Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 60 prej 60
  1. #41
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576

    Kujtime per Skender Luarasin (Pjesa e Dyte)

    Naum Prifti

    Kujtime

    I PAEPURI PROF. SKËNDER LUARASI





    NJOHJA ME PROFESORIN


    Nuk e mbaj mend saktësisht vitin kur e njoha profesorin, po një hollësi e vogël më lejon ta përcaktoj kohën. Duhet të ketë qenë fundi i viteve ‘50. Në atë kohë isha redaktor te “Hosteni” dhe sapo kisha botuar vëllimin e parë me tregime. Një drekë qëlloi të ulesha rastësisht në një tryezë me të, te restorant “Qendra,” në rrugën e Barrikadave. Nuk do ta kisha mbajtur mend as drekën, as profesorin, pa incidentin e vogël që më ndodhi. Ndërsa po haja supën, e mbarova gjysmën e panines, prandaj i kërkova kamarierit të më sillte edhe një copë tjetër. U ktheva nga profesori dhe si për t’u shfajësuar i thashë se ne shqiptarët hamë shumë bukë. “Jo të gjithë xhanëm, unë për vete nuk ha,” ma ktheu serioz. Vura re se ai nuk e preku paninen as me supën, as me gjellën me mish e zarzavate. Për herë të parë shihja një shqiptar që e hante gjellën pa bukë dhe kjo më la mbresë të pashlyeshme.

    Z. Gjata, shqiptar i riatdhesuar nga Australia, i dha shtysë të mbarë shërbimit të Ushqimit Social në Tiranë. “Kafe Tirana” në Bulevardin e Madh, “Flora” te rruga e Durrësit dhe “Rinia” përballë Bankës, u rinovuan sipas ideve të tij, sepse ai e njihte mirë profesionin. “Kafe Tirana” ndërroi pamje, lokali u lye, menyja u pasurua me asortimente të panjohura si kafe vjeneze, parfe, pasta në akull, dhe brenda një kohe të shkurtër u bë si klub për intelektualët. Aty shihje gjithmonë shkrimtarë, gazetarë, aktorë, artistë.

    Një ditë profesori më ftoi në tryezën e tij mbushur me letra të daktilografuara. Ai më kumtoi se po përkthente poemën “Hajawatha” të poetit amerikan Longfellou. Prej tij kisha lexuar poemën “Skënderbeu” përkthyer mjeshtërisht prej Fan Nolit, paksa i habitur ku e si e gjeti atë subjekt. U interesova të mësoja diçka më shumë rreth krijimtarisë së tij. Nuk e di nëse përkthimin ia kishte ngarkuar Shtëpia Botuese, sikurse qe praktika e zakonshme, apo e përkthente për qejfin e tij. Poema i kushtohej jetës së indianëve të Amerikës, dashurisë së Hajawathës dhe tragjedisë së tyre në frymën romantiko-lirike të kohës. Profesori më recitoi me pasion një këngë, që do ta quaja “kënga e dimrit,” të cilën edhe tani e rikujtoj për imazhet e forta që më ngjalli: Wigvama e mbuluar me dëborë, Hajawatha që del për gjah, nusja e tij që e pret te hyrja e çadrës. Përkthimi qe i bukur, lirik, sepse lirizmi dhe humanizmi qenë tipare të shpirtit të Luarasit që mbeteshin paksa në hije për shkak të temperamentit të tij të vrullshëm; ato dilnin më qartë nëpër shkrimet dhe rrëfimet e tij.

    Pas një a dy vitesh Hajawatha u botua libër më vete dhe unë e bleva menjëherë, i dëshiruar të përjetoja edhe njëherë mbresat e përftuara nga recitimi i profesorit. Për indianët e Amerikës, ndieja dhimbje të sinqertë, sepse fati i tyre tragjik, përngjasonte me fatin e popullit shqiptar gjatë rrjedhës së historisë.



    NXËNËS I PROFESORIT


    Për një kohë të shkurtër, Profesor Skënder Luarasin e kam patur pedagog. Duhet të ketë qenë viti 1957, koha e Krushovit, kur u liruan disi burgjitë e diktaturës edhe në Shqipëri. Intelektualët, sidomos pedagogët e Universitetit, ndienin nevojë të dinin edhe një gjuhë perëndimore, përveç rusishtes. Për shumë arsye preferohej anglishtja. Skënder Luarasi pranoi ta drejtonte falas kursin e anglishtes në auditoret e fakultetit të gjuhës shqipe. Veç pedagogëve mund të mirrnin pjesë edhe persona jashtë universitetit. Unë isha një prej tyre. Iu luta profesorit nëse mund të më pranonte dhe ai më tha: “Pse jo? Dyert janë të hapur për të gjithë ata që duan të mësojnë.” Si gjithmonë në fillim pjesëmarrja qe mjaft e madhe, pastaj erdhi duke u rrëgjuar. Midis frekuentuesve mbaj mend prof. Arben Puton dhe prof. Luan Omarin. Nuk them se ata e mësuan anglishten në orët e kursit që zhvillohej një herë a dy herë në javë, por bazat e anglishtes i morën prej Skënder Luarasit. Më erdhi keq që e ndërpreva kursin për shkak të shërbimeve jashtë Tiranës dhe të ngarkesave të tjera nga redaksia “Hosteni.”

    Disa pedagogë e lavdëronin metodën e tij të lirë, që zakonisht nuk u përmbahej copave standarde të tekstit, ndërsa një pjesë tjetër e kritikonin se profesori nuk respektonte metodikën e orës së mësimit, se përherë me ekskursionet e tij dilte nga tema. Sigurisht shijet dhe preferencat qenë të ndryshme, e natyrisht si pedagogë ata pëlqenin atë metodë që zbatonin vetë. Për mua ekskursionet e Skënder Luarasit gjatë orës së mësimit për turlish temash, siç e sillte rasti, qenë gjërat më të bukura dhe më të vyera që zgjeronin horizontin e auditorit jashtë faqeve të tekstit. Një ditë na foli për mbresat e tij nga takimi i parë me Ismail Qemalin, kur ishte student në Robert Kolexh, Stamboll. Rrëfimi i tij ruante freski dhe bukuri të jashtëzakonshme, qe më emocionues se përshkrimi te faqet e librit biografik “Ismail Qemali,” që botoi disa vite më vonë. Profesori gjithmonë rrëfente me pasion dhe episodet shpesh i dramatizonte gjallërisht me gjeste.



    NDESHJA ME LIRI BELISHOVËN


    Nuk di me ç’rast Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike dhe Sekretare e K.Q. të Partisë për propagandën, organizoi një takim me intelektualët e Tiranës, te një sallë e katit të dytë të Klubit të Shkrimtarëve që shërbente si studio provash për Institutin e Artit Dramatik. Salla qe mbushur plot e përplot me aktorë, shkrimtarë, gazetarë, piktorë dhe natyrisht dhe miq të artit. Qe praktikë pune që shefat e partisë të mbanin takime me punonjësit e sektorit të kulturës për t’i sqaruar, më sakt për t’i indoktrinuar. Kjo ngjiste sa herë partia e ndiente të nevojshme të kumtonte vendimet e K.Q. për politikën e brendshme, apo për ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Sapo Liri Belishova mbaroi parashtrimin e temës së saj, kërkoi që seanca të vazhdonte me pyetje nga salla. Natyrisht të gjithë ishin të kujdeshëm të bënin pyetje të matura, pa cënuar vijën e partisë, të pranuar apriori si e pagabueshme.

    Skënder Luarasi pyeti si ngjau që Fronti Nacionalçlirimtar nuk arriti të mirrej vesh me forcat e tjera për të luftuar pushtuesit. Pyetja e vuri paksa në pozitë Liri Belishovën, por ajo manovroi me lehtësi, mbasi ishte e zgjuar dhe kishte përvojë të pasur në debatet politike. Papritur e pyeti profesorin:

    “Po ju, shoku Skënder, sikur të ndodheshit këtu gjatë luftës, a do të kishit dalë partizan?” Të gjithë po prisnin që profesori të thoshte, “po, as që vihet në dyshim,” përgjigje konformiste që do ta kënaqte shefen e propagandës së partisë. Skënder Luarasi gjëmoi prerë: “Jo!” Salla u tulat në heshtje. Një deklaratë e tillë donte të thoshte ta mohoje Luftën Nacionalçlirimtare, ose të kishe rezerva për të, por në çdo rast ato nuk mund t’i thoshe publikisht se pasojat diheshin. “Jo,” gjëmoi Skënderi së dyti, “se do të isha vrarë tok me Mujo Ulqinakun në Durrës më 7 prill.” Salla u çlirua nga ankthi. Përgjegja e tij aq e bukur dhe aq e mprehtë do te qe pritur me duartrokitje, sikur të mos tulateshin se asisoj do të vinin në pozitë të keqe anëtaren e Byrosë Politike. Sidoqoftë batuta e mprehtë kaloi gojë më gojë dhe hyri në anekdotat që shoqëronin jetën e Skënder Luarasit. Me atë pohim Skënder Luarasi theksoi dashurinë për atdheun e për lirinë, po ndërkohë la të kuptohej se kishte rezerva për politikën e partisë komuniste gjatë luftës. Njëkohësisht ajo ishte kritikë e fortë kundër gjithë atyre që iu mënjanuan luftës kur u pushtua Shqipëria, ndërsa më pas i binin gjoksit për patriotizëm.

    Skënder Luarasi i kishte treguar ndjenjat antifashiste qysh ku shkoi vullnetar me brigadat internacionale në luftën e Spanjës. Vajti të luftonte me armë, por kur e intervistuan dhe mësuan se ai zotëronte anglishten, gjermanishten dhe shqipen, se ishte me shkollë të lartë dhe kishte botuar shkrime të ndryshme publicistike, i ngarkuan të drejtonte programin e republikanëve në Radio Barcelona. Në Spanjë Skënder Luarasi redaktoi edhe buletinin “Vullnetari i Lirisë.” Pikëpamjet e tij antifashiste dhe antizogiste përbëjnë temat e artikujve të tij te “Vullnetari i Lirisë.” Grupi i vullnetarëve shqiptarë e kosovarë të Luftës së Spanjës, gëzonte respekt në të gjitha shtresat, për shkak të romantizmit që gjeneroi ajo luftë. Ish-luftëtarët e Spanjës i festonin përvjetorët bashkarisht, çka gjente pasqyrim edhe në shtyp për hatër të kryeministrit Shehu. Mjaft njerëz besonin se Skënder Luarasi nuk do t’i kishte shpëtuar burgut, po të mos qe biri i Petro Nini Luarasit dhe po të mos gëzonte përkrahjen e Mehmet Shehut si luftëtar antifashist i Spanjës.







    MIQËSIA ME PETER PRIFTIN


    Më 1962 Peter Prifti erdhi nga Amerika si vizitor. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai u takua disa herë me Prof. Skënder Luarasin. Profesori interesohej të dinte më shumë për aktivitetin e Fan Nolit, për gjendjen e tij shëndetësore dhe për çështje të kolonisë shqiptare në Amerikë. Vëllai e quante profesorin “The Albanian Number One” (Shqiptari Numër Një), sepse sa herë takoheshin ai do të hapte biseda me tema patriotike. Midis tyre herë bisedonin shqip dhe herë anglisht.

    Korrespondencën e vazhduan një kohë të gjatë dhe profesori sa herë mirrte letra prej tij, më thoshte gjithë gaz: “Mora një letër prej vëllait tuaj.” Më vonë mësova se Skënder Luarasi e nxiste Peter Priftin të përkthente në anglisht pamfletin e Petro Ninit “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit,” një nga pamfletet më të mira politike të rilindjes, ku demaskohen me dinjitet argumentet false të shovinizmit kulturor grek kundër shkronjave shqipe. Qoftë se tema dukej paksa e tejkaluar nga koha, qoftë se e shihte të vështirë botimin në anglisht, Peter Prifti nuk iu fut asaj pune. Mospërmbushja e kësaj kërkese, nuk hodhi asnjë hije në marrëdhëniet e tyre dhe korrespondenca vazhdoi normalisht. Prof. Luarasi e vuri në dijeni Peter Priftin se fakulteti i anglishtes, ku ishte pedagog prej disa vitesh, vuante nga mungesa e librave të autorëve anglezë dhe amerikanë, për shkak të fondeve tepër të kufizuara. Peter Prifti, me t’u kthyer në Amerikë, bleu me paratë e veta një kontigjent mjaft të madh librash në anglisht të autorëve klasikë dhe ia dërgoi Bibliotekës së Universitetit për Fakultetin e Gjuhës Anglishte. Profesori i qe mirënjohës për këtë dhuratë bujare dhe shpesh më thoshte: “të kishim dhe disa shqiptarë të tjerë në Amerikë si Peter Prifti.” Ai ngulmoi t’i dërgohej letër falënderimi dhuruesit, por Drejtori i Bibliotekës M. Hanxhari, e shtyri pafundësisht, nga druajtja se mos akuzohej që mbante lidhje me persona të botës kapitaliste. Mbase ka pyetur shefat e tij dhe ata nuk e kanë lejuar të falënderohej një shqiptar që punonte në një universitet amerikan.



    BASHKËPUNËTOR TE REVISTA “YLLI”

    Në mesin e viteve ‘60 redaksia “Ylli” mori letër nga një lexues, i cili sapo zbuloi se Naim Frashëri ia kishte kushtuar poemën “Bagëti e Bujqësi” pasanikut të madh shqiptar Anastas Lakçes, u skandalizua. Këtë veprim të Naim Frashërit ai e shihte si papjekuri, si gafë politike. Profesor Luarasi e njihte më mirë se kushdo periudhën e Rilindjes, prandaj i telefonova dhe iu luta t’i jipte një përgjigje dinjitoze në faqet e revistës. Arsyeja kryesore qe se Naimi i detyrohej moralisht Anastas Lakçes mbasi ai kishte sponsorizuar botimin e poemit të famshëm në Bukuresht më 1889. Midis të tjerash profesori pohonte se kultura shqiptare u lartësua kryesisht me gjakun dhe mundin e patriotëve shqiptarë të Rilindjes.

    Me argumentet që më ofroi, shkrojta një artikull të vogël në emrin e tij, se revista lakmonte firma dinjitoze. Pas botimit, e lajmërova profesorin të mirrte honorarin prej 200 a 300 lekësh të vjetra. Ai nuk pranoi, duke thënë se ato më takonin mua. Mirëpo mua as nuk më shkonte ndermend ta quaja timin një shkrim ku kisha hedhur në letër fjalët dhe mendimet që më diktoi profesori nëpërmjet telefonit. Iu luta llogarisë t’ia dërgonin autorit me mandat postar.

    Kisha një detyrim moral për të shlyer ndaj profesorit. Para disa vitesh ai më kishte sugjeruar të shkruaja një artikull për Papa Kristo Negovanin, me rastin e përvjetorit të vdekjes. I thashë se nuk dija asgjë rreth jetës së tij, përveç vjershës së Loni Logorit E vranë Papa Kriston, e vranë/Dhe s’ra për të asnjë këmbanë. Profesori pohoi se Papa Kristoja meritonte të quhej dëshmori i parë i meshimit shqip dhe i shkronjave shqipe. Agjentët grekomanë e spiunuan te Dhespoti i Kosturit se prifti po meshonte shqip në kishën e Negovanit. Dhespoti, si kryetar i fesë në eparhinë e tij (njësi administrative kishëtare) kryente vizita gjatë muajve të verës, në çdo fshat ku kishte kishë. Mirëpo lajmi e tronditi aq shumë Dhespotin, sa vendosi të shkonte menjëherë në Negovan në mes të dimrit. Po ai dhespot pati mallkuar publikisht shkronjat shqipe, po ai çkishëroi Petro Nini Luarasin, që guxoi të hapte gjashtë shkolla shqipe në Kolonjë. Tani një prift ortodoks, shërbëtor i Perëndisë, rrezikonte ta shkëpuste grigjën e ortodoksëve shqiptarë nga kisha greke. Kjo qe sfida më e rrezikshme për synimet shoviniste të kishës greke dhe të Patrikanës së Stambollit që i njehsonte grekë ortodoksët shqiptarë.

    Më 24 dhjetor dhespoti arriti në Negovan. Të nesërmen Papa Kristoja nuk u tut aspak nga prezenca e hierarkut të lartë të Kishës. Ai e filloi dhe e mbaroi shqip meshën e Krishtlindjes. Dhespoti, si antishqiptar i tërbuar, urdhëroi që viti i Ri të mos e gjente gjallë priftin heretik. Mirëpo u desh pak më shumë kohë sa të gjendeshin sikarët për ta vrarë. Natën e 6 shkurtit 1905, ndërsa shtresa e dëborës kishte mbuluar male e fusha, Papa Kriston e rrëmbyen prej shtëpisë së tij në Negovan dhe e masakruan te një lëndinë jashtë fshatit duke e goditur me sëpata. Gjaku i tij skuqi dëborën e bardhë, ndërsa kriminelët u larguan në drejtim të paditur.

    Artikullin e shkrojta me një frymë dhe ia dërgova Radio Tiranës disa ditë para 5 shkurtit. Nuk mbaj mend ta kem botuar, po një kopje a një pjesë të shkrimit e kam në dosjet e mia. Profesori e kishte dëgjuar emetimin dhe më përgëzoi nxehtësisht. Ai e quante detyrë parësore që Rilindasit, (të lënë në harresë nga regjimi komunist) të përkujtoheshin dhe të nderoheshin se ata kishin zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Dijetarët tanë si ithtarë të materializmit historik, mburreshin për analiza objektive, por në fakt ishin dogmatikë, qëkurse të gjithë rilindasit i kritikonin për kufizime ideore.

    Prej Skënder Luarasit përfitova subjektin e dramës “Plumbat e shkronjave” që u vu në skenë nga dy trupa, teatri i Fierit dhe ai i Korçës në maj-qershor të vitit 1979. Profesori më rrëfeu se Gjerasim Qiriazi u rrëmbye nga Shahin Matraku, ndërsa po shkonte nga Manastiri në Korçë për të hapur shkollën e parë shqipe (1886). Kapedani i hajdutëve të Mokrës e mbajti peng disa javë mes pyjeve, duke i kërkuar familjes një shumë të madhe florinjsh për lirimin e tij. Intriga u sajua nga kleri grek, armik i betuar i shkollave shqipe. Patriotët shqiptarë ndërhynë pranë Shahin Matrakut dhe e liruan “skllavin,” sikurse e quanin me gjuhën e kohës pengun, pa shpërblim. Shahin Matraku e dënoi hanxhiun, kallauzin që e shtyu drejt atij veprimi dhe u bë një nga mbrojtësit e shkollës shqipe. Në dramë theksohej e vërteta se shkollën shqipe e penguan tre faktorë: kisha greke, administrata turke dhe injoranca e shqiptarëve. Mirëpo kjo ide e re, se edhe injoranca jonë kishte pjesën e saj, e mishëruar te kapedan Nure Bataku, karakteri më i spikatur në atë dramë, nuk u pranua, madje ngjalli zemërim dhe si pasojë “Plumbat e shkronjave” u emetua vetëm njëherë nga TVSH, pastaj u arshivua dhe videokasetat u zhdukën. Për fat të mirë vepra u botua edhe si libër më vete në kollanën e dramave.



    NJË ESE PËR MËSUESIN E SHQIPES


    Kërkesa e profesorit që të shkruaja një ese për 100 vjetorin e lindjes së Petro Nini Luarasit (1965), më befasoi. U tkurra, sepse deri atëherë kisha qëndruar larg studimeve shkencore. Ai më tregoi kopjen e letrës së Petro Ninit dërguar Nikolla Naços në Bukuresht, në vjeshtën e vitit 1883. Mësuesi i lutej patriotit të kolonisë shqiptare t’u huante disa të holla shkollave shqipe, që të blinin shqerra në pranverë dhe t’i shitnin në vjeshtë me fitime. “Për një, dy do të fitohetë” përfundonte Petroja. Letra më pëlqeu për idenë e thjeshtë dhe origjinale si mund të subvencionoheshin shkollat e para shqipe të Kolonjës. Ndërsa shkollat greke në Shqipëri kishin fondet e mëdha të llasos, (arka e kishave greke) për të paguar mësuesit, pajisjet, etj, mësuesit e shqipes rropateshin të gjenin mënyra baritore për të siguruar minimumin e fondeve.

    Nga bisedat me profesorin formova ide më të sakta për të kaluarën e Kolonjës dhe për gjendjen e saj në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Qysh i vogël kisha dëgjuar në fshat rrëfime tronditëse për vjedhje, rrëmbime pengjesh, grabitje, vrasje në rrugë për plaçkitje etj. por asnjë nuk dinte të analizonte shkaqet e asaj plage shoqërore. Ata e shihnin si dhunë të pjesës myslimane mbi të krishterët e urtë, kurse e vërteta qe ndryshe. Hajdutët nuk bënin dallime, ata plaçkisnin ku të mundnin dhe jo pak familje myslimane pësuan drama të rënda familjare prej cubave myslimanë.

    Sipas Profesorit, pas fitimit të pavarësisë së Greqisë, Turqia nuk kishte më nevojë për mercenarë shqiptarë, prandaj i liroi nga shërbimet. Të mbetur rrugëve, pa zanat, pa të ardhura, vetëm me pushkë krahut, ata u kthyen cuba. Profesori nuk i shihte me syze romantike hajdutët dhe as nuk i quante me eufemizma kaçakë ose komitë, si ideologët komunistë. Ai nuk i integronte hajdutët ordinerë me komitaxhinjtë, luftëtarë të ndërgjegjshën kundër pushtimit osman. Mendimet e Prof. Luarasit i shpalosa në pjesën e parë të kumtesës, por mjaft dijetarë për të cilët kisha dhe kam respekt, nisën të diskutonin me pasion gjatë pushimit në hollin e kinema “Gramozit” ku po zhvillohej sesioni shkencor për historikun dhe traditat e Kolonjës. Te përmbledhja kushtuar Petro Nini Luarasit eseja mban titullin “Kolonja në gjysmën e dytë të shekullit XIX.”





    PUSHTIMI I ÇEKOSLLOVAKISË

    Në gusht të vitit 1968 Çekosllovakia u pushtua brenda natës nga forcat e Traktatit të Varshavës, pa gjetur as rezistencën më të vogël. Ideja e Brezhnjevit për sovranitet të kufizuar gjeti zbatim praktik me pushtimin ushtarak të një shteti që synonte të ndahej nga kampi socialist. PPSh u trondit dhe e kapi frika, për mësymje të beftë nga ajri prej forcave të Traktatit të Varshavës. Masa e parë qe fuqizimi i mbrojtjes kundërajrore. Mbi tarracat e ndërtesave të Tiranës u ngritën çerdhe mitralozësh kundërajrorë dhe në të gjitha zyrat u dha urdhër të kryej dezhurn natën, për gatishmëri alarmi në rast rreziku. Ky shërbim nuk u hoq, as kur situata u zbut.

    Në mëngjesin e asaj dite, para dyqanit ushqimor të lagjes, njerëzit prisnin në radhë, si çdo ditë, për të marrë dy litra qumësht. Midis qytetarëve të tjerë u ndodhën Prof. Skënder Luarasi, Prof. Ziahudin Kodra dhe Vedat Kokona. Radha e blerësve ishte mjaft e gjatë dhe si zakonisht njerëzit që e njihnin njëri tjetrin bisedonin për të kaluar kohën. Atë ditë tema e bisedës midis tyre qe pushtimi i beftë i Çekosllovakisë.

    Në një hop kohe një polic iu afrua të treve dhe i ftoi me gisht t’i vinin pranë. “Do të vini me mua në rajon!” qe urdhëri i tij. “A ka mundësi ta dimë arsyen?” e pyeti Skënderi. “Do ta merrni vesh atje,” qe përgjigjeja e policit.

    Zyrat e rajoneve të policisë ishin të zymta, të palyera, të ndriçuara dobët, të veshura me hije të rëndë prej diktaturës. Vedat Kokona më ka treguar: “Zihaudini, i cili djersinte edhe duke ndenjur, fshinte ballin vazhdimisht me shami duke lëshuar ufe e puhe nga frika se mos na arrestonin. Edhe unë atë mendoja. Kushedi kush na kishte kallëzuar që polici po na shpinte në rajon. Vetëm Skënderi dukej fare i qetë. Thoshte se deri sa nuk ishim kundërvajtës, s’kishte pse të na mbante policia. Së fundi na futën në një dhomë pak më të madhe, ku ndodhej shefi i rajonit. Polici që na kishte shoqëruar deri në rajon kreu kallëzimin duke thënë se në radhën e qumshtit ne kishim biseduar për Çekosllovakinë. Ja pra cili qe faji ynë. Prof. Zijai nisi t’i thoshte se qe keqkuptim, se ne po bisedonim për letërsinë çekosllovake, kurse Skënder Luarasi e ndërpreu dhe deklaroi: “Po, ne po bisedonim për Çekosllovakinë. E pastaj?” Oficeri u zgërdhi, duke thënë: “Pra e pranoni që keni kryer agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit.” “Jo, aspak! –ia preu profesori. - Po mor zot, për çka tjetër mund të bisedohet sot?” – e pyeti Skënderi. “Unë s’jam zot,” kundërshtoi oficeri. “Po mor shok, po për çfarë mund të bisedohet sot, veç pushtimit të Çekosllovakisë? U pushtua një shtet sovran nga forcat e Traktatit të Varshavës, u shkel e drejta e një populli, dhe unë pyes a ka ndonjë intelektual, more edhe njeri të thjeshtë, anembanë Shqipërisë që të mos e komentojë këtë ngjarje? Në pastë një njeri të tillë, ai është i poshtër, frikacak, njeri që nuk e do as lirinë e as atdheun e tij.” Nga vrulli i profesorit oficeri u hutua, e harroi akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe urdhëroi policin të dilte nga zyra. Pastaj u kujtua të na pyeste për emrat dhe mbiemrat dhe ku punonim. Zihaudinin dhe mua nuk na njihte, por sapo dëgjoi Skënder Luarasi, buzëqeshi. Nuk na kërkoi të falur, por as që na duhej. Ne ishim të kënaqur që shpëtuam mirë prej asaj ngatërrese me një polic injorant dhe merita i takon Skënder Luarasit.”



    NDERIM APO FYERJE PËR KOLONJËN DHE KOLONJARËT?


    Fatmir Gjata botoi te Revista “Nëntori” një tregim me temë nga e kaluara. Ngjarja shtjellohej në Kolonjë. Subjekti me dy fjalë qe ky: “Në kohën kur sundonte e drejta e natës së parë, dhëndërri, një djalë fshatar nuk pranon t’ia dërgojë nusen beut. Ai vishet si nuse, futet në dhomën e beut, e vret me thikë dhe pastaj arratiset tok me farefisin për t’i shpëtuar hakmarrjes.” Mesazhi i autorit qe se me atë vrasje mori fund e drejta e natës së parë që ushtronin feudalët në mesjetë dhe deri vonë në shekullin e XIX.

    Sipas kërkesave të realizmit socialist, tregimi qe në rregull nga çdo pikëpamje: luftë klasore vegjëli bejlerë, protestë e shtresave të ulëta kundrejt një tradite morale fyese, dhuna si mjet për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin. Autori priste ta falënderonin kolonjarët ose t’i qenë mirënjohës

    për shërbimin e çmuar që po sillte në fushën e luftës klasore, mirëpo ndërsa tregimi harmonizohej me kriteret e realizmit socialist, cënonte traditat shqiptare për nderin dhe moralin. Sipas Skënder Luarasit, tregimi i Fatmir Gjatës fyente në palcë çdo familje kolonjare, qe skandaloz dhe shpifarak. Ai mendonte se kolonjarët duhet të protestonim bashkarisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe më lart akoma, se Fatmir Gjata me anë të atij subjekti pohonte se gjithë të parëlindurit qenë dobiçë bejlerësh, çka ishte fyerje publike për dinjitetin e çdo familje. Profesori nuk e pranonte ekzistencën e së drejtës së natës së parë në Shqipëri. Ai thoshte se nuk kishte gjetur asnjë burim historik për të dhe e quante sajim të rretheve feudale shqiptare, për të përligjur devijimet e tyre morale. Për shqiptarin nderi vlente më shumë se jeta, prandaj nuk mund ta pranonte as si koncept.

    Më pyeti nëse e kisha lexuar tregimin. E vërteta qe se e kisha lexuar dhe pëlqyer. Një legjendë të tillë kisha patur rast ta dëgjoja edhe unë disa herë. Në një variant tjetër dhëndri e ftonte beun të shihte sa bukur e kishte pjekur mishin e dasmës dhe pastaj e shtynte në furrë, ku e digjte të gjallë. Legjenda i vishej Valanjit, një fshati të rrënuar midis Rehovës dhe Taçit, por e vërteta historike e prishjes së tij ndodhi për shkaqe natyrale. Pas djegies së pyjeve të Gramozit nga ana perëndimore, ngjanë rrëshqitje të forta dhe aluvionet përmbytën tokat, livadhet, çairet dhe fushën e tyre, deri në Surmëri. Fusha u kthye zall, çka duket edhe sot kur soditet nga lartësitë e Gramozit. Fshatarët e mbetur pa toka buke, pa livadhe, pa kopshte, u detyruan të shpërngulën nga mesi i shekullit të kaluar. Pra Valanji u braktis nga fatkeqësia natyrore dhe jo nga protesta ndaj së drejtës së natës së parë. Migrimet e banorëve të tij dihen. Një pjesë erdhi dhe u ngul në Rehovë, (Notellarët, Dafot), një pjesë në Plikat, (Xhogat) dhe një pjesë tjetër në Negovan, (Xoxet, familja e Papa Kristos, etj.).

    Sipas Prof. Skënder Luarasit, në Kolonjë vetëm Lubonja, ishte çiflik i bejlerëve të Qafëzezit, ndërsa fshatrat e tjerë ishin fshatarë të lirë, zotër të tokave dhe të shtëpive të tyre pakta, prandaj as që mund të mirrej në konsideratë e drejta e natës së parë. Bejlerët e Kolonjës, Turqia i shpërbleu duke u dhënë çifligje në Thesali, për arsyen e thjeshtë se në Kolonjë s’kishte metoqe ose toka të lira.

    Fatmir Gjatës i vajtën në vesh sulmet e forta të Skënder Luarasit dhe natyrisht u zemërua. Nuk mund të pranonte kurrsesi që Luarasi ta dinte marksizmin më mirë se sekretari i organizatës bazë të partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, që kishte kryer studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Së fundi dy kundërshtarët u ballafaquan për tregimin në fjalë në klubin e Shkrimtarëve. Skënderi Luarasi ia rrëzoi të gjitha argumentet që dëgjoi prej tij, sa më në fund Fatmiri e humbi durimin dhe e shporri duke i bërtitur “Hajt sikter!” Profesor Skënderi me qetësinë më të madhe ia priti: “Edhe këtë turqisht e thatë.”

    Ndonjëherë rrëmbimi dhe inati e shtynte profesorin të bënte humor të hidhur. Thoshte se Fatmiri mbiemrin e kishte Gjata, por vetë nuk ishte shtatgjatë dhe njerëzit kishin arsye të dyshonin për prejardhjen e tij. Kështu Skënderi ia kthente Fatmirit mbi kokë si bumerang të drejtën e natës së parë.

    MARRËDHËNIET ME LIDHJEN E SHKRIMTARËVE. Me kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Skënder Luarasi nuk pati relata miqësore, a së paku shoqërore. Të dy palëve u mungonte vullneti i mirë dhe besimi i ndërsjelltë. Me përjashtim të Dritëro Agollit dhe Isamil Kadaresë, të tjerët nuk i honepste.

    Shkaku i mosmarrëveshjeve me Dhimitër Shuteriqin qe moral dhe etik. Shuteriqin e kishte mëri se ai mori pjesë në konkursin për hymnin e Zogut më 1937, ndërkohë që pjesa më e madhe e të rinjve intelektualë nuk kishin simpati për atë regjim. Shkaku tjetër qe poema “Enverit,” të cilën Dhimitër Shuteriqi e botoi më 1945, ku i thurte lavde udhëheqësit, duke hapur hullinë e “së ashtuquajturës “Enveriadhë,” një nga prirjet më servile të “realizmit socialist” shqiptar, siç vëren esteti dhe kritiku Alfred Uçi. Skënder Luarasi, padyshim e pranonte evolucionin e pikëpamjeve politike, po disa persona që kishin këmbyer pozitat nga një krah në tjetrin, i neveriste si shtirakë. Ai gjithë jetën mbeti demokrat dhe fanolist i vendosur. Më 1965, me rastin e vdekjes se Fanolit, S. Luarasi dërgoi në Boston një telegram me këtë përmbajtje: “Përulem para shqiptarit më të madh të shekullit tonë.” Mirëpo të thoshe diçka të tillë, kur diktatori qe në kulmin e fuqisë dhe kulti i individit lulëzonte, qe jo vetëm guxim, por edhe sfidë e fortë.





    KONFLIKTI MIDIS SHEVQET MUSARAIT DHE PROFESORIT

    Kur njeriu e do të drejtën me përkushtim, krijon më shumë armiq se miq.

    Konflikti midis profesorit dhe Shevqet Musarait, ndyshe nga disputi i njohur me Fatmir Gjatën, u zhvillua më shumë nën dhé, se sa në sipërfaqe.

    Tani të dy protagonistët kanë vdekur dhe unë mund ta rrëfej me shpirt të qetë burimin e konfliktit të tyre, sipas pohimeve konfidenciale të profesorit.

    Skënder Luarasi ishte përkrahësi i zjarrtë i romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur.” Në diskutimin e organizuar për romanin në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ai tha se e pëlqente atë vepër, mbasi atje autori pohonte vatra të tjera rezistence kundër zbarkimit fashist, veç Durrësit. Ideja e rezistencës kundër fashizmit vlente shumë për ndjenjat e tij patriotike. Mirëpo disa shkrimtarë të mirënjohur shfaqnin rezerva për vërtetësinë e ngjarjeve të romanit, për formën novatore përdorur nga Kadareja, prandaj edhe nuk e pranonin tërësisht. Musaraj dhe Luarasi shkëmbyen disa replika të forta pas diskutimit, në prani të Fiqerete Shehut, Sekretare e Partisë për Tiranën, e shoqja e kryeministrit Mehmet Shehu. Ndërsa po shkonin drejt banakut për të marrë ndonjë pije freskuese se qe vapë, Shefqet Musaraj deshi t’i tregonte vendin Luarasit, ndaj e akuzoi se kur ata luftonin nëpër malet e Shqipërisë, zhveshur e zbathur, ai bridhte Evropës. Me fjalë të tjera, sipas Musarajt, Skënder Luarasi e kishte gjetur sofrën të shtruar, prandaj nuk i takonte të gjykonte për atë periudhë.

    Profesor Luarasi ia ktheu aty për aty: “Po qe se i shoqi i kësaj gruas që sheh pranë teje, ka bredhur nëpër Evropë, atëherë mund të thuash edhe për mua të njëjtën gjë, se unë pas gjurmëve të tij kam shkuar.” E vërteta ishte se ai vajti në Spanjë përpara Mehmet Shehut, po aty iu desh ta përdorte emrin e kryeministrit për t’i mbyllur gojën Shefqetit. Në luftën e Spanjës shkuan një grusht shqiptarësh idealistë, ndërkohë që të tjerët bridhnin kafeneve të Francës, ose luanin bixhoz në “Kursal.” T’i konsideroje luftëtarët antifashistë shqiptarë si vagabondë që bridhnin nëpër Evropë, qe fyerje shumë e rëndë për idealet e tyre. Akuza e Musarajt shkoi më larg se sa deshi me përgjithësimin e gabuar, prandaj më nuk pipëtiu. Për mirësjellje, Fiqiretja nuk mori anë në replikat e tyre të hidhura.

    Skënder Luarasi e kishte dhunti natyrale replikimin e mprehtë dhe të menjëhershëm. Ai dëfrehej kur konfliktohej, mendja e tij atëhere punonte vrullshëm, me shkëndijime të befta dhe replika të forta, kurse kundërshtarët hanin buzët me dhëmbë prej inatit pasi largoheshin, që nuk ishin kujtuar t’i thoshin kështu apo ashtu, vonesë të cilën francezët e quajnë: “esprit d’escalier,” me fjalë të tjera t’i kujtosh batutat ndërsa zbret shkallët.

    Konfliktet që i ndodhnin, Skënderi e kishte zakon t’ua rrëfente miqve, shokëve, të njohurve me qëllim të testonte nëse kishte patur të drejtë, apo thjesht për të dëgjuar mendimet e tyre. Pasi mësoi për grindjen midis Luarasit dhe Musarajt, një punonjës i vjetër i Bankës së Shtetit, i besoi profesorit një të fshehtë përvëluese. Më 5 prill 1939, në vigjilje të pushtimit fashit, kur gjithë populli i Tiranës kishte dalë në rrugë dhe kërkonte armë, Shefqet Musaraj, nëpunës i Bankës së Tiranës, kujdesej të shpinte fëmijët e kolonisë italiane në një vend të sigurtë, që të mos rrezikoheshin prej bombardimeve. Pas pushtimit të Shqipërisë, qeveria fashiste italiane e kishte shpërblyer me një sasi mjaft të madhe të hollash në franga ar. Pra mirënjohje e shoqëruar me shpërblim.

    Skënderi e përhapi faktin skandaloz të shpërblimit të Musarajt, në atë kohë deputet në Kuvendin Popullor, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Partia u vu në pozitë të vështirë që një figurë e nderuar, rrezikohej të diskreditohej. Duhej verifikuar nëse ai e kishte fshehur atë fakt nga biografia e tij, apo qe shpifje e Skënder Luarasit?

    Shefqeti punoi tok me Enver Hoxhën, për shtypin ilegal të partisë në vitet 1942-43, qe autor i poemit satirik “Epopeja e Ballit Kombëtar” dhe udhëheqja e partisë e donte për qëndrimin e tij konsekuent si propagandist i vijës së partisë me fjalë dhe me vepra letrare. Meritat ia kishin njohur, qëkurse i rezervonin vend në çdo presidium të rëndësishëm. Zgjedhja e tij si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, edhe pse pozitë honorifike, tregonte stimën e udhëheqjes, për t’i siguruar disa favore.

    Skënder Luarasin e thërritën diku dhe i bënë presion të jepte burimin e informatës për Musarain, përndryshe do të vihej para përgjegjësisë ligjore si shpifës. Profesori nuk e rrëfeu personin, por u sugjeroi të shkonin në Bankën e Shtetit dhe të kërkonin listën e nëpunësve të shpërblyer nga fashistët dy javë pas pushtimit të Shqipërisë. “Por nëse një listë e tillë nuk gjendet, atëherë a do të pranoni se keni shpifur?” “Nëse lista është zhdukur prej dikujt, shikoni llogaritë e shpenzimeve dhe të daljeve bankare gjatë muajit prill-maj 1939 në regjistrat e bankës, si dhe specifikimet për to!” “Po sikur të mos figurojë as atje emri i tij?” “Atëherë dërgoni njeri në Romë, të shohë koçanet e Bankës mëmë.” Me aq biseda e tensionuar qe mbyllur.

    Profesori më rrëfeu te salloni i Shkencave Shoqërore në Bibliotekën Kombëtare, se e dinte nga një njeri i brendshëm i Bankës që dokumenti ndodhej atje, prandaj nuk qe tutur.

    Ky zbulim skandaloz e prishi paksa imazhin e shkëlqyer të Shevqet Musarait si komunist i devotshëm në sytë e udhëheqjes. Nuk dihet nëse e qortuan për fshehje të biografisë, por në legjislaturën tjetër Shefqet Musaraj nuk figuronte në përbërjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe as deputet në listën e të parazgjedhurve nga partia. Që atëherë Shefqetit i dhimbnin sytë kur e shihte Skënderin në rrugë.



    PENDIM PËR NJË VEPRIM JASHTË NORMAVE ETIKE

    Skënder Luarasi ishte i ashpër me kundërshtarët, nuk dinte të bënte kompromis, e vazhdonte disputin gjatë, duke ua rrëfyer të gjithëve atyre që njihte, me qëllim ta dinin ç’kishte ngjarë. Njëkohësisht e shquante edhe një ndjenjë e fortë vetëdije. Kur shkelte gabim, ose kur vepronte jashtë normave etike, e pranonte fajin e vet.

    Njëherë m’u rrëfye se kishte kryer një mëkatë kundër Stefan Priftit, pedagogut të sintaksës shqipe dhe të greqishtes së vjetër në Universitetin e Tiranës.

    Skënderi i kërkoi një studentes të shihte tekstin që përdorej në kursin e greqishtes së vjetër. Qe një farë dispence e shaptilografuar me letër të keqe, si gjithë dispensat e asaj kohe. Skënderi filloi ta shfletonte dhe ta lexonte. Teksti ishte i vjetëruar dhe jashtë kohës. Aty thuhej botën e krijoi Zoti nga hiçi, se ai qe i kudogjendshem dhe i gjithëpushtetshëm. Skënderi u skandalizua nga përmbajtja fetare që u servirej studentëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai edhe pa qenë antifetar, do të fyhej që gjeti një tekst të denjë për seminaret fetare dhe shkollat e priftërinjve. I kërkoi lejë studentes t’ia huante tekstin për dy tre ditë dhe ajo ia dha. Me “corpus delicti” në dorë, Skënderi shkoi në dekanat duke u treguar tesktin me frazat e qëmtuara për Zotin. Rektori nuk deshi ta besonte, por e luti ta linte aty që t’ia jepte dikujt për ekspertizë. Fakti qe fakt. Stefan Priftin e qortoi dekanati dhe e detyroi ta hiqte tekstin nga përdorimi. Ai e kritikoi ashpër studenten që ia huajti tekstin prof. Luarasit pa lejën e tij dhe ajo shkoi te Skënder Luarasi duke qarë e duke i thënë se e kishte vënë në pozitë të keqe. Profesor Luarasi më tha se i vinte keq për të, madje i kishte kërkuar të falur, ndërsa për Stefan Priftin mendonte se e meritonte kritikën nga dekanati.



    KUSH ËSHTË KY S.L.? NUK E DI!

    Skënder Luarasi qe nga njerëzit e rrallë, në mos i vetmi, që nuk e përfilli porosinë e Enver Hoxhës për autokritikë, duke mbajtur lart dinjitetin personal dhe pikëpamjet e tij. Dhe megjithatë mbeti gjallë. Dashamirësit e tij ia vishnin këtë mrekulli, në radhë të parë babait të tij, Petro Nini Luarasit dhe simpatisë që gëzonte në rrethet intelektuale me personalitetin e vet.

    Në kongresin I të Partisë më 1948, Enver Hoxha e ngriti Haxhi Qamilin në rangun e patriotëve të shquar, duke e paraqitur kryengritës fshatar të tipit Pugaçov, apo Stjepan Razin, ashtu sikurse ia kishte servirur një historian i cekët. Ky cilësim ngjalli kundërshtime të forta tek gjithë patriotët e ndershëm që e njihnin atë periudhë. Ata dërguan letra dhe protesta në KQ se Haxhi Qamili ishte dhe mbetej turkoshak që kishte luftuar me bajrakun e Turqisë dhe me parullën “duam Babën” (Sulltanin), kur sapo qe shpallur pavarësia. Letrat mbetën pa përgjegje dhe në shtypin e zotëruar nga partia nuk pati asnjë diskutim, por në biseda të lira, kritikat ishin mjaft të forta. Kundërshtia qe se ndërsa partia e shihte Haxhi Qamilin me sy klasor si flamurtar të luftës kundër Esat Pashë Toptanit dhe bejlerëve të tjerë, patriotët e gjykonin lëvizjen e tij thellësisht antikombëtare.

    Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare në rrugën e Barrikadave, u hap te ish-Kuestura, një godinë trekatëshe që nuk egziston më, përballë Poliambulancës. Në sfondin kryesor të sallës më të madhe, dukej portreti i plakut fisnik Ismail Qemali, me mjekër të bardhë dhe krahas tij portreti i zymtë prej banditi i Haxhi Qamilit me mjekër shtëllungë të zezë, me çizme dhe dolloma ushtarake. Prof. Skënder Luarasi, sapo vizitoi muzeun, tha me ironi: “Bukur, shumë bukur! Këtu e paskan vënë në piedestal si atë që ngriti flamurin e Shqipërisë, si atë që e uli!” Fjalia e tij lapidare u përhap me shpejtësi të madhe, për kontrastin e fortë dhe për të vërtetën që përmbante. Shumë patriotë nuk e duronin Haxhi Qamilin pranë Ismail Qemalit, por nuk kishin guxuar të flisnin hapur dhe të ironizonin ideatorët e muzeut, se e dinin që maketi ishte aprovuar prej sferave më të larta të partisë.

    Po e riprodhoj rrëfimin e Skënder Luarasit për Haxhi Qamilin, ashtu si e kam dëgjuar prej gojës së tij. “Haxhi Qamili qe një fshatar injorant nga katundi Sharrë i Tiranës. Qe fanatik fetar, prandaj njëherë e kishin dërguar në Mekë për haxhillëk. Që kur u kthye prej andej, fshatarët filluan ta thërrisnin “haxhi,” sipas zakonit dhe kësisoj Qamili u bë Haxhi Qamil. Qe beqar me moshë të madhe dhe vëllai e përdorte si hyzmeqar duke e dërguar të shiste presh në pazarin e Tiranës. Do të kishte mbetur gjithë jetën shërbëtor i vëllait, sikur në Durrës të mos kishte plasur grindja midis Esat Pashë Toptanit dhe Musa Qazimit, myftiut të Tiranës. Në një mbledhje krerësh më 1913, Esat Pasha, njeri me ambicje të forta politike, i sapokthyer prej Stambollit, shfaqi pretendime për post drejtues, ndërsa rivalët iu sulën me kritika, se qe kujtuar vonë. Ku ishte pashai, kur ata luftonin për Shqipëri? Esati tha se edhe duke qenë larg, e kishte ndihmuar atdheun duke dërguar 3.000 lira flori nga Turqia. Plasi skandali se lirat s’dihej ku kishin përfunduar, por dyshohej se qenë ngrënë ose përvetësuar prej Musa Qazimit dhe rrethit të tij. Mbledhja u prish, urat u ndanë. Musa Qazimi, me t’u kthyer në Tiranë mendoi të hakmerrej ndaj kundërshtarit të tij. Pasi u mendua, i dërgoi haber Haxhi Qamilit, të vinte ta takonte. Ai e njihte si besnik dhe si fetar të bindur, ndaj sapo e pa përpara tij i tha: “Haxhi, ty të ka ngarkuar Allahu me një mision të madh!” Haxhi Qamilit i shkëlqyen sytë nga myzhdeja që dëgjoi, se besoi që porosia vinte nga Zoti. “Ti do të luftosh dhe do të shfarosësh armiqtë që duan të prishin fenë tonë dhe përpiqen të njollosin njerëzit e shenjtë.” “Jam gati, që tani!” u përgjegj Haxhiu. Musa Qazimi, njeriu i fesë, e armatosi Haxhi Qamilin me pushkë e revole dhe e nisi për në Krujë me tre veta pas, që të mblidhte forca të tjera vullnetare. Sa arritën në Krujë u bënë tridhjetë, sa zbritën nga Kruja u bënë treqind forca. Kjo qe ushtria e Haxhi Qamilit, e cila u sul kundër bejlerëve kundërshtarë të Musa Qazimit dhe të klanit të tij.”

    Prof. Skënder Luarasi e shihte lëvizjen e tij si konflikt midis një palë bejlerësh kundër një pale tjetër dhe Haxhi Qamilin vegël në duart e myftiut të Tiranës. Lëvizja qysh në krye ishte antishqiptare. Të shqyeje flamurin e Shqipërisë, ta quaje shqiponjën pulastren dhe të luftoje me flamurin e Turqisë, duke kërkuar kthimin e Sulltanit dy vjet pas pavarësisë së Shqipërisë, kjo qe thikë në shpinë për kombin. E vërteta është se Haxhi Qamili dhe bandat e tij u vunë zjarrin sarajeve të disa bejlerëve kundërshtarë, ku bashkohej revolta spontane e ortekut të fshatarësisë që kishte pas vetes, por ndërkohë nuk mund t’i falen vrasjet, sakatosjet dhe torturimet e patriotëve shqiptarë. Ai shtroi në dajak gjithë mësuesit e shkollave shqipe, si mëkatarë që u mësonin nxënësve “harfet e kaurit.”

    Enver Hoxha ishte si biçikletë me kontrapedal, nuk dinte dhe as nuk donte të kthehej mbrapa. Pas më shumë se njëzet vjetësh u kujtua ta rimerrte në mbrojtje Haxhi Qamilin dhe ta paraqiste si patriot, kësaj radhe duke përdorur pa kursim metodologjinë marksiste. Studimi “i tij” për Haxhi Qamilin iu servir si model historianëve dhe shkencëtarëve për gjykimin e figurave historike. Sigurisht qe një model i neveritshëm, (a një mësim në shembull negativ, sipas shprehjes kineze), sepse aty çdo fakt qe transformuar, çdo e vërtetë qe kthyer së prapi në shërbim të idesë së njëanshme nga e cila qe nisur.

    Studimi, i botuar në një nga vëllimet e shumta të Enver Hoxhës, hapej me kritikë drejtuar S.L. dhe A.M.(ndofta prof. Meksi), të cilët kishin gabuar në gjykimin e figurës së Haxhi Qamilit. Qe kritikë e drejtpërdrejtë kundër Skënder Luarasit dhe në mos gabohem Meksit, veçse me iniciale. Pas botimit të veprës, miqtë dhe të afërmit e këshilluan Prof. Skënderin, për të mirën e tij, të bënte autokritikë të sinqertë ku të pranonte se kishte patur mendime të gabuara për lëvizjen haxhiqamiliste, tani që Enver Hoxha e kishte kritikuar publikisht. Skënderi qëndroi i papërkulur në mendimet e tij dhe nuk i pranoi sugjerimet e tyre. Pak më vonë, një mesaxher i posaçëm, që vinte nga një institucion zyrtar, e pyeti nëse e kishte lexuar vëllimin e fundit të shokut Enver, ku kritikohej me emër. Skënderi iu përgjegj se veprat e Enver Hoxhës i lexonte “me kujdes,” por askund nuk kishte parë ndonjë kritikë publike për veten e tij. I dërguari i posaçëm, një kolegu i tij historian, i tha se inicialet S.L. ishin të qarta për cilindo. Skënderi duke bërë të paditurin, e pyeti: “A jeni i sigurt? Unë për vete jo. Kush mund të jetë ky S. L.?” Pyetja qe befasuese për kolegun. “Kuptohet, jeni juve, S.L. Skënder Luarasi!” “E pse qenkam unë dhe jo një tjetër? Ku ta di unë se nuk është Selman Latifi, Sotir Lefteri apo Sadik Lumi?” “Ju keni shprehur kritika për Haxhi Qamilin duke e akuzuar si antishqiptar, si antikombëtar…prandaj udhëheqësi u kritikon dhe ju duhet ta pranoni gabimin,” e këshilloi kolegu i tij. “Unë jo,” kundërshtoi profesori. “Ma faktoni, ju lutem, te cili organ, a në cilën gazetë kam shfaqur mendime për Haxhi Qamilin. Nuk mund ta pranoj se ky S.L. jam unë dhe nuk mund të marr përgjegjësi se kush mund të jetë.” Profesori e ktheu së prapi kolegun, pa e ulur kokën para diktatorit.

    “Nuk u trembët nga pasojat?’ e pyeta kur ma tregoi ngjarjen. “Kisha një argument të fortë,” më tha. “Nuk kisha shkruar dhe botuar asgjë për të, kurse me gojë kisha folur gjithandej, por s’ mund të ma vërtetonin.”

    Sapo mësoi se Luarasi s’pranonte të bënte autokritikë, Enver Hoxha u nevrikos. Kjo linte të kuptohej se vazhdonte të ruante pikëpamjet e veta për Haxhi Qamilin. Me ligësinë e tij të përhershme, Enver Hoxha e etiketoi agjent të imperialistëve dhe dhëndër të sovjetikëve! Ai qe i tmerrshëm për etiketime politike dhe më e keqja, fjalët e tij përsëriteshin nga partiakët e tjerë, zgjeroheshin me rrathë koncentrikë dhe bëheshin pjesë e administratës dhe institucioneve. Qe një nga format më të ulëta dhe më dinake të luftës së klasave për të diskredituar intelektualët. A mund të quhej Skënder Luarasi dhëndër i sovjetikëve, sepse u martua me një ruse? Pas kësaj logjike Zogu duhet quajtur dhëndër i hungarezëve dhe vetë Enver Hoxha dhëndër i dibranëve.

    Pas vdekjes së parakohëshme të gruas së parë, Skënder Luarasi u martua me Majan, pedagoge në Fakultetin e anglishtes. Burri i saj, oficer, iu nënshtrua presioneve zyrtare dhe u detyrua të ndahej prej saj, ashtu si shumë të tjerë, që ishin martuar me gra të huaja. Maja, për arsyet e saj, nuk deshi të kthehej në Bashkimin Sovjetik dhe vendosi të qëndronte pedagoge në Universitetin e Tiranës. Sapo Skënderi deklaroi se do të martohej me të, pati shumë qortime, si nga miqtë e tij, ashtu edhe nga shokët, por ai si njeri me karkter të fortë nuk ua vuri veshin. Atëherë, a me sugjerimin e tyre, apo me kokën e tij, Mehmet Shehu i dërgoi sekretarin e tij Peçi Kallushin për t’i kumtuar fjalët e më poshtme: “Skënder, të këshilloj dhe të porosis të mos martohesh me grua sovjetike, se do t’i rëndosh gjynahet dhe tekat e tua!” Dihej se edhe sugjerimet, edhe këshillat, merrnin formën e urdhërave kategorikë kur dilnin nga goja e udhëheqësve tanë. Skënderi ia priti aty për aty Peçit, sekretarit të tij: “M’i bëj të fala Kryeministrit, ndërsa për porosinë që dërgon, thuaji se kryeministër në shtëpinë dhe familjen time jam unë dhe jo ai.” Me aq biseda midis tyre mori fund.1 Skënderi pati harmoni shembullore me bashkëshorten deri në fund të jetës. Fati deshi që pas tri vajzave me gruan e parë, të gëzohej me një djalë, të cilin e pagëzoi Petro, në kujtim të babait të tij Petro Nini Luarasi.

    (Fund i pjesës II.)


    --------------------------------------------------------------------------------

    1 Këtë të dhënë ma kumtoi Andon Kote, ish gazetar, tani banues në Fort Lauderdale, Fl.
    Ndryshuar për herë të fundit nga gjirfabe : 02-07-2010 më 04:25

  2. #42
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576

    Kujtime per Skender Luarasin (Pjesa e Pare)

    Naum Prifti

    Kujtime

    I PAEPURI PROF. SKËNDER LUARASI





    Të gjithë ata që e kaluan pjesën më të madhe të jetës nën diktaturë, e kanë detyrë morale kundrejt shoqërisë së sotme të shkruajnë kujtimet e tyre për personat me të cilët kanë patur konfidencë, aq sa të flisnin pa drojtje për çdo temë, duke shfaqur mendime e gjykime që binin ndesh me propagandën e partisë. Në Shqipëri, për arsye të diktaturës së ashpër, disidenca e hapur nuk mundi të zhvillohej, por disidenca e fshehtë, në rrethe të ngushta shoqërore nuk mund të mohohet. Disidenca ishte lirim i presionit të brendshëm psikologjik nga fyerjet që ndjenin, shfryrje e dufeve për padrejtësitë që vërenin, nga poshtërimet që pësonin ata vetë, ose të njohurit e tyre. Për t’u habitur se si sot pseudodemokratët e djathtë e të majtë, i akuzojnë intelektualët “en bloc,” se u konformuan me diktaturën, iu nënshtruan dhe i shërbyen me zell. Kjo lloj njollosje dashakeqe nuk i përgjigjet së vërtetës. Kalvari i intelektualëve filloi më 1944 dhe mbaroi kur u shemb diktatura. Dënimet me vdekje, pushkatimet me e pa gjyq, burgosjet e shumta dhe internimet që pësuan intelektualët nga regjimi komunist, dëshmojnë të kundërtën. Udhëheqja e PPSH në bazë të një parimi të vjetëruar marksist, i kundronte intelektualët si kontigjent që prekej lehtë nga ndikimet e huaja, prandaj edhe i kamzhikoi vazhdimisht, me përjashtim të disa pak “të zgjedhurve” që i shërbenin me zell. Ata intelektualë që e mbrojtën dinjitetin personal në kushte jashtëzakonisht të vështira, meritojnë respekt. Një prej tyre, ndoshta më i shquari, ishte prof. Skënder Luarasi.

    Si konfident i tij për një kohë të gjatë, ndiej kënaqësi dhe lehtësim shpirtëror të sjell kujtimet e mia për të.

    Autori



    Skënder Luarasi lindi në vitin e parë të shekullit XX, por ne të gjithëve na dukej më i hershëm nga afërsia shpirtërore dhe aktivititeti që zhvilloi për epokën e Rilindjes dhe për figurat më të shquara të Rilindasve. Ai shkruajti monografi për Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Gjerasim Qiriazin, si dhe artikuj për veprimtarë të tjerë si Koto Hoxhi, Sevasti Dako, Paro Kita, etj. Qe ura e gjallë që lidhte periudhën e Rilindjes me pavarësinë dhe vitet pas Luftës së Dytë Botërore. I mëkuar me idetë e rilindasve, djali i patriotit dhe mësuesit të shqipes Petro Nini Luarasit, mbeti deri në fund të jetës së tij një idealist i madh i shqiptarizmës, pa u trandur nga asnjë furtunë.

    Jeta e tij nisi me një tragjedi të rëndë familjare. Ishte njëmbëdhjetë vjet, kur babain ia helmuan agjentët filogrekë të shtyrë nga rrethet klerikale greke. Skënderi, si bir i denjë i babait të vet, e vazhdoi rrugën patriotike po me atë pasion dhe këmbëngulje, po me atë zell, pa përfillur asnjë lloj rreziku nga çdo anë që i vinte. Nga leximi i librit të Guri Sevos “Mësuesi im i parë i shqipes” kisha formuar një ide për karakterin e Petro Ninit, ndërsa pas njohjes me Skënderin vura re ngjashmëri të madhe midis tij dhe të atit. Dukej se Skënderi ishte mishërim i proverbit popullor “bëmë o baba të të ngjaj.” At e bir ishin gatuar me të njëjtin brumë karakteri. Të panënshtruar, të paepur, mospërfillës ndaj çdo rreziku e pasoje, të aftë të mbronin pikëpamjet e tyre, të gatshëm për debate me çdo kundërshtar, pa u merakosur për postin dhe pozitën e tij.

    Nuk po zgjatem me biografinë e jetës së tij, mbasi ky shkrim ndjek qëllim tjetër: Të plotësoj amanetin e tij, duke treguar sekretin që pati mirësinë të ma besonte.







    DEPUTET I KOLONJËS

    Për herë të parë e pashë Prof. Skënder Luarasin në Ersekë, në nëntor të vitit 1945, kur isha djalë i vogël, trembëdhjetë vjeçar. Skena më ka mbetur nder mend e gjallë, për shkak se qe krejt e veçantë. Ishte ditë e mërkurë, dita e pazarit në qendrën e rrethit, kur fshatarët vinin me kafshë ose në këmbë, për të blerë a për të shitur diçka. Pazari zhvillohej te sheshi i qytetit, shtruar me kalldrëm, me një obelisk në formë piramide në mes dhe me disa shelgje nga ana jugore. Në krye të obeliskut dukej një shqiponjë me krahë të hapur, vepër e skulptorit Odhise Paskali, kurse në faqen e tij ballore, feksnin germat e bronxta me emrat e dëshmorëve të Kolonjës që nga pavarësia deri në Luftën e Parë Botërore. Ndërsa murlani shpështillte pa pushim flokë të imtë dëbore, te shkallët e obeliskut, në mes të sheshit të qytetit, një njeri po fliste me gjallëri. Pazarakët, kryesisht fshatarë me rroba të zeza shajaku, rrinin grumbuj-grumbuj para tij dhe dëgjonin me vëmendje. Kohë pas kohe trupat dhe fytyrat e tyre mjegulloheshin nga flokët e dëborës që vërviste era.

    Gojtari po u fliste fshatarëve me pasion, herë duke e ulur zërin dhe herë duke e ngritur. Njerëzit në vend të iknin të gjenin ndonjë strehë që t’i ruheshin suferinës, rrinin në këmbë për të dëgjuar fjalët e tij. Mbaj mend se ai përmendi një sërë emrash të patriotëve kolonjarë të Rilindjes dhe pavarësisë, shumica e të cilëve qenë krejt të panjohur për mua. Pazarakët në fund duartrokitën dhe mitingu i improvizuar u shpërnda. Grupe-grupe ata komentonin mes tyre fjalimin që sapo kishin dëgjuar. “Ja këtij i them profesor unë, di të flasë mor vëlla, të bën për vete.” “Njerëz si ky nderojnë vendin,” “E po këtij sikur i kullon mjaltë nga goja,” “E dëgjon dhe nuk lodhesh, sepse thotë fjalë të mençura.”

    Vite më vonë mora vesh se ai qe Prof. Skënder Luarasi, ardhur në Kolonjë për fushatën elektorale të zgjedhjeve të para pas çlirimit. Fronti Demokratik e kishte caktuar deputet të nënprefekturës së Kolonjës, si personalitet i njohur antifashist dhe patriot, menjëherë sapo u kthye nga kampi i internimit në Francë më 1945. Skënder Luarasi, ashtu si dhe disa idealistë shqiptarë që e urrenin fashizmin, kishte vajtur vullnetar në Spanjë me brigadat ndërkombëtare të luftonte për Republikën Spanjolle.

    Hollësitë e tjera rreth fushatës zgjedhore në Kolonjë si kandidat për deputet, i kam dëgjuar prej Myftar Tares, i cili qe ngarkuar nga partia ta shoqëronte kandidatin në fushatën elektorale, bashkë me disa të rinj të tjerë ish partizanë. Duhet thënë se kandidatura e Prof. Skënder Luarasit ishte zgjedhje e zgjuar nga ana e partisë për të vjelë votat e kolonjarëve, sidomos të pjesës që kishte qenë me ballin, mbasi familja e tij njihej për ndjenja patriotike.



    DARKË TE ALO KRESHOVA


    Kandidati për deputet, Prof. Skënder Luarasi, shfaqi dëshirën të takonte Alo bej Kreshovën, çka ngjalli shqetësim te shoqëruesit e tij komunistë. Edhe pse Alo Beu qe një nga figurat e njohura, që gëzonte respekt në Kolonjë për të kaluarën e tij patriotike, për pasurinë që zotëronte dhe për lidhjet e shumta me personalitete të tjerë, komunistët e shihnin shtrembër. Gjatë luftës, ai kishte qëndruar neutral. As djemtë e tij nuk i la të hidhnin armë krahut, as të merrnin pjesë në ndonjë betejë, por dihej se lidhjet e tij shpirtërtore dhe miqësore ishin me nacionalistët, me Ballin Kombëtar. Sidoqoftë ai e kishte mbajtur shtëpinë hapur edhe për partizanët, prandaj ata as nuk e burgosën, as nuk e internuan pas çlirimit. Aloja vazhdonte jetën e tij patriarkale në Kreshovën e vogël, prej shtatëmbëdhjetë shtëpish, duke pritur e përcjellë miqtë e nderuar si i pari i fshatit.

    Skënder Luarasi i dërgoi fjalë se donte t’i vinte për vizitë në shtëpi dhe Aloja u përgjegj se do ta mirëpriste në çdo kohë që të vinte. Shoqëruesit e tij komunistë besonin se Skënderi e kishte mik nga babai, prandaj donte ta nderonte, po kjo nuk ishte e vetmja arsye. Patriotët myslimanë e kishin mik për kokë Petro Nini Luarasin, e çmonin dhe e mbronin, sepse ai ishte nga të krishterët e pakët që pati guximin të hapte shkollat e para shqipe, duke iu kundërvënë dhespotit grek të Kosturit, i cili e çkishëroi. I njohur për ndjenjat e tij patriotike, ai gëzonte simpatinë dhe përkrahjen e gjithë atyre që kishin ndjenja atdhetare.

    Alo Beu shtroi darkë të madhe, për njëzet e ca burra. Kryen e vendit ia lëshoi Profesorit, si mikut më të nderuar, vetë zuri vend në krah të tij, ndërsa më të rinjtë dhe shoqëruesit e deputetit pas tyre me radhë, sipas pozitës dhe moshës.

    Në një hop kohe, kur sapo ishin ngritur dollitë e para, njëri nga të rinjtë iu drejtua profesorit me lutjen: “O zoti kandidat për deputet, a na lejon të këndojmë një këngë?” Skënder Luarasi, si kolonjar e dinte mirë se kënga shoqëron çdo tryezë me pije dhe meze përpara, prandaj iu përgjegj: “Si jo, kur të doni! Duhet t’u lutesha unë, ose zoti Alo se kënga shton gëzimin e festës, po mirë që u kujtuat vetë.” “A t’ia marrim asaj këngës së Safet Butkës?” Kërkesa qe provokuese, si për të zotin e shtëpisë në tryezën e të cilit kishte edhe ish-ballistë, si për profesorin, që e kishte patur Safet Butkën koleg dhe shok studimesh. Të dy kishin studiuar në Grac të Austrisë dhe të dy ishin kthyer në Shqipëri për të punuar në fushën e arsimit. Kënga satirike politike për Safet Butkën doli menjëherë pas vetëvrasjes së tij në shtator të vitit 1943. Ajo do ta prishte atmosferën e unitetit që mtonte deputeti, prandaj pyetjes iu përgjegj me pyetje: “Po pse asaj të Safetit dhe jo asaj të Ganiut?” Sugjerimi qe këshillim, edhe qortim. Ndërsa Safet Butka u vetëvra në teqenë e Melçanit, i rrethuar nga komunistët, Gani Butka, vëllai i tij i madh, ra duke luftuar kundër bandave rebele të Haxhi Qamilit në Pogradec më 1914, pra ishte dëshmor i Rilindjes.

    Të rinjtë e pranuan sugjerimin. Kur mbaroi kënga, Skënder Luarasi i drejtoi Alo Kreshovës pyetjen: “Po pse mor zoti Alo, pse, kur na erdhi i huaji te vatra nuk u ngritëm të tërë si një grusht i vetëm për të mbrojtur atdheun, por u ndamë e u përçamë ca andej e ca këtej?”

    Alo Kreshova ishte plak i zgjuar. Pasi u mendua pak iu përgjegj. “Dëgjo këtu, o zoti Skënder. Të ishte gjallë Petro Nini Luarasi dhe të na thoshte këtej duhet të shkojmë, se kështu e do e mira e vendit, ne, dua të them paria, do t’i vinim pas, se e dinim që e donte vatanin me shpirt. Të qe gjallë Sali Butka dhe të na thoshte nga ç’anë duhej shkuar, ne do ta kishim dëgjuar se e dinim që ishte patriot. Mirëpo të dy ata i kishte ndjerë Zoti me vaft dhe nuk ishin mes nesh. Të ndodhej këtu Skënder Luarasi dhe të na tregonte në cilën rrugë të shkonim, ne do të mendoheshim pak, por gjene do t’i bindeshim se e dinim që edhe djali në gjurmët e babait do të ecte. U ndodh këtu djali i Sali Butkës, Safeti, ai na tha këtej e do e mira e vendit dhe ne i shkuam pas.” Shpjegimi qe sa i thjeshtë aq dhe i vërtetë për parësinë e Kolonjës, të cilët të mësuar të shkonin pas prijësave të njohur, nuk konceptonin rrugë tjetër. Sapo erdhën në Kolonjë, dy emisarë të njohur, bij patriotësh, si Prof. Safet Butka, i biri i Sali Butkës dhe Qazim Prodani, djali i Zalo Prodanit, Balli Kombëtar pati rritje të vrullshme. Dihej se Sali Butka, ashtu edhe Zalo Prodani kishin luftuar trimërisht me çetat e tyre kundër andartëve grekë më 1914. Kurse lëvizja komuniste në Kolonjë e Leskovik u ngrit dhe u organizua nga të deleguarit e Qarkorit të Korçës. Udhëheqësit e krahinorit Josif Pashkoja dhe Petrit Dumja, dy të rinj të panjohur, nuk gëzonin ndonjë farë prestigji në popull. Krahu i Ballit filloi t’i akuzonte komunistët e Kolonjës në pikën më të dobët, se zbatonin urdhërat që merrnin prej djemve të tregëtarëve dhe fajdexhinjve korçarë, të cilëve nuk mund t’u besohej, se ata si qytetarë nuk i dinin hallet e fshatarëve dhe si gjithmonë do t’i gënjenin. Propaganda e tyre zuri vend dhe lëvizja komuniste pësoi tkurrje, mbasi mjaft fshatra i prishën këshillat e Frontit Nacionalçlirimtar. Meqë komunistët kishin çetë të armatosur, edhe Balli Kombëtar armatosi ithtarët e vet, duke ngritur një batalion. Debatet politike u ashpërsuan, hendeku u thellua dhe në gusht të vitit 1943 ngjau përpjekja e parë vëllavrasëse. Nga historiku i rrethit rezulton se betejat ndërmjet shqiptarëve, janë tre fish më shumë se ato me pushtuesit. Humbjet nga të dy krahët qenë mjaft të mëdha, hendeku i ndarjes mjaft i gjerë, ndaj Skënder Luarasi përpiqej të mbylleshin sa më shpejt malcimet e trashëguara nga lufta.



    VIZITË TE NJË FAMILJE NË ANËN E BALLIT KOMBËTAR

    Ky qëllim humanitar e nxiti të shkonte në Gostivisht dhe të shfaqte dëshirën për të vizituar familjen N. Të rinjtë komunistë që shoqëronin kandidatin për deputet si roje dhe si informatorë, i kujtuan se një djalë i asaj familje ishte ballist dhe qe vrarë duke luftuar kundër partizanëve. Duke besuar se kandidati për deputet nuk e dinte atë fakt, ata e paraljmëruan se vizita do të binte në sy për keq. “E di, ua priti Skënderi, por edhe ata i kemi votues, prandaj duhet t’i mbajmë afër. Tani lufta mbaroi dhe ne duhet të përpiqemi si t’i shuajmë armiqësitë, jo si t’i mbajmë ndezur. Sa më parë të pajtohemi me njëri-tjetrin, aq më i fortë do jetë atdheu,” u tha shoqëruesve. Ata nuk e miratuan, por as nuk mund ta ndalonin. Ai dërgoi lajm për vizitën dhe ditën e caktuar zbriti në Gostivisht. Për habinë e të rinjve, nëna e djalit të vrarë doli te porta me çember të bardhë në kokë, për të pritur kandidatin për deputet. Pra jo vetëm që e prishi zinë, por e ktheu në dasmë, sepse pas traditës, vetëm ditën e dasmës gratë e moshuara hedhin shami të bardhë në kokë. Qëndrimi i tij pajtues binte ndesh me ideologjinë komuniste, që po zhbinte armiqtë e deklaruar, ballistë e zogistë, kundërshtarët politikë dhe ata që i damkoste reaksionarë. Në sytë e udhëheqjes komuniste, deputeti i Kolonjës humbi shumë pikë me idetë e tij rilindase dhe siç treguan faktet, ata përgjonin rastin për ta shkarkuar.

    Dy vjet më vonë, më 1947, Partia organizoi Konferencën e tretë e Shkrimtarëve. Qëllimi ishte të shkarkohej Prof. Sefulla Malëshovën si Kryetar i Lidhjes, pas përjashtimit të tij nga Byroja Politike dhe nga posti i Ministri të Arsimit në kabinetin qeveritar. Sipas praktikës së njohur, pjesëmarrësve iu kërkua të solidarizoheshin me referuesin, duke goditur S. Malëshovën, mirëpo Dr. Ymer Dishnica deklaroi burrërisht se nuk i hiqte asnjë presje parathënies së tij për librin “Vjersha” të S. Malëshovës, ku ai e lavdëronte si poetin më të madh të kohës. Me të u bashkua edhe Prof. Skënder Luarasi, duke argumentuar se Malëshova qe njeriu më i përshtatshëm për postin e Kryetarit të Lidhjes. Të dy ata, iu kundërvunë vijës së partisë, duke mbrojtur Malëshovën dhe krijimtarinë e tij.

    Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Prof. Mark Ndoja dhe pasuesit e tyre e kritikuan ashpër Prof. Sefulla Malëshovën dhe tok me të, edhe të dy kokëfortët që e mbrojtën. Si përfundim Prof. Sefulla Malëshova, Dr. Ymer Dishnica dhe Prof. Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve, ndërsa Dhimitër S. Shuteriqi u zgjodh Kryetar në vend të Sefulla Malëshovës.

    Pas mbledhjes famëkeqe, Prof. Sefulla Malëshovën e transferuan në Patos të Fierit, me detyrë magazinier te një depo me hekurishte. Në fakt e internuan, sepse ishte i detyruar të paraqitej dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, në postën e policisë. Dr. Dishnica u shkarkua nga posti i Ministrit të Shëndetësisë dhe u dërgua mjek i thjeshtë në Spitalin Civil të Tiranës, më vonë u transferua në Berat, ku punoi dhe jetoi deri në fillim të viteve 90. Prof. Skënder Luarasin e emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike të Tiranës, duke e larguar përfundimisht nga Drejtoria e Teksteve në Ministrinë e Arsimit.



    KRITIKA PËR PIKËPAMJE MIKROBORGJEZE

    Pas lufte, shumica e kuadrove të reja ishin me pozita, por pa arsim përkatës, prandaj u pa e arsyeshme hapja e shkollave të natës. Natyrisht edhe Shkolla Pedagogjike e Tiranës çeli klasat e mbrëmjes për ushtarakë dhe civilë. Drejtoreshë Vangjelia, e njohur si një nga drejtueset më me autoritet në shkollat e kryeqytetit për zotësitë e saj organizative, vigjëlonte për rregull dhe disiplinë. Skënder Luarasi pati një përplasje të fortë me këshillin pedagogjik për shkak të një oficeri që vinte rregullisht në klasë, por nuk qe i aftë të mësonte. Ai besonte se diploma i takonte për merita lufte dhe mund ta merrte formalisht edhe pa mësuar. Skënderi provoi disa mënyra për ta nxitur të mësonte, por pasi e pa se qe e kotë, e këshilloi oficerin të mos humbte kohën kot në shkollë. “Po çfarë të bëj, kur në ushtri nuk më mbajnë pa shkollë?” e pyeti oficeri. “Mund të bëhesh çoban, të ruash dhëntë, ose lopët,” erdhi përgjigjja nga mësuesi. Klasa u nemit. “Po, po, vazhdoi mësuesi, çdo punë është më e mirë se sa të humbasësh kohën kot.” Oficeri u fye që mësuesi po i sugjeronte të kthehej në origjinë, çoban dhensh a dhish, ashtu sikurse kishte qenë para se të dilte partizan, prandaj iu ankua drejtoreshës.

    Vangjelia, që mezi e priste një rast të tillë për të demaskuar pikëpamjet e mësues Luarasit, menjëherë provokoi mbledhjen e këshillit pedagogjik. Nuk përjashtohet mundësia që të kishte marrë udhëzime nga seksioni i arsimit për trajtimin e kësaj çështjeje.

    Pritej që këshilli pedagogjik të propozonte përjashtimin e Skënder Luarasit nga detyra. Pas kritikave të renditura nga Drejtoresha, mësueset dhe mësuesit e tjerë e pasuan me zell, duke e akuzuar kolegun e tyre për pikëpamje mikroborgjeze. A nuk ishte skandaloze t’i thuhej një oficeri të ushtrisë popullore të linte kalemin dhe të mirrte kërrabën, se nuk ishte i aftë për shkollë? Në gjirin e tyre nuk kishte vend një mësues me koncepte mikroborgjeze. Kori i tyre qe i fuqishëm dhe të gjithë mendonin se vetëm autokritika e fortë mund ta shpëtonte mësuesin mëkatar. Me ato pikëpamje nuk e meritonte të qe edukator i brezit të ri.
    Skënderi u ngrit dhe fjala e parë që tha qe: “Habitem kur dëgjoj se po kritikohem për pikëpamje mikroborgjeze. Më duket se ato u përkasin juve, jo mua. Po, është e vërtetë, unë i kam sugjeruar të bëhet çoban, të ruajë dhëntë, a lopët, sepse atë detyrë e kundroj profesion të nderuar, të barabartë me gjithë profesionet e tjera, kurse ju i paski ndarë në të larta dhe në të ulëta. Çfarë të keqe ka qenia çoban, a nuk është punë e nderuar nga e cila shoqëria ka dobi?” Dhe vazhdoi ta shpaloste mendimin e tij, sa atyre u vinte turp për akuzat e papjekura që kishin shfaqur. Këshilli pedagogjik u shpërnda pa marrë asnjë vendim. Skënder Luarasi, me zgjuarësinë dhe çiltërsinë e tij, kishte dalë fitimtar mbi mediokritetin dhe konformizmin, duke ua kthyer akuzat mbi kokë si bumerang.




    PËRMBLEDHJA “MIGJENI”

    Përjashtimi nga Lidhja e Shkrimtarëve nuk e pengoi Skënder Luarasin t’u kushtohej aktiviteteve letrare që i pëlqenin. Ai qe shquar si përkthyes dhe si publicist, me artikujt e tij nëpër gazeta e revista, duke filluar që nga revista e studentëve shqiptarë në Austri, te “Vullnetari i Lirisë” në Spanjë dhe te botimet periodike shqiptare.

    Skënder Luarasi iu kushtua seriozisht botimit të plotë të veprës së Migjenit, i cili deri në atë kohë njihej nga vëllimi i hollë me poezi Vargje të lira. *Skënderi përmblodhi në vëllimin Migjeni edhe skicat në prozë dhe novelat e shpërndara në botimet periodike. Disa prej tyre, si “A don qymyr zotni?” “Të hapen arkapijat,” “Studenti në shtëpi,” trajtojnë realisht aspekte nga jeta e qytetit të veriut në vitet 30, të cilat lartësonin emrin e autorit dhe pasuronin letërsinë e varfër shqipe. Ato krijime artistike meritonin të njiheshin nga brezi i ri.

    Bashkëshortja e Skënder Luarasit, Ollga, ishte motra e Migjenit, por jam i sigurt se ai iu përvesh asaj pune jo për anë miqësie, por sepse te Migjeni shihte vlera të shëndosha letrare. Pasi e kompletoi dorëshkrimin, e dorëzoi në Lidhjen e Shkrimtarëve. Sipas rregullit, veprat para se të botoheshin duhet të miratoheshin nga një komison ekspertësh.

    Sikurse më ka thënë vetë Skënderi, disa muaj më vonë, ai u befasua kur e pa librin “MIGJENI” në vetrinat e librarive me autor Gjovalin Luka. “Mund të kishim punuar paralelisht, më tha Skënderi, pavarësisht nga njëri-tjetri, prandaj e shfletova përmbledhjen me kujdes. Shkrimet, komentet, vërejtjet qenë të miat, ndryshonte vetëm emri i përmbledhësit. Atëherë protestova në Lidhje dhe në Ministrinë e Arsimit, e quajta përvetësim letrar, vjedhje, por pa asnjë rezultat. Me sa duket Gjovalin Luka kishte marrë miratimin e tyre për të vënë emrin e tij, me që emri im u vriste sytë, ose ndoshta ma kishin hequr të drejtën e autorit pa më vënë në dijeni,” e përfundoi komentin Skënderi.

    Skandali për librin “Migjeni” u mbyll pa zhurmë, sikurse gjykoj tani, për shkak të marrëveshjes në rang zyrtar, që vepra të mos botohej me emrin e tij.

    Ky përvetësim skandaloz nuk ia theu aspak vullnetin Skënderit. Me energjinë e tij të pashtershme, iu vu punës dhe hartoi një përmbledhje më të plotë të veprave të Migjenit, të cilën e botoi disa vite më vonë.



    PROFESOR LUARASI DHE REALIZMI SOCIALIST

    Pas atij skandali letrar për t’i dhënë sadisfaksion moral, apo për ndonjë arsye tjetër, qëndrimi i ashpër zyrtar ndaj Skënder Luarasit, u zbut.

    Ministri i Arsimit, Bedri Spahiu, i njohur si njeri i rreptë dhe nursëz, e thërriti në zyrën e tij Skënderin dhe e priti ngrohtësisht. E pyeti nëse qe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. “Kam qenë para se të më përjashtonin para dy tre vitesh,” iu përgjegj Skënderi. “A dëshironi të bëni pjesë në të?” “Nuk besoj të më pranojnë,” u përgjegj kryelartë për t’i treguar se nuk i bëhej vonë nga përjashtimi. Ministri e këshilloi të shkonte në kryesinë e Lidhjes dhe të kërkonte me shkrim ose me gojë të hynte sërish në gjirin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Skënderi e kuptoi se për çështjen e tij, ai ishte marrë vesh me krerët e Lidhjes, prandaj e pranoi sugjerimin. Ministri shtoi se e mira qe të shkonte që atë çast.
    Skënderi u drejtua te Lidhja e Shkrimtarëve, në rrugën Hoxha Tahsin. Ngjiti shkallët dhe trokiti në zyrën e kryetarit. Po e prisnin Dhimitër Shuteriqi, me cilësinë e Kryetarit, Shevqet Musaraj, Sekretar i Përgjithshëm dhe Fatmir Gjata, sekretar i partisë për Lidhjen. E ftuan të ulej, por ai preferoi të rrinte në këmbë. “Shoku Skënder, ju keni shfaqur dëshirën të hyni në Lidhjen e Shkrimtarëve,” e hapi bisedën kryetari. “Po, ashtu më këshilluan,” erdhi përgjegja prej tij pa rrëfyer burimin. Kjo donte të thoshte se e kishin dërguar, mbasi ai vetë nuk e quante të nevojshme pjesëmarrjen në të. “Shoku Skënder, a mund të na thoni çfarë dini ju nga realizmi socialist?” e pyeti Fatmir Gjata. Pyetja e Fatmirit qe provokuese, me qëllim ta vinte profesorin në pozita poshtëruese, sikur ai kishte mbetur prapa kohës, me mësimet e shkollës borgjeze. Skënderi në çast iu përgjegj: “Po unë se s’di asgjë nga realizmin socialist, pa dua të hyj në Lidhje, përndryshe pse do ta kërkoja këtë?” Qe një përgjigje e hollë ironike, për të cilat Skënderi shquhej gjithmonë në debatet me kundërshtarët. Ato i kishte në majë të gjuhës, në çastet më kritike. Batuta e tij kaloi gojë më gojë dhe mbeti si një nga hazërxhevapet më të bukura të profesorit. Artistët shprehnin simpati për mënyrën elegante me të cilën profesori i kishte rrëshqitur përgjigjes. Kësisoj seanca e anketimit për realizmin socialist mori fund pa filluar.

    (Fund i pjeses I.)

  3. #43
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576
    .

    "Kombi mbi te gjitha"


    "Edhe Krishti ne na thente
    Une jam grek, eni pas meje,
    Do ti themi: Pa Mblidh mente,
    Se shqiptari, s'vjen pas teje..."

    "E verteta ben fene, dhe jo feja te verteten..."

    "Ruamani gjakun, se do tu duhet per shkrimin e gjuhes shqipe....
    Edhe 99 here te rrezohemi, perseri duhet te ngrihemi!"


    Petro Nini Luarasi




    Nje kopje te skanuar te librit "Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çperfolja e shqiptarit" ne botimin e tije te pare mund ta shihni ne adresen e meposhtme:


    http://ngarkovideo.com/document/207/...ronjave-shqipe

    Skanimin e kam realizuar mbi nje kopje te vetme te librit qe ndodhet ne biblioteken e Nolit ne Katedralen e Shen Gjergjit ketu ne Boston.


    Gjirfabe


    .

  4. #44
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485
    Naum Prifti

    I paepuri Prof. Skënder Luarasi Pjesa II

    NDERIM APO FYERJE PËR KOLONJËN DHE KOLONJARËT?
    Fatmir Gjata botoi te Revista “Nëntori” një tregim me temë nga e kaluara. Ngjarja shtjellohej në në Kolonjë, ku ndoshta ai e kishte dëgjuar legjendën apo historinë që tregohej. Subjekti me dy fjalë qe ky: “Në kohën kur sundonte e drejta e natës së parë, një djalë fshatar nuk pranon t’ia dërgojë nusen beut, edhe pse has kundërshtime nga rrethi i tij miqësor. Dhëndri vishet si nuse, futet në dhomën e beut, e vret atë me thikë dhe pastaj arratiset tok me farefisin për t’i shpëtuar hakmarrjes.” Mesazhi që donte të sillte autori qe se me atë vrasje rajaja i dha fund së drejtës së natës së parë që ushtronin feudalët në mesjetë dhe deri vonë në shekullin e XIX.
    Sipas kërkesave të realizmit socialist tregimi qe në rregull nga çdo pikëpamje: luftë klasore vegjëli bejlerë, protestë e shtresave të ulëta kundrejt një tradite morale fyese, dhuna si mjet për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin. Autori priste që kolonjarët ta falënderonin ose t’i qenë mirënjohës
    për shërbimin e çmuar që po sillte në fushën e luftës klasore, mirëpo ndërsa tregimi harmonizohej me kriteret e realizmit socialist, cënonte traditat shqiptare për nderin dhe moralin. Sipas Skënder Luarasit, tregimi i Fatmir Gjatës fyente në palcë çdo familje kolonjare, si skandaloz dhe shpifarak. Ai mendonte se kolonjarët duhet të protestonim bashkarisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe më lart akoma, se Fatmir Gjata me anë të atij subjekti pohonte se gjithë të parëlindurit qenë dobiçë bejlerësh, çka ishte fyerje publike e dinjitetit të tyre. Profesori nuk e pranonte aspak ekzistencën e së drejtës së natës së parë në Shqipëri, duke thënë se nuk kishte gjetur asnjë burim historik për të. Ai e quante sajim të rretheve feudale shqiptare, për të përligjur devijimet e tyre morale. Për shqiptarin nderi vlente më shumë se jeta, prandaj nuk mund ta pranonte as si koncept.
    Më pyeti nëse e kisha lexuar tregimin. E vërteta qe se e kisha lexuar dhe pëlqyer. Një legjendë të tillë kisha patur rast ta dëgjoja edhe unë disa herë. Në një variant tjetër dhëndri e ftonte beun të shihte sa bukur e kishte pjekur mishin e dasmës dhe pastaj e shtynte në furrë, ku e digjte të gjallë. Legjenda i vishej prishjes së Valanjit, një fshati të rrënuar midis Rehovës dhe Taçit.
    E vërteta historike e prishjes së Valanjit qe më e thjeshtë dhe më natyrale. Pas djegies së pyjeve të Gramozit nga ana perëndimore, shirat e rrëmbyer krijuan aluvione të forta dhe ato përmbytën tokat, livadhet, çairet dhe fushën e tyre, deri në Surmëri. Fusha u kthye zall, çka duket edhe sot kur soditet fusha e Valanjit nga lartësitë e Gramozit. Fshatarët e mbetur pa toka buke, pa livadhe, pa kopshte, u detyruan të shpërngulën nga mesi i shekullit të kaluar. Valanji u braktis nga fatkeqësia natyrore dhe aspak nga protesta ndaj së drejtës së natës së parë. Dihen edhe migrimet e banorëve të tij. Një pjesë erdhi dhe u ngul në Rehovë, (Notellarët, Dafot), një pjesë në Plikat, (Xhogat) dhe një pjesë tjetër Negovan, (Xoxet, familja e Papa Kristos, etj.).
    Sipas Prof. Skënder Luarasit vetëm Lubonja në Kolonjë, ishte çiflik i bejlerëve të Qafëzezit, kurse fshatarët e tjerë ishin zot në tokat e tyre të pakta, prandaj as që mund të merrej në konsideratë e drejta e natës së parë. Turqia i shpërbleu bejlerët e Kolonjës duke u dhënë çifligje në Thesali, për arsyen e thjeshtë se në Kolonjë s’kishte metoqe ose toka të lira.
    Fatmirit i vajtën në vesh sulmet e forta të Skënder Luarasit dhe natyrisht u zemërua. Nuk mund të pranonte kurrsesi që Luarasi ta dinte marksizmin më mirë se sekretari i organizatës bazë të partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, që kishte kryer edhe studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Së fundi dy kundërshtarët u ballafaquan për tregimin në fjalë në klubin e Shkrimtarëve. Skënderi Luarasi ia rrëzoi të gjitha argumentet që dëgjoi prej tij, sa më në fund Fatmiri e humbi durimin dhe e shporri duke i bërtitur “Hajt sikter!” Profesor Skënderi me qetësinë më të madhe ia priti: “Edhe këtë turqisht e thatë.”
    Ndonjëherë rrëmbimi dhe inati e shtynte edhe profesorin të bënte humor të hidhur. Thoshte se Fatmiri mbiemrin e kishte Gjata, por vetë nuk ishte shtatgjatë dhe njerëzit kishin arsye të dyshonin për prejardhjen e tij. Kështu Skënderi ia kthente Fatmirit mbi kokë si bumerang të drejtën e natës së parë.
    Me kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Skënder Luarasi nuk pati relata miqësore, a së paku shoqërore. Të dy palëve u mungonte vullneti i mirë dhe besimi i ndërsjelltë. Me përjashtim të Dritëro Agollit dhe Isamil Kadaresë, të tjerët nuk i honepste.
    Shkaku i mosmarrëveshjeve me Dhimitër Shuteriqin qe moral dhe etik. Shuteriqin e kishte marrë mëri që kur ai mori pjesë në konkursin për hymnin e Zogut më 1937, ndërkohë që pjesa më e madhe e të rinjve intelektualë nuk kishin simpati për atë regjim. Shkaku tjetër qe poema “Enverit” të cilën Dhimitër Shuteriqi e botoi më 1945, ku i thurte lavde udhëheqësit, duke hapur hullinë e “së ashtuquajturës “Enveriadhë,” një nga prirjet më servile të “realizmit socialist” shqiptar, sikurse vëren esteti dhe kritiku Alfred Uçi. Skënder Luarasi, padyshim e pranonte evolucionin e pikëpamjeve politike, po disa personave ua quante shtirje këmbimin e pozitave nga një krah në krahun tjetër. Ai gjithë jetën mbeti demokrat dhe fanolist i vendosur. Më 1965, me rastin e vdekjes se Fanolit, S. Luarasi dërgoi në Boston një telegram me këtë përmbajtje: “Përulem para shqiptarit më të madh të shekullit tonë.” Mirëpo të thoshe diçka të tillë, kur diktatori qe në kulmin e fuqisë dhe kulti i individit lulëzonte, qe jo vetëm guxim, por edhe sfidë e fortë.

    KONFLIKTI MIDIS SHEVQET MUSARAIT DHE PROFESORIT
    Kur njeriu e do të drejtën me përkushtim, krijon më shumë armiq se miq.
    Konflikti midis profesorit dhe Shevqet Musarait, ndyshe nga disputi i njohur me Fatmir Gjatën, u zhvillua më shumë nën dhe se sa në sipërfaqe.
    Tani të dy protagonistët kanë vdekur dhe unë mund ta rrëfej me shpirt të qetë burimin e konfliktit të tyre, sipas pohimeve konfidenciale të profesorit.
    Skënder Luarasi ishte përkrahësi më i zjarrtë i romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali Ushtrisë së Vdekur.” Në diskutimin e organizuar për romanin në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ai tha se e pëlqente atë vepër, mbasi atje zbuloi se kishte patur dhe vatra të tjera rezistence kundër zbarkimit fashist, veç Durrësit. Ideja e rezistencës kundër fashizmit vlente shumë për ndjenjat e tij patriotike. Mirëpo disa shkrimtarë të mirënjohur shfaqnin rezerva për vërtetësinë e ngjarjeve të romanit, për formën novatore që kishte përdorur Kadareja, prandaj edhe nuk e pranonin tërësisht. Musaraj dhe Luarasi shkëmbyen disa replika të forta pas diskutimit, në prani të Fiqerete Shehut sekretare e partisë për Tiranën, e shoqja e kryeministrit Mehmet Shehu. Ndërsa po shkonin drejt banakut për të marrë ndonjë pije freskuese se qe vapë, Shefqet Musaraj deshi t’i tregonte vendin Luarasit, ndaj e akuzoi se kur ata luftonin nëpër malet e Shqipërisë, zhveshur e zbathur, ai bridhte Evropës. Me fjalë të tjera, sipas Musarajt, Skënder Luarasi e kishte gjetur sofrën të shtruar, prandaj nuk i takonte të gjykonte për atë periudhë.
    Profesor Luarasi ia ktheu aty për aty: “Po qe se i shoqi i kësaj gruas që sheh pranë teje, ka bredhur nëpër Evropë, atëherë mund të thuash edhe për mua të njëjtën gjë, se unë pas gjurmëve të tij kam shkuar.” E vërteta është se ai shkoi në Spanjë përpara Mehmet Shehut, po aty iu desh ta përdorte emrin e kryeministrit për t’i mbullyr gojën. Në luftën e Spanjës shkoi një grusht shqiptarësh idealistë, ndërkohë që të tjerët bridhnin kafeneve të Francës, ose luanin bixhoz në “Kursal.” T’i konsideroje luftëtarët antifashistë shqiptarë si vagabondë që bridhnin nëpër Evropë, qe fyerje shumë e rëndë për idealet e tyre. Akuza e Musarajt shkoi më lart se sa deshi me përgjithësimin e gabuar, prandaj më nuk pipëtiu. Për mirësjellje Fiqiretja nuk mori anë në replikat e tyre të hidhura.
    Skënder Luarasi e kishte të zhvilluar replikimin e mprehtë dhe të menjëhershëm. Ai dëfrente kur konfliktohej, mendja e tij atëhere punonte vrullshëm, me shkëndijime të befta dhe replika të forta, kurse kundërshtarët hanin buzët me dhëmbë prej inatit pasi largoheshin, që nuk ishin kujtuar t’i thoshin kështu apo ashtu, atë francezët e quajnë: “esprit d’escalier.”
    Profesori e kishte zakon t’ua rrëfente të njohurve të tij konfliktet që i ndodhnin për të testuar nëse kishte patur të drejtë, apo thjesht për të dëgjuar mendimet e tyre. Pasi mësoi grindjen midis Luarasit dhe Musarajt, një punonjës i vjetër i Bankës së Shtetit, i besoi profesorit një të fshehtë përvëluese për Shefqetin, ish-nëpunësin e Bankës së Tiranës. Më 5 prill 1939, në vigjilje të pushtimit fashit, kur gjithë populli i Tiranës kishte dalë në rrugë, për të kërkuar armë, Musaraj kujdesej të shpinte fëmijët e kolonisë italiane në një vend të sigurtë, që të mos rrezikoheshin prej bombardimeve. Pas pushtimit të Shqipërisë, qeveria fashiste italiane e kishte shpërblyer për mirënjohje, me një sasi mjaft të madhe të hollash në franga ar.
    Pra ky nëpunës që u kishte shërbyer fashistëve dhe qe shpërblyer prej tyre, kur të tjerët kërkonin armë për të luftuar, nuk mund t’i shiste mend atij dhe të tjerëve për patriotizmë. Skënderi e përhapi faktin skandaloz të shpërblimit të Musarajt, në atë kohë qe deputet në Kuvendin Popullor, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Partia u vu në pozitë të vështirë që një figurë e nderuar rrezikohej të diskreditohej. Duhej verifikuar nëse ai e kishte fshehur atë fakt nga biografia e tij, apo qe shpifje e Skënder Luarasit?
    Shefqeti kishte punuar tok me Enver Hoxhën, për shtypin ilegal të partisë në vitet 1942-43, qe autor i poemit satirik “Epopeja e Ballit Kombëtar” dhe udhëheqja e partisë e donte për qëndrimin e tij konsekuent si propagandist i vijës së partisë me fjalë dhe me vepra letrare. Meritat ia kishin njohur qëkurse i rezervonin vend në çdo presidium të rëndësishëm. Zgjedhja e tij si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, edhe pse pozitë honorifike, tregonte stimën e udhëheqjes, mbasi prej siguroheshin favore të mëdha pa kryer asnjë punë.
    Skënder Luarasin e thërritën diku dhe i bënë të jepte burimin e informatës për Musarain, përndryshe do të vihej para përgjegjësisë ligjore si shpifës. Profesori nuk e rrëfeu personin, por u sugjeroi të shkonin në Bankën e Shtetit dhe të kërkonin listën e nëpunësve të shpërblyer nga fashistët një a dy javë pas pushtimit të Shqipërisë. “Por nëse një listë e tillë nuk gjendet, atëherë a do të pranoni se keni shpifur?” “Nëse lista është zhdukur prej dikujt, të shihen llogaritë e shpenzimeve dhe të daljeve bankare gjatë muajit prill-maj 1939 në librat e saj, si dhe specifikimet për to!” “Po sikur të mos figurojë as atje emri i tij?” “Atëherë dërgoni njeri në Romë, të shohë koçanet e Bankës mëmë.” Me aq biseda e tensionuar qe mbyllur.
    Profesori më rrëfeu te salloni i Shkencave Shoqërore në Bibliotekën Kombëtare, se e dinte nga një njeri i brendshëm i Bankës që dokumenti ndodhej atje, prandaj nuk qe tutur.
    Ky zbulim skandaloz e prishi paksa imazhin e shkëlqyer të Shevqet Musarait në sytë e udhëheqjes si komunist i devotshëm. Nuk dihet nëse e qortuan për fshehje të biografisë, por në legjislaturën tjetër Shefqet Musaraj nuk figuronte në përbërjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe as deputet në listën e të parazgjedhurve nga partia. Që atëherë Shefqetit i dhimbnin sytë kur e shihte Skënderin në rrugë.

    KUSH ËSHTË KY S.L.? NUK E DI!
    Skënder Luarasi qe nga njerëzit e rrallë, në mos i vetmi, që nuk e përfilli porosinë e Enver Hoxhës për autokritikë, duke mbajtur lart dinjitetin personal dhe pikëpamjet e tij për figurën e Haxhi Qamilit. Dhe megjithatë mbeti gjallë. Dashamirësit e tij ia vishnin këtë mrekulli, në radhë të parë babait të tij, Petro Nini Luarasit dhe simpatisë që gëzonte në rrethet intelektuale me personalitetin e vet.
    Në kongresin I të Partisë më 1948, Enver Hoxha e ngriti Haxhi Qamilin në rangun e patriotëve të shquar, duke e paraqitur kryengritës fshatar të tipit Pugaçov, apo Stjepan Razin, ashtu sikurse ia kishte servirur një historian i cekët. Ky cilësim ngjalli kundërshtime të forta tek gjithë patriotët e ndershëm që e njihnin atë periudhë. Ata dërguan letra dhe protesta në KQ se Haxhi Qamili ishte dhe mbetej turkoshak që kishte luftuar me bajrakun e Turqisë dhe me parullën “duam Babën” (Sulltanin), kur sapo qe shpallur pavarësia. Letrat mbetën pa përgjegje dhe në shtypin e zotëruar nga partia nuk pati asnjë diskutim, por në biseda të lira kritikat ishin mjaft të forta. Kundërshtia qe se ndërsa partia e shihte Haxhi Qamilin me sy klasor si flamurtar të luftës kundër Esat Pashë Toptanit dhe bejlerëve të tjerë, patriotët e gjykonin lëvizjen e tij thellësisht antikombëtare.
    Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare në rrugën e Barrikadave, u hap në një godinë trekatëshe që nuk egziston më, aty ku gjendej “Ndërmarrja Artistike Migjeni.” Në sfondin kryesor të sallës më të madhe dukej portreti i plakut fisnik Ismail Qemali, me mjekër të bardhë dhe krahas tij portreti i zymtë prej banditi i Haxhi Qamilit me mjekër shtëllungë të zezë, me çizme dhe dolloma ushtarake. Prof. Skënder Luarasi, sapo vizitoi muzeun tha me ironi: “Shumë bukur! Këtu e paskan vënë në piedestal si atë që ngriti flamurin e Shqipërisë, si atë që e uli!” Fjalia e tij lapidare u përhap me shpejtësi të madhe, për kontrastin e fortë dhe për të vërtetën që përmblidhte. Shumë patriotë nuk e duronin Haxhi Qamilin pranë Ismail Qemalit, por nuk kishin guxuar të flisnin hapur dhe të ironizonin ideatorët e muzeut, se e dinin që maketi ishte aprovuar prej sferave më të larta të partisë dhe udhëheqja kishte marrë pjesë në përurimin e tij.
    Po e riprodhoj rrëfimin e Skënder Luarasit për Haxhi Qamilin, ashtu si e kam dëgjuar prej gojës së tij. “Haxhi Qamili qe një fshatar injorant nga katundi Sharrë i Tiranës. Qe fanatik fetar, prandaj njëherë e kishin dërguar në Mekë për haxhillëk. Që kur u kthye prej andej fshatarët filluan ta thërrisnin “haxhi,” sipas zakonit dhe kësisoj Qamili u bë Haxhi Qamil. Qe beqar me moshë të madhe dhe vëllai e përdorte si hyzmeqar duke e dërguar të shiste presh në pazarin e Tiranës. Do të kishte mbetur gjithë jetën shërbëtor i vëllait, sikur në Durrës të mos kishte plasur grindja midis Esat Pashë Toptanit dhe Musa Qazimit, myftiut të Tiranës. Në një mbledhje krerësh më 1913, Esat Pasha, që sapo ishte kthyer prej Stambollit, si njeri me ambicje të forta politike, shfaqi pretendime për post drejtues, ndërsa rivalët iu sulën me kritika, se qe kujtuar vonë. Ku ishte pashai, kur ata luftonim për Shqipëri? Esati tha se edhe duke qenë larg, e kishte ndihmuar atdheun duke dërguar 3.000 lira flori nga Turqia. Plasi skandali se lirat s’dihej ku kishin përfunduar, por dyshohej se qenë ngrënë ose përvetësuar nga Musa Qazimit dhe rrethi i tij. Mbledhja u prish, urat u ndanë. Musa Qazimi me t’u kthyer në Tiranë po mendonte si të hakmerrej ndaj kundërshtarit të tij. Pasi u mendua, i dërgoi haber Haxhi Qamilit, të vinte ta takonte. Ai e njihte si besnik dhe si fetar të bindur, ndaj sapo e pa përpara tij i tha: “Haxhi, ty të ka ngarkuar Allahu me një mision të madh!” Haxhi Qamilit i shkëlqyen sytë nga myzhdeja që dëgjoi, se besoi që porosia vinte nga Zoti. “Ti do të luftosh dhe do të shfarosësh armiqtë që duan të prishin fenë tonë dhe përpiqen të njollosin njerëzit e shenjtë.” “Jam gati, që tani!” u përgjegj Haxhiu. Musa Qazimi, njeriu i fesë, e armatosi Haxhi Qamilin me pushkë e revole dhe e nisi për në Krujë me tre veta pas, që të mblidhte forca të tjera vullnetare. Sa arritën në Krujë u bënë tridhjetë, sa zbritën nga Kruja u bënë treqind forca. Kjo qe ushtria e Haxhi Qamilit, e cila u sul kundër bejlerëve kundërshtarë të Musa Qazimit dhe të klanit të tij.”
    Prof. Skënder Luarasi e shihte lëvizjen e tij si konflikt midis një palë bejlerësh kundër një pale tjetër dhe Haxhi Qamilin vegël në duart e myftiut të Tiranës. Lëvizja qysh në krye ishte reaksionare. Të shqyeje flamurin e Shqipërisë, ta quaje shqiponjën pulastren dhe të luftoje me flamurin e Turqisë, duke kërkuar kthimin e Sulltanit dy vjet pas pavarësisë së Shqipërisë, kjo qe thikë në shpinë për kombin. Haxhi Qamili dhe bandat e tij vërtet u vunë zjarrin disa sarajeve të bejlerëve kundërshtarë, ku bashkohej natyrshëm edhe revolta spontane e ortekut të fshatarësisë që kishte pas vetes, por ndërkohë nuk mund t’i falen vrasjet, sakatosjet dhe torturimet e patriotëve shqiptarë. Ai shtroi në dajak gjithë mësuesit e shkollave shqipe, sepse u mësonin nxënësve “harfet e kaurit.”
    Enver Hoxha qe si biçikletatat me kontrapedal, nuk dinte dhe as nuk donte të kthehej mbrapa. Pas më shumë se njëzet vjetësh u kujtua ta rimerrte Haxhi Qamilin në mbrojtje dhe ta servirte si patriot, kësaj radhe duke përdorur pa kursim metodologjinë marksiste. Studimi “i tij” për Haxhi Qamilin iu paraqit si model historianëve dhe shkencëtarëve për gjykimin e figurave historike. Sigurisht qe një model i neveritshëm, (a një mësim në shembull negativ, sipas shprehjes kineze), sepse aty çdo fakt qe transformuar, çdo e vërtetë qe kthyer së prapi në shërbim të idesë që donte të servirte.
    Studimi i botuar në një nga vëllimet e shumta të veprave të Enver Hoxhës, hapej me kritikë drejtuar S.L. dhe A.M.(?) të cilët kishin gabuar në gjykimin e figurës së Haxhi Qamilit. Qe kritikë e drejtpërdrejtë kundër Skënder Luarasit dhe në mos gabohem Meksit, veçse me iniciale. Pas botimit të veprës, miqtë dhe të afërmit e këshilluan Prof. Skënderin, për të mirën e tij, të bënte një autokritikë të sinqertë ku të pranonte se kishte patur mendime të gabuara për lëvizjen haxhiqamiliste, tani që Enver Hoxha e kishte kritikuar publikisht. Skënderi qëndroi i papërkulur në mendimet e tij dhe nuk i pranoi sugjerimet e tyre. Pak më vonë, një mesaxher i posaçëm, që vinte nga një institucion zyrtar, e pyeti nëse e kishte lexuar vëllimin e fundit të shokut Enver, ku kritikohej me emër. Skënderi iu përgjegj se veprat e Enver Hoxhës i lexonte “me kujdes,” por askund nuk kishte parë ndonjë kritikë publike për veten e tij. I dërguari i posaçëm, një kolegu i tij historian, i tha se inicialet S.L. ishin të qarta për cilindo. Skënderi duke bërë të paditurin, e pyeti: “A jeni i sigurt? Unë për vete jo. Kush mund të jetë ky S. L.?” Pyetja qe befasuese për kolegun. “Kuptohet, jeni juve, S.L. Skënder Luarasi!” “E pse qenkam unë dhe jo një tjetër? Ku ta di unë se nuk është Selman Latifi, Sotir Lefteri apo Sadik Lumi?” “Ju keni shprehur kritika për Haxhi Qamilin duke e akuzuar si antishqiptar, si antikombëtar…prandaj udhëheqësi u kritikon dhe ju duhet ta pranoni gabimin,” e këshilloi kolegu i tij. “Unë jo,” kundërshtoi profesori. “Ma faktoni ju lutem në cilin organ, a në cilën gazetë kam shfaqur mendime për Haxhi Qamilin. Nuk mund ta pranoj se ky S.L. jam unë dhe nuk mund të marr përgjegjësi se kush mund të jetë.” Profesori e ktheu së prapi kolegun, pa e ulur kokën para diktatorit.
    “Nuk u trembët nga pasojat?’ e pyeta kur ma tregoi ngjarjen. “Kisha një argument të fortë,” më tha. “Nuk kisha shkruar dhe botuar asgjë për të, kurse me gojë kisha folur gjithandej, por atë s’mund të ma vërtetonin.”
    Enver Hoxha u nevrikos sapo mësoi se Luarasi s’pranonte të bënte autokritikë, çka donte të thoshte se vazhdonte të ruante pikëpamjet e veta për Haxhi Qamilin. Ai, me ligësinë e tij të përhershme, e etiketoi si agjent të imperialistëve dhe dhëndër të sovjetikëve! Enver Hoxha qe i tmershëm për etiketime politike, sado që në to s’kishte pikë logjike, mirëpo e keqja qe se fjalët e tij përsëriteshin nga partiakët e tjerë, zgjeroheshin me rrathë koncetrikë dhe bëheshin pjesë e gjithë administratës dhe institucioneve. Qe një nga format më të ulëta dhe më dinake të luftës së klasave për të diskredituar intelektualët. A mund të quhej Skënder Luarasi dhëndër i sovjetikëve, sepse u martua me një grua ruse? Pas kësaj logjike Zogu duhet quajtur dhëndër i hungarezëve dhe vetë Enver Hoxha dhëndër i dibranëve.
    Pas vdekjes së parakohëshme të gruas së parë, Skënder Luarasi u martua me një kolegen e tij në Fakultetin e anglishtes. Burri i saj, oficer, iu nënshtrua presioneve zyrtare dhe u detyrua të ndahej prej saj, ashtu si shumë të tjerë, që ishin martuar me gra të huaja. Maja, për arsyet e saj, nuk deshi të kthehej në Bashkimin Sovjetik dhe vendosi të qëndronte pedagoge në Universitetin e Tiranës. Me të Skënderi pati një harmoni shembullore deri në fund të jetës. Fati deshi që pas tre vajzave me gruan e parë, Skënderi të gëzohej me një djalë, të cilin e pagëzoi Petro, në kujtim të babait të tij Petro Nini Luarasi.

    HAXHI QAMILI DHE SHPATARAKËT
    Skënder Luarasi e kishte zakon të anketonte me dhjetëra njerëz, të njohur e të panjohur, për një çështje a një person që i interesonte. Edhe për Haxhi Qamilin të njëjtën metodë ndoqi dhe pas disa vitesh kishte grumbulluar një sërë ngjarjesh për bëmat e tij tragjike dhe komike.
    Episodi me shpatarakët qe pjesë e asaj serie. Rrëfimi i tij me detaje dhe me dialogjet plot dramaticitet më mbeti i tiposur në mendje.
    Sapo Haxhi Qamili me bashibozukët e tij arriti në Elbasan, furrat e qytetit u zbrazën shpejt dhe tregtarë i mbyllën tregtoret për shkak të krizës dhe pasigurisë. Problem kryesor për rebelët qe sigurimi i hajes. Këtë e dinte mirë kryekomandanti i tyre, Haxhi Qamili, prandaj kudo që shkelte e lëshonte ushtrinë për plaçkitje. Kjo liri u jepte atyre një kënaqësi të madhe, sepse rrëmbenin çfarë të mundnin në qytet e në fshat pa paguar asnjë metelik. Mirëpo brenda në Elbasan nuk kishin çfarë të rekuizonin, prandaj u sulën drejt Shpatit, në pllajat e të cilit dukeshin disa kope dhënsh. I këputën nga kullotat dhe i suallën në qytet duke siguruar rezerva ushqimi për disa ditë. Haxhi Qamili i përgëzoi për atë veprim të shpejtë. Pasdite shpatarakët e kthyer nga punët jashtë shtëpisë, dëgjuan hatanë që kishte ndodhur, kopetë e tyre u rrëmbyen me urdhër të Haxhi Qamilit. Ata nuk e dinin se kush ishte Haxhi Qamili, po kushdo që të ishte, qoftë edhe vetë Zoti, nuk mund të jepte urdhër të grabiteshin kopetë e tyre. Shtatë-tetë burra të armatosur u nisën drejt Elbasanit, atje ku ishin kopetë e tyre. Sapo ranë në qytet, pyetën në ç’konak kishte bujtur Haxhi Qamili. Menjëherë hynë në oborr. Roja u përpoq t’i ndalonte, duke u thënë se askush nuk mund të hynte brenda pa urdhërin e Babë Haxhiut, por ata e vërvitën tej portës me tytat e pushkëve duke e porositur të mos bëzante se armët i kishin të mbushura. Katër burra të armatosur hynë në odën ku Haxhiu po çakaritej pranë zjarrit, ndërsa të tjerët qëndruan jashtë duke vigjëluar. Qe vjeshtë e dytë.
    “Zotrote je Haxhi Qamili?” e pyeti një prej tyre. “Po, unë jam, me ymysin e Allahut,” u përgjegj Haxhi Qamili serbes. “Zotrote ke urdhëruar ushtarët të marrin dhëntë tona në Shpat?” e vazhdoi pyetjen shpataraku. Dukej se qe i mllefosur dhe veç kësaj i armatosur, prandaj Haxhi Qamili e ftoi të ulej që të bisedonin. “Ngadalë burra, të merremi vesh. Uluni këtu shesh!” “Jo, besa, s’kemi ardhur për t’u marrë vesh pa u dhënë urdhër ushtarëve të kthejnë gjënë e gjallë atje ku e rrëmbyen,” ia preu shpataraku. Haxhi Qamili mbante në brez një goxha revole me mulli, foletë e të cilit i alternonte një mbushur, një zbrazur. Ai kishte deklaruar se alltija e tij qe e shenjtë, sa e ndante hesapin vetë kush qe fajtor e kush jo. Si i djallëzuar që ishte, e kthente tytën e alltijes nga vetja, kur te gryka qe foleja e zbrazur, e shkrepte dhe natyrisht nuk pësonte asgjë, pastaj ia drejtonte tjetrit në gjoks, e shkrepte dhe e linte shakull përtokë. Atëherë u kthehej të pranishmëve dhe i pyeste: “E patë? Allahu e bëri ferk!” Naivët mahniteshin, ndërsa njerëzit bestytë besonin se ajo vërtet kishte forcë magjike. Atë dredhi deshi të përdorte edhe me shpatarakët. E nxori revolen nga brezi, tha se ajo e gjente fajtorin dhe menjëherë e drejtoi grykën nga gjoksi i vet, mirëpo njëri nga shpatarakët e ndërpreu duke i thënë: “Jo me atë fare alltije, zotni, po me këtë që kam unë!” Ai qe gati t’ia hidhte revolen në prehër. Pasi Haxhi Qamili e pa se aty mund të linte kokën, e ktheu fletën, u tha se trimi trimin nuk e nget dhe në çast urdhëroi t’u lironin gjënë e rrëmbyer që atë mbrëmje.
    Shpatarakët u kthyen në fshat me kopetë e tyre.

    SULLTANËT E TURQISË NË MUZEUN E BERATIT
    Skënder Luarasi doli shumë i revoltuar nga vizita që kreu në Muzeun e Beratit. Vazhdoi të protestonte me zë të lartë edhe jashtë në oborr, duke thënë: “Pyes veten ku kam ardhur? Jam në një muzeum shqiptar, apo në një muze turk në Anadoll?”
    Vizita dy orëshe kishte kaluar për bukuri. Profesori i shoqëruar nga Todi Sotiri, që kryente detyrën e drejtorit, të ciceronit dhe të kujdestarit, kaloi nga dhoma në dhomë duke shikuar eksponatet dhe duke dëgjuar shpjegimet e tij. Në fund Todi i fuste vizitorët në zyrën e vet dhe duke nxjerrë nga sirtarët e tryezës stoli të çmuara, gjerdanë, varëse dhe byzylykë prej floriri dhe ergjëndi, përshkruante bukurinë, lashtësinë dhe vlerën e tyre. Miqve më të shquar u ruante edhe një surprise tjetër: u tregonte një album, nga ata që hapen në formë fisarmonike, ku qenë pikturuar gjithë sulltanët e dinastive osmane e selxhuke të Turqisë, deri te Sulltan Hamiti. Kjo qe si ëmbëlsira në fund të gostisë, të cilën Todi ua rezervonte vetëm miqve të zgjedhur dhe personaliteteve. Të pikturuar pas stilit romantik, sulltanët paraqiteshin të bukur e të pamshëm si bandillë. Ndërkohë ai përfitonte nga rasti për t’i mahnitur vizitorët me dijenitë e tij të hollësishme rreth biografisë së tyre.
    E dija zakonin e tij, se nëpër atë shteg kishte kaluar edhe vizita ime para disa vitesh. Duke e njohur tipin e Todit, nuk u kisha dhënë rëndësi historive që tregonte për sulltanët e Turqisë, ku zotëronin episode romantike dhe erotike. Sotiri, beqar i stazhionuar, njeri i urtë, po paksa ekstravagant nga sjelljet dhe fatkeq nga natyra, nuk kishte personalitet. Edhe pse drejtor muzeu, autoritetet lokale e shpërfillnin hapur, pa i dhënë as strehimin minimal që meritonte, një dhomë të vetme. I ziu Todi flinte në zyrë, brenda në muze, duke shpalosur çdo natë dyshekun mbi dysheme, mbasi rregullorja nuk lejonte të mbahej krevat. E kisha njohur qëkur punoja te revista “Hosteni,” meqë Todi na dërgonte herë pas here ndonjë poezi satirike për botim. Dukej se qe fantazist erotik, së paku kjo qe mbresa ime nga përshkrimet që kisha dëgjuar prej tij, se si gratë e haremit bënin dush me ujë trëndafili dhe me parfume të tjera orientale, para se të flinin me sulltanin. Me fantazinë e tij të ndezur, dukej se kompensonte mungesën e dashnores, ndaj edhe albumin e sulltanëve të Perandorisë Otomane e kisha parë si mjet të manisë së tij erotike.
    Tani merret me mend ç’ dallgë të furishme ngriti në ndjenjat patriotike të Prof. Skënder Luarasit ky drejtor muzeu shqiptar që u servir vizitorëve historitë e sulltanëve të Turqisë, të xhelatëve të popullit shqiptar, të sundimtarëve më të urryer mbi faqen e dheut. Ai ia preu në mes rrëfimit Todit, duke i thënë se qe turp e faqe e zezë për të dhe për ata që e mbanin në atë detyrë një turkoshak. Doli me rrëmbim nga zyra duke turfulluar në shenjë proteste.
    Todi Sotirit, i lindur me strabizëm divergjent, u tremb aq shumë sa i shkonin sytë si sovajkë dhe nga frika se mund ta pushonin nga detyra, e ndoqi profesorin pas me të lutura deri te shkallët, por ai s’deshi ta dëgjonte. Përsëriste vazhdimisht: “Muzeum shqiptar me sulltanët e Turqisë! Turp!”
    Sidoqoftë Todi Sotiri nuk e pësoi as nga protestat e Skënder Luarasit, as nga sulltanët e Turqisë, por nga Dega e Brendshme e Beratit. Disa vjet më vonë atë e akuzuan si pedofil, apo si mashtrues të vajzave të mitura që gjoja fuste mbrëmjeve në jatakun e tij në muzeum dhe e burgosën. Shpesh Sigurimsat sajonin variante të shthurjes morale për një kategori njerëzish, ndaj të cilëve akuzat për motive politike nuk do t’i besonte njeri. Kjo ngjante, sidomos, sa here donin të largonin nga detyra ndonjë fatkeq pa përkrahje, për t’ia zënë vendin me ndonjë nga agjentët e tyre.

    PROPOZIM PER TE NDERRUAR MBIEMRIN
    Një histori tjetër anekdotike Skënderi ma tregoi pas lindjes së Petros, djalit të tij.
    Në Tiranë ishin dy Skënder Luarasi, njëri profesor, ndërsa tjetri, më riu, arkitekt. Natyrisht emër dhe famë më të madhe gëzonte profesori me të kaluarën e tij plot aktivitet patriotik dhe letrar. Mirëpo homonimi sillte një farë konfondimi si në thirrjet telefonike, si në mjediset e tjera. Më kujtohet se kur lexova që Sanatoriumin e Tiranës e kishte projektuar Skënder Luarasi, besova se ishte gabim shtypi. Më vonë mësova se ai ishte arkitekt ii njohur, po me atë emër dhe mbiemër, inxhinier i aftë, burrë i nderuar dhe familjar i mirë.
    Nga mesi i viteve 60, dikush prej familjes së arkitekt Skënder Luarasit, i kërkoi profesorit ta ndryshonte mbiemrin që të shmangeshin ngatërresat dhe keqkuptimet njëherë e mirë. Profesorit i erdhi krejt e papritur një kërkesë e tillë, por nuk e dha veten. “Mirë, tha Skënderi, shumë mirë u paska rënë ndërmend, se dhe mua nuk më pëlqen ngatërresa, por më falni, pse duhet ta ndryshoj unë dhe jo ai?” Argumenti qe se profesori kishte vetëm vajza dhe ato pasi të martoheshin do të merrnin mbiemrin e burrave. Pas pesë a dhjetë vitesh, si të mbyllte sytë profesori, mbiemri tij do të shuhej vetvetiu, prandaj nuk prishej asgjë, sikur ta hiqte vullnetarisht pak më shpejt. Skënderi u tha se mbiemrin nuk mund ta ndërronte për arsye të njohura historike. Atëherë e këshilluan të ndërronte emrin. “Kjo, po, mund të bëhet,” u tha Skënderi. “Mirëpo duhet të futem në lumë që të pagëzohem, apo jo? Tani është dimër, kam frikë se ftohem.” Skënderi njihej si ateist, prandaj mesaxheri dyshoi kur tha se donte të pagëzohej me ceremoni fetare. “Ju më duket se po talleni,” vërejti ai. Atëherë profesori i tha se një propozim tillë qe jo vetëm fyes, por edhe pakuptim, sepse emri nuk ndërrohet si xhaketa.
    Kur lindi Petroja, i dërgoi lajm ndërmjetësit se kishte patur të drejtë ta ruante emrin dhe mbiemrin.

    PËRVJETORI I PETRO NINIT
    Skënder Luarasi e kujtoi Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë të organizonte një seminar me rastin e 110 vjetorit të lindjes së Petro Nini Luarasit, mësuesit të parë të shqipes. Më pyeti nëse kisha dëshirë të mbaja një kumtesë dhe unë e pranova me dëshirë. Profesori më vuri në dijeni se Instituti kishte ngarkuar T. G. të merrej me organizimin e seminarit. E njihja prej kohësh T. G. si një studiues serioz dhe të pasionuar pas historisë së shkollës, prandaj zgjedhja m’u duk me vend.
    Mirëpo një javë para se të hapej seminari, profesori kërkoi që seminarin ta drejtoja unë dhe jo ai. Kërkesa krijonte probleme, mbasi Instituti nuk mund ta mënjanonte punonjësin shkencor të sektorit përkatës me një të jashtëm, sikurse isha unë. Seminari fitonte më shumë kredi nën drejtimin e një studiuesi me stazh të gjatë dhe me disa vepra. Pse qe zemëruar me T.G.? Cfarë kishte ngjarë, deri sa ai njihej si njeri i shkueshëm e me karakter të butë?
    Arsyen e mësova shpejt po prej Skënderit. Ai qe pezmatuar sapo kishte mësuar se T. G. e kishte ndarë gruan për arsye politike. Babain e saj, ish-ministër, partia e kishte internuar duke e akuzuar për sabotim. U mundova ta bindja se nuk qe faji i T.G, as dobësi karakteri, por i politikës që ndiqej nga partia. “Çfarë të bënte? Mos do të qe më e arsyeshme të merrte rrugën e Kalvarit?” e pyeta sinqerisht. “Atë duhesh të merrte,” tha vendosmërisht dhe pastaj shpalosi mendimin e tij. “Po qe se shumë njerëz do ta kundërshtonin presionin e partisë për shkatërrimin e familjeve, nuk do të ngjisnin kaq shumë drama familjare.” Kishte të drejtë, veç qe e vështirë ta krijoje atë shumicë kur presionet vinin nga çdo anë dhe ndërvarja ekonomike qe e gjithanshme. Mjaft të rinj a të reja që nuk pranuan sugjerimin të ndaheshin nga bashkëshortët, u internuan tok me ta pa asnjë faj.
    E luta të tregonte mirëkuptim për programin e hartuar Instituti, sepse as ai, as unë, nuk mund ta detyronim të ndërronte planet. Rrinte i menduar sikur të ishte në një rrugëkryq ku duhet të merrte një drejtim.
    Ditën e caktuar seminari u zhvillua në sallën e shfaqjeve të Pallatit të Kulturës dhe u drejtua me kompetencë nga T.G. Unë mbajta kumtesën time. Në fund profesori e falënderoi T.G. për kumtesën e tij serioze.

    DRAMA NË VARGJE PËR 7 PRILLIN
    Profesori më tha se po shkruante kujtimet e jetës së tij, nën titullin e përbashkët, “Ç’pashë e dëgjova në jetën time.” Duke e ditur jetën e tij aktive, krijimtarinë artistike, natyrën e tij të paepur dhe antikonformiste, besoja se kujtimet do të ishin një dëshmi me vlerë për historinë tonë. Por a mund të botoheshin të pacensuruara? Sidoqoftë kryesorja qe të hidheshin në letër. Midis të tjerash më tregoi një episod të dhimbshëm që demaskonte amoralitetin e klerit grek. Kur qe i vogël, ai kishte dëgjuar për një vajzë fshati, të cilën e kishte lënë me barrë dhespoti grek. Ndërkohë më vuri në dijeni se kishte në plan të shkruante edhe një dramë në vargje për ngjarjet e 7 prillit. Qëllimin e kishte të demaskonte një pseudopatriot. Për dramën nuk u tregova entusiast, kurse për kujtimet e pyesja herë pas here si po i ecte pena.
    Tekat letrare janë të paparashikueshme dhe pas disa muajsh ai më solli dorëshkrimin e dramës shkruar me vargje të bardha. E lexova menjëherë nga kureshtja. Ishte më e mirë se sa e kisha pritur, por jo aq sa të entusiazmohesha. E luta ta çlironte disi nga një lloj ngushtësie që vinte nga dëshira për t’u qëndruar besnik ngjarjeve rreth personit të zgjedhur si prototip. Doja që drama të fitonte hapësirë më të gjerë, që të shigjetonte gjithë pseudopatriotët, jo vetëm një. E pranoi sugjerimin tim dhe pas disa ditësh e solli të ripunuar. Ngulmova të botohej te buletini “Teatër” dhe për fat u botua. Profesori më shprehu mirënjohjen për shpërblimin që e mori në një kohë kritike, para dasmës së vajzës. Si gjithmonë ndodhej ngushtë nga ana ekonomike, sepse nuk dinte të mbante a të kursente para. Profesori thoshte se paraja ka dy funksione: t’i shërbejë njeriut, ose ta bëjë rob dhe ta detyrojë të punojë për të. Ai i quante fatkeqë ata që bëheshin robër të saj dhe vazhdonin të punonin për të. Ndryshe nga të moshuarit e tjerë nuk pranonte kurrë të qerasej prej më të rinjve. Së paku përvoja ime me të e vërteton këtë prirje.
    Drama u vu në skenë nga teatri “A.Z. Çajupi” i Korçës me regjinë e Dhimitër Orgockës. E ftuan në Korçë me rastin e premierës dhe ai u kthye prej andej i rinuar, prej kënaqësisë që e pa dramën e tij të inskenuar. E lavdëroi regjisorin për punën e kryer, duke pritur të shihte ndonjë jehonë në shtyp për shfaqjen dhe dramën, por me sa u duk, forca të tjera vepruan prapa krahëve.
    Pas Plenumit të qershorit 1973, metodisti dogmatik i Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Llambi Papa, kritikoi ashpër në një nga ato mbledhjet e organizatës së tyre të partisë, botimin e dramës së Artur Milerit, “Ata ishin të gjithë bijtë e mi,” (autor amerikan “reaksionar”), “Një natë qershori,” të Minush Jeros (autor i kritikuar nga partia për gabime ideore te “Njollat e murrme”) dhe “Stuhi në Prill” të S. Luarasit, nuk di për çfarë motivesh idiote. Përgjegjësia binte mbi mua si redaktor i Buletinit “Teatër,” mirëpo në atë kohë, unë isha inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Ata e dinin se Llambi Papa, ish instruktor i Bashkimeve Profesionale nuk mirrte vesh nga arti, prandaj as që i përfillën kritikat e tij. Besonin se shtyhej nga dikush tjetër. Sa për formalitet më dërguan t’i parashtroja drejtorit të SHQKP, Janaq Tokës, arsyet pse kisha zgjedhur ato drama për botim. Me aq ajo çështje u mbyll. Llogaritë e Llambi Papës, apo të atyre që ishin pas tij, se me një gur do të vrisnin dy zogj, nuk dualën.

    SEKRETI QË MË BESOI PROFESORI
    Njëherë Profesor Luarasi më ftoi në kafenenë e Pallatit të Kulturës dhe qysh në shkallë më tha se do të më besonte një sekret nga jeta e tij.
    “Këtë fakt nuk e di askush, mbasi e kam mbajtur fshehur, por juve do t’ju a them, se jeni më i ri dhe do të jetoni më gjatë se unë. Pas disfatës së Republikanëve në luftën e Spanjës, ne kaluam në Francë. Atje më internuan në një kamp, ku qëndrova deri sa kapitulloi Gjermania. Ndërkohë, menjëherë sa mbaroi lufta, i dërgova letër Dhimitrit, vëllait të madh që ndodhej në Amerikë, ku e vija në dijeni se ndodhesha në Francë. Ai më dërgoi një letër dhe më këshilloi të shkoja në Amerikë. Isha beqar, pa detyrime familjare, prandaj mund të shkoja ku të doja. Në letër më vuri në dijeni se po përpiqej të më nxirrte vizë nga qeveria amerikane dhe pastaj të siguronte biletën e udhëtimit. Pas disa javësh arriti letra e tij me vizën amerikane dhe me biletën e udhëtimit brenda. E lexova disa herë dhe pastaj me vizën amerikane në xhep, vendosa të kthehesha në Shqipëri. Më digjej zemra për atdheun, më dukej se ai thërriste gjithë bijtë e tij të shpërndarë të ktheheshin për të dhënë nndihmesën e tyre. Mora vaporin, dola në Itali dhe prej andej zbrita në Durrës. Kurrë nuk u pendova për vendimin që mora.”
    Si gjithë idealistët e mëdhenj, qe krenar për vendimin që kishte marrë në një kohë kritike.
    “Pas disa vitesh Dhimitri më pyeti, pse nuk shkova në Amerikë, kur m’i dërgoi të gjitha dokumentat tok me biletën e udhëtimit. Për të mos e fyer në ndjenjat e tij fisnike, i thashë se letra nuk më ra në dorë, se u largova prej kampit më parë nga sa kisha menduar. Le ta dinë ata që s’duan ta dinë, se unë lashë Amerikën për Shqipërinë,” e përfundoi rrëfimin profesori.


    INTRIGA E FADIL PAÇRAMIT
    Fadil Paçrami gjithë jetën pati ambicie të forta të zinte një vend të lartë në radhët e udhëheqjes, mbasi e quante veten të përgatitur nga ana teorike dhe me aktivitet mjaft të pasur, në krahasim me shumë nga personat e nomenklaturës. Ambicja, a pakënaqësia e tij kishte një bazë reale, mirëpo harronte se hynte në radhën e intelektualëve, në atë kategori të cilën Enver Hoxha e shihte me rezerva. Mëria e Enver Hoxhës kundrejt tij u rrit akoma më shumë, kur Fadili filloi të shkruante drama, duke patur njëkohësisht funksionet e sekretarit II të partisë, domethënë shef për kulturën dhe propagandën. Ai e këshilloi të hiqte dorë nga dramaturgjia dhe t’u kushtohej punëve të partisë, po Fadili vazhdoi rrugën letrare. Atëherë Enver Hoxha e akuzoi si liberal, e përjashtoi prej K.Q. e flaku jashtë radhëve të partisë, e dërgoi punëtor krahu në një minierë kromi në Fushë-Arrëz dhe më pas dha urdhër që gjykata ta dënonte për pikëpamjet e tij të gabuara. Paradoksi qe se Fadil Paçrami, një nga ekstremistët e majtë të partisë, aparatçik që i kishte shërbyer me zell diktaturës, u dënua po prej saj. Qe një viktimë, si shumë viktima të tjera, por jo disident, as opozitar. Madje edhe dramat që shkroi në burg, nuk kanë fijen e kritikës kundrejt regjimit apo sistemit komunist, përkundrazi vazhdojnë ta mbrojnë legjitimitetin e komunizmit si ideologji.
    Kur qe sekretar partie për Tiranën, Fadil Paçrami mbante shoqëri me një rreth të ngushtë intelektualësh, kurse të tjerët i shpërfillte hapur. Ai e akuzoi shkrimtarin Bilal Xhaferin si reaksionar, si këlysh ballisti, aq sa e detyroi të arratisej. Duke shfrytëzuar pozitën e tij, e mbyti Teatrin Popullor me dramat e tij dhe ndërkohë ushtronte presion mbi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve për preferencat që kishte, sadoqë Lidhja varej nga K.Q. dhe jo nga Komiteti i Partisë.
    Një ditë Prof. Skënderi Luarasi më tregoi një ngjarje tronditëse, një intrigë të ulët të organizuar prej Sekretarit të partisë për kulturën dhe propagandën. “Nuk e kuptoj sjelljen e tij, ose më thjesht pse iu desh të shpifte kundër meje në një mënyrë të ulët?” më pyeti profesori. Ma rrëfeu ngjarjen fill e për pe. Fadil Paçrami e ftoi në apartamentin e tij mjaft të bukur mbi Kafe Tiranën, për t’u konsultuar për një problem dhe pas bisedës e kishte shoqëruar deri te dera.
    Pas tre ditësh Skënderin e thërret në zyrë Fiqerete Shehu, Sekretare e parë për Tiranën dhe e pyet për skandalin me shokun Fadil Paçrami. Pse kishte tentuar ta godiste me grushte në shtëpinë e tij, aq sa ai e kishte nxjerrë përjashta? Skënderi u befasua nga akuzat që dëgjoi. U interesua të mësonte burimin. Dëgjoi se raportimet qenë nga goja e Fadil Paçramit. Skënderi pohoi se kishte shkuar me ftesën e tij, se Fadili e kishte qerasur vetë, duke i kërkuar të falur që gruaja nuk ndodhej në shtëpi, se ai e kishte përcjellë deri te shkallët dhe nuk ngjau as incidenti më i vogël. Fiqeretja nuk e vuri në dyshim rrëfimin e Skënderit, se e njihte karakterin e tij. Ai dinte të përdorte mirë gjuhën, jo grushtet. Intriga e sajuar u mbyll dhe profesori nuk pati ndonjë pasojë prej saj. Ai pyeste veten ç’e detyroi Fadil Paçramin të shpifte një histori të tillë? Mbetet të besohet se profesori qe përfolur në zyrat e komitetit të partisë dhe Fadilit i qe dukur me vend t’i frynte zjarrit të urrejtjes duke sjellë një shembull konkret. Si mund të mbrohet njeriu i thjeshtë kur rrethohet me shpifje nga njerëz me autoritet?


    PROFESORI DHE DIKTATURA
    Skënder Luarasi qe mjaft i përmbajtur dhe kurrë nuk bënte kritika të hapura ndaj Enver Hoxhës, sidomos në vende publike. Por ai gjente mënyra të holla për të shprehur mendimet e veta për të. Skënderi evokonte figurat e mëdha historike, duke thënë: “Në kohën e mesjetës, Shqipëria pati një ushtarak gjenial si Skënderbeun, në kohën e pavarësise kishte një diplomat të rangut ndërkombëtar si Ismail Qemali, tani… tani ka fatin të ketë edhe një gjeneral të madh, edhe një diplomat të shquar…” Veç kurrë nuk ia përmendte emrin, ose funksionet. Ironia kuptohej vetëm nga ata që e njihnin. Herë të tjera thoshte se në mesjetë kishim një gjeneral të shquar, në prag të pavarësisë një diplomat të madh, po në kohën tonë nuk patëm fat të kishim një ekonomist si Erhardi që ta nxirrte Shqipërinë nga prapambetja kronike.
    Njëherë më pyeti se ç’mendim kisha për Enver Hoxhën. Ndodheshim nën kollonat e Pallatit të Kulturës, ku vendi qe i hapur dhe pranë nesh s’kishte as mjete përgjimi, as njerëz të tjerë. I thashë atë që kisha menduar prej kohësh se ai vuante njëheresh nga dy psikomani të kundërta, nga mania e madhështisë dhe nga kompleksi i inferioritetit, të cilat ndesheshin vazhdimisht në shpirtin e tij, pa e lënë të qetë. Me këtë shpjegoheshin mjaft nga ekseset e tij. “Është i egër, tha, më i egër se Ali Pashaj, mbasi ai vriste kundërshtarët, kurse ky “komunisti” ka vrarë shokët e tij. Ambicja e sëmurë për pushtet dhe frika se mos e humbasë, e shtyn përherë të shohë komplote nga çdo anë. U bë kryeministër, ministër i jashtëm, komandant i ushtrisë, sekretar i parë i partisë, diktator, tani ç’kërkon më shumë? Perëndi?!” Qe koha pas vitit 1974, kur sapo qe shpallur kushtetuta e re që sanksiononte heqjen e besimit fetar. Dhe pas një heshtje shtoi: “Nuk ka për të arrirë… Ndërgjegja e kombit ruan në kujtesën e saj njerëzit me ideale të larta, ata që mbrojnë dinjitetin e tij, jo ata që e fundosin. Do ta paguajmë shtrenjtë këtë izolim nga bota e qytetëruar.” Nuk donte të fliste gjatë, po fytyra i pezmatohej sa here përmendete diktaturën. Disa herë më luti të lexoja dramën e Shekspirit “Rikardi i Tretë,” ku ai shihte një përngjasim të madh, një lloj paralelizmi midis Rikardit dhe diktatorit të Shqipërisë, prandaj edhe e përktheu.


    KOSOVA
    Skënder Luarasi e donte Kosovën me përkushtim, duke e shikuar si pjesë të atdheut, të veçuar me dhunë nga Fuqitë e Mëdha, kur caktuan kufijtë e shtetit të ri shqiptar më 1913. Duke ndjekur me pasion jetën dhe aktivitetin e përfaqësuesve më të shquar të Rilindjes, ai u kushtoi atyre një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij origjinale. Hartoi dhe botoi katër monografi që përbëjnë një kollanë të çmuar në letërsinë e varfër shqiptare në fushën e biografive. E para, botuar ne mesin e viteve 30 me titull “Mëuesi im i parë” i kushtohet Petro Nini Luarasit dhe shkollave të para shqipe në Kolonjë më 1882. Libri mban emrin e Guri Sevos, një ish nxënës i Petro Ninit po nga Luarasi, por kujtimet e tij u redaktuan prej Skënder Luarasit, se Guri nuk dinte të shkruante. Këtë sekret ai ma besoi gati në fund të jetës së tij, duke më thënë. “E gjykova më të arsyeshme të fliste për Petro Ninin një nga nxënësit e tij, se sa i biri.” Më vonë ai botoi monografinë kushtuar Ismail Qemalit, jeta e të cilit njihej shumë pak, po ashtu edhe përpjekjet e tij për çështjen shqiptare nëpër kanceleritë e Evropës. Duke e njohur me jetën e familjes Qiriazi në Manastir, persekutimet e tyre nga kleri grek dhe vendosmërinë e saj për çështjen shqiptare, sidomos për arsimin shqip, ai shkroi biografinë “Gjerasim Qirjazi,” një nga mësuesit e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887. Motrat e Gjerasimit, Sevastia dhe Parashqevi Qiriazi, të njohura më shumë si Motrat Qiriazi, lanë gjurmë të pashlyeshme për emancipimin e femrave shqiptare, qoftë si mësuese të shkollës shqipe të vajzave në Korçë, qoftë për aktivitetin e tyre gjatë pavarësisë. Ato qenë dallëndyshet e para të lëvizjes së femrave shqiptare, për të zënë vendin që meritonin në shoqëri, në një kohë kur sundonin paragjykimet dhe kur roli i femrës ndrydhej brenda mureve të shtëpisë. Skënder Luarasi përsëriste shpesh thënien e Gëtes se pa nëna të edukuara, nuk mund të kemi fëmijë të edukuar.
    Por monografia e tij më e mirë, më e plotë, e mbështetur në dokumente, që pati jehonë dhe u prit me entusiazmë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, qe ajo kushtuar Isa Boletinit. Skënder Luarasi gërmoi gjatë nëpër arkiva dhe dokumentet e kohës, duke mbledhur fakte dhe duke sjellë një interpretim realist për çdo episod. Ai e vuri Isa Boletinin në piedestalin që meritonte. Për hartimin e saj Skënderi intervistoi shoqërisht gjithë të afërmit e Isa Boletinit që ndodheshin në Shqipëri, gjithë historianët dhe dijetarët që vinin prej Kosove si vizitorë ose të ftuar. E shihja vazhdimisht në Pallatin e Kulturës rrethuar nga bijtë e Kosovës, të cilët takimet me të i kthenin në festa. Admirimi i tyre u shtua akoma më shumë pas botimit të librit, që ishte njëkohësisht edhe një sfidë për politikën e ngathët dhe dyshyese që ndiqte Partia e Punës ndaj kosovarëve në përgjithësi. Duke folur për Isa Boletinin, Skënder Luarasi më tregoi një episod që e kishte çmeritur. Ministri i Jashtëm anglez, Sir Eduard Grey, e kishte pyetur Isain se ku ndodhej fshati i tij dhe gjenerali pa spaleta ia kishte treguar në hartë, duke vënë gishtin mbi të. “Shumë larg, shumë larg!” kishte thënë pezmatueshëm Ministri, duke lënë të nënkuptohej se po të ishte diku më afër, mund të ndryshohej vija e kufirit që ishte skicuar në kanceleritë e tyre. Skënderi shtonte se ky fakt vërtetonte se Evropa me dashje kishte lënë jashtë pjesë të mëdha të trojeve shqiptare për oportunitet politik ndaj Rusisë.
    Skënder Luarasi e mbrojti dinjitetin kombëtar me përkushtim, gjatë gjithë jetës së tij, duke qëndruar i papërkulur ndaj diktaturës më të egër në Evropë. Me shembullin dhe karakterin e tij, me dashurinë që kishte ndaj demokracisë, ai fitoi admirimin e gjithë atyre që patën rast ta njihnin. Kur vdiq mijëra qytetarë të Tiranës e përcollën me nderim në banesën e tij të fundit. Dikush edhe aty u kujtua të më tregonte një nga episodet e jetës së tij.
    Skënder Luarasi shkoi në një nga zyrat e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, duke kërkuar prej nëpunësit përkatës, një dokument. Me mirësjellje e pyeti nëpunësin nëse mund t’ia bënte atë nder. “Si jo, unë kam respekt për flokët tuaj të bardhë,” iu përgjegj nëpunësi. Profesor Skënderi ia priti menjëherë: “Më dëgjoni këtu djalosh, ju lutem, po qe se respektin e keni për ndonjë punë tjetër që kam kryer, do ta mirëprisja, po të jetë për flokët, ju siguroj se ka mjaft flokëbardhë që nuk meritojnë as shpenzimet e varrimit.” Shpenzimet e varrimit në atë kohë ishim mjaft të lira, rrotull tre mijë lekë të vjetra.
    Vdekja e tij la një boshllëk të ndjeshëm në rrethet intelektuale. Ai qe si një lis i madh degëshumë që lëshonte hije shlodhëse në vendin ku kishte mbirë e ishte rritur. Ai e pasuroi letërsinë shqipe me përkthime të denja nga letërsia klasike botërore, me krijimtari origjinale të çmuar në disa fusha dhe me një sërë shkrimesh publiçistike.
    Skënder Luarasi qëndroi i paepur ndaj diktaturës duke rrezatuar me shembullin e tij guxim e vetëbesim te shpirti njerëzor.
    Ndryshuar për herë të fundit nga petrol : 30-07-2010 më 02:47 Arsyeja: Eshte paraqitur me pare ne forum nga Gjiraphe

  5. #45
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485
    Naum Prifti
    Skicë poetike për Skënder Luarasin (19.1.1900- 27.4.1982)

    LISI PLAK ME HIJE

    Mbi bregun e livadhit qe një lis plak; askush s’e dinte kur qe mbjellë e dukej sikur kishte qenë aty jetë e mot. Qe i lartë, i hijshëm dhe i fortë. Zemrën e kishte tepër të madhe e të hapur; aty mund të futeshin njerëz të mirë dhe fëmijët, se ata i donte më shumë dhe nëpërmjet zemrës së tij të hapur tejpërtej mund të shihje qiellin e kaltër, retë e bardha, manushaqen e muzgut, xixëllimin e yjeve.
    Ishte i gjerë, me gunga e kore të plasaritur; shumë herë shqota e kishte shtyrë po s’kish mundur ta rrëzonte, se rrënjët qenë pleksur me tokën, me atë tokë mbi të cilën ishte rritur.
    Oh, si gjëmonte gryka e tij kur sokëllinin erërat e ftohta të lindjes, si priste trimërisht ngricat e dimrit, rreshjet e dëborës, shqotën e furishme. Tundtte krelat e gjelbra dhe përshëndeste diellin kur çilte syrin nga maja e malit me gëzimin e një fëmije. Gazi i lisit ishte i çiltër, ashtu si edhe inati i tij. Kur qielli dërgonte mjegull, ajo e mbulonte një hop, po sapo mjegullën e shtynte era ai përsëri në vendin e vet, atje mbi bregore, mbi pemët e tjera.
    Dëgjonte çuçurimat e zogjve në degët e tij e mbante vesh; shihte milingonat që ngjiteshin e e zbrisnin lëvores së trashë dhe thoshte: pa çka, le të marrin dhe ato ushqim; veç kur zhuzhitnin mushicat, ato s’mundej t’i duronte.
    Dimret kalonin e ai po aty; ndërronte gjethet duke mbetur gjithmonë i veshur. Druvarët që kalonin afër tij, e shihnin si një zgërbonjë që rrinte kot në këmbë nga kohët e moçme. As që vinin re se trupi i tij ushqehej nga toka dhe fletët e tij binin po në tokë, për ta bërë më të pllejshme. Druvarët donin t’u gjenin punë sëpatave. Dhe shanin lëndet e tij se u dukeshin të forta e të athta.
    Druvarët nuk mundën ta rrëzonin, pleqëria po, e mundi këtë pranverë. Dhe kur u rrëzua dhe vendi mbeti bosh, atëherë u pa sa i madh kishte qenë e sa vend zinte. Ishim mësuar me hijen e tij dhe na dukej se do ta shihnim përjetë aty, me fletët që hapeshin mbi tokën e butë si duar, me vathët e lëndeve që tundeshin në ajër dhe kur një mëngjes s’e pamë më, boshllëku u shtri dhe në zemrat tona.
    Tani që nuk e kemi më, ndjejmë mall për lisin plak, për shushurimën e gjetheve në erë, për hijen që kishte vetë dhe për hijeshinë që i jepte vendit.
    S’është më…

    27.4.1982

  6. #46
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485
    Skënder Luarasi
    Si na përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve
    (Shënime nga konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve)

    Në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH më datë 7 qershor 1949, Enver Hoxha mbajti diskutimin: “Letërsia jonë të ecë në rrugën e realizmit socialist”. Në këtë mbledhje u ftuan disa nga drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve (Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musaraj, Mark Ndoja) dhe u dëgjua raporti i tyre për problemet që mendonin të ngrinin në Konferencën e Tretë. Që në fillim të diskutimit E. Hoxha theksoi: “Dëshirojmë të dimë si mendoni ju të zhvillohet Konferenca e Tretë e LSH, në mënyrë që të kemi edhe ne mundësi t’ju ndihmojmë me këshillat tona. Në materialin tuaj ku janë hedhur idetë kryesore të referatit, flitet shumë për shkrimtarët e paraluftës, ndërsa për shkrimtarët e Luftës Nacionalçlirimtare e të pasluftës flitet pak. Në këtë mënyrë shkrimtarët e vjetër eklipsojnë të rinjtë. Ne dëshirojmë që ju të na thoni si keni ardhur në këto rezultate dhe pastaj, siç thashë, t’ju japim dhe ne ndihmën tonë. Sipas pikëpamjes sime, Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt. Të mos merremi me diskutime boshe për autorë reaksionarë si Fishta e Koliqi, por të vëmë në dukje vlerat e atyre që shkruajnë për popullin. Me gjithë këto, studimi që ka paraqitur Dhimitër Shuteriqi është i mirë. Kjo është një punë që në asnjë mënyrë nuk duhet të nënvleftësohet. Si kudo, edhe në fushën e letërsisë, ne duhet të qëndrojmë fort në pozitat e partisë. Shkrimtarëve të vjetër ua kemi vënë mirë në dukje si anët pozitive, ashtu edhe të metat, po të keni kujdes që si në referat, edhe në konferencë kjo çështje të mos bëhet problem central. Organizimin që mendoni, bëjeni, pse koha kërkon të keni një drejtim më të shëndoshë. Në punimet e konferencës të keni parasysh të kapeni mirë nga përmbajtja ideologjike e krijimtarisë letrare” (E. Hoxha, vepra 6, f. 188-197). Preokupim i Enver Hoxhës pasqyrohet edhe në shënimet “Këshilla për shkrimtarët e rinj”, qershor 1949 ( Vepra 6, f. 207)
    Kujtime të Skënder Luarasit për konferencën
    S. Luarasi kujton: “Që kur u ktheva në Shqipëri nga kampet e përqendrimit në Francë, më 13 qershor 1945, dhe gjer në tetor 1949, kur u mbajt Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve, këta katër vjet isha akoma i dobët, që të mos them i sëmurë, porse ndihesha i lumtur, në atdheun tim. Mund të kisha vdekur i gëzuar si në një ëndërr-agoni, por i helmuar prej njerëzve keqdashës, të cilët në marrëdhëniet tona shoqërore, duke mos i njohur fare mirë, i quaja shokë. Gjithë qortimet e fyerjet që më bëheshin i ndieja siç i ndien i sëmuri injeksionet e mjekut, sepse besoja se më bëheshin me dashamirësi nga shokë të Kryesisë së Lidhjes të cilët deklaronin se “ne jemi ushqyer me marksizëm - si foshnja që ushqehet me qumështin e nënës. Marksizmin e kemi ngrënë me lugë të madhe!” Por me kalimin e kohës u binda se më bëheshin me dashakeqësi dhe këtu nuk ishin vlera materiale që humbisja, por vlera morale. Që në Konferencën e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve (7.10.1946) më patën zgjedhur anëtar të Komitetit, porse në mbledhjet e saj nuk më thërrisnin, veçse kur sekretari i Lidhjes të kishte ndonjë interes të vetin për të kënaqur. Sidoqoftë, në Konferencën e Tretë më ftuan edhe mua, me këmbëngulje, ndonëse isha i sëmurë. Seancën e parë, ku merrnin pjesë të ftuarit e delegacionet e huaja, e hapi Dhimitër Shuteriqi, i cili propozoi presidiumin e lexoi rendin e ditës. Prej komitetit të shoqatës zunë vend në kryesi nënkryetari Shefqet Musaraj, anëtari Mark Ndoja, vetë sekretari Dhimitër Shuteriqi e të tjerë. Binte në sy mungesa e kryetarit Sejfulla Malëshova. Programi si u zhvillua konferenca. Në revistën “Literatura jonë” përshkruhet programi i zhvillimit të Konferencës së Tretë.

    (Jeta kulturore e vendit: Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë nr. 8, tetor 1949, f. 43-46). “Më 9-12 tetor u zhvillua në Tiranë Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Seanca e parë u çel në orën 10 të mëngjesit, dt. 9 tetor në sallën e Teatrit Popullor, ndërsa seancat e tjera në sallën e Klubit të Punëtorëve të Artit dhe të Kulturës. Ishin të ftuar sekretari i PPSH Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Liri Belishova, Nexhmie Hoxha si dhe shkrimtari i laureuar me çmimin “Stalin”, Arkadi Pervencov etj. Shoku Dh. Shuteriqi, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve, e hapi mbledhjen dhe propozoi për në presidium shokët: A. Xhuvani, Sh. Musaraj, Dh. Shuteriqi, M. Ndoja, M. Treska, Z. Sako, K. Jakova, S. Spasse, S. Caci. Kryeson shoku Dhimitër Shuteriqi i cili lexoi rendin e ditës: 1 Përshëndetje, 2. Referati, 3. Zgjedhja e Komisioneve, 4. Diskutimet, 5. Statuti, 6. Zgjedhja e Komitetit Drejtues, 7. Rezolucioni.
    I jepet fjala Arkadi Pervencevit që përshëndet në emër të shkrimtarëve sovjetikë e më pas e merr fjalën Shefqet Musaraj i cili mban referatin. Në fund të referatit Dhimitër Shuteriqi propozon sekretarët e konferencës: A. Varfi dhe I. Zamputi (Mbyllet seanca e parë në orën 13).

    Skënder Luarasi kujton:
    Dhimitër Shuteriqi ia dha kryesinë n/kryetarit Shefqet Musaraj, i cili lexoi përpara ndo njëqind anëtarëve raportin e tij të gjatë me akuza rreth “oportunistit” Sejfulla Malëshova. Tani kuptuam përse nuk u duk në presidium edhe kryetari i Lidhjes, atë e patën rrëzuar nga pozita e tij më përpara, pa dijeninë e anëtarëve të Lidhjes. Të gjithë kthyen sytë nga Sejfulla Malëshova të çuditur se si nuk u qe njoftuar ky fakt më përpara.
    Më bënë përshtypje mbi të gjitha citimet: “(Shquhen) Pas shpalljes së indipendencës më 1912, Çajupi, Noli, Ndre Mjeda, Sejfulla Malëshova dhe i riu Millosh Gjergj Nikolla, i cili përfaqëson përpjekjen letrare të të rinjve përparimtarë të viteve të fundit të regjimit zogist. Me Gjegj Fishtën e Ernest Koliqin në krye që i ndanin një herë e mirë llogaritë me popullin tonë, që i shkuan tradhtisë gjer në fund duke vënë pa rezerva në shërbim të okupatorëve fashistë gjithë talentin e tyre. Kjo rrymë bëri kë më shumë e kë më pak shumë nga shkrimtarët e njohur e të afirmuar të kohës. Mitrush Kuteli për të mbjellë konfuzion në radhët e letrarëve të luftës shkruante më 1 maj 1944: “Për t’u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk duhet medoemos shtizë, dyfek a mitraloz. Mjafton që të shkruash bukur në gjuhën e pastër të kombit, për vepra e ndjenja fisnike. Që në themelimin e saj Lidhja u influencua shumë nga fryma oportuniste e Sejfulla Malëshovës që ishte atëhere ministër i Kulturës dhe u zgjodh në Konferencën e Parë edhe Kryetar i Lidhjes”. Në raport në një anë vlerësohej S. Malëshova në një rang me Çajupin, Nolin, Mjedën e Millosh Gjergj Nikollën në anën tjetër dënohej për frymën e tij oportuniste duke qenë kryetar i Lidhjes dhe në të njëjtën kohë ministër i Arsimit. Shkruanin tani kundër Fishtës e Koliqit ata që dikur i thurnin lavde. A nuk kishim të bënim me dublicitete fjalësh e “oportunizëm” Dhimitri Paskon (Mitrush Kuteli) e njihja për patriot e të talentuar e jo siç na paraqitej në raport. Sa mbaroi Sh. Musaraj së lexuari raportin, u ngrit S. Malëshova jashtëzakonisht i nevrikosur dhe kërkoi që t’i jepej fjala për t’iu përgjigjur akuzave: “Mjaft ta kemi dëgjuar zërin tënd prej korbi!”, - i bërtiti Sh. Musaraj. Filloi njëfarë grindjeje si tek çezmat e arave qëmoti në Korçë, midis grash që kërkonin të pranditnin njëra-tjetrën. Kjo m’u duk e pështirë për një mbledhje të lartë intelektualësh, sidomos ajo e folura cinike e dy-tre vetave të komisionit më bëri që të kërkoj fjalën, të cilën kryesia ma dha. Thashë: “Në këtë mbledhje që në fillim u shkel rregulli parlamentar. Duhet të ishte zgjedhur prej të gjithë anëtarëve një kryesonjës i paanshëm. Të gjithë anëtarët e lidhjes kanë të drejtë të marrin fjalën, ca më shumë ish-kryetari. Duam të dimë edhe pikëpamjet e tij.. Jemi demokratë dhe punët duhet t’i zhvillojmë sipas rregullave parlamentare. Këtu jemi mbledhur të kërkojmë llogari prej komitetit të Lidhjes. Që në fillim shohim se kryetari paska qenë shkarkuar përbrenda komisionit, që mbledhjen e çeli sekretari, i cili i dha drejtimin e mbledhjes n/kryetarit, në vend që t’ua linte delegatëve të zgjidhnin një “chairman” dhe pastaj të lexohej e të gjykohej raporti. Të gjithë ne që jemi anëtarë të Lidhjes kemi të drejtë të kërkojmë fjalën dhe të na jepet. Na intereson ta dimë çka të na thotë kryetari i pushuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në gjyq edhe një krimineli i jepet e drejta të thotë fjalën e fundit”.
    Urdhëroi gjeneral Bedri Spahiu: “Seanca mbyllet. Hapet pas dreke “Pas shumë pëshpëritjesh e skërmitjesh më në fund të nesërmen (pasi kaloi një seancë diskutimesh), në seancën e tretë ia dhanë fjalën Sejfulla Malëshovës Si paraqitet vazhdimi i Konferencës Seanca e dytë hapet në orën 16. Kryeson Shefqet Musaraj i cili propozon Zgjedhjen e Komisioneve dhe më pas kalohet në diskutime (Seanca e dytë mbyllet në orën 19) Të nesërmen,10.10.1949, ora 10, hapet seanca e tretë. Kryeson Shefqet Musaraj.
    Vazhdojnë diskutimet. Fjala i jepet S. Malëshovës
    (Fjala e Sejfulla Malëshovës botohet e copëtuar dhe e perifrazuar në broshurën “Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve) S. Malëshova nuk është dakord me disa pika të referatit të komitetit drejtues të cilën e gjeti skematik dhe artificial… Përgjithësisht ka patur gabime, por nuk ka pasur një oportunizëm në përgjithësi. Pikëpamjet e S. Malëshovës ndonëse të veshura me frazeologji marksiste gjetën disaprovimin e plotë të konferencës... S. Malëshova në diskutimin e tij jo vetëm që përpiqet të mbrojë pikëpamjet e tij likujdatore, por shkon edhe më tej duke goditur referatin, komitetin drejtues, Lidhjen e Shkrimtarëve, dhe vetë vijën e partisë. Këto pikëpamje antimarksiste, antiparti, konferenca, e ndihmuar nga KQ, i dënoi rëndë, duke forcuar kështu Organizatën e Shkrimtarëve dhe për një punë më të madhe dhe më të shëndoshë mbi baza të drejta marksiste-leniniste (f. 44 po aty)


    Skënder Luarasi kujton:
    Sejfulla Malëshova, alias poeti Lame Kodra, shkruante një shqipe të pastër, të bukur, por e copëzonte. Kur foli ai, disa nga anëtarët e komitetit e ndërprisnin herë pas here, e qeshnin dhe e përqeshnin, u mungonte serioziteti, qenë dehur prej keqdashjes. Ish-kryetari tha se nuk ishte dakord me sa thuhej në raporte kryesisë dhe e mbylli fjalimin duke thënë se çdo vendim, për çdo veprim, e patën marrë së bashku, me miratimin e të gjithëve, dhe po ashtu duhej ta mbanin edhe përgjegjësinë. “Diskutuan të tjerë” (Mbyllet seanca e tretë në orën 12.30). Ndër diskutantët që mbajtën qëndrim të pavarur janë Nonda Bulka e Milto Sotir Gura
    Ç’thuhet në raport për Luarasin. Seanca e katërt hapet në dt. 11tetor, ora 9. Pas disa diskutantëve e merr fjalën Skënder Luarasi, i cili diskuton në një mënyrë konfuze duke mbrojtur pa rezerva pikëpamjet oportuniste armike të Sejfulla Malëshovës, pikëpamje të cilat ai i fsheh nën një lloj anarkizmi pseudorevolucionar të përzier me llagomani pa fre.
    (f. 45 po aty) (Fjalimi i S. Luarasit nuk jepet.) Në broshurën shkruhet: …I jepet
    fjala Skënder Luarasit. Skënder Luarasi kritikoi referatin që ishte i gjatë dhe i cekët, kërkoi nga X të njohë më shumë “luftën e madhe që kanë bërë prindërit tanë për të krijuar lëvizjen tonë kombëtare” dhe u bashkua me mendimin e S. Malëshovës që “të mos u lëmë as kaq armiqve nga ajo që është e jona”. “Kisha për të folur më shumë për këto gjëra, - përfundoi S. Luarasi, - por pasi S. Malëshova i tha të gjitha unë u lehtësova. Tre vjet kanë qenë për ne tre vjet zie… Si s’kemi plasur, si s’kemi vrarë veten. Po kjo konferencë i varrosi të gjitha në të shkuarën, sot e tutje të vështrojmë të vëmë secilin në vendin e merituar”. Pas S. Luarasit e mori fjalën Ymer Dishnica, që siç pritej, jo vetëm i mbajti ison Sejfulla Malëshovës, por tha edhe ato që s’pati guxim t’i thoshte shoku i tij. Bëhen dhjetë minuta pushim. Seanca hapet përsëri. Kryetari i seancës, Misto Treska, pasi vë në dukje se diskutimet kanë marrë fund, u jep fjalën shokëve të presidiumit të cilët kanë vërejtjet e tyre në lidhje me diskutimet e zhvilluara. Diskutojnë me radhë X, Y, Z. Që të tre me argumente dhe fakte rrëzojnë plotësisht pikëpamjet oportuniste dhe antimarksiste të Sejfulla Malëshovës, Ymer Dishnicës dhe të Skënder Luarasit, duke bërë të qartë për të gjithë inkompetencën e këtyre të treve në fushën e interpretimit të çështjeve tona historiko-letrare’’.
    Shefqet Musaraj tha: Sefulla Malëshova nuk i shfaq sot këto ide oportuniste. Sot ai mbron vijën e tij të vjetër, vijën e thellë oportuniste që u solli kaq dëme punës sonë letrare… Kaq kisha për Sejfullain. S. Luarasit nuk i paska zënë syri gjë tjetër, veçse zi në punën tonë letrare. Ne dëgjuam këtu kaq vetë që folën gjatë gjithë seancave të ndryshme të konferencës. Asnjë nga shokët nuk e paraqiti situatën të zezë si e paraqiti Luarasi. Ai që shfaqi opinion të ngushtë personal i cili s’ka me vete asnjë nga anëtarët e kësaj konference (S. Luarasi kujton se ndërkaq Sh. M. shtoi: “Kaq ta bësh dhëmbin ne s’të lëmë ty të shkruash për Migjenin - dhe Dh. Sh! “Ashtu de! Mirë ia bëre!” (Sipas shënimeve të Luarasit).
    Raporti vazhdon më tej: Ja edhe fjalët e shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi: “Do të them diçka edhe mbi sa foli Skënder Luarasi. Skënder Luarasi ka tre vjet që shikon vetëm zi në vendin tonë, - kështu na tha. Por Skënder Luarasi ka 40 vjet që shikon zi dhe që nuk shikon kurrë dritë të bardhë. Nuk di se çfarë shikonte në kohën e Nolit. Në kohën e Zogut domosdo ka parë zi. Po që sot tre vjet, pse sheh vetëm zi Luarasi? Ky njeri mbeti me kritikën te buza si një varrmihës i vërtetë”. “Luarasi foli këtu për dublicitetin e fjalëve dhe të mendimeve. Po ja që fjala është fjalë dhe s’ka pse të jetë duble po të mos e duam ne. Çfarë deshi të provonte Skënder Luarasi mbi dublicitetin e “fjalëve dhe të fjalive”? Sigurisht të kritikonte, po kritikë tërthorazi. Në fakt, qe ai vetë që na foli këtu me fjalë e fjali duble, që bëri dublicitet. Luarasi tha se gjatë këtyre tre vjetëve ai s’ka pushuar së foluri kundër “padrejtësive” që paska bërë kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve”.
    S. Luarasi kujton: Kur mbaroi seanca dhe u nisëm për në shtëpi, asnjëri prej shokëve me të cilët isha takuar në mbledhje, nuk më shoqëroi në shtëpi, përveç Nonda Bulkës. Ky më tha udhës: “Sa i fortë u tregove kur të shanë dhe aspak s’u zemërove, por qeshe!” I thashë: “O sa do të isha zemëruar po të më kishin lavdëruar ata njerushka!” Sharja më e madhe në Konferencën e Tretë m’u bë kur m’u tha se unë qeshë shkrimtar pa parime dhe se në fushën e letrave nuk kisha bërë as aq sa mund të ngrinte një milingonë. Jo që nuk u zemërova nga kjo sharje, por edhe qesha me përbuzje. Këto punë të mia nuk mund t’i dinte sepse ai qëndronte në anën e kundërt të barrikadave si shërbëtor i dy zotërinjve. Veç mësimeve të përditshme, pata përkthyer që nga “Vilhelm Teli” deri tek “Boris Godunovi”, dhjetë vepra të letërsisë botërore, prej të cilave vetëm pesë shpëtuan se qenë botuar më përpara sesa të nisesha për në frontin e Madridit. Nuk paskam bërë as sa mund të ngrejë një milingonë! Vetëm në motin 1949 në kuadrin e aktiviteteve letrare me rastin e përvjetorëve të poetëve Gëte, Shiler, Pushkin, Petëf, Haine. Përktheva përveç poezive minore të Gëtes, si “Kënga e shpirtrave mbi ujë”, “Kënga e Muhamedit”, “Prometeu”, edhe pjesën e parë të “Faustit”. Plot shkrime të tjera nuk m’i botuan. Pas çlirimit, beharin e motit 1948, i dërgova kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, “Migjeni, jeta dhe vepra” që të botohej me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së poetit. Përse nguli këmbë Y që të mos botohej me emrin tim, por ia dhanë një tjetri që ta redaktonte e botonte?”
    Në botimin zyrtar të konferencës shkruhet:
    “Pas tyre, i deleguari i KQ i PPSH, pasi kërkoi leje të bëjë disa vërejtje rreth diskutimeve, me një analizë të shpejtë, po të mprehtë prej marksist-leninisti ua hoqi edhe lëvozhgën e fundit që u kishte mbetur Sejfulla Malëshovës, Ymer Dishnicës dhe Skënder Luarasit dhe i nxori në shesh në lakuriqësinë e tyre prej megalomanësh të sëmurë”. Seanca e pestë hapet pasdreke në orën 17 ku u fol për projekt-statutin (Seanca mbyllet në orën 20.30). Seanca e gjashtë hapet të nesërmen datë 12 tetor, ora 16. Kalohet në pikën e pestë të rendit të ditës: Zgjedhja e Komitetit Drejtues dhe e Komisionit të Kontrollit. “Komisioni i zgjedhjeve paraqit listën, e cila, me përjashtim të ndonjë tentative denigrimi të ulët që provoi Skënder Luarasi, pranohen njëzëri dhe me duartrokitje”.
    Skënder Luarasi kujton: Në seancën e fundit të Konferencës së Tretë, ku do të bëhej zgjedhja e Komitetit Drejtues, kryesia e mbledhjes me anë të X, propozoi ndër anëtarët e rinj edhe ata tre të vjetrit. Përsëri kërkova fjalën e ma dhanë dhe thashë: “Propozimet duhet të bëhen prej delegatëve dhe jo prej kryesisë së komisionit të vjetër. Në komisionin e ri jam kundër rizgjedhjes së X, Y, Z. Po jap arsyet: (S. Luarasi dha arsyet përse i quante të papërshtatshme kandidaturat e tyre si “oportunistët e vërtetë”).
    Cilët janë oportunistet e vërtetë: “M. N. është modeli tipik i oportunistit. Lexoni artikullin e tij për Patër Fishtën në Destaptur, 1943. Atje ka thënë se populli shqiptar duhet të edukohet edhe njëqind vjet, pastaj të kuptojë sa i madh është Gjergj Fishta. Dhe lexoni artikullin e tij pas çlirimit mbi dom Ndre Mjedën që ta shihni se qysh e poshtëron Fishtën! Në konkursin e Himnit Mbretëror më 1937, marshi me pseudonimin “Duke et detvorum est pro patria mori” është i tij.
    Dh. Sh. është tipi i diplomatit që kthen fytyrën nga të fryjë era. Ai flet, punon e shkruan me dublicitete. Në konkursin e Himnit Mbretëror 1937, marshi me pseudonimin “Shpati” është i tij. Këtë marsh Dh. Sh. adhuruesi i Mustafa Krujës, të cilit i dedikon edhe një ekzemplar të “vjershave” të tija me dedikim: “Lëvruesit të madh të gjuhës shqipe, me përunjësi të thellë”. Këtë marsh, them ditën e 28 Nëntorit 1937, shkoi në Grenëbël, në Gjenevë, për ta kënduar në darkën e kryekonsullit të Naltmadhërisë së Tij Zogut të Parë. Të na thotë Dh. Sh. se nën cilin plaf politik ka fjetur… me Mustafa Krujën (të cilit i ka dedikuar këtë libër) me ish-mbretin apo me…”
    Unë nuk pata mbaruar fjalinë, kur Dh. Sh. ndërhyri: “Unë vërtet fjeta atë natë në shtëpi të Mustafa Krujës në Gjenevë, por nuk bëra politikë, lojtëm kartra. Ja pyetni edhe M. D.)...” Dh. Sh. nuk e pati mbaruar fjalinë kur Bedri Spahiu i bërtiti: “Mos iu përgjigj!” Dhe mua: “Skënder! Skënder! Mos kritiko, por bëj autokritikë! Dhe kthehu nga udha që ndjek se do të biesh në greminë! Ku ishe ti kur Dh. Sh. luftoi për Shqipërinë?” “Ky, - iu përgjigja, - për Shqipërinë nuk jep as një fije flokësh të tij të brilantosur. Ju duhet ta dini se ku isha unë asaj kohe. Mua të mos më krahasoni me këtë, por me ndonjë oficer shqiptar, i cili qe betuar të mbronte flamurin e Skënderbeut ditën e 7 Prillit…”

    “Ç’do të bëje ti atë ditë?”
    “Do të kisha mbetur në Durrës përkrah Mujo Ulqinakut. Sa për autokritikën ç’kërkoni ju prej meje? Apo të them që më vjen keq që nuk u ndodha në Tiranë. Do të kisha fituar para duke përpiluar antologji fashiste tok me Dh. Sh. apo duke ndihmuar koloninë italiane ditën e 6 prillit, ose duke bredhur me Fiatin e regjentit fashist nëpër Labëri që t’i çoja bashkudhëtarët e mi të luftonin krahpërkrah ushtarëve të Musolinit siç bëri Sh. M…”
    Kur do të bëheshin votimet, ashtu toptan dhe emrat e X, Y, Z u lanë në listë, unë nuk bërtita. Në fshatrat tanë barinjtë u bërtasin berrave, njerëzit u thërrasin njerëzve. Pas zemërimit më pushtoi mallëngjimi. Kujtova patriotin francez Jean Montin, themeluesin e Këshillit Kombëtar të Republikës, të cilin nazistët e arrestuan dhe e vdiqën me tortura udhës për në Gjermani; po pas çlirimit populli francez e përcolli në Panteon. Është e tmerrshme kur njeriun e zemëruar e pushton mallëngjimi. Kjo ndjenjë më pushtoi mua atë çast kur kujtova nxënësit e mi: Qemal Stafën, Emin Durakun, Vojo Kushin, Ali Demin, Asim Zenelin, Nexhat Agollin, Teufik Çangën, Kristo Isakun, Murat Pacin, Skënder Çaçin, Hajdar Dushin, Elez Brahën, Reshit Çollakun, Pandi Xhamballon, Vildan Luarasin, Stefan Luarasin etj., shokët e mi të Spanjës: Asim Vokshin, Urfi Gollin, Teni Konomin, Musa Fratarin, Kostë Dhimitër Liton, Zef Hotin, Ramiz Varvaricën, Thimio Gogozoton, Xhemal Kadën, sikur të gjithë m’u sulën dhe më thirrën: “Pse hesht, pse hesht?” Dhe unë klitha! Një herë klith njeriu në jetë: kur sheh dritën e diellit për të parën herë, dhe bukurinë e nënës natyrë. Porse kjo është klithmë ngazëllimi. Të dytën herë unë klitha nga zemërimi i thellë e i papërmbajtur: “Kush voton këta të tre, shkel gjakun e dëshmorëve!”

    Vazhdimi sipas botimit “Literatura jonë”:
    “Këto vërejtje shkaktuan ndërhyrjen e sekretarit të PPSH, i cili edhe një herë tregoi vijën e shëndoshë të partisë dhe demaskoi meskinitetin dhe dobësinë e Skënder Luarasit. Në Komitetin Drejtues u zgjodhën shokët: Sh. Musaraj, Dh. Shuteriqi, M. Ndoja, A. Xhuvani, Z. Sako, M. Treska, A. Çaçi, K. Jakova, S. Spasse, S. Çaçi, F. Gjata. Pastaj u kalua në pikën e gjashtë të rendit të ditës. Sh. M. lexoi rezolucionin. Në orën 20, datë 12 tetor 1949, në mes duartrokitjesh të nxehta u mbyll Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Po atë mbrëmje Lidhja e Shkrimtarëve dha një bufe në hotel “Dajti” ku morën pjesë të gjithë shkrimtarët. Po në këtë kohë Komiteti Drejtues në mbledhje të veçantë procedoi në zgjedhjen e sekretariatit të tij. Kryetar u zgjodh Shefqet Musaraj, nënkryetar Dhimitër Shuteriqi dhe sekretar Mark Ndoja”.


    Përfundimi i Konferencës
    Në broshurën “Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë” (faqe 1-2) shkruhet: “Partia e Punës i dha të gjithë rëndësinë e duhur kësaj konference, e cila u përgatit dhe u mbajt me ndihmën e saj të plotë. Konferenca e aprovoi thuajse unanimisht raportin e Komitetit Drejtues të Lidhjes, të mbajtur nga shoku Shefqet Musaraj. Në këtë raport u bë kritika dhe autokritika e gjithë punës letrare në vendin tonë që nga organizimi i lidhjes, si dhe në vija të përgjithshme, kritika e gjithë të kaluarës sonë letrare. Sikundër pritej, nuk qe i një mendje me Komitetin Drejtues ish-kryetari i Lidhjes, Sejfulla Malëshova, këmbëngulës në pikëpamjet e tij oportunisto-likuidatore që e kanë dëmtuar aq shumë popullin tonë dhe posaçërisht kulturën tonë, të cilën Sejfulla Malëshova kërkon ta orientojë nga “Perëndimi”. Me pikëpamjet e tij u bashkuan edhe dr. Ymer Dishnica, shok i vjetër i mendimit dhe i veprimit i Malëshovës, si dhe Skënder Luarasi.

    Pikëpamjet e këtyre tre personave pësuan disfatën më të madhe para konferencës. Ato u demaskuan në mënyrën më të plotë… Nga ndeshja me pikëpamjet armike të Sejfulla Malëshovës me shokë, shkrimtarët nuk panë vetëm se sa i dëmshëm është oportunizmi në letërsi, po ata panë sheshazi edhe inkompetencën flagrante të Sejfulla Malëshovës, dr. Ymer Dishnicës dhe Skënder Luarasit për të biseduar mbi çështjet e letërsisë në përgjithësi dhe mbi çështjet e letërsisë sonë veçanërisht. Para konferencës, u ra maska e tyre prej njerëzish të vetëquajtur të ditur, këtyre “gogomelëve” të kulturës. Konferenca e njohu injorancën e tyre megalomane dhe të sëmurë”… “Tani këto ferra u spastruan…” Partia mendon për letërsinë dhe për shkrimtarët dhe do t’i udhëheqë kurdoherë me siguri. Përjashtimet. Kryesia e re e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në mbledhjen e datës 10 qershor 1950, duke analizuar çështjen e anëtarësisë dhe punën për 6-mujorin e parë vendosi: përjashtimin nga radhët e Lidhjes së Shkrimtarëve të anëtarëve: Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi për qëndrimin e tyre armiqësor karshi partisë e vijës së saj në letërsi si dhe karshi Lidhjes së Shkrimtarëve dhe letërsisë së re shqipe të manifestuar në formën më të theksuar në Konferencën e Tretë të Shkrimtarëve. Komiteti Drejtues përjashtoi gjithashtu “për aktivitet antipushtet ose për shkelje të ligjit që përcakton statuti” shkrimtarët Hafëz I. Dalliu, M. Kuteli, A. Frashëri, N. Nikaj. (Revista “Literatura jonë”, viti 1950, nr. 7, f. 69.)
    Skënder Luarasi kujton:
    “Kjo qe një akuzë shumë e rëndë për mua, por të vërtetën do ta zbulonte koha. Thellë në ndërgjegjen time i bëra vetes pyetjen: “Po ku e gjetën këta laspangjerë të drejtën ta peshojnë dashurinë time për atdhenë, për popullin tim shqiptar, për moralin e drejtësinë, me kandarin e tyre prej batakçiu?” Dhe u përgjërova t’i përçmoj këta që më quanin shok, por prapa kurrizit më hapnin varrin e më merrnin nderin nëpër këmbë!”
    S. Luarasi shton: “Ka dy lloj njerëzish: njerëz me nder dhe njerëz pa nder. Natyra u ka dhënë njerëzve jetën, por nderin e krijon njeriu vetë me punën e tij të mirë për familjen, për atdhenë, për njerëzimin. Njeriu i mirë e bën kurban jetën për dobi të atdheut, të mbarë njerëzimit dhe mbron nderin si thesarin më të shtrenjtë që mund të ketë pronjë. Nga rrethi i njerëzve të tillë kanë dalë luftëtarët e botës për të mbrojtur idealet e njerëzimit, prej rrethit të tillë dolën edhe dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare. Njerëzit pa nder e vrasin shokun e tyre prapa krahëve”.





    Fjala e Enver Hoxhës pas konferencës

    Një ditë pas mbylljes së Konferencës III, E. Hoxha mbajti fjalën e mbylljes në Plenumin 3-të të KQ të PPSH, 13 tetor 1949: “Të shtojmë vigjilencën revolucionare për të ruajtur fitoret e arritura…” Vepra 6, f. 338-374, viti i bot. 1971)
    Enver Hoxha për Skënder Luarasin
    Ne veprën e 6-të të Enver Hoxhës, f. 353, e botuar në vitin 1971, shkruhet: “Në konferencën e shkrimtarëve pati edhe ndonjë element si S. L. që bërtiste të lejohej të fliste Sejfulla Malëshova “se te ne ka liri fjale”. Tipa si ky kanë një kuptim borgjez për lirinë e fjalës dhe janë gati në emër të saj të mbrojnë e të kënaqin interesat e tyre të ngushta prej intelektuali të sëmurë e arrivisti pa princip”.

  7. #47
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Komisioni Pedagogjik dhe konflikti me Dhimitër Shuteriqin

    Skënder Luarasi: Kujtime
    Në Komisionin Pedagogjik dhe konflikti me Dhimitër Shuteriqin

    Qysh prej ditës së parë , që fillova punë në Komisionin Pedagogjik m’u shpall një luftë shpifjesh e pamerituar. Arritën deri atje sa në konferenca dhe me qarkore disa nëpunës të Arsimit të më damkosnin si sabotator të shkollës së re shqipe!
    I kërkova takim ministrit të Arsimit , Sejfulla Malëshova por as më priti , as i përfilli shpjegimet e mija me shkrim në një raport të gjatë ku i vija në dukje mënyrën e keqe të punimit në Komisionin Pedagogjik dhe në degë të tjera të arsimit në atë kohë
    Por ja që Sejfullai kishte mbledhur rreth vetes së tij në Komisionin Pedagogjik “shokë“ si Dhimitër Shuteriqin... Mendoja se ai veç ndë mos pastë ditur edhe se kush ka qenë dhe ç’ka bërë Dhimitër Shuteriqi, pa ndryshe si mund ta pranonte në Komisionin Pedagogjik dhe t’a bënte kryetar të degës së gjuhës dhe të letërsisë? ...
    E para punë që bëri Dhimitër Shuteriqi në Komisionin Pedagogjik qe të thërriste me ngutësi nga Shkodra Qemal Draçinin. Me sa këmbëngulje kërkoi të vinte tamam ai, dhe jo jetër, që të bënte punën sekretariale për të.. Qemal Draçimi gjer ditën që u burgos punoi me zell të pashembëllt. Dh. Shuteriqi ia përvetësoi profesorit shkodran frutin, dhe Antologjin e shpalli në emrin e vet. Ndërsa Dh. Shuteriqi që të tregonte se punonte, vinte kurdoherë nga ora 11-12 dhe qëndronte më vonë se të tjerët, nga një herë vonohej gjer mbrëmanet, duke u marrë me novelat e poezit e veta, se punën ia bënin të tjerët.
    Porse Antologjia e punuar dhe e kontrolluar në këtë mënyrë nuk mund të delte veçse plot me gabime:
    Gabime politike: Janë marrë rapsoditë dhe legjendat e mbledhura prej priftërinjve katolikë Patër Bernardin Palaj dhe Kurtitë të shtrembëruar me qëllim. Këtyre legjendave pagane ata u kanë dhënë frymë kristiane ( shih Rozafati, f.60 dhe cikli i Mujit dhe i Halilit). Vjen pyetja: Përse të botoheshin variantet e priftërinjve, kurse ka të tjera të botuara të cilat shprehin më besnikërisht shpirtin e popullit( shih Zana Popullore, Visarët e Kombit, vol. IV, etj.)?
    Gabime historiko- politike: Cikli i Gjolekës, që përfaqëson kryengritjen serioze fshatare të kohës së tanzimatit, është paraqitur në mënyrën më të dobët, për të mos thënë më keq. Janë marrë vetëm disa variante nga ‘’Bleta Shqiptare’’ dhe nga ‘’Valët e Detit’’, të cilat janë më të dobtat e janë ngatërruar faktet në mënyrën më të vajtueshme. Mitkua dhe Dineja për kohën e tyre dhe për qëllimin porse i mblodhën , bënë shumë mirë dhe u jemi mirënjohës. Por që sot , pas 70 vjetëve, të mos mundim ta paraqesim këtë kryengritje fshatare më mirë, është faj. E quaj faj se jo vetëm që ka njerës që e kanë patur studjuar këtë cikël, por ka edhe variante të botuara nëpër revista dhe calendarë të ndryshëm të cilat, po të ishte munduar zoti Dh. Shuteriqi, do t’i kishte gjetur; ose të mos e kishte pranuar atë përgjegjësi, kur nuk ish i zoti.
    Gabime teknike literare: Këto e mbytin Antologjinë. Vjershat janë masakruar. Janë hequr pjesë të tëra pa u vënë as shenjat e domosdoshmed.m.th pikat që lënë të nënkuptohet se në atë pjesë diçka është hequr( shih poezia ‘’Shqiptarët’’ nga Çajupi, ku janë hequr 3-4 strofa dhe tamam ato më të mirat për kohën në të cilën është shkruar)
    Gabime në shënime: gjeografike; fjala vjen , Kuçin, që gjithë bota e din se është fshat i Kurveleshit, teksti e ka katund në Delvinë.
    Gabime logjike: Vargjet: Që në Berat e në Vlorë
    U mbush deti me pamporë…
    I kanë lënë po ashtu, nuk e di se në ç’tekst, me gjithë se kënga popullore thotë:
    Që në Prevez e në Vlorë…’’
    Gabime në fjalor: P.sh fjalën ‘’prezor’’ e shpjegon me ‘’vlla adoptif’’, ‘’vlla me shpirt ose probatin’’, ndërsa kuptimi i saj është dritore, nga sllavishtja ‘’prezor’’. Fjalën ‘’gjelinë‘’ në legjendën Rozafati e kanë shkruar ashtu si prifti B.Palaj me G të madhe, d.m.th. si emër të përveçëm, ndërsa kuptimi i vërtetë është nuse( përndryshe i çuditshëm do të kishte qenë që tri nuse në një derë të kishin po një emër: Galinë!)
    Dhe Sejfulla Malëshova e aprovoi punën e gabuar të Dh. Shuteriqit.

    Sejfulla Malëshova nuk mbronte vetëm njerëz të gabuar, por edhe idera të gabuara në Komisionin Pedagogjik. Edhe mbi ortografinë e gjuhës shqipe ai na impononte pikëpamjet e tij . Në vend që t’i afronte dialektet toskë-gegë, i çapëlente duke mbrojtur tezën e imponimit të dialektit më të fortë.
    Në një mbledhje nën kryesinë e Nexhmi Ballkës, kur do të shqyrtonim programin e letërsisë e të historisë së Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi lexoi këtë paragraf: ’’Një gjë që duhet theksuar sidomos është fakti se lëvizja kombëtare në Shqipëri kish si udhëheqës të saj feudalet, bejlerët, po atë klasë që nga ana tjetër e shtypte popullin …Bejlerët shqiptarë e kishin të qartë rrugën e tyre: Duhej të mbronin dhe të luftonin për një Shqipëri të lirë.Dhe atë bënë përgjithësisht.’’
    Kur unë argumentova absurditetin e këtij mendimi dhe mbi disa gabime të tjera fort të rënda në programin, faqe gjithë anëtarëve të Komisionin Shuteriqi guxoi të më thërresë ’’E kush je ti more që guxon të kundërshtosh programin e Ministrisë së Arsimiit?’’Dhe kur e kujtova se qeshë anëtar i Komisionit dhe do të shfaqja mendimin tim mbi Antologjinë m’u përgjegj me ckërmitje, ‘’Sa të jem unë këtu, kjo çështje nuk bisedohet!’’. Dhe doli jashtë mbledhjes. .Pas ndonjë çerek ore hyri i krekosur dhe tha në mënyrë imperative”Mbetet kështu siç është në teks!’’Dhe pyeti Aleksandër Xhuvanin në se në Elbasan , për shembull, nuk ishin Aqif Pasha dhe Dervish be Biçaku flamurtarët e lëvizjes kombëtare!’’
    Unë i vazhdova shpjegimiet e mia edhe kur u kthye në dhomë Shuteriqi, por Nexhmi Ballka, në vend që të zgjidhte të vërtetën, e quajti kritikën jashtë kompetencës së komisionit. Sa herë që kam dashur të flas me të për punën tonë më përcillte me ndonjë shaka!
    Atëhere vajta të flas me Ministrin S.Malëshova. Më këmbë, një orë të tërë i fola rreth punës sonë dhe sidomos mbi të dy pikat që Dh. Shuteriqi me këmbëngulje deshte t’i përmbledhë në hyrje të letërsisë shqipe dhe të historiesë së Shqipërisë: 1.Bejlerët shqiptarë e shkaktuan rilindjen kombëtare 2.Migjeni kishte elemente naciste në poezinë e tij. U çudita kur pashë se edhe Sejfullai e justifikonte qëndrimin e Shuteriqit

    Unë Dhimitër Shuteriqin e njihja mirë.
    Si letrar dhe njeri politik është tipi i arrivistit dhe kurdoherë ka lojtur rolin e njeriut me dy palë faqe. Në letërsi debutoi si dekadent dhe në realitet vazhdon të jetë i tillë; por nuk harron të tregohet edhe ndryshe kur ia do nevoja. Poezitë e tij ia dedikon po në të njëjtën kohë Ernest Koliqit (të cilit aspironte t’i zinte vendin si lektor i shqipes në universitetin e Padovës), Lasgush Poradecit dhe Petro Markos ( d.m.th. fashistit, demokratit dhe antifashistit)
    Në ‘’Bota e Re’’, 1936 predikon avantgardën në art, se ajo qe fryma e revistës; por nuk harron në të njëjtën kohë të shkruajë edhe në ‘’Illyria’’. Me fjalë hiqet demokrat, por kur demokratët persekutohen e internohen pej Zogut, Dh. Shuteriqi merr pjesë me dy tekste, në hymnin e flamurit, të shpallur nga qeveria e Zogut!
    Përndryshe , si mund të shpjegohet fakti që përkthyesi i Andre Gide-it përnjëherë bëhet përkthyes i Aragonit dhe i Majakovskit, duke harruar se gjalpi i mirë duhet të preket me duar të pastra dhe të mos vihet në shakull që ka mbajtur gjalp të prishur.

    Si e shfrytëzonte intelektin njerëzor?
    Dh. Shuteriqi e thirri pranë Dhimitri Paskon duke i premtuar katedrën e folklorit në Institutin Pedagogjik: e ngarkoi të pregatiste planin e punës dhe lëndën. Si e shfrytëzoi, më në fund i tha: ‘’Unë u përpoqa shumë që të emëroheshe ti por Kryeministria nuk deshi’’! Dhe folklorin e mori vetë! Kjo qe një fitore mjaft e pandershme dhe na kushtoi shumë edhe ne të tjerëve moralisht, se të nesërmen Dhimitër Pasko, me gaz në buzë dhe me një revistë fashiste italiane në dorë na tregoi fotografira me kryetarin dhe disa anëtarë të komisionit tonë të veshur në uniformë fashiste. Dhe kryetari nuk pati as fytyrë të skuqej.
    Andrea Varfit, i cili po studjonte një libër sovjetik ‘’Folklori rus’’ prej Sokolovit Dh. Shuteriqi ia kërkoi vetëm për dy javë por nuk ia ktheu më, megjithëse Andrea ia kërkonte me këmbëngulje pasi i nevojitej për punën në Institutin e studimeve.
    Profesorit jugosllav Dançetoviç i mori folkorin shqip që kishte mbledhur prej gojëdhënave popullore.
    Profesor Gavril Meksit i përvetësoi folklorin me rëndësi të madhe që ky ia pati dërguar drejtorit të ‘’Bota e re’’për botim. Dhe Dh. Shuteriqi nuk i rrëfeu as Komisionit botues të revistës të intelektualëve!
    Këtë lloj veprimi disa e kanë quajtur monopolizim të kulturës. Unë dua t’i thërres gjërat me emrin e tyre të saktë dhe, pasi nuk kemi fjalën shqip, e quaj me turqishten ‘’batakçillëk’’. Një njeri të tillë, si e kanë vënë në krye të Institutit Pedagogjik të Shqipërisë dhe më pas edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve?!
    Këtë enigmë ma qartësoi koha. Dh. Shuteriqi e gjente mbështetjen tek instanca më e lartë dhe ndër ata që e pësoi qe dhe vetë Sejfulla Malëshova. Rrethanat, shkaqet dhe pasojat i sqaruan ngjarjet e Konferencës së Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve ku unë i dola në mbrojtje Sejfullait për akuzat e padrejta që i bënin ‘’shokët’’.

  8. #48
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    31-12-2010
    Postime
    378

    Skender Luarasi: Si u ripranova anetar i lidhjes se shkrimtareve

    Skender Luarasi: Si u ripranova anetar i lidhjes se shkrimtareve

    Shkrimtari Kol Jakova vite më vonë do te shkruante mbresat e tij per Konferencen e Trete te Lidhjes se Shkrimtareve dhe për “Treshen e çmendur që i binte murit të diktaturës me kokë”.
    ’’Në një konferencë të tetorit, 1949, u luftuan pikëpamjet “oportuniste dhe liberale” të Sefulla Malëshovës. Me këtë rast u luftua edhe Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi. Të tre i hodhën poshtë akuzat... Ata qëndronin të patundur në mendimet e tyre. Akuzën e çmendur se gjoja ishin armiq të kombit e të pushtetit nuk e pranuan kurrsesi. Përkundrazi, deklaronin se letërsia dhe Organizata e Lidhjes së Shkrimtarëve kishte rënë në dorë të njerëzve të paaftë e servilë... Por unë u çudita si Marku (M. N. që më vonë u godit nga partia në pushtet) u sul kundër Sefulla Malëshovës dhe shokëve të tij, duke mbajtur ison e DH.SH, SH.M, Z.S... Në këtë mbledhje u përjashtuan të tre këta shkrimtarë (Sefulla Malëshova, Skënder Luarasi, Ymer Dishnica), ... Unë “treshen” për atë kohë e quajta të çmendur që i binin murit me kokë”.

    Si u ripranua Skender Luarasi në Lidhjen e Shkrimtareve
    Skender Luarasi: Takim me Bedri Spahiun
    Një ditë shtatori të motit 1954, më thërret Bedri Spahiu (në Ministri të Arsimit). Me të hyrë në zyrën e tij u ngrit, më priti krahëhapur e më përqafoi. Më pyeti si isha me shëndet dhe se ç'kisha në dorë, ç'po shkruaja.
    ''Duart m'i kanë tharë'', i thashë, '' e s'mund të shkruaj asgjë''
    Më siguroi se më respektonte jo vetëm se isha bir i Petro Nini Luarasit, por edhe për vlerat personale. Në bisedë e sipër më tregon një raport ku Ali Kelmendi analizonte luftën e Spanjës dhe përfaqësimin e denjë të shqiptarëve.
    ( Nder te tjera ne kete raport shkruhet : ‘’Vazhdimisht kërkojnë të shkojnë nga Shqipëria vullnetarë. 30 shokë simpatizantë dhe 23 oficerë të rinj të dalë nga burgu këto ditë kërkojnë të nisen’’. Ali Kelmendi për botuesin e revistës ''Vullnetari i Lirisë'', Skënder Luarasin, shkruante: ''...ka qenë profesor i literaturës nëpër shkollat e mesme të Shqipërisë, njeri i ndershëm me gjithë kuptimin e plotë të fjalës....'' (*) {Ky raport gjendet në.Q.SH.Fondi 252,Dok.nr.630/1,datë mars-prill1937.}

    Mendova: Kush e kish zbuluar e shpallur këtë dokument dhe përse ata ‘’lart’’ pikerisht tani më rivlerësonin?!
    Kur folëm për dëmin e madh moral e material(*) që pësova duke më përzënë nga Lidhja e Shkrimtarëve, Bedri Spahiu kqyri sahatin.
    ''Ora është njëmbëdhjetë. Do të shkosh në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve'', më tha, ''do t'u thuash të të ripranojnë dhe do të më sjellësh triskën e anëtarësisë këtu n'orën dymbëdhjetë.'' Shkova. Më thanë se Komiteti i Lidhjes qe në mbledhje. Qëndrova te dera, trokita dhe hyra përgjysmë. Vura re se qenë në mbledhje të zgjeruar. U thashë përse pata ardhur. U bëra përshtypjen e një lypsari se disa qeshën. Më tha njëri: '' Po ti e di se antarësimi nuk jepet kuturu. Shkruaj një lutje, trego meritat e tua letrare, ç'vepra ke shkruar dhe pastaj e shohim punën në Komitet.''
    U ktheva, lajmërova Bedri Spahinë dhe u ndamë.
    Të nesërmen kryetari dhe nënkryetari më thirrën në zyrën e tyre për bisedë. Më pyetën se ç’kisha shkruar dhe ç'ide kisha për realizmin socialist. U përgjigja se më pengonin të shkruaja dhe sa për realizmin socialist s'kisha asnjë ide, prandaj doja të hyja në Lidhje që të mësoja nga shokët më me eksperiencë.
    Nënkryetar Sh.M. më qërtoi që shumë po u bija në qafë dhe se po u prishja punë në detyrën e tyre për dobi të atdheut. Iu përgjegja se për mua ai do të ishte i fundit njeri për të cilin do të çaja kokën. Shkoi i zemëruar. Mbetëm kryetari dhe unë.
    ‘’Mos ia merr për të keq’’ më tha ai. ''Është i mirë Sh., është i mirë. Po ja që bëhet nervos nganjëherë...Do të ta japim triskën, do të ta japim. Porse dua të të bëj një pyetje personale: ‘’Ti, Skënder, përse më urren mua? Ne të dy mund të jemi shokë shumë të mirë.’’
    Iu përgjegja: ’’Nuk të urrej ty. Por unë vuaj nga një psikozë e syve dhe e mendjes. Nuk e honeps dot fashistin E. K.. Kur shihja atë, më vije në mend ti dhe kur të shoh ty, më vjen në mend E. K.’’
    ‘’Po ç’kam të bëj unë me E. K.? Unë e çmoja atë vetëm për stilin e tij të bukur. Asgjë më shumë.’’
    ‘’Po ja që ‘’Le stite s’est l’homme’’(‘’stili është njeriu’’): ka thënë Bufon.
    ‘’Mirë, mirë.‘’ tha kryetari dhe u ndamë.(*)

    (*) Meqë S.Luarasin e përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve nuk i gëzoi as triskat speciale për kafe e sheqer dhe as privilegjet e tjera të shkrimtarëve të ‘’realizmit socialist’’, ndaj nuk kishte se nga t’i vinte frymëzimi për krijimtari letrare të sheqerosura.


    Takim me SH.M, vjeshtë, 1955.
    Sh. M. ishte një aktor shumë interesant për dramaturgët me aftësi shekspiriane, vetë Jagon do ta linte në hije. Me gjithë ato pasoja që më solli deri më 1950, kur sa e sa herë në mbledhje të Komisionit të Lidhjes së Shkrimtarëve kishim rënë në konflikt të ashpër, duke parë qëndrimin tim të çelur, shfaqi dëshirë të bëhej mik me mua.
    Në vjeshtë 1955, më vizitoi në shtëpi dhe më kërkoi një ekzemplar të dramës së Shilerit ''Intrigë e Dashuri'', të shqipëruar nga unë, me autograf. Do të vizitonte Weimarin si përfaqësues i inteligjencies shqiptare dhe do t'ia dhuronte veprën Institutit ''Goethe-Schiller''.
    Së andejmi më dërgoi një kartolinë të dhomës ku punonte Shileri me tryezën e shkresurinat:
    Prof. Skënder Luarasi
    Lidhja e Shkrimtarëve
    Tiranë
    (Albania)
    '' Të fala. Të kam kujtuar vazhdimisht këto ditë që po kaloj në Weimar''
    Sh. M.
    Weimar, 1 tetor 1955

    Kur u kthye në Tiranë, më tregoi se me të hyrë në Institut i tha drejtorit që kishte sjellë dramën ''Intrigë e Dashuri'' në shqip, t'ia dhuronte bibliotekës. Ai e porositi i entuziazmuar të vinte të nesërmen në orën dhjetë. Në sallën e festave, dy rreshta shkencëtarësh të veshur në ornat akademike po prisnin përfaqësuesin shqiptar i cili kaloi përmes burrash të mëdhenj nga trupi dhe nga mendja. Libri u vendos në bibliotekë me ceremoni dhe nderime për gjuhën shqipe e popullin shqiptar që di të çmojë vlerat e kulturës bortërore.
    Po të më kishte dhënë një plumb prapa kurrizit, Instituti gjerman i Weimarit nuk do ta kishte pritur me këto nderime në Gjermaninë e Goethes e të Shilerit!
    Si është kjo botë: Njëri jeton për nder, tjetri jeton për t'u nderuar! (*)

    Me kerkesen e familjes Luarasi, identitetet jane zevendesuar me iniciale qe ne sqarimin e ngjarjeve te mos krijohen shqetesime tek familjaret e personave te kritikuar.

  9. #49
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Skënder Luarasi në Panteonin Shekspirian

    Skënder Luarasi në Panteonin Shekspirian

    Në kuadrin e botimit të veprës së plotë të Shekspirit, Shtëpia Botuese “Onufri” ka publikuar gjashtë përkthime të Skënder Luarasit
    1.Rikardi II (Richard II)
    2.Rikardi III (Richard III)
    3.Tregtari i Venedikut (Merchant of Venice)
    4.Komedia e gabimeve (Comedy of Errors)
    5.Mbreti Lir (King Lear)
    6.Si ta doni (As You Like It)

    Kontributi i Skender Luarasit vleresohet jo vetem si perkthyes i vepres shekspiriane, por edhe per mesazhet qe shpallte.

    Prof. Refik Kadija shkruan se përkthyesi i parë shqiptar i dramave të Shekspirit, Fan Noli , qe i motivuar politikisht për të përkthyer katër tragjeditë Otello, Makbeth, Hamleti dhe Jul Cezari, po ashtu si edhe tre përkthyesit e tjerë të talentuar Skënder Luarasi, Vedat Kokona dhe Alqi Kristo, të cilët përkthyen disa tragjedi të Shekspirit, komedi dhe drama historike.
    “Kur u përkthye “Tregtari i Venedikut” nga Skënder Luarasi ai i dha rëndësinë e duhur përcaktimit të Heines: “O Shylock, ti je i padrejtë! “Skënder Luarasi një pedagog i njohur për këndvështrimin e tij disident, përktheu “Rikardin II” dhe“Mbretin Lir” me synimin për të denoncuar tiraninë e diktatorit komunist …
    R. Kadia. William Shakespeare në Shqipëri. William Shakespeare në përkthimet shqip përpara dhe pas epokës komuniste, LCPJ, Volume 2 / 1, nr.37, 2009, f.8.

    Ndersa Emri:  DSC03432.JPG

Shikime: 1549

Madhësia:  102.8 KBProf.Alfred Uçi ka theksuar faktin se
    “Veprat që përzgjodhi e përktheu Skënder Luarasi nga Shekspiri dhe komentet që u bënte, tregojnë qartë qëllimin e tij për të demaskuar, dënuar dhe satirizuar realitetin që po kalonte Shqipëria. Ai përktheu tragjeditë “Mbreti Lir”, “Rikardi II” e “Rikardi III” meqë “ mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike. Në këtë mënyrë do të kuptohej më mirë thelbi i konceptit shekspirian të tragjikes”
    A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes. Libër i cituar, f.18.


    Refik Kadija, : William Shakespeare in Albania
    ”William Shakespeare in Albanian Translations before and during the Communist Era”
    The first Albanian translator of Shakespeare’s plays, Bishop Fan S. Noli, the head of
    the albanian autocephalous orthodox church in Boston, usa, was politically motivated
    to translate the four tragedies othello, macbeth, Hamlet, and Julius caesar. during the
    communist regime in albania three other distinguished translators of shakespeare’s works,
    Skënder Luarasi, Vedat Kokona, and Alqi Kristo, were also politically motivated to translate
    several shakespearean tragedies, comedies and history plays. When “the merchant of
    venice” was translated by s.Luarasi due attention was given to Heine’s statement “o,
    shylock, you are wronged!” Skënder Luarasi, a scholar well-known for his dissident views,
    translated “richard III” and “King Lear” with the oblique hint of denouncing the tyranny of
    the communist dictator. For a time, he was denied the right to write and publish.
    When i was asked to provide a preface to the translation of “Richard III”, everything i wrote
    about the play, i implied the tyranny of the dictator, who killed his own allies, who was
    hypocritical and cruel, who was interested in creating a formal “public” consent for his
    diabolical ruthless elimination of his “enemies” and tyrannical rule. S. Luarasi had translated
    the tragedy with the implication for the bloody end of the usurper and tyrant. ”

  10. #50
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    nje pyetje..

    Petro..

    sh m-ja kur e ka dhuruar ate dorshkrim te profesor Luarasit tek Gjermanet a u ka thene se eshte veper e Luarasit apo e ka len anonime?

  11. #51
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin
    nje pyetje..

    Petro..

    sh m-ja kur e ka dhuruar ate dorshkrim te profesor Luarasit tek Gjermanet a u ka thene se eshte veper e Luarasit apo e ka len anonime?
    Si je o Brari, se na dogji malli!
    Pse na i trazonon kujtimet e dhimbshme!

    Skender Luarasi shkruan Vjeshtë, 1955
    Sh. M. ishte një aktor shumë interesant për dramaturgët me aftësi shekspiriane, vetë Jagon do ta linte në hije. Me gjithë ato pasoja që më solli deri më 1950, kur sa e sa herë në mbledhje të Komisionit të Lidhjes së Shkrimtarëve kishim rënë në konflikt të ashpër, duke parë qëndrimin tim të çelur, shfaqi dëshirë të bëhej mik me mua.
    Në vjeshtë 1955, më vizitoi në shtëpi dhe më kërkoi një ekzemplar të dramës së Shilerit ''Intrigë e Dashuri'', të shqipëruar nga unë, me autograf. Do të vizitonte Weimarin si përfaqësues i inteligjencies shqiptare (ruajna zot!) dhe do t'ia dhuronte veprën Institutit ''Goethe-Schiller''.
    Së andejmi më dërgoi një kartolinë të dhomës ku punonte Shileri me tryezën e shkresurinat:
    Prof. Skënder Luarasi
    Lidhja e Shkrimtarëve
    Tiranë
    (Albania)
    '' Të fala. Të kam kujtuar vazhdimisht këto ditë që po kaloj në Weimar''
    Sh. M.
    Weimar, 1 tetor 1955

    Kur u kthye në Tiranë, më tregoi se me të hyrë në Institut i tha drejtorit që kishte sjellë dramën ''Intrigë e Dashuri'' në shqip, t'ia dhuronte bibliotekës. Ai e porositi i entuziazmuar të vinte të nesërmen në orën dhjetë. Në sallën e festave, dy rreshta shkencëtarësh të veshur në ornat akademike po prisnin përfaqësuesin shqiptar i cili kaloi përmes burrash të mëdhenj nga trupi dhe nga mendja. Libri u vendos në bibliotekë me ceremoni dhe nderime për gjuhën shqipe e popullin shqiptar që di të çmojë vlerat e kulturës bortërore.
    Po të më kishte dhënë një plumb prapa kurrizit, Instituti gjerman i Weimarit nuk do ta kishte pritur me këto nderime në Gjermaninë e Goethes e të Shilerit!
    Si është kjo botë: Njëri jeton për nder, tjetri jeton për t'u nderuar!

    Pra i zoti i punes, S.Luarasi shkruan se ia dorezoi Sh.M vepren Intrige e dashuri me autograf

  12. #52
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    I nderuar Brari,
    Ky fragment nga kujtimet e Skënder Luarasit “ç’kam parë e ç’kam dëgjuar” të lëna në dorëshkrim duhet të gjykohet në kuadrin e kohës së diktaturës, të prapaskenave dhe peripecive të shumta që iu diktuan atij.
    Po përmend vetëm një fakt tashmë të njohur publikisht : intrigën që i organizoi Sh.M. me shokë në vitin 1965 kur po diskutohej romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve . Vetëm pse qe Skënder Luarasi ai që i mbrojti vlerat e romanit dhe talentin e shkrimtarit të ri Ismail Kadare , u bë tërë ajo potere me akuza e shpifje ,aq sa Sh.M. guxoi ta kërcënonte Luarasin: "Ti po të kishe qenë këtu gjatë lëvizjes sonë, do të kishim dhënë një plumb prapa kurrizit!"
    Më pas S.Luarasin e përjashtuan nga Klubi i Shkrimtarëve që të mos takonte as miqtë e të mos pinte dot as “kafen me sheqer” si “privilegj që gëzonin shkrimtarët e realizmit socialist”.
    Gjithashtu dihen metodat që përdorte regjimi diktatorial për të izoluar personalitetet e rangut të Skënder Luarasit.

    Mjafton të përmendim faktin që nuk u lejua asnjëherë të merrte pjesë në aktivitete ndërkombëtare, as edhe në Kosovë, nderkohe qe te tjerre mburreshin duke permendur veprën e aktivitetin e tij të gjithanshëm! Duke patur parasysh këto rrethana besoj se “justifikohet” sarkazma e tij ndaj “mikut” dhe diktaturës.

  13. #53
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    flmn per shpjegimet i nderuar Petro !

  14. #54
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    Gotold Lesing dhe Skënder Luarasi

    Sikurse Lessingu ndër gjermanët edhe Skënder Luarasi ndër shqiptarët është ballafaquar me klane, debate, sulme të paprincipta të cilat nuk e kanë larguar nga motoja se “për të qenë njeri duhet të sakrifikosh për dituri e drejtësi ’’ sepse “qëllimi i fundit i diturisë është të zbulojë ( jo të mbulojë) të vërtetën”.
    E përmend si shembull të kasaphanës që po kryet në tekstet shkollore e akademike, në literaturën shkencore e antologjite artistike edhe ndaj dhjetra e dhjetra personaliteteve të tjera duke i bërë një dëm të jashtëzakonshëm traditës më të shkëlqyer të kombit shqiptar. Botuesi Bujar Hudhri më tha dy dite me pare se hienat po mënjanojnë edhe Ismail Kadarenë nga tekstet shkollore “se qenka perfaqesues i realizmit socialist”(?!)
    Ndonëse kanë kaluar dy dekada nga shembja e diktaturës ende dhjetra personalitete anashkalohen nga burokratet e institucioneve dhe studjuesit “profesionistë“ ustallarë të klaneve të qelepirit… Nuk ia vlen t’ua përmendësh emrat se bëhen të famshëm.
    Injoranca dhe ligesia e tyre parakalojnë krah për krah, ndaj po bëj këtë paralelizëm:

    Gotthold Ephraim Lessing (1729 - 1781) njihet si filisof e dramaturg, publicist e kritik i shquar i cili ka influencuar thelbësisht zhvillimin e letërsisë gjermane. Ai konsiderohet nga historianët e artit si dramaturgu i parë gjerman. Një nga kryeveprat e tij është tragjedia me pesë akte “Emilia Galotti” e cila studjohet si shembulli klasik i tragjedisë borgjeze e cila ndryshonte nga modelin francez .Ndënëse tema kryesore është dashuria, sipas studjuesve rol qendror me skena shpërthyese I kushtohen këndvështrimit politik që dënon veprimin arbitrar të aristokracisë në kontrast me moralin e ri borgjez. Kjo kryevepër është shqipëruar nga Skënder Luarasi në vitin 1962 dhe sapo është ribotuar nga Shtëpia Botuese “Onufri” .
    Si misionar human Lesingu theksonte rëndësinë e zhanrit të tragjedisë në pastrimin e ndërgjegjes njerëzore dhe demaskimin e fanatizmit: «Tragjedia është imitim i veprimit serioz dhe të kryer që ka madhësi të caktuar, me të folur që është elegant dhe i ve]antë për secilin lloj në pjesët e ve]anta, në personat që veprojnë dhe nuk rrëfejnë, por duke shkaktuar dhimbsuri dhe frikë kryen pastrimin e afekteve të tilla». “Fanatizmi, zakonisht, s'ka sy, s'ka veshë, s'ka as mend!

    Për variacion po paraqes një paragraph të Akad. Rexhep Qosjes nga artikulli “Heretikët dhe inkuizitorët”:
    “Në vitin 2004 Gjermania e shënoi 275 - vjetorin e lindjes së iluministit, shkrimtarit, filologut dhe humanistit të madh, Gotold Efraim Lesing, dhe e shënoi, në radhë të parë, për shkak të rolit që me krijimtarinë letrare e arsimuese si dhe me veprimtarinë e përgjithshme kishte luajtur në shoqërinë gjermane në kohën e tij, kurse me veprat letrare, kritike e teorike, edhe pas vdekjes. Në akademinë qendrore, në të cilën foli kryetari i atëhershëm i Gjermanisë, me atë rast, u tha se Lesingu ishte ndërgjegjja morale e gjermanëve të kohës së tij, por vazhdon të jetë ndërgjegjja morale gjermane edhe në kohën tonë. Mund të thuhet kështu, tha kryetari gjerman, sepse Lesingu bëri betejë të madhe, gjithnjë të përshtashme, në Gjermani e në Evropë: betejë të madhe për tolerancë racore e fetare, për njerëzishmëri dhe, më në fund, për mposhtjen e paragjykimeve çfarëdo qofshin ato. Por, në shënime të tjera të përvjetorit të tij në Gjermani, u tha, mandej, se Lesingu e kaloi jetën në beteja mendore: në beteja mendore me kundërshtarë të denjë për t'u quajtur kundërshtarë të tij, por edhe me kundërshtarë e armiq të padenjë për të. Në veprat e tij, prandaj, vazhdojnë të jetojnë një varg emrash, të cilët, sikur të mos ishin përmendur në ato vepra, kurrë s'do të dihej se kanë jetuar ndonjëherë. Prej shembullit të Lesingut mësojmë, prandaj, se rëndësinë e përgjithshme dhe vendin e një shkrimtari në historinë e letërsisë kombëtare kur e kur e përcakton jo vetëm shkalla e pranimit, por edhe shkalla e kundërshtimit që mund t'i bëhet mendimit dhe krijimtarisë së tij. E dihet se ndikimi i një krijuesi, një intelektuali, në krijimtarinë shpirtërore dhe në jetën kulturore e shoqërore, shpesh është shumë më i madh, më i gjithanshëm kur ai kundërshtohet sesa kur pranohet. “
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  15. #55
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    Kish dal nje Enver i Ri me thane, Celo Hoxh i thoshin. Dhe ai si Enveri (mos e ka gjysh ) fyen atdhetaret e figurat e ndritura.
    I quante Skender Luarasin e Petro Markon njesoj si ata talibanet qe shkojne ne Siri sot.

  16. #56
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    Citim Postuar më parë nga Brari Lexo Postimin
    Kish dal nje Enver i Ri me thane, Celo Hoxh i thoshin. Dhe ai si Enveri (mos e ka gjysh ) fyen atdhetaret e figurat e ndritura.
    I quante Skender Luarasin e Petro Markon njesoj si ata talibanet qe shkojne ne Siri sot.
    Brari, Pisllekun e Celo shpirtziut per S. Maleshoven e Q. Stafen e hasa tek Radi i Radit, por per P. Markon e S.Luarasin nuk po e gjej se ku e si e ka menderosur.

  17. #57
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    Thx o Petro per kto informata interesante..

    Nje far celo hoxha ka marre shpaten e hedh balte mbi figura simpatike te kohes se shkuar..

    nje miku im i tha..
    ti mor m.u.t vazhdon vepren e enverit..
    shpif e fyen ata qe denigronte enveri.. por me maske super te djathti..
    eshte si linje kjo qe sdi kush e nxit..
    fyenin qemal stafen ky grupi ketij..
    u thash tha miku.. a per nje kacile molle qe ka marrr nje her ne vit per 5 maj familja e qemal stafes xhelozoni ju..skini turp..
    ose thot ki pisi.. se keta qe shkojn ne siri sot njesoj jan si petro marko skender luarasi e shehu dikur qe shkuan ne spanje..
    ose gerrmojn te nxjerrin lame kodren spiun kgb-je..

    u thash tha ky se.. po perpiqeni te vertetoni damkat qe enveri u a beri disidenteve..
    te vertetoni se mir u a beri "armiqve " te partise.. etjetj..


    sdi sa kohe ka kjo fushat por keta qenefa duhet te dine se jan krimba para skender luarasit lame kodres petro markos e djaloshit idealist qemal stafa..


    ..

  18. #58
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    International Brigade Memorial, Jubilee gardens, Lond[r, Angli ,
    http://commons.wikimedia.org/wiki/Fi...emorial.02.JPG
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  19. #59
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Për: Skënder Luarasi: Kujtime ”Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’

    Ne foton me siper eshte monumenti i Dolores Ibarurit, La Pasionaria, ne Glasgou, Angli


    Petro S. Luarasi

    Vullnetarët shqiptarë në Brigadat Ndërkombëtare në Spanjë


    ”Të mbrosh lirinë e tjetrit, do të thotë; të mos pranosh pushtimin tënd.”

    Marrëdhënie historike

    Në marrëdhëniet historike të popullit spanjoll e atij shqiptar dallohen dy periudha me rëndësi të madhe edhe për vlerat ndërkombëtare. Së pari, vlerësohet bashkëpunimi i hershëm i mbretit spanjoll Alfonsi V (1396-1458) me Princin e Epirit Gjergj Arianitin dhe më pas me Gjergj Kastrioti-Skënderbeun (1405-1468) në luftën e tyre kundër pushtuesit osman gjatë mesit të shekullin XV. Historianë shqiptarë e të huaj kanë vlerësuar lart kontributin e Alfonsit V me drithë, municion dhe qindra ushtarë, shumë prej të cilëve ranë heroikisht krah shqiptarëve në mbrojtje të Krujës dhe në betejën e Beratit. Studjuesi Fan S. Noli ka theksuar se Alfonsi V ‘‘ishte miku më i ngushtë dhe mbrojtësi më besnik (i Skënderbeut), të cilin e kishte ndihmuar me dorë të hapur në disa raste kritike’’.
    Ndërsa Skënderbeu e ndihmoi të birin e Alfonsit XV, Ferdinandin, në momente tepër të vështira, që të ruante kurorën atërore të Mbretërisë së Napolit dhe ‘‘ai i qëndroi mirënjohës tërë jetën Skënderbeut’’ duke e quajtur si ‘‘baba’’.
    Vëllazërimi i popujve në Spanjë. Periudha e dytë e kontakteve historike midis dy popujve i takon pragut të Luftës së Dytë Botërore kur koalicioni nazi-fashist, pasi kreu puçin ushtarak në Marokun spanjoll, më 18 korrik 1936, nisi agresionin ushtarak kundër qeverisë legjitime spanjolle duke shkaktuar tragjedinë kombëtare, luftën e përgjakshme civile.

    Thirrjes së Spanjës: ‘‘Popuj të botës, ndihmomëni! Fashizmi po më mbyt!’’ iu përgjegjën: ‘‘No pasaran!’’ ‘‘ (Fashistët) Nuk do të kalojnë!’’ të gjitha shtresat përparimtare të popujve anembanë botës.

    Krahas vullnetarëve nga 53 vende, dhjetra antifashistë shqiptarë shtrënguan duart e zemrat në ‘‘Vatrën e vëllazërimit të popujve’’ dhe u betuan: ‘‘Vdekje fashizmit!’’ Për herë të parë në historinë e njerëzimit popujt nga e tërë bota, u solidarizuan në luftën kundër rrezikut të përbashkët fashist.
    Gazeta ‘‘Përpara’’ e Korçës, në tetor 1938, shkruante: ‘‘Shumë djem të popullit lanë vëllezër e motra, prindër e fëmijë, i lanë nën terrorin e regjimit të urisë dhe ikën plot vullnet, plot zjarr, duke kaluar kufij shtetesh fashiste dhe erdhën këtu në truallin e përpjekjeve për lirinë e Spanjës dhe të botës nga rreziku i fashizmit ndërkombëtar’’.

    Krijimi i Brigadave Ndërkombëtare

    Tre muaj pas fillimit të rebelionit fashist, një delegacion vullnetarësh të huaj i përfaqësuar nga italiani Luigji Longo (Gallo), polaku Stefan Wisniewski dhe francezi Pierre Rebier, i ofruan qeverisë spanjolle ndihmë pa kushte dhe deklaruan: ‘‘Dëshërojmë vetëm që Brigadat Internacionale të konsiderohen si njësi të varura nga qeveria dhe autoritetet ushtarake spanjolle.’’ Më 22 tetor 1936, qeveria e Republikës Spanjolle vendosi të miratonte krijimin e brigadave ndërkombëtare. Në deklaratë çdo pjesëtar i tyre shprehej: ‘‘Gjendem këtu se jam një vullnetar për të dhënë dhe pikën e fundit të gjakut tim, për mbrojtjen e Spanjës, Lirisë dhe Botës mbarë!’’ Më 27 tetor 1936 batalioni i parë ndërkombëtar ‘‘Edgar Andre’’ niset nga Albacete në frontin për mbrojtjen e Madridit. Pas disa ditësh atij iu gjend në krah batalioni francez ‘‘Komuna e Parisit’’ dhe batalioni polak ‘‘Dombrovski’’. Kështu u formua e para brigadë ndërkombëtare (e emërtuar Brigada XI) me komandant gjeneralin Kleber dhe komisar Hans Beimler që u pasua shpejt nga të tjera batalione e brigada si ‘‘Telman’’,’’ Marsejeze’’, ‘‘Garibaldi’’, ‘‘Linkoln’’ etj. Kur Gjenerali Lukash, i paraqiti popullit të Madridit, Brigadën e Dytë deklaroi: ‘‘Kjo Brigadë do ta mbrojë qytetin tuaj sikur të ishte qyteti i lindjes së cilitdo vullnetari të saj. Nderi juaj është nderi ynë! Lufta juaj është lufta jonë! Salud Camaradas!’’

    Vullnetarët shqiptarë

    Kombi shqiptar u përfaqësua që në muajt e parë në këtë ‘‘vatër të vëllazërimit të popujve’’ me ushtarakë, infermierë, gazetarë e intelektualë, dhe, mbi të gjitha, me gruan e emancipuar, infermieren Justina Shkupi, e cila u shqua si asistente në krah të ‘‘doktorit të tre kontinenteve’’ Norman Betyn. Edhe poeti i ri Petro Marko do të nxitonte drejt Madridit të Lirisë, të cilit do t’i thurrte vargjet ‘‘Salud Madrid’’:

    ‘‘‘Madrid, o varr i tiranisë,
    Madrid, o kulm i therorisë,

    Madrid, llogore e vegjëlisë,
    Madrid, kambana e Lirisë!’’
    Në luftën antifashiste të Spanjës u bashkuan tërë ‘‘copëzat’’ e kombit shqipar: shqiptari geg e tosk, kosovari, dibrani, çami, arvanitasi dhe bashkëkombasi emigrant nga diaspora.
    Ata u bashkuan pa dallim feje, gjinie, gjendjeje shoqërore e niveli arsimor apo ekonomik: punëtorë, fshatarë, tregëtarë, ushtarakë e intelektualë, me diversitete në bindjet politike: anarkistë, sindikalistë, komunistë, socialistë, socialdemokratë, patriotë nacionalistë dhe pa parti, gjithë ata që i bashkonte ideali antifashist dhe dinjiteti njerëzor.

    Vullnetarët shqiptar në Luftën e Spanjës qenë njerëz të pjekur, objektivë në botëkuptimin e tyre politik, atdhetarë e humanë dhe nuk qenë aspak ‘‘mercenarë aventurë” apo ‘‘idealistë romantikë’’. Disa nga ata kishin braktisur arsimimin ndër shkolla e punën që u siguronte jetesën, kishin në ankth familjet: prindër, vëllezër e motra, disa kishin ‘‘braktisur’’ gratë e fëmijët duke lënë peng të fatit, vetë jetën e tyre, për një qëllim të shenjtë: të dërmonin fashizmin në ‘‘tokën e Don Kishotit’’, të ndërgjegjshëm se kështu shpëtonte edhe vendi i tyre nga pushtimi fashist.
    Këto ndjenja i shpreh bukur vullnetari Mehmet Shehu në poemën ‘‘Adelante kamaradas!’’ (Përpara shokë!) e shkruajtur spanjisht më 1938, prej së cilës po shkëpusim strofën:
    ‘‘Këtu tek pragu betohem se jetën e bëj kurban
    Për të mbrojtur ty, o Spanjë, për liri e për vatan’
    Dhe nga plumbi n’u friksofsha ‘ mos i vafsha nënës gjallë:

    Po u vrava, kërkomë plagën, jo në shpinë, po në ballë ‘‘

    Ndërsa vullnetari Skënder Luarasi do të theksonte: ‘‘‘Asnjë popull tjetër nuk e ka kokën e tij më afër hanxharit të fashizmit se sa e ka populli shqiptar’Duke luftuar në frontin e Madridit, luftohet edhe në të gjithë frontin e Shqipërisë sonë. Aty po i përgatitet varri fashizmit italian, i cili është edhe kuçedra e popullit të Shqipërisë’’

    Por këto pikëpamje ai i shpreh më qartë, si përgjegjësi i vullnetarëve shqiptarë, në artikullin programatik ‘‘25-vjet indipendencë’’ në revistën ‘‘Vullnetari i Lirisë’’, në nëntor 1937:
    ‘‘Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarësisë së Kombit tonë; përsëri po ngrysemi në natën e robërisë e në ankthin e kohëve të errëta që ia ka përgaitur botës fashizmi barbar. Mbi kurrizin e popullit shqiptar Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste.’’
    Ky parashikim vërtetonte atë që Konti Ciano do të shkruante në ditarin e tij rreth dy vjet më vonë:

    ‘‘14 shkurt 1939:’’’Duçja thotë se për Shqipërinë ( pushtimin e saj) duhet të priten dy ngjarje: mbyllja e çështjes spanjolle dhe nënshkrimi i aleancës me Gjermaninë’’.

    ‘‘28 mars 1939’Manifestime në Piazza Venezia për rënien e Madridit: Duçja shkëlqen. Duke treguar atlasin gjeografik të hapur në faqen e Spanjës, thotë: ‘‘Ka mbetur hapur për afro tre vjet, tani mjaft! Tani duhet hapur në një faqe tjetër’’. Ka në zemër Shqipërinë.’’

    Frontit Popullor

    Këta luftëtarë të lirisë e të progresit synonin që me përvojën e fituar në Spanjë, të krijonin frontin popullor antifashist edhe në Shqipëri ku të merrnin pjesë tërë forcat progresive pa dallim feje, krahine, ideje dhe gjendje ekonomike e sociale dhe të ndërtonin një shteti social për masat.
    Në artikullin programatik ‘‘25 vjet indipendencë’’ shkruhet: ‘‘ ‘shtë ideja që të ngjallim Frontin Popullor edhe në Shqipëri. ‘ dhe të sigurojmë bashkimin në themel të nevojave demokratike dhe të zhvillimit nacional’ Përmes kësaj udhe duhet të kalojnë të gjitha fuqitë progresive të popullit,të gjithë patriotët dhe veteranët e kombit, e gjithë klasa e aristokratisë së rënë poshtë nga dynjallëku, të gjithë tregëtarët e dorës së mesme doemos të gjithë bujqtë e punëtorët,të gjithë, qofshin katolikë ose muhamedanë ose orthodhoksë’, dhe pa as më të voglën mungesë, e gjithë djalëria kombëtare përparimdashëse e Shqipërisë’Në këtë mes e me këtë qëllim s’ka asnjë shkak të na ndajë ne bijt e popullit; përkundrazi, mijra arsye na shtrëngojnë të bashkohemi dhe t’i japim dorën njëri-tjetrit’’’

    Vullnetarët shqiptarët kishin edhe një synim madhor kombëtar. Ata shpresonin se po të fitonte Fronti Popullor dhe zgjidhja e drejtë e çështjeve nacionale në Spanjë, kjo do të shërbente si orientim edhe për zgjidhjen e çështjeve nacionale në Ballkan. Kështu ‘‘e drejta e vetvendosjes së kombësive, për autonomi deri në shkëputje’’ nuk do të mbetej thjesht një propagandë politike konjukturale.
    Këtë qëndrim e kishte deklaruar edhe ‘‘L’Apasionarja’’, Dolores Ibarruri (me kombësi Baske) në qershor 1937.
    ‘‘Ne luftojmë për një republikë demokratike parlamentare të një tipi të ri, në të cilën tërë popujt e Spanjës të gëzojnë një liri të gjerë dhe të drejtën e vendimit për fatin e tyre’’’

    Martirët e parë shqiptarë

    Vullnetarët shqiptarë, me pjesëmarrje të gjerë në lidhje me përqindjen e popullsisë së Shqipërisë (prej rreth 800.000 banorë) u dallua për moralin e lartë dhe sakrificat.

    Ata qenë ndër të parët që u përballën me armikun dhe u martirizuan që në korrik 1936, si p.sh oficerët Hamdi Kaja- Zagari dhe Feim (Nevruz) Veli Zagari nga Kolonja që qenë në shërbim të ushtrisë spanjolle. Ditën e plasjes së rebelimit, fashistët i kapën në rrethinat e Ceutës dhe së bashku me dy shokë bullgarë dhe disa oficerë të tjerë spanjpollë i pushkatuan meqë kundërshtuan t’iu bashkoheshin. Hamdiu la në Shqipëri gruan dhe dy fëmijë jetim, për idealin e tij, për shpëtimin e të gjithë fëmijëve të popujve. Shqiptarët qenë ndër të parët që u rradhitën në Brigadat Ndërkombëtare , si p.sh Zef Hoti, Kosta Dhimitri, Xhelal Cami, Ramiz Varvarica, Urfi Agolli që sapo erdhën nga Franca u radhitën disa në trupën franceze ‘‘Komuna e Parisit’’ dhe disa në kolonën italiane ‘‘Roselli’’. Më pas, nën shembullin e Xhemal Kadës , edhe pesë oficerë të tjerë shqiptarë , braktisën Akademinë Ushtarake të Torinos dhe nga mesi i janarit 1937, arritën në frontin e Lirisë. Që në përballjet e para me armikun u vra Zef Hoti, i pari dëshmor në radhët e Brigadës Garibaldi. Trimëria dhe heroizmi shqiptar, sidomos e martirit Asim Vokshi, la mbresa të pashlyeshme ndër kuadrot më të lartë të Brigadave Ndërkombëtare.

    Revista ‘‘Vullnetari i Lirisë’’

    Vlerësimi më i madh ndaj tyre qe dhënia e lejes për botimin e revistës ‘‘Vullnetari i Lirisë’’ në gjuhën shqip, me tirazh 5000 kopje, krahas pesë gjuhëve më të rëndësishme ndërkombëtare. (Për këtë ndihmoi puna profesionale e palodhur e kryeredaktorit Skënder Luarasit dhe e ndihmësit të tij Petro Marko dhe interesimi i hershëm i Asim Vokshit dhe Emrush Myftarit). Duhet pasur parasysh se për shkak të gjendjes materialo-teknike të diktuar nga kushtet e luftës shumë kombe me pjesëmarrje më të gjerë nuk e gëzonin këtë privilegj.
    Botuesi i ‘‘Vullnetarit të Lirisë’’, S. Luarasi do të shkruante: ‘‘Revista u pregatit në një kthinë gjysmë të shkatërruar nga predhat e fashistëve dhe tipografia në të cilën u shtyp revista s’qe veçse nja dyqind hapa larg llogoreve prej nga fashistët i vërsuleshin Madridit’Ajo u shkruajt në dritën e raketave e të prozhektorëve dhe nën breshërinë e junkerëve e të kapronëve.’’
    Komisari i Brigadave Internacionale, Luigji Longo – Galo, në përshëndetjen e tij për daljen e revistës do të theksonte: ‘‘Përpara, pas shëmbullit të shokut tuaj dhe tonit, togerit Asim Vokshi, i cili ra hero në Spanjë, në radhën e Brigadës Garibaldi!’’
    Ai do të theksonte : ‘‘Edhe nga Shqipëria e vogël në tokë, por e madhe në histori për fisnikërinë e bijve e për luftëtat e bëra kundër shkelësve të huaj, kanë ardhur në Spanjë me duzina e me duzina luftëtarë që të pohojnë rishtazi me heroizmin e me gjakun e tyre dashurinë shekullore të popullit shqiptar për lirinë e pavarësinë e kombeve’Ata përtërijnë traditat e lavdishme të epopesë garibaldine kur shqiptarët nën flamurin e Garibaldit luftuan kundër uzurpatorëve të huaj dhe për bashkimin e indipendencën e Italisë’’
    Një dokument i Ministrisë së Punëve të BrendshmeShqiptare njofton : ‘‘ ‘fletorja që botohet në gjuhën shqipe në Barcelonë dhe që drejtohet prej Skënder Luarasit, quhet ‘‘Vullnetari i Lirisë’’’ Luarasi po përpiqet me të gjitha mënyrat që të hyjë në Shqipëriu kjo fletore e kuqe’’’ . ( A.Q.SH, F.33-34, datë 24 Fruer 1938,2.3.1938, NR.214/III )

    Në vijim, Ministria e Punëve të Brendëshme urdhëronte të gjitha prefekturat për të marrë të gjitha masat që kjo fletore të mos hynte në Shqipëri. Por megjithatë, me forma të ndryshme ajo hyri dhe u lexua ndër masat progresive shqiptare, brenda e jashtë vendit.

    Kështu në një raport të Ali Kelmendit të titulluar: ‘‘Shokët qi janë në Spanjë dhe rivista ‘‘Vullnetari i Lirisë’’, ai shkruan:
    ‘‘Ka dy javë e ma qi rivista V. i L. (Vullnetari i Lirisë) na erdhi nga Spanja’
    Dy copë të rivistës V. i L. u a kam dërgue.. Deri më tash kanë shkue në Spanjë nja 30 shqiptarë shokë e simpathizonjës.’’
    (Shënojmë se burime të tjera dëshmojnë që pjesa më e madhe e vullnetarëve shqiptarë patën ardhur me dëshirën e tyre në Spanjë, shumica qenë të pavarur nga grupimet politike dhe numri i tyre varion nga 37 deri mbi në mbi 60).

    Emisionet radiofonike në gjuhën shqipe.

    Ngjarje e rëndësishme janë edhe transmetimet nga radio ndërkombëtare në gjuhën shqip. Që në janar 1937 pati nisur të përhapej nga Spanja zëri i lirisë dhe i së vërtetës në gjuhën tonë amtare. (Emisionet me tekst e zë u përgatitën nga Skënder Luarasi ) (Revista ‘‘Vullnetari i Lirisë’’ informonte se disa emisione shqip u dhanë nga Valencia e Barcelona, disa u bënë edhe nga radioja e Madridit.

    Organi ‘‘Vullnetari i Lirisë’’ dhe emisionet radiofonike në shqip përmbushnin një mision tepër të rëndësishëm: sqaronin shqiptarët kudo në botë për luftën antifashiste në Spanjë, për rrezikun fashist që po i kërcënohej Shqipërisë, po dhe për programin dhe rolin e shqiptarëve përkundër propagandës fashiste që i cilësonte ‘‘aventurierë të kuq’’.

    Parada e Barcelonës

    Më 28 tetor 1938, tetëmijë vullnetarë të Brigadave Ndërkombëtare, u përshëndetën për të fundit herë me popullin spanjoll në Barcelonë, në një paradë madhështore ku morën pjesë edhe vullnetarët shqiptarë. Atje mungonin edhe shumë nga shokëve më të mirë që preheshin në tokën e Spanjës, të cilën e deshën sa vetë jetën. Mes tyre mungonin Zef Hoti, Urfi Agolli, Teni Konomi, Asim Vokshi, Musa Fratari, Ramiz Varvarica, Thimjo Gogozoto, Xhemal Kada, Daut Muço Podgorani, Xhelal Abaz Bajrami, (që tok me Hamdi e Fehmi Kolonjën, Kosta Dhimitër Liton, Ymer Pukën e të tjerë heronj të heshtur, u bënë kurbani që Shqipëria jonë i dha altarit të lirisë së kombeve në Spanjë.
    Gjithë populli kishter dalë t’i përshëndeste me në krye përfaqësuesit e tij Presidentin e Republikës dhe L’Apasionarjan (Dolores Ibarrurin). Kur luftëtarët e lirisë marshuan atë ditë në Barcelonë, bulevardet e saj u shtruan me lule dhe sytë e popullit u mbushën me lot. Tok me marshet luftarake buçiti dhe muza e poetit Petro Marko:

    ‘‘Eshtë Bir i Popujve që zbret

    Në Spanjën varr të robërisë,

    Sulmon, këndon, dërrmon , buçet:

    -Jam Vullnetari i Lirisë!’’

    Në paradën madhështore buçiti ligjërimi i ‘‘Apasionaries’’:
    ‘‘Shokë të Brigadave Ndërkombëtare! Arësye politike dhe shtetërore, për të mirën e së njëjtës çështje për të cilën ju ofruat gjakun tuaj me bujari të pakufishme, na shtrëngojnë të kthejmë disa prej jush në vendet tuaja dhe në emigrim të detyruar’

    Ju jeni historia. Ju jeni legjenda. Ju jeni shembulli heroik i solidaritetit dhe demokracisë në botë’O flamuj të Spanjës! I përshëndetni gjithë këta heronj! Përuluni para kaqë martirëve!’
    Ne kurrë nuk do t’ju harrojmë. Dhe kur ulliri i paqes do të blerojë i gërshetuar me dafinat e Fitores, atëhere, kthehuni! Kthehuni tek ne dhe këtu do të gjeni atdheun’

    Nata e fundit në Spanjë.

    Grupi i fundit i vullnetarëve shqiptarë: (Skënder Luarasi, Mehmet Shehu, Mane Nishova, Zef Prela, Iliaz Pashaj e ndonjë tjetër), u largua nga Spanja në mesnatën e 12 shkurtit 1939. Në mes të dëborës në grykën e Perthusit, ndënjën bashkë dhe kuvenduan. Të trishtuar vunë re se kur qenë nisur vullnetarë për në Spanjën patën ikur prej atdheut veç e veç, ndërsa tani, qenë tok e kishin bërë një shkollë dy-tre vjeçare në luftë, kishin fituar eksperiencë dhe qenë të bindur se luftën finale do ta fitonin. Atë natë panë si në një vegim të bukur lëvizjen nacionalçlirimtare të popullit shqiptar.
    Spanja nuk mund t’u shlyehej më kurrë nga mendja se u qe rënjosur me gjakun e derdhur për liri në llogoret Kasa del Kampo, El Prado, Manzanares, Madrid, Jarama, Terueli, Blekhite, Kaspoe, Fuente del Ebro ku qenë martirizuar edhe bijtë më të shtrenjtë të Shqipërisë dhe popujve të botës mbarë, më të dashurit e më të mirët shokë, më trimat e më besnikët. Ata u thërrisnin brezave nga thelbi i zemrës: ‘‘Më mirë të vdesësh në këmbë se të jetosh përherë i gjunjëzuar’’.

    Ndërkohë u provua se ‘‘Çdo grusht që merrte demokracia spanjolle shoqërohej në Europë me fitore të tjera të fashizmit. Mbas thyerjes së frontit të Aragonës erdhi okupacioni i Austrisë, mbas ndarjes në dy pjesë të Spanjës së lirë, erdhi aneksimi i Sudeteve, mbas rënies së Madridit marshimi mbi Pragë dhe okupacioni i Shqipërisë’’
    Në luftën antifashiste të popullit shqiptar u shquan si drejtues ushtarakë dhe kuadro të shtetit mjaft nga luftëtarët e Spanjës si Mehmet Shehu, Hulusi Spahiu, Mane Nishova, Veli Dedi etj. Tashmë emri dhe vepra e ‘‘Bijve të Lirisë’’ qëndron në krye të historisë së antifashizmit shqiptar ku ndrijnë , krahas emrave të 15 dëshmorëve ‘‘Heronjtë e Popullit’’ Asim Vokshi, Musa Fratari, Ramiz Varvarica, Xhemal Kada.

    Përbyllje

    Dëshëroj t’i mbyll këto shënime modeste për ‘‘Bijtë e Lirisë’’ me fjalët e Skënder Luarasit:
    ‘‘Për shërbimin që i solli populli spanjoll çështjes së pavarësisë së kombeve; për mësimin që u dha Spanja vullnetarëve të lirisë për të shpëtuar më vonë popujt e tyre nga zgjedha fashiste; për ndihmën që u dhanë spanjollët demokracive për të fituar luftën kundër fashizmit ndërkombëtar; për këto dhe për shumë shkaqe të tjera duhet t’i jemi borxhlinj. Spanja kryelartë i flet heshtur ndërgjegjes së popujve, u flet atyre që kthehen prej kampeve të vdekjes, atyre që sapo kanë zbritur prej maleve me flamurin e lirisë në dorë; na flet të gjithë neve që e kemi fituar tani indipendencën, që t’i jemi mirënjohës edhe Spanjës në vatrën e së cilës lindi vëllazërimi i popujve ‘Të moçmit dikur mburreshin duke thënë: ‘‘Et in Arkadia ego!’’( ‘‘Unë kam qenë në Arkadia!’’) Të sotmit krenohen: ‘‘Edhe unë qeshë në Brigadat Internacionale!’’(*)

    Petro Skënder Luarasi

    (*) Referat i mbajtur në seminarin Petro Marko, ‘‘Hasta la Vista’’ dhe ‘‘Brigadistët shqiptarë në Luftën Civile të Spanjës’’, i organizuar më 9.11.2007 nën kujdesin e Ambasadës Spanjolle.

    Vullnetarët antifashistë shqiptarë
    Asim Vokshi
    Daut Muço Podgorani
    Emrush Myftari
    Emin Agolli (Ruzhdi Emini)
    Fehmi Muço
    Faik Dardha
    Hamdi Zagari – Kolonja
    Hulusi Spahiu
    Ibrahim Kurani
    Iljas Pashaj
    Justina Shkupi
    Kosta Dhimitri
    Kosta Kollumbi
    Mane Nishova
    Mehmet Shehu
    Musa Fratari
    Nevruz (Feim) Zagari
    Petro Marko
    Qamil Sherifi
    Ramiz Varvarica
    Sabri Lumani
    Skënder Luarasi
    Stevens Thanasi (Thanas Janketa- Stevenson) nga Greqia
    Stefan Duni
    Shaban Basha
    Teni Konomi
    Thoma Rushano (Tom Russiano)
    Thimio Gogozoto
    Urfi Agolli
    Veli Dedi
    Xhafer Miraku
    Xhelal Bajrami -Çami
    Xhemal Kada
    Omer Puka
    Zef Hoti
    Zef Prela
    Zihni Murati
    George Raisis arbëresh nga Greqia
    Niko Plaku etj.
    ‘’Christian’’ , (komisari politik i kompanisë 12 i Batalionit10, Brigada XIV)
    Listë e dokumentuar nga një Relacion i Skënder Luarasit më 3.11.1938.

  20. Anetarët më poshtë kanë falenderuar petrol për postimin:

    Brari (16-02-2014)

  21. #60
    petrol
    Anëtarësuar
    20-05-2009
    Vendndodhja
    Rr.''Luigj Gurakuqi'', p.15,sh.4, a.25,Tirane, Albania
    Postime
    485

    Monumente Bijve të Lirisë në luftën antifashiste të Spanjës (1936-1939)

    Monumente Bijve të Lirisë në luftën antifashiste të Spanjës (1936-1939)Emri:  International_brigade_memorial.01.JPG

Shikime: 1175

Madhësia:  55.1 KBEmri:  220px-MackenziePapineau_monument_1.jpg

Shikime: 1140

Madhësia:  23.8 KB

    Monumente për të nderuar Bijtë e Lirisë, në luftën antifashiste të Spanjës (1936-1939). janë ngritur në shumë vende të botës: në Spanjë, Rusi, SHBA, Britani e Madhe, Francë, Kanada, ish-Jugosllavi, Hungari, Australi, Greqi, Gjermani, Itali , etj.
    Për fat të keq nuk kemi ende në Shqipëri e Kosovë ndonjë objekt simbolik për të nderuar të gjithë dëshmorët shqiptarë në Luftës antifashiste të Spanjës por vetëm buste të Heronjve të Popullit Asim Vokshi e Musa Fratari.

    Tashmë emri dhe vepra e ‘‘Bijve të Lirisë’’ qëndron në krye të historisë së antifashizmit shqiptar ku ndrijnë , krahas emrave të 15 dëshmorëve ‘‘Heronjtë e Popullit’’ Asim Vokshi, Musa Fratari, Ramiz Varvarica, Xhemal Kada.

    Në datën 28 mars 2014, në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, do të organizohet një aktivitet për të nderuar kujtimin e dëshmorëve tëLuftës antifashiste të Spanjës . Pjesëmarrja është e lirë.

    1. Monument në nderim të vullnetarëve të Brigadave Ndërkombëtare në luftën antifashiste të Spanjës (1936-1939). I inaguruar në Londër, Angli më 18 korrik 2007.

    2 . Monument në nderim të vullnetarëve të Mackenzie Papineau Battalion, in Victoria, B.C. Kanada

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Skënder P. Luarasi
    Nga XllokumiX në forumin Shkrimtarë shqiptarë
    Përgjigje: 225
    Postimi i Fundit: 05-05-2016, 04:53
  2. S. Luarasi dhe Migjeni
    Nga erzeni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 95
    Postimi i Fundit: 11-03-2012, 15:34
  3. SK Tirana
    Nga Pasiqe në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 251
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 19:19
  4. Kristo Luarasi dhe Frashërllinjtë
    Nga white-knight në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 12-11-2008, 15:32
  5. Disa e kundërshtonin atë
    Nga Diabolis në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 28-03-2005, 21:01

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •