Linjat urbane në gjendje mizerabël, shërbimi nuk justifikon biletën

Nivel zero në higjienën e autobusëve, vjedhjet në bashkëpunim me fatorinot, vonesa në stacion dhe abonetë me mik

Shërbimi i Linjave të autobusëve urban në kryeqytet është në ditë të hallit. Gjendja katastrofike e autobusëve është një nga shqetësimet për të vazhduar më tej me vonesat e tyre si dhe me shpejtësinë e udhëtimit që është ngjashme me një karrocë dore. Çmimi i lartë i biletave, i aboneve dhe mos dalja e tyre në treg në numër të mjaftueshëm si dhe dalja e tyre shumë me vonesë është një arsye kryesore që qytetarët i shqetësuar tej mase. Higjiena e tyre është po ashtu në pikë të hallit dhe ja bërë të pamundur udhëtimin qytetarëve. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto është edhe problemi i vonesave të këtyre autobusëve. Të presësh për 20 min në një stacion autobusi është diçka e rëndë kur sipas rregullores çdo autobus duhet të jetë në stacion për 5 minuta. Trafiku i rënduar në kryeqytet si dhe nxjerrja e një numri të vogël autobusësh urban në qarkullim ka shkaktuar një problem të madh në kryeqytet. Gjithashtu edhe vonesat gjatë udhëtimeve janë kthyer në një gangrenë për qytetarë. Të gjitha këto janë mosmarrje vendimesh nga ana e Bashkisë së Tiranës e cila duhet të jetë rregullatori i këtyre situatave. Ajo deri më tani nuk ka ndërmarrë as edhe një masë për firmat që i kanë këto linja urbane dhe i ka lënë atyre rrugë të lirë për ti torturuar qytetarët ashtu siç kanë pasur ato dëshirë për të nxjerrë përfitimet e tyre.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon rritjen e çmimit të biletës

Herë pas here shoqata e kombëtare e transportit qytetas ka kërkuar rritje të çmimit të biletave të linjave urbane në kryeqytet si dhe heqjen e aboneve. Një nga urdhrat e më parshim nga kjo shoqatë ka qenë që, me datë 1 Janar asnjë qytetar i kryeqytetit nuk do të mundet të udhëtojë me linjat urbane, pasi ky shërbim do të bllokohet. Ky është paralajmërimi i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas sipas të cilit, me 1 Janar nuk do të nxjerrin asnjë abone në treg nëse nuk rritet çmimi i biletave. Kështu kryetari i kësaj shoqate, Ferdinat Ibrahimi theksoi se kërkojnë që çmimi i biletës të jetë 50 lekë (të reja) dhe nëse nuk realizohet kjo do të hidhen në protesta. Ndërkohë i bëri thirrje ministrive përgjegjëse që të përshpejtojnë hartimin e projektligjit, ç'ka u jep zgjidhje problemeve të tyre.
E ndërsa institucionet përgjegjëse dhe shoqata nuk marrin përsipër të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, duket se qytetarët do të jenë ata që do i vuajnë mbi kurriz shpenzimet e tepërta për të udhëtuar me këtë shërbim aspak komod. Ndaj që prej asaj kohe çmimi i biletës vajti në 30 lekë të reja dhe po bëhet kërkesë për rritje edhe më të madhe dhe për ta dërguar në 50 lekë të reja. U rritën çmimet e aboneve të studentëve që aktualisht janë 600 lekë të reja, të përgjithshmet në 1200 lekë të reja dhe ato për një linjë në 900 lekë të reja. Sikur të mos mjaftonte çmimi i lartë, abonetë nuk gjenden kollaj. Ato dalin në një numër të pakët dhe disa ditë me vonesë nga fillimi i muajit për ti lënë kohë që shoqata të fitojë ca para. Për të mos thënë pastaj që shpesh herë faturinot nuk kanë fare bileta dhe thjeshtë mbledhin lekët. Ndërkohë që shërbimi i kontrollit i linjave urbane thuajse nuk funksionon fare ose e thënë ndryshe sa për sy e për faqe.

Autobusët janë mbuluar me reklama

Megjithëse është pjesë e rregullores që çdo autobus i linjave urbane të jetë i pambuluar me as edhe një lloj pamje në mënyrë që udhëtari të shohë qartë kjo nuk zbatohet aspak në Tiranë. Kohët e fundit nuk gjen më as edhe një autobus të pambuluar me postera të mëdha reklamash. Tani udhëtarët nuk i dallojnë më se kush janë linjat me të cilat duan të udhëtojnë pasi reklamat nuk ja lejojnë këtë gjë duke i mbuluar të gjithë sipërfaqen e autobusit. Me sa duket këto autobusë janë kthyer në mjete biznesi për firmat që i drejtojnë duke bërë më së miri reklama dhe duke vjelëur edhe sasi të mëdha leku në kurriz të qytetarëve që nuk dinë se ku të ndalojnë se nuk e dallojnë pamjen nga breda autobusëve.

Urbanët me higjienë në nivelet zero

Mbajtja pisët e autobusëve urban është bërë shpesh herë shkak për marrjen e masave nga ana e kompetentëve por kjo gjë nuk është se e ka ndryshuar gjendjen e tyre.
Pasagjerët që pinë duhan, ata që hanë dhe që hedhin shamitë prej letre vend e pa vend, si dhe probleme të tjera të kësaj natyre do të ndëshkohen me gjoba. Gjobat do të vihen në bazë të ndotjes së mjediseve nëpër urbanë. Në të gjithë autobusët e linjave është vënë tabela me rregullat që një pasagjer duhet t'i respektojë. Jo vetëm kaq, por do të ndëshkohen dhe fatorinot që nuk do të mbajnë pastër urbanët në të cilët punojnë. Urdhri i mësipërm është vënë në zbatim menjëherë. Kontrollorët e të gjitha firmave kanë nisur ndëshkimet për ata që nuk kanë zbatuar rregullin e pastërtisë dhe të mosmbajtjes së biletës.
Linja e Laprakës, Kamzës, Vorës, si dhe ajo e Tufinës dhe Shkozës janë cilësuar si linjat me urbanët më të pistë në kryeqytet. Bileta të grisura, baltë e tharë, pluhur dhe zhavorr. Kjo është gjendja e njërit prej urbanëve të linjës Kamzë-Qendër-Kamzë. Tashmë pasagjerët janë mësuar me problemet e vonesës në trafik, dëmeve të shkaktuara nga punimet nëpër rrugë, vjedhjet. Ajo që s'e përballojnë dot, është papastërtia. Edhe pse firmat përgjegjëse të linjave urbane janë gjobitur disa herë për mos mbajtjen pastër dhe në rregull të autobusëve të linjave urbane sërish gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.

Vjedhjet në autobusët urban, zanat i vjetër në Tiranë

Në të gjitha linjat e autobusëve urban në Tiranë ka problem me hajdutët e xhepave apo edhe të çantave që ndryshe në ditët e sotme janë quajtur (pick-pocket). Kohët e fundit numri i këtyre hajdutëve në këto linja urbane sa vjen e rritet dhe askush deri më tani nuk ka arritur që ti bëjë ballë. E vetmja masë që është marrë është paralajmërim i policisë që qytetarët të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë me këto linja autobusësh. Për çdo ditë ndodhin vjedhje në autobusët urban të kryeqytetit. Janë të shumtë ato qytetarë që i kanë denoncuar këto raste por të paktë ato që janë kapur dhe dënuar. Madje ka zëra qytetarësh që pohojnë me bindje se shpesh herë këto vjedhje bëhen në marrëveshje me shoferët dhe fatorinot të cilët i njohin si fytyra hajdutët dhe nuk marrin as edhe një masë veçse i ndihmojnë dhe shpesh herë bashkëpunojnë me ta. Çdo ditë në Tiranë ndodhin 10 deri në 12 vjedhje, por si krim kundër pasurisë policia regjistron më pak se gjysmat e tyre.
Të paktën kjo është një statistikë, për të cilën policia e kryeqytetit ka kohë që përpiqet ta anashkalojë. Ndërkohë që në shifrat zyrtare të zbulueshmërisë së krimit, vetëm ajo e vjedhjes arriti shifrën e 57 përqindëshit edhe vitin e kaluar, duke evidentuar kështu një prej pikave më të dobëta të policisë aktualisht. Parandalimin dhe kapjen e hajdutëve që kohët e fundit në Shqipëri dhe sidomos në kryeqytet, janë rritur akoma edhe më shumë. Vetëm gjatë vitit që lamë pas në Tiranë ndodhën 1465 krime kundër pasurisë së tjetrit, ku u zbuluan vetëm 840 prej tyre, afërsisht vetëm gjysma, ndërkohë që janë arrestuar rreth 400 persona të cilët kanë konsumuar këtë vepër penale. Por gjithçka shkon përtej parashikimeve, kur mendohet se kryeqyteti ka të paktën 2 mijë persona që ushtrojnë profesionin e hajdutit, përkatësisht të moshave të reja nga 15 deri ne 25 vjeç. Kuadrati i statistikave mbushet edhe me minoren, të cilët zënë edhe rekorde të larta në fushën e vjedhjeve duke kryer disa prej tyre në një afat kohor të shkurtër.
Por cilat janë krimet që nuk çregjistrohen në polici, vjedhja e bizhuterive nga qafa zakonisht e femrave, grabitja në të njëjtën mënyrë e çantave të dorës, si edhe mënyra e vjedhjes me të vjetër në kohë në kryeqytet, ajo në autobusët urban. Në fakt, Tirana duket frikshëm në orët e vona të mbrëmjes duke llogaritur këtu zonat e saj periferike, ku grupe të rinjsh sulmojnë shpesh herë. Specialistet mendojnë se dy janë shkaqet, gjendja financiare dhe përdoruesit e drogës që janë shkaktarët e një gjendjeje kaotike të kryeqytetit.

************************************************** **********
Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, këshillon udhëtarët

1. Në mjetet e mbushura plotë me njerëz, përgjithësisht, nuk e kryen vjedhjen ai që shtyn por shoku i tij, sidoqoftë malli i vjedhur kalon dorë më dorë.
2. Mos e mbani kurrë portofolin në xhepat e pasmë.
3. Keqbërësit përdorin teknika të ndryshme të bazuara gjithmonë tek shkathtësia: që nga aksioni me dorën e lirë, në përdorimin e mbështetëseve si bastunë, çadra, çanta, përdorimi i brisqeve për të prerë xhepat: kujdes nga përplasjet me këto objekte.
4. Nevojitet të bëhet kujdes në stacionet ku ndalojnë këto mjete; me mbërritjen e mjetit shtyrjet dhe presioni i krijuar mund t’ju duken natyrale por ato mbulojnë veprimet e vjedhësit.
5. Është mirë që lekët dhe dokumentet të mbahen të ndara në xhepat e brendshëm.
6. Është mirë që të shikoni përreth për të identifikuar njerëzit dhe në qoftë se është e mundur ndonjë hajdut.
7. Në rast nevoje drejtojuni personelit të shërbimit. Kujdes, ndonjëherë ai që mund t’ju ofrojë ndihmë mund të jetë pjesëmarrës në vjedhje.

sot.