Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Shkolla e parë shqipe në Labovë, jo në Korçë

    Shkolla e parë shqipe në Labovë, jo në Korçë. Ja provat


    Prof. Fedhon Meksi

    Labovitët janë të njohur si atdhetarë e arsimdashës. Dokumentet historike dëshmojnë se dhe veçanërisht gjatë dy shekujve të fundit kanë bërë përpjekje titanike për arsimimin në gjuhën e tyre amtare. Nuk dihet data e saktë e hapjes së shkollës së parë në Labovë, ndërkohë që mësuesit ishin priftërinj dhe mësimet zhvilloheshin në kishat e fshatit. Panajot Arvantino në librin e tij për intelektualët shqiptarë gjatë sundimit osman, shkruan se doktor Vangjel Meksi (1770-1823), i diplomuar për mjekësi në Universitetin e Napolit (Itali), kishte kryer shkollën e mesme në Janinë, kurse filloren në shkollën e fshatit të lindjes rreth viteve 1780. Pra, së paku në fund të shekullit XVIII Labova ka pasur shkollë fillore.


    PAK HISTORI


    Perandoria Osmane nuk njihte kombësi, por vetëm komunitete fetare. Rrjedhimisht shqiptarët ishin të shpërndarë në tre komunitete fetare, duke mos u njohur si njësi kombëtare më vete. Vetëm komuniteteve fetare u lejohej ushtrimi i funksioneve arsimore dhe kulturore në gjuhët turko-osmane, greke dhe latino-italiane. Shkollat e komunitetit ortodoks, që funksiononin në Shqipëri qysh në shekullin XVII, ishin nën mbrojtjen e patrikanës së Stambollit dhe të qeverise turke. Pas vitit 1821 Qeveria e Athinës, duke shfrytëzuar simpatinë që kishte fituar në Shqipëri revolucioni grek, përpiqej të kultivonte nëpërmjet gjuhës, fesë dhe historisë së Greqisë ndërgjegjen kombëtare greke, veçanërisht në rininë shqiptare ortodokse. Duke u paraqitur si përhapëse e arsimit dhe kulturës dhe duke spekuluar mbi ndjenjat arsimdashëse dhe fetare të shqiptarëve, propaganda greke bëri për vete fillimisht një pjesë të ortodoksëve shqiptarë. Për më tepër në Greqi kishin filluar të fabrikoheshin dhe të përhapeshin teori të ndryshme antishqiptare. Teoria që mbizotëronte në mes të shekullit XIX ishte ajo e origjinës së përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve. Në atë kohë patriotët shqiptarë nuk mund të mbështeteshin në institucione të specializuara, shkolla etj., për t’ju kundërvënë fqinjëve shovinistë. Mendimtarët tanë rilindës, në luftë kundër këtyre rrymave, përpunuan platformën e duhur e cila u bë baza e veprimit të mëtejshëm patriotik-kulturor të lëvizjes kombëtare. Nisur nga fakti se sipas kritereve objektive populli shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte një komb më vete me rrugë të veçantë të formimit historik, ideologët e lëvizjes kombëtare me në krye Naum Veqilharxhin, drejtuan propagandën e tyre kundër përpjekjeve asimiluese të “panislamistëve” dhe “panhelenistëve”.


    VANGJEL ZHAPA DHE ANASTAS BYKU, DY VARIANTE TË NJË IDEOLOGJIE

    Në mesin e shekullit XIX ishin qartësuar mirë qëndrimet antishqiptare të rrymave “panheleniste”. Mirëbërësi milioner Vangjel Zhapa me origjinë nga Labova, kishte në plan të ngrinte shkolla fillore dhe gjimnaze në gjuhën greke në Labovë, Tepelenë, Gjirokastër, Përmet etj. Në këtë mënyre ai doli hapur kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare dhe për më tepër nuk mbështeti kërkesën e Naum Veqilharxhit për të sponsorizuar shtypjen e librave shkollorë në gjuhën shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe.
    Nga ana tjetër, intelektuali lekliot Anastas Byku, botues i gazetës greqisht-shqip “Pellazgos”, që i kushtohej çështjes shqiptare (1860-1861), ishte i bindur se pa përparimin kulturor dhe lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare, populli shqiptar nuk do të zinte vendin që i përkiste midis popujve të tjerë. Veçse Anastas Byku, ndonëse ishte i vetëdijshëm për origjinën dhe karakterin e veçantë të popullit shqiptar, shprehej kundër zhvillimit të tij të pavarur si dhe për përfshirjen e shqiptarëve në “gjirin e helenizmit”. Por i vendosur në bindjen e tij se “pa i mësuar gjuhën popullit shqiptar, nuk është e mundur ta edukojmë atë”, ai hartoi dhe botoi projektin përkatës “Pellazgos” 24.12.1860, në të cilin përfshihej botimi në shkallë të gjerë i librave shkollorë në gjuhën shqipe, hapja në çdo fshat e shkollave në gjuhën shqipe për djem dhe vajza, ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Përmet, Berat dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Labovë dhe fshatrat e tjera të Rrëzës.
    Ndërkohë A. Byku kishte hartuar alfabetin dhe abetaren që e quajti “Gramë për shqiptarët”. Shpresa të veçanta ai kishte varur te milioneri Vangjel Zhapa, me të cilin familja e tij kishte miqësi të vjetër. Veçse propozimin e A. Bykut për të ngritur një sistem arsimor më vete në gjuhën shqipe V. Zhapa e quan “shumë larg nga rruga e drejtë”. Ky qëndrim armiqësor i qarqeve greke në përgjithësi dhe i Vangjel Zhapës në veçanti u bë shkak që planet e A. Bykut të shemben, gazeta e tij të pushojë botimin (1861) dhe në shkollat e tij të mësohej vetëm greqisht me përjashtim të shkollës së Labovës.


    LABOVË 1860 - SHKOLLA E PARË SHQIP

    Vendimi për të lejuar mësimin e shqipes në shkollën e Labovës u bë i njohur nëpërmjet një letre të shkruar nga vetë V. Zhapa, që u botua në numrin e fundit të gazetës “Pellazgos” (01.03.1861). Vangjel Zhapa bënte të ditur se, “në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht, por edhe shqip, si mjet ndihmës për mësimin e gjuhës greqishte.” Botimi në gazetën “Pellazgos” i letrës së Vangjel Zhapës duket se kërkonte të siguronte grekët se vetëm për shkollën e Labovës do të bëhej përjashtim dhe njëkohësisht të paralajmëronte shqiptarët e tjerë, të cilët sigurisht do të pretendonin trajtim të njëjtë edhe për shkollat e qyteteve ose fshatrave të tyre, se Labova do të ishte rast unik.
    Në të vërtetë përdorimi i gjuhës shqipe për të ndihmuar mësimin e greqishtes ishte vetëm një pretekst i pastudiuar mirë dhe i zgjedhur me nxitim, mbasi gjuha shqipe, që gjoja do të ndihmonte mësimin e greqishtes në shkollën e Labovës, të njëjtën ndihmë do ta jepte edhe në shkollat e tjera, të cilat Vangjel Zhapa i kishte përjashtuar. Sipas Vangjel Meksit, (1903-1983) ishin labovitët që e detyruan V. Zhapën të bënte një lëshim për shkollën e tyre. Ata, pasi dështuan fillimisht në tratativat me bashkëfshatarin milioner, udhëzuan fëmijët e tyre të silleshin sikur nuk i kuptonin mësimet në gjuhën greke dhe për më tepër ata nuk përgjigjeshin fare kur mësuesit i pyesnin në gjuhën e huaj, duke bllokuar në këtë mënyrë zhvillimin normal të mësimeve.
    Vangjel Zhapa e kuptoi fare mirë se pas fëmijëve ishin prindërit e tyre, po u detyrua të pranonte shqipen në shkollën e Labovës pa gjetur zgjidhje tjetër që mund të shuante situatën qesharake, që ishte krijuar në fshat. Veçse duhet theksuar se Vangjel Zhapa pati kurajën të pranonte humbjen dhe t’i bindej pjesës dërrmuese të labovitëve dhe për më tepër e bëri të ditur botërisht se në shkollën e Labovës po mësohej shqipja. Në librin e Vangjel Meksit “Labova në shekuj” (Tiranë, 1971) përshkruhet si më poshtë shkolla e Labovës: “Shkolla e Labovës, përbëhej nga: foshnjore, fillore, qytetëse me tri klasa dhe dy klasa gjimnazi. Numri i nxënësve shtohej vazhdimisht duke arritur në vitin shkollor 1875-1876 në: 108 nxënës në klasat foshnjore dhe fillore, 31 në tre klasat qytetëse dhe 4 në dy klasat e gjimnazit. Në vitin 1878 në Labovë u hap shkolla për vajza me dy mësuese. Në fillim ishin 80 vajza, por më vonë ato u shtuan. Nxënëset vinin nga fshatrat përreth, por edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli etj. Godinat e shkollës ishin nga më të mirat për atë kohë dhe të pajisura me orendi shkollore dhe bibliotekë. Labovitët e moshuar kujtojnë klasën në katin e parë të shkollës ku ishin vendosur mjetet e avlëmendit, që shërbenin për t’u mësuar në praktikë endjen nxënëseve të shkollës.
    Përfundimi i vitit shkollor bëhej me ceremoni të veçantë. Me këtë rast ekspozoheshin edhe punime të dorës, si dhe prodhimet e avlëmendit. Në vitin 1892 shkolla u mbyll, pas 32 vjet veprimtarie, me pretekstin se qeveria rumune ndaloi dërgimin e parave nga pasuria e Zhapës.


    Dokumentet që plotësojnë “zbrazëtitë”

    Në mesin e shekullit të XIX, propaganda për futjen e gjuhës greke në shkolla, që zhvillohej sipas platformës së Patrikanës së Stambollit, nën drejtimin e qeverisë greke dhe me mbështetjen financiare edhe të “panhelenistëve” të kamur shqiptarë, bëri të mundur që në Shqipërinë e Jugut të çeleshin dhe funksiononin 163 shkolla në gjuhën greke (“Historia e Shqipërisë” Tiranë, 1962, f.105). Duke u nisur edhe nga këto të dhëna, historiografia shqiptare e konsideron këtë periudhë dhe pikërisht vitet nga 1845 deri 1865, jo më pak, por një “zbrazëtirë” për sa i përket veprimtarisë patriotike të shqiptarëve.
    Veçse, tashmë janë gjetur burime të mjaftueshme historike që mundësojnë paraqitjen e plotë dhe me të gjitha dimensionet të përpjekjeve të intelektualëve të rinj shqiptarë të ricikluar në folkloristë: Apostol Meksi dhe Konstandin Kristoforidhi, që fillimisht i mësuan shqip albanologut dhe mikut të madh të shqiptarëve Johan Georg von Hahn, dhe më pas e furnizuan me materialet e duhura folklorike nëpërmjet të cilave vërtetohej identiteti i popullit tonë si një popull më vete, me rrugë historike të veçantë (“Albanesische Studien”, 1854, f.200-220). Po në këtë periudhë janë labovitët, duke përfshirë dhe fëmijët, që bënë të mundur të mësohej gjuha shqipe në shkollën e tyre si në asnjë nga 163 shkollat e jugut të Shqipërisë. Këto burime historike të identifikuara kohët e fundit na lejojnë që t’i japim formë dhe ta mbushim plotësisht me përmbajtje “zbrazëtirën” 20-vjeçare.
    Populli shqiptar asnjëherë nuk i ka reshtur përpjekjet e tij për gjuhën amtare, identitetin kombëtar dhe liri. Dokumentet ekzistojnë, ato duhen zbuluar.
    Shkolla shqipe dhe intrigat të konsullatës greke
    Pas mbylljes së shkollës ku mësohej shqip, u hap shkolla fillore greke. Mësuesit e kësaj shkolle, labovitët Nane Panajot Meksi dhe Vasil Konomi, sipas porosive të veprimtarëve të Rilindjes, filluan të japin mësime private në gjuhën shqipe jo vetëm për fëmijët e shkollës, por edhe për të rriturit. Në këto shkolla private përdoreshin abetare të dërguara nga shoqëria e Stambollit. Përveç gjuhës shqipe, mësohej edhe historia e Shqipërisë, si dhe feja nëpërmjet librave fetare të përkthyera nga vetë mësuesit. Në vitet e para të shekullit XX në Labovë kishte filluar të ndihej flladi i lirisë dhe mbizotëronte një situatë entuziazmi patriotik, që është pasqyruar me hollësi dhe vërtetësi nga Vangjel Meksi dhe Lefter Dilo në librat dhe artikujt e tyre të shumtë. Në vijim do të paraqesim kronologjikisht vetëm disa dokumente të zbuluara kohët e fundit nga laboviti Thoma S. Meksi pas një punë intensive dhe këmbëngulëse disa vjeçare në sallat e bibliotekave. Nisma për hapjen e shkollës shqipe në Labovë është marrë gjatë një mbledhje të veçantë që u zhvillua në Labovë më 1 shtator 1908 (gazeta “Tomorri”, 17 prill 1940), disa ditë para hapjes së shkollës “Iliria” në Gjirokastër (shtator 1908). Në këtë mbledhje, që u kryesua nga Nane Panajot Meksi, u vendos gjithashtu që shkolla të çelet pavarësisht nga persekutimet që mund të pësonin aktivistët (gazeta “Besa” 1933) Dhe pikërisht ashtu sikurse e kishin parashikuar labovitët, Mitropolia e Gjirokastrës, konsullata greke dhe Mytesherifi nxitën elementë grekomëdhenj në fshat, të cilët provokonin shqiptarët duke arritur deri në përleshje të dhunshme. Në mbrojtje të shkollës u dalluan te rinjtë labovitë Kiço Ciko dhe Gaqe Mali.
    Po në gazetën “Liria” të prillit 1910, në një artikull me titull “Shkolla shqipe në Labovë dhe intrigat e konsullatës greke”, bëhet e ditur se labovitët kishin kapur një letër të konsullit grek drejtuar grekomanëve në fshat, të cilëve u përmendte 60 lirat që kishin marrë gjatë viteve 1909-1910 si shpërblim të përpjekjeve të tyre për të penguar hapjen e shkollës.
    Shkolla shqipe u hap më 10.04.1910 në godinën e shkollës së famshme të Labovës. Atë mëngjes labovitët shoqëruan, me duar të lidhura në konsullatën greke të Gjirokastrës, dy mësuesit grekë që ajo konsullatë kishte dërguar në Labovë (gazeta “Tomorri”, 22.04. 1940). Nuk kaluan shumë ditë dhe ashtu sikurse pritej, egërsia greko-turke ra edhe njëherë mbi Labovën dhe labovitët. Ndërsa dhespoti gjatë një ceremonie të zezë si ato të inkuizicionit mesjetar, me qirinj të shumtë të ndezur, ku ishin lidhur edhe kordele të zeza, mallkoi labovitët dhe shpalli shkishërimin e atyre që kishin dërguar fëmijët në shkollën shqipe, Veliu i Janinës mbylli shkollën dhe arrestoi disa nga aktivistët kryesorë (Illi Noçka dhe Qirjako Rexhi).
    Gazeta “Iliria” e prillit 1910 lajmëronte se “Labovitët zhvendosën shkollën në një shtëpi të veçantë ku po vazhdojnë mësimet në gjuhën amtare”, kurse “Gazeta Shqiptare” shton se labovitët denoncuan dhespotin tek Patriarku Ikumenik: “Dhespoti punon jo si i urdhëruar nga feja, por sipas interesave të Greqisë, kurse ne nuk bëjmë mëkat tek mësojmë gjuhën tonë mbasi ungjilli, jo vetëm nuk e ndalon, por e urdhëron”.
    Hapja e shkollës shqipe në Labovë dhe përdorimi i shqipes gjatë shërbesave fetare pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ishin të shumtë labovitët që dërgonin shuma të konsiderueshme të hollash për mbajtjen e shkollës, ndërkohë vinin mesazhe urimi nga liderë të patriotizmit shqiptar, si Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Çajupi, Mihal Grameno, Jani Vruho etj.


    LABOVË 1921, KURSI I PËRSOSMËRISË


    Me vendim të qeverisë shqiptare, verën e vitit 1921, u hap në Labovë “Kursi i përsosmërisë”. Ky kurs, që zgjati 3 muaj, kishte për qëllim formimin profesional të 150 mësuesve të rrethit të Gjirokastrës. Qeveria shqiptare e atëhershme me këtë zgjedhje ka dashur të tregojë respektin dhe mirënjohjen për përpjekjet disashekullore të labovitëve për t’u shkolluar në gjuhën amtare. Me këtë rast nderohej edhe aktiviteti patriotik i mësuesit Nane Panajot Meksi i cili, pasi hapi shkollën shqipe në Labovë (1910), hapi një tjetër shkollë shqipe në Tepelenë. Në ato vite ai ishte angazhuar në një detyrë tjetër patriotike, propagandimin e futjes së gjuhës shqipe në të gjitha kishat ortodokse. Ende kujtohen vargjet e Nane Panajot Meksit: “... dhe ungjilli në gjuhën e vet do këndohet fletë më fletë.”

    ***
    Pas botimit në shqip të librit “Albanesische Studien” (1854) të albanologut dhe mikut të madh të shqiptarëve J. G. von Hahn dhe disa artikujve që e shoqëruan atë, u shtua numri i atyre që mësuan se argumentimi themeltar i lashtësisë së shqiptarëve në trojet e tyre, me fjalë të tjera i autoktonisë së tyre, është nxjerrë nga studimi krahasimor i zakoneve të shqiptarëve të shekullit të XIX me zakonet e grekëve dhe romakëve të lashtësisë.
    Modeli për argumentimin e autoktonisë së shqiptarëve buron drejtpërdrejt nga studimi i zakoneve të Rrëzës, “fshatrat në krahun e djathtë të lumit Drino, para bashkimit të tij me Vjosën”, të cilat janë zgjedhur ngaqë i përkasin një zone të pastër nga pikëpamja etnografike, larg ndikimeve sllave, vllahe, greke, dhe aq më tepër osmane. Labovitët, duke qenë krenarë për origjinën e tyre të lashtë dhe të pastër, kanë qenë krenarë edhe për gjuhën amtare të cilën janë munduar ta lëvrojnë dhe ta ruajnë të pastër dhe me xhelozi në shekuj. Nuk është pra rastësi që laboviti Vangjel Meksi (1770-1823) edhe pse doktor nga profesioni, është autor i një gramatike shqipe dhe i një alfabeti shqip me shkronja greke, por edhe me 9 shkronja latine, si dhe përkthyesi i parë në shqip i ungjillit (1821). Nuk është aspak rastësi që laboviti tjetër Apostol Meksi (1825-1879), edhe ky doktor nga profesioni, pasi i mësoi Hahnit shqip së bashku me Konstandin Kristoforidhin, shkroi për shkencëtarin gjerman kapitullin e tretë me titull “Zakonet familjare në Rrëzë” në librin e tij të famshëm, sikurse e pohon edhe vetë Hahn-i.
    Tashmë bëhet lehtësisht e kuptueshme pse vetëm në shkollën e Labovës mësohej shqip kur në Jugun e vendit ishin edhe 163 të tjera në gjuhën greke, ose pse labovitët pranuan të shkishërohen në masë dhe të burgosen për gjuhën e tyre në shkolla dhe në kishë. Nuk është rastësi që fill pas pavarësisë së vendit më 1912 shpërtheu një plejadë e tërë mësuesish labovitë, që shkëlqyen kudo ku ishin emëruar. Me këtë rast do të përmendim se edhe kryetari i shoqatës së parë të mësuesve të Shqipërisë ishte laboviti Kiço Konomi.

    ***
    Shkolla e Labovës është një ndërtesë e madhe me 3 kate, bibliotekë, 2 klasë gjimnaz etj. Kjo shkollë për labovitët dhe për gjithë shqiptarët është simboli i përpjekjeve shekullore të popullit tonë për gjuhën amtare. Por kjo ndërtesë simbol ka 15 vjet që është shitur! Pronari i tanishëm i godinës së shkollës, mbasi e bleu, i ka vënë drynin, nuk është dukur më në fshat. Sigurisht ai dhe ata që i kanë dhënë paratë për të blerë shkollën, presin që shkolla të shembet. Për çudi të të gjithëve shkolla nuk po rrënohet, edhe pse askush nuk kujdeset për të! Kjo shkollë, me një rrezatim të gjerë në qarkun e Gjirokastrës, po edhe më tej, rron në kujtesën historike të popullit tonë si përmendore e ndritur e vullnetit të tij të palëkundur për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Por ajo duhet të qëndrojë më këmbë edhe si një dëshmi historike e gjallë, ku të evokohen përpjekjet dhe flijimet e atyre që e ngritën dhe e mbrojtën në ato kohë të vështira. Ajo duhet të qëndrojë më këmbë edhe si një mesazh drejtuar brezave: “Nderoni veprën dhe sakrificat e larta të të parëve tuaj! Duajeni gjuhën shqipe, kulturën kombëtare shqiptare dhe krenohuni për këto siç krenoheshin ata! Frymëzohuni nga përkushtimi i tyre atdhetar!”
    Për këtë qëllim ndërtesa e kësaj shkolle, ndonëse pronë private, duhet t’i shtohet listës së monumenteve historike e të kulturës, që gëzojnë mbrojtje e përkujdesje të veçantë nga shteti. Duke i bërë të njohur opinionit këto të dhëna të shkurtra për historinë e arsimit në Labovën e Madhe dhe për rolin e rëndësishëm të shkollës së Labovës në historinë e arsimit kombëtar, bëjmë thirrje që ndërtesa e shkollës së Labovës të mos lihet në mëshirën e fatit ose të pronarit, po të merret nën kujdesin e shtetit.


    Panorama
    28 shtator 2008

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e alproud
    Anëtarësuar
    03-05-2008
    Postime
    292
    Pervec komunistave te gjithe e dine se shkolla e pare nuk eshte hapur ne korce.

    E verteta eshte se shkolla e pare eshte hapur ne veri dhe shume kohe me perpara se kjo qe pretendoni ju dhe se mesojntorja e pare
    Fali armiqte e tu por asnjehere mos harro emrat e tyre.

Tema të Ngjashme

  1. Gjuha Shqipe - Kisha dhe Kleri Katolik
    Nga toni77_toni në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 02-10-2011, 14:48
  2. Dështimi i gjuhës standarde shqipe te gegët!
    Nga Davius në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 460
    Postimi i Fundit: 31-01-2010, 20:27
  3. Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triumfi i saj
    Nga brooklyn2007 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-11-2008, 11:35
  4. A vihet ne diskutim Sovraniteti Kombit?
    Nga Dito në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 06-10-2006, 20:17
  5. Armiqte e Gjuhes Shqipe?
    Nga Tastiera në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-10-2005, 10:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •