GJIROKASTER- Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime në një ceremoni të vecantë të organizuar enkas me këtë rast, i ka dorëzuar ish kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj titullin qytetar nderi, me motivacionin për kontribut të shquar në luftën për clirimin e Kosovës dhe fitoren e pavarësisë së saj.
Kryebashkiaku Bime i ka konsideruar përpjekjet e Haradinaj në luftën për clirimin e Kosovës mjaft të rëndësishme duke theksuar se figura e tij ka mbetur në memorien e cdo shqiptari, për shkak të kontributit me vlerë që ai ka dhënë për Kosovën.
Ky nderim është zhvilluar gjatë një vizite të Ramush Haradinaj në qytetin e Gjirokastrës, ku vetë ky i fundit e ka cilësuar këtë ditë si të shënuar në jetën e tij.
“Nderimin që më behet mua sot” - ka theksuar Haradinaj “po e marr si një investim të përbashkët për atë cka do të ndërtojmë në të ardhmen”. Ndërsa në vazhdim të kësaj ceremonie, të pranishmit kanë asistuar në një koncert artistik me grupe të këngës popullore dhe këngëtarë gjirokastritë. (e.n/News24/BalkanWeb)