BDSH: Evropë ndalo diskriminimin racial në Maqedoni

25/02/2009 13:11:27


Bashkimi Demokratik Shqiptar përmes një letre dërguar institucioneve të BE-së kërkoi që Evropa të kushtëzojë Maqedoninë me heqjen e diskriminimit racial në Maqedoni.



“Më 21 tetor 2008 ju drejtuam një letër, në të cilën ekspozuam faktet e pakontestueshme se Maqedonia aplikon të gjitha format e diskriminimit racial kundër shqiptarëve.

Duke u nisur nga fakti se akordimi i ndihmave financiare paraqet një rast të volitshëm që përfaqësuesit e BE-së të ushtrojnë presionet e nevojshme që ky shtet të ndërpres logjikën totalitare të funksionimit dhe të diskriminimit të shqiptarëve Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkoi që të krijohet një komision i veçantë i BE-së për të hulumtuar menaxhimin e ndihmave të deritanishme të BE-së nga ana autoriteteve të Maqedonisë, që të bëhet monitorimi i ndihmave të ardhshme për të ndërprerë thellimin e diskriminimit etnik në Maqedoni, dhe të mos hapen bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë në BE pa i plotësuar tërësisht të gjitha parakushtet për anëtarësim”, thuhet në letrën e BDSH drejtuar Intitucioneve të BE-së.


Kreu i BDSH-së, Bardhyl Mahmuti në letër ka theksuar se ndihmat e BE, Qeveria e investon në zonat ku nuk ka shqiptar.


“Fatkeqësisht, një ditë pasi që Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, z. Ervan Fuere dhe zëvendëskryeministri për çështje të euro-integrimeve, Ivica Bocevski nënshkruan marrëveshjet financiare për realizimin e programeve nga fondet IPA të BE-së në vlerë prej 40 milion euro, Qeveria e Maqedonisë ndau 55 milion euro nga buxheti i shtetit për realizimin e projekteve zhvillimore në 11 komuna ku nuk ka shqiptar.

Mbështetja financiare e BE-së që është në funksion të nxitjes së reformave ekonomike e politike dhe zhvillimin e këtyre shteteve, që këto të realizojnë perspektivën e tyre evropiane, në Maqedoni shihen si mjet i thellimit të mëtejmë të diskriminimit të shqiptarëve në këtë shtet.

Arroganca dhe mospërfillja që institucioneve shtetërore të Maqedonisë tregojnë karshi rekomandimeve të BE-së duhet t’ju bëjnë që të rishikoni tërësisht politikën e BE-së ndaj Maqedonisë”, thuhet më tej në letër.


Nëse nuk mund të bindni autoritetet e Shkupit se praktikat diskriminuese kundër shqiptarëve janë në kundërshtim të plotë me parimet dhe metodat e funksionimit të shteteve që aspirojnë integrimin në strukturat BE-së atëherë mos ndihmoni që me paratë e taksapaguesve evropian të thellohet diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni, theksohet në fund të letrës.

ILIRIA NEWS AGENCY