shkoqitur nga libri: Metodologjia e thirrjes së Pejgamberëve në Allahun – Mënyra e intelektit dhe urtësisë
nga Shejh Rebi bin Hadi el-Mad'hali





Veç këtij bekimi të madh dhe kësaj epërsie të cilën Allahu ia dha njerëzimit, Ai po ashtu i bekoi ata me intelekt që i ngre ata në nivelin e marrjes së përgjegjësive të dhëna nga Allahu, dhe kjo po ashtu ua mundëson atyre që t'i arrijnë dhe t'i kuptojnë këto. Ai gjithashtu i pajisi ata me prirje natyrore ndaj së vërtetës, e cila është në pajtim me atë çka sollën të Dërguarit e Allahut alejhimus-salatu ues selam – shpalljen fisnike dhe fenë e vërtetë në të cilën ka urdhëruar Allahu, e parashtruar si një rrugë për t'u ndjekur nga njerëzimi në gjuhën e të Dërguarve bujarë të Tij, lavdërimet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të gjithë ata. Allahu, më i Larti, thotë:



"Drejtojeni fytyrën tuaj në fenë e vërtetë dhe në bindje ndaj Tij, fenë e vërtetë të monoteizmit Islam në të cilën Ai e krijoi njerëzimin. Nuk duhet të ketë ndryshim në fenë e Allahut. Kjo është feja e vërtetë, megjithkëtë shumica e njerëzve nuk e dinë."[er-Rum: 30]



I Dërguari i Allahut [sallallahu alejhi ue selam] ka thënë, "Asnjë foshnjë nuk lindet përveç se në Fitreh [natyrshmëri të pastër – Islam], pastaj prindërit e tij e bëjnë atë Çifut, të Krishter apo Mexhusij [zjarrputist]. Mu ashtu siç shtaza lind të voglin e saj në formën e përsosur, a mund të vëreni në të ndonjë gjymtim?" [Buhari dhe Muslim]



Ijad ibn el-Muxhashi [radiallahu anhu] ka thënë se Pejgamberi [sallallahu alejhi ue selam] një ditë mbajti një hutbe dhe në të tha: "Vërtet Zoti im më urdhëroi që t'jua mësoj juve atë që nuk e dini, nga ajo që Ai më mësoi mua sot, 'Pasuria të cilën ia jap robërve të Mi është e lejueshme për ta, dhe Unë i kam krijuar robërit e mi në fenë e vërtetë por djajt u erdhën atyre dhe i shmangën ata nga feja e tyre, dhe ua ndaluan atyre atë që Unë ua kam lejuar, dhe i urdhëruan ata që të shoqërojnë në adhurimin Tim atë për çka unë s'kam zbritur kurrfarë autoriteti…" [Muslim]




- Njerëzmi është bekuar me dërgimin e Lajmëtarëve dhe Librat që u janë shpallur atyre



Pastaj Allahu nuk i ka lënë ata të mbështeten vetëm në intelektin e tyre dhe në prirjen ndaj rrugës së drejtë, të cilën Ai ua dha atyre, por Ai po ashtu u dërgoi atyre Lajmëtarë si përgëzues dhe paralajmërues. Ai dërgoi Libra së bashku me ta me qëllim që t'u referohen atyre në çështjet për të cilat s'pajtohen, që njerëzve të mos u mbetet arsyetim dhe dëshmia të vendoset kundër tyre. Pastaj, pas dërgimit të Lajmëtarëve të mos mbetet arsyetim për ta para Allahut.



Pastaj Ai për të gjithë popujt e bëri obligim bindjen ndaj të zgjedhurve dhe Lajmëtarëve të shkëlqyer, se ata do duhej t'i ndjekin ata [Lajmëtarët] dhe të mos i kundërshtojnë. Ai zbriti dënimin më të ashpër për ata që i përgënjeshtruan dhe i refuzuan ata në këtë botë, dhe Ai do t'i dënojë ata me një dënim edhe më të tmerrshëm, të përjetshëm, torturë të pafund në vendin e shpërblimit të drejtë [Xhehennem]. Pra, çfarë ishte porosia të cilën këta njerëz bujarë, të zgjedhur, ia sollën popullit të tyre? Vërtet misioni i tyre mbulonte çdo gjë të mirë dhe dëbonte çdo të keqe. Ata i sollën njerëzimit gjithë atë që i nevojitet për mirëqenien e tyre dhe lumturinë në këtë botë dhe në Jetën e Përtejme. Vërtet s'ka asgjë të mirë përveç se ata i informuan njerëzit lidhur me të, dhe diçka të keqe përveç se ata i paralajmëruan njerëzit kundër saj.



Nga Abdullah ibn Amr ibn el-Aas [radiallahu anhu] i cili tha, "Ne ishim në një udhëtim dhe ndaluam për të pushuar tek një vend. Disa nga ne vendosnin tendë, të tjerët garonin me njëri-tjetrin në hudhjen e shigjetave, ndërsa të tjerët i kullotnin shtazët. Pastaj lajmëtari i të Dërguarit të Allahut [sallallahu alejhi ue selam] lajmëroi se ne duhej të mblidheshim për namaz. Kështu që ne u mblodhëm rreth të Dërguarit të Allahut [sallallahu alejhi ue selam] dhe ai tha: 'Nuk ka pasur kurrë Pejgamber para meje përveç se të ketë qenë i obliguar që ta udhëzojë popullin e tij në çdo të mirë që ai e dinte dhe të paralamërojë kundër çdo të keqe që ai e dinte. Dhe përsa i përket popullit tuaj, siguria dhe mirëqenia e tij është në fillimin e tij, kurse në pjesën e fundit të tij do të goditet me vuajtje - gjëra të cilat i konsideroni të papëlqyeshme, dhe sprovat do të vijnë njëra pas tjetrës, secila duke bërë që sprova paraprake të duket e lehtë. Kështu që besimtari do të thotë, "Kjo do të më shkatërroj," pastaj ajo do të menjanohet, dhe sprova tjetër do të vijë kurse besimtari do të thotë, "Vërtet unë tash do ta pësoj." Pra kushdo që dëshiron të shpëtojë nga Zjarri e të hyjë në Parajsë, le të ketë iman të vërtetë në Allahun dhe Ditën e Fundit deri në frymën e fundit të tij [vdekje], dhe le të sillet me njerëz ashtu siç dëshiron që njerëzit të sillen me të. Pastaj kushdo që i bën zotimin e besnikërisë ndonjë sunduesi dhe i jep sinqerisht dorën dhe zemrën e tij, atëherë le të dëgjojë aq sa ka mundësi. Pastaj, nëse ndonjë tjetër shfaqet që e kundërshton autoritetin e tij, atëherë goditeni në qafë [mbyteni] këtë të fundit." [Transmeton Muslim, en-Nesa'i dhe Ibn Maxheh] Kjo ishte porosia e Lajmëtarëve, që ata të udhëzojnë në çdo të mirë dhe të paralajmërojnë kundër çdo të keqeje. Mirëpo, prej ku filluan ata dhe në çka përqëndroheshin ata? Ekzistojnë një numër parimesh në të cilat bazohej thirrja e tyre, dhe të cilat ishin pikënisje në thirrjen e njerëzve për tek Allahu. Këto pika dhe parime fundamentale janë:



- Teuhidi


- Pejgamberllëku


- Jeta e Përtejme



Këto tre parime janë pikë-konvergimi e thirrjes së tyre, dhe këto janë parimet fundamentale të tyre. Këtyre u jepet më së shumti rëndësi në Kur'an dhe shpjegohen tërësisht në të. Këto po ashtu janë synimet më të rëndësishme në të cilat ai përqendrohet dhe të cilat vazhdimisht përmenden. Më vonë citohen edhe dëshmi fizike dhe intelektuale për to në të gjitha kaptinat dhe në shumicën e tregimeve dhe shembujve të tij. Kjo është mirë e njohur për të gjithë ata që kanë të kuptuar të plotë, që janë në gjendje të gjykojnë me kujdes dhe të kuptojnë si duhet. Të gjitha librat e shpallura prej Allahut i kanë dhënë rëndësi kësaj pike dhe të gjitha rrugët e shpallura janë dakord lidhur me to. Pastaj më i rëndësishmi dhe më madhështori nga këto tre parime, dhe më themelori prej tyre është teuhidi i Allahut, të Bekuarit dhe më të Lartit. Kjo mund të gjindet në shumicën e kaptinave të Kur'anit, me tre kategoritë e njohura, në të vërtetë kjo gjindet në çdo kaptinë të Kur'anit. Kjo ngase Kur'ani përfshin:



- Informimin lidhur me Allahun, Emrat dhe Cilësitë e Tija, dhe kjo është teuhidi i diturisë [el-Teuhid-Ilmi el-Khabri].


- Thirrja për adhurimin e vetëm Atij dhe të mos i përshkruhet Atij ndonjë ortak në adhurim, dhe të refuzohet çdo gjë tjetër të cilës i dedikohet adhurimi pos Tij. Pra ky është teuhidi i qëllimit dhe veprës [et-Teuhidul-Iradi et-Telebi].


- Urdhërat, ndalesat dhe komandimi për t'iu bindur Atij, dhe kjo është nga të drejtat e teuhidit dhe është plotësim i tij.


- Informimi lidhur me nderin që Ai ua jep njerëzve të teuhidit dhe të mirat që Ai ua dhuron atyre në këtë botë dhe në tjetrën. Pra ky është shpërblimi për shkak të teuhidit.


- Informimi lidhur me shirkun, dhe dënimi të cilin Ai e zbret në njerëzit e tij në këtë botë, dhe tortura e rëndë që atyre u bëhet në Jetën e Përtejme. Dhe ky është dënimi për ata që heqin dorë nga teuhidi.


- I tërë Kur'ani ka të bëjë me teuhidin dhe të drejtat e tij, dhe shpërblimin e tij, si dhe me seriozitetin e shirkut, njerëzit e tij dhe dënimin që atyre u bëhet për shkak të tij.