Ndahen çmimet kombëtare për letërsinë shqiptare. Çmimet janë dhënë nga ministria e Kulturës.

Në fjalën e tij, ministri Ylli Pango, tha se, tashmë është bërë traditë për publikun e gjerë, botuesit, njerëzit e letrave, të mblidhen së bashku në një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në fushën e librit, për të promovuar vlerat më përfaqësuese të artit të shkruar shqiptar, siç janë edicionet “Çmimet Kombëtare të Letërsisë”.

Përkujdesja ndaj librit dhe krijuesve të tij, përbën një ndër obligimet kryesore të dikasterit tonë, duke e konsideruar librin, jo vetëm një ndër vlerat themeltare të kulturës sonë, por edhe si një dukuri që reflekton stadin e emancipimit shpirtëror të shoqërisë sonë.

Po të vërejmë me kujdes ecurinë e kësaj veprimtarie përgjatë këtyre viteve, do të shohim se ky eveniment ka vlerësuar dhe promovuar emrat më të spikatur të Letërsisë Shqipe, ata që i kanë dhënë trajtën e duhur procesit letrar në vendin tonë.

Viti që sapo lamë pas, shënoi edhe një nga kulmet e editorisë shqiptare. Mbi 1500 tituj veprash letrare të botuara në gjininë e prozës, poezisë, kritikës, studimit, përkthimit etj, numri i madh i ceremonive promovuese, janë një tregues se opinioni publik dhe shoqëria shqiptare po ndërgjegjësohet dhe po priren kah vlerave më të mira e më të qëndrueshme.

Më lejoni të deklaroj se këtë vit, për herë të parë në gjithë historikun e këtyre edicioneve, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të akordojë Çmimin e Madh të Letërsisë, i cili ka për qëllim të evidentojë dhe vlerësojë atë vepër letrare e cila ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimet e Letërsisë bashkëkohore.

Sot, në këtë sallë e cila prej një viti ka regjistruar një numër të madh veprimtarish kulturore, veçanërisht në fushën e librit, do të vlerësohen më Çmime Kombëtare, shumë prej emrave më në të Letrave Shqipe, të cilët kanë qenë shumë pranë gjithësecilit prej nesh, duke ndarë së bashku mendimet, emocionet dhe atë intimitet që ka shansin të na e falë vetëm letërsia.

Përhapja e Letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të ndryshme, është një tregues konkret për atë ç’ka përfaqëson në vetvete Letërsia Shqipe, përkrah zhvillime në letërsitë evropiane dhe botërore.

Mirënjohja dhe vlerësimi për punën e jashtëzakonshme që i është dashur të përballojnë përkthyesve të letërsisë sonë në gjuhë të huaja, do të jetë e përhershme dhe e kudondodhur.

Së fundi, do të doja t’ju falënderoja të gjithë ju që jeni të pranishëm sot këtu, për të ndarë së bashku kënaqësinë e kurorëzimit të atyre veprave letrare që tashmë po lënë gjurmë në Kulturën Kombëtare, tha Pango.



Çmimet e ndara për Letërsinë
:

Për herë të parë këtë vit u akordua “Çmimi i madh i letërsisë”, i cili ju dha Shkrimtarit të madh Ismail Kadare për veprën “Darka e Gabuar”.

“Çmimi Gjergj FISHTA”. Ky çmim, do t’i jepet atij autori që me esenë e tij ka ndikuar në në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar. E fitoi Artan Fuga me vepren ‘Brirët e Dhisë”.

“Çmimi Faik KONICA”. Ky çmim do t’i jepet atij autori që me anë të studimit ose kritikës, që përgjatë një viti me veprën e tij ka ofruar zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare. E fitoi Jorgo Bulo me “Veprën e plotë të Çajupit”

“Çmimi Fan NOLI”. Ky çmim do t’i jepet atij përkthyesi shqiptar dhe të huaj, i cili përgjatë një viti ka sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe, vepra të rëndësishme nga Letërsia botërore. E fituan Pashk Gjeçi dhe Faustin Çucka per Perkthimin e ‘Faustit “ të Gëtes.

“Çmimi Petro MARKO”. Ky çmim do t’i jepet atij autori që me romanin e tij, ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se letërsia shqipe është pjesë integrale e Letërsisë evropiane. E fitoi Shkrimtari Mehmet Kraja me veprën “Selvitë e Tivarit”.

Çmimi “MIGJENI”. Ky çmim do t’i jepet atij autori debutues, i cili me krijimtarinë e tij të botuar përgjatë një viti, ka mundur të përcjellë tek lexuesi shqiptar modele të reja dhe një nivel të spikatur letrar. E fitoi Albana Shala me veprën “Papa Dixhital”.

“Çmimi Lasgush PORADECI”. Ky çmim do t’i jepet atij autori që përgjatë një viti, me veprën e tij poetike ka përcjellë te lexuesi risi dhe vlera të reja në poezinë shqipe. E fitoi Prec Zogaj me vëllimin “Gjallë unë pashë”.

Çmimi “Jusuf VRIONI”. Ky çmim do t’i jepet atij përkthyesi i cili ka dhënë një ndihmesë të ndjeshme në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhët dhe kultura të huaja. E fitoi John Hodgson.


marr nga NOA - 31 Janar 2009