Ndikimi i mediave vendase e të huaja në
zhvillimin e hetimeve të rasteve
të dhunimeve të femrave shqiptare gjatë luftës
në Kosovë
· Femrat e dhunuara duhet të garantohen se nuk do
të fyhen e kritikohen
nga rrethi kur flasin për fatkeqësitë e tyre
(HRW- Martina Vandenberg)
· Shkrime skandaloze në mediat tona e të huaja –
shkelje imediate e
së drejtës së femrës për ruajtjen e dinjitetit
dhe indivudalitetit të
saj

Si trajtohet nga mediat tona çështja e dhunimit të
femrës shqiptare nga
pjesëtarët e forcave të armatosura serbe para dhe
gjatë luftës në Kosovë? Sa
hapësirë i jepet nga shtypi ditor, revista javore,
dyjavore apo mujore kësaj
kaptine të dhimbshme dhe shumë të ndjeshme nga lufta e
porsapërfunduar? A
ka trajtime adekuate të kësaj problematike dhe a
shkohet nga ajo që sa më
shumë raste që përshkruhen bëhen me qëllim të
senzibilizimit të
problematikës? Sa rëndësi i kushtohet rikthimit në
jetë dhe integrimit në
shoqërinë tonë të femrave të dhunuara duke i
shfrytëzur mundësitë e këtyre
mediave? A kemi ne si shoqëri përvojë të mirëfilltë
në trajtimin e rasteve
të tilla dhe rehabilitimin e femrave që plagën e
dhunimit do ta bartin të
ndryrë në shpirt deri në fund të jetës? Sa janë në
gjendje familjet e
femrave të dhunuara të ballafaqohen me realitetin dhe
t’u ndihmojnë vajzave
apo nuseve të tyre në tejkalimin e thyerjes
shpirtërore që ato e kanë
përjetuar?
Janë këto disa nga pyetjet që ne çdo ditë duhet t’ia
bëjmë vetes dhe t’u
rikthehemi ditëve që po kalojnë, të vështrojmë prapa
se çfarë kemi bërë dhe
sa kemi bërë deri më tani për ta lehtësuar gjendjen në
këtë drejtim. Janë
publikuar rrëfime të ndryshme, natyrisht, pa të dhëna
konkrete të rasteve,
janë publikuar shumë raporte të organizatave
qeveritare dhe joqeveritare
ndërkombëtare e shumë pak ose fare pak raporte të
organizatave vendase.


Cilat janë shkrimet që e kanë trajtuar këtë temë?

Në vazhdim do të shënojmë disa nga publikimet më të
rëndësishme që janë
dhënë nga shtypi. Thënë më konkretisht, deri më tani
është shkruar për disa
raporte që kanë publikuar OKB, OSBE, FNUAP, HWR etj.
Gjatë periudhës së
sulmeve ajrore të NATO-s mbi forcat serbe, atëherë kur
në Kosovë nuk është
botuar asnjë gazetë ditore apo revistë tjetër, në
shtypin ditor të
shqiptarëve në Maqedoni është publikuar raporti i
Stejt Departamentit
Amerikan, ku, sekretarja e shtetit, Medlin Olbrajt,
pastrimin etnik të
forcave serbe në Kosovë e ka quajtur “… fushatë të
rrezikshme”. Në këtë
raport thuhet se “forcat serbe po e përdorin dhunimin
si pjesë të pastrimit
etnik, se numri i dhunimeve është shtuar në
vazhdimësi, kështu që, kur bëhet
fjalë për dhunimet, mund të flitet për një fushatë të
organizuar. Brenda
këtij raporti thuhet se shqiptaret e reja janë ndaluar
në një hotel në Pejë,
ku pa mëshirë janë dhunuar nga ushtarët serbë”, (e
përditshmja shqiptare e
Shkupit “Fakti”, 12.05.1999, faqe 4). Po në “Fakti”,
më 12 dhe 13 maj 1999,
në faqen e fundit të gazetës, është dhënë një analizë
e shkurtër e
ekspertëve të Tribunalit Ndërkombëtar (shkruar në
gjuhën angleze), që
merren me hetimin e krimit të dhunimit. Shkrimi
titullohet “Dhuna seksuale
si krim ndërkombëtar” dhe është një analizë shumë e
rëndësishme.
E përditshmja “Flaka”, gjithashtu e Shkupit, e datës
24 maj 1999, ka shkruar
për raportin e publikuar nga OSBE, për krimet dhe
gjenocidin serb në
Kosovë, ku thuhet se janë grumbulluar mbi 1400 dëshmi
për krime lufte e
dhunime në Kosovë. Në raport thuhet se dëshmitë janë
grumbulluar nga gratë
dhe vajzat e reja shqiptare, të cilat rrëfejnë për
veten e tyre (anonime)
apo për shoqet e tyre dhe të afërmet që kanë përjetuar
dhunimin nga
pjesëtarët e forcave serbe. Në “Fakti” më 26 maj 1999
është shkruar edhe për
raportin e FNUAP (Fondi i Kombeve të Bashkuara për
Popujt e Rrezikuar), të
publikuar një ditë më parë. Në këtë raport të
publikuar nga OKB në Gjenevë
thuhet – “Ushtarët serbë për çdo ditë ngarkonin me
kamionë nga 30-50 femra
të reja shqiptare të cilat i dërgonin në drejtime të
panjohura dhe
mbylleshin me to për disa ditë me radhë në ndërtesa
ushtarake apo vendbanime
të tjera të ushtarëve serbë.- Nëse ato refuzonin t’i
nënshtroheshin seksit
- ose vriteshin ose digjeshin nga policët dhe ushtarët
serbë “.
Për dhunimet gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka
folur edhe Komisionarja
e OKB për të Drejtat e Njeriut z. Mery Robinson. Ajo,
në raportin e saj, ka
thënë: “Dhunimet e femrave shqiptare në shumë qendra
të Kosovës janë kryer
kryesisht nga paramilitarët e Arkanit dhe nga policët
serbë”. Në vazhdim ajo
përmend një rast në Ponesh të Gjilanit ku pjesëtarët e
forcave të armatosura
serbe kanë dhunuar në shtëpinë e saj një vajzë 20
vjeçare në prani të nënës
së saj (“Bota sot”, 7.3.2000,faq. 3).
Në prag të njëvjetorit të fillimit të sulmeve ajrore
të NATO-s, përkatësisht
më 21 mars 2000, organizata joqeveritare humanitare
amerikane Human Rights
Watch ka publikuar një raport prej 37 faqesh, ku janë
përshkruar 96 raste të
dhunimeve të femrave në Kosovë. Lidhur me këtë raport
(i pari i këtij lloji)
kanë shkruar “Koha ditore”, “Zëri ditor” e “Kosova
sot”, kurse e
përditshmja “Dita” e ka publikuar këtë raport me
vazhdime për disa ditë me
radhë.
Po ashtu, për këtë raport ka shkruar edhe ekspertja e
HRW Martina
Vandenberg, (shkrim ky i botuar në tërësi në revistën
mujore për femra
“Teuta” me titull “Krimet mbi bazë të gjinisë”,
(revista nr. 61, prill
2000, faqe 11). Martina Vandenberg, ndër të tjera,
thotë “… nëse gratë e
dhunuara nuk flasin (nuk dëshmojnë), kriminelët që
kryen dhunën seksuale, do
të shpëtojnë pa u ndëshkuar! Gratë e dhunuara duhet të
garantohen se nuk do
të kritikohen nga rrethi kur të flasin për këto
tortura”. Autorja e
raportit M. Vanderberg deklaron se, në saje të
dëshmive që HRW ka
grumbulluar, forcat e armatosura të Jugosllavisë dhe
të Serbisë janë
përgjegjëse direkte për dhunimin sistematik të grave
dhe të vajzave
shqiptare në Kosovë gjatë sulmeve ajrore të NATO-s .
Kurse zonja Zylfie
Hundozi – Pallaska, neuropsikiatre, në shtojcën
“Extra” të revistës “Teuta”
- të shtatorit 1999, ka shkruar një vështrim shkencor
për pasojat
psikologjike të dhunimit të femrave, të titulluar
“Kthimi në jetën normale”,
faqe 16 – 17, ku, në mënyrë shkencore, flet për
pasojat psikologjike të
të dhunuarave dhe mënyrën se si duhet të trajtohen ato
nga rrethi që të
rikthehen në jetën normale. Po kjo revistë, në numrin
e saj të tetorit 1999,
ka organizuar një tryezë të rrumbullakët ku kanë marrë
pjesë psikologë,
neuropsikiatër, përfaqësues të Qendrës për Mbrojtjen
e Grave e të Fëmijëve
dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të
Lirive të Njeriut. Temë
diskutimi ishin raste të shumta të femrave të dhunuara
dhe fenomenin e
dhunimit të femrës sonë nga pjesëtarët e forcave të
armatosura serbe.
Në të përditshmen “Zëri” është publikuar në tërësi
shkrimi i botuar në të
përditshmen londineze “THE OBSERVER”, titulluar “Nënat
e dhunuara mallkojnë
fëmijët e lindur, luftën, serbët dhunues…” (19 prill
2000, faqe 11) dhe
“Foshnjat e dhunimit presin adaptuesit” (20 prill
2000, faqe 11), në të
cilin shkrim, ndër të tjera, thuhet se grupet lokale
humanitare kanë
konstatuar se vetëm në janar të vitit 2000, në
Kosovë, kanë lindur rreth
100 foshnja, etërit e të cilëve janë dhunuesit serbë?!
Kjo gazetë rrëfen për
vështirësitë që hasin ekspertët dhe hulumtuesit
ndërkombëtarë dhe vendas në
evidencimin e këtyre rasteve për shkak se shumica e
femrave të dhunuara nuk
pranojnë se kanë qenë të dhunuara, mirëpo, për to më
tepër mund të mësohet
nga rrethi dhe dëshmitarët eventualë, që i kanë parë
në momentet kur ato
janë marrë nga forcat serbe. Lidhur me këtë shkrim
menjëherë kanë reaguar
autoritetet udhëheqëse të Klinikës Obstetrike –
Gjinekologjike në Prishtinë.
Ky reagim është botuar në të përditshmet “Koha ditore”
dhe “Zëri” më 20
prill 2000 dhe në të thuhet se nuk është e vërtetë se
kohëve të fundit kanë
lindur shumë fëmijë të dhunuesve serbë, sepse nuk do
të thotë që çdo dhunim
ka përfunduar me shtatzënësi. Ata dëshmojnë, po ashtu,
se shumë raste të
shtatzënësive të tilla janë paraqitur para disa muajve
dhe janë parandaluar
në këtë spital.

Dhunimi seksual – krim kundër njerëzimit

Në vështrimin “Dhuna seksuale si krim
ndërkombëtar” (“Fakti”, 12 e 13 maj
1999) ekspertët e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të
Luftës theksojnë se
aktet e dhunës seksuale trajtohen në kuadër të
juridiksionit të ICTY
(Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Jugosllavi)
dhe të ICTR
(Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës në
Ruandë). Ata, me shembuj të
ndryshëm të dhunimeve, e elaborojnë këtë çështje në
mënyrë shkencore dhe
juridike. Këto Tribunale e specifikojnë dhunimin
seksual deri në shkallën
e definicionit të akteve, të cilat mund t’i
konstituojnë krimet kundër
njerëzimit. Këta ekspertë potencojnë disa segmente të
juridiksionit të të dy
Tribunaleve Ndërkombëtare për Krime të Luftës, të
cilat, në statutet e tyre,
dhunimin seksual e konsiderojnë si:
- krim kundër njerëzimit,
- gjenocid,
- shkelje të ligjeve të luftës,
- torturë,
- krim të luftës në konfliktet e armatosura midis dy
vendeve,
- krim të luftës në konfliktet e armatosura interne,
- krim i luftës konsiderohet edhe përgjegjësia
për dhunim, kurse
- shtatzënsia e dhunshme konsiderohet krim
potencial.
Në këtë vështrim janë marrë disa shembuj të personave
të akuzuar nga këto
Tribunale për abuzime seksuale të civilëve të
pafajshëm në Ruandë dhe në
ish-Jugosllavi (Bosnjë, Kroaci e Serbi), kurse vetëm
është potencuar se ICTY
e ka zgjeruar juridikisionin e vet për hetimin e
abuzimeve seksuale të
kryera nga forcat e armatosura serbe mbi popullatën
civile shqiptare gjatë
luftës në Kosovë.

Sa ndihmojnë rrëfimet anonime të
publikuara në shtypin tonë e të huaj?

A ndihmojnë dhe sa ndihmojnë rrëfimet anonime të
viktimave të dhunuara apo
të dëshmitarëve të dhunimeve nga forcat serbe gjatë
luftës në Kosovë, që
herë pas here po publikohen në shtypin tonë? Po të
shtrohet çështja se sa
kanë ndikim mediat në zhvillimin e hetimeve mbi rastet
e dhunimit të femrave
gjatë luftës në Kosovë dhe çfarë ndikimi ushtrojnë
ato, atëherë kalojmë në
një rrafsh krejt tjetër, terren ky që më shumë do t’u
takonte organizatave
e institucioneve përkatëse, psikologëve dhe hetuesve
që merren me trajtimin
dhe hetimin e krimeve të kësaj natyre.
Duke marrë parasysh vështirësitë që hasim ne si
institucion në ndriçimin e
këtyre rasteve, vështërsitë me të cilat ballafaqohemi
gjatë zbulimit të
tyre, deklarimit të viktimave apo të dëshmitarëve dhe
duke pasur parasysh
ndjeshmërinë e hetimit mund të konkludojmë se puna që
është bërë deri më
tani në këtë drejtim është e vogël dhe e
pamjaftueshme. Themi kështu për
arsye se kemi të bëjmë me një problematikë shumë të
ndërlikuar, e cila
kërkon një tempo më të shpejtë të zgjidhjes së
problemve, sepse është në
pyetje e ardhmja e një pjese shumë të rëndësishme të
shoqërisë sonë, e
ardhmja e qindra e mijëra femrave tona (kryesisht të
reja), të cilat, po nuk
u ndihmuan, do të mbesin në mëshirën e fatit dhe do të
gjenden para
situatave shumë të rënda, prej të cilave vështirë do
të arrijnë të dalin
vet.
Në bazë të përvojës që kanë bashkëpunëtorët tanë në
hetimin e rasteve,
shumica e viktimave apo e dëshmitarëve që kanë dhënë
deklarata për KMDLNJ,
kategorikisht janë kundër publikimit të rasteve të
tyre për media edhe
atëherë kur atyre u është premtuar se rasti vetëm do
të përshkruhet pa emra
apo me iniciale (sipas dëshirës së tyre) dhe se të
dhënat e tjera do të
mbahen sekrete. Megjithatë, kemi pasur raste kur
viktimat kanë deklaruar
haptazi se nuk dëshirojnë të flasin për përjetimet e
tyre të tmerrshme mu
për shkak të frikës se rasti do të publikohet për
media. Viktimat e shfaqin
çdo herë këtë mosbesim dhe refuzojnë çdo bisedë që do
t’u hapte rrugë
rrëfimeve të tyre.
Skandaloz ka qenë shkrimi i botuar në “Koha ditore” me
titull ”Fëmijët e
turpit”, shkrim ky që ngjalli reagime të ndryshme edhe
në shtypin tonë.
Marrë në përgjithësi, për mendimin tonë, ky shkrim dhe
shkrime të tilla e të
ngjashme kanë pasur ndikim shumë negativ në hulumtimin
e rasteve të
dhunimeve për shkak se shumë femra të dhunuara, që
kanë pasur rastin t’i
lexojnë këto shkrime, e kanë ndierë veten të nënçmuar
dhe, edhe nëse do ta
kishin pasur mendjen që ndonjëherë të rrëfehen, e kanë
mbyllur përgjithmonë
këtë kaptinë të hidhur të jetës së tyre.

Cila është evidenca e KMDLNJ lidhur me rastet e
dhunimeve të femrave?

Lidhur me këtë kategori të dhunës dhe për këtë krim
është folur para dhe
gjatë gjithë periudhës së luftës në Kosovë. Në bazë të
të dhënave nga
terreni, kemi dyshime të bazuara se femrat shqiptare
janë dhunuar nga forcat
serbe që nga fillimi i luftës në Kosovë, kryesisht në
pjesët që gradualisht
janë përfshirë nga lufta. Mirëpo, intensiteti i
dhunimeve është shtuar me
fillimin e bombardimeve dhe është rritur në vazhdimësi
gjatë tërë periudhës
së sulmeve ajrore. Shumë organizata ndërkombëtare
joqeveritare dhe ekspertë
të ndryshëm kalkulojnë me shifrën se afër 20.000
femra shqiptare janë
dhunuar nga pjesëtarët e forcave serbe në ditët e
luftës. Të dhënat nga
terreni dhe dëshmitë e mbledhura në kampe të
refugjatëve në Maqedoni,
Shqipëri, Mal të Zi, dhe në vende të ndryshme, ku kanë
qenë të vendosur
shqiptarët e dëbuar e të deportuar nga Kosova dhe të
gjitha dëshmitë e
mbledhura pas përfundimit të luftës, dëshmojnë se
numri i femrave të
dhunuara mund jetë shumë i madh me qindra e mija. Por
ne, si institucion,
kemi shënime për:

- 126 femra shqiptare të dhunuara nga forcat
serbe, të cilave ua dimë
identitetin,
vendin dhe kohën kur janë dhunuar, e në disa raste,
kemi identifikuar edhe
dhunuesit e tyre;
- prej tyre 28, pasi janë dhunuar, janë vrarë nga
dhunuesit serbë, kurse
- 8 femra, pasi janë dhunuar, janë marrë nga
dhunuesit, janë dërguar në
drejtime të panjohura dhe ende llogariten si të
zhdukura.
Nga ana tjetër, kemi të shënuara edhe disa lokacione,
ku femrat shqiptare
janë dhunuar në grupe, por identitetin e tyre nuk kemi
arritur ta
konstatojmë. Këto dëshmi janë marrë nga personat që
kanë qenë prezentë kur
nga kolonat e të dëbuarve janë nxjerrë dhe janë
dërguar në drejtime të
panjohura për t’u dhunuar nga 20, 30 e 50 femra
shqiptare. Ka për të mbetur
enigmatike se cilat kanë qenë këto femra, sepse
karakteristike ka qenë se
ato nuk janë njohur nga rrethi ku janë marrë, për
shkak se popullata, gjatë
dëbimeve, ka qenë e zhvendosur. P.sh., në Prishtinë
janë marrë femra të
rretheve të tjera; në Gjakovë janë marrë dhe janë
dhunuar femra të
Mitrovicës apo të fshatrave të Drenicës. Po ashtu,
kemi shënime se
pjesëtarët e forcave serbe, në disa fshatra, që për
arsye objektive nuk po i
përmendim, kanë dhunuar sistematikisht 50, 70, 80 e më
shumë femra të reja.
Ne kemi shënime për dhunimin e 857 femrave shqiptare,
identitetin e të
cilave nuk e dimë, por jemi duke i gjurmuar këto
raste.

Çka do të ndihmonte rikthimin e femrave të dhunuara
në binarët e jetës normale?

Këto ishin disa nga shkrimet që kanë alarmuar
opinionin për ndriçimin e
krimit më makabër që është kryer nga forcat serbe në
Kosovë. Më lart cekëm
se janë publikuar edhe disa rrëfime të viktimave apo
të dëshmitarëve të
dhunimeve, të cilat, veç e veç, janë rrëfime
rrëqethëse të të mbijetuarave,
që kanë arritur të shpëtojnë gjallë, por që plagën e
dhunimit vështirë do ta
shërojnë. Ne nuk mund ta konstatojmë vërtetësinë e
këtyre shkrimeve dhe
objektivitetin e tyre, sepse ne e dimë fare mirë
reagimin e viktimave e të
dëshmitarëve, por nuk e përjashtojmë mundësinë që
ndonjëri prej rasteve të
jetë i vërtetë, megjithëse e dimë se kjo mënyrë e
qasjes kësaj problematike
nuk është krejtësisht e qëlluar.
Mirëpo, ne, si instucion, e shohim të arsyeshme t’ua
përkujtojmë autorëve të
shkrimeve të tilla se në gazetari nuk është çdoherë i
preferuar senzacioni
që do ta rrisë tirazhin e gazetës , por përherë duhet
t’i jepet përparësi
vërtetësisë. Nëse ne, si shoqëri, përpiqemi t’u
ndihmojmë në të gjitha
format këtyre femrave të lënduara, atëherë ndihmën
tonë duhet ta orientojmë
në kahje të tjera, përpjekjet tona duhet t’i
kanalizojmë në forma të
tjera. Këto femra më së tepërmi do t’i ndihmojmë duke
organizuar tryeza të
rrumbullakëta, seminare, trajnime për media, ku
ekspertë të kësaj fushe,
psikologë, veprimtarë për të drejtat e njeriut,
përfaqësues eminentë të të
gjitha konfesioneve fetare të Kosovës, veprimtarë
lokalë dhe qytetarë të
vullnetit të mirë do të diskutonin lidhur me këto
probleme dhe do të
kërkonin rrugë e mënyra për të ndihmuar që këtyre
femrave të mos u cenohet
dinjiteti i tyre moral e njerëzor. Duhet të
organizohen anketa me shtresa të
ndryshme të popullsisë, këshillime dhe emisione
kontakti në radio e TV,
kurse femrave të dhunuara t’u bëhet thirrje që
dhunimin e tyre të mos e
konsiderojnë turp të tyre personal, të mos e mohojnë
veten e tyre nga çdo
gjë në jetë, sepse ky edhe ka qenë qëllimi i fundit i
dhunuesve të tyre.
Dhunimin e tyre duhet ta marrim edhe ne si pjesë të
luftës së përlyer që ka
bërë armiku, luftë kjo në të cilën ato nuk janë
fajtore, por viktima ndër
më të rëndat.
Gjatë luftës në Kosovë dikë e ka qëlluar plumbi, dikë
e ka qëlluar granata,
dikush është vrarë e masakruar, dikush është gjymtuar
e dikush është
zhdukuar apo është arrestuar dhe ende mbahet në
burgje, dikujt i është
djegur shtëpia, dikujt i është plaçkitur pasuria e
dikush është dhunuar.
Këto nuk janë vepra e veprime turpi të shoqërisë sonë,
por viktima të kësaj
lufte të pabarabartë. U bëhet apel familjarëve se
fshehja e krimit të
dhunuesve të femrave tona është përkrahje e krimit
dhe ndihmë që iu bëhet
dhunuesve serbë. Getoizimi familjar i këtyre femrave,
nënçmimi dhe
mospërfillja e problemeve shëndetësore të tyre është
krim i dyfishtë.
Braktisja e femrave të dhunuara, aq më tepër dëbimi i
nënave të dhunuara
nga shtëpitë dhe familjet e tyre, do të ishte krim mbi
krimet.