Naum Prifti
Kujtime
I PAEPURI PROF. SKËNDER LUARASI
NJOHJA ME PROFESORIN
Nuk e mbaj mend saktësisht vitin kur e njoha profesorin, po një hollësi e vogël më lejon ta përcaktoj kohën. Duhet të ketë qenë fundi i viteve ‘50. Në atë kohë isha redaktor te “Hosteni” dhe sapo kisha botuar vëllimin e parë me tregime. Një drekë qëlloi të ulesha rastësisht në një tryezë me të, te restorant “Qendra,” në rrugën e Barrikadave. Nuk do ta kisha mbajtur mend as drekën, as profesorin, pa incidentin e vogël që më ndodhi. Ndërsa po haja supën, e mbarova gjysmën e panines, prandaj i kërkova kamarierit të më sillte edhe një copë tjetër. U ktheva nga profesori dhe si për t’u shfajësuar i thashë se ne shqiptarët hamë shumë bukë. “Jo të gjithë xhanëm, unë për vete nuk ha,” ma ktheu serioz. Vura re se ai nuk e preku paninen as me supën, as me gjellën me mish e zarzavate. Për herë të parë shihja një shqiptar që e hante gjellën pa bukë dhe kjo më la mbresë të pashlyeshme.
Z. Gjata, shqiptar i riatdhesuar nga Australia, i dha shtysë të mbarë shërbimit të Ushqimit Social në Tiranë. “Kafe Tirana” në Bulevardin e Madh, “Flora” te rruga e Durrësit dhe “Rinia” përballë Bankës, u rinovuan sipas ideve të tij, sepse ai e njihte mirë profesionin. “Kafe Tirana” ndërroi pamje, lokali u lye, menyja u pasurua me asortimente të panjohura si kafe vjeneze, parfe, pasta në akull, dhe brenda një kohe të shkurtër u bë si klub për intelektualët. Aty shihje gjithmonë shkrimtarë, gazetarë, aktorë, artistë.
Një ditë profesori më ftoi në tryezën e tij mbushur me letra të daktilografuara. Ai më kumtoi se po përkthente poemën “Hajawatha” të poetit amerikan Longfellou. Prej tij kisha lexuar poemën “Skënderbeu” përkthyer mjeshtërisht prej Fan Nolit, paksa i habitur ku e si e gjeti atë subjekt. U interesova të mësoja diçka më shumë rreth krijimtarisë së tij. Nuk e di nëse përkthimin ia kishte ngarkuar Shtëpia Botuese, sikurse qe praktika e zakonshme, apo e përkthente për qejfin e tij. Poema i kushtohej jetës së indianëve të Amerikës, dashurisë së Hajawathës dhe tragjedisë së tyre në frymën romantiko-lirike të kohës. Profesori më recitoi me pasion një këngë, që do ta quaja “kënga e dimrit,” të cilën edhe tani e rikujtoj për imazhet e forta që më ngjalli: Wigvama e mbuluar me dëborë, Hajawatha që del për gjah, nusja e tij që e pret te hyrja e çadrës. Përkthimi qe i bukur, lirik, sepse lirizmi dhe humanizmi qenë tipare të shpirtit të Luarasit që mbeteshin paksa në hije për shkak të temperamentit të tij të vrullshëm; ato dilnin më qartë nëpër shkrimet dhe rrëfimet e tij.
Pas një a dy vitesh Hajawatha u botua libër më vete dhe unë e bleva menjëherë, i dëshiruar të përjetoja edhe njëherë mbresat e përftuara nga recitimi i profesorit. Për indianët e Amerikës, ndieja dhimbje të sinqertë, sepse fati i tyre tragjik, përngjasonte me fatin e popullit shqiptar gjatë rrjedhës së historisë.
NXËNËS I PROFESORIT
Për një kohë të shkurtër, Profesor Skënder Luarasin e kam patur pedagog. Duhet të ketë qenë viti 1957, koha e Krushovit, kur u liruan disi burgjitë e diktaturës edhe në Shqipëri. Intelektualët, sidomos pedagogët e Universitetit, ndienin nevojë të dinin edhe një gjuhë perëndimore, përveç rusishtes. Për shumë arsye preferohej anglishtja. Skënder Luarasi pranoi ta drejtonte falas kursin e anglishtes në auditoret e fakultetit të gjuhës shqipe. Veç pedagogëve mund të mirrnin pjesë edhe persona jashtë universitetit. Unë isha një prej tyre. Iu luta profesorit nëse mund të më pranonte dhe ai më tha: “Pse jo? Dyert janë të hapur për të gjithë ata që duan të mësojnë.” Si gjithmonë në fillim pjesëmarrja qe mjaft e madhe, pastaj erdhi duke u rrëgjuar. Midis frekuentuesve mbaj mend prof. Arben Puton dhe prof. Luan Omarin. Nuk them se ata e mësuan anglishten në orët e kursit që zhvillohej një herë a dy herë në javë, por bazat e anglishtes i morën prej Skënder Luarasit. Më erdhi keq që e ndërpreva kursin për shkak të shërbimeve jashtë Tiranës dhe të ngarkesave të tjera nga redaksia “Hosteni.”
Disa pedagogë e lavdëronin metodën e tij të lirë, që zakonisht nuk u përmbahej copave standarde të tekstit, ndërsa një pjesë tjetër e kritikonin se profesori nuk respektonte metodikën e orës së mësimit, se përherë me ekskursionet e tij dilte nga tema. Sigurisht shijet dhe preferencat qenë të ndryshme, e natyrisht si pedagogë ata pëlqenin atë metodë që zbatonin vetë. Për mua ekskursionet e Skënder Luarasit gjatë orës së mësimit për turlish temash, siç e sillte rasti, qenë gjërat më të bukura dhe më të vyera që zgjeronin horizontin e auditorit jashtë faqeve të tekstit. Një ditë na foli për mbresat e tij nga takimi i parë me Ismail Qemalin, kur ishte student në Robert Kolexh, Stamboll. Rrëfimi i tij ruante freski dhe bukuri të jashtëzakonshme, qe më emocionues se përshkrimi te faqet e librit biografik “Ismail Qemali,” që botoi disa vite më vonë. Profesori gjithmonë rrëfente me pasion dhe episodet shpesh i dramatizonte gjallërisht me gjeste.
NDESHJA ME LIRI BELISHOVËN
Nuk di me ç’rast Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike dhe Sekretare e K.Q. të Partisë për propagandën, organizoi një takim me intelektualët e Tiranës, te një sallë e katit të dytë të Klubit të Shkrimtarëve që shërbente si studio provash për Institutin e Artit Dramatik. Salla qe mbushur plot e përplot me aktorë, shkrimtarë, gazetarë, piktorë dhe natyrisht dhe miq të artit. Qe praktikë pune që shefat e partisë të mbanin takime me punonjësit e sektorit të kulturës për t’i sqaruar, më sakt për t’i indoktrinuar. Kjo ngjiste sa herë partia e ndiente të nevojshme të kumtonte vendimet e K.Q. për politikën e brendshme, apo për ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Sapo Liri Belishova mbaroi parashtrimin e temës së saj, kërkoi që seanca të vazhdonte me pyetje nga salla. Natyrisht të gjithë ishin të kujdeshëm të bënin pyetje të matura, pa cënuar vijën e partisë, të pranuar apriori si e pagabueshme.
Skënder Luarasi pyeti si ngjau që Fronti Nacionalçlirimtar nuk arriti të mirrej vesh me forcat e tjera për të luftuar pushtuesit. Pyetja e vuri paksa në pozitë Liri Belishovën, por ajo manovroi me lehtësi, mbasi ishte e zgjuar dhe kishte përvojë të pasur në debatet politike. Papritur e pyeti profesorin:
“Po ju, shoku Skënder, sikur të ndodheshit këtu gjatë luftës, a do të kishit dalë partizan?” Të gjithë po prisnin që profesori të thoshte, “po, as që vihet në dyshim,” përgjigje konformiste që do ta kënaqte shefen e propagandës së partisë. Skënder Luarasi gjëmoi prerë: “Jo!” Salla u tulat në heshtje. Një deklaratë e tillë donte të thoshte ta mohoje Luftën Nacionalçlirimtare, ose të kishe rezerva për të, por në çdo rast ato nuk mund t’i thoshe publikisht se pasojat diheshin. “Jo,” gjëmoi Skënderi së dyti, “se do të isha vrarë tok me Mujo Ulqinakun në Durrës më 7 prill.” Salla u çlirua nga ankthi. Përgjegja e tij aq e bukur dhe aq e mprehtë do te qe pritur me duartrokitje, sikur të mos tulateshin se asisoj do të vinin në pozitë të keqe anëtaren e Byrosë Politike. Sidoqoftë batuta e mprehtë kaloi gojë më gojë dhe hyri në anekdotat që shoqëronin jetën e Skënder Luarasit. Me atë pohim Skënder Luarasi theksoi dashurinë për atdheun e për lirinë, po ndërkohë la të kuptohej se kishte rezerva për politikën e partisë komuniste gjatë luftës. Njëkohësisht ajo ishte kritikë e fortë kundër gjithë atyre që iu mënjanuan luftës kur u pushtua Shqipëria, ndërsa më pas i binin gjoksit për patriotizëm.
Skënder Luarasi i kishte treguar ndjenjat antifashiste qysh ku shkoi vullnetar me brigadat internacionale në luftën e Spanjës. Vajti të luftonte me armë, por kur e intervistuan dhe mësuan se ai zotëronte anglishten, gjermanishten dhe shqipen, se ishte me shkollë të lartë dhe kishte botuar shkrime të ndryshme publicistike, i ngarkuan të drejtonte programin e republikanëve në Radio Barcelona. Në Spanjë Skënder Luarasi redaktoi edhe buletinin “Vullnetari i Lirisë.” Pikëpamjet e tij antifashiste dhe antizogiste përbëjnë temat e artikujve të tij te “Vullnetari i Lirisë.” Grupi i vullnetarëve shqiptarë e kosovarë të Luftës së Spanjës, gëzonte respekt në të gjitha shtresat, për shkak të romantizmit që gjeneroi ajo luftë. Ish-luftëtarët e Spanjës i festonin përvjetorët bashkarisht, çka gjente pasqyrim edhe në shtyp për hatër të kryeministrit Shehu. Mjaft njerëz besonin se Skënder Luarasi nuk do t’i kishte shpëtuar burgut, po të mos qe biri i Petro Nini Luarasit dhe po të mos gëzonte përkrahjen e Mehmet Shehut si luftëtar antifashist i Spanjës.
MIQËSIA ME PETER PRIFTIN
Më 1962 Peter Prifti erdhi nga Amerika si vizitor. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai u takua disa herë me Prof. Skënder Luarasin. Profesori interesohej të dinte më shumë për aktivitetin e Fan Nolit, për gjendjen e tij shëndetësore dhe për çështje të kolonisë shqiptare në Amerikë. Vëllai e quante profesorin “The Albanian Number One” (Shqiptari Numër Një), sepse sa herë takoheshin ai do të hapte biseda me tema patriotike. Midis tyre herë bisedonin shqip dhe herë anglisht.
Korrespondencën e vazhduan një kohë të gjatë dhe profesori sa herë mirrte letra prej tij, më thoshte gjithë gaz: “Mora një letër prej vëllait tuaj.” Më vonë mësova se Skënder Luarasi e nxiste Peter Priftin të përkthente në anglisht pamfletin e Petro Ninit “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit,” një nga pamfletet më të mira politike të rilindjes, ku demaskohen me dinjitet argumentet false të shovinizmit kulturor grek kundër shkronjave shqipe. Qoftë se tema dukej paksa e tejkaluar nga koha, qoftë se e shihte të vështirë botimin në anglisht, Peter Prifti nuk iu fut asaj pune. Mospërmbushja e kësaj kërkese, nuk hodhi asnjë hije në marrëdhëniet e tyre dhe korrespondenca vazhdoi normalisht. Prof. Luarasi e vuri në dijeni Peter Priftin se fakulteti i anglishtes, ku ishte pedagog prej disa vitesh, vuante nga mungesa e librave të autorëve anglezë dhe amerikanë, për shkak të fondeve tepër të kufizuara. Peter Prifti, me t’u kthyer në Amerikë, bleu me paratë e veta një kontigjent mjaft të madh librash në anglisht të autorëve klasikë dhe ia dërgoi Bibliotekës së Universitetit për Fakultetin e Gjuhës Anglishte. Profesori i qe mirënjohës për këtë dhuratë bujare dhe shpesh më thoshte: “të kishim dhe disa shqiptarë të tjerë në Amerikë si Peter Prifti.” Ai ngulmoi t’i dërgohej letër falënderimi dhuruesit, por Drejtori i Bibliotekës M. Hanxhari, e shtyri pafundësisht, nga druajtja se mos akuzohej që mbante lidhje me persona të botës kapitaliste. Mbase ka pyetur shefat e tij dhe ata nuk e kanë lejuar të falënderohej një shqiptar që punonte në një universitet amerikan.
BASHKËPUNËTOR TE REVISTA “YLLI”
Në mesin e viteve ‘60 redaksia “Ylli” mori letër nga një lexues, i cili sapo zbuloi se Naim Frashëri ia kishte kushtuar poemën “Bagëti e Bujqësi” pasanikut të madh shqiptar Anastas Lakçes, u skandalizua. Këtë veprim të Naim Frashërit ai e shihte si papjekuri, si gafë politike. Profesor Luarasi e njihte më mirë se kushdo periudhën e Rilindjes, prandaj i telefonova dhe iu luta t’i jipte një përgjigje dinjitoze në faqet e revistës. Arsyeja kryesore qe se Naimi i detyrohej moralisht Anastas Lakçes mbasi ai kishte sponsorizuar botimin e poemit të famshëm në Bukuresht më 1889. Midis të tjerash profesori pohonte se kultura shqiptare u lartësua kryesisht me gjakun dhe mundin e patriotëve shqiptarë të Rilindjes.
Me argumentet që më ofroi, shkrojta një artikull të vogël në emrin e tij, se revista lakmonte firma dinjitoze. Pas botimit, e lajmërova profesorin të mirrte honorarin prej 200 a 300 lekësh të vjetra. Ai nuk pranoi, duke thënë se ato më takonin mua. Mirëpo mua as nuk më shkonte ndermend ta quaja timin një shkrim ku kisha hedhur në letër fjalët dhe mendimet që më diktoi profesori nëpërmjet telefonit. Iu luta llogarisë t’ia dërgonin autorit me mandat postar.
Kisha një detyrim moral për të shlyer ndaj profesorit. Para disa vitesh ai më kishte sugjeruar të shkruaja një artikull për Papa Kristo Negovanin, me rastin e përvjetorit të vdekjes. I thashë se nuk dija asgjë rreth jetës së tij, përveç vjershës së Loni Logorit E vranë Papa Kriston, e vranë/Dhe s’ra për të asnjë këmbanë. Profesori pohoi se Papa Kristoja meritonte të quhej dëshmori i parë i meshimit shqip dhe i shkronjave shqipe. Agjentët grekomanë e spiunuan te Dhespoti i Kosturit se prifti po meshonte shqip në kishën e Negovanit. Dhespoti, si kryetar i fesë në eparhinë e tij (njësi administrative kishëtare) kryente vizita gjatë muajve të verës, në çdo fshat ku kishte kishë. Mirëpo lajmi e tronditi aq shumë Dhespotin, sa vendosi të shkonte menjëherë në Negovan në mes të dimrit. Po ai dhespot pati mallkuar publikisht shkronjat shqipe, po ai çkishëroi Petro Nini Luarasin, që guxoi të hapte gjashtë shkolla shqipe në Kolonjë. Tani një prift ortodoks, shërbëtor i Perëndisë, rrezikonte ta shkëpuste grigjën e ortodoksëve shqiptarë nga kisha greke. Kjo qe sfida më e rrezikshme për synimet shoviniste të kishës greke dhe të Patrikanës së Stambollit që i njehsonte grekë ortodoksët shqiptarë.
Më 24 dhjetor dhespoti arriti në Negovan. Të nesërmen Papa Kristoja nuk u tut aspak nga prezenca e hierarkut të lartë të Kishës. Ai e filloi dhe e mbaroi shqip meshën e Krishtlindjes. Dhespoti, si antishqiptar i tërbuar, urdhëroi që viti i Ri të mos e gjente gjallë priftin heretik. Mirëpo u desh pak më shumë kohë sa të gjendeshin sikarët për ta vrarë. Natën e 6 shkurtit 1905, ndërsa shtresa e dëborës kishte mbuluar male e fusha, Papa Kriston e rrëmbyen prej shtëpisë së tij në Negovan dhe e masakruan te një lëndinë jashtë fshatit duke e goditur me sëpata. Gjaku i tij skuqi dëborën e bardhë, ndërsa kriminelët u larguan në drejtim të paditur.
Artikullin e shkrojta me një frymë dhe ia dërgova Radio Tiranës disa ditë para 5 shkurtit. Nuk mbaj mend ta kem botuar, po një kopje a një pjesë të shkrimit e kam në dosjet e mia. Profesori e kishte dëgjuar emetimin dhe më përgëzoi nxehtësisht. Ai e quante detyrë parësore që Rilindasit, (të lënë në harresë nga regjimi komunist) të përkujtoheshin dhe të nderoheshin se ata kishin zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Dijetarët tanë si ithtarë të materializmit historik, mburreshin për analiza objektive, por në fakt ishin dogmatikë, qëkurse të gjithë rilindasit i kritikonin për kufizime ideore.
Prej Skënder Luarasit përfitova subjektin e dramës “Plumbat e shkronjave” që u vu në skenë nga dy trupa, teatri i Fierit dhe ai i Korçës në maj-qershor të vitit 1979. Profesori më rrëfeu se Gjerasim Qiriazi u rrëmbye nga Shahin Matraku, ndërsa po shkonte nga Manastiri në Korçë për të hapur shkollën e parë shqipe (1886). Kapedani i hajdutëve të Mokrës e mbajti peng disa javë mes pyjeve, duke i kërkuar familjes një shumë të madhe florinjsh për lirimin e tij. Intriga u sajua nga kleri grek, armik i betuar i shkollave shqipe. Patriotët shqiptarë ndërhynë pranë Shahin Matrakut dhe e liruan “skllavin,” sikurse e quanin me gjuhën e kohës pengun, pa shpërblim. Shahin Matraku e dënoi hanxhiun, kallauzin që e shtyu drejt atij veprimi dhe u bë një nga mbrojtësit e shkollës shqipe. Në dramë theksohej e vërteta se shkollën shqipe e penguan tre faktorë: kisha greke, administrata turke dhe injoranca e shqiptarëve. Mirëpo kjo ide e re, se edhe injoranca jonë kishte pjesën e saj, e mishëruar te kapedan Nure Bataku, karakteri më i spikatur në atë dramë, nuk u pranua, madje ngjalli zemërim dhe si pasojë “Plumbat e shkronjave” u emetua vetëm njëherë nga TVSH, pastaj u arshivua dhe videokasetat u zhdukën. Për fat të mirë vepra u botua edhe si libër më vete në kollanën e dramave.
NJË ESE PËR MËSUESIN E SHQIPES
Kërkesa e profesorit që të shkruaja një ese për 100 vjetorin e lindjes së Petro Nini Luarasit (1965), më befasoi. U tkurra, sepse deri atëherë kisha qëndruar larg studimeve shkencore. Ai më tregoi kopjen e letrës së Petro Ninit dërguar Nikolla Naços në Bukuresht, në vjeshtën e vitit 1883. Mësuesi i lutej patriotit të kolonisë shqiptare t’u huante disa të holla shkollave shqipe, që të blinin shqerra në pranverë dhe t’i shitnin në vjeshtë me fitime. “Për një, dy do të fitohetë” përfundonte Petroja. Letra më pëlqeu për idenë e thjeshtë dhe origjinale si mund të subvencionoheshin shkollat e para shqipe të Kolonjës. Ndërsa shkollat greke në Shqipëri kishin fondet e mëdha të llasos, (arka e kishave greke) për të paguar mësuesit, pajisjet, etj, mësuesit e shqipes rropateshin të gjenin mënyra baritore për të siguruar minimumin e fondeve.
Nga bisedat me profesorin formova ide më të sakta për të kaluarën e Kolonjës dhe për gjendjen e saj në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Qysh i vogël kisha dëgjuar në fshat rrëfime tronditëse për vjedhje, rrëmbime pengjesh, grabitje, vrasje në rrugë për plaçkitje etj. por asnjë nuk dinte të analizonte shkaqet e asaj plage shoqërore. Ata e shihnin si dhunë të pjesës myslimane mbi të krishterët e urtë, kurse e vërteta qe ndryshe. Hajdutët nuk bënin dallime, ata plaçkisnin ku të mundnin dhe jo pak familje myslimane pësuan drama të rënda familjare prej cubave myslimanë.
Sipas Profesorit, pas fitimit të pavarësisë së Greqisë, Turqia nuk kishte më nevojë për mercenarë shqiptarë, prandaj i liroi nga shërbimet. Të mbetur rrugëve, pa zanat, pa të ardhura, vetëm me pushkë krahut, ata u kthyen cuba. Profesori nuk i shihte me syze romantike hajdutët dhe as nuk i quante me eufemizma kaçakë ose komitë, si ideologët komunistë. Ai nuk i integronte hajdutët ordinerë me komitaxhinjtë, luftëtarë të ndërgjegjshën kundër pushtimit osman. Mendimet e Prof. Luarasit i shpalosa në pjesën e parë të kumtesës, por mjaft dijetarë për të cilët kisha dhe kam respekt, nisën të diskutonin me pasion gjatë pushimit në hollin e kinema “Gramozit” ku po zhvillohej sesioni shkencor për historikun dhe traditat e Kolonjës. Te përmbledhja kushtuar Petro Nini Luarasit eseja mban titullin “Kolonja në gjysmën e dytë të shekullit XIX.”
PUSHTIMI I ÇEKOSLLOVAKISË
Në gusht të vitit 1968 Çekosllovakia u pushtua brenda natës nga forcat e Traktatit të Varshavës, pa gjetur as rezistencën më të vogël. Ideja e Brezhnjevit për sovranitet të kufizuar gjeti zbatim praktik me pushtimin ushtarak të një shteti që synonte të ndahej nga kampi socialist. PPSh u trondit dhe e kapi frika, për mësymje të beftë nga ajri prej forcave të Traktatit të Varshavës. Masa e parë qe fuqizimi i mbrojtjes kundërajrore. Mbi tarracat e ndërtesave të Tiranës u ngritën çerdhe mitralozësh kundërajrorë dhe në të gjitha zyrat u dha urdhër të kryej dezhurn natën, për gatishmëri alarmi në rast rreziku. Ky shërbim nuk u hoq, as kur situata u zbut.
Në mëngjesin e asaj dite, para dyqanit ushqimor të lagjes, njerëzit prisnin në radhë, si çdo ditë, për të marrë dy litra qumësht. Midis qytetarëve të tjerë u ndodhën Prof. Skënder Luarasi, Prof. Ziahudin Kodra dhe Vedat Kokona. Radha e blerësve ishte mjaft e gjatë dhe si zakonisht njerëzit që e njihnin njëri tjetrin bisedonin për të kaluar kohën. Atë ditë tema e bisedës midis tyre qe pushtimi i beftë i Çekosllovakisë.
Në një hop kohe një polic iu afrua të treve dhe i ftoi me gisht t’i vinin pranë. “Do të vini me mua në rajon!” qe urdhëri i tij. “A ka mundësi ta dimë arsyen?” e pyeti Skënderi. “Do ta merrni vesh atje,” qe përgjigjeja e policit.
Zyrat e rajoneve të policisë ishin të zymta, të palyera, të ndriçuara dobët, të veshura me hije të rëndë prej diktaturës. Vedat Kokona më ka treguar: “Zihaudini, i cili djersinte edhe duke ndenjur, fshinte ballin vazhdimisht me shami duke lëshuar ufe e puhe nga frika se mos na arrestonin. Edhe unë atë mendoja. Kushedi kush na kishte kallëzuar që polici po na shpinte në rajon. Vetëm Skënderi dukej fare i qetë. Thoshte se deri sa nuk ishim kundërvajtës, s’kishte pse të na mbante policia. Së fundi na futën në një dhomë pak më të madhe, ku ndodhej shefi i rajonit. Polici që na kishte shoqëruar deri në rajon kreu kallëzimin duke thënë se në radhën e qumshtit ne kishim biseduar për Çekosllovakinë. Ja pra cili qe faji ynë. Prof. Zijai nisi t’i thoshte se qe keqkuptim, se ne po bisedonim për letërsinë çekosllovake, kurse Skënder Luarasi e ndërpreu dhe deklaroi: “Po, ne po bisedonim për Çekosllovakinë. E pastaj?” Oficeri u zgërdhi, duke thënë: “Pra e pranoni që keni kryer agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit.” “Jo, aspak! –ia preu profesori. - Po mor zot, për çka tjetër mund të bisedohet sot?” – e pyeti Skënderi. “Unë s’jam zot,” kundërshtoi oficeri. “Po mor shok, po për çfarë mund të bisedohet sot, veç pushtimit të Çekosllovakisë? U pushtua një shtet sovran nga forcat e Traktatit të Varshavës, u shkel e drejta e një populli, dhe unë pyes a ka ndonjë intelektual, more edhe njeri të thjeshtë, anembanë Shqipërisë që të mos e komentojë këtë ngjarje? Në pastë një njeri të tillë, ai është i poshtër, frikacak, njeri që nuk e do as lirinë e as atdheun e tij.” Nga vrulli i profesorit oficeri u hutua, e harroi akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe urdhëroi policin të dilte nga zyra. Pastaj u kujtua të na pyeste për emrat dhe mbiemrat dhe ku punonim. Zihaudinin dhe mua nuk na njihte, por sapo dëgjoi Skënder Luarasi, buzëqeshi. Nuk na kërkoi të falur, por as që na duhej. Ne ishim të kënaqur që shpëtuam mirë prej asaj ngatërrese me një polic injorant dhe merita i takon Skënder Luarasit.”
NDERIM APO FYERJE PËR KOLONJËN DHE KOLONJARËT?
Fatmir Gjata botoi te Revista “Nëntori” një tregim me temë nga e kaluara. Ngjarja shtjellohej në Kolonjë. Subjekti me dy fjalë qe ky: “Në kohën kur sundonte e drejta e natës së parë, dhëndërri, një djalë fshatar nuk pranon t’ia dërgojë nusen beut. Ai vishet si nuse, futet në dhomën e beut, e vret me thikë dhe pastaj arratiset tok me farefisin për t’i shpëtuar hakmarrjes.” Mesazhi i autorit qe se me atë vrasje mori fund e drejta e natës së parë që ushtronin feudalët në mesjetë dhe deri vonë në shekullin e XIX.
Sipas kërkesave të realizmit socialist, tregimi qe në rregull nga çdo pikëpamje: luftë klasore vegjëli bejlerë, protestë e shtresave të ulëta kundrejt një tradite morale fyese, dhuna si mjet për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin. Autori priste ta falënderonin kolonjarët ose t’i qenë mirënjohës
për shërbimin e çmuar që po sillte në fushën e luftës klasore, mirëpo ndërsa tregimi harmonizohej me kriteret e realizmit socialist, cënonte traditat shqiptare për nderin dhe moralin. Sipas Skënder Luarasit, tregimi i Fatmir Gjatës fyente në palcë çdo familje kolonjare, qe skandaloz dhe shpifarak. Ai mendonte se kolonjarët duhet të protestonim bashkarisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe më lart akoma, se Fatmir Gjata me anë të atij subjekti pohonte se gjithë të parëlindurit qenë dobiçë bejlerësh, çka ishte fyerje publike për dinjitetin e çdo familje. Profesori nuk e pranonte ekzistencën e së drejtës së natës së parë në Shqipëri. Ai thoshte se nuk kishte gjetur asnjë burim historik për të dhe e quante sajim të rretheve feudale shqiptare, për të përligjur devijimet e tyre morale. Për shqiptarin nderi vlente më shumë se jeta, prandaj nuk mund ta pranonte as si koncept.
Më pyeti nëse e kisha lexuar tregimin. E vërteta qe se e kisha lexuar dhe pëlqyer. Një legjendë të tillë kisha patur rast ta dëgjoja edhe unë disa herë. Në një variant tjetër dhëndri e ftonte beun të shihte sa bukur e kishte pjekur mishin e dasmës dhe pastaj e shtynte në furrë, ku e digjte të gjallë. Legjenda i vishej Valanjit, një fshati të rrënuar midis Rehovës dhe Taçit, por e vërteta historike e prishjes së tij ndodhi për shkaqe natyrale. Pas djegies së pyjeve të Gramozit nga ana perëndimore, ngjanë rrëshqitje të forta dhe aluvionet përmbytën tokat, livadhet, çairet dhe fushën e tyre, deri në Surmëri. Fusha u kthye zall, çka duket edhe sot kur soditet nga lartësitë e Gramozit. Fshatarët e mbetur pa toka buke, pa livadhe, pa kopshte, u detyruan të shpërngulën nga mesi i shekullit të kaluar. Pra Valanji u braktis nga fatkeqësia natyrore dhe jo nga protesta ndaj së drejtës së natës së parë. Migrimet e banorëve të tij dihen. Një pjesë erdhi dhe u ngul në Rehovë, (Notellarët, Dafot), një pjesë në Plikat, (Xhogat) dhe një pjesë tjetër në Negovan, (Xoxet, familja e Papa Kristos, etj.).
Sipas Prof. Skënder Luarasit, në Kolonjë vetëm Lubonja, ishte çiflik i bejlerëve të Qafëzezit, ndërsa fshatrat e tjerë ishin fshatarë të lirë, zotër të tokave dhe të shtëpive të tyre pakta, prandaj as që mund të mirrej në konsideratë e drejta e natës së parë. Bejlerët e Kolonjës, Turqia i shpërbleu duke u dhënë çifligje në Thesali, për arsyen e thjeshtë se në Kolonjë s’kishte metoqe ose toka të lira.
Fatmir Gjatës i vajtën në vesh sulmet e forta të Skënder Luarasit dhe natyrisht u zemërua. Nuk mund të pranonte kurrsesi që Luarasi ta dinte marksizmin më mirë se sekretari i organizatës bazë të partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, që kishte kryer studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Së fundi dy kundërshtarët u ballafaquan për tregimin në fjalë në klubin e Shkrimtarëve. Skënderi Luarasi ia rrëzoi të gjitha argumentet që dëgjoi prej tij, sa më në fund Fatmiri e humbi durimin dhe e shporri duke i bërtitur “Hajt sikter!” Profesor Skënderi me qetësinë më të madhe ia priti: “Edhe këtë turqisht e thatë.”
Ndonjëherë rrëmbimi dhe inati e shtynte profesorin të bënte humor të hidhur. Thoshte se Fatmiri mbiemrin e kishte Gjata, por vetë nuk ishte shtatgjatë dhe njerëzit kishin arsye të dyshonin për prejardhjen e tij. Kështu Skënderi ia kthente Fatmirit mbi kokë si bumerang të drejtën e natës së parë.
MARRËDHËNIET ME LIDHJEN E SHKRIMTARËVE. Me kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Skënder Luarasi nuk pati relata miqësore, a së paku shoqërore. Të dy palëve u mungonte vullneti i mirë dhe besimi i ndërsjelltë. Me përjashtim të Dritëro Agollit dhe Isamil Kadaresë, të tjerët nuk i honepste.
Shkaku i mosmarrëveshjeve me Dhimitër Shuteriqin qe moral dhe etik. Shuteriqin e kishte mëri se ai mori pjesë në konkursin për hymnin e Zogut më 1937, ndërkohë që pjesa më e madhe e të rinjve intelektualë nuk kishin simpati për atë regjim. Shkaku tjetër qe poema “Enverit,” të cilën Dhimitër Shuteriqi e botoi më 1945, ku i thurte lavde udhëheqësit, duke hapur hullinë e “së ashtuquajturës “Enveriadhë,” një nga prirjet më servile të “realizmit socialist” shqiptar, siç vëren esteti dhe kritiku Alfred Uçi. Skënder Luarasi, padyshim e pranonte evolucionin e pikëpamjeve politike, po disa persona që kishin këmbyer pozitat nga një krah në tjetrin, i neveriste si shtirakë. Ai gjithë jetën mbeti demokrat dhe fanolist i vendosur. Më 1965, me rastin e vdekjes se Fanolit, S. Luarasi dërgoi në Boston një telegram me këtë përmbajtje: “Përulem para shqiptarit më të madh të shekullit tonë.” Mirëpo të thoshe diçka të tillë, kur diktatori qe në kulmin e fuqisë dhe kulti i individit lulëzonte, qe jo vetëm guxim, por edhe sfidë e fortë.
KONFLIKTI MIDIS SHEVQET MUSARAIT DHE PROFESORIT
Kur njeriu e do të drejtën me përkushtim, krijon më shumë armiq se miq.
Konflikti midis profesorit dhe Shevqet Musarait, ndyshe nga disputi i njohur me Fatmir Gjatën, u zhvillua më shumë nën dhé, se sa në sipërfaqe.
Tani të dy protagonistët kanë vdekur dhe unë mund ta rrëfej me shpirt të qetë burimin e konfliktit të tyre, sipas pohimeve konfidenciale të profesorit.
Skënder Luarasi ishte përkrahësi i zjarrtë i romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur.” Në diskutimin e organizuar për romanin në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ai tha se e pëlqente atë vepër, mbasi atje autori pohonte vatra të tjera rezistence kundër zbarkimit fashist, veç Durrësit. Ideja e rezistencës kundër fashizmit vlente shumë për ndjenjat e tij patriotike. Mirëpo disa shkrimtarë të mirënjohur shfaqnin rezerva për vërtetësinë e ngjarjeve të romanit, për formën novatore përdorur nga Kadareja, prandaj edhe nuk e pranonin tërësisht. Musaraj dhe Luarasi shkëmbyen disa replika të forta pas diskutimit, në prani të Fiqerete Shehut, Sekretare e Partisë për Tiranën, e shoqja e kryeministrit Mehmet Shehu. Ndërsa po shkonin drejt banakut për të marrë ndonjë pije freskuese se qe vapë, Shefqet Musaraj deshi t’i tregonte vendin Luarasit, ndaj e akuzoi se kur ata luftonin nëpër malet e Shqipërisë, zhveshur e zbathur, ai bridhte Evropës. Me fjalë të tjera, sipas Musarajt, Skënder Luarasi e kishte gjetur sofrën të shtruar, prandaj nuk i takonte të gjykonte për atë periudhë.
Profesor Luarasi ia ktheu aty për aty: “Po qe se i shoqi i kësaj gruas që sheh pranë teje, ka bredhur nëpër Evropë, atëherë mund të thuash edhe për mua të njëjtën gjë, se unë pas gjurmëve të tij kam shkuar.” E vërteta ishte se ai vajti në Spanjë përpara Mehmet Shehut, po aty iu desh ta përdorte emrin e kryeministrit për t’i mbyllur gojën Shefqetit. Në luftën e Spanjës shkuan një grusht shqiptarësh idealistë, ndërkohë që të tjerët bridhnin kafeneve të Francës, ose luanin bixhoz në “Kursal.” T’i konsideroje luftëtarët antifashistë shqiptarë si vagabondë që bridhnin nëpër Evropë, qe fyerje shumë e rëndë për idealet e tyre. Akuza e Musarajt shkoi më larg se sa deshi me përgjithësimin e gabuar, prandaj më nuk pipëtiu. Për mirësjellje, Fiqiretja nuk mori anë në replikat e tyre të hidhura.
Skënder Luarasi e kishte dhunti natyrale replikimin e mprehtë dhe të menjëhershëm. Ai dëfrehej kur konfliktohej, mendja e tij atëhere punonte vrullshëm, me shkëndijime të befta dhe replika të forta, kurse kundërshtarët hanin buzët me dhëmbë prej inatit pasi largoheshin, që nuk ishin kujtuar t’i thoshin kështu apo ashtu, vonesë të cilën francezët e quajnë: “esprit d’escalier,” me fjalë të tjera t’i kujtosh batutat ndërsa zbret shkallët.
Konfliktet që i ndodhnin, Skënderi e kishte zakon t’ua rrëfente miqve, shokëve, të njohurve me qëllim të testonte nëse kishte patur të drejtë, apo thjesht për të dëgjuar mendimet e tyre. Pasi mësoi për grindjen midis Luarasit dhe Musarajt, një punonjës i vjetër i Bankës së Shtetit, i besoi profesorit një të fshehtë përvëluese. Më 5 prill 1939, në vigjilje të pushtimit fashit, kur gjithë populli i Tiranës kishte dalë në rrugë dhe kërkonte armë, Shefqet Musaraj, nëpunës i Bankës së Tiranës, kujdesej të shpinte fëmijët e kolonisë italiane në një vend të sigurtë, që të mos rrezikoheshin prej bombardimeve. Pas pushtimit të Shqipërisë, qeveria fashiste italiane e kishte shpërblyer me një sasi mjaft të madhe të hollash në franga ar. Pra mirënjohje e shoqëruar me shpërblim.
Skënderi e përhapi faktin skandaloz të shpërblimit të Musarajt, në atë kohë deputet në Kuvendin Popullor, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Partia u vu në pozitë të vështirë që një figurë e nderuar, rrezikohej të diskreditohej. Duhej verifikuar nëse ai e kishte fshehur atë fakt nga biografia e tij, apo qe shpifje e Skënder Luarasit?
Shefqeti punoi tok me Enver Hoxhën, për shtypin ilegal të partisë në vitet 1942-43, qe autor i poemit satirik “Epopeja e Ballit Kombëtar” dhe udhëheqja e partisë e donte për qëndrimin e tij konsekuent si propagandist i vijës së partisë me fjalë dhe me vepra letrare. Meritat ia kishin njohur, qëkurse i rezervonin vend në çdo presidium të rëndësishëm. Zgjedhja e tij si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, edhe pse pozitë honorifike, tregonte stimën e udhëheqjes, për t’i siguruar disa favore.
Skënder Luarasin e thërritën diku dhe i bënë presion të jepte burimin e informatës për Musarain, përndryshe do të vihej para përgjegjësisë ligjore si shpifës. Profesori nuk e rrëfeu personin, por u sugjeroi të shkonin në Bankën e Shtetit dhe të kërkonin listën e nëpunësve të shpërblyer nga fashistët dy javë pas pushtimit të Shqipërisë. “Por nëse një listë e tillë nuk gjendet, atëherë a do të pranoni se keni shpifur?” “Nëse lista është zhdukur prej dikujt, shikoni llogaritë e shpenzimeve dhe të daljeve bankare gjatë muajit prill-maj 1939 në regjistrat e bankës, si dhe specifikimet për to!” “Po sikur të mos figurojë as atje emri i tij?” “Atëherë dërgoni njeri në Romë, të shohë koçanet e Bankës mëmë.” Me aq biseda e tensionuar qe mbyllur.
Profesori më rrëfeu te salloni i Shkencave Shoqërore në Bibliotekën Kombëtare, se e dinte nga një njeri i brendshëm i Bankës që dokumenti ndodhej atje, prandaj nuk qe tutur.
Ky zbulim skandaloz e prishi paksa imazhin e shkëlqyer të Shevqet Musarait si komunist i devotshëm në sytë e udhëheqjes. Nuk dihet nëse e qortuan për fshehje të biografisë, por në legjislaturën tjetër Shefqet Musaraj nuk figuronte në përbërjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe as deputet në listën e të parazgjedhurve nga partia. Që atëherë Shefqetit i dhimbnin sytë kur e shihte Skënderin në rrugë.
PENDIM PËR NJË VEPRIM JASHTË NORMAVE ETIKE
Skënder Luarasi ishte i ashpër me kundërshtarët, nuk dinte të bënte kompromis, e vazhdonte disputin gjatë, duke ua rrëfyer të gjithëve atyre që njihte, me qëllim ta dinin ç’kishte ngjarë. Njëkohësisht e shquante edhe një ndjenjë e fortë vetëdije. Kur shkelte gabim, ose kur vepronte jashtë normave etike, e pranonte fajin e vet.
Njëherë m’u rrëfye se kishte kryer një mëkatë kundër Stefan Priftit, pedagogut të sintaksës shqipe dhe të greqishtes së vjetër në Universitetin e Tiranës.
Skënderi i kërkoi një studentes të shihte tekstin që përdorej në kursin e greqishtes së vjetër. Qe një farë dispence e shaptilografuar me letër të keqe, si gjithë dispensat e asaj kohe. Skënderi filloi ta shfletonte dhe ta lexonte. Teksti ishte i vjetëruar dhe jashtë kohës. Aty thuhej botën e krijoi Zoti nga hiçi, se ai qe i kudogjendshem dhe i gjithëpushtetshëm. Skënderi u skandalizua nga përmbajtja fetare që u servirej studentëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai edhe pa qenë antifetar, do të fyhej që gjeti një tekst të denjë për seminaret fetare dhe shkollat e priftërinjve. I kërkoi lejë studentes t’ia huante tekstin për dy tre ditë dhe ajo ia dha. Me “corpus delicti” në dorë, Skënderi shkoi në dekanat duke u treguar tesktin me frazat e qëmtuara për Zotin. Rektori nuk deshi ta besonte, por e luti ta linte aty që t’ia jepte dikujt për ekspertizë. Fakti qe fakt. Stefan Priftin e qortoi dekanati dhe e detyroi ta hiqte tekstin nga përdorimi. Ai e kritikoi ashpër studenten që ia huajti tekstin prof. Luarasit pa lejën e tij dhe ajo shkoi te Skënder Luarasi duke qarë e duke i thënë se e kishte vënë në pozitë të keqe. Profesor Luarasi më tha se i vinte keq për të, madje i kishte kërkuar të falur, ndërsa për Stefan Priftin mendonte se e meritonte kritikën nga dekanati.
KUSH ËSHTË KY S.L.? NUK E DI!
Skënder Luarasi qe nga njerëzit e rrallë, në mos i vetmi, që nuk e përfilli porosinë e Enver Hoxhës për autokritikë, duke mbajtur lart dinjitetin personal dhe pikëpamjet e tij. Dhe megjithatë mbeti gjallë. Dashamirësit e tij ia vishnin këtë mrekulli, në radhë të parë babait të tij, Petro Nini Luarasit dhe simpatisë që gëzonte në rrethet intelektuale me personalitetin e vet.
Në kongresin I të Partisë më 1948, Enver Hoxha e ngriti Haxhi Qamilin në rangun e patriotëve të shquar, duke e paraqitur kryengritës fshatar të tipit Pugaçov, apo Stjepan Razin, ashtu sikurse ia kishte servirur një historian i cekët. Ky cilësim ngjalli kundërshtime të forta tek gjithë patriotët e ndershëm që e njihnin atë periudhë. Ata dërguan letra dhe protesta në KQ se Haxhi Qamili ishte dhe mbetej turkoshak që kishte luftuar me bajrakun e Turqisë dhe me parullën “duam Babën” (Sulltanin), kur sapo qe shpallur pavarësia. Letrat mbetën pa përgjegje dhe në shtypin e zotëruar nga partia nuk pati asnjë diskutim, por në biseda të lira, kritikat ishin mjaft të forta. Kundërshtia qe se ndërsa partia e shihte Haxhi Qamilin me sy klasor si flamurtar të luftës kundër Esat Pashë Toptanit dhe bejlerëve të tjerë, patriotët e gjykonin lëvizjen e tij thellësisht antikombëtare.
Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare në rrugën e Barrikadave, u hap te ish-Kuestura, një godinë trekatëshe që nuk egziston më, përballë Poliambulancës. Në sfondin kryesor të sallës më të madhe, dukej portreti i plakut fisnik Ismail Qemali, me mjekër të bardhë dhe krahas tij portreti i zymtë prej banditi i Haxhi Qamilit me mjekër shtëllungë të zezë, me çizme dhe dolloma ushtarake. Prof. Skënder Luarasi, sapo vizitoi muzeun, tha me ironi: “Bukur, shumë bukur! Këtu e paskan vënë në piedestal si atë që ngriti flamurin e Shqipërisë, si atë që e uli!” Fjalia e tij lapidare u përhap me shpejtësi të madhe, për kontrastin e fortë dhe për të vërtetën që përmbante. Shumë patriotë nuk e duronin Haxhi Qamilin pranë Ismail Qemalit, por nuk kishin guxuar të flisnin hapur dhe të ironizonin ideatorët e muzeut, se e dinin që maketi ishte aprovuar prej sferave më të larta të partisë.
Po e riprodhoj rrëfimin e Skënder Luarasit për Haxhi Qamilin, ashtu si e kam dëgjuar prej gojës së tij. “Haxhi Qamili qe një fshatar injorant nga katundi Sharrë i Tiranës. Qe fanatik fetar, prandaj njëherë e kishin dërguar në Mekë për haxhillëk. Që kur u kthye prej andej, fshatarët filluan ta thërrisnin “haxhi,” sipas zakonit dhe kësisoj Qamili u bë Haxhi Qamil. Qe beqar me moshë të madhe dhe vëllai e përdorte si hyzmeqar duke e dërguar të shiste presh në pazarin e Tiranës. Do të kishte mbetur gjithë jetën shërbëtor i vëllait, sikur në Durrës të mos kishte plasur grindja midis Esat Pashë Toptanit dhe Musa Qazimit, myftiut të Tiranës. Në një mbledhje krerësh më 1913, Esat Pasha, njeri me ambicje të forta politike, i sapokthyer prej Stambollit, shfaqi pretendime për post drejtues, ndërsa rivalët iu sulën me kritika, se qe kujtuar vonë. Ku ishte pashai, kur ata luftonin për Shqipëri? Esati tha se edhe duke qenë larg, e kishte ndihmuar atdheun duke dërguar 3.000 lira flori nga Turqia. Plasi skandali se lirat s’dihej ku kishin përfunduar, por dyshohej se qenë ngrënë ose përvetësuar prej Musa Qazimit dhe rrethit të tij. Mbledhja u prish, urat u ndanë. Musa Qazimi, me t’u kthyer në Tiranë mendoi të hakmerrej ndaj kundërshtarit të tij. Pasi u mendua, i dërgoi haber Haxhi Qamilit, të vinte ta takonte. Ai e njihte si besnik dhe si fetar të bindur, ndaj sapo e pa përpara tij i tha: “Haxhi, ty të ka ngarkuar Allahu me një mision të madh!” Haxhi Qamilit i shkëlqyen sytë nga myzhdeja që dëgjoi, se besoi që porosia vinte nga Zoti. “Ti do të luftosh dhe do të shfarosësh armiqtë që duan të prishin fenë tonë dhe përpiqen të njollosin njerëzit e shenjtë.” “Jam gati, që tani!” u përgjegj Haxhiu. Musa Qazimi, njeriu i fesë, e armatosi Haxhi Qamilin me pushkë e revole dhe e nisi për në Krujë me tre veta pas, që të mblidhte forca të tjera vullnetare. Sa arritën në Krujë u bënë tridhjetë, sa zbritën nga Kruja u bënë treqind forca. Kjo qe ushtria e Haxhi Qamilit, e cila u sul kundër bejlerëve kundërshtarë të Musa Qazimit dhe të klanit të tij.”
Prof. Skënder Luarasi e shihte lëvizjen e tij si konflikt midis një palë bejlerësh kundër një pale tjetër dhe Haxhi Qamilin vegël në duart e myftiut të Tiranës. Lëvizja qysh në krye ishte antishqiptare. Të shqyeje flamurin e Shqipërisë, ta quaje shqiponjën pulastren dhe të luftoje me flamurin e Turqisë, duke kërkuar kthimin e Sulltanit dy vjet pas pavarësisë së Shqipërisë, kjo qe thikë në shpinë për kombin. E vërteta është se Haxhi Qamili dhe bandat e tij u vunë zjarrin sarajeve të disa bejlerëve kundërshtarë, ku bashkohej revolta spontane e ortekut të fshatarësisë që kishte pas vetes, por ndërkohë nuk mund t’i falen vrasjet, sakatosjet dhe torturimet e patriotëve shqiptarë. Ai shtroi në dajak gjithë mësuesit e shkollave shqipe, si mëkatarë që u mësonin nxënësve “harfet e kaurit.”
Enver Hoxha ishte si biçikletë me kontrapedal, nuk dinte dhe as nuk donte të kthehej mbrapa. Pas më shumë se njëzet vjetësh u kujtua ta rimerrte në mbrojtje Haxhi Qamilin dhe ta paraqiste si patriot, kësaj radhe duke përdorur pa kursim metodologjinë marksiste. Studimi “i tij” për Haxhi Qamilin iu servir si model historianëve dhe shkencëtarëve për gjykimin e figurave historike. Sigurisht qe një model i neveritshëm, (a një mësim në shembull negativ, sipas shprehjes kineze), sepse aty çdo fakt qe transformuar, çdo e vërtetë qe kthyer së prapi në shërbim të idesë së njëanshme nga e cila qe nisur.
Studimi, i botuar në një nga vëllimet e shumta të Enver Hoxhës, hapej me kritikë drejtuar S.L. dhe A.M.(ndofta prof. Meksi), të cilët kishin gabuar në gjykimin e figurës së Haxhi Qamilit. Qe kritikë e drejtpërdrejtë kundër Skënder Luarasit dhe në mos gabohem Meksit, veçse me iniciale. Pas botimit të veprës, miqtë dhe të afërmit e këshilluan Prof. Skënderin, për të mirën e tij, të bënte autokritikë të sinqertë ku të pranonte se kishte patur mendime të gabuara për lëvizjen haxhiqamiliste, tani që Enver Hoxha e kishte kritikuar publikisht. Skënderi qëndroi i papërkulur në mendimet e tij dhe nuk i pranoi sugjerimet e tyre. Pak më vonë, një mesaxher i posaçëm, që vinte nga një institucion zyrtar, e pyeti nëse e kishte lexuar vëllimin e fundit të shokut Enver, ku kritikohej me emër. Skënderi iu përgjegj se veprat e Enver Hoxhës i lexonte “me kujdes,” por askund nuk kishte parë ndonjë kritikë publike për veten e tij. I dërguari i posaçëm, një kolegu i tij historian, i tha se inicialet S.L. ishin të qarta për cilindo. Skënderi duke bërë të paditurin, e pyeti: “A jeni i sigurt? Unë për vete jo. Kush mund të jetë ky S. L.?” Pyetja qe befasuese për kolegun. “Kuptohet, jeni juve, S.L. Skënder Luarasi!” “E pse qenkam unë dhe jo një tjetër? Ku ta di unë se nuk është Selman Latifi, Sotir Lefteri apo Sadik Lumi?” “Ju keni shprehur kritika për Haxhi Qamilin duke e akuzuar si antishqiptar, si antikombëtar…prandaj udhëheqësi u kritikon dhe ju duhet ta pranoni gabimin,” e këshilloi kolegu i tij. “Unë jo,” kundërshtoi profesori. “Ma faktoni, ju lutem, te cili organ, a në cilën gazetë kam shfaqur mendime për Haxhi Qamilin. Nuk mund ta pranoj se ky S.L. jam unë dhe nuk mund të marr përgjegjësi se kush mund të jetë.” Profesori e ktheu së prapi kolegun, pa e ulur kokën para diktatorit.
“Nuk u trembët nga pasojat?’ e pyeta kur ma tregoi ngjarjen. “Kisha një argument të fortë,” më tha. “Nuk kisha shkruar dhe botuar asgjë për të, kurse me gojë kisha folur gjithandej, por s’ mund të ma vërtetonin.”
Sapo mësoi se Luarasi s’pranonte të bënte autokritikë, Enver Hoxha u nevrikos. Kjo linte të kuptohej se vazhdonte të ruante pikëpamjet e veta për Haxhi Qamilin. Me ligësinë e tij të përhershme, Enver Hoxha e etiketoi agjent të imperialistëve dhe dhëndër të sovjetikëve! Ai qe i tmerrshëm për etiketime politike dhe më e keqja, fjalët e tij përsëriteshin nga partiakët e tjerë, zgjeroheshin me rrathë koncentrikë dhe bëheshin pjesë e administratës dhe institucioneve. Qe një nga format më të ulëta dhe më dinake të luftës së klasave për të diskredituar intelektualët. A mund të quhej Skënder Luarasi dhëndër i sovjetikëve, sepse u martua me një ruse? Pas kësaj logjike Zogu duhet quajtur dhëndër i hungarezëve dhe vetë Enver Hoxha dhëndër i dibranëve.
Pas vdekjes së parakohëshme të gruas së parë, Skënder Luarasi u martua me Majan, pedagoge në Fakultetin e anglishtes. Burri i saj, oficer, iu nënshtrua presioneve zyrtare dhe u detyrua të ndahej prej saj, ashtu si shumë të tjerë, që ishin martuar me gra të huaja. Maja, për arsyet e saj, nuk deshi të kthehej në Bashkimin Sovjetik dhe vendosi të qëndronte pedagoge në Universitetin e Tiranës. Sapo Skënderi deklaroi se do të martohej me të, pati shumë qortime, si nga miqtë e tij, ashtu edhe nga shokët, por ai si njeri me karkter të fortë nuk ua vuri veshin. Atëherë, a me sugjerimin e tyre, apo me kokën e tij, Mehmet Shehu i dërgoi sekretarin e tij Peçi Kallushin për t’i kumtuar fjalët e më poshtme: “Skënder, të këshilloj dhe të porosis të mos martohesh me grua sovjetike, se do t’i rëndosh gjynahet dhe tekat e tua!” Dihej se edhe sugjerimet, edhe këshillat, merrnin formën e urdhërave kategorikë kur dilnin nga goja e udhëheqësve tanë. Skënderi ia priti aty për aty Peçit, sekretarit të tij: “M’i bëj të fala Kryeministrit, ndërsa për porosinë që dërgon, thuaji se kryeministër në shtëpinë dhe familjen time jam unë dhe jo ai.” Me aq biseda midis tyre mori fund.1 Skënderi pati harmoni shembullore me bashkëshorten deri në fund të jetës. Fati deshi që pas tri vajzave me gruan e parë, të gëzohej me një djalë, të cilin e pagëzoi Petro, në kujtim të babait të tij Petro Nini Luarasi.
(Fund i pjesës II.)
--------------------------------------------------------------------------------
1 Këtë të dhënë ma kumtoi Andon Kote, ish gazetar, tani banues në Fort Lauderdale, Fl.
Krijoni Kontakt