Intervistë me studiuesin e artit të fotografisë, Qerim Vrioni


Magjia e dhomës së errët


Bisedoi, Redin Hafizi


- Zoti Vrioni, si ju ka lindur pasioni për fotografinë?

Unë kam jetuar gjatë në Vlorë dhe dihet se bregdeti i saj është nga vendet më piktorike të vendit. Kështu, rreth 16-17 vjet më parë fillova të fotografoj me një aparat amatorësh, peizazhe natyrore. Fotografitë nuk ishin të pastra teknikisht, por miqtë më thoshin se ishin piktorike dhe të kuadruara bukur. Doja të hapja një ekspozitë me to, por ato ishin, "flu", pra nuk u arrit hapja e saj. Më pas, bleva një aparat më profesional e fotot filluan të përmirësoheshin teknikisht dhe me fotot e realizuara mora pjesë në dy-tri edicione të konkurseve "Marubi" në Tiranë dhe "Gjon Mili" në Prishtinë.


- Si kaluat nga fotografia tek studimi i saj?

Shkaku i fillimit të studimit të fotografisë është një foto e Kel Marubit. Në vitin 1999, një shok i vjetër që nga gjimnazi, Qemal Agaj, më dërgon nga Amerika albumin fotografik "The Photo Book" të Shtëpisë Botuese londineze "Phaidon", me 500 fotot më të zgjedhura të të gjitha kohëve, i botuar po atë vit. Në të përfshihej edhe fotoja e Kel Marubit. "Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës" e vitit 1922. Autorët e përmbledhjes, ndonëse foton e kishin rradhitur me më të mirat e botës, shkruanin se nuk kuptohej çfarë ndodhte në të. Kureshtar, iu drejtova historisë së Shqipërisë, ku gjeta se më 1922, ishte bërë çarmatimi i popullsisë civile nga shteti, pra kishim të bënim me dorëzimin e armëve shtetit. "Dorëzimi i armëve" ishte titulli që i vura dhe shkrimit që botova mbi foton në revistën XXL, duke e argumentuar edhe me fakte historike. Në atë kohë, 1999-2000, vendi gëlonte nga armët dhe, çarmatimi ishte fjala e ditës, pra fotoja lidhej mjaft edhe me realitetin. Më pas, hulumtova për të dhëna të tjera për foton deri sa gjeta dhe emrat e pjesmarrësve të saj, si dhe detyrat e tyre dhe, të përfunduar e përfshiva në librin tim "Fotografia një grusht diell". Kjo foto, edhe për kënaqësinë time, sot botohet në shtyp shpesh me titullin "Dorëzimi i Armëve", që e pagëzova unë dhe jo me atë që ka shkruar Kel Marubi në regjistrin e fototekës "Marubi" në Shkodër dhe sipas saj, edhe "The Photo Book". Më vonë, më tërhoqën foto të tjera të Marubëve dhe fillova të shkruaj e botoj analiza e studime mbi ato. Ndërkohë, njihem me veprimtarinë e Gjon Milit, fotografit të shquar shqiptaro-amerikan, për të cilin kam botuar mbi dhjetë shkrime. Analizat mbi fotot e Marubëve dhe Milit, si dhe të disa kollosëve të fotografisë botërore, i përmblodha në vitin 2005, në librin që citova më sipër, që përbën historikisht, librin e parë që shkruhet në Shqipëri për fotografinë. Vazhdoj të shkruaj për fotografinë shqiptare e, kur them shqiptare, edhe për atë në Republikën e Kosovës, Maqedoni dhe Mali e Zi. Vjet, më 2008, organizova veprimtarinë "150-vjetori i fotografisë shqiptare" në Galerinë e Arteve të Titanës, të Prishtinës dhe në qytetin e Vlorës, ku panorama historike u shoqërua me projektimin e mjaft fotove të vjetra, shumica për herë të parë.


- Si ka lindur fotografia, zoti Vrioni?

Fotografia ka qenë një ëndër e hershme e njerëzimit, që ishte pasqyrimi i pamjeve në sipërfaqe të rrafshta pa ndihmën e litografisë e gravurës, por në sajë të optikës dhe kimisë. Aristoteli, filozofi i lashtësisë greke, formuloi parimin e "Dhomës së errët" (camera obscura) e pas tij, Leonardo da Vinçi e ndërtoi skematikisht. Kjo do të ishte zemra e aparateve të ardhshëm fotografikë. Në 2-3 dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XIX, shumë kimistë, piktorë, shpikësa, grafistë, nëpunës (fotografët s'kishin lindur ende), tërë gjakim iu përkushtuan përngrirjes së pamjeve në sipërfaqe plane. Më i suksesshmi ishte Nisëfor Nipsë, i cili më 1826, pas disa orë ekspozimi në diell, realizon foton që mbahet e para në botë me titull "Prona në Grass" me procesin e heliografisë të shpikur nga ai. Ndërsa njohja zyrtare e fotografisë është e datës 19 gusht 1839, e cila shënohet si ditëlindja e saj historike. Por për të arritur tek fotografia, fillimisht, duhej edhe puna e Lui Zhak-Mande Dager, Ipolit Bajar dhe Henri Foks-Talbot, të cilët bashkë me Nipsë përbëjnë katërshen shpikëse të fotografisë. Shtoj se të katër kanë punuar të pavarur nga njeri-tjetri. Më tepër dafina, ndoshta jo aq të merituara, i janë dhënë nga Akademia Franceze, shpikësit Dager.


- A ka ndonjë foto që shënon lindjen e fotografisë?

E përmenda më sipër, si fotografia e parë në botë mbahet ajo e Nisëfor Nipsë me titull "Prona në Grass", e realizuar më 1826 me procesin e heliografisë. Ajo u përftua pas një ekspozimi prej tetë orësh në diell. Këtë foto e ka zbuluar në vitin 1952, studjuesi amerikan i fotografisë, Helmut Gernsheim. Një kopje e përmirësuar e saj, ndodhet në "Gernsheim Collection Humanties Research Center", University of Texas, Austin (SHBA)


- Po në Shqipëri, cilat janë fillesat dhe cila mbahet si fotoja e parë?

Fillimi i fotografisë në Shqipëri shënohet nga italiani i shqiptarizuar, Pjetër Marubi. Ky, rreth vitit 1858 hapi në Shkodër studion e parë fotografike në vend e, po atë vit realizoi dhe foton e parë, them e parë, se më të hershme se kjo deri tani, nuk është gjetur. Ajo paraqet Hamz Kazazin, ish-luftërar shkodran për pavarësi. Më pas, "Foto Studio Marubi", zgjeroi veprimtarinë e saj dhe, pas vdekjes së mjeshtrit Pjetër (Shkodër, 1904), stafetën e vazhdoi Kel Kodheli (më vonë me mbiemrin Marubi), i cili e kish filluar punën atje si çirak. Ky ka merita të mëdha në fotografinë shqiptare sepse lëvroi jo vetëm foton për komunitetin, por edhe ato historike, dokumentare, portrete, kompozime me merakun e artistit. Kel Marubi, ia përcolli mjeshtërinë djalit të tij, Gegë, që e solli veprimtarinë e "Foto Marubi" deri nga fillimi i viteve '70, kur i dorëzoi shtetit gjithë fondin rreth 120-vjeçar të saj. Në kapërcyell të shekujve XIX dhe XX, fotografia u përhap dhe në Korçë (+Dardhën) e, më pas në qytetet e tjera. Të mos harrojmë se flasim për fotografinë si mjeshtëri për nevoja të popullatës, por ndër to gjenden mjaft fotografi të arrira të bëra jashtë punës së dyqanit, si peizazhe, portrete, kompozime që kanë përballuar kohën dhe hyjnë në historinë e fotografisë shqiptare.


- Pas fillesave me Pjetër Marubin, si e pa ecurinë fotografia shqiptare dhe cilët janë disa prej përfaqësuesve të saj?

Rreth 20-30 vite pas fotos së parë, fotografia shfaqet në fshatin Dardhë të Korçës, ku filloi fotografimin Jani Zengo, nga një familje me traditë të hershme në ikonografi. Ai këtë mjeshtëri e kishte mësuar në Greqi, ku kish punuar edhe si ikonograf. Zengo ka fotografuar, ndër të tjera, shkollën e vajzave të fshatit, një pamje të Dardhës dhe një autoportret. Në mes të shekujve XIX dhe XX, në Shkodër fotografon piktori i njohur, Kol Idromeno, në Janinë dhe Manastir ushtrojnë këtë mjeshtri vëllezërit vllaho-shqiptarë, Janaq e Milto Manaqi, të cilët kanë lënë shumë foto me mjaft vlera historike. Po në atë kohë, në Korçë, fillojnë këtë zeje Kristo Shuli, Vani Burda, Petro Dhimitri e Kristaq Sotiri, tre të parët të prirur në foton historike, ndërsa Sotiri veçohet për fotoportretet mjaft të goditura. Në Shkodër, krahas Kel Marubit, djalit të birësuar të Pjetrit, që i dha një shtysë të ndjeshme fotografisë shqiptare, fotografojnë edhe Dedë Jakova, Shan Pici e Gegë Marubi, djali i Kelit. Më vonë, fotografia duket në Elbasan me Fot Papajanin, Gjirokastër me Dine Qadhimin, në Berat me Ilia Xhimitiku, në Tiranë Jani Ristani, Mihal Popi e Ali Bakiu. Pas 1944, fotografinë shqiptare e përfaqësojnë kryesisht fotografët e shtypit dhe enteve shtetërore, që megjithë çensurën dhe autoçensurën, kanë krijuar edhe foto me vlera që mund të përfshihen në historinë e fotografisë shqiptare.


- Në ç'epoka ndahet zhvillimi i fotografisë në Shqipëri që nga fillimi i saj dhe kur fotografia ka parë zhvillimin më të madh?

Për mendimin tim, fotografia shqiptare ndahet në tri periudha zhvillimi. E para, fillon më 1858 me fotografinë e parë të Pjetër Marubit e vazhdon deri rreth vitit 1944. Periudha e dytë fill pas 1944 deri më 1991, koha e diktaturës komuniste. Ndërsa e treta fillon me ardhjen e demokracisë e në vazhdim. Jo vetëm nga kohëzgjatja, por edhe nga prurjet, e para rezulton mjaft e suksesshme, madje në atë kohë është ecur thuajse paralelisht me vendet e tjera, megjithë prapambetjen e theksuar ekonomike e shoqërore. Periudha e tretë i ka të gjitha shanset për një hop të madh në fotografi. Përveç mjeteve teknike të sofistikuara, sot krijuesit i kanë të gjitha horizontet të hapura dhe kjo është më e rëndësishme, kështu që kjo fazë premton zhvillime mjaft interesante, por bilanci bëhet kur të mbyllet kjo periudhë kohore, gjë që nga shenjat, do të jetë e largët.


- A mendoni se arti fotografik u tkurr pak gjatë diktaturës?

Cili art nuk iu gjunjëzua diktaturës që t'i shpëtonte fotografia? Fillimisht u shtetëzuan studiot e njohura fotografike në Tiranë e qytetet kryesore, më pas, fotografët u inkuadruan në kooperativat e artizanatit në një komunitet me mjeshtëri të tjera, që s'kishin asnjë lidhje me artin. Diktatura mbështeti për interesat e saj, kryesisht fotografinë dokumentare, propagandistike dhe historike, por në të tre rastet duke goditur thelbin e saj, që është vërtetësia. Mjedisi ku fotografohej kthehej në një skenë teatri ku personat që do fotografoheshin, ndonëse nuk ishin aktorë, duhet të loznin teatrin e pasqyrimit të jetës kinse të lumtur të shqiptarëve. Fotot historike retushoheshin periodikisht, hiqeshin figura armike, ndryshoheshin vendet e personave, tjetërsoheshin datat e realizimit. Por edhe në atë kohë janë realizuar foto të goditura pa subjekt politik, që i kanë rezistuar kohëve. Përmendim ndër to peizazhe natyrore, portrete, si dhe fotot sportive. Në këtë të fundit, fotografi i njohur Petrit Kumi, ka fituar Medalje Nderi në një konkurs fotografie në Moskë në vitin 1962, me foton "Macja e zezë".


- Ju keni shkruajtur shumë për fotografinë shqiptare, si paraqitet tani gjendja e studimit të saj?

Po, prej dhjetë viteve merrem me studimin e fotografisë shqiptare, por edhe asaj botërore. Më herët për të ka shkruar Pirro Naçe, përveç shkrimeve të ndryshme sporadike në gazeta me burim kryesisht internetin. Për disa vite, studiuesi Besim Fusha botoi në Tiranë, "Fotografiaart", në fillim si gazetë, më pas revistë, që është organi i parë dhe i vetëm deri tani, për fotografinë, por u mbyll për shkaqe ekonomike. Ajo shquhej për nivel të kënaqshëm. Unë kam filluar të shkruaj për fotografinë, siç e përmenda më sipër, duke botuar analiza të fotografive të Marubëve që më tërhoqën, më pas me foto të Gjon Milit, shqiptaro-amerikanit të shquar të fotografisë. Për Milin, kam botuar mbi dhjetë shkrime studimore mbi punimet dhe jetën e tij. Në vazhdim botoj në pjesën më të madhe të shtypit shqip në Republikën e Kosovës, Maqedoni, SHBA, Rumani, Angli, Itali, Greqi etj, përveç atij në Republikën e Shqipërisë, studime për fotografë të hershëm e pak të njohur shqiptarë, por me veprimtari me vlerë. Fotografia në Republikën e Shqipërisë studiohet në Fakultetin e Gazetarisë, në Akademinë e Arteve, në Qendrën Lindart, në Shkollën e multimedias Marubi. Mendoj se ende ka shumë për të zbuluar nga fotografia e vjetër shqiptare.


- A mund të flitet për fotografë me origjinë shqiptare të suksesshëm jashtë atdheut?

Patjetër, si nga çdo vend, edhe nga Shqipëria (përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë), janë larguar, për motive të ndryshme shumë njerëz, ndër ta edhe artistë ose që jashtë u bënë artista. Deri tani, Gjon Mili është më i madhi i kësaj kategorie. Lindur në Korçë më 1904, i emigruar në SHBA, ai u bë një fotograf mjaft i suksesshëm dhe pioner në përdorimin e dritës stroboskopike për artin e fotografisë. Po në SHBA, ka fituar mjeshtërin e fotografit edhe Dhimitër Mborja, i lindur edhe ky në Korçë, më 1903 dhe emigruar në moshë të re. Veprimtarinë në mediumin e fotografisë e ka zhvilluar kryesisht në Azi, në Luftën e Koresë dhe ne rimëkëmbjen e Japonisë. Fondi i tij, prej rreth 30 mijë ekzemplarësh, ndodhet në Vixhinia (Norfolk, SHBA). Ky ka lëvruar përgjithësisht foton dokumentare dhe historike. Sot mund të përmendim fotografët Fadil Berisha në SHBA, Agron Dragaj në Lindje (Ceilon, Tailand), Lala Meredith Vula në Angli, Asllan Krasniqi në Belgjikë, Mimoza Veliu në Gjermani, përveç artistëve si Anri Sala, Sislei Xhafa, Ornela Vorpsi, të cilët përdorin aparatin për të shpërfaqur idetë e tyre nëpërmjet mediumit të fotografisë. Nuk pretendoj se i kam përmendur të gjithë, për mungesë informacioni, por këta janë ndër më të suksesshmit. Një gjë është e sigurtë, fotografia shqiptare do të bëhet e njohur në botë, madje do të vlerësohet, e shenja për këtë ka plot.


rd