1. Të kuptuarit e fjalës “ identitet”
Mbi të kuptuarit e fjalës identitet debatohet që shumë vite dhe, ka të ngjarë se për t`u njësuar mendimet përkitazi me të dhe me komponentet që e përbëjnë, lypset pritur edhe shumë kohë. Prandaj, nuk janë të paktë individët që e përdorin fjalën identitet, vend e pa vend, pa menduar sa duhet për kuptimin e njëmendët të saj.


Tahir GECAJ

Ndërkaq, ca prej autorëve që kanë bërë përpjekje për ta definuar fjalën identitet, shtojnë se nëse ajo plotësohet ose përcaktohet me një fjalë tjetër, si bie fjala identitet individual, identitet kulturor, identitet grupor etj., bëhet më e qartë për t`u kuptuar, ndonëse me plotësimin, përcaktimin apo cilësimin e saj nuk janë hequr vështirësitë rreth shumëkuptimësisë së saj. Në veçanti, një numër autorësh gjermanë, kuptimin e fjalës identitet kombëtar, në aspektin ideologjik e identifikojnë me nacizmin, prandaj shprehjen si të tillë e kuptojnë si të diskredituar, nga se ajo nuk ngeli vetëm si kuptim i të menduarit por mori edhe kuptimin e të vepruarit gjatë Reich–ut gjerman. Krahas kësaj, një numër i konsiderueshëm krijuesish gjermanë, pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore, çështjen e identitetit e kanë shtruar në rrafshin teorik, qoftë si “ Ikje nga identiteti” në kuptimin e distancimit nga një lloj identiteti i krijuar gjatë periudhës hitleriane të Gjermanisë, qoftë në kuptimin e kërkimit të një identiteti të ri, që s`do të përkonte me nacizmin. Shembullin e krijuesve gjermanë nuk e kanë ndjekur krijuesit e popujve të tjerë, në veçanti do të thosha të ca popujve me prejardhje sllave, e mbase shembulli më tipik do të duhej të ishin serbët e Ballkanit, të cilët, vërtet kanë arsye të turpërohen për veprimet kriminale të bëra gjatë periudhave të shkuara ndaj popujve fqinj, e në veçanti ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në kuptimin klasik, fjala identitet nënkupton vetëdijësimin mbi dallimin e vetvetes (vetes) nga njerëzit tjerë (individualiteti) në kohë dhe në vazhdimësi ( konsistenca), për të ngelë gjithnjë person i njëjtë. Ndërkaq, po iu referuam Fjalorit të Gjuhës shqipe, do të shohim kuptimin e parë të saj, të hyrë në gjuhën tonë nga latinishtja e vonë, si (identitas, dhe më pas si idem ), si: „ Identiteti,—i m. sh. —e, ~et Libr. l. Barazi a ngjashmëri e plotë e një sendi ose një dukurie me sende ose me dukuri të tjera, të qenet identik, njëjtësi: perputhje e plotë. Identitet i plotë (absolut}. 2. Të qenet i veçantë nga të tjerët dhe i njëjtë vetëm me vetveten në disa veçori e tipare që shërbejnë për t`u njohur pa vështirësi si i tillë, të qenët po ai. Identiteti i njeriut ( i personit). Dokument ( letër), kartë) identiteti, dokument, ku janë shënuar tiparet dalluese të një njeriu dhe që shërben për të vërtetuar se është ai vetë etj. “Fjalori i Gjuhës shqipe, faqe 709, Tiranë, 1980 “.

2. Gjurmimi i komponentave të identitetit të tëhuajsuar
Pas Revolucionit francez populli, (nacioni) kombi, gjuha, historia, tradita dhe literatura bëhen burimet themelore në bazë të të cilave popujt evropianë krijojnë imazhin nacional dhe politik për vetveten. Në Evropën e asaj kohe thuaja të gjithë popujt bëjnë gjurmimime për t`i zbuluar rrënjët e veta kombëtare. Prandaj, s`duhet befasuar kur edhe sot e gjithë ditën, grupe njerëzish apo edhe etni të caktuara bëjnë përpjekje t`i kthehen identitetit të vet burimor, ta gjurmojë atë, duke supozuar se identiteti i tyre i mirëfilltë është tëkurrë gjatë periudhave dhe rrethanave të ndryshme, shpeshherë të pazakonshme, për të mos thënë edhe të dhunshme, siç ishte rasti me popujt e robëruar shekuj me radhë, në kuadër të cilëve bie edhe kombi shqiptar.
Është e pa dyshimtë se në rastet kur bëhen gjurmime për identitetin burimor – zbulimi i rrënjve të veta, brenda grupit apo etnisë përkatëse, shfaqen edhe shqetësime, por është e drejtë e pacenueshme, qoftë e individit, grupit apo etnisë së caktuar të gjurmojë për identitetin e vet burimor, madje një e drejtë e tillë është e paraparë edhe me Konventën për të drejtat dhe liritë e njeriut, prandaj e drejta për kërkimin e identitetit individual, grupor, kombëtar, shtetëror etj., është e drejtë që hyn në kuadër të të Drejtave të njeriut. Kësisoji, mbështetur në premisat e kërkimit të rrënjve të veta, del krejtësisht e natyrshme prirja e pranishme kohëve të fundit për gjurmimin e komponentave të etno–identitetit rrënjësor të tëhuajsuar gjatë periudhave të hershme, të para dhe gjatë pushtimit osman, e natyrisht edhe të para e pas konvertimit në islam. Kështu, pra, kërkim i etno – identitetit të tëhuajsuar do të thotë gjurmim i rrënjve vetiake, individuale apo grupore, por një gjurmimi i tillë asesi nuk nënkupton krijimin i një identiteti të dhunshëm apo të pa qenë, siç pretendohet nga ca grupacione të caktuara shoqërore edhe në ambientin kosovar.
Në mediat e shkruara dhe në ato elektronike, muaj me radhë qe debatuar përkitazi me një rast të inskenuar, të njohur për opinionin publik shqiptar si rasti i “Përkthyeses me shami“. Lidhur me inskenimin e theksuar, në veçanti në mediat elektronike qenë shfaqur ca teza të diskutueshme, sipas të cilave dilte se identiteti ynë kombëtar apo etno–identiteti ynë paskësh elemente të përbashkëta me identitetin fetaro – islamik. Aso kohe, në një artikull me titull: “Ikja nga identiteti“, të botuar në një faqe interneti, pos që vihej në shenjestër klasa politike dhe inteligjencia shqiptare e Kosovës , lansohej edhe ideja se “shamia“ për mbulimin e kokës lypsej trajtuar si shënjë e identitetit të vajzave apo grave shqiptare(?!). Në shkrimin e apostrofuar, binin në sy përpjekjet me ngulm për ta bërë shartimin e etno–identitetit shqiptar me identitetin e quajtur fetar – islamik, të pa definuar në aspektin teorik, nga se, siç është e ditur, brenda besimit islam veprojnë mbi 70 sekte fetare, ashtu sikundër që atij besimi i përkasin një numër i konsiderueshëm popujsh e kulturash, prandaj do qartësuar se shamia, ferexha, çarçafi apo ndonjë mbulesë tjetër çfarëdo qoftë, nuk mund të konsiderohet si shenjë identiteti, as grupor e as kombëtar, e më së pakut si shenjë e identitetit kombëtar të shartuar në identiteti fetar, apo në të kundërën, siç pretendohej atëherë dhe siç pretendohet edhe sot e gjithë ditën nga ca individë dhe struktura teologjiko–intelektuale kosovare. Shamia e kokës, që e përdorin gratë e besimit islam në vendet arabe, mbase në vetëdijën e tyre prezentohet si pjesë e identitetit vetiak, e asesi si pjesë e identitetit fetar, kulturor kombëtar etj.
Eshtë e ditur se mes islamit si religjion dhe traditave e kulturave të popujve nga vende të ndryshme të përkatësisë islame ka mjaft dallime, prandaj zë vend konstatimi se nuk është pikërisht islami si religjion ai që sjell dallimet ekstreme mes gjinive, por janë shtresat dhe klanet patriarkalo–sunduese të vendeve (shteteve) të ndryshme dhe interesat e tyre. Siç është e ditur në shtetin turk, bartja e shamisë për gratë dhe vajzat është thjesht çështje e vullnetit të lirë të tyre. Në anën tjetër në ndonjërin prej shteteve, ku feja s`është e ndarë nga shteti fermrat e moshës madhore janë të detyruara të mbulohen me çarçafa, shamia apo mbulesa të tjera.

3. Konstruktimet, akuzat...
Nëse shikohen me kujdes ca prej tezave, të dala në opinion gjatë 5-6 viteve të shkuara dhe të përsëritura herë pas herë në vazhdimësi, bien në sy përpjekjet strukturave të caktuara fetare për shartimin e etno–identit shqiptar në njëfarë identiteti fetaro–islamik.
Në tezat e apostrofuara theksohej se “(...) Një pjesë e madhe e prijësve politikë dhe e intelektualëve kosovarët janë jotolerantë ndaj ferexhës e shamisë, në rastet kur ndonjë intelektuale shqiptare, e mbulon kokën me shami; se ata (intelektualët) frikohen nga identiteti fetar dhe se janë linferior ndaj identetit fetar islam”, për ta parë ditën herë-herë , madje edhe ndonjë kërcënim, si :” Prijësit tanë nuk janë të vetëdijshëm për problemet me të cilat mund të ballafaqohet shoqëria jonë për shkak të kësaj papërgjegjësie nga ana e tyre; se “ (…)Diskriminimi i hapur dhe pa precedent që udhëheqja politike, po i bën besimit islam, të cilit i takojnë shumica dërrmuese e popullit shqiptar, nëse vazhdon ,edhe më tutje, nuk mund të kalojë po konsekuenca, së pari, për vetë ata (udhëheqësit) dhe partitë e tyre politike, por edhe për shoqërinë tonë në tërësi” ;se “(…)Përpjekjet e një pjese të intelektualëve, që tërë kulturën tonë ta lidhin me Perëndimin dhe të na paraqesin ashtu siç ne nuk jemi, nuk na bën nder neve si popull dhe bëhemi qesharakë në sy të të tjerëve…” etj.;

4. Prapavija e kërcënimeve...
Mbase idhtarët e qëndrimeve dhe tezave të tilla duhet ta kenë pasur të qartë në kohën kur dolën me teza të tilla, atëherë,pra, para vitit 2004, e pse jo edhe tani, se shqiptarët nuk kanë nevojë as të ikin e as të frikohen nga identiteti i tyre etnik e as fetar. Shqiptarët nuk kanë ngarkesa nga historia e tyre për të pasur frikë nga etno–identiteti i vet. Ndërkaq, përmes halucinacioneve të shprehura në formën si: “ frika nga identiteti”, “inferioriteti ndaj identetit tonë fetar islam” etj., fund e krye, përzihen çështjet, sepse etno–identiteti ynë s`ka të bëjë fare me identitetin në kuptimin e përdorur në shkrimet e tilla, e madje as me logjikën e trajtimit të identitetit në oda, çajtore apo xhami. Por, edhe po të ishte ashtu (?!), atëherë pse iu dashka dikujt ta marrë rolin për t`u diktuar të tjerëve së cilët janë ata, cilës etni, kulturë apo besim i takojnë.
Është e pa kontestueshme se ata që frikohen nga përkatësia e besimit të tyre, pa kurrfarë pengesash mund të lirohen nga ajo “frikë”. Kush mund t`i pëngojë ata që, sipa tezave , “turpërohen” nga përkatësia e tyre fetare, që të lirohen nga ajo përkatësi. Askush, ajo është e drejtë e pacenueshme individuale.
Prandaj, shtrohet pyetja se nga e marrin guzimi individë apo grupacione të caktuara për t`i dhënë vetes të drejtën për të dhënë vlerësime përkitazi me sjelljen me përgjegjësi apo “pa përgjegjësi” të kujdoqoftë ndaj çështjeve private, nga se çëshja e të besuarit apo mosbesuarit apo çështja e përkatësisë apo mespërkatësisë se dikujt si pjesëtarë i një besimi, është çështje krejtësisht private. Përkundër kësaj, brenda konstruktit të kërcënimve të cituara, bëhej e qartë se fjala ishte për kryetarët e partive politike dhe për udhëheqjen e Kosovës të zgjedhur nga populli me votën e lirë, pra gjendemi në rrethanat kur dihen kërcënuesit, por edhe të kërcënuarit, por nuk deri me tani muk është qartësuar se cilat formacione do t`i kryenin apo do t`i kryejnë detyrat e “ urdhëndhënësit-ve“ për ta “talibanizuar” Kosovën ?!
Fjala e urtë „ Njëqind të rëna, një maje thumbi“, na e bën të qartë se ngado që ta sjellish, qëllimi duket shumë i qartë: pra, bëhen përpjekje të vazhdueshme për t`i arabizuar dhe për t`ua ndryshuar identitetin shqiptarëve të Kosovës! Si të kuptohen ndryshe konstatimi, si: “(...) Përpjekjet e një pjese të intelektualëve tanë, që tërë kulturën tonë ta lidhin me Perëndimin dhe të na paraqesin ashtu siç ne nuk jemi, nuk na bën nder neve si popull dhe bëhemi qesharakë në sy të të tjerëve“.
Çështja s`do koment, ndërkaq është e ditur se Kosova nuk ishte as nuk do të jetë as shtet i ajatollahëve, as shtet të cilin do ta udhëheqin mullat as imamet, e as shtet me rend kushtetues të mbështetur në Sheriat, pavarësisht se shumica e banorëve të saj janë dhe mbesin të besimit islam.
Përfundimisht, me tezat e këtilla mëtohet nevoja për ndryshimin e identitetit tonë kombëtar, që do të thotë mëtohet të bëhet zhdukja jonë. Nga tezat e përfolura, del edhe një porosi sa cinike aq edhe cenuese kundër identitetit tonë, porosi ajo antishkencore edhe poshtëruese, sipas së cilës, rezistenca dhe lufta jonë mijëravjeçare për të ekzistuar si popull dhe si komb, nuk do të ndodhte pa islamin, pra nuk do të ndodhte po të mos na mbante të okupuar për pesë shekuj Perandoria osmane ?! Halucinacione këto vertet morbide.

5. Në ish-Jugosllavi i zhduk një etnitet
Zbritja viteve na çon në periudhën kur ish–shteti jugosllav gjendej në kulmin e zhvillimit, për t`u ndalur te rasti i parë i ndryshimit me mjete të dhunës politiko–administrative të një etniteti kombëtar në një etnitet tjetër, të pa qenë!? Kështu kishte ndodhur në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar! Shërbimet sekrete të ish–shtetit jugosllav, në të cilat dominonin serbët, të nxitur nga politika teologjike serbe, kishin vlerësuar se ishte në të mirën e shtetit dhe të kombit serb, që të rinjtë boshnjakë e shqiptarë, që dëshironin të studionin shkencat fetare, të orientoheshin për studimin e islamit burimor në ndonjërin prej universiteteve fetare në shtetet arabe. Por jo në Turqi, në vendin prej nga shqiptarët dhe boshnjakët e morën islamin ?! Asesi në Turqi, sepse atje Kemal Ataturku, në gjysmën e parë të shekullit të shkuar e kishte bërë Turqinë shtet modern, i kishte bërë reformat, e kishte ndarë fenë nga shteti.

Më 29.10.1923 ishte shpallur Republika turke, ndërkaq sulltani ishte larguar nga Turqia, kurse një vit pas ishte shfuqizuar insititucioni i Kalifatit, i themeluar, që nga viti 632 i erës sonë.
Në kronikat e asaj kohe shkruhej se gratë e reja qysh me rastin e kremtimeve të shpalljes së Republikës dolën pa çarçafa e mbulesas të tjera.
Të gjitha institucionet shpirtërore dhe arsimore të Kalifatit ishin shfuqizuar dhe zëvendësuar me institucione shtetërore.
Turqia ishte larguar nga Lidhja e shteteve islamike.
Më 1926 në Turqi aplikohet kalendari gregorian, aplikohet drejta e martesës (kurorëzimit) me një grua, dhe grave u njihet e drejta e votimit.
Në njëjtin vit islami pushon së qeni religjion shtetëror.
Mes viteve 1926 dhe1928 aplikohet alfabeti latin.
Më 1932 aplikohet metri si masë, dhe më 1934 dita e dielë shpallet ditë pushimi dhe e drejta e pasive e votës së grave bëhet praktikë.
Pastaj pasojnë reformat permanente të shetit drejt një shoqërie dinamike.
Reformat e Ataturkut u shërbyen si moster edhe disa popujve tjerë të Lindjes së Afërme. Religjioni ngeli si çështje private.

Pra, kjo ishte arsyeja që klerikët e rinj shqiptarë dhe boshnjakë duhej të shkolloheshin në ca prej shteteve arabe, ku feja islame ishte fe shtetërore, ku feja nuk ishte e ndarë nga shteti. Politika teologjike serbe kishte qëllime afatgjata. Dhe, për çudi, askujt brenda atij shteti, ish – Jugosllavisë, madje as inteligjencisë boshnjake e shqiptare, e as kuadrave udhëheqëse, nuk u kishtë rënë në mend të pyesnin pse të rinjtë shqiptarë e boshnjakë orientoheshin të studionin teologjinë në vendet arabe, e jo ta zëmë, në Turqi!
Përkundër këtyre pyetje të tilla, kishin bërë analitikët perëndimorë, në shqyrtimet e tyre politiko–teorike. Ata kishin sinjalizuar se shërbimet sekrete serbo–jugosllave kishin qëllime të caktuara, që kishin të bënin me dy popuj–shqiptarët dhe boshnjakët, me shumicën e popullsisë të besimit islam. Pse, Si?
Në analizat e tyre e kishin definuar qartë qëllimin e shërbimeve sekrete jugosllave, në të cilat dominonin serbët – krijimin e konfuzionit mes islamit dhe sekteve të tij, që i aplikonin boshnjakët dhe shqiptarët dhe islamit burimor të vendeve arabe. Shkurt e shqip, qëllimi themelor i shërbimeve sekrete serbo – jugosllave dhe i politikanëve serbë ishte që shqiptarët dhe boshnjakët të preokupoheshin me problemet fetare në vend se të merreshin me zgjidhjen e problemit të tyre kombëtar.
Pse–ja dhe fryti i një veprimi të tillë të planifikuar, doli në shesh më vonë përmes veprimeve politiko–teologjike serbe, me anën e të cilave një populli – kombit boshnjak ia ndryshuan identitetin, pikërisht ashtu sikundër kirurgu “me porosi” në sallë të operacionit e bën ndryshimin identitetit individual. Dhe, gjatë ndryshimit të identitetit të etnisë boshnjake të besimit islam, pra krijimit të një etno – identiteti të ri, të pa qenë, me emërtimin kombi musliman, rolin e kirurgëve e luajtën politikanët dhe shërbimet e sigurimit sekret serb, por, për çudi, rolin e anasteziologëve e morën klerikët boshnjakë të besimit islam, të shkolluar në vendet arabe.
Pse bënë ashtu, pse një populli ia ndryshuan identitetin, do të qartësohet edhe më shumë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta, gjatë përpjekjeve serbe për ta zhdukur popullin boshnjak të besimit islam dhe, përfundimisht, për ta lënë edhe pa territor ekzistencial. Por, kjo nuk është çështja e këtij trajtimi. Më të duhet të merren boshnjakët vetë.

6. Cenohet edhe kodi tradicional shqiptar
Deri sa “operacioni” i përbashkët i politikanëve, i kishës dhe shërbimeve sekrete serbe në bashkëpunim me politikanët boshnjakë dhe, mbase pa vetëdie edhe me klerin islam, për ndryshimin e identitetit të një etnie në Bosnje ishte i suksesshëm, në Kosovën shqiptare, nuk iu eci puna “mbarë”, ashtu sikundër e kishin pritur.
Shqiptarët e Kosovës ishin regjur gjatë luftrave të gjata – disa shekullore për të mbijetuar dhe për të ngelë shqiptarë. Ata e kishin traditën e vet kombëtare, që i kishte mbrojtur dhe stimuluar gjatë periudhave të rënda të historisë për të mbijetuar. Ata, traditën – kod e përdorën edhe pas vitit 1945.
Me sakrifica të mëdha arritën ta krijojnë inteligjencën e vet shqiptare – disa qindra mësues e mësuese, të pa kualifikuar as vetë sa duhet, i nisën reformat: i hapën kurset për ta zhdukur analfabetizmin – kurset kundër analfabetizmit, inicuan aksionin për heqjen e çarçafit (ferexhes) dhe i nisën përpjekjet për barazinë e femrës në të gjitha fushat e jetës.
Në sajë të punës së tyre, ditë e nat, me gjeneratat e reja, por edhe me të moshuarit, arritën, krahas mësimit të shkrim–leximit, t`i vetëdijësojnë si gjeneratat e reja, ashtu edhe masën e gjerë për përkatësinë e tyre kombëtare. Arritën ta çrrënjosin dilemën e pranishme, edhe te një pakicë të shqiptarëve të Kosovës, që e kultivonin thënien “jam turk elhamdylylah” – se ata ishin shqiptarë të besimit islam e jo turq siç e quanin veten.
Pra, ajo inteligjenci e paktë shqiptare kishte arritur, ngadalë por pa dyshim, t`i vetëdijësojë gjeneratat e reja për ta kthyer identitetin e tëhuajsuar gjatë periudhave të gjata të okupimit, për t`iu kthyer rrënjve të veta kombëtare, sepse të kërkosh identitetin e tëhuajsuar apo të humbur do të thotë t`i kërkosh rrënjët tua, ndërkaq ato rrënjë kishte bërë përpjekje t`ua presë Perandoria osmane, duke i detyruar të konvertojnë nga krishtërimi në islam, e ai konvertim nuk ishte bërë vetëm për t`ua ndërruar fenë shqiptarëve, por, në radhë të parë, për t`i çkombëtarizuar dhe për t`i bërë qytetarë të Perandorisë me përkatësi kombëtare turke; ato rrënjë kishin bërë përpjekje t`ua këpusnin okupatorët serbo–malazezë gjatë dhe pas okupimit të Kosovës, në vitin 1912–13, duke i detyruar shqiptarët e të dy besimeve: muslimanë e katolikë të konvertojnë në ortodoksi, por jo vetëm për t`ua ndërruar fenë, por edhe kombin; ato rrënjë, kohëve të fundit, natyrisht duke përdorur mjete më subtile, janë duke bërë përpjekje t`ua këpusin disa qendra të caktuara në emër të islamit burimor, përmes shartimit të etno–identitetit kombëtar me një identitet të ri, të tipit islamo–arab. Pra, shqiptarët e Kosovës jo vetëm e kishin ruajtuar etno – identitetin e tyre, por atë e kishin pasuruar me vlera të reja kombëtare, gjatë përpjekjeve dhe luftrave të vazhdueshme çlirimtare kundër pushtuesve otomanë e serbë. Mbase aty lypset kërkuar shkakun e dështimit të të gjitha operacioneve të menduara dhe të planifikuara serbe kundër etnisë shqiptare në Kosovë.
Për fat të keq, “operacioni” i përmendur me përkrahjen e një numri të klerikëve të rinj shqiptarë të besimit islam të shkolluar në vendet arabe, megjithatë arriti njëfarë suksesi në planin e cenimit të kodit të traditës sonë, madje në ca aspekte jo pak të rëndësishme. Ai e preku institucionin e Ditës së zisë, Ditës së mortit në familjen shqiptare; e preku institucionin e të Pames – shprehjes së ngushllimeve dhe ceremoninë e varrimit, preku edhe doke të tjera të traditës sonë, i futi në odën shqiptare shprehjet e gjuhës arabe për t`u shprehur mysafirëve mirëseardhjen, e madje ndikoi aq shumë në vetëdijen e ndonjë “intelektuali” sa që i shtyu ta ndryshojnë emërtimin e ditës së premtë në “ gjuma” etj.
Në Ditën e zisë apo Ditën e mortit, pra ditën kur i vdekuri përcillet në varr, që nga gjysma e viteve 80– ta të shekullit të shkuar femrat shqiptare të besimit islam e mbulojnë kokën me shamia të bardha! Nga erdhi shamia e bardhë, ngjyra e bardhë, në kokat e femrave shqiptare në ditë zije e morti në vatrat e shqiptarëve të Kosovës(?! ), kur është e ditur se ngjyra e bardhë as te shqiptarët e as te popujt tjerë të Evropës nuk simbolizon as pikëllimin, as dhembjen e as nuk bartej në ditë zije. Ngjyra e bardhë, simbolizon diç krejt tjetër edhe te shqiptarët. Pra, nuk ishte kurrfarë rastësie së në veshjen tradicionale të femrave në Dukagjin dominonte ngjyra e bardhë, si ngjyrë elegance e gëzimi.
U cenua edhe ceremonia e varrimit, nga se gjatë aktit të vënies në varr të të vdekurit, klerikët islamë nuk i lejojne femrat të jenë të pranishme, qofshin ato nëna, motra, bashkëshorte apo bija të të vdekurit, ashtu sikundër e ndalojnë edhe përshëndetjen me dhënien dorës të ngushlluesve dhe anëtarëve të familjese, e madje është shfaqur edhe ndonjë rast ekstrem, siç kishte ndodhur në një fshat të Rrafshit të Dukagjinit, kur kleriku musliman me përçmim e kishte prekur më këmbë kufomen, para se ta vorrosnin.

7. Pësimi e mësimi historik
Ishte për miradije fakti se numri më i madh i klerikëve shqiptarë të besimit islam gjatë periudhave të rënda të okupimit, nuk pretenduan për ta vënë besimin mbi vlerat e kodit të tyre kombëtar. Ata nuk patën lejuar që besimi ta cenojë traditën si të tillë, e as veçantitë tjera kombëtare.
Siç është e ditur veshja kombëtare e meshkujve të trevave të Shqipërisë së veriut, të Rrafshit të Dukagjinit, të Drenicës, të Llapit etj., përbëhej nga herrka dhe tirqit e bardhë apo të zinj, me gajtanë. Tirqit nën shkeka (formë xhepash) dhe në anët e përparme të të dy këmbëzave i kishin të qepur (të ndërlidhur në formë kryqi) gajtanët e zinj, pra secila palë e tirqëve kishte të formësuar nga katër kryqa, e po aq edhe herrka, rroba ato të punuara prej zhguni. Rroba të tilla gjatë shekujve të shkuar, e madje edhe deri në vitet e pesëdhjeta të shekullit të shkuar, kanë bartur si shqiptarët e besimit islam ashtu edhe të krishterë. Pra, secili shqiptar, që ka bartë tirq, e ka pasur të qartë se në ta, në katër vende gajtanat ishin të qepur në formë kryqi, ashtu sikundër e kanë ditur edhe klerikët e tyre, por duke i konsideruar tirqit si veçori kombëtare, nuk kanë venë dorë në ta dhe nuk e kanë cenuar rrobën, si pjesë të traditës kombëtare. E pra, pa dyshim, gjithë ata burra të këtyre viseve, shumica prej të cilëve të besimit islam, kanë vdekur si besimtarë të mirë. Kështu ishte në të kaluaren e deri në gjysmën e viteve të tetëdhjta.


8. Ç`fshihet pas idesë për formimin e “kombit kosovar” ?!
Gjurmimi i prejardhjes, i rrënjve vetiake apo dëshira për kërkimin e identitetit shpreh aspektin antropologjik (M. Otten ) , të pyetjeve të bëra nga njeriu, që nga lashtësia: “Kush apo cili jam unë(?)”, “Kujt i takoj (?)”, “Nga jam (?)” etj. Prandaj, në kontekst të problematizimit, që i është bërë, dhe po i bëhet kohëve të fundit, çështjes së përkatësisë kombëtare të shqiptarëve të Kosovës nga grupacione të caktuara shoqërore, në Kosovë dhe jashtë saj, lypset aktualizuar sërish pyetjet: “Kush jemi ne ?”, “Cila është gjuha jonë?”, “Cili është himni ynë edhe përkundër faktit se shqiptarët e Kosovës, tashmë e kanë një himn tjetër (muzikë e pa tekst)?”, “Cili është flamuri ynë kombëtar, edhe përkundër faktit se tashmë shqiptarët e Kosovës e kanë një flamur tjetër shtetëror?”. Apo, thënë më troç, cilet jemi ne shqiptarët e Kosovës, që për veten tonë themi “ne”, kurse për të tjerët themi “ata”.
Në mediat e shkruara dhe digjitale herë pas herë debatohet për ca tipare të caktuara, që do të cilësoheshin si identitet kosovar, tipare ato, për të cilat fillimisht kanë shkruar dy autorë të huaj (Wolfgang Petritsch -Robert Pihler: „Rruga e gjatë në luftë – Kosova dhe bashkesia ndërkombëtare 1989-1999“ ), duke i vënë në lidhshmëri me organizimin e institucioneve paralele shqiptare gjatë viteve 1990 – 1998., dhe duke e cilësuar “ Pacifizmin, vetëpërmbajtjen dhe durimin e shqiptarëve” si tipare të një “identiteti kosovar”.
Të frymëzuara nga këto dhe ide të ngjashme, qarqe të caktuara politiko–intelektuale në Kosovë, kanë zënë ta aktualizojnë e, madje, edhe ta avansojnë idenë e “identitetit kosovar” në ide për formimin e “ kombit kosovar”, për të parë dritën edhe konstatimet, si: “Ne akoma nuk jemi komb, por duhet të bëhemi komb”, e të ngjashëme.
Ndonëse, është e tepërt dhe e panevojshme të flitet në kuptimin e ekzistimit apo të mosekzistimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, pra të ekzistimit të identitetit tonë kombëtar, qoftë në kuptimin e etnicitetit, qoftë të shtetësisë (nacionalitetit), një autor tjetër, (Reginald Hilbert: Albania's National Liberation Struggle The Bitter Victory Pinter Publishers, London and New York – Botimi shqip, faqe 14) , veç tjerash, nënvizonte se : ” Shqiptarët kanë një ndjenjë shumë të zhvilluar të identitetit të vet kombëtar e megjithatë për dy mijëvjeçarë nuk ia kanë dalë të ndërtojnë një shtet që përputhet me trevat e tyre”. Pra, edhe përkundër faktit se, në rrethanat kur tashmë shteti i Kosovës e ka flamurin shtetëror dhe himnin e ri, dhe, në një mënyrë është krijuar nacionaliteti i ri në kuptimin e shtetësisë, lypset qartësuar se gjuha, kultura, historia, tradita, mitet, legjendat, kryetrimi etj., janë ca prej tipareve themelore që e përbëjnë identitetin kombëtar, prandaj kuptohet se identiteti kombëtar korespondon me kulturën nga e cila buron. Nga kjo del se identiteti kombëtar qëndron në varshmëri nga kultura prej së cilës krijohet: nga letërsia gojore dhe e shkruar, nga arti, nga tradita, nga historia kombëtare, mitet, legjendat etj. Prandaj, shqiptarët mbështetur në etnogjenezën e tyre janë dhe ngelin shqiptarë kudo që ndodhen, ndërkaq “krijuesve” të “kombit kosovar” do t`u duhej të bëjnë kërkime për ta gjetur kulturën, gjuhën, traditën, historinë, mitet, legjendat, kryetrimin etj., me të cilat do të korespondonte kombi që ata duan ta “bëjnë” (?!). Atyre do t`u duhej poashtu t`i gjejnë mënyrat për t`i nxitur dhe motivuar shqiptarët e Kosovës për ta bërë ndryshimin e këngëve të veta popullore në të cilat i këndohet besës, nderit, burrërisë, fjalës së dhenë etj.; për t`i nxitur dhe motivuar që gjuhën e tyre amtare mos ta quajnë gjuha shqipe, por gjuha kosovare; për t`i nxitur dhe motivuar që shprehjen : “Bijtë e shqipes” ta zëvëndësojnë me “ Bijtë e mëllënjave”; për t`i nxitur dhe motivuar që t`i mitizojnë mëllënjat në “flamurin e tyre të ardhshëm” etj., ndërkaq, populli, pra shqiptarët e Kosovës, mëllënjat zakonisht i quan “zogj të zinj” dhe , besoj se nuk gaboj, nëse pohoj se shumica syrësh s`e dinë fare se ç`janë mëllënjat.? Pra, vetëm “ata” që këtë mision e kanë marrë me “shpirt në fut”, mund dhe duhet ta dijnë se si do t`i kryejnë punët që i nisën të tjerët, shumë më herët se ata, për çkombëtarizimin e shqiptarëve të Kosovës.
9. Përpjekjet gjatë historisë për ta bërë të pa qenë (jo ekzistent ) e edhe për ta zhbërë kombin shqiptar janë të vjetra. Ato datojnë që nga periudhat e hershme, kur dihej vetëm për popuj e jo edhe për kombe, pra, ato zënë fill që nga koha e depërtimit të fiseve sllave në Gadishullin ilir apo siç u quajt më vonë– Gadishullin ballkanik.
Ekzistojnë dëshmi të bollshme historike, që flasin qartë për përpjekjet e tilla, qoftë përmes formimit të kombeve të reja mbi substratin iliro-shqiptar, qoftë përmes përpjekjeve të okupatorëve për ta asimiluar popullin shqiptar, pra për ta zhbërë, siç pretenduan sllavët, – si në periudhën e fundme të shpërbërjes së Bizantit përmes skizmës, ashtu edhe deri në ditët e sotme; siç pretenduan otomanet - turqit e mëvonshëm, përmes konvertimit në islam, e konvertimi nuk nënkuptonte vetëm ndërrimin e fesë, por edhe të kombit, ndërkaq si pasojë e atyre pretendimeve pjesa dërmuese e shqiptarëve kudo që janë, veç tjerash, janë të privuar nga mbiemrat familiarë (llagapet) në sajë të të cilëve do të mund ta kërkonin (identifikonin) trungun e tyre familiar; siç pretenduan serbët, malazezët e grekët, pikërisht në kohën kur rezistenca dhe luftrat e vazhdueshme, që i bëri populli shqiptar për t`u çliruar nga Perandoria osmane dhe për t`u mvehtësuar dhe për të krijuar shtetin e vet në trojet etnike shqiptare. Ndërkaq, në kohën e në rrethanat, kur përpjekjet dhe luftrat e vazhdueshme shqiptare për të dalë nga periudha e gjatë e robërimit otoman ishin në prak të kurorëzimit me krijimin e shtetit shqiptar, serbët, malazezët dhe grekët, krahas represionit gjenocidial, që ushtronin ndaj popullsisë shqiptare në viset e okupuara, kishin shtuar propagandën dhe luftën psikologjike, duke i shpallur shqiptarët e Kosovës, herë si “Arnautash”, gjoja si “serbë të asimiluar dhe të konvertuar nga ortodoksia”, herë si si „ardhacakë “, herë si “turq”, meqë rreth 80 për qind të tyre ishin të besimit islam, për t`i quajtur pas vitit 1945 e deri në ditët e sotme me shprehjen ofenduese “shiftari”.
10. Siç është e ditur, me gjenezën e emërtimit gjeografik (toponimit) Kosovë(a) shkenca shqiptare nuk është marrë në masë të duhur dhe serioze, ndërkaq sipas variantit serb emri i Kosovës rrjedh nga emri i zogjve – mëllënjave ( Kosovi- mëllenjat), (Kosovo Polje – Fusha e mëllënjave), ndërsa nga goja e popullit shqiptar dëgjohet emërtimi Rrafshi i Kosovës në kuptimin e njerës prej krahinave shqiptare, ashtu sikundër Llapi, Gollapi, Drenica, Dukagjini, Hasi, Anadrini etj. Në “Historinë e popullit shqiptar” emërtimi gjeografik Fusha e Kosovës figuron si Fushë–Dardania, emërtim ky që përkon me emërtimin gjeografik të para periudhës ballkanike, pra me Dardaninë antike.
Thënë pa të keq, emërtimi gjeografik apo toponimi, që ndjehet në gojën e popullit si Rrafshi i Kosovës, nuk e ka kuptimin e plotë të një krahine shqiptare, por të një regjioni të pa përcaktuar gjeografikisht. Shikuar nga ky kënd, tiparët identifikuese të shqiptarëve të Rrafshit të Kosovës, janë tipare të brendshme, karakteristike për një mjedis të caktuar, ashtu sikundër janë edhe tiparet e mjediseve apo regjioneve të tjera shqiptare, qoftë në Kosovë, Shqipëri etj., prandaj ato si të tilla nuk mund të bëhen tipare unike qoftë për një identitet kombëtar të shqiptarëve të Kosovës në aspektin politiko-administrativ, qoftë si tipare për formimin apo “ndërtimin” e një kombi të ri, siç pretendojnë ca qarqe të caktuara në Kosovë e ngjeti. Në këtë vazhdë do shtuar se emërtimi gjeografiko - politik Kosova në kuptimin e një territori politiko – administrativ (Konrad Clewing : Der Kosovo Konflikt– Mythen und Fakten zur Ethnostruktur in Kosovo–Ein geschichtlicher Überblick“ – Weiser Verlag, Klagenfurt, 2000. Faqe 19), shfaqet për herë të parë rreth viteve 1870, si dhe, pas vitit 1945, me kufinj përafërsisht të njëjtë ( Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit deri më 1974, kurse që nga ajo kohë në shqipet vetëm Kosova).
Sikurse edhe paraardhësit e tyre në Gadishullin ilirik, ashtu edhe vetë shqiptarët në Gadishullin ballkanik, i posedojnë të gjitha karakteristikat e mundshme për të qenë shqiptarë qoftë përnga etnogjeneza, qoftë përnga aspekti shtetëror-nacionaliteti. Të tjerët qenë ata, në mos qofshin paraardhësit e këtyre që vendosën për statusin e Kosovës, që na sollën në situatë, që ca prej nesh të shkruajmë e të flasin për dy e më shumë identitete kombëtare brenda kombit shqiptar, ashtu sikundër shkruanin edhe pretendonin ca “teroricienë” gjermanë e të huaj për “dy kombe gjermane”, para se të bëhej bashkimi i dy Gjermanive.
11. Pjesë të pandara të identitetit kombëtar janë edhe simbolet kombëtare: flamuri kombëtar, hymni kombëtar, Dita e Pavarësisë, qyteti apo vendi historik ku janë vënë themelet e shtetësisë dhe që simbolizojnë bërthamën e krijimit të shtetit e të shtetësisë, prijësi legjendar apo kryetrimi, miti, legjendat etj. Ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, e kuqja dhe e zeza, simbolizojnë tiparet e shpirtit tonë kombëtar. Fusha e kuqe e flamurit tonë simbolizon gjakun e dedhur për të qenë të lirë dhe sovran në trollin tonë, si një komb i bashkuar, ndërsa shqiponja e zëzë, dy krenare, simbolizon dhe mitizon prejardhjen tonë, nga zbërthimi i të cilës del thënia: ”Bijtë e shqipes”. Pra, simbolet kombëtare paraqesin mishërimin e kombit, përgjegjësinë dhe respektin për hitorinë tonë kombëtare. Ndërgjegjësimi ynë historik për historinë dhe simbolet kombëtare është pjesë e identitetit tonë kombëtar. Prandaj duke mos ia mohuar askujt të drejtën për t`i gjurmuar tiparet e identitetit të vet, qofshin ato të humbura apo të tëhuajsuara, e pra as të drejtën për ta gjurmuar gjenezën e vet, e në këtë vazhdë as pretenduesve për t`u konvertuar nga kombi shqiptar në kombin joekzistent, kombin “kosovar”, e do puna të thuhet qartë se për të gjithë shqiptarët e Kosovës, që gjuhë amtare e kanë shqipen dhe që e njohin dhe pranojmë gjenezën e vet kombëtare si shqiptarë, konstatimet se ne “nuk qenkemi komb”, por që u dashka “ të bëhemi komb “ (?! ), – janë të papranueshme, janë qëllimkëqia dhe mund të sjellin përçarje kombëtare, e edhe të papritura të tjera. Historia jonë e gjatë, të shumtën e herave tragjike, ka dëshmuar se shqiptarët jo vetëm që janë komb, si në kuptimin etno-gjenetik ashtu edhe në atë shtetëror, por madje ata janë edhe të pa asgjasueshëm.
12. Ideja se pikërisht shqiptarët e Kosovës u desht të bëhen mostër në aspektin etniko - historik për krijimin e një „nacionalitetit të ri“, legjitim për shtetin e Kosovës, si shtet multietnik (?!) me 90% shqiptarë e 10 % minoritarë (?!) nuk është qëllimmirë. Pra, Kosova – shtet me shqiptarët e konvertuar në “ nacionalitet kosovar” dhe me pakicat: serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptasit, etj., etno-identiteti i të cilëve nuk cenohet. Kosova si shtet i një kombi të “vetëformuar”, si komb etniko–historiko–kulturor – i krijuar në sajë të një “fataliteti” në vend se Kosova të jetë shtet sipas konceptit të sprovuar, shtet i kombit shtetformues – shqiptarëve të Kosovës, të bartur dhe të realizuar në bazë të vullnetit të shprehur legalisht, dhe i pakicave kombëtare me të drejtat e garantuara në bazë të konventave ndërkombëtare dhe Kushtetutës së vendit.