Aferdita Sharxhi: Thesaret që fshihen në vëllimet e “Albanica-s”

» Dërguar më: 30/05/2009 - 13:55

Fatmira Nikolli

Duke mos qenë dëshmitarë të shekujve që njerëzimi ka jetuar, ne ata do të mund t'i njohim vetëm përmes gjurmëve që kanë lënë. Por, vite e dekada të tëra janë ngjitur me njëri-tjetrin në këto botime. Ngjarjet, po ashtu. Duket sikur prekim momente të lashtësisë përmes dokumentimit të saj. Dokumente të rralla, harta të vjetra, botime shekullore, pamje që nuk do të mund t'i imagjinonim, e që hedhin dritë mbi një të kaluar që ne nuk e njohim nga afër. Këto janë vetëm disa episode të shkurtra të atyre që janë pjesë e Albanica-s, një bibliografi tematike e botuar në dy vëllime nga Biblioteka Kombëtare, ndërsa së shpejti do të mund të kemi në duar edhe vëllimin e tretë. Në dy botimet e deritanishme, "Albanica" përfshin si zëra më vete edhe harta e ilustrime, pamje qytetesh a fshatrash, portrete, veshje, monumente. Teksa e shfletojmë, shohim vepra të ndryshme (libra, dorëshkrime, harta) të shkruara kryesisht në gjuhë të huaja, por edhe në gjuhën shqipe për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat trajtojnë tërësisht apo pjesërisht, çështje që lidhen me historinë, etnologjinë, folklorin, gjuhën, letërsinë, kulturën, personalitetet e spikatura të popullit tonë që nga lashtësia deri në vitin 1912, kur u shpall edhe Pavarësia e Shqipërisë. Si një bibliografi me vëllime, "Albanica" deri tani ka dy vëllime të sajat, ndërsa është në përfundim i treti dhe po punohet edhe për të katërtin. Në këto botime përfshihet ajka e veprave, letrave dhe dokumenteve që kanë rëndësi të madhe për gjuhën shqipe dhe për vendin tonë. Autorë të huaj dhe shqiptarë që kanë shkruar për Shqipërinë pasi e kanë njohur atë nga afër, duke na sjellë sot ne, përjetimet e tyre dhe emocionet. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Afërdita Sharxhi, Përgjegjësja e Departamentit të Albano-Balkanologjisë në Bibliotekën Kombëtare, në rrëfen veprat e rralla, fondin e antikuarit dhe të gjitha ato shkrime e botime të rralla për të cilat vëllimet e Albanica-s na tregojnë në faqet e veta.

Për të gjithë ata që nuk e kanë të qartë, çfarë është ALBANICA?


Albanica është bibliografi tematike me adnotime (shënime). Siç kuptohet dhe nga titulli, kjo bibliografi përmban të renditura kronologjikisht, sipas vitit të botimit. Deri tani janë botuar dy vëllimet e para, që përmbajnë vepra të botuara në shek. XV-XIX. Pothuajse kemi gati vëllimin e tretë që përfshin veprat e botuara gjatë viteve 1850-1900 dhe jemi duke zbërthyer librat për vëllimin e katërt (botime të viteve 1900-1912). Veprat e përfshira në këtë bibliografi ndodhen në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare, që është edhe qendra më e madhe në vend e më gjerë e përpunimit dhe dhënies së informacionit me karakter albanologjik. Një pjesë fare e vogël e tyre ndodhen në disa biblioteka të tjera kryesore të vendit. Bibliografia "Albanica" është fryt i punës së një plejade të tërë bibliografësh të ditur e të përkushtuar të Departamentit të Albanologjisë. Puna për hartimin e kësaj bibliografie ka filluar 45 vjet më parë, kur ende nuk ishte krijuar si departament më vete Albano-Balkanologjia. Në vitin 1965, u botua vëllimi i parë që përmban një numër të konsiderueshëm veprash të rralla për Shqipërinë, hartuar nga bibliografët e nderuar, Aldo Çobo e Zef Prela. Po ky vëllim u ribotua i përmirësuar e i plotësuar në vitin 1998, duke bërë të mundur kështu dyfishimin e veprave të përshkruara në të, pa përmendur hartat dhe ilustrimet e nxjerra nga këto vepra. Vëllimi i dytë u botua në vitin 1987. Bibliografia përfshin si zëra më vete edhe hartat e ilustrimet (pamje qytetesh a fshatrash, portrete, veshje, monumente etj).

Vëllimi i parë i Albanica-s përfshin botime të shek. XV-XVIII. Cila është vlera dhe rëndësia e këtyre botimeve të vjetra?

Së pari, botimet e përfshira në vëllimin e parë, 626 të tilla, përveç 52 hartave dhe 110 ilustrimeve e hartave të nxjerra nga këto vepra, kanë rëndësi për vjetërsinë e tyre. Ato u takojnë shekujve XV-XVIII. Libri më i vjetër i përfshirë në këtë bibliografi është vepra e Papa Piut II, bashkëkohës i Skënderbeut, Letra mbi Kuvendin e Mantovës, botuar në Milano në vitin 1473. Është një libër i rrallë, inkunabul që hedh dritë mbi Kongresin e Mantovës, mbajtur në vitin 1459, ku u vendos të ndërmerrej një ekspeditë ushtarake ndërkombëtare kundër pushtuesve osmanë, pjesë e së cilës do të ishin edhe shqiptarët. Së dyti, këto botime të rralla janë pjesë e kujtesës së shkruar kombëtare e botërore. Së treti (në fakt është e para) e mbi të gjitha, këto vepra kanë vlerë për përmbajtjen e tyre, për të dhënat dhe informacionin që sjellin. Janë kryesisht vepra të shkruara nga të huajt, nga autorë të shek. XV-XVII, por edhe nga autorët antikë greko-romakë, bizantinë etj, të botuara gjatë këtyre shekujve. Në këtë aspekt nuk mund të lëmë pa përmendur edhe veprat e autorëve shqiptarë si, Barleti, Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, Matrënga, Dhimitër Frëngu, Nezim Frakulla etj, apo botimet e Voskopojës të shek. XVIII, me shumë rëndësi për historinë e librit, shtypshkrimeve dhe kulturës shqiptare.

Ky vëllim ka të dhëna edhe për fondin albanologjik antikuar. Cili është dhe çfarë përmban ky fond?

Është e vërtetë, veprat që përmban Albanica, na japin një mori të dhënash për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pas njoftimeve të para për fiset ilire që gjejmë në poemat e Homerit, pasojnë të dhënat shumë të rëndësishme me karakter historik, ekonomik, gjeografik e politik për Ilirinë në veprat e Tukididit, Tit Livit, Diodorit të Sicilisë, Kurt Rufit, Plutarkut, Arianit, Dion Kasit, Apianit, Aristotelit etj. Me vlera të pazëvendësueshme për gjeografinë e historinë e lashtë të vendit tonë është vepra e Strabonit "Gjeografia" dhe ajo e Plinit të Vjetër, "Historia e natyrës". Për periudhën e pushtimit romak tërheqin vëmendjen komentarët e Jul Cezarit, veçanërisht komentari për luftën civile, luftë e cila u zhvillua edhe në trojet ilire. Me kalimin e qendrës së gravitetit të Perandorisë romake drejt Lindjes, dalin vepra si "Gjeografia" e Klaud Ptolemeut, që konsiderohet më e rëndësishmja për periudhën romake dhe një nga më të rëndësishmet e periudhës së lashtësisë. Veprat e autorëve dhe kronistëve bizantinë si, Prisku, Prokopi i Cezaresë, Menandri, Malala, Simokata, Pahimeri, Ana Komnena, Gjergj Akropoliti, Niqifor Briemi, Jan Kantakuzeni, etj, sjellin njoftime historike, gjeografike, administrative, ekonomike e fetare, me shumë interes për historinë e antikitetit të vonë e të Mesjetës së Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare. Janë pikërisht këto tregime e kronika bizantine që përmendin për herë të parë emrin Albanoi, emër me të cilin shqiptarët u bënë të njohur në mesjetë. Një numër i madh veprash historike e letrare i kushtohen periudhës së Skënderbeut dhe fitoreve të shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Kjo periudhë e historisë sonë është pasqyruar në veprat e bashkëkohësve të Skënderbeut si, Enea Silvio Pikolomini (Papa Piu II), Gjergj Merula, Halkakondili dhe në veprat e një plejade të tërë humanistësh e shkrimtarësh evropianë si, Kambini, Jovi, Spanduxhino, Sabeliko, Leonklavi, Lavardeni, Pontani, Noullsi, Dyponse, Sarroki, Shevro, Bysie, Uinkop etj. Do të veçonim këtu veprën "Historia e Skënderbeut të Marin Barletit", babait të literaturës skënderbeiane, që u botua për herë të parë në Romë rreth viteve 1508-1510 dhe u ribotua disa herë në latinisht. Jehona e kësaj vepre në arenën ndërkombëtarë ishte shumë e madhe. Ajo u përkthye dhe botua në shumë gjuhë të tjera evropiane. Me vlerë për studimin e periudhës postskënderbeiane janë veprat "Lufta e Shkodrës", dorëshkrim i Gjergj Merulës që mban datën 4 shtator 1474 dhe "Rrethimi i Shkodrës", po i Barletit, botuar më 1504. Në veprat e botuara në shek. XV-XVII gjejmë përpjekjet e para për shpjegimin e origjinës së popullit shqiptar në aspektin historik dhe atë gjuhësor. Ndër to vlejnë të përmenden veprat e Katançiçit, filozofit gjerman G. V. Lajbnic, apo suedezit Johan (Hans) Tunman, i cili me veprën e tij "Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindore", botuar më 1774 në Lajpcig, bën përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e popullit shqiptar e të gjuhës së tij, duke arritur në përfundimin se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre, vazhdues të ilirëve, të cilët nuk u romanizuan, tezë e kjo e çuar më tej nga një plejadë albanologësh të gjysmës së dytë të shek. XIX. Me interes për historinë e gramatologjisë shqiptare është edhe "Vrojtime gramatikore në gjuhën shqipe" e misionarit italian Françesko Maria Da Leçe, botuar në vitin 1716 në Romë. Vepra konsiderohet si gramatika e parë e plotë e gjuhës shqipe që njihet deri më sot. Së fundi do të thosha se vlerat kësaj bibliografie ia shton përfshirja në të e veprave në gjuhën shqipe e autorëve të vjetër shqiptarë si, Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, Matrënga, me rëndësi për historinë e gjuhës, të shkrimit e të librit shqip. Meshari i Gjon Buzukut ka po atë rëndësi për shqipen dhe kulturën shqiptare, sa ç'ishte për gjuhën dhe kulturën gjermane përkthimi i Biblës prej Martin Luterit, botuar vetëm 20 vjet para Mesharit.

Vëllimi ka të dhëna edhe për kodikët e shekujve VI-XIV. Sa kodikë janë? Na thoni diçka për to?

Po, në këtë vëllim të Albanica-s përfshihen edhe një numër kodikësh, që ndodhen në Arkivin e Shtetit, prej të cilëve veçojmë Kodikun e purpurt të Beratit, më i vjetri i gjetur në vendin tonë, që përmban Ungjillin e Shën Mateut e të Shën Markut dhe i takon shek VI, Kodikun e Anthimit të shek. IX, të gjetur po në Berat, Katërungjijtë e Beratit dhe Katërungjijtë e Vlorës të shek. X, emërtuar ndryshe Kodiku i katërt i Beratit e Kodiku i pestë i Vlorës, Kodikun e Metropolisë së Korçës për regjistrimet e përgjithshme të pagëzimeve e të vdekjeve etj. Nuk mund të lë pa përmendur edhe dorëshkrimin me 154 fl., të Kostë Beratit, njohur ndryshe Kodiku i Kostë Beratit, që përmban pjesë leximi, poezi fetare në shqip me alfabet grek e në greqisht si dhe dy fjalorë shqip-greqisht. Ky kodik, që i takon shek. XVIII, ndodhet në koleksionin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare. Për njohuri të mëtejshme mbi kodikët do t'u rekomandoja lexuesve të gazetës suaj veprën e studiuesit, Shaban Sinani Kodikët e Shqipërisë.

Edhe botimet e shtypshkronjës së Voskopojës, siç përmendët më lart, janë pjesë e kësaj bibliografie. A mund të na thoni diçka për to?

Dihet se në shek. XVIII Voskopoja ishte një nga qendrat më të zhvilluara e të rëndësishme të Shqipërisë, e njohur veçanërisht për Akademinë dhe shtypshkronjën e saj. Në këtë periudhë, në vitet 1730-1760 nga shtypshkronja e Voskopojës panë dritën e botimit nën kujdesin e Grigor Voskopojarit një numër i konsiderueshëm veprash për kohën. Nga këto botime veçoj "Gramatikën e gjuhës greke" të Teodor Kavaliotit, botuar në vitin 1760. Shumica e librave të Voskopojës janë me përmbajtje fetare, por me rëndësi shumë të madhe për historinë e shtypshkrimit, të botimeve dhe të librit në Shqipëri.

Albanica i ka 626 vepra, 52 harta, 110 ilustrime, etj. Prej tyre, kë do të veçonit më të rëndësishmen për nga vlera apo informacioni që jep?

Kësaj pyetje pak a shumë i kam dhënë përgjigje më lart. Për mua është e vështirë të them se cila është më rëndësishmja, sepse ato të gjitha sipas veçantisë kanë vlerën dhe rëndësinë e tyre. Veprat e përfshira në këtë bibliografi kanë rëndësi për vjetërsinë e tyre, pra për kohën kur janë botuar. Më e vjetra është vepra e Papa Piut II, botuar në vitin 1473 në Romë. Por rëndësia e saj dyfishohet edhe për informacionin që sjell për Shqipërinë. Po kështu me shumë vlerë janë edhe veprat e humanistëve shqiptarë Marin Barleti apo Marin Beçikemit, vepra e Gjergj Merulës "Rrethimi i Shkodrës", shkruar në latinisht dhe botuar në vitin 1504, apo veprat e autorëve të vjetër shqiptarë si Çeta e profetëve e Bogdanit, shkruar shqip e italisht dhe botuar në vitin 1685 etj. Shumë të rëndësishme për njoftimet që sjellin janë veprat e autorëve antikë greko-romakë dhe të kronistëve bizantinë, burime të vetme për historinë e antikitetit dhe të mesjetës shqiptare. Për mua të gjitha kanë vlerën e tyre në një aspekt apo një tjetër. Do të thosha që edhe hartat e vjetra të përfshira në këtë bibliografi kanë një rëndësi shumë të madhe për hartografinë, gjeografinë historike dhe toponiminë e vjetër të trojeve shqiptare, për të dhënat statistikore që sjellin mbi popullsinë e qyteteve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Veçoj këtu hartën "Rrjedha e lumenjve Drin dhe Bunë" e Vinçenco Maria Koronelit, hartografit më në zë të Republikës së Venedikut, që paraqet me hollësi trojet veriore shqiptare me të dhëna demografike sipas përkatësisë fetare të popullsisë.
Albanica II përfshin rreth 382 vepra të botuara nga 1800-ta deri në 1849-ën.

Cilat janë vlerat e këtyre botimeve dhe çfarë sjellin për lexuesin?

Nëse veprat e rralla kanë dyfish rëndësi, për vjetërsinë dhe informacionin që sjellin, botimet e këtyre viteve, kuptohet, kanë më shumë vlerë për përmbajtjen e tyre. Jo se nënvlerësoj kohën e botimit të tyre gati 200-vjeçare, pasi ka vende që edhe botimet e dhjetëvjeçarit të parë të shek. XIX i konsiderojnë vepra antikuar, të rralla. Në këtë periudhë perceptimi për shqiptarët nga të huajt është ad visu, i drejtpërdrejtë. Rritet mjaft interesimi i tyre për Shqipërinë e shqiptarët. Në qarqet shkencore evropiane gjatë këtij gjysmëshekulli merr hov indoevropianistika. Shumë personalitete evropiane, diplomatë, poetë, piktorë, ushtarakë, gazetarë, klerikë e udhëtarë përshkojnë në këtë kohë vendin tonë, të cilët vëzhgimet e tyre, gjithçka që kanë parë e prekur, i hedhin në letër. Kjo është arsyeja që në këtë gjysmëshekulli janë të shumta veprat mbi Shqipërinë. Mjafton të përmendim emrat më të njohur të anglezëve Bajron, Lik, Hobhauz, Holland, Hjuz, Erkhart, etj, të francezëve Pukvil, Vodonkur, Bue, D'Esturnel, Robert, etj, të gjermanëve e austriakëve Bertold, Myler, Ksilander, Grizebah, Hamer, Ranke, Falmerajer etj, të italianëve Skrofoni, Grasi, Çiampolini, Soria, etj., në veprat e të cilëve gjejmë analiza përgjithësuese me karakter studimor për mjaft aspekte të rëndësishme që kanë të bëjmë me Shqipërinë e shqiptarët. Veprat e bizantinistit austriak, Falmerajer, Historia e Gadishullit të Moresë gjatë mesjetës dhe Elementi shqiptar në Greqi janë burim me shumë rëndësi për historinë e mesjetës Shqiptare, e veçanërisht për emigrimin e përhapjen e shqiptarëve në trevat greke. Në shumë vepra të kësaj periudhe në qendër të vëmendjes është Ali Pashë Tepelena dhe Pashallëku i tij. Veçojmë këtu veprën në tre vëllime "Udhëtim në More", për në Kostandinopojë, në Shqipëri dhe në shumë pjesë të tjera të Perandorisë Osmane gjatë viteve 1797, 1799, 1800 e 1801 të konsullit francez në Janinë, Fransua Pukëvil, botuar e ribotuar disa herë në disa gjuhë evropiane. Një vend në këtë bibliografi zënë edhe veprat e arbëreshëve të Italisë si, Jeronim De Rada, Engjëll Mashi, Zef Krispi, Emanuel Bidera, Vinçenco Dorsa, etj, të rëndësishme veçanërisht për historinë e emigrimit të arbëreshëve, vendbanimet e tyre të reja, dialektin e letërsinë arbëreshe në Itali, etj. Po kështu përfshihen këtu edhe botimet në gjuhën shqipe si përkthimet e para të Dhiatës së re në dialektin jugor nga Vangjel Meksi, abetarja e parë e gjuhës shqipe me titull "Fort i shkurtër e i përdorshëm Evëtar shqip" e Naum Veqilharxhit, botuar në 1844 etj. apo letërsia shqipe e bejtexhinjve.

Çfarë kuptohet nga botimet e autorëve të huaj me Shqipërinë e kohës?

Meqenëse pjesa më e madhe e autorëve të huaj i kishin prekur trojet shqiptare, në veprat e tyre ata pasqyronin gjendjen reale politike, ekonomike e sociale të kohës, sillnin përshtypjet e vëzhgimet e tyre mbi jetën e shqiptarëve, doket e zakonet e tyre, rebelimin e shqiptarëve ndaj Portës së Lartë etj. Pjesa më e madhe vlerësonin shqiptarët dhe karakterin e tyre, mikpritjen dhe besën e shqiptarit, i shihnin ata me pozitivitet.

Cili është vendi i albanologjisë në Indoevropianistikë?


Me Albanologji kuptojmë tërësinë e studimeve për historinë, gjuhën dhe kulturën e popullit shqiptar, të cilat prej shekujsh kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve të huaj. Lindi në fund të shek. XVIII dhe u zhvillua mjaft në gjysmën e dytë të shek. XIX. Ka lidhje me indoevropianistikën. Albanologët e huaj kanë dhënë një kontribut të çmuar në studimin e problemeve shqiptare si, prejardhja e popullit shqiptar dhe djepi i formimit të tij, prejardhja e gjuhës shqipe dhe afëritë e saj me gjuhët e tjera, vendi i shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane etj. Duhet thënë se përpjekjet për t'u dhënë zgjidhje këtyre problemeve në këtë gjysmëshekulli (1800-1850) janë të pakta. Ende nuk kemi studime shkencore të argumentuara si ato të gjysmës së dytë të shek. XIX. Vepra që shënoi një etapë të rëndësishme në fushën e Albanologjisë është Studime shqiptare e Johan. G. Hahnit, botuar në vitet 1853-1854 që shërbeu si bazë e studimeve të mëvonshme albanologjike. Në këtë kuadër përmendim edhe veprën Mbi gjuhën shqipe, në lidhjet e farefisnisë gjuhësore të saj të indoevropianistit e albanologut më në zë gjerman, Franc Bop, botuar më 1855. Në këtë vepër ai argumentoi shkencërisht tezën se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja dhe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Veprat e tyre bëjnë pjesë te Albanica III, të cilën e kemi pothuajse gati për botim.
Ju pothuajse keni përfunduar Albanica-n III dhe po punoni për Albanica-n IV. Cilat botime do të përfshihen? Na rrëfeni disa detaje prej këtyre dy vëllimeve…
Diçka thashë më sipër. Por më mirë t'ia lëmë kohës e të rrëfejmë kur këto botime të kenë dalë. E lëmë për një intervistë tjetër. Të jeni e bindur që lexuesit nuk do t'i zhgënjejmë. Besoj se edhe këto vëllime do të jenë me interes për lexuesit në përgjithësi e për studiuesit e fushës së Albanologjisë në veçanti. Për një gjë po jua shuaj kureshtjen: këto vëllime, lexuesit do t'i kenë edhe në formën e botimit elektronik.

gsh.