Njësiti policor “Alfa” presion ndaj medias


04/03/2009 07:34:00


Kryeredaktori i të përditshmes “Shqip media” në Maqedoni dhe një nga themeluesit e agjencisë së lajmeve INA, Naser Pajaziti i shoqëruar nga një pjesë e stafit të gazetarëve ka qenë pjesë e trajtimit të pahijshëm nga ana e një patrulle të njësitit policor “Alfa” në qytetin e Kumanovës.

Ngjarja ka ndodhur dje në mbrëmje rreth orës 18.30, kur vetura e gazetarit është ndaluar nga policët civil të njësisë "Alfa" me veturën civile KU-102- CM dhe pa asnjë arsyetim është mbajtur për 30 minuta jashtë makinës dhe në sytë e opinionit në hyrje të qytetit të Kumanovës.

Pas legjitimimit të dokumenteve personale, gazetari Naser Pajaziti dhe stafi i përbërë nga redaktori i politikës së brendshme dhe redaktorët teknik menjëherë janë legjitimuar se janë pjesë e një ekipi medial. Por reagimi i policëve siç thuhet ka qenë i ashpër duke urdhëruar që të dalin nga vetura dhe të tërhiqen larg saj.

“Ishte një sjellje nënçmuese dhe arrogante, një tendencë provokative e cila shfaqte doza të presionit psikologjik. Ata sikur të ishim kriminel na larguan dy metra larg veturës duke u deklaruar se kinse po kryejnë kontrolle, edhe pse ishin njoftuar se jemi ekip gazetarësh. Sjellja e tyre brutale shkoi aq larg, saqë njëri prej tyre filloi të kontrollonte duke hequr ulëset dhe duke kontrolluar çdo cep të makinës. Unë mendoj se kjo sjellje është pjesë e tendencave për të trembur dhe heshtur fjalën e lirë dhe nënçmimin e gazetarit shqiptar”, ka theksuar gazetari Naser Pajaziti.

Ai ka sqaruar se në Maqedoni çdo ditë cënohet fjala e lirë dhe kjo gjendje është përfshirë në të gjitha raportet ndërkombëtare për lirinë e mediave.
“Apelojë që kjo situatë të alarmohet dhe të denoncohet sepse trajtimi i pahijshëm dhe triumfalist duke mos respektuar asnjë kod apo trajtim të posaçëm ndaj gazetarëve tregon se po cënohen të drejtat dhe liritë e fjalës së lirë. Denoncimin publik të këtij rasti po e bëj duke u bazuar edhe në kodeksin e gazetarëve në Maqedoni për misionin tonë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës, dinjitetin dhe lirinë por edhe respektimin e pluralizimit të ideve dhe qëndrimeve”, ka theksuar Naser Pajaziti.



Ky është rasti i dytë i veprimit të tillë policor, pas ndërhyrjes dhe bastisjes së shtëpisë së gazetarit dhe botuesit të së përditshmes “Koha” në Shkup, Arben Ratkoceri, për rastin e të cilit më pas u kërkua falje. (INA)

http://www.ina-online.net/default.as...bd7ea9b33&ln=3