Agjensia e Lajmeve "SOT"
A ja shkaktoi “diabetin” Kombëtares së futbollit shqiptar, Armando Duka?
Nga Bejdo MALO
E dhimbshme, por e vërtetë. Futbolli shqiptar që ditën që në krye të FSHF, ka zënë vend Armando Duka, i ngjan një të sëmuri “diabetik”. Mirë do të ishte të mos flasim për plagët e pashërueshme të të ashtuquajturës superligë apo kategori e parë. Pothuajse të gjitha klubet bëjnë evazion të paparë fiskal, duke lënë pa kontrata dhe pa sigurime futbollistët. Të shokon me rrëfimin e tij një prej zyrtarëve më të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve. Të vetmet “ambasadore” VIP që turbulluan “qetësinë” e kombëtares në Danimarkë ishin Çiljeta Xhilaga dhe Igrid Gjoni në kuptimin më të mirë dhe më të sinqertë të fjalës. A janë trukuar ndeshjet e kombëtares shqiptare në futboll?. A dha dorëheqje misterioze trajneri i kombëtares shqiptare, Ari Han për shitje të ndeshjeve nga ana e kombëtares shqiptare? Ia shitën, apo i shiti ndeshjet e kombëtares, Ari Han? Këto janë një pjesë e pikëpyetjeve të mëdha që shtrohen sot në adresë të zotit Armando Duka dhe tërë stafit të tij si numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit. Së pari duhet të sqarojmë statusin e zotit Armando Duka.
Statusi i tij është vënë në dyshim që prej katër vjetësh. Ai më shumë ngjan si një “sheik” i Federatës Shqiptare por nga ata “sheikët” modernë. Me fjalë të tjera nga ata sheikë që “mjelin” lopën e tjetrit dhe shijojnë qumështin e saj. Këtë status nuk e ndryshon dot më askush. Statusi i tij ka shumë hije dyshimi për nga mënyra se si interpretohet dhe nga mënyra se si qëndron ai në krye dhe nga ajo që ka ndodhur mes atij dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Në parantezë them se prej 10 vjetësh mëkatarja më e madhe është vetë ministria. Por në thelb, zoti Armandi Duka është një hap para të gjithëve. Ai ia ka dalë mbanë edhe pse akuzat direkte për skenarin e përsëritur të kombëtares shqiptare bien direkt mbi atë.
Nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, nuk ka thënë asnjë fjalë për ato që ndodhin në disavjetorin e timonerisë së tij. Të gjithë kemi krijuar bindjen absolute dhe kjo falë zotit Armando Duka se mëkatarët e pandreqshëm janë trajnerët e huaj, që vetë zoti Duka me metodat e tij bashkëkohore i rekurton. E keqja e kombëtares shqiptare nuk qëndron fare tek trajnerët e huaj. Duke filluar që nga Dosena dhe duke mbërritur tek Ari Han, kombëtaren shqiptare e kanë drejtuar ata që kanë bërë histori në futbollin botëror dhe që janë emra të pakompromentuar. Akuzat më direkt i hodhi kroati Bariç. E detyruan të mos vinte në Shqipëri me një telefonatë. I njëjti skenar dhe me Ari Han. Rezultatet e kombëtares kanë të njëjtin skenar. E fillojmë mirë, marrim nga gjashtë a shtatë pikë, pastaj fillojnë “trukimet”, “ pazaret” dhe loja përfundon në mënyrë të fëlliqur dhe groteske. I gjithë faji mbetet mbi trajnerët e huaj. Më dhimbsen dhe më vjen shumë keq për shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, të cilët kanë dhënë kontribute të mëdha si trajnerë dhe papritur dhe pakujtuar shpërfytyrohen në emisionet televizive me deklaratat që bëjnë.
Të gjithë baltën dhe të gjithë llumin e zi e hedhin mbi trajnerët e huaj edhe pse zemra e tyre nuk gjykon ashtu. Unë e di me saktësi pse shpërfytyrohen ata. Pse ata nuk e vënë gishtin mbi plagën e vërtetë të kombëtares shqiptare. Ata bëjnë ato lloj deklaratash të pështira vetëm e vetëm që të mos thuhet asnjë fjalë për Armando Dukën dhe stafin e tij, dhe pse në tavolinë të thonë gjera krejtësisht të vërteta dhe shumë bindëse e lavdërojnë atë me shpresën se do vijë një ditë dhe në krye të kombëtares shqiptare do vendoset një shqiptar dhe i bëjnë hyzmet preferencës së Dukës. Ata flasin në televizione dhe shikojnë nga kamera, a po i shikon Armando Duka apo jo. A e mori vesh ai analizën e tyre. Kjo është një lojë e pështirë. U lexohet në çdo pore të fytyrës ky fakt. Të gjithë trajnerët shqiptarë, duke filluar nga Mond Gëzdari, Bejkush, Birçe, Medin Zhega, Astrit Hafizi, Ramazan Rragami dhe shumë e shumë të tjerë që nuk po ua përmend emrin duhet të thonë të vërtetën hapur. Pse kështu. Gjërat janë të qarta si drita e diellit.
Pa e ofenduar zotin Armando Duka (kujtoj që ne jemi i vetmi vend në botë që numrin një të Federatës së Futbollit nuk e kemi futbollist), le ta provojë ai një vit të mos jetë në krye të futbollit shqiptar sa gjëra të mira do të ndodhin. Nuk e hedhim poshtë kurrë kontributin e tij profesional dhe personal e shumë e shumë të mira të tjera, por ja që gjërat evoluojnë më shumë se sa “intelekti” i FSHF dhe i zotit Armando Duka. Nëse ai është profesionist dhe intelektual siç dëshmohet, atëherë në respekt të shqiptarëve sportdashës që të vetmen dritë syri kanë kombëtaren duhet të bëjë një akt qytetar. Le të eksperimentojë një vit.
Të largohet nga drejtimi i FSHF me konsensus. E sigurtë që gjerat do të ndryshojnë katërçipërisht. Së paku futbollistët e kombëtares nuk do të shkojnë të flenë në një hotel të dorës së tretë në Durrës, që të lë të dyshosh se bëhet për të “trukuar” ndeshjet. Nuk do të hartohet në mënyrë aq qesharake lista e futbollistëve të kombëtares. Nuk do të jenë thjesht vizitorë tre-katër ditorë trajnerët e huaj. Nuk do të dalim zero me tre në favor të Danimarkës ende pa u “filluar” ndeshja. Nuk do të kishin shkuar në Danimarkë si “ambasadorët” VIP të kombëtares Çiljeta Xhilaga dhe Ingrid Gjoni të cilat vetëm “turbulluan” qetësinë e saj. Nuk do të ndodhin shumë e shumë plagë të tjera të kombëtares sonë. Falë rinovimeve janë evidentuar kombëtares e Qipros të Maltës Lihteshtenit të Estonisë të Lituanisë e shumë vendeve të tjera që kanë të njëjtin status me ne. Rasti Brigel është më sinifikativi. Gjeramni u shpërdorua në atë farë feje që iku nga sytë këmbët. Ajo që doja të ndryshonte menjëherë është tërë struktura e FSHF.
Është e atrofizuar, e ndryshkur, e familjarizuar, e lodhur, e paftë profesionalisht dhe mbi të gjitha me shumë enigma dhe me pikëpyetje të mëdha. O Krisht boll kemi vuajtur nga marrja peng në politikë mos na merrni peng dhe futbollin. Të paktën atje kemi rast të blejmë një flamur dhe ta valëvisim. Kam mbuluar shumë vjet faqet e sportit në një gazetë të përditshme dhe kam pasur shpresën se gjerat do të ndryshonin. Por jo. Federata dhe drejtuesit e saj janë shndërruar si sëmundja e diabetit për futbollin shqiptar. Mos u çuditni të gjithë e prekim dhe e shikojmë futbolli shqiptar është i sëmurë me diabet. Doktori Armando Duka nuk e shëron dot. Një miku im më thoshte para ca ditësh se ilaçet e diabetit vetëm këto katër vjetët e fundit kanë ndryshuar gjashtë herë. Po ilaçet e diabetit të futbollit shqiptar pse nuk ndryshojnë. I japim të njëjtin ilaç dhe të njëjtën recetë si ish-diktatorit Enver Hoxha, të cilat krijuan imunitet në trupin e tij dhe kanë 20 vjet familjarët e tij që thonë se e helmuan e të tjera bastarditete. Kështu po ndodh dhe me futbollin shqiptar.
Krijoni Kontakt