Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt i Lirë
    Anëtarësuar
    15-04-2002
    Postime
    898

    Biblioteka kombëtare në 80-vjetor

    Për historinë gjithë valavitje të kombit shqiptar nuk është për t'u befasuar që shenjat e para të lindjes së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë të bartin ngjyresë mirëfilli ushtarake. Ato kanë të bëjnë me 16 prillin e vitit 1918, kur në Shkodër themelohej Biblioteka e Komisís Letrare, e cila u quajt edhe "Biblioteka e Shqipnís". Zotërinjtë ideues të kësaj nisme, Gurakuqi, Mjedja, Peci, Logoreci, Mosi, Naçi etj., kishin në të vërtetë përpara vetes një shkresë të Shtatmadhorisë austro‑hungareze, të datës 28.03.1918, që udhëzonte pikërisht organizimin e një biblioteke të tillë. Në gusht të 1919‑s nisma shndërrohej në themelimin e "bibliotekës së shtetit" në Shkodër, ndërsa më 1920‑n qeveria e sapovendosur në Tiranë themelonte "Bibliotekën Kombëtare", të atashuar pranë Ministrisë së Arsimit, me një akt të nënshkruar nga ministri i asikohshëm. Në 1921 nisnin edhe vendimet shtetërore për dërgimin e detyruar të kopjeve të çdo botimi shqip kësaj biblioteke. Në këtë mënyrë hidheshin gurët e themelit të atij që tanimë do të duhet quajtur i pari institucion qendror kulturor i shtetit shqiptar: Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, e cila përurohej në nëntorin e 1922‑shit me një fjalë historike të të parit drejtor të saj, z. Karl Gurakuqi.



    Tanimë, 80 vjet mbas, institucioni qendror kombëtar bibliotekar i vendit sjell një histori të vetën, e cila pret të hidhet në letër. Sido i rrethuar nga të tjera institucione kulturore gjithashtu qendrore, të themeluara në vitet ,'30, '40, '50 apo '60, ai mbetet në qendër të tyre. Jo thjesht për nga fati i vet historik, por si institucion ku janë përqendruar gati të gjitha problemet e thepisura të shoqërisë bashkëkohore shqiptare: problemet e lirive të shoqërisë dhe atyre të individit, i lirive të informimit dhe i atyre të shprehjes së mendimit, problemet e barazisë së shanseve dhe atyre të akcesit në shërbimin publik për një shoqëri të hapur, problemet e marrëdhënieve mes pushtetit politik dhe atij kulturor, dhe sa të tjera. Është e kuptueshme, në një pozicion si ky, që si institucioni i quajtur "Bibliotekë Kombëtare", ashtu edhe gjithë bibliotekat e tjera të rrjetit kombëtar bibliotekar në Shqipëri, të kenë nevojë, ndoshta më shumë se asnjëherë, për debate dhe ndeshje mendimesh për t'i qëndruar si tani dhe 80 vjet trusnisë që vjen prej intolerancës, valës së opotunizmit dhe obskurantizmit, konformizmit, stereotipive banale sa i përket librit dhe rolit të tij të parmë në jetën kulturore të një kombi.



    Në momentin kur festojmë këtë përvjetor të 80, libri është së rishti në qendër të debateve në botën kulturore. Epoka e kibernetikës dhe e internetit, konkurenca e informimit dhe formimit me anë të mjeteve të reja të teknologjisë informatike, deri edhe vetë bibliotekat virtuale bëjnë që libri të vijojë të jetë "i diskutuari i madh". Ndërkohë që ai nuk lëviz nga vendi i tij si guri i themelit i fillimit të çdo kulture, vijon të vihet në dyshim fuqia e tij qëndresëtare. Por, në bashkësinë e "punëtorëve të librit", të gjithë janë të bindur se pa librat, historia do të ishte e heshtur, letërsia do të qe memece, shkenca do të çalonte, vetë mendimi njerëzor do të kishte mbetur në‑vend‑numëro. Pa librat, krejt zhvillimi i qytetërimit do të kishte qenë i pamundur. Si për njeriun e vjetër, ashtu edhe për njeriun modern librat janë shokë, miq apo, sikurse i quan një kolegia jonë amerikane, "bankierë të pasurive të mendjes". Pavarësisht konkurencës së botës së magjishme të virtualitetit, librat vijojnë të jenë vetë humaniteti "in print" dhe kjo është një arsye e mjaftueshme për të pohuar me bindje rolin e pazëvendësueshëm dhe, njëherësh, të patjetërsueshëm të këtij institucioni qendror kulturor të shtetit shqiptar në 80‑vjetorin e tij.



    Aurel Plasari







    80 vjet Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë



    1. Ndonëse institucionet bibliotekare të shqiptarëve në shtetin e tyre janë relativisht të reja, tradita bibliotekare në Shqipëri është e vjetër. Dëshmi të shumta vërtetojnë se gjatë Mesjetës në oborret e princërve shqiptarë, si dhe të bujarëve, kontëve, arhonëve etj., funksiononin kancelari në të tria gjuhët diturore të kontinentit: latinisht, greqisht, sllavonisht e, pranë tyre, edhe bibliotekat përkatëse. Pozicioni gjeo‑historik i shqiptarëve në zonën e kalimit nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas u mundësonte atyre kontaktet librore si me Kostantinopojën, ashtu dhe me zhvillimet e "përtejdetit". Cezura osmane qe një ndërprerje e dhunshme e këtyre zhvillimeve. Megjithëkëtë, edhe nga gati pesë shekuj sundimi osman, shqiptarët nuk e humbën traditën bibliotekare. Në kushtet e reja, ajo u përcoll kryesisht nëpërmjet bibliotekave të familjeve të mëdha, të pashallarëve e bejlerëve, por edhe atyre të institucioneve fetare: abacive benediktine, kuvendeve françeskane e jezuite, manastireve ortodokse, medreseve, teqeve të bektashinjve etj.

    Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 Dhjetorin 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së "Komisisë Letrare Shqipe", organizëm i përbashkët shqiptaro‑austriak, e krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së parë botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar.

    Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928‑1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së dytë botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si "aneks" i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit "Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare", sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ky dekret i dha mundësi BKSh të kryejë rolin e qendrës arkivore të të gjitha botimeve të vendit dhe të botojë më pas Bibliografinë Kombëtare të librit shqip. Dekreti është ndryshuar e plotësuar disa herë; varianti i fundit është ai i vitit 1992, sipas të cilit botuesit detyrohen t'i dërgojnë BK nga 5 kopje të çdo botimi të tyre. Nga institucion në vartësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot. Është me interes të shënohet se me imponimin gjithnjë më të thellë të praktikave të "socializmit real" në Shqipëri, BKSh është drejtuar prej "kuadrosh të partisë" në vend të specialistëve shkencorë apo të personaliteteve të kulturës kombëtare.



    2.

    BKSh është aktualisht insitucioni kryesor bibliotekar i vendit dhe qendër e rëndësishme studimore‑kërkimore shkencore. Ajo ka për detyrë të grumbullojë dhe të ruajë të gjithë trashëgiminë kulturore të shkruar të popullit shqiptar. Ka karakter shkencor dhe njëkohësisht masiv. Ajo është :

    ‑ qendër e depozitimit dhe e ruajtjes së botimeve shqip;

    ‑ qendra kryesore bibliografike e vendit;

    ‑ qendër e studimeve në fushën e bibliotekonomisë dhe bibliografisë;

    ‑ qendër e përgatitjes dhe kualifikimit të vazhdueshëm profesional të personelit bibliotekar‑bibliografik të vendit;

    ‑ qendër e ruajtjes së botimeve me karakter albano‑balkanologjik;

    ‑ agjenci e ISBN‑së për botimet shqip.



    3.

    BKSh numëron në fondet e veta rreth 1 milion vëllime (libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera).

    Fondi i arkivit të botimeve shqip, i antikuarit, i dorëshkrimeve, hartave, si dhe fondi i albano‑balkanologjisë përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturës kombëtare shqiptare e, si të tilla, të kulturës europiane.

    Fondi i Arkivit përfshin botime me vlera të veçanta për pasurinë e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e para në gjuhën shqipe (shek.XVI) dhe duke vazhduar deri në ditët tona.

    Fondi i antikuarit përbën një fond të posaçëm, shumë të rëndësishëm, jo aq nga numri i vëllimeve sa nga përmbajtja e tij. Në këtë fond ruhen botime të shekujve XV‑XVIII, si dhe inkunabula.

    Fondi i dorëshkrimeve përmban dorëshkrime në gjuhët orientale, si dhe një numër të vogël në gjuhët perëndimore dhe në shqip. Këto u përkasin shekujve XV‑XX. Kjo pjesë fondi llogaritet me vlerë të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare, por edhe në kontekstin mesdhetar e atë europian. Aktualisht ai përfshin vepra në arabisht, në turqisht, në persisht dhe në dy ose tri gjuhë orientale njëherësh. Dorëshkrimet në gjuhët orientale kanë përmbajtje fetare, historike, gjuhësore, letrare, si dhe shkencore. Vlerësohen posaçërisht dorëshkrimet me tematikë historike, ndër të cilat "munsheatet" apo krestomacitë dokumentare (dokumente zyrtare apo letërkëmbime private), që trajtojnë ngjarje, përshkruajnë vende apo bëjnë fjalë për persona të historisë së Shqipërisë. Në serinë e veprave letrare zotërojnë "divanet" me poezi erotike, shoqërore e fetare të autorëve të huaj. Vlera të veçanta paraqet ajo pjesë e dorëshkrimeve me miniatura e dekoracione.

    Në fondin e hartave të antikuarit ruhen 52 harta me shtyp (riprodhime incizimesh në bakër), botime të vjetra me vlerë të hartografëve të shquar europianë, nga shekujt XV‑XVIII. Është fond burimor për studimet historike, etnografike, gjuhësore, gjeologjike etj. të Shqipërisë dhe, më gjerë, të Ballkanit.

    Në fondin e albano‑balkanologjisë ruhen të gjitha botimet shqipe, si dhe ato të huaja, që flasin për Shqipërinë, shqiptarët dhe popujt e ndryshëm të Ballkanit, që trajtojnë historinë, gjuhën, folklorin, kulturën e tyre. Sot qendra e studimeve albanologjike është përqendruar në shtetin shqiptar dhe literatura bazë për këto studime ndodhet në këtë bibliotekë.



    4.

    Koleksionet e bibliotekës pasurohen nëpërmjet ligjit të ekzemplarit të detyruar, shkëmbimit, dhuratave dhe blerjeve.

    Politika e pasurimit të BKSh është drejtuar kryesisht në sigurimin e plotësisë së arkivit të botimeve shqip. Me privatizimin e veprimtarisë botuese në fillim të viteve '90 janë krijuar vështirësi në sigurimin e botimeve, pasi jo të gjithë botuesit e zbatojnë detyrimin ndaj BKSh. Me gjithë përmirësimet, ende nuk është arritur realizimi i dëshirueshëm i këtij detyrimi.

    Drejtim tjetër i politikës së pasurimit është njohja e botimeve me karakter albanologjik kudo në botë dhe gjetja e rrugëve e mundësive për sigurimin e tyre. Në sajë të marrëdhënieve të shkëmbimit me biblioteka të vendeve të ndryshme, BK është pasuruar me materiale me vlerë për fondin e albanologjisë. Duke pasur parasysh dhe natyrën universale të BKSh, ajo me mundësitë modeste financiare përpiqet të sigurojë botime nga të gjitha degët e diturisë të karakterit referativ e informativ dhe që janë me interes për një numër sa më të madh përdoruesish. Fondi buxhetor për realizime blerjesh dhe huazimesh ka qenë dhe vazhdon të jetë tepër i kufizuar, çfarë ka ndikuar në shtimin e ngadaltë dhe jo të kënaqshëm të vëllimeve për një Bibliotekë Kombëtare.

    Sa i përket raportit midis gjuhëve të literaturës së huaj, deri në vitet '70 zotëronte gjuha ruse, ndërsa më pas shpërndarja ka ardhur duke u përpjesëtuar në mënyrë më racionale, drejt zotërimit të gjuhëve perëndimore: anglisht, frëngjisht, gjermanisht etj. Prej hyrjeve të reja del ky raport:



    Nëpërmjet Sektorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare e Publike (të krijuar më 1958 si "Sektor i Marrëdhënieve me Jashtë") BKSh mban dhe kryen marrëdhënie dy‑ dhe shumëpalëshe me Bibliotekat dhe institucionet e tjera homologe, si dhe punon për anëtarësimet dhe pjesëmarrjet e veta në veprimtaritë e organizatave ndërkombëtare. Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri ('90), BKSh është anëtarësuar në IFLA, CENL, CDNL, ABDOS, GABRIEL, ELAG etj. Mbështetur në marrëveshjet dhe shumëpalëshe, si dhe në anëtarësimet ndërkombëtare e në lidhjet tradicionale me institucione dhe biblioteka të tjera, BKSh përpiqet të ketë më shumë dhe më mirë bashkëpunim e shkëmbim me vende të tjera. Kontaktet e drejtpërdrejta kanë ardhur duke u çmuar gjithnjë më shumë, mbasi ato hapin dhe krijojnë mundësi të reja për të gjitha palët.



    5.

    Riorganizimi i fondeve në vitet e para pas Luftës, njohja e regullave unike të përshkrimit dhe e tabelave të klasifikimit, diktoi ripunimin e të gjithë literaturës dhe krijimin e skedarëve alfabetikë e sistematikë. Klasifikimi dhjetor universal (KDU) u vu në zbatim në vitin 1964 dhe vazhdon të përdoret duke ndjekur të gjitha plotësimet e ndryshimet që i bëhen sistemit nga Federata Ndërkombëtare e Dokumentacionit (FID). KDU është sistemi që aktualisht përdoret në të gjithë rrjetin e bibliotekave në Shqipëri.

    Standardet ndërkombëtare të përshkrimit bibliografik (ISBD) dhe të rregullat anglo‑amerikane të katalogimit (AACR2), BKSh i vuri në zbatim në vitin 1989. Katalogimi lëndor i literaturës dhe ngritja e skedarit përkatës, ka filluar në vitin 1995, pas hartimit nga specialistët e BKSh të Treguesit të Emërtimeve Lëndore në gjuhën shqipe.

    Sot BKSh ka një rrjet të gjerë skedarësh alfabetikë, sistematikë e lëndorë për të gjitha llojet e literaturës, si dhe kronologjik e gjeografik për një pjesë të tyre. Të gjithë skedarët e lexuesve janë të dubluar me qëllim që të mund të plotësohen dëmtimet që ata pësojnë nga përdorimi. Lexuesit marrin informacion dhe për literaturën me karakter albanologjik që gjendet në bibliotekat e tjera të vendit nëpërmjet skedarit përmbledhës që ajo ka. Një skedar i tillë është dhe për literaturën e huaj tekniko‑shkencore që gjendet në bibliotekat publike të vendit.

    Në vitin 1994 në BKSh u instalua programi CDS/ISIS, siguruar falas nga UNESCO dhe filloi katalogimi në një sistem të automatizuar i hyrjeve të reja (libra). Ky vit shënon fillimet e krijimit të skedarit elektronik.

    Tanimë është krijuar baza e të dhënave për botimet shqiptare dhe të huaja. Kohët e fundit ka filluar dhe përpunimi i artikujve të periodikut shqiptar e të huaj dhe është krijuar baza e të dhënave edhe per to . Realizimi i plotë i projektit të automatizimit u mundësua në sajë të mbështetjes financiare të fondacionit SOROS, PNUD‑it dhe të qeverisë shqiptare. Aktualisht BKSh ka të lidhur në rrjet 48 kompjutera, ndërkohë që rrjeti është i shrirë për 65 përdorues. BKSh ka instaluar një sistem të ri të integruar bibliotekar; ky është sistemi ADLIB, produkt i firmës holandeze DATABASIX INFORMATION SYSTEMS BV (DIS). Të dyja bazat e të dhënave janë integruar në sistemin e ri.

    Instalimi i Internetit, që prej vitit 1998, ka bërë të mundur komunikimin me botën duke realizuar një informacion të shpejtë, të saktë e të larmishëm. Së afërmi, nëpërmjet Internetit BKSh do të realizojë vënien në shfrytëzim të vlerave të rralla duke e bërë kështu informacionin të aksesueshëm për lexuesin shqiptar e të huaj.



    6.

    BKSh boton periodikisht, që nga viti 1959, Bibliografinë kombëtare të librit që botohet në Republikën e Shqipërisë dhe, që nga viti 1961, atë të artikujve të periodikut shqip. Fillimi relativisht vonë i veprimtarisë së organizuar bibliografike, ka diktuar nevojën e përgatitjes së bibliografive retrospektive si për librin ashtu dhe për artikujt e periodikut. Një pjesë e këtyre bibliografive janë botuar dhe disa të tjera janë në proces. Punohet për bibliografinë retrospektive të librit shqip të viteve 1555‑1958, që përfshin botimet nga libri i parë në gjuhën shqipe deri në fillimin e botimit të Bibliografisë kombëtare të librit shqip.

    Botim i rëndësishëm bibliografik është ai i librit shqip të botuar jashtë Shqipërisë, i cila ka filluar të realizohet nga viti 1981 dhe vijon periodikisht.

    Prej vitit 1969, BKSh merr pjesë në botimin bibliografik të UNESCO‑s Index Translation, ku paraqiten dhe përkthimet që botohen në Shqipëri.

    Si qendër e ruajtjes dhe e shfrytëzimit të literaturës albanologjike, BKSh boton nga viti 1971 Hyrjet e reja albano‑balkanologji në BKSh .

    Me specifikë të veçantë është seria Albanica (shqip‑anglisht), që njeh studiuesit me fondin albanologjik . Vëllimi i parë i saj përfshin libra të botuar në shekujt XV‑XVIII, ndërsa i dyti botime të viteve 1800‑1849. Janë në procesin e përgatitjes vëllimet në vazhdim.



    7.

    BKSh ka rreth 5000 anëtarë dhe qarkullon mbi 100.000 materiale në vit. Ajo është e hapur për lexuesit nga e hëna në të premte prej orës 08°° deri 20°° dhe të shtunën e të dielën prej orës 08.00 deri në orën 14.00. Lexuesit mund të huazojnë materiale ose t'i shfrytëzojnë ato në sallat e leximit. Ka dy pika të huazimit të literaturës në ndërtesën kryesore, një në "aneksin" e vjetër dhe pesë salla leximi me 220 vende. Të gjitha sallat kanë fond ndihmës me fjalorë, enciklopedi e materiale të tjera referative sipas profilit të tyre.

    Materialet me vlerë të veçantë (arkiv, antikuar, dorëshkrime etj.) shërbehen në sallën e leximit të posaçme për to, me kapacitet 80 vende.

    Dy sallat e leximit të shtypit periodik korent politiko‑shoqëror e tekniko‑shkencor janë me fonde të hapura. Lexuesit gjejnë në këto salla dhe informacion në CD‑ROM për fusha të ndryshme të shkencave.

    Në ndihmë të lexuesve është zyra e informacionit, punonjësit e së cilës i orientojnë ata në gjithë aparatin informativ (skedarë, botime bibliografike, materiale referuese, INTERNET , katalog elektronik etj.).

    Qarkullimi i materialeve dhe, përkatësisht, anëtarësia në BKSh paraqesin këtë statistikë:

    Vend të veçantë në veprimtarinë e BKSh, sidomos pas viteve '90, zënë marrëdhëniet me publikun. Ajo organizon kolokuiume shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ekspozita, promovime botimesh me rëndësi kombëtare, konferenca me albano‑balkanologë të ftuar nga jashtë etj.



    8.

    Gjendjen e materialeve bibliotekare, seleksionimin e atyre të dëmtuara dhe restaurimin e tyre e kryen një sektor i ngarkuar me këtë detyrë. Vjetërsia e materialeve dhe kushtet jo të përshtatshme të mikroklimës në mjediset e fondeve kërkojnë kujdes të vazhdueshëm në trajtimin e këtyre materialeve. Duke qenë qendra e vetme restauruese në vend e materialeve të tilla, BKSh kryen shërbime dhe për materiale me vlerë të veçantë që gjenden në bibliotekat e tjera të vendit. Veprimtaria e këtij sektori aktualisht paraqitet e kufizuar për shkak të mungesës së materialeve restauruese, të cilat janë shumë të kushtueshme për kushtet financiare të BKSh.



    9.

    BKSh është qendra e përgatitjes profesionale të punonjësve të bibliotekave të vendit dhe e studimeve në fushën e bibliotekonomisë e të informacionit bibliotekar. Nga viti 1969 ajo organizon rregullisht një kurs dyvjeçar për aftësimin profesional, i cili është i vetmi në vend për dhënien e njohurive bibliotekare e të informacionit. Programi i këtij kursi rishikohet herë pas here me qëllim që të përfshihen në të zhvillimet e bibliotekonomisë. Diskutimi më i fundit rreth tij është organizuar në tetor 1999 dhe janë bërë disa plotësime e ndryshime kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit.

    BKSh ka organin e saj profesional BIBLIOTHECAE dhe boton mjaft manuale në ndihmë të bibliotekave të vendit.

    Ndonëse kursi i përgatitjes së bibliotekarëve funksionon rregullisht prej shumë vitesh, për arsye formale nuk ka gjetur mbështetje dhe nuk është ndihmuar nga programe të tilla mësimore, si programi TEMPUS etj. Nga ana tjetër, duke patur parasysh zbatimin e teknologjisë së informacionit në bibliotekat e sotme, si dhe zhvillimet e përgjithshme aktuale të bibiotekonomisë, në Shqipëri ka lindur nevoja për një degë të veçantë të kësaj disipline, të integruar në sistemin universitar shqiptar. Sakaq, duke mos gjetur ende mirëkuptimin e duhur për realizimin e kësaj nevoje, vitin 1999 BKSh ka ngritur Qendrën e Shërbimeve dhe të Trajnimit Bibliotekar, të mbështetur edhe nga Fondacioni SOROS. Programi i kësaj Qendre përfshin kurse trajnimi për punonjësit e tërë sistemit të bibliotekave të vendit.

    gazeta55
    Ndryshuar për herë të fundit nga Eni : 07-01-2003 më 09:34

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •