OPINION

Roli i Famullisë së Tiranës në mbrojtjen e hebrenjve, gjatë Luftës së dytë Botërore
30-01-2009 / Nga Nikolin Kurti


Simpoziumi i sotem i Beratit, ne vigjilje te Dites Nderkombetare te Holokaustit, te cilen jemi duke kremtuar, ofron nje rast te jashtezakonshem per te ripare kapituj shume interesant te historise sone dhe njekohesisht për te përvetësuar vlerat humane qe kane shënuar ketë histori.
Ne kete panel kaq te pasur dhe te ndritur me studiues te nderuar, autoritete te larta qendrore dhe lokale si dhe personalitete te huaj te pranishëm, besoj qe ky eveniment nuk do te jete vetëm një kërkim “arkeologjik”, por një çelës tjetër leximi te jetës tone sot dhe ne te ardhmen.
Simpoziumi SHOAH i Beratit është vazhdim i gjurmimit te imët te historisë tone si me sytë e shqiponjës por dhe me ato te kukuvajkes. Sytë e shqiponjës na duhen për te kundruar agimet dritëplote dhe sytë e kukuvajkës për te shikuar perëndimet e ftohta dhe netët e errëta. Jubiletë ndërkombëtare te SHOAH ne Shqipëri mendoj se janë parashikuar te tilla dhe nga botekuptimi hebraiko-kristian, si moment rizgjimi dhe reflektimi te fakteve te përgjumura.
Duke guxuar te gjithë te pranishmeve t’ju prezantoj disa shembuj por duke i ftuar modestish qe shembujt e te merren dhe si te tille dhe jo e vërtete fakti ato mund te përdoren si fusha te reja kërkimi.
Ky simpozium i nderuar i Beratit te lavdishëm do na japë mundësinë dhe njëkohësisht sfidën për te demonstruar dinjitetin tone shqiptar ne tryezën e madhe te popujve qe kemi dhe ne diçka te vërtete e te madhe për to, e veçanërisht për hebrenjtë.
Famullia e Kishës Katolike të Tiranes ishte famullia me e rëndësishme e Shqipërisë për faktin se ishte pjese e institucioneve qeveritare, parlamentare, juridike, diplomatike, kulturore, ekonomike, financiare, shoqërore etj, qe priviligjon kryeqyteti i një shteti, Prej v. 1938 e deri me 1947 kjo famulli drejtohej nga famullitari dekan i saj Dom Shtjefën Kurti. Studimi i qindra e mijëra shkresave, korrespondencave, letrave, buletineve, raporteve etj, te kësaj famullie te ndodhura ne Arshivën e Shtetit janë te një rëndësie te veçante për te hulumtuar historinë e kësaj periudhe. Kjo për faktin se brenda 6-7 viteve ndodhen ndryshime dramatike si rënia e Mbretërisë se Zogut, pushtimi italian, okupimi nazist dhe ardhja ne pushtet te fitueseve te luftës II botërore, çlirimtaret e Tiranes e Shqipërisë te udhëhequr nga PKSH.
Periudhe e sipërcituar është dhe periudha e prurjeve me te mëdha te hebrenjve nga vendet fqinje, Evropa Qendrore e vise te tjera te nxehta antisemite për te gjetur strehe e mbrojtje tek shqiptaret. Sipas dr.Shaban Sinanit, ne studimin e tij, “Ne Shqipëri s’ka pasur Holokaust”, janë mbi 2264 hebrenj qe kane hyre ne vendin tone statikisht para dhe gjate luftës.
Duke asistuar dosjet e shumta te Fondit “Arqipeshkvia Durrës-Tirane, Famullia e Kishës Katolike Tirane”, ne D.P.A.SH, u besafova nga disa dokumente zyrtare ne te cilat shkruhej se disa hebrenj te ardhur ne Tirane kërkonin nëpërmjet procedurave liturgjike ndërrimin e fesë te tyre hebraike ne katolike. Natyrshëm linden plot pyetje, arsyetime, gjykime, analiza etj. te këtyre fakteve te cilat kërkonin përgjigje si p.sh: Cili ishte roli i famullisë e drejtuesit te saj Shtjefen Kurti ne ketë proces? A ishte Kisha Katolike e Tiranes pjese e ndërgjegjes dhe e solidaritetit human te popullit qe ajo i shërbente? Pse famullitari i saj Dom Shtjefën Kurti duke thyer te gjitha afatet procedurale mjaft te ngurta te konvertimit, ju hiqte pasaportën religjioze hebraike hebrenjve duke u pajisur me pasaporte katolike?
Për te gjetur një përgjigje e konkluzion te sakte le te analizojmë disa dokumente autentike te kësaj famullie. Me shkresën nr. 458/43, dt. 22.VII.1943, te Zyrës Famullitare te Kishës Katolike Tirane te firmosur nga famullitari Don Shtjefen Kurti, dejtuar Zyres Ordinariate te Arqipeshkvise Durres thuhet: “ VENKO VERAH , çifut prej Shkupi, asht përgatite ne mësimin e fesë sonë ma se miri prej Atë Pjeter Meshkalles, edhe nep sheje te mira konvikcioni. Kejo Zyre Famullitare kërkon leje me e pagzue”. Shërbyesi i asaje Zyre Ordinariate, Famullitari (Don Shtjefen Kurti). Firma.
AQSH, F.131, V. 1943, D 9, fl. 25.
Me po atë date 22. korrik 1943, me shkresën nr. 348/43, Curia Archiepiscopalis Durradiensis, i përgjigjet Zyrës Famullitare Tirane: “Mbasi kenka gatue ma se miri e po nepka sheje te mira konvikcioni, ne ditën qi t’u duket ma e përshtatshme mundeni me i dhanë Pagëzimin Shejt çifutit prej Shkupit VENKO VERAH. Vincenc Prendushi - Arqipeshkev. Poshtë kësaj letre lexojmë shënimin: “U muerr ditën 31.7.1943” dhe me poshtë “Ditën 3 gusht 1943, VENKO VERAH kje pagzue e u regjistrue ne Librin e te Pagzuemeve me numrin 138” . Te dyja shenimet firmosur Don Shtjefen Kurti. AQSH , F 131 , V. 1943 , D 9, fl.24.
Siç shihet kërkesa për leje pagëzimi nga famullia e Tiranes e miratimi nga Arqipeshkvia ne Durrës është bere brenda ditës. Siç kuptohet ka patur një interesim direkt, personal dhe dergim dorazi i çuarjes se kerekeses dhe marrjes se përgjigjes pa pritur kohen e gjate me poste. Pas 10 ditësh çdo gjë ishte përfunduar dhe VENKO VERAH ishte konvertuar ne katolik.
Gjithashtu me shkresën 324/43 , dt. 11.VI. 1943 , nga Famullia e Tiranës kërkohet miratimi: “me marre Sakramentin e Pagzimit nesër , nata e Rrrshajve , për 5 çifuten te tjerë”. AQSH , F. 131 , V.1943 , D 9 , fl. 27 .
Po kështu kemi kërkesën me shkrese nr. 565/43 , dt. 2. shtatuer 1943 , nga Famullia e Tiranes për “Zojushen Olga Nikolic, e bija e Blogota e Danica Kovacevic, lindur ne Tandi (USA) me 22 korrik 1913, ardhur ne Tirane prej Kotorrit për me u ba katolike”. AQSH, F.131, V.1943, D 9, fl.23.
Me shkresën prot. Nr. 192, dt. 19 luglio 1940, kemi Abiura te ARINETA PETERSON, te kryer ne prani te Parroco Don Stefano Kurti, e testimoni Rina Palandri, Angelica Moretti.
AQSH, F.131, V.1940, D 6, fl.8.
Me shkresën prot. Nr. 601/43 , Tirane 17.8.1943 , te Zyrës se Famullisë te Kishës Katolike - Tirane, dërguar Zyrës Ordinarjate Arqipeshkvore te Durresit ne Delbenisht, lexojmë: “zz. ABRAM FRIZ, ARMANDO ALFANDARI e RAKELE ALFANDARI, çifuten, duen me u ba katolike edhe janë përgatite ne Katekizmin Katolik. Zyra Famullitare kërkon lejen prej Asaj Zyre ordinajate Arqipeshkvnore, me muejt me i pagzue. Famullitari Don Shtjefen Kurti”. AQSH, F.131, V.1943, D 9, fl.22. Padyshim dhe për ketë kërkese miratimi ka ardhur i menjëhershëm dhe këta hebrenj janë kthyer ne katolike.
Pra siç demonstruam me lart, një nga mënyrat për te fshehur identitetin hebraik për hebrenjtë e ardhur ne Shqipëri u përdor dhe nderimi formal i fesë, nderim i cili u shërbente për te siguruar mbrojtje personale apo te familjes nga përndjekjet e forcave te Getapos. Ungjillëzimi i tyre formal është pranuar me koshience te plote nga meshtari i Famullisë se Tirane, Don Shtjefen Kurti, i cili shikonte tek kjo skeme konvertimi, urgjente për një ose disa dite, si te vetmen mundësi qe ai kishte ne dore për te kontribuar ne mbrojtjen e shpëtimin e tyre. Anashkalimi i procedurave tepër rigoroze te aplikimit ne fe katolike si: pagëzimi, krezmimi, rrëfimi, kungimi, vojimi e bekimi, te cilat duan muaj te tere, për rastin e çifuteve nga meshtari Shtjefen Kurti ishte i vetmi shans për t’u fshehur identitetin e tyre pa u kuptuar nga strukturat naziste. Don Shtjefen Kurti ishte i vetëdijshëm per keto veprime sepse ay e kishte pësuar vete kur i kërcënuar nga organizata terroriste serbe, “Crna Ruka” për ta vrare, ishte arratisur nga Novosela e Epërme e Kosovës me 31 dhjetor 1930 se bashku me familjaret e tij për ne Shqipëri. Don Shtjefen Kurti e dinte me mire nga kushdo çdo te thotë gjenocid sepse me 5 maj 1930, ai ne Gjeneve i kishte dorëzuar dokumentin “Memoire”, Eric Drymond, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes se Kombeve, mbi persekutimin fizik, moral, kulturor, arsimor e dhunim te drejtave te njeriut etj, te popullsisë shqiptare te Kosovës nga serboshovinistet e Mbretërisë se Jugosllavisë. Kjo të sjell në ish-sekretaren e jashtme amerikane Medlin Ollbrajt, e cila duke kujtuar femijerine e vet qe largohej rrugëve te Çekisë për t’i shpëtuar shfarosjes, dha atë ndihme historike shpëtuese për popullin kosovar, i cili me qindramijra eksodonte nga Kosova me 1999, për ne Shqipëri, Maqedoni, Mal Zi e gjetke. Solidariteti e suportimi i ekzigjences se hebrenjve për t’i shpëtuar gjenocidit nazist i shprehur nga Kisha Katolike nuk është ekskluzivitet i vetëm i këtij institucioni fetar. Ka fakte te besueshme, si ai i hebreut SIEGFRID SCHVARZ apo i ELIA DAVID KOHEN qe kërkuan lënien e fesë te tyre dhe u konvertuan ne myslimanë. Vlerësimi ne “Rezolutën e Mirënjohjes” qe Kongresi Amerikan miratoi me 17 nëntor 2005, ne nderim te popullit shqiptar i cili nuk lejoi prekjen e hebrenjve gjate luftës se Dytë Botërore thuhet se: “kongresmenet amerikane morën ketë nisme duke vlerësuar qe myslimanët dhe te krishtere shqiptare e konsideronin çeshtje te brendshme nderi mbrojtjen e hebrenjve nga holokausti, ku për fshehjen e identitetit te hebrenjve ndihmuan pozitivisht e me merite dhe kleri e faltoret”.
Duke përfunduar me lejoni t’ju rrëfej një fabul te mençur te popullit te madh te Izraelit.
Një rabin, sipas traditës hebraike shkonte ne pyll dhe ndizte një zjarr dhe lutej sa here popullit te tij i kërcënohej ndonjë fatkeqësi. Si arrinte ne vendin e caktuar, ndizte zjarrin, lutej dhe fatkeqësia largohej. Me vone nje nxënës i këtij rabini shkoi ne te njëjtin vend te lutej: “Moisi me dëgjo, unë nuk di te ndez zjarr, di vetëm te lutem” e fatkeqësia u largua. Me vone një rabin tjetër shkoi ne te njëjtin vend dhe tha “nuk di te ndez zjarr, nuk di te lutem, di ketë vend te caktuar e kjo mjafton. Me vone një rabin tjetër qe i takoi për te shpëtuar popullin e tij nga e keqja, ndenjur ne shtëpinë e tij, me koke përkulur i lutej Zotit: “Unë s’di te ndez zjarr, as te lutem, s’me kujtohet vendi ne pyll, por me kujtohet vetëm ngjarja e kjo mjafton”, përfundon tregimin nobelisti i madh Eli Winsel.
Unë jam sot këtu ne Beratin e Shenjte jo për te ndezur zjarrin, jo për t’u lutur por për te rrëfyer një ngjarje kulmore te historisë se popullit tone qe e kemi dëgjuar, studiuar e zbatuar, ngjarje e cila shpëtoi nga fatkeqësia e mëkatit popullin shqiptar si i vetmi popull qe i ruajti, i ndihmoi e i shpëtoi hebrenjtë ne token tone.
Duke e mbyllur me lejoni te pohoj se institucionet fetare ne Shqipëri dhe predikuesit e tyre si pjese e fatit dhe ndërgjegjes se popullit te tij, me qëndrimin e veprimet e tyre nderuan veten dhe bashkësinë shqiptare nga ato kishin dale për ta pohuar e ripohuar se bashku traditën shekullore se: “Populli shqiptar kurrë nuk i ka shkaktuar dhimbje e trishtim asjë populli tjetër”.

Fjala e mbajtur në simpoziumin e mbajtur në Berat, 25 janarin e shkuar, me rastin e ditës së Shoas. Kumtesa është publikuar edhe në librin shqip/anglisht "Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës - studime dhe dokumente”, publikim i mundësuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe konsullata e Nderit e Izraelit ne Shqiperi.

...

55