Agjensia e Lajmeve "SOT"
(kujtime nga i biri i gjovalin lukes..por gazeta nuk e thot se kush eshte i biri..)
hajde gazet hajde..
Kur ideohej, skenarizohej e xhirohej filmi “Skënderbeu”
Copëza kujtimesh dhe shënime nëpër libra nga Gjovalin Luka, njëri ndër ideatorët, organizatorët, kontribuesit dhe konsulentët historikë të filmit
Qysh nga viti 1947, babai im Gjovalin Luka kishte konstatuar se: “Deklarata”, të cilën Ismail Qemali, e shkruante më vonë në librin e tij “Kujtimet” (sidoqoftë me/ose pa dredhimet diplomatike të kohës) se, “po ringrinte flamurin e sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë, pasi kishte flejtur për 445 vjet i mbështjellë në palat e tij ”, duhej të konfrontohej me realitetin historik të 1912, por edhe me atë të viteve 1462-1464. Gjovalin Luka kishte vërejtur se I. Qemali kishte pasur parasysh datën e vdekjes së Gj. K. Skënderbeut, sipas M.Barletit, të cilin ndoshta e kishte njohur diçka nga botimet e rilindësve dhe nga botimet të “Albania” e Faik Konicës. Gj. Luka kishte mbajtur fjalën zyrtare, me rastin e 35 vjetorit të “Zë vendimit të mëvetësisë” më 1947 dhe duke u parapërgatitur me atë rast kishte fituar mjaft njohuri. Ndër të tjera, ai ma la mua edhe këtë porosi...
Unë e rishtrova çështjen qartë: A ka pasur ndonjëherë ndonjë moment historik, sado minimal, kur realisht Gj.K. Skënderbeu mund të ishte proklamuar si “Mbreti sovran i albanëve dhe i epirotëve”? Pasi i rishqyrtova të gjitha pasazhet e nënvizuara, të dyshuara, mua po më rezultonte, se kishte diçka në Vatikanin mesjetar që kishte synuar që kjo çështje të mbyllej e të mbetej e errët!
Ndërkaq, duke arritur te shekulli XX, dukej se gjithashtu kishte edhe një vetëdije dhe një konspiracion të qëllimtë të kastës së lartë monarkiste pan sulltaniste dhe të një pjese serviliste të historiografisë shqiptare të shek XX, për t’a lënë përfundimisht e përjetësisht “në gjumin e vdekjes dhe në terrin e ferrit”, faktin e pamohueshëm historik se Gj.K. Skënderbeut, realisht i ishte premtuar dhe i ishte akorduar kurora si mbret. Po kështu ishte fshehur e kamufluar, dhe nuk ishte trajtuar fare një britmë e madhe shpirti e popullit tonë, Gj. K. Skënderbeut dhe e vetë M. Barletit! Unë i rreshtova dhe i analizova një për një, një seri pasazhesh të nënvizuara nga babai im, të cilat edhe ishin të stërpërsëritura në librin e M. Barletit (shkurt “Historia e Skënderbeut”) dhe i konfrontova edhe me dokumentacionet e ndryshme kohore. Kështu, po më rezultonte dhe vërtetohej e argumentohej se, Princit Gjergj Kastrioti Skënderbeu edhe më përpara, por veçanërisht në kohën e Papës Piu II, i ishte premtuar kurora si “Mbret i Albanisë, Epirit, Maqedonisë e Thrakës”, për më tepër nga vetë Selia e Shenjtë dhe nga Lidhja Italike, i ishte premtuar e ishte folur hapur se, e kishin caktuar paradhënie edhe si “Kapiten i Përgjithshëm i Kryqëzatës”. Për më tepër akoma, Gj.K. Skënderbeun e kishin projektuar deri edhe si “Mbret i Romës së Re”, me rastin e fitores së kësaj Kryqëzate, e cila drejtohej kundër pushtimit të “zonave të okupuara Evropiane” dhe kundra Islamizatës vepruese të halifatit turko-osman. Ngjarjet dhe kontradiktat ndëritalike e ndër evropiane rrodhën si rrodhën dhe kështu dalëngadalë “kokoshi ishte reduktuar në një thelë”.
Në finale, në vitin 1464, Gj.K. Skënderbeut i ishte akorduar kurora vetëm si “Mbret i albanëve dhe epirotëve”, ndërsa kryepeshkopit Pal Engjëlli i ishte akorduar grada Kardinal. Për t’ua vendosur mbi kokë “kurorën e mbretit” dhe “festen e kardinalit” dhe për të celebruar ritet përkatëse në Durrës, siç ishte tradita mesjetare e kishës katolike romane ishte ngarkuar personalisht vetë Papa Piu II. A nuk do t’a donte e gjithë logjika e mundshme, që Papa që po vinte pikërisht me këtë rast, i kishte planifikuar e parapërgatitur “Kurorën e Mbretit” dhe “Festen e Kardinalit”?! Ndërsa ishte duke u i mbingarkuar në Ankona në anije për t’u nisur, papritur Papa Piu II vdiq. Kryqëzata, plasi si një tullumbace dhe pati mjaft përfolje dhe akuza për mos organizimin e saj, për shpërdorimin e fondeve, pati edhe akuza cinike për pakënaqësira, vjedhje etj. Posti i “Kapitenit të Përgjithshëm të Kryqëzatës” i ishte ngarkuar, nga vetë Papa Piu II, dukës së Milanos Françesko Sforca, ndërsa si “Mbret i Romës së Re”, aspironte të bëhej vetë dredharaku mbreti Ferdinandi i Napolit.
Shumë e dëshirueshme do të kishte qenë sikur mbi bazën e një veprimi honorifik dhe retrospektiv kjo kurorë mbretërore t’i rikthehej e t’i rikonfirmohej heroit tonë nacional alban/shqiptar Gj. K. Skënderbeut. Mirëpo ndodhi që kasta e lartë politike, madje edhe autoritetet shkencore, si rëndom, e bënë “syrin qorr e veshin shurdhër” dhe për këtë rast mbajtën një heshtje skandaloze! Padyshim, këtu është rasti që shkaku të thuhet shqip e shkoqur: me sa duket, disa qarqeve të shijeve pan turko-orjentale halifatiste, akoma edhe sot i pëlqen uzurpimi e përvetësimi i paligjshëm i kurorës/alias Përkrenares, mbretërore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i pëlqen “legjitimimi si trashëgimi” nga mbreti i vetëshpallur i shek XX Ahmet Zogolli I dhe nga trashëgimtarët e tij; disa qarqeve filo-fashiste të Kuvendit, i pëlqen të fshehin me dhelpëri atë maskaradën e dhurimit të kësaj Përkrenareje (në fakt një kopje nga origjinali) me funksionin e “kurorës mbretërore shqiptare”, nga një delegacion i përzgjedhur fashistësh shqiptar, mbretit perandor Viktor Emmanuelit III! Rezultonte se, de facto dhe de jure qysh nga viti 1464, Gj.K. Skënderbeu ishte njohur legjitimist si “Mbret i albanëve dhe i epirotëve”, por, mbeti pa u zhvilluar vetëm rituali i ceremonisë dhe ndërkaq gradualisht iu ngushtua dhe iu pushtua i gjithë territori i planifikuar i mbretërisë.
Ideja dhe realizmi i filmit “Skënderbeu”
Babai im, Gjovalin Luka, një personalitet mjaft i njohur në Shkodër, më 1945, sëbashku me një inxhinier italian, me të vëllain e tij Kol Luka dhe me ndonjë person tjetër, kishte qenë si ideuesi e themeluesi i “Radio Shkodrës”. Më 1945, ai përkrahu dhe organizoi shfaqjen e dramës “Juda Makabe”dhe shfaqjen e pjesës “Bassi fondi” të M. Gorkit, nën titullin e përshtatur si “Bujtina e të varfërve”. Në atë vit, në shtator, ai u transferua në Tiranë. Me përpjekje këmbëngulëse Gjovalini u dha dorën, i ndihmoi, ndërhyri për t’i liruar nga birucat, u hapi rrugën dhe i siguroi punë dhe bursa studimi për në vendet e demokracive popullore, shumë e shumë intelektualëve e talenteve shkodrane e jo shkodrane, të cilët ishin vënë në shënjestër ose po përndiqeshin e persekutoheshin padrejtësisht, si Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daia, Simon Gjoni, Injac Zamputi, Gjon Karma, Zef Zorba, Viktor Stratobërdha e sa e sa të tjerëve. Por, si rrodhën më pas ngjarjet, kur Gjovalini iu kundërvu fuqimisht kultit të individit të Enver Hoxhës, atë brenda një dite e “harruan”... madje pak nga pak më pas edhe të gjitha kontributet filluan t’ia përvetësojnë, derisa ia zhdukën të gjitha, për të përfunduar gati-gati edhe si një person që nuk kishte ekzistuar fare! Puna shkoi aq në ekstrem e në paradoks, sa çifti Hoxha e cilësoi: “Gjovalin Luka, armik hipokrit, gjarpër me këmbë të fshehta, armik me kthetra, element i degjeneruar politikisht, karrierist i tërbuar, njeri i pakorrigjueshëm, person me krime kundra shtetit, kundra partisë dhe kundra kultit të E. Hoxhës, skizofren i papërgjegjshëm” etj, ndërsa në Zyrën e Gjendjes Gjyqësore figuron: “Me këtë identitet nuk kemi asnjë të dënuar”! (Shih, E. Hoxha, “Ditar”, 1955-1957, bot. 1987, f 77)
Edhe ngjau kështu që kjo inercia e këtij mbulimi makabër e ideuar e projektuar nga çifti Hoxha, vazhdoi edhe në kohën e xhonëve demokratë e socialistë... Zotërinjtë e rinj kërkonin komprometime, nëpër tribunat e tyre mashtruese populiste, lumpen proletare dhe maloke-fshatare. E shkreta “demokraci pluraliste” e kishte të paracaktuar nga lart se si duhej të vazhdonte, sipas asaj “Katovices shqiptare” së Nexhmijes dhe Ramizit... Babai im Gjovalin Luka, duke qenë fillimisht si Sekretari i Përgjithshëm i Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri-BRSS (më vonë Shoqëria për Lidhje Kulturore Shqipëri-BRSS), pastaj edhe si kryeredaktori i revistës “Miqësia”, deri në qershor 1955, ka pasur një rol organizatori, kontribuesi dhe konsulenti, qysh nga ato dokumentarët e parë dhe më pas edhe në filmin Skënderbeu. Ky film, që ne në Shqipëri e njohim me emrin e shkurtuar “Skënderbeu”, ka qenë një prodhim i përbashkët sovjeto-shqiptar, dhe në rusisht e kishte titullin “??????? ???? ??????? ????????e?”.
Premiera e filmit u shfaq për herë të parë më 28 nëntor 1953, në kinema Kosova në Tiranë dhe në Moskë. Ideja për të bërë një film për heroin tonë nacional Gj.K. Skënderbeun, me një propozim shqiptar, duket se fillon qysh aty nga viti 1945, në LSHSH, në një bisedë kolektive me Ilia Ehrenburg. Më 1947, përsëri ishte biseduar si ide e dëshirë shqiptare, me shokët sovjetikë në Moskë, me rastin e një vizite të një delegacioni kulturor të nivelit të lartë. Përsëri ishin shkëmbyer disa mendime edhe me rastin e xhirimit të nja dy dokumentarëve dhe disa pamjeve të tjera nga regjisori i njohur sovjetik Kopalin, i cili me vete kishte sjell edhe një grup kineastësh ekspertë. I komenton sot dikush, ato dokumentarë në TV Klan, por për hipokrizi, as e merr mundimin t’i thotë dy fjalë edhe për kontributin e Gj. Lukës... Me sa kam dëgjuar dhe me sa e gjej edhe nëpër shënimet e prindit tim, regjisori i famshëm Kopalin kishte qenë edhe si interlokutori i parë, i cili dëshirën shqiptare e kishte përcjellë deri në sferat më të larta në Moskë. Më vonë, siç do të ngjante me të gjitha punët, të gjithë meritën, sigurisht edhe ideimin e parë, pjesë nga skenari, këshillime historike etj, do të gëlltiteshin e përvetësoheshin nga egoisti dhe nepsaxhiu manjak, gjarpri anakonda E. Hoxha. Një hap i mbarë, për t’a futur realizimin e këtij filmi në një rrjedhë konkrete, filloi aty nga viti 1952, kur tashmë kishte marrë një formë të parë një lloj skicë-skenari. Për këtë skenar zyrtarisht nga pala sovjetike ishte përzgjedhur specialisti Mikhail Papava.
Ky me ndërmjetësinë e Shoqërisë për Lidhje Kulturore Shqipëri-BRSS dhe të ngarkuarve kulturorë të ambasadës sovjetike, përveç disa literaturave modeste që i kishte siguruar nga bibliotekat e Moskës dhe Leningradit, kërkoi dhe mblodhi mjaft literatura e materiale nga fondi i bibliotekave të Tiranës dhe Shkodrës. Ky ishte një kontribut mjaft i madh që dhanë intelektualët shqiptarë, ndër ta edhe babai im. Me sa ruaj nga kujtimet e babait tim, skenaristin rus shpesh herë e shoqëronte i talentuari Viktor Stratobërdha, i cili studionte në BRSS dhe e fliste rrjedhshëm rusishten. (Gjon Karma dhe Viktor Stratobërdha do të kishin kurajën, trimërinë dhe fisnikërinë, ta vizitonin shumë më vonë babanë tim në Roskovec andej nga vitet 70-ta, kur trupa e Teatrit Kombëtar erdhi në një rast për të shfaqur “Karnevalet e Korçës”). Siç e tregonte babai im, Papava ishte një njeri që futej kudo dhe madje si qejfli i një lloj loje, kishte krijuar plot shoqërira të ndryshme. Për të vërtetën historike, si konsulentë, si mbledhës materialesh, si diskutantë e si debatues konsulentë historik të skenarit dhe regjisë dhe në të gjitha gjinitë e ndryshme (të shënuar në filmat apo jo), kanë marrë pjesë edhe një numër jashtëzakonisht i konsiderueshëm intelektualësh shqiptarë. Sipas babait tim, madje këto intelektualë shqiptarë e kishin bërë punën kryesore, ndërsa ajkën e meritës e merrnin xhaba specialistët rusë. Si konsulentë historikë një kontribut të shquar kanë dhënë edhe intelektualë si, A. Buda, I. Zamputi, Dh. Shuteriqi, S. Prifti, Th. Popa, Gj. Luka, K. Luka, K. Jakova, F. Jakova, Ll. Siliqi, F. Gjata, S. Luarasi, M. Ndoja, Z. Sako, Rr. Zojzi, A. Ashiku dhe shumë e shumë të tjerë. Edhe vetë regjisori i filmit Sergiej Jutkjeviç, shpesh herë ka shprehur diskutime, por edhe ka ndikuar e ka vendosur ai vetë për disa episode, sidomos në skenar por edhe në pjesë që i takonin heraldikave, veshjeve luftarake, kostumografisë etj.
Kur erdhi fundi, shokët sovjetikë morën edhe dekorata të larta, ndërsa nga ata pak kush u kujtua për sadopak modesti edhe për kontributin e madh që dhanë intelektualët shqiptarë. Vlen të veçohet e të përmendet këtu, ndoshta regjisori S. Jutkjeviç, i cili një numër të madh fotografish me ngjyra gjatë kohës së punës në Shqipëri ia kishte dërguar babait tim me postë. Këto foto, sëbashku me mjaft materiale të Migjenit etj, na i plaçkiti sigurimi i E. Hoxhës gjatë një kontroll-bastisie në internim në Roskovec. Dikush kishte spiunuar...Në procesin e punës, edhe përgjatë xhirimeve kishin lindur dhe ishin zhvilluar mjaft diskutime e debatime. Përveçse në zyrë, disa herë kishte qëlluar që kryespecialistët sovjetikë dhe disa nga shokët e ngarkuar shqiptarë, thërriteshin veç e veç ose në kolektiv, për pasdite e për darka edhe te shtëpia e Enver Hoxhës dhe aty hapeshin mjaft diskutime. Puna më intensive për realizimin, xhirimin dhe përfundimin e këtij filmi historiko-artistik me ngjyra, që tashti ishte edhe si një detyrë e ngarkuar nga rangjet partiake më të larta, u zhvillua intensivisht përgjatë gjithë vitit 1953. Një grup i madh ekspertësh nga disa gjini të ndryshme (siç e kërkonte një film kinematografik i këtij rangu), sovjetikë dhe shqiptarë, punonin pandërprerë për prodhimin e këtij filmi. Me gjithë një ulje ritmi e intensiteti, për shkakun e vdekjes së Stalinit, puna rifilloi përsëri me ritëm të lartë. U zgjidhën në terren mjaft vështirësi, u gjetën artiste e artistë shqiptar jashtëzakonisht të talentuar, që shokëve sovjetikë i dolën si surpriza që as nuk i kishin menduar. Regjisori sovjetik Sergiei Jutkjeviç, u kishte vënë syrin për studime edhe mjaft talenteve pionierë aso kohe. Qysh nga viti 1946, banonim në “Bllokun e Udhëheqëseve”, përballë me “Pallatin e Sovjetikëve” dhe ngjitur me një mur me shtëpinë tonë, banonte ambasadori i BRSS. I pari ka qenë Dimitri Çuvahin dhe mbas tij Leveçkini. Mbaj mend se isha bërë si i njohur edhe për rusët edhe për udhëheqësit e lartë shqiptar, për një kalë-shkop, një shpatë-shkop dhe një përkrenare gazete. Në vitet e shkollës 7 vjeçare, këtë film unë e kam parë disa herë në Roskovec, ku na kishin internuar politikisht familjarisht qysh nga nata e vitit të ri 1956-1957.
Atje, buzë rrugës automobilistike, SMT-ja kishte një sallë shfaqjesh për estradë, komedi e drama dhe babai im me amatorët përgatitën edhe një shfaqje. Pastaj më 1958, kur plasi Pusi 542 i Marinzës, e ri-internuan në Zvërnec... Në filmatin e parë, në listën e fundit të filmit figuronte si konsulenti i filmit për anën historike edhe emri Gjovalin Luka. Më pas me një porosi direkte nga çifti Hoxha, emrin e tij e fshinë. Ky film, diku u shkurtua, por nuk është e vërtetë se ka qenë i ndaluar kategorikisht. Kushedi se sa herë duhet t’a kem parë këtë film. Ndërkaq, për një mund t’ju siguroj me saktësi: në këto vitet e demokracisë, sigurisht në saje të televizionit, e kam parë vit për vit (minimumi nga një herë në vit), duke qenë se shfaqja e këtij filmi na është bërë jo vetëm si një rregull, por të themi edhe si një rit fetar, krahas me atë filmin “Nëntori i Dytë”, madje si për çudi nuk mungojnë, si nga televizioni shtetëror e si nga televizionet private dyzinat e filmave me bëmat dhe portretin e xhaxhi Enverit në mur... Filmi “Skënderbeu” (si “Nëntori” i parë i vitit 1443), sigurisht përmbante disa pasaktësi historike e të meta. Me sa kam dëgjuar, një medievist i njohur si G. Valentini, në Shqipëri e në Itali, kishte botuar edhe një artikull me vërejtje. Për ndonjë nga këto vërejtje edhe baba im i kishte diskutime qysh atë kohë, ndërsa mbi disa të tjera kishte reflektuar më vonë. Gjithsesi ato të meta do të ishin lule, në lidhje me falsifikimet e banalizimet antihistorike te filmi “Nëntori i Dytë”...
Një episod i përzgjedhur nga koha e xhirimit më 1953
Për të pasur një pamje sa më të qartë të mundshme për filmin, kjo detyrë sigurisht kërkon një botim madhor më vete, që do të kërkonte gjurmime të hollësishme, nëpër arkivat e kinostudiove dhe të shtypit të kohës, nëpër kujtimet e personave specialistë dhe të familjarëve të pjesëmarrësve në atë film etj. Një si pyetje e parë që mbase do e kërkonte brezi i sotëm, do të ishte se mbi cilën literaturë historike bazë u vendos të hartohej skenari? Një tjetër pyetje e çështje kurioze do të ishte se, si kishin qenë diskutimet, vërejtjet me shkrim dhe me gojë të konsulentëve shqiptarë dhe sovjetikë etj. Për sa i përket pyetjes së parë, bazuar në thëniet e babait tim, del se aso kohe libri i Marin Barletit njihej pjesërisht, më shumë ky libër njihej nga disa përkthime italishte të mëvonshme. Për njohuritë e shqiptarëve, pak a shumë si bazë kishte shërbyer direkt libri i Fan Nolit, botimi i vitit 1921.
Shumë pjesë nga ky botim, disa përkthyes shqiptarë që e njihnin mirë rusishten, ia kishin përkthyer me përzgjedhje, herë pas here, skenaristit Mikhail Papava. Ndër to ka qenë edhe babai im. Për çështjen e dytë, do të mundohem të hedh pak dritë gjatë shtjellimit më poshtë. (Kujtimet gojore dhe ndonjë pjesë të shkruar të babait tim, këtu i kam përmbledhur në formën e dialogut. AL). Specialistët e huaj sovjetikë çuditeshin dhe u bënte një përshtypje të jashtëzakonshme, ky vend kaq rrënojë, aq sa “në vendin e shqiponjave” kishin shteruar deri edhe shqiponjat dhe për këtë arsye kishte gjarpërinj në një sasi të jashtëzakonshme! Duhej të kërkoje me ditë të tëra për të gjetur ndonjë kokërr shqiponje, në mos të dilte skifter fare. Ata nuk mundeshin t’a konceptonin se si shumë e shumë subjekte të historisë dhe të biografisë së heroit tonë mbeteshin fare të pa qarta dhe aq në terr e aq të diskutueshme! (vijon në numrin e ardhshëm)
Krijoni Kontakt