqërohet nga disa deputetë të mazhorancës, disa përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë si dhe përfaqësues të shtypit. Vizita e Metës përfundon të shtunën në mbrëmje.
Nuk ka më shumë detajepër vizitën e Metës në Beograd dhe Preshevë, por duket qartë që edhe kjo vizitë e fundit është pjesë e një turi padyshim të rëndësishëm që ish kryeministri po zhvillon në rajon. Më parë, ai ka vizituar Maqedoninë, ku ka pasur takime me liderët lokalë shqiptarë dhe duket se po përgatit një vizitë në Kosovë. Ndërkohë, vizita e Metës në Beograd, e projektuar që në kohën që ai ishte kryeministër i Shqipërisë padyshim që do të marrë një ngjyrim të rëndësishëm politik. Më parë, me status zyrtar Beogradi është vizituar edhe nga Ministri i Jashtëm Milo si dhe me rastin e një konference ndërkombëtare edhe nga Kryetari i PS, Fatos Nano.
Kontaktet e Metës me Kryeministrin Serb Xhinxhiç kanë filluar thuajse një vit më parë. Qeveria Shqiptare e Ilir Metës njohu dhe më pas rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Serbinë e pas Millosheviçit, dhe me këtë rast, pas takimit të liderit të PS Nano me Koshtunicën edhe Meta u takua me Kryeministrin Xhinxhiç, po në Athinë, gjatë një takimi ndërkombëtar rajonal të organizuar nga revista prestigjioze “The Economist”. Takimi i cili fitoi mjaft publicitet në mediat botërore kujtohet mbi të gjitha nga deklarata e përbashkët në të cilën dy Kryeministrat u shprehën se nëse ky takim do të ishte bërë më parë, nuk do të kishte pasur mosmarrëveshje mes dy vendeve dhe për faktin se Meta i kërkoi Xhinxhiçit, lirimin e të burgosurve kosovarë që mbaheshin në Serbi. Një javë më pas, Xhinxhiç vendosi lirimin e 340 prej tyre, duke deklaruar se një gjë të tillë ja kishte premtuar edhe Kryeministrit shqiptar.
Në parim, vizita e Metës në Beograd, që do të ishte edhe e para e një Kryeministri që nga viti 1946, kur Kryeministri Enver Hoxha vizitoi Kryeqytetin e Jugosllavisë së atëhershme, u planifikua për në vjeshtën e vitit të kaluar. Vizita u shty disa herë si pasojë e zhvillimeve të brendshme të PS dhe duket se u harrua pas deklaratës së Majkos në një emision televiziv se ai nuk do të vizitojë asnjëherë Beogradin. Duket se Meta ka vendosur ta realizojë tani vizitën, duke marrë mbi vete një rol jo pa rëndësi.
Por ajo që të befason më shumë është ideja e ish kryeministrit për të vizituar krahinën shqiptare të Preshvës, e cila ndodhet brenda kufirit serb. Nuk dihet shkaku i kësaj vizite, por duket qartë se Meta kërkon të luajë një rol tek faktori shqiptar jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Vizita e tij e dy javëve më parë në Tetovë dhe takimi me Ahmetin dhe Xhaferrin, u komentua jo pak. U mendua se ajo i shërbente unifikimit të faktorit shqiptar atje dhe shuarjes së mosmarrëveshjeve mes politikës dhe përfaqësuesve të UÇK. Nuk u mësua më shumë për këtë, por nuk është çudi që Meta ta ketë ndërmarrë këtë vizitë në kuadrin e njohjes së gjendjes së politikës shqiptare në rajon. Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe lajmi i përhapur për një vizitë të afërt të Metës në Prishtinë, vizitë e cila nuk duket se do të jetë shumë larg. Gjatë mëngjesit të djeshëm ish Kryeministri Shqiptar është parë në Hotel Rogner në shoqërinë e liderit të PDK dhe ish udhëheqësit politik të UCK, Hashim Thaçi. Thaçi, i cili ndodhej tranzit në Tiranë është aktualisht një ndër politikanët më me influencë në Prishtinë.
Padyshim, vizita e Metës mund të sjellë një ç‘ngurtësim në marrëdhëniet mes dy vendeve, por për të bërë konkluzione duhet pritur kthimi dhe konkluzionet e saj.
“Korrieri”
8/5/2002 09:37
Krijoni Kontakt