Gazeta sjell emrat më të njohur të botës së shërbimeve sekrete. Marrëdhëniet e tyre me shërbimet homologe, si CIA, MI6 dhe KGB-ja
Duke filluar që nga numri i sotëm, në gazetën Albania do të gjeni profilet e agjentëve shqiptarë më të suksesshëm që nga koha e mbretit Zog dhe deri në fillimin e viteve 90. Në këtë cikël shkrimesh do të gjeni informacione të detajuara për misionet e “spiunëve” shqiptarë në shërbim të Zogut, Enver Hoxhës apo edhe shërbimeve më të fuqishme të botës si CIA, KGB-ja apo shërbimet britanike dhe italiane. Të dhënat janë marrë nga arkivat e shtetit. Secili prej personazheve të botës së zbulimit ka një profil të shkurtër, ku flitet për pseudonimet, misionet dhe operacionet më të suksesshme të tij. Kush ishte “Ciceroni” i famshëm, shqiptari me emër Iliaz Bazna, i lindur në vitin 1904, i cili punonte për llogari të shërbimeve sekrete gjermane dhe angleze. Kush ishte “Kobra”, një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit, por njëkohësisht dhe të CIA-s. I stërvitur me profesorë të KGB-së, në Akademinë e Moskës, si dhe i trajnuar me rezultate të shkëlqyeshme për dy vjet nga CIA, “Kobra” arriti t’u shërbente të dyja këtyre shërbimeve me besnikëri. Kush ishte Hamit Matjani, agjenti shqiptar i CIA-s që përgëzoi aftësinë e Sigurimit të Shtetit që e futi në kurth. Paradokset dhe lojërat agjenturore, profesionalizmi dhe sakrificat. Rreziqet dhe vështirësitë, si dhe ndërhyrjet nga shërbimet e huaja si CIA amerikane, UDB-ja jugosllave, MI-6 britanik, SIM-i italian, etj.
Ceno bej Kryeziu
Spiuni i parë dhe i famshëm shqiptar mund të quhet padyshim Ceno bej Kryeziu, i cili ishte njëkohësisht edhe kunat i Ahmet Zogut. Ai kishte lindur në Gjakovë dhe ishte rekrutuar nga Shërbimi Sekret Jugosllav që në vitet ‘20. Në sajë të aftësive të tij, ai ki kishte arritur t’u kalonte shumë informacion jugosllavëve. Për këtë arsye, në vitin 1924 pas ndihmës që jugosllavët i dhanë Zogut për të ardhur në pushtet, ata i kërkuan këtij të fundit që kunatit të tij Ceno bej Kryeziu, t’i jepej posti i Ministër i Brendshëm. Por më pas Zogu do ta kuptonte lojën që bënte kunati i tij dhe më vonë ky i fundit detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Çekosllovaki. Më 14 tetor 1927, Ceno bej Kryeziu qëllohet për vdekje në kafe “Passage” në qytetin e Pragës, nga studenti shqiptar 23 vjeç, i quajtur Alqiviadh Bebi.
Iliaz Bazna (“Ciceron”)
Iliaz Bazna është emri i legjendës shqiptare të spiunazhit, i njohur me pseudonimin “Ciceroni”. Ka lindur në vitin 1904, në Prishtinë, në kohën kur krahina e Kosovës, por edhe pjesa më e madhe e Ballkanit, ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane, më vonë familja e tij vendoset në Turqi. Ai u bë një nga spiunët më të famshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur punonte si kamarier në shtëpinë e ambasadorit britanik në Ankara. “Ciceroni” arrin t’u japë gjermanëve informacione të shumta, por të gjitha këto në shkëmbim të parave. Brenda një kohe të shkurtër, ai arriti të mbledhë rreth 300 mijë sterlina, një shumë jashtëzakonisht e madhe në atë kohë. Por në pranverë të vitit 1944 zbulohet veprimtaria e tij. “Ciceroni” arrin të arratiset së bashku me të gjitha paratë e tij të cilat rezultuan të ishin false. “Ciceroni” vdiq në Stamboll, në vitin 1971, por historia e tij u bë skenar filmi dhe subjekt libri.
Hekuran Pobrati (“Mali”)
Hekuran Pobrati ishte anëtar i grupit special të Ministrisë së Brendshme, ai njihej me pseudonimin “Mali”. Pobrati lindi në fshatin Pobrat të Beratit, më 15 shtator të vitit 1920. Ai u martua në vitin 1949 me Feraset Xhaferr Vërlacin (Ngurëza) dhe pati me të gjashtë fëmijë. Pobrati kreu shkollën e mesme dhe në vitin 1943 ishte partizan i Brigadës së Parë Sulmuese me funksione nga zëvendëskomandant kompanie deri në zëvendëskomandant batalioni. Pas çlirimit mbaroi dy kurse shtatë-mujore për oficer dhe mori detyrën komandant batalioni në mbrojtjen e popullit. Nga vitit 1947 deri në nëntor 1948, arrestohet nga Koçi Xoxe nën akuzën e bashkëpunimit me armikun. Pas 1948-s rifiton të gjitha të drejtat dhe merr pafajësinë. Në këtë vit filloi punë në Sigurimin e Shtetit, deri sa doli në pension. Ai mbante pseudonimin “Mali” dhe ka marrë pjesë në operacione të famshme së bashku me kolegun e tij, Asim Aliko. Pobrati vdiq në vitin 1991.
Koll Qefalia (“Nishozit”)
Nën pseudonimin e “Nishozit” fshihej Koll Qefalia, kryetar i Këshillit Popullor në një zonë të Mirditës. Ai ishte agjenti më besnik i Alush Leshanakut, ose i njohur ndryshe “Luani”, agjentit të shërbimeve sekrete italiane. “Nishozi” ishte njeriu që luajti rolin e ndërmjetësit për takimin që do bëhej midis Alush Leshanakut dhe Frontit të Rezistencës. Kjo e fundit ishte një organizatë fantazmë e ngritur nga Sigurimi i Shtetit për të futur në kurth bandat, e cila drejtohej nga Kadri Hazbiu. Ish-agjentët e Sigurimit, megjithëse “Nishozin” e konsideronin si një nga armiqtë më të mëdhenj, e vlerësojnë shumë profesionalizmin e tij. Sipas tyre, “Nishozi” i kamuflonte lëvizjet e tij. Madje disa prej tyre kanë qëndruar për një kohë të gjatë nën shoqërinë e tij, pa e ditur se ai ishte pikërisht njeriu të cilin e kërkonin me ngulm. Qefalia kapet pas një kurthi agjenturor të organizuar nga Sigurimi i Shtetit.
Mark Dodani (“Xhakoni” e “Studenti”)
Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit është futur në këtë shërbim në fillim të vitit 1946, i nxitur nga vrasja e babait dhe vëllait të tij në vitin 1945. Por në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai angazhohet në operacione në vitin 1948 pas takimit me Kadri Hazbiun. “Mendoja se më kishin thirrur për punën time në zonën në veri, gjë e cila mu përforcua kur aty gjeta edhe Bardhok Bibën, por nuk dija se që në ato momente jeta ime do të merrte rrjedhë tjetër”, ka rrëfyer Dodani për median. Sipas shënimeve të ish-sigurimsit, Kadriu (ndonëse e kishte njohur shkarazi dhe më parë), i drejtohet Markut: “Ti je Mark Dodani!”. “I thashë se unë jam”, - tregon Dodani. Pa e zgjatur, Kadriu i është drejtuar Bardhok Bibës: “Mos e kërko më Mark Dodanin, ai do të punojë me ne”. Kështu, për 35 vjet me radhë, Dodani punoi në organet e Sigurimit me pseudonime të ndryshme, ku më kryesoret janë “Xhakoni” e “Studenti”. Pas daljes në pensionin e parakohshëm, u atashua si shkrimtar i lirë pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Alush Leshanaku (“Luani”)
Ishte me origjinë nga Elbasani, fshati Leshanak. Kishte qenë profesor gjimnastike në Liceun-Gjimnaz të Shkodrës qysh në periudhën e regjimit të ish-mbretit Zog. Studentët shkodranë të gjimnazit e njihnin si njeri të shkathët, intelektual të zotin, me një trup sportisti, fizikisht i fortë, disi enigmatik. Sapo u largua mbreti Zog I, më 7 prill 1939, Alush Leshanaku vihet në shërbim të fashizmit, teksa rekrutonte “Giovani Fashisti”, të rinj fashistë. Në vitin 1941, me pseudonimin “Luani”, punon si agjent i shërbimit sekret italian me mision në Shqipëri. Detyra e tij ishte të krijonte grupe e t’i organizonte ato që ishin për rrëzimin e regjimit komunist në atë kohë. Kishte zbarkuar në Mirditë me parashutë, dhe ishte një nga agjentët më të rrezikshëm për Sigurimin e Shtetit, cilësohej si “Gjenerali i Perdes së Hekurt”. Alush Leshanaku, i njohur me kodin “Luani”, kishte zbarkuar me parashutë në Mirditë. Ja ç’shkruan në ditarin e tij: “Pra qeveria është siguruar për ekzistencën time e mbi qëndrimet në… Po më gjurmojnë e po më ndjekin”. Leshanaku mbeti i vrarë nga Sigurimi i Shtetit.
Asim Aliko (“Tomori”)
Ai ishte kryetari i grupit special të Ministrisë së Brendshme që kishin si qëllim depërtimin në radhën e bandave e agjenturave të huaja me pseudonimin “Tomori”. Aliko u bë pjesë e Sigurimit të Shtetit në vitin 1948 dhe punoi derisa doli në pension në vitin 1965. Ish-oficeri i Shërbimit Sekret, Mark Dodani tregon se Aliko për pesë vjet ka kapur 120 banditë. Taktika e tij ishte që t’i përçante banditët, të organizonte takime në vende ku donin oficerët e Sigurimit, me qëllimin për t’i kapur të gjallë. Mënyra më origjinale e Alikos ishte se pjesën më të madhe të rasteve ai e arrinte këtë me dollitë që ngrinte. Aliko njihej si pijetar dhe shpesh shefat e tij e kishin të vështirë t’ia besonin detyrat, por ai pikërisht me këtë siguronte suksesin e operacionit. Duke ngritur dolli, ai u krijonte afinitet kundërshtarëve, duke i bërë të besonin se ishin në të njëjtën llogore, e më pas i zinte robër. “Tomori” kishte lindur në Kurvelesh, në vitin 1915. Ai ishte vlerësuar me titullin “Hero i Popullit”, u nda nga jeta në vitin 1987.
Pal Mëlyshi (“Furtuna”)
Pal Mëlyshi, me pseudonimin “Furtuna”, ishte një nga agjentët më të mirë të Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një komunist i flaktë, edhe pse babai i tij ishte detyruar të arratisej pse nuk i përkrahte idetë komuniste. U fut në Sigurim në shtator të vitit 1949 dhe qëndroi deri sa u vra në vitin 1950. Synimi i tij ishte të ndihmonte në luftën kundër bandave. Por infiltrimi ishte shumë i vështirë, pasi të gjithë e njihnin për komunist. E motra e tij, Marie Mëlyshi kujton, se kapobanda e vinte herë pas here në provë. “Një natë, ndërsa i jepet një detyrë, ai bashkë me dy anëtarë të tjerë të bandës përplasen me disa sigurimsa. Fillon shkëmbimi i zjarrit mes tyre. Pali gjen një moment të përshtatshëm dhe vetëplagoset. Që pas kësaj ngjarje kapobanda u pati thënë anëtarëve të tjerë, që Pali tashmë ishte pjesë e tyre dhe asnjeri nuk duhet të fliste keq për të”, tregon e motra. “Furtuna” u vra nga sigurimsat në një shkëmbim zjarri me bandën, nga e cila nuk u shkëput dot në momentin e rrethimit.
Albania
Krijoni Kontakt