Agjensia e Lajmeve "SOT"
Berisha dhe politikanët tropojanë në PD
Written by Gazeta SOT
Tuesday, 28 April 2009 22:28
Nga Kastriot MYFTARAJ
Pluralizmi politik në Shqipëri në dhjetor 1990 ishte rezultat i një marrëveshjeje mes Ramiz Alisë dhe amerikanëve. Kur Ramiz Alia e pa se nuk kishte nga t’ ia mbante dhe ishte i detyruar që të bënte pluralizmin politik, atëherë loja e tij ishte që t’ u thoshte amerikanëve se ai mund të bënte pluralizmin politik, por nuk mund të bënte që shqiptarët të votonin për një parti të madhe opozitare me PPSH. Loja e Ramiz Alisë ishte që PPSH, e cila pritej të shndërrohej, së paku në letër, në një parti të majtë të llojit perëndimor, të dilte nga zgjedhjet pluraliste si e vetmja parti e madhe në vend, duke mbetur politika shqiptare njëpolare. Kështu PPSH, më pas e shndërruar në PS, do të rrinte gjatë në pushtet.
Amerikanët e dinin se që të kishte kuptim pluralizmi politik në Shqipëri, duhet të kishte një parti tjetër të madhe opozitare me PPSH. Që të kishte një parti të madhe opozitare në Shqipëri, duhej që të dilte një lider i aftë për këtë gjë. Ky lider duhet të ishte verior, jo vetëm se opozita duhet të kompensonte dhe deficitin e veriorëve në lidershipin politik gjatë gjysmë shekulli të regjimit komunist, por edhe që të ishte më atraktiv për shqiptarët e Kosovës, ku ishte përqendruar interesi amerikan, sa i përkiste hapësirës shqiptare, në dy anët e kufirit.
Zhvillimet e mëpasme politike në Shqipëri, që nga dhjetori i vitit 1990 e tutje, treguan se Berisha kishte qenë i përzgjedhuri i amerikanëve mes intelektualëve shqiptarë me origjinë veriore, të cilët kishin cilësitë për t’ u bërë lider politikë opozitarë. Në këto cilësi përfshihej karizma, por edhe autoritarizmi, se amerikanët e dinin mirë se një lider politik që të mbajë një parti të madhe, duhet të jetë autoritar. Sigurisht që Berisha ishte komunist, por kjo nuk u prishte punë amerikanëve, madje shikohej si një përparësi, se ata llogarisnin që duke qenë në krye të partisë opozitare një njeri që deri dje do të kishte qenë komunist, kjo do të çante bllokun e elektoratit që pritej të votonte për PPSH, dhe që përbëhej prej 200 mijë anëtarë dhe kandidatë tëe PPSH dhe familjet e tyre, çka do të thoshte rreth 1 milion vota. Tekefundit amerikanët nuk kishin shumë zgjedhje, se nga krahu antikomunist, i shtypur nga regjimi, nuk kishte intelektualë të aftë për të marrë rolin e liderit. Fakti se që atëherë deri më sot nga ish-të persekutuarit nuk ka dalë një person me cilësitë e liderit politik, tregon se përzgjedhja e Berishës ishte pa alternativë.
Në vjeshtën e vitit 1990, amerikanët, të cilët me mënyrat e tyre kishin përzgjedhur Berishën, ia bënë të qartë Ramiz Alisë se Berisha duhet të ishte njeriu që duhet të lançohej si lider i opozitës. Kjo i prishte planet e Ramiz Alisë i cili synonte që të mos lejonte një parti të madhe opozitare me PPSH, por vetëm parti të vogla. Prandaj Ramiz Alia u përpoq që të lançonte si lider të opozitës një tjetër person nga Tropoja, Azem Hajdarin, të cilin llogariti ta bënte rivalin e Berishës në PD. Në dhjetor 1990 Azem Hajdarit as që i kishte shkuar ndërmend që të vihej në krye të protestave studentore për të përmbysur regjimin komunist, derisa nuk e thirrën që të zbatonte skenarin e Ramiz Alisë. Në fakt Azem Hajdari nuk ishte lider i lëvizjes studentore, se realisht nuk pati një lider të saj.
Nga protestat studentore doli PD, në të cilën Azem Hajdari u katapultua si kryetar i Komisionit nismëtar, domethënë kryetar i përkohshëm i partisë. Katapultimi i Azem Hajdarit u bë për të evituar Ramiz Alia që të përmbushte premtimin që u kishte dhënë amerikanëve se në krye të PD do të dilte Sali Berisha. Berisha ishte vetëm një nga 16 anëtarët e komisionit nismëtar, që votoi për Azem Hajdarin. Ata që e votuan Azem Hajdarin e shikonin atë si një lider të përkohshëm të partisë, vendin e të cilit siç e tregoi koha ishte planifikuar ta zinte Gramoz Pashko, duke qenë si rezervë Eduard Selami. Gramoz Pashko kishte qartësisht mbështetjen e Ramiz Alisë dhe dukej se Pashko kishte klanin që përbënte shumicën e komisionit nismëtar. Berisha pothuajse nuk kishte fare mbështetje. Azem Hajdari ishte karizmatik dhe impulsiv, por i mungonte energjia dhe kapaciteti i Berishës për të punuar ditë-natë. Nëse Azem Hajdari do të kishte qenë lider i PD në vend të Berishës, kjo parti sigurisht që do të ishte një parti e zhurmshme, por gjithsesi nuk do të ishte veçse një nga partitë e vogla të politikës shqiptare.
Dëshira e Ramiz Alisë për ta siluruar Sali Berishën u duk qartë kur në fund të janarit 1991, gjatë së vajtje të Berishës në qytetin e Bajram Currit, në cilësinë e anëtarit të Komisionit nismëtar të PD, atje u organizua i pari nga antimitingjet famëkeqe që organizonte PPSH gjatë mitingjeve të PD, ku një grup njerëzish sulmoi tribunën gjatë mitingut në kohën që po fliste Berisha dhe i rrëmbeu këtij mikrofonin e iu drejtua turmës duke e quajtur parafolësin tradhtar dhe armik të Tropojës. Që ky ishte një skenar shtetëror, kjo u kuptua nga fakti se telegrami drejtuar Ramiz Alisë nga pjesëmarrësit në antimiting, u lexua në lajmet e mbrëmjes në televizionin shtetëror, i vetmi në vend. Dukej qartë se qëllimi i regjimit komunist ishte që të jepte të kuptonte se Berishën nuk e donte as vendlindja e vet, Tropoja. Berisha, pas mitingut në Tropojë në janar 1991 dha të kuptojë se kishte një skenar për eliminimin e tij fizik. Në fakt ky skenar do të riaktivizohej më pas në 1997, gjatë një tjetër vajtjeje të Berishës në Tropojë, për të sajuar legjendën e armiqësisë së tij me Tropojën.
Në këto rrethana, në shkurt 1991, dy muaj pas krijimit të PD, do të mbahej konferenca e kësaj partie për krijimin një forumi më solid drejtues, që do të quhej Komisioni drejtues, dhe që do të ekzistonte deri në kuvendin e parë kombëtar të kësaj partie. Gjithashtu në konferencë do të zgjidheshin dhe kryetari e sekretari i përgjithshëm i partisë. Sipas statutit të asaj kohe të PD-së, kryetarin e partisë e zgjidhte forumi më i lartë drejtues i partisë që ishte komisioni drejtues prej 19 anëtarësh i zgjedhur nga konferenca e partisë (komisioni drejtues atëherë kishte atributet që më vonë e patën kryesia e partisë dhe këshilli kombëtar). Ramiz Alia, i cili i luante fijet në prapaskenë, u kishte dhënë fjalën amerikanëve se do të bënte gjithçka që Berisha do të dilte kryetar i partisë nga konferenca. Por në anën tjetër Ramiz Alia punonte kundër Berishës, duke dashur t’ i paraqesë gjërat sikur Berisha kishte humbur në një votim demokratik, me vetëm një votë.
Përsëri, rol kyç për dështimin e zgjedhjes së Berishës në votimin e parë, pati Azem Hajdari, i cili vuri kandidaturën për kryetar partie. Azem Hajdari e dinte mirë se Berisha kishte nevojë për votën e tij që të zgjidhej kryetar (Hajdari mori vetëm një votë, e cila qartësisht ishte e tija), dhe se me kandidimin e tij (Hajdarit), shtoheshin mundësitë e kandidatit tjetër, Gramoz Pashko, për të fituar postin e kryetarit. Në përfundim të votimit Berisha mori nëntë vota nga nëntëmbëdhjetë, domethënë një më pak nga sa i duheshin për të fituar. Berisha mori aq vota sa mjaftonin që Ramiz Alia të justifikohej para amerikanëve se ai e kishte mbështetur Berishën (por në fund plani kishte dështuar për një votë), por jo aq vota sa duheshin që të fitonte. Gramoz Pashko mori katër pesë, ndërsa Aleksandër Meksi mori katër vota. Në votimin e dytë pritej që të fitonte Pashko, duke qenë se për të pritej të shkonin të gjitha votat që nuk shkuan për Berishën, duke përfshirë dhe atë të Hajdarit, falë një premtimi që Pashko i kishte bërë Hajdarit se, nëse ky i jepte votën për kryetar, atëherë Pashko, në këmbim, do ta mbështeste për t’ u bërë sekretar i përgjithshëm, posti nr. 2 në parti.
Pas këtij suspansi pritej një votim i dytë të nesërmen. Në ndërkohë amerikanët ushtruan presion të fortë tek Ramiz Alia që Berisha të dilte në krye të PD. Atëherë diktatori komunist u tha se derisa ata donin kështu, ai nuk kishte çfarë të bënte dhe ishte i detyruar të influenconte që kryetari i parë i Partisë Demokratike, të zgjidhej në mënyrë aspak demokratike. Neritan Ceka, pas të gjitha gjasave i instruktuar nga Ramiz Alia, tha në mbledhjen tjetër se nuk kishte fare nevojë për votim, se të gjithë në sallë e kishin të qartë që kryetar ishte Sali Berisha. Pas kësaj, me konsensus Berisha u shpall kryetar i partisë. Azem Hajdari nuk u gëzua nga zgjedhja e Berishës për shkak se ai e dinte mirë se nuk kishte vend për dy tropojanë në lidershipin e PD. Dhe vërtet, me zgjedhjen e Berishës në krye të partisë, Azem Hajdari mbeti thjesht anëtar i komisionit drejtues prej 19 vetësh. Postin nr. 2 në parti, atë të sekretarit të përgjithshëm e mori Eduard Selami.
Pas zgjedhjeve të para pluraliste në vend, ato të marsit 1991, që siç dihet i fitoi PPSH, në PD pati zëra, me burim nga Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari, se tashmë Berisha duhet të ndiqte shembullin e liderëve të partive perëndimore, të cilët japin dorëheqjen kur partia humb zgjedhjet. Madje këto zëra thoshin se me Berishën partia nuk mund të vinte në pushtet as në zgjedhjet e parakohshme. Por qenë amerikanët ata që e mbështetën Berishën. Kur Sekretari i Departamentit të Shtetit, James Baker foli në parlamentin shqiptar, gjatë vizitës në Tiranë, ai tha se kishte ardhur në Shqipëri me ftesë të Sali Berishës. Me këtë amerikanët i dhanë publikisht Berishës kredencialet e njeriut të tyre në PD, çka e fuqizoi shumë pozitën e Berishës në parti. Të tjerat ai qe në gjendje t’ i bënte vetë.
Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, nga 75 deputetë që nxori PD tre deputetë qenë nga Tropoja, por asnjë prej tyre nuk u zgjodh në Tropojë, ku fitoi PPSH. Sali Berisha, u zgjodh në Kavajë, Azem Hajdari në Shkodër, Besnik Mustafaj në Tiranë. Nga këta Besnik Mustafaj nuk e kishte fare teserën e PD, por vetëparaqitej si një intelektual pranë kësaj partie. Të tre ata qenë muslimanë nga Tropoja. Rrethi i Tropojës në 1990 kishte 42 mijë banorë, nga të cilët 71% muslimanë dhe 29% katolikë, sipas regjistrimeve të para Luftës së Dytë Botërore. Tre deputetë tropojanë në PD, nga një rreth i vogël verior si Tropoja, madje nga një pjesë e këtij rrethi, dukeshin vërtet shumë, aq më tepër që asnjëri prej tyre nuk qe zgjedhur në Tropojë. Berisha e kuptonte se kjo e dëmtonte atë si lider dhe me siguri që ai do të donte që së paku njëri prej dy tropojanëve të tjerë, pas të gjitha gjasave Azem Hajdari, të mos ishte zgjedhur deputet.
Azem Hajdari i kishte sjellë jo pak probleme PD gjatë fushatës zgjedhore me retorikën e tij plot slogane të bujshme. Problemi i radhës erdhi në qershor 1991. Deri në këtë kohë, ende çështjet fetare nuk qenë sjellë në debatin politik midis dy palëve dhe liderët e dy partive të mëdha qenë treguar të kujdesshëm që mos të kishte implikime fetare në veprimtarinë e tyre politike, së paku jo në dukje. Për herë të parë një gjë e tillë ndodhi në qershor 1991, kur nënkryetari i PD-së, Azem Hajdari, pati bërë një gjest që do të qe rasti i parë i përzierjes të politikës me fenë, në Shqipërinë paskomuniste. Në këtë kohë në Tropojë u mbajt një tubim për promovimin e rindërtimit të një tempulli musliman shiit, teqes së Dervish Luzhës, që u rindërtua me shpenzimet e vetë Azem Hajdarit, i cili qe oratori kryesor në këtë tubim. Kjo ngjarje shkaktoi debatin e parë për çështje fetare në politikën shqiptare. PS, e cila porsa pati zgjedhur një lidership të dominuar nga ortodoksët, e përdori këtë rast, për ta akuzuar PD-në se po merrte profilin e një partie islamike. Ironikisht, pati qenë qeveria e PPSH (PS) e drejtuar nga kryeministrit ortodoks, Fatos Nano, ajo që një muaj më parë, në maj 1991, e pati futur Shqipërinë në Organizatën e Konferencës Islamike, duke çuar për këtë qëllim në tubimin e radhës të kësaj konference ministrin e jashtëm, Muhamed Kapllani.
PD shkoi në Kuvendin e parë të saj në shtator 1991, pasi në qershor kishte arritur t’ i shkëpuste partisë në pushtet, marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme parlamentare në harkun e një viti, do të thotë brenda pranverës së vitit 1992. Kjo e fuqizonte pozitën e Berishës. Në prag të kuvendit pati dy përpjekje për ta larguar Berishën aforfe nga posti i kryetarit të partisë, kur u propozua që në kryesi të mos ketë ish-komunistë, si dhe kur kryesia ekzistuese votoi që statuti të parashikonte që të ishte kryesia ajo që ta zgjidhte kryetarin e partisë. Por duket se ishte presioni amerikan ai që bëri që ky vendim të anullohet dhe kjo çështje t’ i lihet kuvendit të partisë. Në kuvend Azem Hajdari kandidoi përsëri përballë Berishës për postin e kryetarit të partisë. Ky insistim i Azem Hajdarit për të kërkuar postin e kryetarit sigurisht që nuk i pëlqeu Berishës, së pari po për ato arsye që nuk i pëlqeu dhe anëtarësisë dhe mbështetësve të PD, se kështu e kapërcente masën prezenca e tropojanëve në lidershipin e PD.
Azem Hajdari kandidoi qartësisht për të çarë bllokun e votave pro Berishës, në mënyrë që të përfitonte kandidati tretë, dhe më seriozi kundër Berishës, Neritan Ceka. Ky i fundit porsa kishte shoqëruar Presidentin Ramiz Alia në një vizitë në Finlandë dhe Francë, pa miratimin e partisë, por thjesht i përzgjedhur nga Alia si përfaqësues i opozitës. Me këtë Ceka sfidonte Berishën, por tregonte dhe se ishte karta që Ramiz Alia po luante kundër Berishës në PD. Synimi i kundërshtarëve të Berishës ishte që ai të mos zgjidhej që në votimin e parë. Pastaj ata shpresonin se në një votim të dytë, Berisha do të hynte i dobësuar dhe do të humbte. Në korridoret flitej për një aleancë Ceka-Hajdari në turin e dytë të votimit, të llojit të asaj Pashko-Hajdari në shkurt.
Në votimin për kryetar, Berisha mori 449 vota, Neritan Ceka 77 dhe Azem Hajdari vetëm 9 vota. Kuvendi i PD konfirmoi mbështetjen për Berishën si lider, dhe shfryu “tollumbacen” Azem Hajdari. Berisha, megjithëse kishte mbështetje absolute brenda partisë, kërkoi kompromis me kundërshtarët e tij në parti. Ai, pranoi që Eduard Selami të bëhej sekretar i përgjithshëm i partisë, si dhe që partia të kishte tre nënkryetarë, të cilët qenë të tre nga kundërshtarët e tij, Neritan Ceka, Arben Imami, Azem Hajdari. Ajo që bëri përshtypje ishte zgjedhja e Azem Hajdarit në postin e nënkryetarit të partisë. Berisha qartësisht nuk e donte zgjedhjen e Azem Hajdarit në postin e nënkryetarit se kjo u jepte dorë atyre që thoshin se PD është parti e tropojanëve. Por çuditërisht, Azem Hajdari u mbështet për të marrë postin e nënkryetarit nga klani i Pashkos, i cili thoshte se PD me në krye Berishën nuk do të thoshte Partia Demokratike, por Partia e Dragobisë. Në kujtesën e anëtarëve dhe mbështetësve të PD ishte sigurisht imazhi i Shpellës së Dragobisë në Tropojë, i ngulitur nga poezia e Nolit që gjendej në tekstet shkollore të kohës së komunizmit, dhe me këtë luante Pashko.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të marsit 1992, ku fitoi PD, nga 92 deputetët që pati PD (nga 140 që kishte parlamenti) katër qenë me origjinë tropojane, dhe nga ata vetëm njëri, Besnik Mustafaj u zgjodh në Tropojë. Sali Berisha u zgjodh deputet në Kavajë, Azem Hajdari në Shijak, Shaban Memia në Tiranë. Një tjetër tropojan, Lisien Bashkurti, u zgjodh deputet nga Partia Socialdemokrate, e cila në ato zgjedhje ishte aleate e PD dhe që mundi të fitonte shtatë deputetë falë mbështetjes që i dha PD deri edhe me zonë të lirë. Kështu koalicioni i kryesuar nga PD çoi në parlament pesë tropojanë, të gjithë të lindur në Tropojë. Pesë deputetë nga një rreth me 42 mijë banorë qenë vërtet shumë, aq më tepër kur të pestë ata qenë muslimanë, pra nga pjesa prej 30 mijë banorësh muslimanë e rrethit të Tropojës. Edhe pse në qeveri nuk do të kishte asnjë ministër tropojan, kjo influencoi disi që të krijohej miti politik i pushtetit të tropojanëve.
Azem Hajdari qe i pakënaquri i madh nga ndarja e posteve pas ardhjes së PD në pushtet. Azem Hajdari donte të merrte postin e ministrit të Brendshëm, gjë që nuk e arriti. Pas insistimit të Hajdarit, Berisha i tha ftohtë: “Çfarë kërkon ti, që të na thotë opozita se këta dy tropojanët u bënë si dy gjeorgjianët, Stalini e Beria, në Bashkimin Sovjetik!” Atëherë Hajdari kërkoi postin e kryetarit të PD, i cili mbeti vakant se Berisha u zgjodh kryetar i PD. Por Berisha nuk mund të pranonte as që kryetari i partisë në pushtet të ishte një tropojan, në ndërkohë që Presidenti ishte tropojan. Në konferencën e PD që u mbajt në 16 prill 1992, për të zgjedhur kryetarin, Berisha mbështeti Eduard Selamin. Azem Hajdari kandidoi përballë tij, duke dashur që të tregojë se nuk kishte hequr dorë nga ambicia e tij. Gjithashtu kandidoi dhe nënkryetari tjetër i pakënaqur, Arben Imami. Nga 485 vota, Hajdari dhe Imami ndanë 74 votat që nuk i mori Selami, i cili mori 411 vota. Ky ishte dështimi i dytë i madh i Hajdarit. Pas kësaj ai u bë armik i Berishës.
Klani antiberishë në PD, ata që pak muaj më pas do të dilnin publikisht me një mocion, e nxitnin Azem Hajdarin që të dilte publikisht kundër Berishës. Por, Azem Hajdari, ndërsa i mbështeste, nuk donte që ta shiste veten lirë, dhe u kërkonte që ta njihnin si liderin e tyre. Por mocionistët, të cilët në shumicën e tyre qenë me origjinë nga Shqipëria e Jugut, dhe që donin ta çanin PD-në me kartën e antiveriorizmit, nuk mund të nxirrnin në krye të lëvizjes së tyre një tjetër tropojan. Prandaj ata e mbanin Hajdarin me premtime. Në fakt, mospërmbushja nga mocionistët e aspiratës së Hajdarit për të qenë lideri i tyre, e shpëtoi Hajdarin nga përjashtimi prej partisë në konferencën e gushtit 1992, e cila mbajti qëndrim ndaj mocionistëve. Mocionistët e PD të vitit 1992, qenë ekuivalenti i asaj që do të ishte në 2001 lëvizja për katarsis në PS.
Vijon...
Krijoni Kontakt