Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, 7 Prillit, një sërë aktivitetesh realizoi nëpër qytete të ndryshme edhe Sektori i Femrës pranë Forumit Rinor Islam në Maqedoni.
Kështu, ditën e hënë, me 6 prill, në Shkup u organizua tribuna shkencore me temë: "Shëndeti, dhunti e Zotit dhe përkujdesja ndaj tij", ku si ligjëruese ishin mjekja Sefijan Ferati - Ballqishta dhe teologeja Sumeje Peza.

Me këtë rast, mjekja Sefijan Ferati - Ballqishta u dha të pranishmeve, të cilat ishin në numër të konsideruar, disa këshilla të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit familjar përmes përkujdesjes ndaj higjienës dhe rregullimit të ushqyeshmërisë. Ndërsa teologeja Sumeje Peza gjatë ligjëratës së saj u përqendrua në rolin dhe vendin që i ka kushtuar shëndetit Feja Islame.
Ndërkaq, Degët e Sektorit të Femrës pranë FRI në Tetovë dhe Kumanovë vizituan spitalet e këtyre dy qyteteve, gjegjësisht Repartin e Pediatrisë në Tetovë dhe Repartin Gjinekologjik në Kumanovë. Me këtë rast aktivistet e Degëve të Sektorit të Femrës edhe shpërndanë dhurata për fëmijët pacientë të Repartit të Pediatrisë dhe nënat paciente në Repartin Gjinekologjik.
Po ashtu, me rastin e kësaj dite ndërkombëtare u ribotua dhe shpërnda falas edhe libri "Duhani, alkooli dhe femrat", i përgatitur nga Dr. Samire Lutolli - Ademi.