Sëmundjet e seksit, studentët në krye të listës
Eglantina Bardhi | 01/06/2009 | Arti i te jetuarit
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) po përhapen me shpejtësi në popullatë. Më të rrezikuarit dhe të prekurit nga këto sëmundje janë të rinjtë, sidomos studentët.
Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur dje se në vendin tonë shënohen rreth 1000 raste të reja të prekurish nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ndërsa mjekët infeksionistë theksojnë se të gjithë duhet të marrin masa mbrojtëse gjatë kontakteve seksuale, pasi infeksionet që transmetohen nga këto kontakte janë shumë të rrezikshme. "Merrni masa mbrojtëse, përdorni kondomët (prezervativët)", - theksojnë specialistët e shëndetit publik.
***
Çdo muaj shënohen 1 mijë raste të reja të sëmurësh nga kontaktet seksuale, që i bie mesatarisht rreth 30 raste në ditë. Vërtet shumë! "Sifilizmi qarkullon në vendin tonë, herpes virusi qarkullon gjithashtu, por edhe HIV-AIDS-i qarkullon në Shqipëri", - thekson shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino.
Rrezik në rritje është edhe shpërthimi i epidemive nga viruse të harruara prej vitesh. Së fundmi, specialistët kanë izoluar ethet e Napolit në qytetin e Lezhës, një virus që përhapet nga mushkonjat, por që për fat të mirë nuk ka filluar transmetimin përmes njerëzve.
Të ndodhur përballë kësaj problematike, specialistët e shëndetit publik kanë kërkuar nisjen e depistimeve për të evidentuar të prekurit dhe për të evituar përhapjen në masë të këtyre sëmundjeve
***
Normalisht infeksionet seksualisht të transmetueshme përhapen sidomos tek të rinjtë, pasi ata kanë aktivitet seksual më të lartë se grupmoshat e tjera. Studentët, sipas specialistëve të shëndetit publik, mbajnë vendin e parë në listën e zezë për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. "Shumica e tyre nuk marrin masa mbrojtëse me kondom (prezervativ) gjatë kontakteve seksuale. Problem është edhe fakti se ata kryejnë marrëdhënie seksuale me partnerë të ndryshëm dhe kjo e bën akoma më rënduese situatën",- theksojnë specialistët e shëndetit publik për studentët.
Mjekja e shkollave të mesme, Teuta Pipa, tregon eksperiencën e saj me adoleshentët. U mësojmë 3 shtyllat bazë për t'u mbrojtur nga sëmundjet e seksit
Mjekët: Masat mbrojtëse që duhet të merren ndaj IST-së
Adoleshentët kryejnë marrëdhënie seksuale dhe jo të gjithë marrin masa mbrojtëse ndonëse këshillohen nga mjekët. Teuta Pipa është mjeke që punon me të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës për edukimin seksual. Thotë se të rinjve u mësohen 3 shtyllat bazë për t'u mbrojtur nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. "Këto 3 shtylla i kemi quajtur "ABC". A-ja është abstinenca që do të thotë se adoleshentët duhet të shtyjnë sa më shumë kohën kur duhet të fillojnë të bëjnë seks. Ata duhet ta shtyjnë këtë kohë deri kur të jenë të bindur se janë të pjekur për të realizuar një hap të tillë. Ndërsa shtylla e dytë, B-ja, është besnikëria ndaj partnerit, element ky tepër i rëndësishëm për të patur një aktivitet seksual sa më të sigurt. Dhe shtylla e tretë është C-ja, që është kondomi (prezervativi), i cili ul rrezikshmërinë e transmetimit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme",- shpjegon mjekja Pipa.
Ajo pohon se gjatë konsultave me të rinjtë, atyre u rekomandohet që, nëse ndonjëri nga ata diagnostikohet me ndonjë infeksion seksual, atëherë mjekimi duhet të bëhet edhe nga partneri, madje edhe nëse ata janë ndarë, është mirë t'i bëjnë me dije se duhet të marrim mjekimin. Kjo, sipas mjekes, për faktin se infeksionet seksualisht të transmetueshme janë njësoj si të hedhësh një gur në ujë, që do të thotë se, nëse e ka njëri këtë infeksion, do ta ketë çdo person që kryen marrëdhënie seksuale me të infektuarin, po qe se ato nuk marrin masa mbrojtëse.
Infeksionet janë të ndryshëm dhe disa prej tyre tepër të rrezikshëm, siç janë infeksionet virale, si virusi HIV, hepatitet, etj., pasojat e të cilëve dihen tashmë. Ndërsa sa u takon viruseve bakteriale, mjekja pohon se mjekohen më lehtë dhe mund të shërohen. "Tashmë dihet se adoleshentët kryejnë marrëdhënie seksuale, pasi këtë informacion e kemi edhe nga gjinekologët, të cilët i diagnostikojmë me infeksione seksualisht të transmetueshme dhe ndonjëherë kryejnë edhe aborte. E rëndësishme është që të marrin masa mbrojtëse dhe të jenë më të përgjegjshëm për marrëdhëniet që kryejnë",- theksoi dr.Pipa.
Edhe programi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) në Shqipëri, ka iniciuar një program të quajtur "Komunikimi për Ndryshim e Sjelljes në Planifikimin Familjar". Drejtuesja e këtij programi, Berengere de Negri, pohon se është shumë e rëndësishme që të përdoren metodat kontraceptive. Sipas saj, shumë nga çiftet bazohen kryesisht në "metodat tradicionale", të cilat nuk janë shumë të besueshme.
Krijoni Kontakt