Arlinda Desku, Arianit Osmani
Djem të veshur me këmisha të kaltërta dhe pantollona të zeza ishin renditur para arkivolit të Tahir Zemajt, me 8 janar, në Strellc të Deçanit, disa çaste para se dheu ta mbulonte trupin e tij.
Zëri ushtarak ka buçitur para mijëra qytetarëve të cilët ishin tubuar në një livadh të madh, në ceremoninë e varrimit, për ta nderuar Tahir Zemajn, djalin e tij Enisin dhe kusheririn Hasanin, të vrarë me 4 maj në Pejë.
Djemtë e veshur në uniformë kanë qenë ushtarë të Brigadës “Mërgimi”, të udhëhqeur nga Tahir Zemaj në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.
Dy javë më pas, Shpend Shala, bashkëluftëtar i Tahir Zemajt, i cili në ditën e varrimit kishte urdhëruar për nderim, pohon se ata djemë, që atë ditë kanë rënë në sy, do të jenë pjesëtarë të ushtrisë së ardhshme të Kosovës.
“Të betohem para trupit tënd se amanetet tua do t’i çojmë në vend për formimin e armatës profesioniste, sipas standardeve amerikane” – është përbe Shpend Shala para arkivolit në në cilin ndodhej i shtrirë komandanti i tij i luftës, Tahir Zemaj.
Kur ka deklaruar kështu Shpend Shala nuk ka menduar në ndonjë plan konkret për formimin e Ushtrisë së Kosovës, por vetëm në dëshirën dhe qëllimin e komandatit të tij tashmë të vrarë.
Ai thotë se Kosovës i duhet një armatë e vërtetë dhe profesoniste, gjë të cilën, sipas tij, Tahir Zemaj vazhdimisht e ka përsëritur.
“Kolonel Zemaj gjithmonë e ka thënë se Kosovës i nevojitet një armatë, një armatë profesioniste, një armatë moderne me standarde amerikane, me standarde të NATO-s, e cila do të jetë në gjendje t’i mbrojë kufijtë e vet dhe ta ruajë integritetin territorial të shteteit të vet”.
I bindur se kjo një ditë do të ndodhë Shpend Shala ka pohuar se ushtria e ardhshme e Kosovës do të jetë një armatë moderne sa i përket armartimit dhe udhëhëqjes ushtarake, një armatë e depolitizuar, një armatë e cila do të jetë nën udhëheqjen e institucioneve shtetërore, duke filluar nga Presidenti, Qeveria, Parlamenti.
“Do të një armatë që do të jetë e gatshme t’i zbatojë urdhrat e institucioneve shtetërore, e jo të jetë një armatë e cila do t’i përket një krahu politik dhe do t’i përgjigjet vetëm një partie apo një klani partiak”, ka konstatuar ai.
Një projekt i USIP të cilin e ka botuar “Java” thotë se për ta çuar përpara sundimin e ligjit, për t’i krijuar kushtet për vetëqeverisje si dhe për ta forcuar stabilitetin në regjion, Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) duhet të reformohen, duke i larguar kriminelët e ekstremistët e duke i shtuar funksionet që i shërbejnë qytetarëve të Kosovës.
TMK-ja e reformuar, thuhet tutje, çfarëdo emri që do ta mbajë, duhet të jetë pjesë integrale e një sistemi të sigurisë, i cili do të ishte transparent, i përgjegjshëm e i kontrolluar prej autoriteteve civile, të bashkërenditura me autoritetet e zgjedhura vetëqeverisëse të Kosovës.
Duke dhënë propozime se si duhet bërë këtë transformim, rekomandimet e USIP përmendin “Pastrimin e Madh” si një nga opcionet (Opcioni B).
“Të shpërbëhet TMK krejtësisht dhe të thirren pjesëtarët e saj për të konkuruar për pranim në strukturat e reja. Të pranohen vetëm ata që kanë dosje të pastër, e konkursi me qenë i hapur edhe për pjesën tjetër të shoqërisë kosovare. Kjo do ta kishte shpejtuar procesin, ose do të mund të bëhej pas Opcionit A, i quajtur Pazar i Vogël Juridik” Opcioni A thërret për pastrim parcial të TMK-së duke arrestuar e dënuar pjesëtarë të TMK-së të përfshirë në aktivitete kriminele.
Shpend Shala: “Nuk mund të flas tash. Nuk është momenti…”
Projekti i Insitutit Amerikan për Paqe (USIP) i pasuar menjëherë nga një projekti i përgatitur më herët i Gjeneral Agim Çekut, bashkë me deklaratat e Tahir Zemajt për plane për hyrje në TMK dhe qëllimet e Presidentit Rugova për ta emëruar atë këshilltar për Siguri Kombëtare si dhe arrestimet e shpeshta dhe pothuajse sistematike të pjesëtarëve të TMK-s, kanë shtruar shumë pyetje, përgjigjja e të cilave ka qenë më shumë se e paqartë rreth fatit të TMK-së. Mjegulla është shtuar më shumë pas vrasjes së Tahir Zemajt dhe deklarimeve të pasuesve të tij se do ta formojnë Ushtrinë e ardhshme të Kosovës.
Shpend Shala nuk e sheh si të duhur momentin për të treguar nëse komandanti i tij Tahir Zemaj ka qenë i përfshirë në planet amerikane për transforimin e TMK-së në forcë të re të Kosovës.
“Nuk mund të flas tash. Nuk është momenti dhe koha” - ka thënë ai, duke pohuar se vjen një ditë kur gjithçka do të jetë e qartë.
Mark Krasniqi, kryetar i Partisë Demokaristiane Shqiptare të Kosovës, i njohur si njeri i afërt i Presidentit Rugova dhe përkrahës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte plaku më i respektuar atë ditë në ceremoninë e varrimit të Tahir Zemjat në Strellc të Deçanit, ndërsa citate nga fjalimi i tij u përcollën në ballinat e disa mediave kosovare.
“Edhe komandantët e luftës mund të vriten në paqe e në liri, por jo edhe ushtria. Koloneli Tahir Zemaj është vrarë, por nuk do të vritet kurrë ushtria e tij, Ushtria e Kosovës” - ka thënë Mark Krasniqi.
Dy javë më pas ai thotë se nuk ka menduar në diçka konkrete kur ka deklaruar ashtu, por bëhet fjalë thjesht për një vlerësim të tij.
“Me vrasjen e Tahir Zemajt nuk vritet ushtria e tij, do me thënë nuk vriten idealet e tij, nuk vritet ardhmëria e Kosovës, siç mendojnë kriminelët të cilët e kanë vrarë Tahir Zemajn”.
Mark Krasniqi thotë se ushtria është populli, ndërsa përmend se në nderim të Tahir Zemajt në ditën e varrimit të tij kanë qenë të paktën 100 mijë vetë.
“Do të thotë populli ka qenë aty. Pra, populli nuk vritet nëse vritet një udhëheqës i tij. Këtë e kam menduar…”
Tahir Zemaj, në një intervistë për “Javën”, disa muaj para se të vritej, ka pohuar se për TMK-në si trupë civile nuk ka ambicie, por ka ambicie për trupa ushtarake. Për këtë, ka thënë ai, duhet punar shumë.
“Në një kohë kur të bëhen ndryshimet e Kornizës Kushteutese dhe të pavarësohet Kosova duhet të jemi të gatshëm për atë që populli gjitmonë e ka në kry, formimin e Ushtrisë së Kosovës, e cila duhet të jetë jo e afrët sikur Ushtria e Izraelit, por e nivelit edhe më të lartë sa i përket përgatitjeve ushtarake’
Amerikanët përkrahin TMK-në e sotme, si agjencion civil
UNMIK-u që mban ekskluzivisht kompetencat mbi sigurinë ë Kosovës ka hedhur poshtë tërësisht mundësinë e ekzistimit të ndonjë plani, çfarëdoqoftë ai, për formimin e një ushtrie të Kosovës. Zëdhënësit i Shtajnerit, Simon Haselhock ka pohuar se tashmë është e njohur që shqiptarët e Kosovës disa herë kanë përmendur një gjë të tillë, dhe se kjo nuk është çështje e vetëm këtij momenti.
“Ata e kanë përmendur këtë gjë për një kohë të gjatë. Nuk është kjo çështje e këtij momenti. Për këtë gjë politikanët e Kosovës dhe vetë TMK-ja kanë diskutuar shpeshherë edhe haptas. Por përgjigja e shkurtër është jo” - ka thënë Hasselhock.
Për propozimet e USIP për transformimin e TMK-së Hasselhock ka thënë se ato janë rekomandime të një organizate joqeveritare që nuk përfaqësojnë qëndrimet e qeverisë amerikane as të SHBA-ve në përgjithësi.
“Aq më pak ato mund të përfaqësojnë qëndrimet e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Haselhock, duke mos dashur të komentojë më tej.
Në kuadër të zgjidhjes së çështjës së Kosovës, shefi i misionit të SHBA-së në Prishtinë, Reno Harnish, ka veçuar çështjen e transformimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, të përbëra kryesisht nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që është shpërbërë, si një nga parakushtet për nisjen e bisedimeve për statusin final të Kosovës.
Agjencia e lajmeve Sense ka përcjellur deklaratën e Reno Harnish në të cilën thuhet se nuk ekziston plan amerikan për transformimin e TMK-së.
"Mirëpo, është e qartë se transformimi është i domosdoshëm në procesin e mëtejmë të stabilizimit të situatës dhe shndërrimit të dëshiruar të Kosovës, me institucione shumëkombëshe dhe demokraci të zhvilluar dhe ekonomi të tregut, në pjesën e qetë të Evropës së zhvilluar. Përgatitjet e këtyre reformave tashmë ka filluar. Trupat Mbrojtëse të Kosovës të reformuara, pa marrë parasysh se me cilin emërtim dhe në çfarë përbërje, është e nevojshme të pasqyrojnë pjesë përbërëse të sistemit të sigurisë, i cili është nën kontrollin civil dhe i lidhur me pushtetin vetëqeverisës në Kosovë", ka thënë Harnish për Sense.
Në një prononcim për “Javën” ndërkaq Harnish ka kërkuar nga TMK të kryejë një mision të rëndësishëm në Kosovë si agjencion civil për shërbime emergjente. Shefi i misionit të SHBA-së në Kosovë ka konstatuar se TMK shpesh ka kryer këto detyra në mënyrë të efektshme dhe profesionale, që u dëshmua me reagimin e shpejtë dhe punën e paçmueshme pas tërmetit në Gjilan në muajin prill, pastaj me rastin e zjarrit në termoelektranën e Obiliqit në muajin korrik dhe së fundi në ndihmën emergjente që e dha nëpër tërë Kosovën gjatë vërshimeve.
“Shtetet e Bashkuara plotësisht e përkrahin TMK-në në këtë mision dhe kontribuon me ekspertizë dhe financim të konsiderueshëm të programit të aftësimit të Zyrës Ndërkombëtare të Migrimeve (IOM) që ka për qëllim rritjen e shkathtësive dhe përmirësimin e standardeve profesionale.
Në këtë përpjekje për zhvillim mbetet edhe shumë për t’u bërë dhe ne besojmë se kjo është pika më e qëlluar në të cilën TMK-ja duhet të përqëndrohet. Ne, po ashtu, kërkojmë nga ata që me mençuri të lëvizin përpara për rekrutim të konsiderueshëm të pjesëtarëve të pakicave, sipas marrëveshjes së shtatorit 1999. Ne e urojmë gjeneral Çekun dhe meshkujt e femrat e TMK-së për rolin e tyre në përparimin e gatishmërisë së emergjencës civile në Kosovë”, ka deklaruar Harnish për “Javën”.
Bukoshi: Profesionistët brenda, çobanët jashtë
Projekti i Gjeneral Agim Çekut për transformimin e TMK-së në FMK përmend krijimin e një institucioni i cili popullit të Kosovës do t’i ofrojë mundësi për mbrojtjen e sovranitetit dhe institucioneve të tij demokratike dhe do t’i siguronte të drejtën për vetëvendosje në përputhshmëri me Kartën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke cituar paragrafin 25, pika b të Marrëveshjes për Demilitarizim të UÇK-së e cila thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë në konsideratë
“Formimin e një Armate të Kosovës të ngjashme me Gardën Kombëtare të SHBA-së, si pjesë e procesit të përcaktuar politik për vendosjen e statusit përfundimtar të Kosovës, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje”.
Tahir Zemaj, i cili ishte komandnat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, përkatësisht i njësive të FARK-ut, një shhkurtesë kjo për Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës të themeluara nga Qevereia në mërgim e Bujar Bukoshit, dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë ka kërkuar që bashkë me oficerët e tij të inkuadrohet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Njesitë e FARK-ut dhe të UÇK-së ishin në rivalitet që nga vera e vitit 1998, rivalitete këto që u trashëguan edhe në Kosovën e pasluftës.
Bujar Bukoshi pranon se edhe sot e kësaj dite ashiqare hetohen ndasitë dhe kjo sipas tij është haraç i së kaluarës.
“Hetohen ndasitë, natyrisht. Kjo është një lloj fature që ne po e paguajmë nga e kaluara. Por, unë jam për atë që tash të shikohet përpara, të shikohet çka mund të bëjmë për të ardhmen”.
A është Bujar Bukoshi njeriu përgjegjës për këtë situatë, për faktin se krejt kjo gjeneron prej kohës së luftës?
“Nëse ju konsideroni se duhet të jetë përgjegjës një njeri i cili është angazhuar për ato institucione të Kosovës, nëse kjo konsiderohet si përgjegjësi, ose nëse doni ta quani krim pse dikush është angazhuar për institucionet e Kosovës, atëherë lirisht mund të më quani edhe mua kriminel”.
Bujar Bukoshi thotë se FARK-u më nuk ekziston, sepse nuk ekziston Ministria e Mbrojtes së Republikës së Kosovës, ndërsa pohon se Trupat Mbrojtëse të Kosovës janë të influencuara nga partitë e dala nga lufta.
“Nëse partitë politike vazhdojnë të pretendojnë të jenë pronare ose bossa të TMK-së atëherë kjo është fatale, katastrofike”, ka thënë Bukoshi, duke shtuar se TMK duhet të jetë një institucion i pavarur, i depolitizuar, profesionist dhe dikur të bëhet një ushtri e Kosovës.
Kolonel Muharrem Mahmutaj zëdhënës i kabinetit të Gjeneral Agim Çekut ka hedhur poshtë “akuzat” se TMK është e politizuar, duke thënë se kjo nuk është aspak e vërtetë.
“Ne po mundohemi ta ndërtojmë një institucion demokratik, me standarde ndërkombëtare. TMK është e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në shërbim të tyre. Ne i gjykojmë njerëzit vetëm në bazë të vlerave dhe aftësive e jo në baza partiake e etnike”, ka thënë Mahmutaj.
Tahir Zemaj, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, i udhëhequr nga Ministria e Mbrojtes së Republikës së Kosovës, pas kthimit të tij në Kosovë ka kërkuar që të inkuadrohej në TMK bashkë me oficerët dhe ushtarët e tij, sepse thoshte se nuk e ka ndërmend të politizohet ndërsa pohonte se do të qëndronte në vijën e tij ushtarake deri ne fund.
Shpend Shala thotë se jo vetëm Tahir Zemaj por të gjithë ushtarkët profesionistë që kanë kontribuuar në luftën e fundit në Kosovë, e cila u udhëhoq nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e të cilët kanë mbetur jashtë TMK-së, gjithësesi e kanë vendin në një armatë të ardhshme apo në një trupë të ardhshme që parashihet me reformimin e TMK-së.
“Kjo duhet të bëhet”, është këmbëngulës ai.
Bujar Bukoshi mendon se nuk është keq nëse dikush ka mbetur jashtë të hynte në TMK, nëse bëhet fjalë për profesionistë të cilët do të mund ta ndihmonin këtë trupë mbrojtëse.
“Nëse është farë eksperti, merr vesh në këto punë, pse të mos hyj në TMK, pse të mos bëhet ndërrim me dikë që është në TMK e që s’merr vesh, që s’ka lidhje me këto punë, është çoban. Pse të mos përmirësohet kjo strukturë e TMK-së? Por, pa të keq, jo në sensin e rivalitetit të partive, tash këta janë të partisë time do të hyjnë në TMK, këta të partisë kundërshtare do t’i heqim të gjithë. Kjo është ajo idotizma shqiptare ose papërgjegjësia e partive politike dhe e liderëve politikë”.
Bukoshi nuk ka ndonjë recept se si do të mund të bëhej kjo, por mendon se ky do të jetë një proces i gjatë dhe mund të arrihet nëse ka vullnet politik. Por, deri më sot ai thotë se nuk ka parë gatishmërinë e partive politike, të liderëve të partive kryesore politike, që të merren vesh për gjëra elementare dhe kapitale të ardhmërisë së Kosovës.
“Unë sot konstatoj me keqardhje faktin se sa të papërgjegjshëm janë udhëheqësit kryesorë politikë në Kosovë”.
Projekti i USIP vë në pah se vendosja e TMK-së nën mbikëqyrjen e autoriteteve të zgjedhura civile, do ta kishte mëkëmbur edhe pajtimin vendase ndaj përgjegjësisë, edhe për t’ua demonstruar votuesve kosovarë se siguria e tyre së paku parcialisht është në duar të përfaqësuesve që i kanë zgjedhur dhe i rekomandon PSSP krijimin e një Këshilli të Mbrojtjes e të Sigurisë të Kosovës multi-partiak e multi-etnik, për ta këshilluar në çështje të sigurisë publike, në veçanti lidhur me minoritetet edhe me luftën kundër krimit të organizuar.
Edhe projekti i Gjeneral Çekut përmend vendosjen e TMK-së nën kontroll civil tani për tani të UNMIK-ut dhe më vonë të Qeverisë së Kosovës dhe administrimin e saj nga një Ministri e Qeverisë (siç thuhet aty, eventualisht Ministri të Mbrojtjes). Më tutje ai thotë se tash për tash nuk ka nevojë për ndryshim në zingjirin e komandës dhe të kontrollit të definuar në Deklaratën e Parimeve derisa të mos përfundohet transformimi.
Këtu projektet pajtohen: Vendosja e TMK-së nën mbikqyrjen e autoriteteve civile, Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurise sipas projektit amerikan, ose Ministrisë së Mbrojtjes, sipas projektit të Çekut.
Çka do të thotë kjo?
Që gjeneral Çeku t’i raportojë me qëndrim gatitu kryetarit Rugova dhe anasjelltas, që Rugova ta vizitojë e të kujtohet për të, psh, me 28 Nëntor?
Por, tash për tash, zëdhënësi i UNMIK-ut, Simon Haselhock thotë se administrata ndërkombëtare nuk ka kurrëfarë plani për vendosjen e TMK-së nën mbikqyrjen e institucioneve vetëqeverisëse të Kosovës
Administrata ndërkombëtare në Kosovë ëshstë e interesuar që TMK ta përmbushë mandatin e vet, që sipas tyre është shumë e qartë e artikuluar si trupë civile për raste emergjente.
Në Kornizën Kushtetuese, Kreu 8, Kompetencat dhe përgjegjësit e rezervuara për PSSP-në, (në pikën gj) parashihet edhe ushtrimi i kontrollit dhe pushtetit mbi Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Gazeta Java
Krijoni Kontakt