Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Dhënësit të të gjithë mëshirës. Të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Allahut dhe salati dhe selami qofshin mbi të (Muhamedin), pas të cilit nuk do të ketë kurrë profet tjetër. E më pas:



Allahu na ka nderuar ne me bekimin më të madh duke dërguar Profetin e Tij, sal-Allahu alejhi ue sel-lem. Nëpërmjet tij, Allahu na nxori nga errësira në dritë, duke na nderuar ne me të pasi që ishim të poshtëruar, duke na bashkuar ne me të pasi që ishim ndarë. Ai na bëri neve vëllezër për hir të Allahut, duke e dashur dhe përkrahur njëri-tjetrin, dhe duke mos pasur preferencë asnjërin para tjetrit përveç se me Takua (devotshmëri), sikurse Allahu i Lartësuar thotë:



“Vërtet që tek Allahu më i ndershmi prej jush është ai që ka më shumë Takua (ai që i frikësohet më shumë Allahut).” Huxhurat, 49:13



Dhe Ai thotë, duke na favorizuar ne me këtë bekim dhe duke na rikujtuar gjendjen e mëparshme para Islamit:



“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut (Kur’anin) e mos u përçani mes veti, dhe përkujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur ju ishit armiq për njëri-tjetrin por Ai ua bashkoi zemrat tuaja, dhe ashtu, me dhuntinë e Tij, ju u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit në buzë të greminës së Zjarrit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Kështu ua bën të qartë Allahu argumentet e Veta, që ju të mund të udhëzoheni.” Ali-Imran, 3:103



Muslimanët jetonin në këtë bekim të madh dhe gëzoheshin në të gjatë kohës së Profetit, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, derisa fara e ndarjes u mboll në fillim kur Abdullah Ibn Sebe’ dhe pasuesit e tij i grumbulluan njerëzit kundra Uthmanit, radij-Allahu anhu. Sidoqoftë fara e parë e Khauarixhëve u shfaq në fillim me Dhul-Khuvejsirah et-Temimi, kur ai kundërshtoi mënyrën në të cilën Profeti, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, shpërndau plaçkën e luftës pas betejës së Hunejnit. Ai (Dhul-Khuvejsirah et-Temimi) i tha atij: “Bëhu i drejtë, o Muhamed, sepse ti nuk u tregove i drejtë.”



Ai gjithashtu tha: “Kjo është padyshim një ndarje me të cilën nuk kërkohet Fytyra e Allahut.”



Profeti, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, u përgjigj: “Kujdes! Kush do të jetë i drejtë nëse nuk jam unë. A nuk ke besim në mua kur unë jam i besuar nga Ai që është mbi qiej?”



Kur Umeri, radij-Allahu anhu, deshi ta vriste atë, ai tha: “Lëre atë. Do të vijnë nga pasardhësit e tij njerëz për të cilët ju do ta konsideroni namazin tuaj krahasuar me namazin e tyre si të pavlerë. Ata do ta lexojnë Kur’anin dhe ai nuk do t’i kalojë gurmazet e tyre. Ata do të dalin nga feja ashtu sikurse shigjeta kalon përtej prèsë së saj.”



Trazirat u ndezën më pas kundra Uthmanit, radij-Allahu anhu, pasi pasojat dhe kundërshtimi i hizbijes (grupacioneve) u shfaqën, duke hedhur fitne dhe ndarje mes njerëzve, duke e goditur Islamin mu në zemër. Nxehtësia e saj u shtua më tepër me vrasjen e Dhun-Nurejn-it1 (Uthmanit).



--------------------------------------------------------------------------------
1.Dhun-Nurejn nga ana gjuhësore do të thotë “Zotëruesi i Dy Dritave”. Uthmanit iu vu kjo nofkë për shkak se ai u martua me dy vajzat e Profetit, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, çdonjërën në kohë të ndryshme. [Sh.p.]

--------------------------------------------------------------------------------

Çështja u përkeqësua në mënyrë të rrezikshme dhe fitnet e trazirat u shtuan. Ndarja dhe mosmarrëveshjet plasën, dhe në krye të kësaj ishin sekti i Khauarixhëve. Ata e vranë Aliun dhe e konsideruan gjakun e Muslimanit të lejuar që të derdhet dhe pasurinë e tyre të lejuar që të vidhet. Ata shkaktuan terror dhe frikë mes njerëzve, duke shpallur luftë me këtë para Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Aliu luftoi kundra të keqes së tyre, paskëtaj e gjeti po atë Dhul-Khuvejsirah mes atyre që ishin vrarë nga ata (Sahabët). Ata (Khauarixhët) më pas ngritën kurthe për të vrarë shumë nga Shokët e Profetit, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, dhe ia dolën me sukses që të vrisnin Aliun, radij-Allahu anhu.



Që prej atëherë, e keqja dhe trazirat e tyre kanë vazhduar deri më sot, ndonjëherë të dukshme e herë të tjera më të përmbajtura. Ata do të vazhdojnë në këtë rrugë deri kur të shfaqet Dexhalli (aty kah fundi i kohës, Kijameti) ashtu sikurse na njoftoi për ta Profeti, sal-Allahu alejhi ue sel-lem.



Në kohët e fundit, Allahu vendosi në autoritetin e vendit tonë, gadishullit, Mbretin Abdul-Azijz, Allahu i dhëntë sukses. Me të Allahu bashkoi fraksione të ndryshme të këtij kombi pas një sërë gjeneratash të lëna në errësirë me luftëra dhe armiqësi. Në kohëra mbizotëronte injoranca dhe ngjyrimet farefisnore u shfaqën mes njerëzve. Shumë njerëz u kthyen tek Shirku dhe tek ligji i xhunglës. Kështu që Allahu caktoi për këtë prijës (Mbretin Abdul-Azijz) që ta bashkonte popullin nën flamurin e Teuhidit. Siguria dhe rehatia u përhap. Dija fetare lulëzoi dhe errësira e injorancës u shpërbë. Vëllazëria e Islamit mbizotëroi, e ngritur mbi realizimin e Teuhidit dhe mbi udhëzimin e Profetit, sal-Allahu alejhi ue sel-lem.



Gadishulli u sigurua përsëri nga përkrahësit e vatanit. Bijtë e tij ndoqën të njëjtat gjurmë, duke u kapur pas kësaj metodologjie, duke kërkuar ndihmën e Allahut dhe duke zbatuar gjykimin e Allahut në të gjitha çështjet. Kështu që siguria, qetësia dhe mirëqenia u përhapën nën sundimin e Islamit. Njerëzit e kësaj toke ishin si zemra e një personi të vetëm – sunduesi dhe të sunduarit. Të rinjtë ishin të lidhur fort me dijetarët dhe udhëheqësit e tyre. Ata dukeshin një grup i bashkuar, jo sekte të ndryshme, të bashkuar nën një metodologji, dhe jo në metodologji të ndryshme. Bashkimi i tyre ishte i fuqishëm, i pastër nga metodologjia e ekstremizmit. Kjo tregohej nga programi mësimor dhe studimet, të cilat shtinin në mend parimet e moderuara tek të cilat thërret Kur’ani dhe Suneti, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:



“Dhe ashtu Ne u bëmë juve një popull të mesëm.” Bekare, 2;143



Që do të thotë: një popull i drejtë, i zgjedhur mes popujve të tjerë. Kështu, këto toka u bënë shembulli primar i kapjes pas rrugës së mesme, rruga midis ekstremizmit dhe neglizhencës.



Megjithatë, janë shfaqur aty gjatë këtyre kohëve të fundit zëra, shkrime dhe thirrje nga disa njerëz të papërfillshëm e të vegjël që thërrasin për në paturpësinë e Hizbijes (partishmërisë). Ata filluan t’i kalbëzojnë eshtrat e këtij populli (Musliman) me ftesat e tyre larg prej bashkimit të vetëm, grupit të ndërvarur mes veti, drejt izolimit të rreptë brenda një sërë sektesh të ndryshme. Ata thërrasin për në zgjedhjen e skajeve më radikale e ekstremiste nëpërmjet metodave të zbukuruara, akoma më mashtruese, të cilat nuk të shpien gjëkundi veç në ndarjen e radhëve të këtij kombi. Ata përpiqen me mënyra nga më të ndryshmet që t’ua mbushin mendjen disave nga të rinjtë për ideologjitë e tyre rebele e revolucionare, (ideologji këto) të cilat e kanë bërë të mundur që armiqtë e Islamit të marrin pasuritë, siç është nafta, nën parullën e të drejtave të njeriut ndonjëherë, apo me thirrjen për të modernizuar dhe ndryshuar programin mësimor herë të tjera, duke pretenduar se ata janë shkaku kryesor për këtë ekstremizëm që është gjetur mes këtyre grupeve dhe individëve.



Propagandimi nga ana e tyre që kanë këto ideologji për të përhapur mashtrimin e tyre është bërë nëpërmjet një sërë metodash. Prej këtyre metodash janë këto që vijojnë:



1. Nënvlerësimi i çështjes së thirrjes për në Teuhid, duke pretenduar se Akideja në përgjithësi njihet tek pjesa më e madhe e njerëzve. Disa prej tyre thonë se është e mundur që ta kuptosh Akiden në më pak se dhjetë minuta. Madje disa kanë shkuar deri aty, saqë thonë se kjo (insistimi në thirrjen për në Teuhid dhe korrigjimi i Akides) aktualisht shkakton ndarje mes njerëzve.



2. Largimi nga dijetarët, braktisja e marrjes së dijes prej tyre dhe shtrembërimi i fjalëve të tyre, pretendimi se ata nuk arrijnë t’i kuptojnë plotësisht çështjet aktuale. Ata pretendojnë se dijetarët nuk janë të kualifikuar për zgjidhjen e problemeve që po has Umeti Islam sot dhe se ata refuzojnë që të përballen me çështjet e vërteta të tij.



3. Mbajtja e të rinjve larg prej dijes fetare të bazuar në Kur’an dhe Sunet. Ata i preokupojnë ata më të tilla gjëra, siç janë ilahitë entuziazmuese e të zjarrta (të ashtuquajtura këngë Islame) apo me çfarëdo lloj çështjeje tjetër të cilat janë përhapur këtu e aty me mënyra të ndryshme tërheqëse, qofshin ato të shkruara, video apo audio.



4. Nënvlerësimi i udhëheqësve dhe i atyre që janë në krye dhe ekspozimi në publik i gabimeve të tyre apo i atyre të cilat disa njerëz i konsiderojnë si gabime nga ana e tyre. Ata e bëjnë këtë publikisht nëpër minbere (ndërsa janë duke mbajtur ligjërata nëpër Xhamitë) dhe nëpër kanalet e dyshimta satelitore. Ata i shtrembërojnë tekstet (hyjnore) të cilat urdhërojnë bindjen ndaj udhëheqësve, kinse ata kanë për qëllim udhëheqësin i cili ka autoritetin mbi të gjithë Muslimanët e botës (dhe jo udhëheqësit e ndryshëm të çdo shteti). Ata harrojnë, ose pretendojnë se harrojnë, se të gjithë dijetarët dhe Imamët kanë rënë në pajtim (Ixhma') se kjo bindje është gjithashtu e detyrueshme gjatë kohëve kur ekzistojnë shtete të ndryshme Islame të ndara (nga njëri-tjetri). Edhe pse çdo shtet mund të ketë pasurinë e tij, me të drejtat e tij dhe obligimet e varura tek udhëheqësit përkatës. Bindja ndaj një udhëheqësi të tillë është akoma obligim, dhe revoltimi e rebelimi kundra tij është i ndaluar për sa kohë që ai i respekton të drejtat e Allahut. Ky është një pajtim (Ixhma’) mbi të cilin janë të bashkuar të gjithë dijetarët e Islamit.



5. Bashkimi i atyre që kanë këto mendime teorike të cilat thërrasin për tek idetë revolucionare të rebelimit. Ata i mbledhin të rinjtë duke i bërë lavazho (shpëlarje të) trurit të tyre nëpër tubimet private që mbahen në vendet e pushimit dhe dëfrimit. Ata përqendrohen në ndarjen e të rinjve nga dijetarët dhe udhëheqësit e tyre, dhe në vend të tyre ata i lidhin ata (të rinjtë) me personalitetet që pasojnë metodologjinë e rebelimit dhe Tekfirit (të shpallurit qafir Muslimanin).



6. Ata thërrasin për në “Xhihadin” e tyre imagjinar i cili aktualisht është shpallja e gjakut dhe pasurisë së Muslimanit të lejuar për t’u marrë. Ata nxisin shkatërrimin dhe shpërthimet dhe hedhjen në erë të pronës private, dhe e gjithë kjo duke pretenduar se toka e Muslimanëve tani është tokë luftimi, e nga kjo pikëpamje luftimi është i justifikuar. Kjo ideologji është përhapur me metoda të tilla siç janë ilahitë frymëzuese. Rreziku madje ka arritur deri në atë pikë, saqë disa të rinj po stërviten për përdorimin e të gjitha llojeve të armëve në vende të largëta e të izoluara brenda vendit, dhe në disa vende të tjera të huaja të dyshimta.



7. Qarkullimi i librave, broshurave, fletëpalosjeve dhe kasetave që thërrasin për tek kjo ideologji provokuese e radikale. Ata përkrahin bërjen e Tekfirit, e veçanërisht kundra dijetarëve dhe udhëheqësve. Ne do të përmendim disa prej librave që thërrasin tek kjo:



a) Shkrimet e Sejid Kutubit. Më të rrezikshmet nga këto libra janë ato libra të cilat bëjnë Tekfir masiv kundra pjesës më të madhe të kombeve të Muslimanëve në këtë kohë, ato të cilat shajnë Shokët e Profetit, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, e madje edhe libra të cilat shajnë Profetët. Shembuj prej tyre janë “Fij Dhilalil-Kur’an” (Nën Hijen e Kur’anit), “Kutb ue Shakhsijet” (Librat dhe Personalitetet), “el-Adaletul-Ixhtima’ijeh” (Drejtësia Sociale) dhe “Ma’alim fij Tarik” (Shenja në Rrugë).


b) Librat e Ebu Ala el-Meududit.


c) Librat e Hasan el-Benës.


d) Librat e Sejid Heuas.


e) Librat e Isam el-Itar.


f) Librat e Ebul-Fet’h el-Bejanunij.


g) Librat e Muhamed ibn Ali es-Sabuni.


h) Librat e Muhamed Hasan Hanbekeh el-Mejdani.


i) Librat e Turabit.


j) Librat e Hudhejbit.


k) Librat e Tilimsanit.


l) Librat e Ahmed Muhamed Rrashid (nofka e tij). Librat e tij më të rrezikshëm janë “el-Mesar” (Shtegu), “el-Auaik” (Pengesat), “el-Muntalik” (Pikënisja ose I Çliruari) dhe “er-Rekaik”.


m) Librat e Islam el-Beshir.


n) Librat, fletëpalosjet dhe kasetat e Muhamed Surur Zejnul-Abidijn, drejtuesi i organizatës Munteka në Londër.


o) Të tjerë libra veç këtyre që u përmendën të cilët janë përhapur gjerësisht nëpër libraritë tona dhe janë të mbushur me këto ideologji. Është detyrë për ne që ta thajmë këtë burim (të devijimit) duke paralajmëruar kundra këtyre librave, duke ndaluar qarkullimin e tyre, dhe duke kontrolluar ato shtëpi botuese e libraritë të cilat janë të lëshuara ndaj shpërndarjes së këtyre librave apo shitjes së tyre. Kur këto libra lexohen nga të rinjtë, idetë e të cilëve ende nuk janë pjekur dhe të cilët nuk kanë mbrojtje nga dija e bazuar kundra efekteve të të tillave libra, ata (libra të këtillë) e prishin logjikën dhe idetë e tyre, duke i bërë ata që t’i ndjekin fantazitë e tyre. Në këtë mënyrë, rinia është e përgatitur që të çojë përpara çfarëdo që kërkohet prej tyre, qoftë ajo edhe diçka si vetëvrasja ose vrasja e të tjerëve nga mesi i Muslimanëve apo joMuslimanëve të cilëve u është garantuar siguria. Ata i bëjnë të gjëra për të arritur një objektiv të caktuar – “Shehidllëk në rrugë të Allahut dhe triumfin e hyrjes në Xhenet.” Këta teoricienë e kanë bërë rininë që të imagjinojnë se kjo është rruga e saktë që të shpie tek ky destinacion dhe në fitoren e arritjes së kënaqësisë së Allahut. Kështu që, Tekfiri, shpërthimet, shkatërrimi masiv në tokat e Muslimanëve, dhe braktisja e metodologjisë së të Parëve tanë të Mirë (Selefus-Salih) të gjitha këto janë bërë “rruga e udhëzimit” sikurse perceptohen nga disa njerëz.



8. Një tjetër mënyrë nëpërmjet të cilës të tilla ideologji devijuese janë përhapur është me anë të shfaqjes së disa aktivistëve frymëzues nga këto grupet e Tekfirit siç është sekti “Ikhuanul-Muslimin” apo “Vëllazëria Islame” dhe të tjera grupe që kanë dalë prej tyre të cilat janë gjetur nëpër shkollat, institutet dhe universitetet tona. Ata i kanë shtrembëruar dhe i kanë transformuar shumë prej fëmijëve tanë duke mbjellë e kultivuar mes tyre ideologjinë e Tekfirit nëpërmjet ahengjeve dhe udhëtimeve dëfryese, si dhe me transmetimet fetare të ekzagjeruara dhe me ato të cilat përmbajnë gënjeshtra me nam. Këto janë disa prej metodave me anë të së cilave këta njerëz qenë të suksesshëm në shthurjen e shumë të rinjve, duke i bërë ata të pavetëdijshëm për metodologjinë e saktë, dijetarët e tyre dhe udhëheqësit e tyre. Ata ua kanë bërë atyre të vërtetën që të shfaqet sikur ajo është tek ajo në të cilën ishin ata dhe se çdokush tjetër ishte në hiçgjë (nga udhëzimi). Neglizhenca për të kuptuar këto metoda të cilat i përdorin ata, e ka lejuar këtë ideologji të huaj që të përhapet në Fenë dhe popullin tonë.



Tani shtrohet pyetja: Si do ta mbrojmë rininë tonë nga kjo?



Që të ruhesh nga të tilla ideologji tekfirse, ne duhet që të ndjekim individualisht dhe bashkërisht hapat që vijojnë:



1. Thirrja e rinisë që të kapen pas Kur’anit dhe Sunetit dhe t’u drejtohen atyre të dyjave në të gjitha rrethanat. Allahu i Lartësuar thotë:



“Dhe kapuni që të gjithë ju së bashku tek litari i Allahut (Kur’ani) e mos u ndani mes veti.” Ali-Imran, 3:103



Dhe Ai thotë:



“Dhe nëse keni mosmarrëveshje në diçka, gjykimi i saj është tek Allahu.” Shura, 42:10



Kështu që drejtimi kah Libri i Allahut dhe kapja pas tij është mbrojtja dhe themeli nëpërmjet të cilit Allahu të ruan nga rënia në shkatërrim.



2. Ne duhet të sigurohemi që ta kuptojmë Kur’anin dhe Sunetin sipas metodologjisë së të Parëve tanë të Mirë (Selefus-Salih). Kjo nuk ka për t’u arritur në qoftë se Muslimanët nuk e kërkojnë të kuptuarit e tillë nga dijetarët e sinqertë e të ditur, të cilët me Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, i refuzojnë shtrembërimet e ekstremistëve, pretendimet e kota të mohuesve, dhe keqinterpretimet e injorantëve. Allahu Azze ue Xhel ka thënë:



“Pyetini njerëzit e Dhikrit (njerëzit e Kur’anit, Dijetarët), nëse jeni që nuk dini.” Enbija, 21:7



Dhe Ai thotë:



“Dhe nëse u vjen atyre ndonjë çështje qetësuese ose shqetësuese, ata (menjëherë) e përhapin atë. Sikur ata t’ia kishin parashtruar atë të Dërguarit dhe atyre që janë përgjegjës për ta, ata do të dinin të nxirrnin përfundime.” Nisa, 4:83



Terroristët janë ata të cilët përhapin prishje në tokë, të cilët pasojnë disa fetva të dhëna pa dije. Ata janë ata të cilët i largohen dëgjimit të dijetarëve kryesorë të kombit, duke i përshkruar ata me karakteristika të këqija të cilat më së miri u shkojnë për shtat vetë këtyre terroristëve. Kështu që nëse kthehet tek trashëgimtarët e profetësisë (dijetarët e mëdhenj), ata të cilët janë të vendosur fuqishëm në dije, atëherë kjo do të jetë mburoja e tyre, nëse dëshiron Allahu, kundra këtyre terroristëve të cilët flasin lart e poshtë për gjëra rreth të cilave ata nuk kanë aspak dije, duke përhapur zëra të rreme. Ata pretendojnë se nuk ka asnjë vend tjetër për rininë që të kthehen e t’i lidhen vetët e tyre (si pikë referimi).



3. Ne gjithashtu duhet të qëndrojmë larg prej vendeve të Fitneve të tilla për të mënjanuar efektet e tyre të këqija. Allahu i Lartësuar thotë:



“Dhe frikësojuni Fitnes e cila nuk i godet vetëm ata që bëjnë padrejtësi mes jush (por përkundrazi, mund ta godasë çdokënd).” Enfal, 8:25



Kjo bëhet duke marrë iniciativën për të bërë vepra të mira me të cilat robërit e Allahut i mbrojnë vetët e tyre nga kjo Fitne. I Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Merreni iniciativën për të bërë vepra të mira para se Fitneja të përhapet si copat e një nate të errët. Për shkak të saj, njeriu do të ngryset besimtar natën dhe do të gdhihet mosbesimtar në mëngjes, ose do të gdhihet besimtar në mëngjes e do të ngryset mosbesimtar në mbrëmje. Ai do ta shesë fenë e tij për një copë të vogël të kësaj dynjaje.” [Musned, Imam Ahmed]



Dhe Ebu Hurejreh, radij-Allahu anhu, ka thënë se i Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Do të vijë një Fitne gjatë së cilës ai që ulet do të jetë më mirë se ai që është në këmbë, dhe ai që rri në këmbë do të jetë më mirë se ai që ecën, dhe ai që ecën do të jetë më mirë se ai që vrapon. Kushdo që ia ekspozon asaj veten e tij, do të pushtohet prej saj. Kushdo që gjen një strehim apo ndonjë vend, le të strehohet në të për t’u mbrojtur.” [el-Bukharij dhe Muslim]



4. Ne duhet të bëjmë përpjekje në adhurimin e Allahut dhe duhet të përpiqemi që të qëndrojmë gjithmonë të ndërgjegjshëm plot frikë ndaj Tij, Azze ue Xhel, duke patur Takua. Kjo bëhet duke zbatuar ato çka Ai na ka urdhëruar dhe duke qëndruar larg prej atyre që Ai na ka ndaluar. Kjo është rruga e suksesit nga çdo vështirësi, sikurse thotë Allahu:



“Dhe kushdo që i frikësohet Allahut, Ai ia bën të lehta çështjet atij.” Talak, 65:4



Dhe Ai, i Lartësuari, thotë:



“Dhe kushdo që i frikësohet Allahut, Ai do t’i bëjë atij një rrugë për të dalë (nga çdo vështirësi).” Talak, 65:2



Kështu që pasja e frikës (Takua) ndaj Allahut, të qëndruarit fuqishëm tek Ligji i Tij, dhe kryerja e veprave të cilat e kënaqin Atë, (kjo) është rruga për arritjen e çdo suksesi dhe ngadhënjimi në të dyja jetët (në Dunja dhe në Ahiret).



5. Duhet t’i japim fund kryerjes së gjynaheve haptazi mes nesh, gjë e cila është mjaft e përhapur mes nesh, sepse çdo Fitne, Sherr (e keqe), apo mosmarrëveshje që i godet Muslimanët veçse vijnë si pasojë e gjynaheve që janë përhapur mes njerëzve dhe mosbindjes ndaj Allahut. Çfarëdo fatkeqësie që bie mbi ta është vetëm si pasojë e asaj që ata vetë e kanë merituar, sikurse thotë Allahu:


“E kur juve ju goditi një fatkeqësi, edhe pse ju e kishit goditur dyfish armikun tuaj, thatë: “Prej nga na erdhi kjo?” Thuaju: Ajo është nga vetë ju (për shkak të veprave tuaja të këqija)!” Ali-Imran, 3:165



Dhe Ai thotë:



“Janë shfaqur shkatërrime në tokë e në det për shkak të atyre që kanë fituar duart e njerëzve (prej gjynaheve dhe veprave të këqija).” Rum, 30:41



6. Duhet të bashkohemi të gjithë tek Xhemati i Muslimanëve dhe prijësit e tyre, dhe duhet ta përforcojmë të kuptuarin se është obligim bindja në të mirë ndaj prijësve. Allahu thotë:



“O ju që besoni, binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit, dhe atyre që janë prijësit nga ju.” Nisa, 4:59



I Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, gjithashtu ka thënë: “Vërtet Allahu kënaqet me ju për tri gjëra dhe hidhërohet me tri gjëra (të tjera): Ai është i kënaqur me ju që ta adhuroni Atë pa i bërë Shirk Atij; që të kapeni të gjithë së bashku tek litari i Allahut dhe të mos ndaheni në grupe, dhe që ju ta këshilloni (me këshillë të sinqertë) çdokënd që Allahu do ta vendosë përgjegjës të çështjeve tuaja.” [Muslimi dhe Ahmedi]



Ai, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, gjithashtu ka thënë: “Janë tri gjëra të cilat zemra e Muslimanit nuk do t’i urrejë ato kurrë: që ta bëjë një vepër me sinqeritet për hir të Allahut; t’u japë këshillë të sinqertë prijësve, dhe ngjitja/kapja pas Xhematit të Muslimanëve.” [Ibn Maxheh dhe Ahmedi]



Ai, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kushdo që sheh diçka tek prijësi i tij të cilën ai e urren, le të bëjë durim, sepse vërtet ai që ndahet nga Xhemati qoftë edhe një pëllëmbë dhe pastaj vdes, nuk ka vdekur ai veç me një vdekje të Xhahilijetit (periudhës para-Islamike).” [el-Bukharij]



El-Bukharij gjithashtu ka shënuar në koleksionin e tij të haditheve të vërteta një hadith të gjatë nga Hudhejfeh, radij-Allahu anhu, në të cilin ai e pyet Profetin, sal-Allahu alejhi ue sel-lem: “Çfarë më këshillon ti që të bëj nëse ajo (Fitneja) mbërrin tek mua?” Ai, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, u përgjigj: “Kapu pas Xhematit të Muslimanëve dhe Prijësit të tyre.” Unë (Hudhejfeh) e pyeta më tej: “Po nëse ata nuk kanë as Xhemat e as Prijës?” Ai, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, tha: “Atëherë qëndro larg prej të gjitha atyre sekteve edhe nëse të duhet të kapesh me dhëmbë në trungun e një peme derisa vdekja të vijë tek ty ndërkohë që ti je në atë gjendje.” [el-Bukharij]



7. Të kërkuarit e ndihmës duke qëndruar i duruar gjatë kohëve të vështirësive. Durimi e fshin Fitnen, sikurse thotë Allahu:



“O ju që besoni, kërkoni ndihmë me durim e me namaz. Me të vërtetë Allahu është me durimtarët.” Bekare, 2:153



Dhe Ai, i Lartësuari, thotë:



“Dhe bëj durim ndaj çdo gjëje që mund të bjerë ty.” Llukman, 31:17



I Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Çështja e besimtarit është e habitshme – të gjitha çështjet e tija janë khajr për të. Nëse atij i vjen ndonjë e mirë, ai është falënderues (ndaj Allahut ) dhe kjo është khajr për të. Dhe nëse ndonjë vështirësi i bie atij, ai bën durim, dhe kjo është khajr për të. Nuk ndodh kështu veçse me Besimtarin.” [Muslimi]



8. Duhet t’i zgjidhim çështjet tona me tolerancë dhe me butësi dhe nuk duhet të ngutemi kur gjykojmë dhe japim vendime fetare. Ne duhet të përmbahemi nga emocionet dhe zemërimi – të gjitha këto cilësi janë karakteristikat e Profetëve dhe të Dërguarve dhe atyre që i pasuan ata. Allahu i Lartësuar ka thënë:



“Vërtet që Ibrahimi ishte shumë i butë, që lutej me përulësi, dhe që pendohej.” Hud, 11:75



I Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, i tha Ashaxh Beni Abdul-Kajsit: “Tek ty janë dy cilësi të cilat i do Allahu dhe i Dërguari i Tij: toleranca dhe butësia.” [Muslimi]



9. Duhet që t’i zbukurojmë vetët tona me qetësi, edukatë të mirë mes nesh dhe me butësi kur t’i zgjidhim problemet tona. I Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nuk gjendet butësia në diçka e ajo vetëm se e zbukuron atë dhe nuk hiqet ajo nga diçka e të mos e shpërfytyrojë atë.” [Muslimi]



Dhe ai, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, gjithashtu ka thënë: “Vërtet Allahu e do butësinë dhe qetësinë në të gjitha çështjet.”



10. Duhet ta kuptojmë në tërësi çfarëdo çështje të cilën e hasim ashtu sikurse ato janë në realitet, t’i kuptojmë e të jemi në dijeni rreth tyre dhe të hetojmë thellë mbi shkaqet e tyre rrënjësore. Duhet t’i kushtojmë kësaj rëndësi të madhe, sepse çdo gjykim që jepet për një çështje mbi të gjitha varet në faktin se si është kuptuar ajo çështje pikë së pari. Kështu që një Musliman nuk duhet të gënjehet vetëm nga pamja e jashtme e ndonjë çështjeje, porse është e domosdoshme për çdo besimtar që të tregohet i kujdesshëm ndaj çdo gjëje që ndodh përreth tij e të mos mashtrohet nga përshtypja e parë. Megjithatë, kjo duhet bërë nëpërmjet konfirmimit të dëshmive dhe duke mos e braktisur metodologjinë e vërtetë. Nuk duhet nxituar në dhënien e vendimeve dhe gjykimeve, dhe çështjet fetare nuk bën të hetohen pa pasur themelet në dije, sikurse thotë Allahu:



“Dhe mos e ndiq atë për të cilën ti nuk ke dije. Padyshim, dëgjimi, shikimi dhe zemra - çdonjëra prej këtyre do të merret në pyetje.” Isra, 17:36



11. Duhet ta konfirmojmë dhe verifikojmë çdo gjë që dëgjojmë, e jo thjesht t’u vëmë veshin zërave, e veçanërisht asaj që transmetohet nëpër mediat e ndryshme satelitore të dyshimta. Shpesh herë të tilla lajme përhapin konfuzion mes Muslimanëve, duke shkaktuar mes tyre mospajtim në qëllimet e tyre dhe duke e dobësuar unitetin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:



“O ju që besoni! Nëse një person i lig vjen tek ju me lajme, verifikojeni atë që të mos t’i dëmtoni njerëzit me injorancë dhe pastaj t’ju vijë keq për atë çfarë keni bërë.” Huxhurat, 49:4



Dhe Profeti, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kini kujdes nga dyshimi sepse dyshimi është fjala më mashtruese.” [el-Bukharij dhe Muslimi]



12. Duhet t’u kthehemi themeleve të Besimit dhe Fesë sonë kur t’i gjykojmë të tjerët si mosbesimtarë (Kafir), gjynahqarë (Fasik) apo Bidatçinj (Mubtedi). Ne i japim të tilla gjykime vetëm se duke u bazuar mbi parimet që gjenden në Kur’an dhe Sunet. Ne nuk japim gjykim masiv për Tekfir ndaj Muslimanëve pa e studiuar atë dhe pa dëshmi të konfirmuara për shkak të seriozitetit që ka kjo çështje. Është e ndaluar për një Musliman që ta akuzojë vëllain e tij, një person të caktuar Musliman, si mosbesimtar, edhe nëse ai bën një vepër Kufri, nëse nuk apo derisa të gjitha kushtet që zbatohen mbi të të jenë mbledhur dhe të gjitha justifikimet dhe shpjegimet të jenë hequr. Allahu Azze ue Xhel thotë:



“O ju që besoni! Kur të marshoni në rrugë të Allahut të jeni të matur (e të mos nguteni), e mos i thoni atij që ju jep selamin: “Nuk je besimtar”, duke kërkuar me këtë mirësitë e jetës së kësaj bote, se te Allahu janë begatitë e mëdha. Ashtu (mosbesimtarë) ishit edhe ju më parë, e Allahu ju dhuroi (besimin), pra kini kujdes! Allahu e di në hollësi se çfarë punoni.” Nisa, 4:94



Profeti, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, gjithashtu e ka tërhequr vërejtjen ndaj kësaj thënieje në hadithin e Ebu Dherrit, radij-Allahu anhu: “Nuk ka asnjë njeri që e akuzon tjetrin për gjynahqar apo e akuzon atë për Kufr veçse ajo kthehet prapë tek ai nëse shoku i tij nuk është i tillë.” [el-Bukarij dhe Muslimi]



Abdullah ibn Umer, radij’Allahu anhuma, ka transmetuar se i Dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kur një njeri i thotë vëllait të tij “O Kafir!”, atëherë kjo do të bjerë tek njëri nga ata të dy.” [el-Bukharij dhe Muslimi]




Dakijk el-‘Ijd thotë në lidhje me kuptimin e këtij hadithi: “Ky është një kërcënim i rëndë për atë që akuzon ndokënd prej Muslimanëve si Kafir ndërkohë që ai (personi i akuzuar) nuk është i tillë. Kjo është një çështje shumë serioze në të cilën kanë rënë shumë prej atyre që flasin dhe të tjerë të cilët i cilësojnë kot vetët e tyre me Sunetin dhe njerëzit e Hadithit. Kjo ndodh për arsye të mospajtimit të tyre në Akiden e saktë, kështu që ata janë të ashpër ndaj atyre të cilët i kundërshtojnë, duke i shpallur Kafira.”



Dijetari i famshëm i fesë Islame, Ibn Tejmijeh, e mbështeti këtë duke thënë: “Unë jam nga më të ashprit në ndalimin e atij që akuzon një person të caktuar për mosbesimtar, të poshtër apo të prishur nëse ai nuk e di me siguri se a janë vendosur mbi të të gjitha dëshmitë dhe argumentet fetare – ato dëshmi të cilat tregojnë se kushdo që i kundërshton ato është mosbesimtar, i poshtër apo gjynahqar. Dhe unë gjithashtu pohoj se Allahu mund të zgjedhë që t’i falë gjynahet e gjithë këtij Umeti (Musliman), gjynahet dhe gabimet e gjuhës dhe të veprave (gjymtyrëve).”



Këto janë disa nga çështjet të cilave çdo Musliman duhet t’u kushtojë vëmendje gjatë këtyre kohëve të trishtuara të fitneve dhe trazirave. Dhe është detyrë mbi të gjithë Muslimanët, individualisht apo kolektivisht, mbi sunduesit dhe të sunduarit, mbi dijetarët dhe studentët, që t’i konsolidojnë përpjekjet e tyre me qëllim që t’i heqim qafe këto trazira, t’i çrrënjosim ato që në origjinën e tyre nga ato kanë dalë për herë të parë, e veçanërisht problemet e sotshme të Tekfirit të cilat i kanë çuar disa Muslimanë deri në atë pikë, saqë ata e kanë pranuar gjakun dhe pasurinë e Muslimanit si të lejuar për t’u marrë. Të tillë njerëz i prishin të tjerët deri aty, saqë i bëjnë ata që të kryejnë të tilla akte shkatërrimesh e shpërthimesh. Ata e bëjnë këtë me ndihmën e organizatave të dyshimta, përhapjen e publikimeve të tyre dhe dhënien e fetvave devijuese të cilat të çojnë në të tilla incidente tragjike të shkaktuara nga njerëz me ide mediokre. Në këtë mënyrë, ata i shndërrojnë vetët e tyre në shkatërrimtarë, vrasës të Muslimanëve dhe joMuslimanëve të cilëve u është garantuar siguria. Ata e shkelin shenjtërinë e pasurisë dhe pronës së të tjerëve duke e quajtur këtë “Xhihad”. Ky është krimi i vjetër i kësaj kohe, i cili e quan diçka me emër tjetër në vend të emrit të saj të vërtetë…



Prandaj kërkohet qoftë edhe nga një Musliman i vetëm, brenda mundësive të tij, që t’i ekspozojë gënjeshtrat e tyre (terroristëve) dhe ta bëjë të ditur devijimin e tyre për të parandaluar përhapjen e sherrit dhe shkatërrimit të tyre dhe përkeqësimin e rrezikshëm të kësaj fatkeqësie. Është e ndaluar që të fshihet apo të mbulohet ndonjëri prej tyre, sepse kjo do të ishte bashkëpunim me ta në gjynahe dhe në shkeljen e kufijve (që ka vendosur Allahu), dhe Allahu ka thënë:



“Dhe bashkëpunoni në punë të mira dhe devotshmëri (Takua) dhe mos bashkëpunoni në gjynahe dhe në shkeljen e kufijve.” Maideh, 5:2



Prandaj, kushdo që i përkrah dhe i strehon ata, i mbron ata apo i pohon veprimet e tyre, atëherë ai ka pjesën e tij në vrasjen e njerëzve të pafajshëm të cilët nuk kanë bërë ndonjë krim që ta meritojnë këtë, ata nga mesi i Muslimanëve dhe joMuslimanët që jetojnë në tokat e Muslimanëve me garancinë e sigurisë. Hadithi i Profetit, sal-Allahu alejhi ue sel-lem, zbatohet tek këta përkrahës, në të cilin ai ka thënë: “Mallkimi i Allahut bie mbi këdo që përkrah një bidatçi.” [el-Bukharij]



Ne i lutemi Allahut, Bujarit, Zotit të Arshit Madhështor, me emrat e Tij të përkryer dhe me cilësitë e Tija të mrekullueshme, që t’i ruajë e t’i mbrojë Muslimanët në përgjithësi, dhe Muslimanët e kësaj toke në veçanti – fenë e tyre, qetësinë dhe sigurinë. Dhe ne i lutemi Atij që t’i udhëzojë ata Muslimanë që kanë devijuar e t’i kthejë ata në fenë e tyre me një kthim të mirë. Ne i lutemi Atij që t’i bashkojë të gjithë ata në qëllimet e tyre mbi të vërtetën.



Fjala jonë e fundit është: Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të të gjitha krijesave dhe Ai dërgoftë falje dhe paqe mbi Profetin tonë Muhamed, mbi Familjen dhe mbi Shokët e tij.




Përktheu: Alban Malaj