Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    18-11-2008
    Postime
    9

    Pikëpjekje apo paralelizëm semantik në etimologjinë e fjalëve DARD-AN dhe USHT-AR

    Po ua postoj një temë të re nga lëmi i Gjuhësisë historike.

    Gjuhësi historike

    PIKËPJEKJE APO PARALELIZËM SEMANTIK NË ETIMOLOGJINË E FJALËVE DARD-AN DHE USHT-AR

    - Gjuhët indoevropiane dhe këmbimi i visarit gjuhësor mes tyre,
    - Keltët, gjuhët kelte dhe gjuha e Frankëve të Vjetër,
    - Morfema DARD (kuptimi semantik) dhe emrat DARD-AN, DARDAN-I,
    DARDAN-OS, DARDAN-ELE, etj.
    - USHT(ë) - fjalë e gjuhës shqipe me rrënjë indoevropiane,
    - A ka të njëjtin kuptim semantik fjala USHT-AR edhe në gjuhët tjera?


    Para se të marrim në shqyrtim problematikën se a ka pikëpjekje apo paralelizëm semantik në etimologjinë e fjalëve DARD-AN dhe USHT-AR, lexuesit të zakonshëm mendojmë t’i ofrojmë disa njohuri elementare për “spektrin gjuhësor” indoevropian në përgjithësi dhe karakterin indoevropian të gjuhës shqipe në veçanti.
    Për studiuesit e gjuhësisë tanimë është e njohur se gjuhët indoevropiane ndahen në dy grupe:
    - gjuhët kentum, ku bëjnë pjesë: greqishtja, italishtja, keltishtja dhe gjuhët gjermane
    - gjuhët satem: shqipja, gjuhët baltike, gjuhët sllave, armenishtja, gjuhët iranike dhe indishtja.
    Ndërsa për karakterin indoevropian ta gjuhës shqipe, po citojmë mendimin e studiuesit tonë të njohur, E.Çabej, i cili mes tjerash thotë: “Karakteri indoevropian i shqipes duhet të kuptohet drejt në këtë vështrim, që jo gjithë pasuria gjuhësore e saj rrjedh nga fondi i lashtë i botës indoevropiane. Me përpjekjet e papara të popullit shqiptar me të tjerë popuj gjatë historisë së tij, shqipja me një anë ka humbur mjaft nga visari autokton i trashëgimisë, më anë tjetër ka marrë nga gjuhë të ndryshme që e kanë rrethuar” (shih Studime gjuhësore, vëll. III, fq. 12).
    Ky pohim me të drejtë na bën të mendojmë se “këmbimi leksikor” mes gjuhëve ka ekzistuar që nga kohët më të lashta e këtej e që me siguri do të vazhdojë edhe në mileniumet e ardhshme.
    Mirëpo, siç thekson Çabej, një nga detyrat e gjuhësisë historike është që me një analizë krahasimtare të veçojë një nga një shtresat e elementit të huaj nga fondi gjuhësor i trashëguar, duke përfunduar se “këto rrethana duhet t’i ketë parasysh gjuhëtari krahasimtar e të ruhet fort të mos krahasojë në planin indoevropian formime interne (brenda një gjuhe) por që brenda visarit autokton të bëhen shtresime kronologjike. Vetëm shtresa e moçme ka të drejtë t’i shtrohet krahasimit me të tjerat gjuhë indoevropiane” tërheqë vërejtjen studiuesi ynë Çabej ( Stud.Gjuhësore, vëll. III. fq. 13.)
    Postulateve të sipërpërmendura të Çabejit do t’u shtojmë edhe disa të dhëna të shkurtra historike të cilat mendojmë se do të ndihmojnë sadopak, në fokusimin e problemit që kemi shtruar për shqyrtim.

    Civilizimi i perënduar kelt
    Në perëndim e veriperëndim të Italisë kishte zënë vend grupi më i madh i gjuhëve kelte. Keltët kanë qenë një nga popujt më të përhapur në Evropë gjatë kohës historike e sidomos asaj protohistorike. Kanë jetuar në mbarë Francën. Invazioni kelt në Gali (Francë) u bë nga vitit 1200 – 800 para erës së re, ndërsa zhvillimi i civilizimit kelt në këtë vend kulmoi në mes të shek. VI – I para erës së re.
    Ata jetuan gjithashtu edhe në një pjesë të mirë të Spanjës, në Italinë Veriore, në Panoni e gjetkë. Pastaj ata zbritën deri në Greqi, Detin e Zi e më vonë shkuan edhe në Azi të Vogël. Ishin pra, një nga popujt më të përhapur në Evropën e lashtë. Më vonë u rrudhën dukshëm duke u romanizuar dhe gjermanizuar pjesërisht.
    Gjuhët kelte ndaheshin në dy grupe. Në keltishten kontinentale dhe keltishten ishullore.
    Në keltishten kontinentale përfshihet gjuha e zhdukur e Galëve të Francës, respektivisht gjuha e Frankëve të Vjetër – Francique.

    Morfema DARD – kuptimi semantik
    Pikërisht në gjuhën e Frankëve të Vjetër hasim morfemën DARD (si bartëse e kuptimit semantik) që në përkthim do të thotë: shtizë, heshtë, ushtë; armë e vjetër për të gjuajtur e shpuar, e bërë nga një maje hekuri (në formë dardhe) dhe të fiksuar në një shkop të gjatë druri. Më saktësisht, termit DARD i paraprinë termi DAROTH që ka po të njëjtën kuptimësi semantike. I mbetet fonetikës historike që të shpjegojë kalimin gradual të termit DAROTH në atë DARD.
    Në vazhdim do të japim të dhëna nga fjalorë etimologjikë, enciklopedi e studime gjuhësore për të provuar se fjala DARD dhe USHT(Ë) kanë të njëjtën kuptimësi semantike.
    Pothuaj të gjithë fjalorët etimologjikë dhe enciklopeditë e konsultuara, për termin DARD japin sqarime identike, duke përcaktuar në plan të parë, se fjala është për armë lufte që është përdorur dikur, një shkop i gjatë druri me një maje hekuri, respektivisht heshtë, ushtë, shtizë...(shih. Dictionnaire du français au college, 35000 mots avec les etymologies fq. 279, Larousse illustre (1981) fq. 280,... etj ).

    Emrat topikë dhe mbiemrat e substantivuar
    Po të kihet parasysh pohimi se shqipja me një anë ka dhënë por në anën tjetër edhe ka marrë mjaft nga gjuhë të ndryshme që e kanë rrethuar, ndoshta mund të ketë ngjarë që fjala DARDH(Ë) e shqipes të ketë ndikuar në emërtimin e një arme të vjetër (falë formës së saj), të quajtur DAROTH apo DARD që në përkthim do të thotë: maje hekuri (gjithnjë në formë dardhe), heshtë, ushtë, shtizë, dhe që me këtë kuptim semantik të jetë bartur nga keltishtja (kontinentale) përmes gjuhës së zhdukur të Galëve deri te gjuha e Frankëve të Vjetër e këtej. Në të mirë të këtij pohimi flet edhe Çabej, i cili thotë: “Shqipja dhe keltishtja kanë të përbashkëta shumë emërtime të drunjve (frutorë) dhe të bimëve” (L’albanais et le celtique ont en commun maints noms d’arbres et de plantes) – shih Stud. Gjuhësore. vëll. III, fq. 367.
    Në anën tjetër është karakteristike të vihet në pah se nga morfema DARD mund të jenë formuar apo janë formuar emra topikë, mbiemra të substantivuar, emra etnikë, emra personash si DARD-AN, DARDANI, DARDANIA, DARDANOS, DARDANELE, (campi) DARDANICI, etj.
    Nëse prapashtesa AN (në disa gjuhë ndër to edhe në gjuhën shqipe) u ngjiten emrave e mbiemrave për të determinuar një cilësi të fjalës rrënjë, atëherë, edhe në rastin konkret kur morfemës DARD i shtohet prapashtesa AN jep DARD+AN = DARDAN.
    Nëse me termin DARD, si që theksuam më lart, nënkuptojmë heshtë, shtizë, ushtë, atëherë me fjalën DARDAN duhet të nënkuptonim personin që bartë dhe përdorë heshtën, ushtën, shtizën; pra kemi të bëjmë me heshtëtar, shtizar, ushtar.
    Me DARDANI – si emër topik, do të nënkuptojmë vendin ku jetojnë Dardanët respektivisht heshtëtarët, shtizarët, apo ushtarët. Kur jemi këtu të përkujtojmë kalimthi “falangat” e njohura që ishin pjesë përbërëse e ushtrisë së Lekës së Madh. Falangat armë kryesore kishin heshtat (usht-at) e gjata, që jo rrallë vendosnin për fatin e betejës.
    Emri DARDANOS (si Minos, Rhodos, Argos, etj.) lidhet me themeluesin mitik ta qytetit të Trojës në Azinë e Vogël, dhe se Ankizi ishte mbret i Dardanisë, burrë i Afërditës (Venerës), trim trojan dhe i ati i Eneas.
    Se a kemi të bëjmë këtu vetëm me Dardanët e Azisë së Vogël (që i përmend Homeri), i mbetet historisë ta thotë fjalën e vet.
    Me toponimin DARDANELE nënkuptojmë ngushticën detare në mes të Azisë së Vogël dhe Evropës që lidh Detin Egje me detin Marmara, ndërsa për toponimin tjetër Campi DARDANICI, mësojmë nga të dhënat që na sjellin historianët antikë. (Si për ironi të fatit të shqiptarëve, edhe sot hasim nëpër vende të ndryshme të Mesdheut toponime që u referohen atyre, ndoshta si pasojë e momenteve të caktuara historike; si ARNAUTKOY në Stamboll, KEPI i ARNAUTIT në pjesën veriperëndimore të ishullit të Qipros, etj....etj.).

    Emrat etnikë shkojnë shpesh nga një popull në tjetrin
    Lidhur me atë se Dardanët a e kanë quajtur veten DARDANË dhe vendin e tyre DARDANI, apo kështu janë quajtur nga të huajt, do të bëjmë një analogji të shkurtër.
    Është e njohur se disa popuj veten nuk e quajnë ashtu si që quhen nga të tjerët. Psh. grekët veten e quajnë HELENË dhe vendin e tyre ELADHË. Shqiptarët veten e quajnë SHQIPTARË e vendin e tyre SHQIPËRI. Kurse të huajt Helenët i quajnë GREKË e Eladhën GREQI, sikurse që i quajnë Shqiptarët ALBANË dhe vendin e tyre ALBANIE-A.
    Lidhur me këtë, në Stud. Gjuhësorë vëll. III fq 32, Çabej thotë: “Albanoi, Arbër asgjë nuk vërteton në të mirë të burimit ilir të shqiptarëve, sepse emrat etnikë shkojnë shpesh nga një popull në tjetrin”. Andaj, ndoshta mund të thuhet se edhe morfema ALB (që në latinisht do të thotë AG - zbardh dita v.j), me prapashtesat AN (ALB-AN), NOI (ALB-ANOI), ANIE (ALB-ANIE) mund të përcaktojë pjesëtarët e një populli dhe vendin e tyre i cili shtrihet në lindje të popujve latinë, pra në atë anë kah lind dielli , në lindje të Adriatikut.
    Këtë e pohon edhe Millan Shuflay, i cili thotë: “Edhe sikur të mos kishim lajme historike, si që është ai i Ptolomeut për fisin e ALBANOI-ve, vet gjurmët e latinishtes në Shqipëri do të mjaftonin për të vendosur vendbanimet e shqiptarëve në breg të Adriatikut”.
    Nga shembulli që sollëm, ndoshta mund të thuhet se edhe DARDANËT dhe vendi i tyre DARDANIA mund të jenë quajtur kështu nga të tjerët duke pasur ndërmend gjithnjë ekuivalentin e termit DARD – heshtë, shtizë, ushtë, e që andej, DARDAN = heshtëtar, shtizar, ushtëtar dhe DARDANI = vend i heshtëtarëve, shtizarëve, ushtëtarëve.

    USHT(Ë) në leksikun e shqipes dhe disa derivate të saj
    Fjala USHT(Ë) është e leksikut të shqipes. Gustav Meyer-i këtë fjalë me të drejtë e lidhë me rrënjën indoevropiane US - shpoj. Atë e zënë në gojë edhe Frang Bardhi, Kristoforidhi, Logoreci e të tjerë. Në “Iliadhën” e Homerit, të përkthyer nga Naim Frashëri, në vargun 621 lexojmë edhe këtë:”gjaku zi yt më USHTËT time”.Çabej e Xhuvani mendojnë se me USHT, USHTË ngjanë të jetë fjala USHTË f. – heshtë. Të njëjtën gjë e hasim edhe në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe të Gustav Meyer-it, botuar më 1891 në Strasburg të Francës. (edhe pse i vjetruar, megjithatë, ai edhe sot përbën një bazë të mirë për studimet shqiptare në veçanti por edhe për studimet ballkanistike në përgjithësi).
    Në fjalor jepet ky sqarim:
    USHT(Ë)=usht (m), ushtër (f).= epi, point d’un DARD, javelot. (kalli, maje e usht-ës, heshtë)
    Ndërsa në FGJSSH (Tiranë, 1980) në fq. 2098, gjithashtu lexojmë:
    USHTË-a-at = armë hekuri e kohëve të kaluara, me një bisht të gjatë dhe me maje
    hekuri e cila mbahej në dorë; heshtë, shtizë. E shpoi me USHTË.
    Është me mjaft interes të zëmë në gojë faktin se nga morfema USHT (si bartëse e kuptimit semantik) krijohen edhe një varg i tërë fjalësh të prejardhura si: USHT-AR, USHT-ARAK, USHT-RI, USHT-ROJ, USHT-RIM, USHT+RIM+ORE, etj.

    Ç’kuptim semantik ka fjala USHTAR në gjuhët tjera?
    Gjithashtu, është mjaft karakteristike të theksohet se shqipja është ndër gjuhët e rralla që në leksikun e vet ruan termin USHTAR. Kësisoji, përmes armës së luftës (në këtë rast usht-ës), emërohet ai që është nën armë (usht-ari) apo edhe tërësia e njerëzve që janë nën armë (usht-ria).
    Sipas kësaj analogjie, ushtarët, sipas armës që posedojnë, ndryshe mund të quheshin edhe THIKËTARË (shih Biblën, fq. 1780 ku shkruan: “...Vespaziani okupon pjesën tjetër të Judesë; thikëtarët qëndrojnë në Jerusalem, në Hedion...”etj. Ata mund të quheshin edhe SHIGJETARË, SHPATARË (Shpatarak-u, mbiemri i një piktori mesjetar shqiptar), PUSHKËTARË, krahaso me MUSKETARË (musketë-a = pararendëse e pushkës së sotme, etj.
    Në gjuhët tjera, termi USHTAR, ka përmbajtje të kuptimësisë semantike krejtësisht tjetër. Psh. me termin SOLDAT (nga solde, solder) nënkuptojmë pagesën e një borxhi të mbetur; pagesa që i bëhet një pjesëtari që është nën armë. Pra me termin SOLDAT (fr.), SOLDATO (it.) SOLDIER (angl.) prej nga edhe SOLDATESKË- në kuptimin pezhorativ, përcaktojmë pjesëtarin e paguar që është nën armë apo edhe pjesëtarët e paguar të një armate të tërë. (Të përkujtojmë me këtë rast ushtarët romakë, të cilët në vend të të hollave merrnin kripë, si kompensim për shërbimin që kryenin. Kjo mënyrë e pagesës njihej si SALARIUM).
    Përjashtim bën fjala LANCIER (emër mashk.) që nënkupton kalorësin e armatosur me usht(ë), shtizë, heshtë. Ndërsa termi USHT-AR në gjuhët sllave ka gjithashtu kuptim krejt tjetër semantik.

    Nga të dhënat e sipërpërmendura, mund të thuhet, pa konkluduar në mënyrë arbitrare se termi DARD, në shqipe ka ekuivalentin semantik USHT(ë) dhe anasjelltas. Gjithashtu, duke iu referuar faktit se me prapashtesën AN, që u ngjitet emrave dhe mbiemrave për të determinuar një cilësi të fjalës rrënjë, mund të ketë ngjarë të jetë formuar edhe emri etnik DARD+AN = DARDAN, sikurse që është formuar edhe ekuivalenti semantik USHT+AR = USHTAR, kur dihet se me prapashtesën AR në gjuhën shqipe formohen emra prej emrash me kuptime të ndryshme, emra veprues (nomina agentis), mbiemra prej emrash dhe foljesh, etj.
    Andaj, pa pretenduar të këmbëngulim në “vërtetësinë e pakontestueshme” të fakteve, jemi të mendimit se mund të ngritet problemi rreth asaj, se mos ndoshta në problematikën që trajtuam, mund të ketë pikëpjekje apo paralelizëm semantik në etimologjinë e fjalëve DARD-AN dhe USHT-AR ?

    (Urim Ukimeri)
    Skedarët e Bashkëngjitur Skedarët e Bashkëngjitur
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 03-02-2009 më 13:59

  2. #2
    Citim Postuar më parë nga Urim Ukimeri Lexo Postimin
    Po ua postoj një temë të re nga lëmi i Gjuhësisë historike.
    Le te jap pak percaktimin ne anglisht te fjales DART
    dart (därt)
    n.
    1.
    a. A slender, pointed missile, often having tail fins, thrown by hand, shot from a blowgun, or expelled by an exploding bomb.
    b. An object likened to a slender, pointed missile either in shape, use, or effect.
    2. The stinger of an insect.
    3. darts (used with a sing. or pl. verb) Games A game in which small, slender, pointed missiles are thrown at a target.
    4. A sudden, rapid movement.
    5. A tapered tuck sewn to adjust the fit of a garment.

    Pra une mendoj se autori mund te kete te drejte, por problemi eshte se une nuk di ndonje fjale shqip te jete dart(dard) per thike, shtize, hushte, rakete, thumb.
    Ne greqishten e vjeter kjo fjale ishte doru=ushte, heshte, shtize- te gjitha objekte shpuese qe mbahen ne dore. Pra vete fjala mund te kete te beje me fjalen shqipe dore.


    Besoj nje moderator do ta levize temen tek gjuhesia
    e verteta dhe e drejta jane miq me te mire se edhe vete Platoni, miku im

  3. #3
    Prenku i Dalmatëve
    Anëtarësuar
    12-12-2008
    Vendndodhja
    Në dritën fosforike që lëshojnë varrezat gjatë natës
    Postime
    1,008
    Nuk e besoj.

    Dardan rrjedh nga Dardha, sikurse ardian nga hardhia, mezejtë nga mëzi, desidiat nga desh e dhi, delmat nga delme, pra fiset ilire janë emërtuar sipas profesionit.

    Dardha ka qenë ushqim me vlera të mëdha ushqyese për kohën, kështuqë i ka shty dardanët të merren me këtë degë të pemtarisë.

  4. #4
    Citim Postuar më parë nga Testim Lexo Postimin
    Nuk e besoj.

    Dardan rrjedh nga Dardha, sikurse ardian nga hardhia, mezejtë nga mëzi, desidiat nga desh e dhi, delmat nga delme, pra fiset ilire janë emërtuar sipas profesionit.

    Dardha ka qenë ushqim me vlera të mëdha ushqyese për kohën, kështuqë i ka shty dardanët të merren me këtë degë të pemtarisë.
    Nuk e perjashtoj, por meqe dardanet ishin fisi me luftarak i gjithe Evropes dhe une e di qe arma kryesore e kembesorise kane qene, ushtat, heshtat dhe shtizat me duket shume e arsyeshme te mendoj per ate qe thashe me larte.
    e verteta dhe e drejta jane miq me te mire se edhe vete Platoni, miku im

Tema të Ngjashme

  1. Ethymologjia e fjalëve: rod e rob
    Nga ZANOR në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 19-04-2009, 18:31
  2. Info per Eqerem Cabej?
    Nga rrogozhinsi në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 18-04-2009, 18:36
  3. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-02-2009, 10:26
  4. Probleme me shqiptimin e fjaleve
    Nga Lelab në forumin Mjeku për ju
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 03-02-2007, 09:03
  5. Mirësia e katër fjalëve
    Nga Blerimi boy në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-06-2004, 18:51

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •