Thonë që nuk sillet gjithçka rreth parasë por unë mendoj se pa para nuk sillet asgjë rreth teje!
Disa nga kurbetqarët po të mos kishin para, do të duhej të paguanin taksinë për në shtëpi sepse ndoshta askush nuk do të ishte i gatshëm për ti pritur në Aeroport.
Shpeshherë kemi dëgjuar fjalinë:’ Ah, ai/ajo i ka punët mirë sepse i ka tre vëllezër jashtë shtetit’ por asnjëherë nuk kemi dëgjuar të thotë dikush
’ Si mundet ky njeri të bëjë qejfe me paratë e tre vëllezërve që punojnë larg vendlindjes?!’
Ka njerëz që mendojnë se në Gjermani, Suedi, Danimarkë, Zvicër e në shumë shtete të tjera, fitimi i parasë është shumë i lehtë, por po të shkosh dhe të jetosh vetëm një javë në një vend të huaj, atëherë e kupton rëndësinë dhe vlerën e parasë. Unë kam vizituar më shpesh Gjermaninë dhe kam pasur rastin të takoj disa njerëz që e kanë shumë të vështirë të jetojnë në kushte normale, andaj ata mbijetojnë, nuk kanë të holla për luksin që familjet e tyre e bëjnë këtu në Kosovë.
Më ka rastisur të takoja shumë kurbetqarë që hallin e tyre e kanë vetëm pjesën tjetër të mbetur të familjes, por a e kanë këtë hall edhe familjaret e tyre!?
Me siguri që jo.
Ndoshta dikujt i kujtohet gjyshi që ka mbështjellë cigare, e nuk ka blerë cigare me pako, ndërsa atje kam parë të mbështjellin cigare edhe në vitin 2009, sepse nuk kanë pasur të holla ti blejnë me pako, e një nga anëtarët e familjes së tyre këtu në Kosovë pinte cigare Marlboro dhe ishte në gjendje të paguante tërë cekun, që kishim ngrënë e pirë dhe ishte e papunë.
Atje as për festa nuk hanë në restorante, ndërsa këtu familjarët e tyre e kanë bërë këtë si rutinë dhe nuk brengosen fare nëse në fund të javës apo muajit mbesin pa para, apo e kanë problem të mbesin vetëm të dielën kur nuk punon Western Union.
Atje punojnë më shumë se 12 orë në mënyrë që të mund të paguajnë për gjërat elementare, që ju duhen të jetojnë, e pastaj një pjesë të këtyre parave ta ndajnë për Kosovë, ndërsa këtu nuk punojnë as edhe 1 orë për të përmbushur një kërkesë të tyre qoftë edhe bërja e një telefonate për të kuptuar se si janë hallet e tyre apo a janë mirë.
Këtu dinë të vozisin makina të shtrenjta, të kenë karburante dhe nëse nuk dinë çfarë të bëjnë atëherë bëjnë kilometra të kota apo xhiro pa asnjë destinacion të caktuar, derisa në të njëjtën kohë vëllezërit e tyre janë duke murosur, duke pastruar rrugë, duke ngritur ngarkesa të rënda që në pleqëri do të kenë nevojë për kujdesin e vëllezërve në Kosovë, por deri atëherë ata do të kenë harruar që këta ishin ata që u kujdesen për fëmijët e tyre.
Ndiej keqardhje për disa që kanë këtë fat të përjetojnë përbuzjen e djersës së tyre, që kanë fatin të kenë mall për atdheun e për familje e askush nuk ua di për nder.
Ajo që është edhe më nënçmuese, disave këtu, iu vije edhe turp të shoqërohen nga kurbetqarët sepse thonë se dallohen që janë ‘Shatzi’, ‘Honey’ e harrojnë që këta ‘Shatzi’ dhe Honey’ janë ata nga të cilët ushqehen e që atyre nuk iu vije turp të punojnë çfarëdo pune që iu ofrohet që të paktën një herë në vit të vijnë e të çmallen me ta.
Të vetmit që kam parë të brengosen për kurbetqarët janë prindërit e tyre, që kanë mall dhe që radhiten në Aeroport, për të pritur ardhjen e tyre në mënyrë që të mos ju kalojnë pa i parë as edhe minutat apo orët e rrugës deri në shtëpi. Ata janë të vetmit që ju puthin ballin, sytë, fytyrën, duart, që ju dinë mallin e tyre dhe që nuk shikojnë valixhet dhe kuletat për të parë dhuratat e tyre.
Ndoshta ky do të quhet një shkrim ‘pa vlera’ siç kritikohen shkrimet ndonjëherë, por të paktën ky shkrim ndoshta do të bëjë dikë, diku, të pendohet për keqpërdorimin e parave të dërguara nga jashtë , dhe do të ketë kujdes më të madh në shpenzimin e tyre.
Nga Valentina Gara
(Shkrimi është opinion personal i autores dhe nuk ka të bëjë asgjë me punën e saj si zyrtare në ANP)
Krijoni Kontakt