Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-04-2006
    Postime
    174

    Vetëvrasja e Mehmet Shehut zbulohet n Arkiv arka me dokumente që iu dorëzua Nexhmijes

    Të tjera fakte mbi vrasjen e bujshme të Mehmet Shehut. Sapo i ka ofruar lexuesit një përmbledhje historike me atentatet më të bujshme të shekullit të kaluar në politikë dhe ende ka shumë për të nxjerrë në dritë. Drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, në një intervistë për “Panorama” thotë se është duke punuar për një libër mbi vrasjen e Mehmet Shehut. Përveç fakteve që ai sjell në librin “Plumba Politikës” mbi vrasje-vetëvrasjen, siç është rasti i telefonatës së fundit mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, Dervishi hedh dritë mbi të tjera fakte. Një ndër to është urdhri i menjëhershëm, fill pas vrasjes, në datën 19 dhjetor ’81, për të “pastruar” çdo libër, apo parullë nga emri dhe fotografia e Shehut, që do të thotë përpara se grupi hetimor të zbardhte këtë çështje. Këtë e vërteton një faksimile e një urdhri me firmën e Kadri Hazbiut. Gjithashtu Dervishi përmend një “arkë sekrete” dokumentacionesh mbi gjithë jetën e Mehmet Shehut, e cila iu dorëzua Nexhmije Hoxhës.

    Sapo keni botuar një libër për vrasjet e politikanëve në gati 100 vjet histori të shtetit shqiptar, cilat janë burimet që keni shfrytëzuar?

    Burimet janë të së gjitha formave. Vijnë prej Arkivit Qendror të Shtetit dhe Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Po ashtu janë shfrytëzuar edhe bibliotekat e vendit, në radhë të parë Biblioteka Kombëtare. Burimet janë të shënuara të gjitha me përjashtim të së dhënave të veçanta.

    Një fakt interesant që del në librin tuaj është një telefonatë mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, cili është burimi i këtij informacioni jo shumë të lakuar më parë?

    Unë e kam sqaruar edhe në libër që kjo vrasje do të trajtohet prej meje në një botim të veçantë. Kështu që më duhet t’i përmbahem këtij formati. Është një material prej rreth 400 faqesh, i cili do të mbyllë edhe enigmat e tjera. Telefonata është përmendur edhe nga referues të tjerë gjatë gjithë këtyre viteve që është folur për këtë ngjarje. Sikurse ju thashë edhe më lart, më duhet t’i përmbahem deri në këtë pikë komentit rreth kësaj çështjeje.

    Kapitullin për Mehmet Shehun ju e quani “Vrasja me vetëvrasje”, si duhet ta kuptojmë këtë?

    “Vetëvrasja” ka qenë forma më e lartë e përdorur kundër drejtuesve të lartë të Partisë së Punës. Në të 3 rastet më të përdorura, kundër Nako Spirut, Omer Nishanit dhe Mehmet Shehut, ngjashmëritë kanë qenë të mëdha. Mehmet Shehu nuk mund të kishte një fat tjetër. Duke filluar nga fakti se ai kishte mbaruar një shkollë amerikane dhe pavarësisht përkushtimit, që kishte treguar si komunist i devotshëm gjatë gjithë atyre viteve, nuk ishte i besueshëm në vazhdimin e linjave antishqiptare, që ishin në funksion dhe që kërkonin një njeri të besuar sikurse edhe ndodhi. Atij i ishte hapur një dosje në vitin 1947 nga shefi i Sigurimit të Shtetit të Tiranës, dosje e cila është asgjësuar pas ndryshimit të situatës në vitin 1948.
    Ajo që ka ndodhur brenda shtëpisë së Mehmet Shehut së fundi, ishin vetëm aspektet teknike të eliminimit të njeriut që praktikisht duhej të ishte pasuesi i Enver Hoxhës.
    Kam pasur raste të shikoj dokumentacionin e vetëv-rasjeve të tjera. Një rast ka qenë në Fier, kur ka vrarë veten një sekretar i parë i partisë atje, i akuzuar për gjoja sabotim në naftë. Nëse krahasohen foton me Mehmet Shehun, do vërehen ndryshimet e mëdha midis një vetëvrasjeve si kjo e Fierit dhe një vrasje si ajo e Tiranës. Partia dha një opinion të shpejtë për vrasjen e Mehmet Shehut. Kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë u varros po ashtu me të shpejtë. Televizioni i vetëm shtetëror e kaloi lajmin sikur të ishte fjala për vdekjen e ndonjë sportisti veteran. Menjëherë kaloi në këngë e humor. Pse bëhej kjo, kur grupi hetimor nuk kishte dhënë akoma versionin nëse kishim të bënim me vrasje apo vetëvrasje, pasi në të tilla raste ngrihen të dyja pistat e mundshme. Pra, menjëherë veproi i njëjti mekanizëm që ishte me vrasjen e Nako Spirut. Bëhet një mbledhje Byroje, kërkohet llogari, lihet një datë fikse për “mbledhjen e fundit” dhe si përfundim kjo mbledhje nuk mbahet, pasi aksidentalisht ose me ndërgjegje personi “vret veten”.
    Dihej që në atë kohë vetëvrasje dënohej nga PPSH-ja, por deri kur grupi hetimor e shpalli këtë gjë, janë ndërmarrë nga Partia veprime që e quanin të mirëqenë versionin e “vetëvrasjes”. Kështu ka ndodhur me dosjen hetimore të Mehmet Shehu e bën “armik” atë në përfundim të hetimeve. Më 19 dhjetor 1981 kanë nisur njoftimet sekrete për të hequr çdo gjë që lidhje me emrin e Mehmet Shehut. Më 23 dhjetor 1981, me nënshkrimin e Feçor Shehut dhe Manush Myftiut, Komisioni i Internimit dhe Dëbimit, ka vendosur internimin e familjarëve të Mehmet Shehut. Një ditë më vonë Enver Hoxha bën daljen e parë publike në Galerinë e Arteve Figurative duke pasur në krah Ramiz Alinë dhe Kadri Hazbiun. Për opinionin këta u dukën si pasardhës të mundshëm të Hoxhës. Koha e tregoi se kush ishte. Qëndrimin zyrtar ndaj cilësimit armik, PPSH do ta merrte shumë vonë.

    Thuhet se Mehmet Shehu është ankuar për përgjimin e telefonit, ekzistojnë materiale që vërtetojnë diçka të tillë?

    Mehmeti nuk mund të ankohej për përgjim se e dinte që formalisht kryeministri dhe anëtari i Byrosë Politike nuk mund të përgjoheshin. Kujt do t’i ankohej Mehmet Shehu?
    Së dyti, informacion për këtë përgjim kishte vetëm një grup i vogël personash me lidhje të fortë vertikale. Ky përgjim telefonash, që është pohuar edhe nga persona që kanë shoqëruar në atë kohë Mehmet Shehun.

    Përveç vetëvrasjes që ashtu si thatë ju, dënohej nga PPSH, si u përligj etiketimi “armik i popullit”, për Mehmet Shehun?

    Për gjëra që i kishin të tjerët, u akuzua Mehmet Shehu. Në Byronë Politike do të gjeje njerëz që i kishin vetë këto “poliagjenca”. Madje puna mund të shkonte shumë lart, deri tek artikuluesi bazë i tyre. Si bazë për këtë është përdorur “dokumenti” i ardhur nga Vjena e që u komentua këtu si çelësi i të gjithave. Për këtë dokument flet edhe Nexhmije Hoxha në librin “Miqësi e tradhtuar” ku trajton marrëdhënien e familjeve Hoxha – Shehu.
    Ky i ashtuquajtur “dokument” i ardhur nga ambasada jonë në Vjenë që provonte “poliagjencën” e Mehmet Shehut, ka qenë një kombinacion, i krijuar me qëllim përligjjeje të asaj që do thuhej për Mehmet Shehun pas vrasjes së tij. Vjen një person në ambasadë dhe dorëzon një material disa kohë para vrasjes së Mehmet Shehut. E merr funksionari i besuar dhe e mbyll në kasafortë. Vjen momenti dhe përdoret. Unë kam pasur rastin të njihem e të bisedoj me personin që e ka përkthyer këtë material. Ai më ka thënë shprehimisht: “Nexhmije Hoxha gënjen kur thotë se ai material ka firmën e Mehmet Shehut. Në këtë material nuk ka firmë të Mehmet Shehut”. E theksoj këtë moment, pasi ishte e vetmja “provë” që interpretohej për të justifikuar veprimet që ishin bërë dhe që kishin lidhje me Mehmet Shehun.

    Pasi keni studiuar këtë çështje, keni kaluar nëpër duar dokumente arkivore, sipas jush kush është shkaktari i vrasjes së Mehmet Shehut?

    Përgjegjësja kryesore e kësaj çështjeje ka qenë Nexhmije Hoxha. Këtë e dëshmon edhe një arkë me materiale në ngarkim të Mehmet Shehut. Kjo ishte përgatitur nga grupi operativ i Ministrisë së Punëve të Brendshme për Nexhmije Hoxhën, e cila është shefja kryesore e gjithë kësaj pune, përgatitësja e pasardhësit të Enver Hoxhës dhe e ruajtjes së linjave të vjetra proserbe të pushtetit. Kjo arkë ishte plot me dokumentacion për Mehmet Shehun nga koha e rinisë e deri vonë. Çfarë funksioni kishte Nexhmije Hoxha që duhej ta merrte këtë informacion, i cili në rastin më të fundit i dërgohej vetëm sekretarëve të KQ të PPSH-së. Për çështjet e tjera rezervohem të shprehem.


    Urdhri i Hazbiut, për heqjen e citateve
    Nuk kishin kaluar as 24 orë nga vetëvrasja(vrasja) e Mehmet Shehut, kur PPSH-ja e shpalli ish-kryeministrin armik të popullit. Ende nuk ishte mbyllur procesi hetimor, kur çështja ishte mbyllur. Më 19 dhjetor 1981, ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Kadri Hazbiu, u drejtohet komandave të korpuseve, grupimeve operative, komandave të shkollave ushtarake, ishullit të Sazanit dhe të reparteve autonome të MMP, që të heqin të gjitha fotografitë, citatet dhe të gjithë urdhrat, që mbajnë firmën e Mehmet Shehut. Ky urdhër duhej të zbatohej deri në datën 22 dhjetor 1981. Më 23 dhjetor 1981, me nënshkrimin e Feçor Shehut dhe Manush Myftiut, Komisioni i Internimit dhe Dëbimit, ka vendosur internimin e familjarëve të Mehmet Shehut.


    Arka me dokumente dorëzuar Nexhmije Hoxhës


    Një arkë me materiale mbi jetën e Mehmet Shehut, prej rinisë së tij, deri në momentet e fundit të jetës iu dorëzuan Nexhmije Hoxhës. Sipas drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme ajo ishte përgatitur nga grupi operativ i Ministrisë së Punëve të Brendshme për Nexhmije Hoxhën. Ky fakt e bën Nexhmije Hoxhën të dyshuarën kryesore si organizatore të gjithë kësaj çështjeje. Informacioni i mësipërm i dërgohej vetëm sekretarëve të KQ të PPSH-së.

    Telefonata e fundit mes Enverit dhe Mehmetit

    I lodhur nga atmosfera terrorizuese që zotëronte në mbledhjen e Byrosë Politike, Mehmet Shehu ka mbërritur në mbrëmje në shtëpi. Të gjithë atë mbrëmje kishin qenë kundër tij. Ndryshe nga herë e tjera anëtarët servilë të Byrosë Politike ishin në garë se kush ta sulmonte më parë. Pak minuta para se të futet në dhomën e tij, Mehmet Shehu i ka telefonuar Enver Hoxhës, të cilit i ka kërkuar takim të menjëhershëm dhe të shkurtër në mënyrë që mbledhja e nesërme e Byrosë të dilte një “gjë e pjekur”. Enver Hoxha ka refuzuar ta presë Mehmetin me arsyetimin se “kishte njerëz për darkë”. Në asnjë material apo të dhënë nuk vërtetohet se cilin ka pasur për atë natë “për darkë” Enver Hoxhë. Nëse Mehmet Shehu do të kishte ndërmend të vriste veten nuk kishte pse t`i telefononte Enver Hoxhës dhe t`i kërkonte takim. Nga ana tjetër nëse Enver Hoxha e priste në takim atë natë Mehmet Shehun, komprometohej i gjithë plani i tij për ta eliminuar atë natë atë. Atë mbrëmje, Mehmet Shehu pasi është përshëndetur me njerëzit e familjes, është futur në studion e tij dhe ka filluar të shkruajë autokritikën e kërkuar për ditën e nesërme.
    Natyrisht një njeri që ka ndërmend të vrasë veten nuk merret me autokritika por me gjëra të tjera. Në këtë mënyrë ai ka shkruar për disa orë atë që do të thoshte të nesërmen para “shokëve të Byrosë”. Lëvizjet brenda shtëpisë së Mehmet Shehut kanë vazhduar deri në orën 1.30 të mëngjesit. Kjo do të thotë se vrasje para kësaj ore nuk ka pasur. Këtë e provon edhe fakti se djali i Mehmetit, Vladimiri ka kaluar pranë derës së Mehmetit në këtë orë dhe ai ka qenë akoma duke shkruar dhe me dritën e dhomës së pashuar. Mehmet Shehu kishte vite që flinte veç bashkëshortes së tij Fiqeretes. Mbase kjo gjë është shfrytëzuar me mjaft mjeshtri edhe nga ata që i sollën vdekjen.
    Të nesërmen rreth orës 8.00 të mëngjesit familjarët e tij kanë vërejtur se Mehmet Shehu kishte vdekur. E para në krevatin e M. Shehut ka shkuar bashkëshortja. Truproja e M. Shehut ka lajmëruar Ramiz Alinë, i cili e ka pritur me gjakftohtësi e pa habi këtë ngjarje.

    Panorama
    Ndryshuar për herë të fundit nga Apolloni31 : 14-04-2009 më 17:34
    Sa do rrosh do te mesosh......

Tema të Ngjashme

  1. Letrat e E. Hoxhes per hetuesit ne 1983
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 19-10-2016, 08:32
  2. Mehmet Ali Pasha: Themeluesi i shtetit të Egjiptit modern
    Nga Kryeplaku në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 75
    Postimi i Fundit: 27-08-2015, 15:27
  3. Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha
    Nga Veshtrusja në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 22-11-2010, 19:03
  4. Vrasja e Mehmet Shehut
    Nga erzeni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 16-12-2003, 17:37
  5. Kujtime nga koha e ppsh-se
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 44
    Postimi i Fundit: 22-02-2003, 07:58

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •