Autor: dijetari i njohur Abdu-Rrahman bin Nasir Se’adi
Përshtati në shqip: Bledar Aliu





Përmbajtja e lëndës:



Synimi i këtij libri - Vlerat dhe bukuritë e fesë janë të përgjithshme në të gjitha çështjet dhe argumentet e fesë



Përmendja e disa shembujve të dobishëm për të qenë këta shembuj argument për shembujt e tjerë.

Shembulli i parë: Feja Islame është ndërtuar mbi bazat e Imanit.
Shembulli i dytë: Një vështrim tek shtyllat e Islamit.
Shembulli i tretë: Kjo fe ka nxitur për bashkim, grumbullim dhe afrimitet.
Shembulli i katërt: Islami është feja e mëshirës, begatisë dhe bamirësisë.
Shembulli i pestë: Islami është feja e urtësisë dhe e mençurisë, feja e natyrshmërisë, feja e llogjikës, mbarëvajtjes dhe e fitores.
Shembulli i gjashtë: Në këtë fe ekziston xhihadi, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi prej të keqes.
Shembulli i shtatë: Kjo fe ka lejuar shitblerjen…dhe llojet e tjera të bashkëpunimit - kushtet e lejimit të bashkëpunimeve.
Shembulli i tetë: Kjo fe ka lejuar gjërat e këndshme...
Shembulli i nëntë: Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur ligje.
Shembulli i dhjetë: Kjo fe përfshin transferimin e pasurisë mbas vdekjes.
Shembulli i njëmbëdhjetë: Feja Islame ka vendosur masa dënimi.
Shembulli i dymbëdhjetë: Sheriati Islam ka urdhëruar që të pengohet njeriu nga shpenzimi i pasurisë së tij nëse ai shpenzim është i dëmshëm për atë.
Shembulli i trembëdhjetë: Sheriati na ka urdhëruar të përdorim dokumentat me të cilat njerëzit mbrojnë të drejtat e tyre.
Shembulli i katërmbëdhjetë: Sheriati ka nxitur për bamirësi përsa i përket borxhit, huazimit etj.
Shembulli i pesëmbëdhjetë: Në këtë fe ekzistojnë baza dhe rregulla të cilat janë parime për zgjidhjen e konflikteve.
Shembulli i gjashtëmbëdhjetë: Sheriati ka urdhëruar për konsultë.
Shembulli i shtatëmbëdhjetë: Sheriati erdhi për të përmbushur stabilitetin e fesë dhe të kësaj bote.
Shembulli i tetëmbëdhjetë: Sheriati i ka bërë diturinë, fenë, sundimin, dhe gjykimin gjëra që përkrahin dhe forcojnë njëra-tjetrën.
Shembulli i nëntëmbëdhjetë: Është e pamundur që Sheriati të vijë me diçka që se pranon llogjika.
Shembulli i njëzetë: Një vështrim të përgjithshëm në pushtimet e Islamit
Shembulli i njëzet e njët: Përgjithësimi i kësaj feje.





Synimi i këtij libri - Vlerat dhe bukuritë e fesë janë të përgjithshme në të gjitha çështjet dhe argumentet e fesë



Falenderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojte nga Allahu prej çdo të keqe të vetes sonë dhe punëve tona të këqia. Atë që e udhëzon Allahu s’ka kush që ta humbë, e atë që e humb Allahu s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar tjetër (që e meriton adhurimin) përveç Allahut, i Cili është i vetëm dhe pa ortak; dëshmoj se Muhamedi sala Allahu alejhi ue selem është rob dhe i dërguari i Tij.



Feja Islame me të cilën u dërgua Muhamedi sala Allahu alejhi ue selem është feja më e përsosur dhe më e mirë, më e larta dhe më madhështorja. Ajo ka përfshirë prej vlerave madhështore të përsosmërisë, mbarëvajtjes, mëshirës, drejtësisë, mençurisë dhe urtësisë aq sa dëshmon se Allahu i Lartëmadhëruar është i përsosur, që ka dituri të gjithanshme dhe mençuri e urtësi. Po ashtu ky fakt dëshmon edhe për pejgamberin e Tij sala Allahu alejhi ue selem se Ai është besnik (i vërtetë), që flet gjithmonë të vërtetën dhe i besojnë të tjerët për ç’ka flet. Ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja dhe dëshira e tij por “është vetëm shpallje që i shpallet”.



Feja Islame është fakti më madhështor dhe dëshmia më e qartë që argumenton se Allahu është veçuar me përsosmëri. Po ashtu kjo fe dëshmon për profetësinë dhe besnikërinë e pejgamberit të Tij sala Allahu alejhi ue selem. Synimi im me shkrimin e këtyre rreshtave është të paraqes kulmin e diturisë sime të cilat pasqyrojnë madhështinë e kësaj feje duke sqaruar bazat e vlerave të saja. Megjithëse dituria ime është shumë e paaftë të paraqesë gjithçka që përfshin kjo fe prej madhërisë, bukurisë e përsosmërisë. Fjalët e mia janë të paafta ta shpjegojnë atë në mënyrë të përgjithshme, e sigurisht janë akoma më të paafta për shpjegimin e hollësishëm të saj. Porse diçka që nuk të pasqyrohet tërësisht apo pjesa më e madhe e saj, nuk duhet lënë plotësisht, aq më tepër atë që njeriu e di dhe ka mundësi ta paraqesë. Allahu nuk ngarkon njeri mbi mundësitë që ai ka sipas fjalës së Tij: فاتقوا اللة ما استطعتم "Kini frikë Allahun dhe përmbushni detyrimet ndaj Tij aq sa të keni mundësi."



Duhet ditur se me njohjen e kësaj diturie kemi përfitime të shumta. Në rreshtat që vijojnë do të paraqes disa prej këtyre përfitimeve.



- Të merresh me këtë temë e cila është tema më madhështore, është prej punëve më të mira. Pra, studimi i kësaj teme, hulumtimi rreth saj dhe ndjekja e çdo metode që të orienton tek njohja e saj është gjëja më e mirë në të cilën njeriu e shpenzon kohën e tij.


Po ashtu ajo kohë që e kalon duke u marrë me këtë temë është në dobinë tënde dhe nuk është në dëmin tënd.


Allahu dhe i dërguari i Tij sala Allahu alejhi ue selem, na kanë urdhëruar t’i njohim begatitë e Tij dhe të jemi mirënjohës karshi tyre, madje ky veprim është një gjest i lartë. Nuk ka dyshim se hulumtimi rreth kësaj çështjeje është pohim, shprehje dhe mendim në begatinë më madhështore që Allahu i ka dhënë robërve të Tij, e cila është feja Islame. Allahu nuk pranon prej askujt fe tjetër veç kësaj (Islamit). Atëherë kjo shprehje është falenderim i Allahut dhe njëkohësisht është dhe lutje që të na e shtojë këtë begati. Përsa i përket Imanit (besimit) dhe përsosjes së tij, njerëzit ndryshojnë në të me një ndryshim të theksuar. Njeriu sa më shumë ta njohë këtë fe, aq më shumë do ta madhërojë atë, e sa më shumë i gëzuar dhe i lumtur të jetë me të, aq më i përsosur ka për të qënë Imani i tij dhe siguria e tij ka për të qënë më e plotë, sepse kjo gjë është argument për të gjitha rregullat dhe bazat e Islamit.





- Nga mënyrat më madhështore të cilat thërrasin dhe ftojnë në fenë Islame është shpjegimi i vlerave dhe bukurive që përmban kjo fe, e këto vlera e bukuri i pranon ai person që ka mendje të shëndoshë e natyrshmëri të pastër.





- Nëse disa burra i dalin ballë thirrjes në këtë fe duke shpjeguar parimet dhe realitet e saj dhe duke i sqaruar krijesave bukuritë dhe vlerat e saja, atëherë do të ishte më se e mjaftueshme për t’i tërhequr krijesat në këtë fe. Sepse kanë për të vënë re se kjo fe është në përputhje të plotë me interesat e kësaj bote dhe botës tjetër e gjithashtu me anë të kësaj feje ka për t’u rregulluar pjesa e jashtme dhe e brendshme. E atëherë nuk do të ishte e nevojshme që të merreshim me heqjen e dyshimeve të cilat i mbjellin kundërshtarët dhe s’do të kishim nevojë të flisnim kundra feve të kundërshtarëve.





- Duke u sqaruar kjo fe, ka për t’u larguar vetvetiu çdo dyshim që e kundërshton atë, sepse ajo është fe e vërtetë dhe shoqërohet me fakte të qarta dhe me argumente të cilat të çojnë tek siguria e plotë, e cila nuk pranon asnjë ndjenjë pasigurie. Nëse zbulon vetëm disa realitete të kësaj feje ka për të qënë kjo gjë fakti më i madh për pranimin e saj dhe për epërsinë e theksuar që ka në krahasim me fetë e tjera. Vini re se, vlerat dhe bukuritë e fesë Islame janë të përgjithshme, në të gjitha fushat në çështjet e faktet e saj, në bazat e degët e saj, në shkencat e fesë e rregullat e saj, dhe në dukuritë të cilat argumentojnë për shkencat e gjithësisë dhe sociolgjisë.





- Unë nuk kam për qëllim të përfshij dhe të shtjelloj të gjitha këto sepse kjo ka nevojë për zgjerim të madh. Por kam si synim të përmend disa shembuj të dobishëm për të qenë këta shembuj si pishtar që hedh dritë mbi shembuj të tjerë. Gjithashtu dua që këta shembuj të jenë si çelsa për t’i çelur dyert atij që do të hyjë tek to. Këta shembuj janë të përhapur në bazat dhe degët e fesë, në temën e adhurimeve dhe (muamelateve) kontaktimeve dhe bashkëpunimeve.





Tani po filloj duke kërkuar ndihmën e Allahut dhe duke u mbështetur tek Ai. Shpresojmë që Ai të na udhëzojë dhe të na mësojë, të na i çelë portat e bujarisë dhe fisnikërisë së Tij që të rregullohet gjendja jonë dhe punët e fjalët tona të jenë të drejta.




SHEMBULLI I PARË



Feja Islame është ndërtuar mbi bazat e Imanit të cilat i ka përmendur Allahu duke thënë:



قُلْ آمَنَّا بِاللَّهِ وَمَا أُنزِلَ عَلَيْنَا وَمَا أُنزِلَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ وَإِسْمَاعِيلَ وَإِسْحَاقَ وَيَعْقُوبَ وَالأَسْبَاطِ وَمَا أُوتِيَ مُوسَى وَعِيسَى وَالنَّبِيُّونَ مِن رَّبِّهِمْ لاَ نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍمِّنْهُمْوَنَحْنُلَهُمُسْلِمُونَ



“Ju (muslimanë) thoni: Ne besojmë Allahun dhe atë që na është dërguar neve dhe atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, el-esbat (dymbëdhjetë bijve të tij), në atë që i është dhënë Musait dhe Isait dhe në çfarë u është dhënë të gjithë Pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre dhe vetëm Atij ne i jemi nënshtruar si muslimanë në Islam." [Ali Imran: 84]



Përsa i përket këtyre bazave madhështore, me të cilat Allahu ka urdhëruar të gjithë robërit, kanë rënë dakord për to pejgamberët e të dërguarit. Këto baza përbëjnë ideologjitë dhe njohuritë më madhështore, duke filluar me besimin në çdo gjë që Allahu e ka cilësuar Veten e Tij në gjuhët e të dërguarve të Tij, e deri tek derdhja e mundit për të arritur kënaqësinë e Tij. Duke parë se origjina e kësaj feje është besimi në Allahun, e fryti i saj është veprimi i çdo gjëje që Allahu e do dhe është i kënaqur me të, duke vepruar çdo gjë sinqerisht vetëm për Allahun. A mund të imagjinohet se mund të egzistojë ndonjë fe tjetër më e mirë, më e bukur dhe më madhështore se kjo.



Kjo fe ka urdhëruar për besimin në gjithçka që i është dhënë pejgamberëve, ka urdhëruar për besimin e shpalljeve të tyre, ka urdhëruar për pohimin e së vërtetës të cilën ata e sollën prej Zotit të tyre, ka urdhëruar të mos bëjmë asnjë dallim midis tyre, të gjithë ata janë të dërguarit e besuar të Allahut dhe besnikët e tij të sinqertë. Është e pamundur t’i drejtohet kësaj feje ndonjë kundërshtim apo replikë. Kjo fe urdhëron çdo gjë që është e vërtetë, pohon çdo gjë që buron nga besnikëria, ajo vendos dhe fikson realitetet fetare që mbështeten tek shpallja që i dërgoi Allahu të dërguarve duke ecur me realitetet e llogjikës, të cilat janë të dobishme dhe burojnë nga instikti i pastër. Kjo fe asnjëherë nuk e hedh poshtë të vërtetën, nuk e beson gënjeshtrën, nuk e përhap dhe nuk e përkrah të kotën. Pra, feja Islame është supreme dhe gëzon epërsi të theksuar mbi të gjitha fetë e tjera. Kjo fe urdhëron për punët e mira, virtytet e larta e të ndershme dhe interesat e robërve. Ajo nxit për moralet e larta si drejtësia, dëlirësia, mëshira, mirësia dhe në anën tjetër e ka nënçmuar padrejtësinë, mizorinë dhe të gjitha veset e këqija. Çdo veti të lartë që e kanë inkurajuar pejgamberët dhe të dërguarit, Islami e ka inkurajuar dhe e ka mbështetur atë. Çdo interes fetar dhe interes i kësaj bote për të cilën kanë thirrur dhe fetë e mëparshme, edhe Islami e ka nxitur atë. E në anën tjetër Islami ka ndaluar të gjitha dëmet dhe na ka urdhëruar t’u shmangemi atyre. Me pak fjalë, me ideologjinë e kësaj feje pastrohen zemrat, rregullohen shpirtrat dhe me to themelohen virtytet e larta dhe punët e mira.




SHEMBULLI I DYTË.



Ligjet madhështore të Islamit pas Imanit janë: Falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe vizita e shtëpisë së shenjtë (shkuarja në Haxh). Vështro me vëmendje tek këto urdhëresa madhështore sesa të mira janë dobitë e tyre. Ato na urdhërojnë që të jemi të përpiktë duke vrapuar tek kënaqësia e Allahut me qëllim që të arrijmë fitoren me anë të shpërblimit të tanishëm dhe të ardhshëm (në botën tjetër).



Vështro tek namazi sesa punë të bukura përmban ai, duke filluar me sinqeritetin e punës vetëm për Allahun dhe duke u drejtuar plotësisht tek Ai. Namazi përmban lavdërim, lutje dhe përulje. Shembulli i namazit në pemën e Imanit është si shembulli i kujdesjes dhe i ujitjes së kopshtit, e nëse nuk do të përsëritet namazi ditë e natë ka për t’u tharë pema e Imanit dhe ka për t’u vyshkur, ka për t’u rrudhur trungu i saj, sepse ajo zhvillohet dhe ripërtërihet me kryerjen e namazit. Namazi në brendësi të tij përmban përmendjen e Allahut e cila është gjëja më e mirë dhe ndalon harbutërinë, ndyrësinë dhe poshtërsinë.



Vështro tek zekati dhe frytet që e pasojnë atë. Po të shohim zekatin në praktikë kemi për të gjetur një sjellje me virtyte të larta dhe veti që e meritojnë lëvdatën si: bujarinë, fisnikërinë dhe largimin prej sjelljeve të ulëta. Po ashtu kemi për të gjetur në të njerëz që e lavdërojnë Allahun në shenjë falenderimi për begatitë që u ka falur. Në të gjithashtu ndodhet ruajtja e pasurisë prej gjërave të turbullta dhe të errëta, qofshin ato morale apo materiale. Në të ndodhet bamirësia ndaj krijesave, përkrahja e të vobektëve dhe plotësimi i nevojave dhe interesave për atë që e meriton atë. Zekati përmbush nevojat e të varfërve dhe hallexhinjëve. Ai ndihmon bindshëm xhihadin (luftën në rrugë të Allahut) dhe interesat e përgjithshme të cilat janë të nevojshme për muslimanët. Gjithashtu zekati shmang krizën e varfërisë dhe të të varfërve, tregon siguri në zëvendësimin e Allahut, shpresën e shpërblimit të Tij.



Kurse tek agjërimi kemi stërvitje të trupave me lënien e gjërave të cilat i do njeriu. Këtë gjest të lartë e bën njeriu për të fituar kënaqësinë e Allahut, për t’u afruar sa më shumë tek Ai dhe për të ushtruar trupat e për t’i mësuar ata me durim dhe me qëllim të lartë. Me anë të agjërimit forcohet sinqeriteti dhe plotësohet plotësisht përparësia që i jepet dashurisë së Allahut ndaj dashurisë së vetes. Prandaj agjërimi është i Allahut dhe e ka veçuar atë për Veten e Tij midis punëve të tjera.



Ndërsa tek haxhi kemi për të vënë re veprime të shumta që kryhen të gjitha për të fituar kënaqësinë e Allahut si: shpenzimi i pasurisë, përballimi i vështirësive dhe marrja parasysh e vështirësive dhe rreziqeve. Të gjitha këto i kryejmë për të fituar kënaqësinë e Tij duke shkuar tek Ai, për ta mikluar dhe për ta lavdëruar Atë në shtëpinë dhe oborrin e Tij, për të kryer adhurimet e shumëllojshme në vendet e shenjta të cilat janë territore me të cilat ka përkrahur Allahu robërit e Tij dhe ata të cilët shkojnë tek shtëpia e Tij. Haxhi po ashtu përmban madhërimin e Allahut, nënshtrimin dhe përuljen e plotë ndaj Tij. Ai na bën të kujtojmë gjendjen e pejgamberëve dhe të dërguarve, të njerëzve të zgjedhur e të sinqertë. Le ta forcojmë Imanin me anë të tyre dhe ta lidhim dashurinë tonë fortë me ta. Haxhi përmban njohjen midis muslimanëve, derdhjen e mundit për bashkimin e fjalës së tyre, rënien dakord midis tyre për interesat e përgjithshme dhe vetjake të cilat nuk mund të shkelen. Kjo është nga vlerat më të mëdha të kësaj feje dhe është nga dobitë prej të cilave përfitojnë besimtarët. Këto janë disa gjëra shkurtimisht, sa për kujtim dhe përqëndrim.




SHEMBULLI I TRETË.



Kjo fe ka urdhëruar dhe ka nxitur bashkimin dhe grumbullimin dhe ka ndaluar rreptësisht përçarjen dhe mosmarrveshjen. Në Kur’an dhe Sunet ndodhen mjaft tekste të cilat janë argument për këtë parim madhështor. Kushdo që ka pak llogjikë e ka kuptuar këtë çështje, ka kuptuar interesat fetare dhe interesat e kësaj bote që rrjedhojnë prej saj dhe dëmet e pasojat negative që shmangin kjo çështje.



Muslimanët në ditët e para të kësaj feje, siç e dimë të gjithë ishin të qëndrueshëm dhe të bindur në këtë fe. Ata gëzonin mbarësi në punët e tyre dhe përjetonin një kënaqësi që askush përveç tyre nuk e ka arritur. Ata ishin kapur fortë me këtë parim dhe e praktikonin atë me përpikmëri. Ata ishin të bindur plotësisht se ky parim ishte shpirti i fesë së tyre. Këtë e shpjegon më shumë shembulli që vijon.




SHEMBULLI I KATËRT.



Islami është fe e mëshirës, begatisë dhe bamirësisë. Ai gjithmonë stimulon dobinë e gjinisë njerëzore. Kjo fe përmban mëshirën, bashkëpunimin e mirë, fton për bamirësi dhe ndalon çdo gjë që nuk është në përputhje me këto. Kjo gjë e bëri Islamin të jetë dritë dhe shkëlqim midis errësirave të padrejtësisë dhe mizorisë, bashkëpunimit të keq dhe shkeljes së të drejtave.



Islami ka joshur dhe ka tërhequr zemra të cilat para se ta njihnin atë, ishin armiq të betuar të tij derisa u prehën nën hijen e tij të gjerë. Ai është treguar përdëllestar dhe i mëshirshëm me pjesëtarët e tij, derisa filloi të gufojë prej zemrave të tyre mëshira, toleranca dhe bamirësia të cilat duken qartë në fjalët e punët e tyre. Madje kjo u tejkalua deri tek armiqtë e tij, të cilët u shndërruan ndër miqtë e tij më të ngushtë. Dikush prej tyre hyri në këtë fe me aftësi depërtuese e mprehtësi e me plot ndjenja e simpati. Dikush tjetër iu nënshrua zemërçelur dhe me çiltërsi kur pëlqeu rregullat e kësaj feje. Madje kur pa tek kjo fe drejtësinë dhe mëshirën i dha përparësi rregullave të Islamit mbi rregullat e fesë së tij.




SHEMBULLI I PESTË



Feja Islame është feja e mençurisë dhe urtësisë, është feja e natyrshmësië, feja e llogjikës, mbarëvajtjes dhe fitores. Po të vëresh në bazat dhe degët të cilat bëjnë pjesë në gjykimet dhe rregullat e saj, do të shohësh se ato pranohen nga natyrshmëria dhe llogjika, asaj i nënshtrohen bindshëm kërkuesit e së drejtës dhe të vërtetës. Kjo fe përfshin përpikmërinë dhe saktësinë, sistemin e mirëfilltë dhe është e vlefshme për çdo kohë dhe për çdo vend. Të gjitha informatat e kësaj feje janë të drejta dhe të vërteta. Çdo lloj diturie apo shkence që ka dalë në të kaluarën apo do të zbulohet në të ardhmen, Islami nuk e kundërshton dhe nuk e përgenjeshtron atë, madje shkencat e vërteta ajo i përkrah dhe i mbështet. Ky fakt është argumenti më i madh për besnikërinë e kësaj feje. Specialistët drejtësi-dashës kanë vërtetuar se në Kur’an ka argumenta për çdo shkencë të dobishme, qoftë ajo shkencë fetare, tokësore apo politike. Në ligjin Islam nuk egziston ndonjë gjë që nuk përputhet me llogjikën, por përkundrazi mëndjet e shëndosha dëshmojnë për besnikërinë, dobinë dhe mbarëvajtjen e tij. Të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e Islamit janë të bazuara mbi drejtësi dhe nuk ka aspak padrejtësi në to. Çdo urdhër që ka ardhur në to është absolutisht i mirë ose në mënyre superiore dhe çdo ndalesë që ka ardhur në të është absolutisht e keqe dhe dëmi i saj ka për të qënë më i madh se dobia e saj. Sa më shumë që një njeri inteligjent ka për të medituar në gjykimet dhe rregullat e kësaj feje, aq më tepër ka për t’iu shtuar imani tek kjo bazë, ose ka për ta ditur se është zbritur nga më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.




SHEMBULLI I GJASHTË



Në këtë fe ekziston xhihadi (lufta në rrugë të Allahut), urdhërimi për çdo të mirë dhe ndalimi nga çdo gjë e keqe. Arsyeja e xhihadit në këtë fe është largimi i mizorisë së të padrejtëve të cilët shkelin të drejtat e kësaj feje dhe refuzojnë thirrjen Islame. Ky është lloji më i mirë i xhihadit. Ai nuk zhvillohet për etje, për pasuri, lakmi dhe për të mbrojtur interesat vetjake. Kush do të studiojë argumentat e këtij lloj xhihadi tek jetëshkrimi i pejgamberit sala Allahu alejhi ue selem dhe shokëve të tij kundrejt armiqëve të tyre, padyshim ka për të gjetur se xhihadi bën pjesë në gjërat e domosdoshme dhe shmang mizorinë e zullumqarëve. Po të vëresh urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, do të arrish në rezultatin se nevoja për të është e pashmangshme, sepse mbarëvajtja dhe ecuria e kësaj feje kryhet vetëm nëse anëtarët e saj zbatojnë me përpikmëri parimet dhe ligjet e saja, do t’i binden urdhërave të saja të cilat janë kulmi i mbarëvajtjes, do t’i largohen ndalesave të saja të cilat janë ligësi dhe shkatërrim edhe nëse anëtarët e saj kanë për të qenë kapur fort me këtë çështje. Roli i urdhërimit për të mirë dhe ndalimi prej të keqes është i madh. Sa njerëz rrëshqasin në gabime dhe vetja e tyre me të padrejtë ia zbukuron gabimet dhe iu jep kurajo që të kryejnë disa gjëra të ndaluara dhe i bën ata të neglizhojnë në kryerjen e disa detyrave të cilat kanë mundësi t’i kryejnë. Pra, këtu del në pah se të gjitha këto gjëra nuk mund të realizohen veçse me urdhërimin në të mirë e ndalimin nga e keqja. Prandaj, urdhërimi në të mirë e ndalimi nga e keqja është nga vlerat më absolute të kësaj feje dhe nga gjërat më të domosdoshme të cilat duhen realizuar. Gjithashtu me anë të urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja realizohet korigjimi i njerëzve që devijojnë, edukimi i tyre, largimi i tyre nga veset e këqija dhe moralet e ulta dhe edukimi i tyre me morale të larta. Ndërsa, nëse u jepet atyre liria e veprimit absolut (ndërkohë që ata u anëtarsuan në këtë fe dhe u zotuan se do t’i zbatojnë ligjet e saja) ka për të qenë kjo nga padrejtësitë dhe dëmet më të mëdha si për ata vetë ashtu edhe për shoqërinë, veçanërisht përsa i përket të drejtave të detyrueshme e të prera sipas fesë, llogjikës dhe realitetit.




SHEMBULLI I SHTATË



Kjo fe ka lejuar shitblerjen, qeranë, ortakërinë dhe llojet e tjera të bashkëpunimit me anë të të cilave njerëzit shkëmbejnë nevojat e tyre qoftë në pasuri, borxhe dhe interesa të tjera. Kjo fe e përsosur e ka lejuar këtë dhe njerëzit gëzojnë lirinë e veprimit në këtë, sepse kjo përfshin nevojat dhe interesat e domosdoshme, të nevojshme dhe lukset. Ajo i ka dhënë mundësi atyre duke iu shtrirë atyre begati aq sa të rregullohen hallet dhe gjendjet e tyre dhe të lehtësohet jetesa e tyre. Mirëpo kjo fe e ka kushtëzuar lejimin e këtyre gjërave me pëlqimin e të dyja palëve, me njohjen e përbërjes së aktmarrveshjes, me njohjen e mallit për të cilin u krye aktmarrveshja, me njohjen e vendit të aktmarrëveshjes dhe me njohjen e kushteve të tjera që nevojiten gjatë aktmarrveshjes.


Në këtë fe është e ndaluar gjithçka që përmban dëm dhe padrejtësi prej llojeve të kumarit, kamatës (fajdesë) dhe injorancës. Kush vështron duke menduar bashkëpunimet të cilat i ka lejuar ligji Islam, ka për të gjetur se ato janë të lidhura ngushtë me mbarëvajtjen e fesë dhe me mbarëvajtjen e kësaj bote. Ai ka për të dëshmuar bindshëm se Allahu zotëron mëshirë të pakufishme dhe mençuri e urtësi të plotë. Kjo sepse Allahu u ka lejuar robërve të Tij të gjitha gjërat e këndshme duke filluar me gjërat fitimprurëse, ushqimet, pijet dhe rrugët e përfitimeve të sistemuara sipas urtësisë së plotë.




SHEMBULLI I TETË



Kjo fe ka lejuar të gjitha gjërat e këndshme qofshin ato ushqime, pije, rroba, martesa etj. Në këtë fe është lejuar çdo gjë e këndshme dhe e dobishme prej llojeve të farave, frutave, mishrave të detit pa përjashtim dhe gjallesat e tokës. Prej të gjitha këtyre që përmendëm Ai ka ndaluar vetëm atë që është e dëmshme dhe e neveritshme për fenë, llogjikën, trupin dhe pasurinë. Çdo gjë e lejuar është prej bamirësisë së Allahut të Lartëmadhëruar dhe prej bukurisë së fesë së Tij. Gjithashtu çfarë ka ndaluar është prej bamirësisë dhe bukurisë së fesë së Tij. Ai ka ndaluar atë ç'ka është e dëmshme për ta. Bukuria dhe mirësia ndjekin urtësinë, mençurinë, interesin dhe shmangin dëmet.



Martesa në këtë fe është e lejuar dhe njeriu mund të martohet dhe të zgjedhë prej grave sa të dojë, qoftë dy, tre e deri në katër. Tek lejimi i kësaj çështjeje gjendet interesi i të dyja palëve. Nuk i lejohet askujt të martohet me më tepër se katër gra të lira, sepse nëse tejkalohet kjo ka pasoja të këqia si: padrejtësia dhe lënia e drejtësisë dhe e barazisë. Gjithashtu nuk duhet harruar të përmendet se, nëse njeriu ka frikë se bën padrejtësi dhe nuk i përmbush dispozitat e Allahut në lidhjen martesore, atëherë Islami e ka nxitur të martohet vetëm me një, me qëllim që t’i përmbushë sa më mirë detyrat dhe të drejtat. Duke qenë se martesa është nga begatitë më të mëdha dhe prej gjërave më të domosdoshme, po ashtu dhe divorci kryhet kur njeriu ka frikë të bashkëjetojë me atë që nuk mund të gjejë gjuhën e mirëkuptimit dhe ka frikë se do të jetojë një jetë të tensionuar, gjithnjë e në keqësim, me telashe dhe në një vështirësi katastrofike. Allahu i Lartëmadhëruar thotë:



و ان يتفرقا يغنياللهكلمنسعته



"Por nëse ata ndahen, Allahu do t’ju japë atyre furnizim të bollshëm nga begatitë e Tij."




SHEMBULLI I NËNTË



Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për krijesat të drejta të cilat nuk duhet të shkelen. Ato të drejta janë mbarëvajtje, mirësi, dëlirësi, bamirësi, drejtësi, ndershmëri, çiltërsi dhe janë larg padrejtësisë dhe dredhisë. Vështro të drejtat të cilat i ka obliguar Allahu ndaj prindërve, fëmijëve, të afërmëve, fqinjëve, shokëve, bashkëpunëtorëve dhe bashkëshortëve midis tyre. Të gjitha këto janë të drejta të domosdoshme dhe të drejta jothelbësore të cilat i presin me zemër të hapur natyrshmëritë e pastërta dhe mendjet e shëndosha. Me anë të këtyre gjërave realizohen përzierjet dhe kontaktet me njerëzit, shkëmbehen interesat dhe përfitimet, që të gjitha realizohen në bazë të së drejtës që meriton çdo person dhe në bazë të shkallës së tij në shoqëri. Çdo here që do të thellohesh duke menduar rreth kësaj, ke për të gjetur në të mirësi e shmangie të së keqes, ke për të gjetur interesa të përgjithshme dhe vetiake, afrimitetin dhe bashkëjetesën e përsosur. Që të gjitha këto që përmendëm të bëjnë të dëshmosh me bindje të plotë se kjo fe të garanton lumturi dhe gëzim në të dyja botët. Do të vëresh se këto të drejta ecin me kohën, vendin, gjendjen dhe realitetin. Ato sjellin dobitë dhe interesat, me anë të tyre realizohet bashkëpunimi i plotë në çështjet e fesë dhe të kësaj bote, ato sjellin nocionet dhe mendimet, ato shmangin urrejtjet dhe mëritë. Këto që përmendëm njihen me anë të vëzhgimit të hollësishëm, konkluzionit dhe përfundimit që del prej burimeve kryesore të tyre.




SHEMBULLI I DHJETË



Kjo fe përfshin transferimin e pasurisë dhe gjërave të cilat i ka lënë njeriu mbas vdekjes dhe na tregon mënyrën e ndarjes së pasurisë tek trashëgimtarët. Allahu i Lartëmadhëruar e ka treguar urtësinë dhe mençurinë e kësaj gjëje duke thënë:



لا تدرونايهمأقربلكمنفعا



“Ju nuk e dini se cili prej tyre është më i dobishëm për ju."



Allahu e vendosi Vetë në bazë të dijes së Tij rreth afrueshmërisë së dobisë dhe jo kë dëshiron njeriu në përgjithësi që t'ia trashëgojë pasurinë e tij, e kush është njeriu që më shumë e meriton bamirësinë dhe mirësinë e tij. Ai i ka paraqitur ata në një renditje të përkryer, sa që mendjet e shëndosha e dëshmojnë dhe e pohojnë këtë. Nëse kjo çështje do t’i dorëzohej njerëzve që të merreshin me të sipas epshit dhe dëshirës së tyre do të kishte pasoja negative si: probleme, ndërlikime s’do të kishte rregull, do të binin viktima të zgjedhjes së keqe dhe do të krijohej një rrëmujë e vërtetë. Gjithashtu është e pëlqyshme në këtë fe që njeriu të lerë diçka si porosi në institucionet e bamirësisë dhe devotshmërisë që t’i bëjë dobi ajo në botën tjetër. Kjo pasuri është e kufizuar dhe nuk lejohet që ta kalojë një të tretën dhe nuk duhet të jetë për trashëguesit, por për dikë tjetër. Kështu që nuk kanë për t’u bërë gjërat që Allahu i ka vendosur rregulla për njerëzit lojra me të cilat zbaviten mendjengushtët të cilët nuk janë kapur fort me fenë gjatë shpërnguljes së tyre nga kjo botë. Kurse përsa i përket kohës që gëzojnë shëndet në trupat dhe mendjet tyre, zakonisht nuk e shpenzojnë pasurinë në humbje të tyre, sepse i tremben varfërisë dhe falimentimit.




SHEMBULLI I NJËMBËDHJETË



Sheriati Islam ka vendosur masa dënimi të shumëllojshme të cilat ndryshojnë sipas krimeve. Këto masa dënimi janë vendosur për arsye se krimet dhe shkelja e të drejtave të Allahut dhe shkelja e të drejtave të robërve të Tij janë nga mizoritë më të mëdha të cilat cënojnë sistemin dhe rregullin, ato cënojnë fenë dhe botën. Prandaj në fenë Islame është vendosur masa e dënimit si vrasja, prerja, kamzhiku dhe lloje të tjera ndëshkuese kundra krimeve dhe mizorive të cilat i rrallojnë këto ngjarje dhe i shmangin njerëzit prej tyre. Të gjitha këto përmbajnë aq shumë interesa dhe përfitime saqë dëshmon njeriu që ka llogjikë se ky sheriat është i mrekullueshëm dhe se të këqiat nuk mund të ndalohen plotësisht vetëm se me masat të cilat i ka vendosur Sheriati dhe i ka renditur ato në bazë të krimeve se është krimi i madh apo i vogël, është shumë apo pak.




SHEMBULLI I DYMBËDHJETË



Sheriati Islam ka urdhëruar që të pengohet njeriu nga shpenzimi i pasurisë së tij nëse ai shpenzim dëmton vetë atë apo dikë tjetër. Siç ka ndaluar p.sh. budallain, të voglin, mendjelehtin dhe të tjerë si dhe ndalimi i borxhliut prej shpenzimit. Ky ndalim është në interes të huadhënësve të tij. Të gjitha këto janë prej bukurive të këtij sheriati, i cili e ndaloi njeriun prej shpenzimit të pasurisë së tij, gjë e cila në origjinë është plotësisht e lejuar për të. Por kur dëmi i shpenzimit ishte më i madh se dobia e tij dhe e keqja më e madhe se mirësia, atëherë sheriati e ndaloi atë prej shpenzimeve me qëllim që të kryhen shpenzimet e tija në interes të tij. Sheriati i ka udhëzuar njerëzit aq mbarë saqë çdo shpenzim i tyre të jetë i dobishëm dhe pa asnjë dëm.




SHEMBULLI I TREMBËDHJETË



Sheriati na ka urdhëruar të përdorim dokumentat me të cilat mbrojnë njerëzit të drejtat e tyre. Siç është shembulli i dëshmisë me të cilën mbrohen të drejtat, ndalohet mohimi dhe shmanget dyshimi. Gjithashtu është lënia peng e diçkaje, siguracioni, garancia me të cilat nëse nuk mund të realizohet e drejta e atij që ka të drejtë, atëherë kthehet tek dokumentacioni përkatës për të mbrojtur të drejtën e tij. Duken qartë dobitë e shumëllojshme të cilat i përfitojmë prej dokumentacionit. Me anë të tij mbrohen të drejtat, rregullohen punët dhe bashkëpunimet fitojnë mbarëvatje. Nëse nuk ekzistojnë dokumentacionet do të prishet pjesa më e madhe e bashkëpunimeve dhe marrëveshjeve. Dokumentacionet janë të dobishme dhe të vlefshme për atë që kanë lidhur marrëveshjen dhe për atë që ka të drejtë. Arsyet e dobisë së tyre janë të njohura në shoqëri.




SHEMBULLI I KATËRMBËDHJETË



Feja Islame e ka nxitur njeriun të tregojë bamirësi ndaj të tjerëve dhe kështu ka për të fituar shpërblim tek Allahu dhe do të gëzojë respekt tek njerëzit. Më pas atij ka për t'iu rikthyer plotësisht pasuria e tij ose shkëmbimi i saj. Ky fitim ka për të qënë fitimi më i ndershëm, sepse nuk e dëmton aspak njeriun. Konkretisht është fjala për borxhin, huazimin etj. Ky është gjest i lartë që përfshin dobi të mëdha, i përgjigjet nevojave të njerëzve, largon fatkeqësitë, sjell mbarësi dhe mirësi. Me pak fjalë përfshirja e këtyre mirësive është e paimagjinueshme. Protagonistit të kësaj pune ka për t'iu kthyer pasuria e tij, përfitoi shpërblim të madh tek Zot i tij, u tregua mjaft bamirës me vëllanë e tij dhe ka për t’u pasuar me mirësi, begati, zemërdëlirësi, afrimitet, dhembshuri dhe dashuri.


Përsa i përket bamirësisë totale që e jep njeriu falas dhe nuk i kthehet atij, ne përmendëm urtësinë dhe mençurinë e saj kur folëm për zekatin dhe sadakanë.




SHEMBULLI I PESËMBËDHJETË



Në këtë fe egzistojnë baza dhe rregulla të cilat janë parime për zgjidhjen e koflikteve dhe problemeve midis atyre që nuk e gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin, duke i dhënë të drejtë njërës palë. Ato baza janë ndërtuar mbi drejtësinë dhe faktin e qartë. Janë në përputhje të plotë me realitetin e njerëzve dhe natyrshmërinë e tyre. Kush pretendon diçka apo një të drejtë çfarëdo qoftë ajo, ai patjetër duhet të bazohet në fakte të qarta. Nëse ai sjell fakte të qarta të cilat i japin përparësi atij duke përkrahur anën e tij, atëherë i jepet atij e drejta që pretendoi. E nëse ai nuk sjell ndonjë fakt, por vetëm pretendon diçka, atëherë i ngelet si detyrë palës kundërshtare që të betohet për të mohuar pretendimin e paditësit dhe nuk i drejtohet palës kundërshtare asnjë e drejtë. Në këtë fe, faktet janë në bazë të gradës që përmban ajo gjë për të cilën bëhet fjalë në gjininë e vet. Po ashtu faktet quhen edhe arsye sqaruese dhe realiteti që është i njohur tek njerëzit. Pra, fakti është një emër i përgjithshëm për çdo gjë që sqaron të vërtetën dhe argumenton për të. Në rast se dy njerëz kanë rënë në konflikt me njëri-tjetrin, mirëpo ka ngjashmëri dhe barazi midis tyre në çështjen që kanë konflikt për të, atëherë është caktuar për ta rruga e drejtë dhe e përshtatshme për pajtim. Çdo çështje ka rrugën apo mënyrë e saj për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve. Çdo mënyrë apo rrugë e cila nuk përmban padrejtësi dhe nuk i çon njerëzit në kundërshtimin e Allahut (duke qenë e dobishme për ta ), atëherë kjo fe ka nxitur ta përdorim atë si metodë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe ndërprerjen e konflikteve. Çdokush në të është i barabartë pa asnjë dallim midis të fortit dhe të dobëtit e midis kryetarit e njeriut të thjeshtë, janë të gjithë të barabartë në të gjitha të drejtat. Kjo fe ka bindur dhe e ka kënaqur antagonistin që të ndjekë rrugët e drejtësisë dhe të qëndrojë sa më larg padrejtësisë.




SHEMBULLI I GJASHTËMBËDHJETË



Ky Sheriat ka urdhëruar për konsultë dhe për rrahjen e problemeve kolektivisht. Ai i ka lavdëruar besimtarët se mbi ta mbizotëron konsulta në të gjitha çështjet fetare dhe në të gjitha çështjet që kanë lidhje me këtë botë, qofshin ato të brendshme apo të jashtme. Të gjithë njerëzit e mençur pa përjashtim kanë rënë dakord se ky parim madhështor është diçka e mrekullueshme. Ai është shkaku kryesor për zgjedhjen e mënyrës më të mirë dhe rrugës më të përkryer për arritjen e synimeve të larta, për të goditur në shenjë të vërtetën dhe për të ndjekur rrugën e drejtësisë. Ky parim po i ndihmon gjinjë e më shumë popujt për të arritur çdo mirësi dhe stabilitet. Sa më shumë të zgjerohet horizonti i njerëzve dhe sa më shumë të shtohet zgjuarsia e tyre, aq më shumë kanë për ta kuptuar vlerën dhe nevojën e këtij parimi. Në fillim të Islamit, kur muslimanët e praktikuan këtë parim në çështjet e tyre fetare dhe tokësore, arritën mbarëvajtje dhe stabilitet në punët e tyre dhe suksesi i tyre rritej dita-ditës. Por kur ata devijuan dhe e lanë mbas dore këtë parim, përjetuan dhe po përjetojnë një prapambetje në fenë dhe jetën e tyre, derisa arriti gjendja e tyre deri në këtë pikë që isheh sot. Por nëse ata i kthehen fesë së tyre përsa i përket këtij parimi, kanë për të fituar dhe triumfuar edhe në parimet e tjera.




SHEMBULLI I SHTATËMBËDHJETË



Ky sheriat erdhi për të përmbushur stabilitetin e fesë, dynjasë dhe për të bashkuar midis interesit të shpirtit dhe të trupit. Ky parim është përmendur shumë herë në Kur'an dhe në Sunet. Allahu dhe i dërguari i Tij kanë nxitur vënien në punë të të dyjave (shpirtit dhe trupit) dhe çdo njëri prej tyre është në rolin e përkrahësit dhe ndihmuesit të tjetrit. Allahui Lartëmadhëruar i krijoi krijesat për adhurimin e Tij dhe për të përmbushur të drejtat e Tij. Ai i ka dhuruar atyre furnizim dhe ia ka bërë atyre të shumëllojshme shkaqet e furnizimit dhe mënyrat e jetesës, gjë e cila i ndihmon ata në adhurimin e Tij dhe i bën ata të përmbushin nevojat e tyre të brendshme dhe të jashtme. Ai nuk i urdhëroi për ushqimin e shpirtit duke lënë mënjanë trupin. Po ashtu Ai ka ndaluar të prekupohemi me epshet e kënaqësitë dhe ka urdhëruar të forcohen interesat e zemrës dhe të shpirtit. Këtë gjë e sqaron më tepër shembulli që vijon.




SHEMBULLI I TETËMBËDHJETË



Sheriati e ka bërë diturinë, fenë, sundimin dhe gjykimin gjëra që përkrahin dhe forcojnë njëra- tjetrën. Dituria dhe feja përfaqësojnë shtetet e në ato bazohet sundimi dhe gjykimi. Që të gjitha shtetet duhet të jenë të lidhura ngushtë me diturinë e fenë, të cilat nënkuptojnë urtësinë dhe mençurinë. Kjo është vetë rruga e drejtë, stabiliteti, fitorja dhe suksesi. Përderisa do të vazhdojë feja të jetë lidhur fort me sundimin duke e ndihmuar njëra-tjetrën, kanë për të ecur punët mire dhe ka për të mbizotëruar stabiliteti kudo.


Nëse ka për t’u ndarë (feja me sundimin) nga njëra-tjetra, ka për t’u dobësuar dhe ka për të qenë sistemi i mangët, ka për të humbur mbarëvajtja dhe stabiliteti, ka për t’u shfaqur përçarja, kanë për t'u larguar zemrat nga njëra-tjetra dhe njerëzit kanë për të përfunduar drejt prapambetjes. Këtë e përkrah akoma më shumë fakti që nëse evolon dituria, njohuria do të shtohet, do të shtohen shpikjet dhe ka për të qenë diçka madhështore, por megjithatë nuk ka për të ardhur ndonjë gjë e cila do të jetë në kundërshtim me atë që ndodhet në Kur'an dhe nuk ka për të qënë në mospërputhje me Sheriatin Islam. Sheriati nuk vjen me ndonjë gjë të cilën nuk e pranojnë mendjet, por vjen me diçka që mendjet e shëndosha e konsiderojnë të mrekulllueshme. Gjithashtu Sheriati nuk vjen me diçka të re të cilën nuk mund ta përfshijë mendja totalisht apo detajisht. Meqenëse pika e fundit ka rëndësi po e veçoj në shembullin e mëposhtshëm.




SHEMBULLI I NËNTËMBËDHJETË



Është e pamundur që Sheriati ynë të vijë me diçka që nuk e pranon llogjika, apo me diçka që është në kundërshtim me diturinë e saktë. Kjo është nga faktet më madhështore të cilat tregojnë bindshëm se ajo që është tek Allahu është plotësisht e qartë, e qëndrueshme dhe është e vlefshme për çdo kohë e çdo vend. Këto fjali te përzgjedhura njihen më hollësisht me anë të shqyrtimit dhe duke marrë parasysh të gjitha dukuritë e rruzullit tokësor dhe anët e ndryshme të jetesës së shoqërisë (që ndryshe quhen studime sociologjike). E më pas zbatimi i saj, nëse janë prej realiteteve të vërteta në bazë të asaj që ka ardhur në Sheriat. Si rrjedhim, prej kësaj kuptohet qartë se ai (Sheriati) është sqarues i gjithçkaje dhe s'ka lënë asgjë të vogël e të madhe pa e shkruar dhe pa e marrë parasysh.




SHEMBULLI I NJËZETË



Po të hedhësh një vështrim të përgjithshëm në pushtimet e zgjeruara të Islamit të cilat janë ndodhi të papara dhe të pazakonta, e më pas do vëresh se Islami ka qëndruar i respektuar edhe pse armiqtë e tij iu vërsulën si të tërbuar dhe patën një rezistencë të ashpër. Sidoqoftë qëndrimet e tyre me atë janë të njohura. Shiko tek vendburimi i kësaj feje, se si e afroi dhe e bashkoi Gadishullin Arabik pasi zemrat e tyre ishin të përçara dhe mbizotëronte smira dhe padrejtësia. Vështro sesi e bashkoi të largëtin me të afërtin, i asgjësoi armiqësitë që egzistonin midis tyre dhe në mes tyre vendosi vëllazërinë besimtare. Më pas ata filluan të pushtonin vendet e rruzullit tokësor, vend pas vendi, duke vendosur në plan të parë të këtyre vendeve që u pushtuan popullin persian dhe atë romak, të cilët ishin superfuqitë e asaj kohe në sundim, forcë dhe numër. Ata i pushtuan këto superfuqi pastaj dhe vendet e tjera që i vijonin ato me mirësinë e fesë së tyre, me ndihmën dhe përkrahjen e Allahut derisa arriti Islami anë e kënd tokës, në Lindje e Perëndim. Kjo u bë një nga faktet e Allahut, një nga argumentet e fesë së Tij dhe një nga mrekullitë e Pejgamberit të Tij. E kështu hynë krijesat në fenë e Allahut grupe-grupe, syçelur e me bindje të plotë drejt prehjes me qetësi e pa dhunë. Kush hedh një vështrim të përgjithshëm ka për ta ditur se kjo është e vërteta të cilën nuk mund ta fshijë e kota sado e madhe të jetë forca dhe potenciali i saj. Kjo është diçka që e thithin mendjet e shëndosha me anë të intuitës dhe nuk është aspak në dyshim një njeri i drejtë rreth saj, madje kjo është nga gjërat e domosdoshme.



Kjo është e vërteta, kurse një grup shkrimtarësh në kohët e sotme të cilët i ka shtyrë bindja e lëvizjes mendore po përkrahin armiqtë e Islamit duke pretenduar se përhapja e Islamit dhe pushtimet e hershme të tij, ndonjëherë kanë qenë të ndërtuara mbi gjëra që i përkasin botës materiale, duke nxjerrë një përfundim krejtësisht të gabuar. Ata thonë se analiza e kësaj teme kthehet tek dobësimi i shtetit romak dhe tek forca materiale që dispononin arabët. Mirëpo këtë mendim të tyre sikur të mendosh pa shqyrtuar dhe pa analizuar do ta hedhësh poshtë pa hezitim. Vallë, cila ishte ajo fuqi që i bënte të aftë arabët të përballonin shtetin më të dobët midis shteteve të vogla të asaj kohe? E aq më tepër përsa i përket shteteve të mëdha të cilat ishin të fuqishme, e aq më tepër përballimin e superfuqive më të mëdha të asaj kohe të cilat ishin në të njëjtën kohë më të afta në forcë, numër e potencial, përderisa arritën t'i copëtonin të gjithë duke i dërrmuar. Ndërsa gjykimet e atyre mbretërve tiranikë u zëvendësuan me Kur'anin dhe gjykimet e fesë së drejtë, të cilat i mirëpriti zemërhapur çdo njeri i drejtë dhe kërkues i së vërtetës.



Vallë, a mund të komentohet ky pushtim anë e mbanë tokës me potencën e arabëve në forcën materiale?



Kurrsesi jo! Këtë lloj komentimi e bën vetëm ai që synon të flasë kundra fesë Islame ose kush ka dashur të bëhet vegël e armiqve pa i njohur realitetet. Gjithashtu qëndrueshmëria e kësaj feje nëpër gjithë këto kohëra, po ashtu qëndrueshmëria e saj përballë dinakërive që kanë përdorur armiqtë e saj të cilët donin t’i jepnin fund asaj përfundimisht, nuk ka dyshim se kjo gjë është prej argumenteve të kësaj feje dhe se kjo është feja e vërtetë e Allahut. Nëse do të ekzistonte një forcë që t'i dilte krah kësaj feje, duke eleminuar padrejtësitë dhe mizoritë e tiraninë e tiranëve, atëherë nuk do të mbijetonte ndonjë fe tjetër në rruzullin tokësor veç kësaj feje. Madje do ta pranonin krijesat me zemër të hapur pa detyrim dhe pa dhunë, sepse kjo është feja e vërtetë, feja e natyrshmërisë, feja e rregullimit dhe e mirëbërjes. Por, neglizhenca e pjestarëve të kësaj feje, dobësimi i tyre, përçarja e tyre dhe izolimi që u kanë bërë armiqtë atyre, bëri që të ndërpritej ecuria e saj. Nuk ka forcë veç forcës së Allahut.




SHEMBULLI I NJËZET E NJË



(I cili është përmbledhje për gjithçka që kaloi). Feja Islame është ndërtuar mbi ideologji të sakta dhe të dobishme, mbi virtytet e larta të cilat disiplinojnë shpirtrat dhe mendjet, mbi veprat prej të cilave gëzojnë mbarëvajtje gjendjet mbi fakte bindëse në baza dhe degë…Ajo po ashtu është ndërtuar mbi luftimin e idhujtarive dhe të lidhurin e Krijuesit me krijesat. Është e ndërtuar mbi kushtimin e fesë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ajo po ashtu lufton përrallat dhe pallavrat të cilat janë në kundërshtim me ndjenjën, sensin dhe llogjikën dhe që turbullojnë mendjen. Kjo fe është ndërtuar mbi mirëbërjen e pakufishme dhe mbi largimin e çdo shkatërrimi e çdo të keqeje. Ajo është ndërtuar mbi drejtësinë dhe largimin e padrejtësisë me çdo metodë dhe mbi progresin me të gjitha llojet e përsosmërisë.



Këto fjali, nëse shtjellohen, kanë nevojë për zgjerim të gjatë, por kushdo që karakterizohet qoftë edhe nga pak njohuri, udhëzohet përsa i përket sqarimit të tyre me një shpjegim dhe qartësi të mirëfilltë i cili nuk pranon asnjë paqartësi. Këtu po i japim fund këtyre fjalëve të përzgjedhura dhe të përmbledhura. Këto përmbajnë baza dhe rregulla me anë të të cilave njihet Islami, duke filluar me përsosmërinë, madhështinë dhe mirëbërjen e vërtetë në lidhje me çdo gjë. Suksesi është tek Allahu.



Përfundoi shkrimi i këtyre fjalëve në fillim të muajit Xhadilul, në vitin 1364 H. Salavati dhe Selami i Allahut qofshin mbi Muhammedin, familjen e tij dhe shokët e tij.



Abdurr-Rrahman bin Nasir bin Sa'dij