Kuçi në çerekfinalet e Botërorit të Boksit në peshën 69 kg
Boksieri shqiptar Jetmir Kuçi ka shënuar mbrëmë fitoren e dytë radhazi në konkurrimin në peshën 69 kg, e vlefshme për kampionatin e 15-të Botëror të Boksit, që po zhvillohet në Milano(Itali) nga datat 1-13 shtator.
Kuçi ka mposhtur serbin Zoran Mitroiviç me pikë me rezultatin 15-5. Ndërkohë, fitoren e parë Kuçi e mori ndaj armenit Samuel Matevosjan, me rezultatin 10-4.
Me këtë fitore Jetmir Kuçi arrin çerekfinalet e Botërorit të Boksit. Është hera e parë në historinë e përfaqësimeve të ekipeve shqiptare në një botëror, që një boksier shqiptar arrin të kalojë dy turne, duke shkuar në çerekfinale.
Në çerekfinale Jetmir Kuçi do të ndeshet me boksierin e Kirgistanit Asadullo Bojmurodov. Nëse Kuçi arrin fitore edhe në çerekfinale do të jetë historik kalimi i tij në gjysëmfinalet e botërorit, po aq sa sa ç’është historik fakti se do të jetë një nga 4 pretendentët finalistë për medalje në këtë botëror.
(s.g/ATSH/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt