“Ju rrëfej historinë sekrete të uraniumit në Kukës e Dibër”

» Vendosur: 12/05/2009 - 08:16


Ferdinand Dervishi

"Në galeritë e kërkimit të uraniumit punonin njerëz që ishin këshilluar të mbanin gojën kyçur..., një herë në gjashtë muaj raportonim për rezultatet para Kryeministrit Mehmet Shehu, që ndiqte me vëmendje zhvillimet..., disa nga kolegët që punonin në galeri u kontaminuan, për rrjedhojë u sëmurën dhe shkuan drejt vdekjes së pashmangshme...". Njeriu që trondit me këtë dëshmi quhet Gëzim Shima dhe ka qenë as më shumë e as më pak inxhinieri gjeolog që në kohën e komunizmit drejtonte punimet "top secret" në terren për zbulimin e shtresave që përmbanin material radioaktiv. Tashmë ende në profesion, veçse i kërkuar më shumë jashtë vendit, në Itali, Gjermani e Turqi, Shima është krejt i freskët në kujtimet e veta. Aq i freskët sa mund të kujtojë me saktësinë më të madhe përqindjet e sakta të uraniumit në shtesat e zbuluara në Kukës dhe Dibër, mund të kujtojë të gjitha të dhënat e shkencës botërore për kërkimin dhe shfrytëzimin e këtij minerali të rrallë, mund të kujtojë historitë e kolegëve që humbën jetën si dhe gjithçka të vlefshme të zbuluar nga ekspedita që drejtonte, madje edhe "sekrete" apo vende të fshehta, ku shteti apo individë të fuqishëm ekonomikisht mund të investojnë për të nxjerrë fitime.

Uraniumi si orientim
i Partisë së Punës
"Nuk është se industria jonë në ato vite mund ta përdorte uraniumin, më keq akoma ne nuk kishim as teknologjinë për ta nxjerrë të padëmtuar mineralin nga nëntoka, por shteti në ato kohëra na hodhi në këtë aventurë thjesht për qëllime të propagandës", rrëfen Gëzim Shima historinë që i ka marrë një llomkë të madhe nga jeta. Duke folur me një zë monoton dhe herë-herë duke preferuar të shënojë mbi një letër, kryesisht shifra, Shima nis të shpjegojë se historia e kërkimit të uraniumit kishte lidhje shumë me atë batutën e një kënge të socializmit që thoshte: Ne në gojë të ujkut hedhim valle. "Pra aventura e kërkimit të uraniumit kishte lidhje me psikozën që duhet të krijohej në popull se nëntoka jonë ka gjithçka, edhe flori edhe argjend, edhe bakër, edhe krom dhe në fund fare edhe lëndë radioaktive. Në një vend të izoluar kjo ishte kërshërindjellëse, tronditëse, frymëzuese dhe luftarake njëkohësisht (qesh). Dhe gjithçka bëhej me zgjuarsinë më të madhe për të shkuar te synimi propagandistik, se ne shqiptarët nuk kemi nevojë për ndihmën e të huajve, për prodhimet e tyre, për gjithçka tyren, se nuk jemi të varur aspak nga ata, sepse ne vetë jemi shumë të pasur, se gjithçka e kemi këtu, e prodhojmë vetë. Sepse Shqipëria, edhe sipas Enverit, ishte 'pëllëmbë e flori'. Ja pak a shumë për këtë arsye shteti shpenzoi miliona, duke mbajtur për më shumë se 15 vjet rreth 200-250 specialistë e punëtorë me rroga të larta e duke hapur galeri kërkimi që ndonjëherë kalonin qindra metra", shpjegon thelbin e një prej ndërmarrjeve më të çmendura të komunistëve shqiptarë inxhinieri gjeolog. Pak a shumë të njëjtë e kishte dëgjuar Shima, përgjatë kontakteve periodike me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu, versionin që lindte pas pyetjes se përse duhej uraniumi. "Mehmetin e takonim sistematikisht një herë në gjashtë muaj për t'i raportuar. Nëpër biseda kam kapur se ai e konsideronte uraniumin edhe si rezervë, që mund të hynte në punë më vonë. Pra, Kryeministri ishte paksa më i moderuar në koncept. Në atë kohë ne ishim mësuar me shprehjet se kemi rezerva kolosale bakri e kromi. Por kuptohet që edhe kjo ishte pjesë e propagandës...", shpjegon inxhinieri Shima.
Në krye të ekspeditës sekrete
Në të vërtetë, Gëzim Shima, një banor i Tiranës, e kishte nisur aventurën për kërkimin e uraniumit pas një "internimi" prej 10 vitesh në Ndërmarrjen Gjeologjike të Rubikut, ku kishte mbërritur i emëruar menjëherë pas diplomimit. Ishte viti 1971 kur ai ishte transferuar në Ndërmarrjen Gjeofizike të Tiranës, që i shërbente ndërmarrjeve gjeologjike të gjithë vendit me kërkimin e mineraleve të ndryshme. "Këtu, në Ndërmarrjen Gjeofizike të Tiranës u hodhën për herë të parë idetë dhe nisi puna për kërkim/vlerësimet e mineraleve të rralla, të çmuara dhe radioaktive", rrëfen Shima. Por fillimisht në mendjen e inxhinierit, edhe pse i emëruar në të njëjtën ndërmarrje, në sektorin e radiometrisë, të dhënat për kërkimet për minerale të çmuara dhe sidomos për uranium, do të mbërrinin me vlerën e sekreteve që pëshpëriteshin. "Kisha dëgjuar për një ekspeditë që kërkonte uranium, se ajo ishte pjesë e ndërmarrjes sonë, por e dija mirë se gjithçka ruhej sekret dhe nuk guxoja të pyesja për më shumë", rrëfen Shima. Duke qenë se në këtë ndërmarrje detyrat kishin lidhje me zbulimet më të fundit të shkencës, Shima u përvishet librave. "Përmes tyre mësova se uraniumi, apo më saktë materialet radioaktive lokalizoheshin në zona me ndërtim gjeologo-tektonik të ndërlikuar, me zhvillime të magmatizmit acid...", shpjegon Shima me një grumbull fjalësh të pakuptueshme të profesionit. Po duke studiuar, Shima arrin të bëjë dallimin ndër specialistët. "Zona ku nxirrej uranium, në përqindje të vlefshme për t'u shfrytëzuar, kishte shumë pak në Evropë. Nxirrej vetëm në Çeki, Francë e Suedi. Ndërkohë që në Rusi, SHBA, Afrikë të Jugut, Kongo, Gabon e Australi, përqindjet e përmbajtjes së uraniumit në mineral ishin shumë më të mëdha. Në Gabon e Kongo, për shembull, uraniumi gjendej në sipërfaqe në vlerën 1 ose 2 për qind të mineralit dhe ndodhnin edhe shpërthime në natyrë, apo dezintegrim radioaktiv në natyrë, siç i themi ne specialistët", rrëfen Shima. Përfundimisht inxhinieri vjen në përfundimin logjik se në Shqipëri duhet të jetë e vështirë të gjendet mineral uraniumi në vlerat të larta. Por fati e sjell që në vitin 1972 atë vetë ta emërojnë në krye të ekipit që kërkonte uranium në territorin shqiptar.
Dy vendburimet
Duke parë dokumentet në dispozicion të ekspeditës që kishte të paktën dy vite që funksiononte, Shima mëson se kishin qenë fillimisht gjeologët rusë që kishin kërkuar uranium për një kohë jo të shkurtër në territorin e Shqipërisë. "Kishim hartat e lëna nga rusët, ata kishin përcaktuar disa zona, por pasi i verifikuam, nuk doli gjë. Ata kishin gjetur gjurmë uraniumi në bokside, por gjithçka ishte e pavlerë. Kështu që na ra pjesa ne shqiptarëve t'i shtrohemi punës", rrëfen Shima. Inxhinieri pohon se para se ai vetë të emërohej në krye të ekspeditës, në Kukës, në zonën e Shishtavecit, në vendin e quajtur Nimçe, që në vitin 1970, ishte gjetur një damar minerali me përmbajtje uraniumi. Sipas Shimës, gjithçka ishte meritë e një grupi gjeologësh që drejtoheshin nga Llambi Llango dhe Vasil Nasi, ndërkohë që për kërkim/zbulimin fillestar patën merita gjeologët Petrit Kodheli dhe Ismail Balluku. "Ky vendburim ishte hasur në të ashtuquajturat shiste të zeza të metamorfizuara...", nis të shqiptojë Shima sërish një tog termash të pakuptueshëm. Kurse për zbulimin e vendburimit të dytë, atij të Muhurit në zonën e Peshkopisë, Gëzimi thotë se pa mohuar vlerat e kolegëve, edhe ai vetë kishte kontribuuar. "Merita ime ishte që besova se veç mundësisë së gjetjes së uraniumit në shistet e zeza, kishte edhe një tjetër mundësi që ato të gjendeshin në ranorët e ngjashëm me ata të serisë "verrucano", vendburim që gjendet në Itali", shpjegon inxhinieri i uraniumit. Kështu inxhinieri i shkathët shkon shpejt te suksesi, i ndihmuar bollshëm nga literatura e huaj e lexuar, që fliste për kërkime uraniumi në vendet fqinjë, Itali dhe Greqi. "Këto vende bashkë me Shqipërinë bëjnë pjesë në atë që quhet "sistemi gjeosinklinal alpin" dhe kishte shumë mundësi që materiali radioaktiv të fshihej në të njëjtat formacione që ishte gjetur në Itali dhe Greqi. Në këto vende fqinje ishin gjetur objekte të elementëve radioaktivë në depozitave copëzore, ranorë e konglomerat. Ky ishte thelbi i mendimeve të mia pasi shfletova për një kohë të gjatë literaturë të huaj", rrëfen Shima, duke kujtuar se anomalitë e para në vendburimin e dytë, të zbuluar në Muhur të Dibrës, janë gjetur nga teknikët gjeofizikë Sulejman Dama, Sabri Luli dhe Gëzim Kalldani. Po sipas Shimës, një ndihmë të madhe në kërkim/rilevime dhe kërkim/zbulime kishin dhënë inxhinierët gjeofizikë Safet Dogjani, Osman Lika, Pëllumb Kasapi e të tjerë. Por gjithsesi vendburimi i Kukësit, apo galeria e Nimçes, kishte përmbajtje më të madhe të uraniumit. "Nëse në Muhur të Dibrës u gjet mineral që kishte në përqindje të tij deri në 0.05 për qind uranium, në Nimçe të Kukësit kjo sasi ishte në rastin më të lartë deri në 0.5 për qind. Por po të bëjmë një krahasim, aktualisht, në Suedi, uraniumi në vlera të ngjashme shfrytëzohet. Shfrytëzohet, pasi teknologjia është tejet moderne", bën paralelizëm logjik inxhinieri Shima.
Ndërkaq kishte ardhur koha për takimin e parë kokë më kokë me Kryeministrin e vendit, Mehmet Shehu. "Kujtoj se na thanë një ditë më parë se të nesërmen na priste vetë Mehmet Shehu. Menjëherë nisi stresi. Nuk dinim edhe si të visheshim. Ruaja në shtëpi një pallto të babait, prodhuar jashtë vendit, me një lesh të cilësisë së lartë. Ishte më e mira që kishim në familje. E vesha. Por edhe drejtori i ndërmarrjes, i lajmëruar si edhe unë për takimin, ishte veshur shumë mirë. Unë në ato kohëra mbaja mustaqe dhe kujtoj se edhe flokët kaçurrelë i kisha paksa të gjatë. Kur na pa Mehmeti të veshur krrëk, duket u habit, sepse i tha drejtorit: Mos keni ngatërruar theatron (teatrin) me Kryeministrinë? Por nuk na la të na përfshinte frika, sepse edhe vetë qeshi me batutën e tij", rrëfen inxhinieri. "Mehmeti ishte serioz kur bëhej fjalë për punë dhe dëgjonte me respekt sidomos ata që kishin njëfarë brumi. Këtu dëgjova për herë të parë idenë se uraniumi duhej për rezervë. Por edhe vetë u binda se kërkimi dhe gjetja e tij nuk përbënin ndonjë interes të veçantë për interesat e kastës politike në pushtet, përndryshe do të kishin vrarë 20 vetë para meje", shfaq bindjen e tij inxhinieri Shima. Përfundimisht, pavarësisht përqindjes së ulët të shtresave të gjetura, urdhri ishte të vazhdohej puna me intensitet të shtuar. "Rezultati ishte qindra metra galeri kërkimi dhe shëndet i dëmtuar për kolegët tanë. Pasi uraniumi edhe pse në sasi të pakët, i vriste ata që abuzonin", rrëfen inxhinieri.
Vrasësi i padukshëm
Dhe historia e kërkimit të uraniumit shqiptar vazhdon. Ai duhet të gjendej në sasi të mëdha, të shfrytëzueshme, me qëllim që popullit t'i thuhej kjo, ose thjesht të përhapej fjala fshehurazi, djallëzisht, sepse kështu kishte edhe më tepër efekt. "Jemi marrë me kërkimin e uraniumit deri në vitin 1986, një vit pas vdekjes së Enver Hoxhës. Minerali nuk u shfrytëzua, më saktë ne e groposëm atë në galeritë e vjetra. Pra u realizuar ideja e konservimit, apo ruajtjes së tij për një ndërkohë të dytë. Kështu që nga galeritë dolën jashtë, në drejtim të laboratorëve vetëm kampione të mineralit që përmbante uranium. Por më 1983 erdhi urdhri për mbylljen e galerisë së Muhurit dhe më 1986 u mbyll edhe galeria e Nimçes. Natyrisht që galeritë u mbyllën, apo u vulosën sipas rregullave, duke futur në grykat e tyre sasi të mëdha inertesh, por kjo vulosje nuk është se mbylli me sukses të gjitha hallet. Pasi më vonë mësuam se një pjesë e shokëve tanë humbën jetën nga kontakti me uraniumin", rrëfen inxhinieri Shima. Sipas tij, projekti u ndërpre në këto vite, pasi shteti i varfër nuk kishte më fonde. Sepse edhe rrogat e këtij stafi që punonte në mënyrë tepër sekrete ishin të larta. "Kujtoj se rroga ime ishte apo ia kalonte edhe rrogës së një ministri, por edhe punëtorët e thjeshtë apo minatorët, merrnin rreth dhjetë mijë lekë të vjetra në atë kohë", rrëfen inxhinieri. Pas largimit nga këto zona, pasojat do të vinin në veshët e njerëzve që punuan në këto galeri, me rrapëllimën e frikës. "Radiacioni në sipërfaqe nuk ishte i lartë, pra shkonte nga 18 deri në 26 gamma, ndërkohë ekspozimi në vlerat 40-50 gamma konsiderohet ekstremisht i dëmshëm për shëndetin. Kështu që dëmtimi u shfaq tek ata punëtorë e inxhinierë që punonin brenda në galeri. Te një pjesë e tyre u shfaqën me kalimin e viteve sëmundje të pashërueshme që u morën jetën", tregon Shima. Sipas tij, i gjithë gabimi u konsumua në fillim të punimeve, pasi nuk u morën masa higjieno-sanitare si dhe nuk pati trajtim të atyre që punonin në galeri. Pra, fillimisht punëtorët e inxhinierët kishin punuar pa maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, ndërkohë që nuk kishin marrë as trajtim të veçantë ushqimor. Por më pas, po sipas Shimës, disa gjëra kishin ndryshuar. "Kujtoj se sa ishim ne, mbeturinat e gërmimeve nuk shfaqën asnjë dëm edhe pse të ekspozuara jashtë, në ambient. Më pas kemi dëgjuar për kafshë të ngordhura dhe lindje me deformime. Por sa kohë ne punuam aty nuk vumë re kontaminim të ambientit, pasi në të dy lumenjtë vazhduan të rriteshin peshq, ndërkohë që në Muhur të Dibrës, edhe vetë kapnim trofta në lumin Setë gjatë gjithë kohës", rrëfen inxhinieri duke këmbëngulur se viktimat e vetme ishin pikërisht njerëzit që punonin në galeri. "Sa kam dijeni, rreth 10 për qind e të gjithë punëtorëve dhe inxhinierëve, që punuan në këtë projekt, u kuruan për sëmundje profesionale dhe patën një vdekje të pashmangshme. Eh, të gjithë vdiqën të rinj", përfundon rrëfimin me një psherëtimë inxhinieri i uraniumit.


Inxhinierët kinezë
Në vitet 1970-1974 ekspeditës së kërkimit të uraniumit i ishte shtuar edhe një ekip inxhinierësh dhe specialistësh kinezë. “Merreshim vesh në gjuhën ruse me kinezët. Sollën disa pajisje që më pas kuptuam se ishin kopjime të pajisjeve ruse, por vetëm një pjesë e vogël e grupit të tyre prej rreth 10 vetash na u duk se kishin eksperiencë. Kujtoj se ata u morën me galerinë e Nimçes, por nuk pashë të ishin në asnjë rast në lartësinë e inxhinierëve shqiptarë”, rrëfen Gëzim Shima.

Dy vendburimet
Ishin dy galeritë që u gërmuan vetëm me qëllim kërkimin e mineralit të uraniumit në vitet 1970-1986. Sipas rrëfimit të inxhinierit Gëzim Shima, një prej galerive u rrëmua në këmbë të lumit Topojan, në zonën e Shishtavecit në Kukës, kurse galeria tjetër në Muhur të Dibrës, në breg të lumit Setë. Në të dyja galeritë u gjet një shtresë e mineralit uranium-mbajtës e trashësisë nga disa milimetra deri në dhjetëshet e para të metrave. Gjatë kohës që ata punonin, zonat përreth galerive si dhe uji i lumenjve nuk rezultoi të ishte ndotur në asnjë rast.



Norma gamma
Në sipërfaqen e tokës, pranë galerive të kërkimit të uraniumit kishte një radiacion prej 18 deri në 26 gamma, që konsiderohet si i parrezikshëm. Ndërkohë i rrezikshëm konsiderohet radiacioni në nivelin 40-50 gamma.

Suedia
Aktualisht në Suedi nxirret në natyrë dhe më pas përpunohet mineral uraniumi me të njëjtat vlera në përqindje si edhe ai që u zbulua në Shqipëri. Por në Suedi dallimin e bën teknologjia e sofistikuar që përdoret

Në Afrikë
Në dy vende të Afrikës, në Gabon e Kongo, sasia e pranisë së uraniumit në mineral shkon në vlerat 1 apo 2 për qind. Në këto vende janë vërejtur edhe shpërthime në natyrë të uraniumit, apo si quhet në gjuhën e shkencës, dezintegrim radioaktiv në natyrë

Perqindja
Përqindja e përmbajtjes së uraniumit në shtresëzat e zbuluara shkonte nga 0.05 për qind në Muhur të Dibrës dhe deri në 0.5 për qind në Shishtavec të Kukësit. Uraniumi në mineral në vlerën 0.05 për qind e lart konsiderohet industrial, pra i përpunueshëm

panorama.