Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Gjovalin Luka për filmin "Skënderbeu"

    Agjensia e Lajmeve "SOT"

    (kujtime nga i biri i gjovalin lukes..por gazeta nuk e thot se kush eshte i biri..)

    hajde gazet hajde..



    Kur ideohej, skenarizohej e xhirohej filmi “Skënderbeu”

    Copëza kujtimesh dhe shënime nëpër libra nga Gjovalin Luka, njëri ndër ideatorët, organizatorët, kontribuesit dhe konsulentët historikë të filmit
    Qysh nga viti 1947, babai im Gjovalin Luka kishte konstatuar se: “Deklarata”, të cilën Ismail Qemali, e shkruante më vonë në librin e tij “Kujtimet” (sidoqoftë me/ose pa dredhimet diplomatike të kohës) se, “po ringrinte flamurin e sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë, pasi kishte flejtur për 445 vjet i mbështjellë në palat e tij ”, duhej të konfrontohej me realitetin historik të 1912, por edhe me atë të viteve 1462-1464. Gjovalin Luka kishte vërejtur se I. Qemali kishte pasur parasysh datën e vdekjes së Gj. K. Skënderbeut, sipas M.Barletit, të cilin ndoshta e kishte njohur diçka nga botimet e rilindësve dhe nga botimet të “Albania” e Faik Konicës. Gj. Luka kishte mbajtur fjalën zyrtare, me rastin e 35 vjetorit të “Zë vendimit të mëvetësisë” më 1947 dhe duke u parapërgatitur me atë rast kishte fituar mjaft njohuri. Ndër të tjera, ai ma la mua edhe këtë porosi...
    Unë e rishtrova çështjen qartë: A ka pasur ndonjëherë ndonjë moment historik, sado minimal, kur realisht Gj.K. Skënderbeu mund të ishte proklamuar si “Mbreti sovran i albanëve dhe i epirotëve”? Pasi i rishqyrtova të gjitha pasazhet e nënvizuara, të dyshuara, mua po më rezultonte, se kishte diçka në Vatikanin mesjetar që kishte synuar që kjo çështje të mbyllej e të mbetej e errët!
    Ndërkaq, duke arritur te shekulli XX, dukej se gjithashtu kishte edhe një vetëdije dhe një konspiracion të qëllimtë të kastës së lartë monarkiste pan sulltaniste dhe të një pjese serviliste të historiografisë shqiptare të shek XX, për t’a lënë përfundimisht e përjetësisht “në gjumin e vdekjes dhe në terrin e ferrit”, faktin e pamohueshëm historik se Gj.K. Skënderbeut, realisht i ishte premtuar dhe i ishte akorduar kurora si mbret. Po kështu ishte fshehur e kamufluar, dhe nuk ishte trajtuar fare një britmë e madhe shpirti e popullit tonë, Gj. K. Skënderbeut dhe e vetë M. Barletit! Unë i rreshtova dhe i analizova një për një, një seri pasazhesh të nënvizuara nga babai im, të cilat edhe ishin të stërpërsëritura në librin e M. Barletit (shkurt “Historia e Skënderbeut”) dhe i konfrontova edhe me dokumentacionet e ndryshme kohore. Kështu, po më rezultonte dhe vërtetohej e argumentohej se, Princit Gjergj Kastrioti Skënderbeu edhe më përpara, por veçanërisht në kohën e Papës Piu II, i ishte premtuar kurora si “Mbret i Albanisë, Epirit, Maqedonisë e Thrakës”, për më tepër nga vetë Selia e Shenjtë dhe nga Lidhja Italike, i ishte premtuar e ishte folur hapur se, e kishin caktuar paradhënie edhe si “Kapiten i Përgjithshëm i Kryqëzatës”. Për më tepër akoma, Gj.K. Skënderbeun e kishin projektuar deri edhe si “Mbret i Romës së Re”, me rastin e fitores së kësaj Kryqëzate, e cila drejtohej kundër pushtimit të “zonave të okupuara Evropiane” dhe kundra Islamizatës vepruese të halifatit turko-osman. Ngjarjet dhe kontradiktat ndëritalike e ndër evropiane rrodhën si rrodhën dhe kështu dalëngadalë “kokoshi ishte reduktuar në një thelë”.
    Në finale, në vitin 1464, Gj.K. Skënderbeut i ishte akorduar kurora vetëm si “Mbret i albanëve dhe epirotëve”, ndërsa kryepeshkopit Pal Engjëlli i ishte akorduar grada Kardinal. Për t’ua vendosur mbi kokë “kurorën e mbretit” dhe “festen e kardinalit” dhe për të celebruar ritet përkatëse në Durrës, siç ishte tradita mesjetare e kishës katolike romane ishte ngarkuar personalisht vetë Papa Piu II. A nuk do t’a donte e gjithë logjika e mundshme, që Papa që po vinte pikërisht me këtë rast, i kishte planifikuar e parapërgatitur “Kurorën e Mbretit” dhe “Festen e Kardinalit”?! Ndërsa ishte duke u i mbingarkuar në Ankona në anije për t’u nisur, papritur Papa Piu II vdiq. Kryqëzata, plasi si një tullumbace dhe pati mjaft përfolje dhe akuza për mos organizimin e saj, për shpërdorimin e fondeve, pati edhe akuza cinike për pakënaqësira, vjedhje etj. Posti i “Kapitenit të Përgjithshëm të Kryqëzatës” i ishte ngarkuar, nga vetë Papa Piu II, dukës së Milanos Françesko Sforca, ndërsa si “Mbret i Romës së Re”, aspironte të bëhej vetë dredharaku mbreti Ferdinandi i Napolit.
    Shumë e dëshirueshme do të kishte qenë sikur mbi bazën e një veprimi honorifik dhe retrospektiv kjo kurorë mbretërore t’i rikthehej e t’i rikonfirmohej heroit tonë nacional alban/shqiptar Gj. K. Skënderbeut. Mirëpo ndodhi që kasta e lartë politike, madje edhe autoritetet shkencore, si rëndom, e bënë “syrin qorr e veshin shurdhër” dhe për këtë rast mbajtën një heshtje skandaloze! Padyshim, këtu është rasti që shkaku të thuhet shqip e shkoqur: me sa duket, disa qarqeve të shijeve pan turko-orjentale halifatiste, akoma edhe sot i pëlqen uzurpimi e përvetësimi i paligjshëm i kurorës/alias Përkrenares, mbretërore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i pëlqen “legjitimimi si trashëgimi” nga mbreti i vetëshpallur i shek XX Ahmet Zogolli I dhe nga trashëgimtarët e tij; disa qarqeve filo-fashiste të Kuvendit, i pëlqen të fshehin me dhelpëri atë maskaradën e dhurimit të kësaj Përkrenareje (në fakt një kopje nga origjinali) me funksionin e “kurorës mbretërore shqiptare”, nga një delegacion i përzgjedhur fashistësh shqiptar, mbretit perandor Viktor Emmanuelit III! Rezultonte se, de facto dhe de jure qysh nga viti 1464, Gj.K. Skënderbeu ishte njohur legjitimist si “Mbret i albanëve dhe i epirotëve”, por, mbeti pa u zhvilluar vetëm rituali i ceremonisë dhe ndërkaq gradualisht iu ngushtua dhe iu pushtua i gjithë territori i planifikuar i mbretërisë.

    Ideja dhe realizmi i filmit “Skënderbeu”
    Babai im, Gjovalin Luka, një personalitet mjaft i njohur në Shkodër, më 1945, sëbashku me një inxhinier italian, me të vëllain e tij Kol Luka dhe me ndonjë person tjetër, kishte qenë si ideuesi e themeluesi i “Radio Shkodrës”. Më 1945, ai përkrahu dhe organizoi shfaqjen e dramës “Juda Makabe”dhe shfaqjen e pjesës “Bassi fondi” të M. Gorkit, nën titullin e përshtatur si “Bujtina e të varfërve”. Në atë vit, në shtator, ai u transferua në Tiranë. Me përpjekje këmbëngulëse Gjovalini u dha dorën, i ndihmoi, ndërhyri për t’i liruar nga birucat, u hapi rrugën dhe i siguroi punë dhe bursa studimi për në vendet e demokracive popullore, shumë e shumë intelektualëve e talenteve shkodrane e jo shkodrane, të cilët ishin vënë në shënjestër ose po përndiqeshin e persekutoheshin padrejtësisht, si Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daia, Simon Gjoni, Injac Zamputi, Gjon Karma, Zef Zorba, Viktor Stratobërdha e sa e sa të tjerëve. Por, si rrodhën më pas ngjarjet, kur Gjovalini iu kundërvu fuqimisht kultit të individit të Enver Hoxhës, atë brenda një dite e “harruan”... madje pak nga pak më pas edhe të gjitha kontributet filluan t’ia përvetësojnë, derisa ia zhdukën të gjitha, për të përfunduar gati-gati edhe si një person që nuk kishte ekzistuar fare! Puna shkoi aq në ekstrem e në paradoks, sa çifti Hoxha e cilësoi: “Gjovalin Luka, armik hipokrit, gjarpër me këmbë të fshehta, armik me kthetra, element i degjeneruar politikisht, karrierist i tërbuar, njeri i pakorrigjueshëm, person me krime kundra shtetit, kundra partisë dhe kundra kultit të E. Hoxhës, skizofren i papërgjegjshëm” etj, ndërsa në Zyrën e Gjendjes Gjyqësore figuron: “Me këtë identitet nuk kemi asnjë të dënuar”! (Shih, E. Hoxha, “Ditar”, 1955-1957, bot. 1987, f 77)
    Edhe ngjau kështu që kjo inercia e këtij mbulimi makabër e ideuar e projektuar nga çifti Hoxha, vazhdoi edhe në kohën e xhonëve demokratë e socialistë... Zotërinjtë e rinj kërkonin komprometime, nëpër tribunat e tyre mashtruese populiste, lumpen proletare dhe maloke-fshatare. E shkreta “demokraci pluraliste” e kishte të paracaktuar nga lart se si duhej të vazhdonte, sipas asaj “Katovices shqiptare” së Nexhmijes dhe Ramizit... Babai im Gjovalin Luka, duke qenë fillimisht si Sekretari i Përgjithshëm i Shoqërisë së Miqësisë Shqipëri-BRSS (më vonë Shoqëria për Lidhje Kulturore Shqipëri-BRSS), pastaj edhe si kryeredaktori i revistës “Miqësia”, deri në qershor 1955, ka pasur një rol organizatori, kontribuesi dhe konsulenti, qysh nga ato dokumentarët e parë dhe më pas edhe në filmin Skënderbeu. Ky film, që ne në Shqipëri e njohim me emrin e shkurtuar “Skënderbeu”, ka qenë një prodhim i përbashkët sovjeto-shqiptar, dhe në rusisht e kishte titullin “??????? ???? ??????? ????????e?”.
    Premiera e filmit u shfaq për herë të parë më 28 nëntor 1953, në kinema Kosova në Tiranë dhe në Moskë. Ideja për të bërë një film për heroin tonë nacional Gj.K. Skënderbeun, me një propozim shqiptar, duket se fillon qysh aty nga viti 1945, në LSHSH, në një bisedë kolektive me Ilia Ehrenburg. Më 1947, përsëri ishte biseduar si ide e dëshirë shqiptare, me shokët sovjetikë në Moskë, me rastin e një vizite të një delegacioni kulturor të nivelit të lartë. Përsëri ishin shkëmbyer disa mendime edhe me rastin e xhirimit të nja dy dokumentarëve dhe disa pamjeve të tjera nga regjisori i njohur sovjetik Kopalin, i cili me vete kishte sjell edhe një grup kineastësh ekspertë. I komenton sot dikush, ato dokumentarë në TV Klan, por për hipokrizi, as e merr mundimin t’i thotë dy fjalë edhe për kontributin e Gj. Lukës... Me sa kam dëgjuar dhe me sa e gjej edhe nëpër shënimet e prindit tim, regjisori i famshëm Kopalin kishte qenë edhe si interlokutori i parë, i cili dëshirën shqiptare e kishte përcjellë deri në sferat më të larta në Moskë. Më vonë, siç do të ngjante me të gjitha punët, të gjithë meritën, sigurisht edhe ideimin e parë, pjesë nga skenari, këshillime historike etj, do të gëlltiteshin e përvetësoheshin nga egoisti dhe nepsaxhiu manjak, gjarpri anakonda E. Hoxha. Një hap i mbarë, për t’a futur realizimin e këtij filmi në një rrjedhë konkrete, filloi aty nga viti 1952, kur tashmë kishte marrë një formë të parë një lloj skicë-skenari. Për këtë skenar zyrtarisht nga pala sovjetike ishte përzgjedhur specialisti Mikhail Papava.
    Ky me ndërmjetësinë e Shoqërisë për Lidhje Kulturore Shqipëri-BRSS dhe të ngarkuarve kulturorë të ambasadës sovjetike, përveç disa literaturave modeste që i kishte siguruar nga bibliotekat e Moskës dhe Leningradit, kërkoi dhe mblodhi mjaft literatura e materiale nga fondi i bibliotekave të Tiranës dhe Shkodrës. Ky ishte një kontribut mjaft i madh që dhanë intelektualët shqiptarë, ndër ta edhe babai im. Me sa ruaj nga kujtimet e babait tim, skenaristin rus shpesh herë e shoqëronte i talentuari Viktor Stratobërdha, i cili studionte në BRSS dhe e fliste rrjedhshëm rusishten. (Gjon Karma dhe Viktor Stratobërdha do të kishin kurajën, trimërinë dhe fisnikërinë, ta vizitonin shumë më vonë babanë tim në Roskovec andej nga vitet 70-ta, kur trupa e Teatrit Kombëtar erdhi në një rast për të shfaqur “Karnevalet e Korçës”). Siç e tregonte babai im, Papava ishte një njeri që futej kudo dhe madje si qejfli i një lloj loje, kishte krijuar plot shoqërira të ndryshme. Për të vërtetën historike, si konsulentë, si mbledhës materialesh, si diskutantë e si debatues konsulentë historik të skenarit dhe regjisë dhe në të gjitha gjinitë e ndryshme (të shënuar në filmat apo jo), kanë marrë pjesë edhe një numër jashtëzakonisht i konsiderueshëm intelektualësh shqiptarë. Sipas babait tim, madje këto intelektualë shqiptarë e kishin bërë punën kryesore, ndërsa ajkën e meritës e merrnin xhaba specialistët rusë. Si konsulentë historikë një kontribut të shquar kanë dhënë edhe intelektualë si, A. Buda, I. Zamputi, Dh. Shuteriqi, S. Prifti, Th. Popa, Gj. Luka, K. Luka, K. Jakova, F. Jakova, Ll. Siliqi, F. Gjata, S. Luarasi, M. Ndoja, Z. Sako, Rr. Zojzi, A. Ashiku dhe shumë e shumë të tjerë. Edhe vetë regjisori i filmit Sergiej Jutkjeviç, shpesh herë ka shprehur diskutime, por edhe ka ndikuar e ka vendosur ai vetë për disa episode, sidomos në skenar por edhe në pjesë që i takonin heraldikave, veshjeve luftarake, kostumografisë etj.
    Kur erdhi fundi, shokët sovjetikë morën edhe dekorata të larta, ndërsa nga ata pak kush u kujtua për sadopak modesti edhe për kontributin e madh që dhanë intelektualët shqiptarë. Vlen të veçohet e të përmendet këtu, ndoshta regjisori S. Jutkjeviç, i cili një numër të madh fotografish me ngjyra gjatë kohës së punës në Shqipëri ia kishte dërguar babait tim me postë. Këto foto, sëbashku me mjaft materiale të Migjenit etj, na i plaçkiti sigurimi i E. Hoxhës gjatë një kontroll-bastisie në internim në Roskovec. Dikush kishte spiunuar...Në procesin e punës, edhe përgjatë xhirimeve kishin lindur dhe ishin zhvilluar mjaft diskutime e debatime. Përveçse në zyrë, disa herë kishte qëlluar që kryespecialistët sovjetikë dhe disa nga shokët e ngarkuar shqiptarë, thërriteshin veç e veç ose në kolektiv, për pasdite e për darka edhe te shtëpia e Enver Hoxhës dhe aty hapeshin mjaft diskutime. Puna më intensive për realizimin, xhirimin dhe përfundimin e këtij filmi historiko-artistik me ngjyra, që tashti ishte edhe si një detyrë e ngarkuar nga rangjet partiake më të larta, u zhvillua intensivisht përgjatë gjithë vitit 1953. Një grup i madh ekspertësh nga disa gjini të ndryshme (siç e kërkonte një film kinematografik i këtij rangu), sovjetikë dhe shqiptarë, punonin pandërprerë për prodhimin e këtij filmi. Me gjithë një ulje ritmi e intensiteti, për shkakun e vdekjes së Stalinit, puna rifilloi përsëri me ritëm të lartë. U zgjidhën në terren mjaft vështirësi, u gjetën artiste e artistë shqiptar jashtëzakonisht të talentuar, që shokëve sovjetikë i dolën si surpriza që as nuk i kishin menduar. Regjisori sovjetik Sergiei Jutkjeviç, u kishte vënë syrin për studime edhe mjaft talenteve pionierë aso kohe. Qysh nga viti 1946, banonim në “Bllokun e Udhëheqëseve”, përballë me “Pallatin e Sovjetikëve” dhe ngjitur me një mur me shtëpinë tonë, banonte ambasadori i BRSS. I pari ka qenë Dimitri Çuvahin dhe mbas tij Leveçkini. Mbaj mend se isha bërë si i njohur edhe për rusët edhe për udhëheqësit e lartë shqiptar, për një kalë-shkop, një shpatë-shkop dhe një përkrenare gazete. Në vitet e shkollës 7 vjeçare, këtë film unë e kam parë disa herë në Roskovec, ku na kishin internuar politikisht familjarisht qysh nga nata e vitit të ri 1956-1957.
    Atje, buzë rrugës automobilistike, SMT-ja kishte një sallë shfaqjesh për estradë, komedi e drama dhe babai im me amatorët përgatitën edhe një shfaqje. Pastaj më 1958, kur plasi Pusi 542 i Marinzës, e ri-internuan në Zvërnec... Në filmatin e parë, në listën e fundit të filmit figuronte si konsulenti i filmit për anën historike edhe emri Gjovalin Luka. Më pas me një porosi direkte nga çifti Hoxha, emrin e tij e fshinë. Ky film, diku u shkurtua, por nuk është e vërtetë se ka qenë i ndaluar kategorikisht. Kushedi se sa herë duhet t’a kem parë këtë film. Ndërkaq, për një mund t’ju siguroj me saktësi: në këto vitet e demokracisë, sigurisht në saje të televizionit, e kam parë vit për vit (minimumi nga një herë në vit), duke qenë se shfaqja e këtij filmi na është bërë jo vetëm si një rregull, por të themi edhe si një rit fetar, krahas me atë filmin “Nëntori i Dytë”, madje si për çudi nuk mungojnë, si nga televizioni shtetëror e si nga televizionet private dyzinat e filmave me bëmat dhe portretin e xhaxhi Enverit në mur... Filmi “Skënderbeu” (si “Nëntori” i parë i vitit 1443), sigurisht përmbante disa pasaktësi historike e të meta. Me sa kam dëgjuar, një medievist i njohur si G. Valentini, në Shqipëri e në Itali, kishte botuar edhe një artikull me vërejtje. Për ndonjë nga këto vërejtje edhe baba im i kishte diskutime qysh atë kohë, ndërsa mbi disa të tjera kishte reflektuar më vonë. Gjithsesi ato të meta do të ishin lule, në lidhje me falsifikimet e banalizimet antihistorike te filmi “Nëntori i Dytë”...

    Një episod i përzgjedhur nga koha e xhirimit më 1953
    Për të pasur një pamje sa më të qartë të mundshme për filmin, kjo detyrë sigurisht kërkon një botim madhor më vete, që do të kërkonte gjurmime të hollësishme, nëpër arkivat e kinostudiove dhe të shtypit të kohës, nëpër kujtimet e personave specialistë dhe të familjarëve të pjesëmarrësve në atë film etj. Një si pyetje e parë që mbase do e kërkonte brezi i sotëm, do të ishte se mbi cilën literaturë historike bazë u vendos të hartohej skenari? Një tjetër pyetje e çështje kurioze do të ishte se, si kishin qenë diskutimet, vërejtjet me shkrim dhe me gojë të konsulentëve shqiptarë dhe sovjetikë etj. Për sa i përket pyetjes së parë, bazuar në thëniet e babait tim, del se aso kohe libri i Marin Barletit njihej pjesërisht, më shumë ky libër njihej nga disa përkthime italishte të mëvonshme. Për njohuritë e shqiptarëve, pak a shumë si bazë kishte shërbyer direkt libri i Fan Nolit, botimi i vitit 1921.
    Shumë pjesë nga ky botim, disa përkthyes shqiptarë që e njihnin mirë rusishten, ia kishin përkthyer me përzgjedhje, herë pas here, skenaristit Mikhail Papava. Ndër to ka qenë edhe babai im. Për çështjen e dytë, do të mundohem të hedh pak dritë gjatë shtjellimit më poshtë. (Kujtimet gojore dhe ndonjë pjesë të shkruar të babait tim, këtu i kam përmbledhur në formën e dialogut. AL). Specialistët e huaj sovjetikë çuditeshin dhe u bënte një përshtypje të jashtëzakonshme, ky vend kaq rrënojë, aq sa “në vendin e shqiponjave” kishin shteruar deri edhe shqiponjat dhe për këtë arsye kishte gjarpërinj në një sasi të jashtëzakonshme! Duhej të kërkoje me ditë të tëra për të gjetur ndonjë kokërr shqiponje, në mos të dilte skifter fare. Ata nuk mundeshin t’a konceptonin se si shumë e shumë subjekte të historisë dhe të biografisë së heroit tonë mbeteshin fare të pa qarta dhe aq në terr e aq të diskutueshme! (vijon në numrin e ardhshëm)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 28-04-2009 më 01:46

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    moderator..po deshe titullin e temes korigjoje..
    psh..

    gjovalin luka per filmin skenderbeu..

    --

    po vazhdoj pjesen e dyte nga kujtimet e gjovalin lukes te mbledhura nga i biri..po qe gazeta sdi pse nuk e sqaron emrin e tij..

    ---------


    Agjensia e Lajmeve "SOT"

    Ja se si regjimi i kohës censuroi filmin “Skënderbeu”

    Copëza kujtimesh dhe shënimesh nga Gjovalin Luka, një ndër ideatorët e filmi
    Një hap i mbarë, për t’a futur realizimin e këtij filmi në një rrjedhë konkrete, filloi aty nga viti 1952, kur tashmë kishte marrë një formë të parë një lloj skicë-skenari. Për këtë skenar zyrtarisht nga pala sovjetike ishte përzgjedhur specialisti Mikhail Papava. Ky me ndërmjetësinë e Shoqërisë për Lidhje Kulturore Shqipëri-BRSS dhe të ngarkuarve kulturorë të ambasadës sovjetike, përveç disa literaturave modeste që i kishte siguruar nga bibliotekat e Moskës dhe Leningradit, kërkoi dhe mblodhi mjaft literatura e materiale nga fondi i bibliotekave të Tiranës dhe Shkodrës.Ky ishte një kontribut mjaft i madh që dhanë intelektualët shqiptarë, ndër ta edhe babai im. Puna më intensive për realizimin, xhirimin dhe përfundimin e këtij filmi u zhvillua intensivisht përgjatë vitit 1953. Regjisori sovjetik Sergiei Jutkjeviç, u kishte vënë syrin për studime edhe mjaft talenteve pionierë aso kohe.
    Skenaristi rus dhe ideatori Gjovalin Luka
    Një ditë, skenaristi i filmit pyeti:
    -Si ka mundësi që ky heroi juaj, i njohur në të gjithë Evropën, nuk ka asnjë lloj gjurme se ku ka qenë varri i tij dhe gjatë shekullit të XX, shteti i juaj nuk i ka ngritur asnjë lloj mauzoleumi?! E kam pasur një ide dhe do të kisha dëshiruar t’a kisha filluar filmin nga ish vend-varrimi i tij?
    -Shoku Papava, për t’iu përgjigjur kësaj pyetje të papritur dhe kaq serioze tuajën, më duhet njëfarë kohe nja katër-pesë ditë.
    -Po mirë, jam dakord, që të më ktheni një përgjigje, pas disa ditësh.
    Mbasi e rilexoi me shumë vëmendje Historinë e Fan Nolit të vitit 1921 dhe mbasi kishte pyetur dhe kishte marrë edhe nja dy fletë me shënime nga prof. I. Zamputi, nga prof. H. Ceka dhe nga prof. O. Myderrizi, kur erdhi dita e takimit, Gjovalini i ktheu përgjigjen dhe u zhvillua pak a shumë bisedimi kështu:
    -Shoku Papava, historianët tonë thonë se, me pushtimin e qytetit të Lezhës, ku ekspeditën e udhëhiqte vetë Sulltan Mehmeti II Fatihu, jeniçerët turq me orientimin dhe dijeninë e tij, ia hapën Skënderbeut varrin në qytetin e Lezhës, aty rreth vitit 1478. Ky akt, që sigurisht në dukjen e parë do të kuptohej si poshtërim, në realitet është interpretuar nga disa historianë, jo si veprim për t’a diskredituar e për t’a pastruar si vend shejtani, por për t’i shprehur nderimin dhe admirimin e tyre. Prof. Zamputi, do t’ju sigurojë juve një bibliografi të autorëve që janë marrë me temën e varrit të Skënderbeut.
    -Aaa, me gjithë këtë, si mund të ishte zhdukur vend-varrimi pa asnjë lloj gjurme, në një qendër me një vazhdimësi banimi dhe kaq të vogël? Askush në popull e nëpër shërbyesit e atyre objekteve fetare aty nuk ka asnjë lloj dijenie?! Është i sigurte ky raportim? Jashtëzakonisht e çuditshme, e pabesueshme! Që t’ia kenë zhdukur turqit për hakmarrje armiqësie, këtë e pranoj dhe e konceptoj, por edhe “për t’a nderuar si shenjtor”, siç po thoni, edhe pa asnjë gjurmë ish varri, këtë nuk e konceptoj dot!
    -Shoku Papava, me sa kam lexuar e po lexoj unë, kështu e ka shkruar historiani Fan Noli dhe juve mjaft pjesë të përkthyera të tijat i keni konsultuar. Nuk besoj se duhet të merremi ne edhe me hetimet edhe me eksplorimet arkeologjike, në këtë moment. Ky tregim dhe kjo ngjarje është bazuar te “Historia” që ka shkruar vetë Marin Barleti në fillim të shek XVI, i cili aty nuk ka qenë vetë dëshmitar, por ashtu ia kanë treguar të tjerët. M. Barleti, shkruante aty se Skënderbeu u varros në Lezhë, në kishën katolike më të madhe të Shën Kollit. Por, përderisa nuk ka ardhur orientimi nga lart, për hetime dhe gërmime arkeologjike, ç’mund të bëjmë ne, për t’a gjetur se ku ka qenë ish varri?
    -Ju dëshironi t’ju sigurojmë edhe një fletë, për këtë temë se si e tregonte konkretisht Barleti?
    -Jo, nuk besoj se ka më nevojë. Mua më duhej një gjurmë, një diçka ku t’a filloja filmin, por kur s’ka, nuk ka, kështu ishte fati.
    -Aktualisht, me sa di F. Noli ka botuar edhe një botim të ri anglisht në vitin 1947. Nuk e di nëse ky libër ka mbërritur në Shqipëri, por e di se nuk është përkthyer në gjuhën shqipe. Ndoshta mund të ketë edhe atje diçka për këtë interesin tuaj
    -Po si mund ta siguroj unë këtë libër të ri?
    -Besoj se duhet të komunikoni me shokun Shuteriqi, diçka kam dëgjuar nga ai. Shoku Papava, ju nuk duhet të m’i shkarkoni mua të gjitha kërkesat dhe dilemat tuaja, sepse nuk mund t’ju ndjek në të gjitha hollësitë, përveçse jam i mbingarkuar me gjithfarë lloje detyrash. Urdhëroni po të dëshironi ju, unë mund t’ju ndërmjetësoj të shkoni tek shoku Enver.
    -Edhe, ndërkaq pala juaj kërkon t’ju bëjmë një film të përmasave gjigande, ku skenarin tim mund ta bëjnë shoshë më mbrapa? Po si e doni juve heroin, Luftëtarin e madh të Albanisë, “Mbrojtësin e Krishterimit dhe Evropës”?! Heroi juaj është hero kampion i qytetërimit rilindës evropian, është heroi nacional i qytetërimit tuaj apo kampioni e idhulli i mercenarëve jeniçerë turq?! Po, po besoj se ju keni të drejtë, një dredhi turke duhet të ketë qenë. Mirëpo, përsëri nuk jam i qartë: po të ishte ashtu aq i madh nderimi e adhurimi, siç e paska përshkruar Barleti, atëherë përse turqit dhe Mehmeti II, nuk i ngritën një tyrbe madhështore në Lezhë?! Ku është kjo tyrbe?! A e kupton ti se në çfarë kontradikte vihem unë?! Këta ekspertët e mi, më tregojnë se Skënderbeut i ishte akorduar titulli “Atlet i Krishtit” qysh herët, se e përdorte, këtë titull mburrës edhe në letrat që ia dërgonte Mehmetit II, ndërsa po më del tashti se turqit dhe myslimanët na e paskan kthyer edhe si një “Shenjtor-Evlija”!
    -Të lutem shumë, shoku Gjovalin, ma bëj këtë nder, sqarojeni mirë se mos na del edhe Skënderbeu, me ndonjë lloj tyrbeje pa kufomë, si ajo e Ballban Pashë Baderës, ku më kanë shoqëruar shoku Dhimitër Shuteriqi dhe shoku Zihni Sako.
    -Nuk ka asnjë dyshim, rrini fare i qetë, shoku Papava, as nuk bëhet fjalë për një krahasim të tillë, sepse Ballaban Pashë Baderën të gjithë e njohin për renegat, kushedi se si mund të jeni ngatërruar dhe e keni keqkuptuar nga grada e tij më e lartë si Pasha...
    Autoritetet tona, me në krye E. Hoxhën dhe kallam-kusurin e të rëndëve të Byrosë Politike, hiqeshin medemek si antiturqit më të mëdhenj në botë, flisnin bilbila a thua se populli e kishte Skënderbeun në gojë ditë e natë. Ndërkaq në terrenin popullor, vetë sovjetikët po konstatonin për habinë e tyre një lloj realiteti tjetër, sa ata as mundeshin t’i jepnin shpjegim kësaj kontradikte.

    Nisur nga dyshimet dhe i fryrë nga ky këndvështrim, sapo takoi Gjovalinin, në prezencën e Jutkjeviçit, Papava filloi si dhelpër:

    -Shoku Gjovalin, ju kam ngarkuar një sqarim të vogël. A thua edhe Skënderbeun e kanë harruar dhe e kanë ç’tjetërsuar me një tyrbe pa kufomë, dhe me “folklor të pambledhur” si ajo puna e folklorit të Ballaban Pashë Baderës në Shqipërinë e Mesme?
    -Po ne sikur e sqaruam këtë argument! Shoku Papava, ju harroni se vendi e populli ynë kanë qenë të pushtuar? Populli jonë, mysliman e kristian nuk e ka aspak zakon të prishë varret. Nuk besoj se skenari i filmit tuaj ka nevojë për tërë çikërrimat e labirintet, pavarësisht se diçka duhet parë se çfarë ka ndodhur andej nga fundi i jetës dhe i tragjedisë së Skënderbeut.
    -Shoku Gjovalin, duhet t’ju informoj se shoku Jutkjeviç, ka bërë një zbulim. Ai thotë se orientalët e kanë një mënyrë shumë specifike, për nderimin e kundërshtarëve. Duket se ajo puna e asgjësimit të varrit për nderimin e Skënderbeut, pastaj edhe ajo mbyllja në një xhami, na paska qenë pak a shumë si ajo çështja e nderimit dhe e respektimit të profetit Isa, d.m.th Jezu Krishtit, në Kuran! Shoku Jutkjeviç thotë se, në Vëllimin VI, të Arkivit Marks-Engels në Moskë edhe nëpër disa shkrime të Marksit pohohet se “Jeniçerët e shpallën mbas vdekjes Skënderbeun/ Iskenderin të shenjtë”. Shoku Jukjeviç mendon se Skënderbeun turqit e kanë nderuar dhe barazuar me Iskenderin-Aleksandrin e Madh, dhe se ky ka qenë edhe në Kuranin e Shenjtë.
    -Unë mendoj përsëri se këto çështje, ju të dy duhet t’i diskutoni më veçanërisht me shokun Enver me të cilin takoheni shpesh, sepse ai i ka kompetencat për çështje kaq të holla. Nuk e shoh aspak të krahasueshme se Skënderbeu ynë na paska pasur ndonjë lloj tyrbeje apo mauzoleu të tillë si Jezu Krishti. Si ndodhi që ky kult u harrua pastaj?!
    Mos ju shoku Jutkjeviç e lidhni këtë me kultin e bektashinjve, të cilët më pas u persekutuan në Turqi?! Interesante kjo duhet parë. Aktualisht ne në RPSH, nuk e zotërojmë tërësisht fondin e botimeve për Skënderbeun. Akoma nuk është përkthyer as vepra e M. Barletit nga latinishtia, pa le pastaj të tjerat. Shoku Jutkjeviç, le të ketë mirësinë e të botojë ndonjë studim konkret për këtë çështje, unë marr përsipër t’ia përkthej dhe t’ia botoj në revistën Miqësia ose në cilin organ shqiptar të dëshirojë. Do të ishte një kontribut interesant dhe i mirëpritur, po qe se e ka seriozisht. Erdhi një farë kohe, kur të dy kapot e filmit, sado që edhe nuk shkonin fort-fort mirë me njëri tjetrin, kishin filluar t’i hynin më në brendësi stilit stalinist e orientalist të kultit të individit të Komandantit tonë. Kinooperatorët rusë, tashmë ia kishin marrë dorën lebërve se ishin “nga raca e Komandantit”, si “gjeorgjianët e Stalinit” dhe i linin shumë më gjatë e për në fund, me demek për nderim, “për blegërimat polifonike prej dhish e dhensh” dhe i “inçizonin” me aparatet bosh pa celuloid filmati.
    Regjisori Jutkjeviç, kishte qenë një çifut rus. Ai kishte një kulturë të gjerë, ishte një njeri me pikëpamje të lira dhe në thellësi ishte antistalinist. Pasi ishin kryer disa xhirimeve që ishin gjykuar të aprovuara, shoku Jutjeviç, kishte kërkuar një takim me disa shokë konsulentë shqiptarë dhe e hapi diskutimin:
    -Tani, kur kemi arritur në kohën e kthimit të Skënderbeut në Krujë dhe duam të vazhdojmë më tej, na kanë dalë disa probleme, ku kërkojnë disa sqarime edhe nga ju. Si duhet të jenë heraldikat në kështjellën e Krujës, format e simbolit të shqiponjës; me çfarë shpate duhej të luftonte Skënderbeu dhe ushtarët allbancë, në betejat e ardhshme, me atë me formë jatagani apo me ndonjë shpatë të drejtë të tipit të kryqtarëve evropianë? Ne, duam të sigurohemi nga historianët, nëse këto lejohen të përdoren edhe të alternuara sipas rastit; si duhet të jetë mburoja dhe çfarë pikturimesh duhej të kishte ajo etj. E fundit dhe si më e veçantë na ka dalë edhe çështja e përkrenares. Shoku Enver Hoxha këtë çështje e ka me “merakun më të madh”!
    -Atëherë shokët shqiptarë, aty ku e dinë se kanë më shumë dijeni le të përzgjedhin nga një çështje ose edhe më shumë. Diskutantët duhet të shprehen me shkrim, sa më shkurt dhe qartë. Afati duhet të jetë një javë. Ne do të mblidhemi dhe do t’i diskutojmë me specialistët sovjetikë.
    Kur erdhi koha e diskutimit, përveç Jutkjeviçit, kishin ardhur disa nga specialistët sovjetikë edhe skenaristi Papava. Për sa i përket shpatave u tha se në pasazhet e cituara në betejat e Skënderbeut, ai ishte mësuar me tipin e jataganit të harkuar dhe se nuk kishte shumë rëndësi nëse në raste të ndryshme alternoheshin. Si formë shqiponja më e përshtatshme e simbolikës heraldiste të Kastriotëve, brenda në ambientet ceremoniale të kështjellës u zgjodh një shqiponjë që ishte botuar e njihej mirë qysh para çlirimit. Ishte një shqiponjë mjaft e bukur, me dy kurora sipër kokave dhe me një yll gjashtë cepash të Davidit. (Sqarim: Qysh më 1953, ishte zgjedhur kjo shqiponja, që Kryeministri aktual Sali Berisha, e ka vendosur maje kokës, në Sallën e Konferencave të Shtypit të Kryeministrisë, duke e transformuar madje nga e zezë, me ngjyrë të artë mbretërore dhe duke i bërë edhe paksa çensurë-retushim yllit të Davidit dhe dy kurorave! Për këtë disa socialistë-integrimistë, si ekspert-deputeti Xhufi dhe opinionisti Lame e bënë pak potere në Kuvend e në media se kjo na paskësh qenë një ”shqiponjë sllave”! Këtë formë shqiponjë (sigurisht edhe me pak çensurë PD-iste), njëherë e një kohë, në vitin e largët dhe të harruar 1991, PD-ja me një “Relacion” të A. Meksit dhe të “ekspertit” A. Imami e kishin propozuar për formë shqiponjën e Stemës së Republikës dhe të Flamurit të RSH, dhe madje Kuvendi Popullor e kishte kaluar edhe si “Projekt Ligj” me 4 nene, që duhej “të hynin në fuqi menjëherë”. Me atë rast te RD-ja, E mërkurë 16 tetor 1991, ishin botuar këto dokumente, formë shqiponja dhe një artikull i korrespondentit të RD-së, që siç thuhej na kishte qenë i bashkautorëve, A. Meksi dhe A. Imami. Dhe se si mund të kooptohej një formë shqiponje e zezë me dy kurora mbretërore dhe me yll Davidi, e pasardhësve Kastriotë të shek XVI, për një “Stemë Republike” të fund shek XX, se si mund të ngjyrosej me ngjyrë ari (ose edhe jeshile si ajo e Sallës së Zonjës së Kuvendit) në shek XXI, se si mund të krijohen disa gardistë ceremonialë skjapatarë- dhulkarnejnë me opinga e pelerina të kuqe dhe me Përkrenare Ari, këtyre çështjeve vetëm kryespecialisti i heraldikave të holla, “Kujdestari i dy Integrimeve Orient e Perëndim”, mundet t’i japë dum! “Specialistët” e PS-së, sikur nuk po ndihen më dhe besoj se ata si neooportunistë do të ishin dakord që për hatrin e NATO-s t’i lyenin edhe me ngjyra laramane maskuese ushtarake...)
    Pasi u sqaruan edhe çështjet e tjera, shoku Jutkjeviç, vazhdoi:
    - Unë dua të them nja dy fjalë të miat dhe pastaj ju shoku Gjovalin mund të na referoni për Përkrenaren. Mendoj se kjo Përkrenare, po ashtu siç edhe ripagëzimi me emrin Iskënder/Aleksander, si Aleksandri i Madh, ndoshta mund të kenë një origjinë nga Turqia, sepse Sulltanët dhe vetë Mehmeti II e kishin si model imitues dhe kishin edhe ambicie t’ia kalonin Aleksandrit të Madh edhe Darit të Persisë. Shoku Z. Sako dhe disa të tjerë, më sigurojnë për këtë. Unë vetë kam pasur mundësinë të lexoj dhe ta rilexoj në Biblën e Vjetër, në “Parashikimet e Danielit” dhe aty trajtohet gjerësisht Aleksandri i Madh, “Sqapi i Perëndimit” me Bririn e Sqapit, duke ia thyer kokën dhe brirët Dashit të Orientit, Darit të Persisë. E fundit që kam, ne kemi menduar t’a fusim, në xhirimet e shumicës së skenave të betejave, pas 1444, Skënderbeun me Përkrenare në kokë. Përkrenaren e kemi përgatitur përafërsisht si origjinali. Është një simbolikë madhështore. -Ç’mendime keni ju për sa thashë?
    -Për sa i përket Përkrenares, si formë, në qoftë se ju kishit diçka që duhej të ishte krahasuar me origjinalin, mendoj se ju dhe specialisti sovjetik përkatës duhet t’i kishit paraprirë me disa fotografi të hollësishme, që mund të ishin siguruar direkt në muzeumin e Vjenës. Prof. I. Zamputi, që e njeh mirë edhe italishten mesjetare dhe latinishten, na ka siguruar një libër ku ka një studim edhe për origjinën e Gj. K. Skënderbeut, për shpatat e ndryshme që ka përdorur, si edhe për Përkrenaren. Këtë libër të autorit Marin Sirdani, ne po jua dhurojmë juve dhe shokut Papava. Bashkë me këtë keni edhe një studim, që ja kemi premtuar shokut Papava, për varrin e Skënderbeut. Me këtë rast kam një kërkesë që librin me mbledhjet folklorike, shoku Papava t’a konsultojë e lexojë me përkthyesin. Aty ai mundet t’a konstatojë se populli ynë nuk e kishte “harruar” Skënderbeun, ashtu siç kishte e ekzagjeruar me një farë tendencioziteti Peshkopi Fan Noli. (Libri që flitet ka qenë: Marin Sirdani, “Skandërbegu mbas gojëdhanash”, Shkodër 1926. Këtë autor jo vetëm se e masakruan fizikisht dhe e kishin burgosur, porse edhe “e lehtësuan” nga të gjitha meritat e zbulimet e tij, ndërsa për hipokrizi më vonë “për t’a nderuar” do t’ia rendisnin emrin në bibliografitë e historive zyrtare të Shqipërisë. AL). Për sa kam dijeni edhe me sa jam konsultuar edhe me historianët tonë, nuk do t’a kisha përkrahur idenë që Përkrenarja të ngjeshët në kokë, në skenat e betejave e ndryshme që heroi ynë, do të zhvillojë pas viteve 1444 e në vazhdim. Prof. A. Buda mendon se, kjo Përkrenare është një dhuratë shumë vite më vonë, minimumi mendohet se i takon përgjatë ose mbas kohës së ekspeditës italiane të Skënderbeut në Itali, më 1462. Me sa duket regjisori Jutkjeviç, duke e nuhatur se kjo çështje shkonte mjaft larg, se do t’ia shtynte kohën, se do t’i hapte kushedi se sa debate me skenaristin, i ra për shkurt, ashtu siç e kishte konceptuar qysh në fillim. Dhe me të vërtetë, në film ashtu doli, Skënderbeu fill qysh te beteja e Valikardhës na paraqitet me Përkrenare në kokë! Pa le pastaj se sa e sa vepra na dolën me këtë Përkrenare, për të përfunduar deri me këtë shpikjen e fundit të “gardistëve republikanë Dhulkarnejnëve Kuvendarë të RSh me Kokësqepë të Artë, me Pelerina të kuqe me opinga me lëkurë dhie dhe të lyer me deodorantë...”

    Ngrihet Tyrbeja në Lezhë...
    Babai im e kishte nënvizuar se, nuk mund të imagjinohej se çfarë potere do të kishte bërë më 1953, skenaristi, shoku Papava, që po t’i kishte rënë në erë e ashtuquajtura “Deklaratë e Skënderbeut” e vitit 1467. Ky dokument historik fillonte kështu: “Skënderbeu i dëshpëruar u nis nga Roma, sepse nuk ka marrë nga Papa asnjë kacidhe... me përqeshje ai Skënderbeu i tha dje një kardinali, se tani e tutje ai donte të bënte luftë kundër kishës e jo kundër turkut! Nuk e besonte se mund të gjendej një mizori më e madhe në botë se sa tek këta priftërinj”! (Shih, F. Pall). Siç dihet fare mirë, fill pas zbulimit dhe botimit të kësaj “Deklarate”, Enver Hoxha organizoi “me rastin e festimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut”, “Konferencën e II të Studimeve Albanologjike”, më 12-18 Janar 1968. Ishte edhe kjo një farë biçimi Festë nderimi, “me rastin e vdekjes”! Enver Hoxha e kishte fiksuar mirë në mendje ish kritikën dhe shqetësimin e rëndë të skenaristit sovjetik Papava dhe me këtë rast e lëshoi edhe “Urdhëresën” për gjetjen me çdo kusht të vend-varrimit të Skënderbeut. Thonë madje se Mehmet Shehu, me porosi nga E. Hoxha, ia kishte treguar me gisht xhaminë Selimie: këtu ndodhet varri! Këtë detyrë Partie ia ngarkuan arkeologut të shquar Frano Prendi. Ajo “Deklarata e 1467”, na u bë strumbullari i Konferencës II të Studimeve Albanologjike, që më vonë do të quhej edhe si Kuvend. Për nevojat e kohës, Skënderbeun, përveç “Skënderbeut me forcat e veta dhe natë e ditë në luftë në dy fronte kundra Perëndimit dhe Orientit” e afruan gati-gati edhe si një pishmanli dhe shadetli ndaj Sulltanit Halif! A thua ia kishte falur Mehmeti II Fatihu, gjith atë mllef e urrejtje Skënderbeut, vetëm e vetëm se diku e informuan për atë Deklaratë?! Pak si zor, gati e pamundur, po të kihen parasysh ato etiketimet që Skënderbeu i a kishte drejtuar atij... Por, ja që kështu e donte tashti Skënderbeun, Mbinjeriu Enveri, pasi e kishte kryer atë renegatizmin e tij dhe kur kishte filluar “Enverhoxhizatën e Tërbuar”... Tashti shoku Enver e kishte përvetësuar me perfeksion atë zakonin e Sulltanëve, që hap pas hapi Pashallarëve duhej t’ua krasiste pak kokat, për “nderim dhe për shpërblim”. Ndërkaq Enveri Ynë, doli edhe më i këndueshëm, i dha një “nderim Mehmeti edhe vetë Mehmetit”...

    Babai Stalin dhe djali Enver “hanë dhe dh.jesin në një çanak”...

    Teatralitetin, tragji-komedinë Live në Tiranë, me rastin e vdekjes së Baba Stalinit, babai im na e tregonte edhe me imitime zëri edhe me xheste përqeshëse, të Enverit dhe të një farë biblil gjyzari tjetër. Enveri , Bazileusi i lapitëve të lashtë homerikë, të cilët të prisnin në gjumë, në ujë, në besë dhe në bukë, në krye të një korteu të madh si gjarpër, ulërinte me sa i hante me atë zërin që i kumbonte edhe brenda kokës së tij: Na vdiq Baba Stalini! Na vdiq i Madhi Stalin! Na vdiq Baba Stalini! “A i mjeri unë a i mjeri”, ia priste bilbili dhe shqyente fytyrën me thonj, sipas asaj gjëmës mortore pellazge...Qysh nga koha e filmit ‘Skënderbeu”, pastaj edhe në botimet më serioze, deri edhe në monumentin e tij madhor në Tiranë, “ku populli shqiptar dhe Skënderbeu e kishin çarë historinë me pallë në dorë”, pastaj te njëmijë lekëshi, e së fundi edhe Prishtinë, ”me pallën tipike osmane”, Gjergj Kastriotit Skënderbeut “Kampionit të Krishterimit”, siç e quajti Aleks Buda ia ngjeshën në kokë edhe këtë Përkrenaren me dy birë sqapi. Dhe, ju ku i erdhi radha edhe Gjeneralissimit Stalin, të merrte pak zeamet e t’ia lëshonte vendin Skënderbeut...Merreni me mend se si do të kishte reaguar Papava, dhe as mund të imagjinohet reagimi i Strategut “më i madhi i të gjitha kohërave”, Gjeneralizimi Stalin/Koba/Xhugashvili (që vdiq i helmuar e aksidentalisht në Kremlin, pasi kishte parë edhe një film me ngjyra...), po të kishte pasur ndonjë Profeci se “pas vdekjes” do t’ia lëshonte kryet e vendit Skënderbeut! Sipas kësaj mendjes sime, po t’a kishte ditur Gjeneralizimi Stalin se, Gjeneral-Kolonel Hoxha, “me të cilin kishte ndarë përgjysmë gjellën e ftohtë në një tas druri”, do t’ia bënte ashtu, jo film që do të kishte financuar për Skënderbeun, por do t’a kishte pushkatuar qysh në Moskë, si puna e atij Fejzullah Hoxhajevit, që e kemi lexuar dikur në “Kurs i Shkurtër i Historisë së PKBBS”... (Mirëpo, njëri sot, i cili aso kohe ishte si bari dhish në “Dolinën e Ujqërve”, po na del sot dhe po na thotë se nuk e beson se Stalini e ka pritur Enverin dhe kanë kuvenduar gjerë e gjatë me shumë mall e dashuri, si ashiku me dylberin...). Megjithëse më 2005, nuk u organizua ndonjë “Kuvend Festë Albanologjike-Shqipëtarologjike”, si zakonisht “me diferencë në fazë”, u botua edhe një studim i fundit amanet i At Fan Nolit, ku ai shprehte bindjen se Gj. K. Skënderbeu, nuk kishte lindur as më 1405, por disa vite më herët! Sot dihet se, me të vërtetë, Gjergj Kastriotin, në kohën kur ky ishte në shkollën e içogllanëve në Adrianopojë/Edrene, e riquajtën me emërtimin Iskender në kujtim të Aleksandrit të Madh. Aleksandri, si “Bir i Zeusit” kishte mbajtur edhe një përkrenare me brirë sqapi. Por, me sa duket ky lloj pagëzimi me emrin Aleksandër/Iskender për Gjergj Kastriotin nuk kishte zanafillën, te turqit, të cilët e gjetën atë në traditën gojore folklorike-albane dhe në atë të stimuluar të vetë oborrit feudal të Gjon Kastriotit. Babai im mua më ka lënë edhe një porosi-amanet, për të gjetur dhe kërkuar një libër, të cilit aso nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur. Unë jam jashtëzakonisht i lumtur, që atë libër jashtë çdo parashikimi të rëndësishëm dhe interesant, për Skënderbeun dhe Barletin e kam gjetur dhe do t’a publikoj. Është me të vërtetë për të ardhur keq, që dikush po përpiqet të minimizojë e të mbulojë me burka... Helbete se të rëndët, Zoojaa dhe Zotriii, janë të zënë me fushatën për deputetllëk...
    Për t’a mbyllur, edhe unë po përdor atë gjuhën e fshehtë barletiane, të tabanit tonë popullor pagan dhe të stilit të poetëve antikë, që prifti dhe rilindësi, me mjaft mjeshtëri artistike ia lejonte vetes: “Ashtu ishte i tjerrur dhe i parashkruar fati, nga orë fatijet dhe tre motrat pasi i kishin mbaruar së tjerruri të gjitha fijet”. Kështu edhe Skënderbeu e gëzoi fare pak Mbretërinë e tij”.

Tema të Ngjashme

  1. Sejfi Protopapa
    Nga Brari në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 14-04-2014, 04:48
  2. Kerkoj filmin "The maharaja's daughter"
    Nga INFINITY© në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 10-04-2009, 06:38
  3. ku te gjej filmin....??
    Nga erisa_djana në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 20-02-2009, 13:06
  4. Ngjarjet tragjike të Kosovës, në filmin “Kësulat”
    Nga ClaY_MorE në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-09-2006, 07:22
  5. Komente mbi filmin Farenheight 911
    Nga altin55 në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 36
    Postimi i Fundit: 08-07-2004, 18:17

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •