Autobani politik
Autostrada Prishtinë - Durrës duhet të emërohet me emrin e ish presidentit Ibrahim Rugova. Ky është propozimi më i ri i LDK-së. Partitë tjera politike kanë reaguar ashpër. E quajnë vetëm marketing politik.
Nga Nebih Maxhuni më 04.04.2009 në ora 8:04
Në rast se Lidhjes Demokratike i shkrepin tri propozimet, atëherë Aeroporti i Prishtinës, Ndërtesa e Operës dhe Baletit si dhe autostrada Prishtinë- Durrës do ta mbajnë emrin e ish kryetarit Ibrahim Rugova. Propozimet që ndërtesa e Operës dhe e Baletit si dhe Aeroporti i Prishtinës të pagëzohen me emrin Ibrahim Rugova ishin propozuar kohë më parë nga zyrtarë të lartë të LDK-së, ndërsa të premten zyrtarë të kësaj partie kanë dalë edhe me një propozim tjetër.
Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramë Manaj, ka propozuar që autostrada Prishtinë - Durrës të emërohet me emrin Ibrahim Rugova, duke arsyetuar këtë propozim të LDK-së se ish kryetari Rugova ka qenë ideatori i kësaj lidhjeje dhe i shumë lidhjeve tjera kombëtare. Ramaj ka kërkuar që autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë te mbajë ermin edhe në pjesën matanë kufirit me Kosovën e që është deri në Durrës.
“Ne do t’i inkurajonim qytetarët e të dy vendeve tona, si dhe qeveritë e tyre, që të mësohen me kuptimin simbolik të emërtimit të kësaj autostrade “Autostrada Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj.
Për Lidhjen Demokratike të Kosovës ideja për autostradën Prishtinë-Durrës mbetet një projekt, i cili ndërlidhet me, siç e kanë quajtur ata, prijësin e vizionarin Ibrahim Rugova, udhëheqësin shpirtëror të shqiptarëve dhe simbolin e pavarësisë së saj.
“Nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”, ka cituar fjalët e Rugovës, Ramë Manaj. Ndërtimi i autostradës, sipas zyrtarëve të LDK, është angazhim i tyre për integrime rajonale dhe se është kryekëput ide e saj.
“Unë e përmenda dhe kërkova në emër të LDK-se që qytetarët e dy shteteve tona gradualisht të mësohen me idenë, në kuptimin simbolik, sepse kjo ishte ide e parë, e lindur, e plasuar nga presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova që të quhet, që ta pranojnë, që ta akceptojnë, natyrisht, pas formalizimit të saj”, ka kërkuar ai.
Propozimi i bërë në opinion të premten ka ngjallur reagimet e partive politike. Ata këtë nismë të LDK-së e shohin vetëm si marketing politik dhe përfitim në emër të njerëzve që tashmë nuk janë gjallë. Për Lulëzim Zenelin nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, propozimi i LDK është vazhdë e propozimeve që bëhen nga LDK-ja në kuadër të një marketingu politik.
“Nuk është fjala vetëm e autostradës, kjo parti ka kërkuar që Aeroporti, Opera e tash autostrada të këtë emrin Ibrahim Rugova. Është pjesë e një fjalori të politikës ditore , është në pushtet , ka qenë në pushtet dhe kurrë nuk realizon asgjë , por kjo është thjesht për konsum të brendshëm. Fatkeqësi kemi një subjekt politik të tillë që emrin e presidentit Rugova e lakon aq shumë dhe në anën tjetër ata nuk bëjnë asnjë hap”, thotë shefi i grupit parlamentar të LDD-së.
Më e ashpër për propozimin e LDK-së ka qenë Aleanca Kosova e Re. Ibrahim Makolli thotë se ky propozim tregon nivelin e ulët politik që ekziston në vend. Sipas tij, më i rëndësishëm është ndërtimi i autostradës sesa emërtimi i saj.
“Seriozisht këta njerëz më së paku e kanë parasysh interesin e qytetarëve dhe përpiqen në këtë formë të përfitojnë nga njerëzit që kanë dhënë kontribut për këtë vend e që nuk janë më. Nuk e di që ka autostradë me emra të njerëzve, nivel i ulët politik ekziston në këtë vend”, thonë zyrtarë të AKR`së.
Për dallim nga partitë tjera politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka qenë kundër propozimit të LDK që autostrada Prishtinë-Durrës të emërtohet me emrin e Ibrahim Rugovës. Ahmeti Isufi, nënkryetar i AAK-së, thotë se për këtë vetëm duhet të ketë një konsensus ndërmjet partive politike.
“Ne jemi që qëndrimi të jetë i unifikuar i të gjitha subjekteve politike dhe i institucioneve të Kosovës dhe normalisht nuk jemi kundër. Përkundrazi, kërkojmë që të jenë unike subjektet dhe pse jo”, vlerëson ky zyrtar i lartë i AAK-së.
Dy propozimet e mëhershme të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndërtesën e Operës dhe Baletit si dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, që të emërohen me emrin e ish presidentit Ibrahim Rugova, kanë mbetur vetëm deklarime publike
gazeta express online
Krijoni Kontakt