Kodi gjenetik i viruseve të gripit


Shkencëtarët janë pranë zgjidhjes së misterit të të ftohurit të zakonshëm ose gripit. Në fakt deri tani ata kanë zbuluar se ekzistojnë rreth 100 viruse të ndryshëm që shkaktojnë të ftohur po aq të ndryshëm, që duken njësoj të zakonshëm. Shkencëtarët kanë deshifruar përbërjen gjenetike për të gjitha viruset që shkatojnë të ftohurin dhe kanë krijuar një hartë ose “pemë familjare” për të kuptuar se si këto viruse lidhen me njëri tjetrin. Duke krahasuar ngjashmëritë me viruseve, shkencëtarët shpresojnë të zbulojnë edhe mënyrën për t’i luftuar ato.

Një kurë për të ftohurin e zanoshëm ende nuk ekziston, por mjekët sot janë një hap më pranë kësaj kure, falë një zbulimi gjenetik të viruseve që shkaktojnë të ftohurit.

Deri tani, shkencëtarët kanë zbuluar 99 viruse që përbëjnë rhinovirusin dhe është kjo shumëllojshmëri e jashtëzakonshme në numër që e bën të ftohurit kaq të vështirë për ta mposhtur. Sipas një studimi të kohëve të fundit, shkencëtarët kanë zbërthyen përbërjen gjenetike të të gjitha viruseve të të ftohurit për të krahasuar ngjashmëritë dhe dallimet. Shkencëtarët zbuluan se rhinovirusi ka aftësi të vazhdueshme ripërtërirëse dhe përshtatëse – çka bën që një person mund të preket nga dy viruse të ndryshme të ftohurish, që ndërthurren duke krijuar një formë të re të ftohuri dhe kështu është përftuar një virus i tretë.

Kjo aftësi për ndryshueshmëri e përshtatje do të thotë se ka shumë pak të ngjarë që shkencëtarët të krijojnë një vaksinë kundër të ftohurit. Por duke krahasuar viruse të ndryshme, shkencëtarët shpresojnë të njëjtësojnë format dhe mënyrat sesi këto viruse ndryshojnë. Duke parashikuar ndryshimet në virus, shkencëtarët do të jenë në gjendje të gjejnë mënyra më të mira për t’a luftuar atë e ndoshta për të zhvilluar barna më të efektshme antivirusale. Ndërkohë, mënyra më e mirë për të mposhtur të ftohurit ose gripin mbetet shmangja e tij duke fjetur mjaftueshëm, duke qëndruar larg personave të prekur nga të ftohurit dhe duke larë duart rregullisht.


Rrezikshmëria e kancerit në pankreas


Kanceri në pankreas është tepër i rrezikëshëm. Vetëm 5 përqind e pacientëve mund të jetojnë për 5 vjet nga dita e diagnostikimit me këtë kancer. Në muajin shkurt, anëtarja e gjykatës së lartë amerikane, Ruth Bader Ginsburg iu nënshtrua një operacioni për heqjen e kancerit nga pankreasi dhe sipas ekspertëve, shanset e saj për t’u shëruar janë të mira. Kanceri në pankreasin e saj u zbulua në fazën më të herëshme para se të fillonte të përhapej. Pankreasi është një organ tepër në brendësi dhe sipas ekspertëve, një tumor në pankreas mund të jetë rritur shumë para se tek pacienti të shfaqen simptomat e para të jashtme. Pankreasi fshihet pas stomakut, prandaj edhe tumori është vështirë të zbulohet, thotë doktor Muhamet Kalan pranë shkollës mjekësore të universitetit Xhorxh Uashington, këtu në kryeqytetin amerikan.

Mjekët e zbuluan tumorin në pankreasin e gjykatëses së lartë, nëpërmjet një skanimi. Tumori ishte beninj - pa rrezik për t’u përhapur a shumëfishuar - por gjatë operacionit për heqjen e tij, kirurgët gjetën edhe një tumor tjetër më të vogël që ishte malinj, i keq. Por ky tumor ishte në fazën e tij më të herëshme, dhe mjekët thonë se prognozat e shërimit të gjykatësës Ginsberg janë të mira.

Ndërkohë në Houston, mjekja Xhoan Bull pranë universitetit të Teksasit përdor një mënyrë trajtimi duke kombinuar kimoterapinë me temperaturën e lartë që ajo shkakton artificialisht në trupin e pacientëve të saj me kancer në pankreas. Ajo thotë se temperatura e lartë trupore ndihmon për të luftuar infeksionin në organizëm, prandaj beson se përdorimi i temperaturës trupore mund të ndihmojë për të luftuar kancerin. Mjekja Bull thotë se deri tani terapia me temperaturë trupore ka ndihmuar në zgjatjen e jetës të disa pacientëve me kancer në pankreas. Terapia me temperaturë, thotë ajo, nuk është kurë, por vetëm ndihmon, sepse e vetmja mënyrë për shërimin nga kanceri i pankreasit është heqja e tumorit me operacion, kur ky zbulohet në fazën e herëshme, para se të fillojë të rritet e përhapet.

Mite mjekesore


Prindërit vazhdimisht fajësojnë sheqerin se i bën fëmijët e tyre hiperaktive, por studimet tregojnë se nuk ka faj sheqeri – por janë prindërit të cilëve u është fiksuar se hiperaktiviteti i fëmijëve vjen prej tij - shkaktarët nuk janë karamelet a ëmbëlsirat me rastin e festave, por vetë festat, gëzimi i tyre. Sipas shkencëtarëve të shkollës mjekësore pranë universitetit të shtetit Indiana, të paktën 12 studime tregojnë se prindërit automatikisht mendojnë se hiperaktiviteti i fëmijëve vjen nga që ata kanë konsumuar sheqer, edhe kur fëmijët aktualisht hanë ushqime pa sheqerna.

Një tjetër mendim i gabuar është se rastet e vetëvrasjeve shtohen gjatë periudhës së festave. Në fakt, statistikat tregojnë se numri i vetëvrasjeve është më i ulët gjatë stinës së dimrit.

Bima tropikale amerikane Poinsetia e njohur për lulet e saj të kuqe nuk është helmuese. Ndërkohë, mjekët nuk e rekomandojnë atë për përdorim qoftë edhe në formë shurupi, megjithëse nuk është regjistruar asnjë rast vdekjeje prej saj. Madje shumë njerëz nuk kanë nevojë as për trajtim mjekësor pas konsumimit të saj.

Një tjetër studim tregon se ngrënia natën nuk shkakton dhjamosje të trupit pasi kaloritë janë njësoj si në mëngjes, në drekë e në mbrëmje. Gjithashtu, njeriu nuk e humbet 40 përqind të nxehtësisë trupore nëpërmjet kokës - shifra e vërtetë është ndoshta 10 përqind. Dhe së fundi, por jo e fundit, gjatë darkës festive nuk rekomandohet shumë alkohol sepse deri tani nuk është gjetur ndonjë kurë e suksesëshme për dhimbjet kokës me të cilat njeriu zgjohet e pasi ka pirë gjithë natën.