Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    “Ëndrra komuniste” e Cen Tabakut, psikoanalizë e Diktaturës

    -Del në dritën e botimit “Ëndrra komuniste” e Hysen Tabakut, një prurje e rrallë në zhanrin e romanit epope, një e vërtetë ekskluzive e mërguar bashkë me shqiptarët e arratisur për t’i shpëtuar diktaturës komuniste. “Ëndrra komuniste” vjen si një vepër me një stil të çuditshëm letrar, sa të rrjedhshëm, e bruto në dukje, aq Orwell-ian e misterioz në thelb


    ****


    Romani “Ëndrra komuniste” i Cen (Hysen) Tabakut del në dritën e botimit, pikërisht në kohën kur shoqëria shqiptare post komuniste është ende plot me gërmadha të totalitarizmit. Ky roman vjen në çastin kur pirgje, pako e tufa me libra të dyshimtë historik, biografik e letrar, janë bërë modë, të cilat sillen sikur demaskojnë komunizmin, por përherë e me tepër eklipsojnë të vërtetën. Një pjesë e rëndësishme e kësaj të vërtete zbulohet në roman prej këndvështrimit psiko-analitik të procesit të ëndërrimit të njeriut komunist nga autori. Ai i vë heronjtë e tij përballë procesit hetimor të Sigurimit të Shtetit e në lojën e një spiunazhi totalitar që ekziston brenda rrethit familjar e shoqëror.

    Ëndrra komuniste e Cen Tabakut në rrafshin e rrëfimit mund të trazojë nga befasira të vrazhdëta. Dhimbja që ndjen do të ketë më shumë forcë shprehëse, më shumë dritë të vërtete në kohën kur kriticizmi i shkrimtarëve, i intelektualëve, artistëve dhe mentarëve nuk përfillet ende nga politika. Në kohën kur udhëheqësit e shtetit me tepri janë “bebet” e komunizmit që iu nënshtruan që në bankat e shkollës eksperimentimit për t’u bërë Njeriu i Ri. Sigurisht këto janë tema të trajtuara me shumicë në letërsinë shqipe të pasdiktaturës, por çdo gjë që sillet në procesin kompozicional të këtij romani është e përpiktë dhe e pastër. Është taman si një orë e kurdisur për ta çuar kohën e rrëfimit me saktësi deri në fund në një gjendje nostalgjie dhe qetësie. Pikërisht këtu fillon grotesku. Një grumbull njerëzish, që ruajnë fort marrëdhëniet e tyre patriarkale dhe privilegjet nga pushteti si familje dëshmorësh ose veteranësh të luftës, kanë humbur tashmë jo vetëm aftësinë, por edhe kënaqësinë e të menduarit ndryshe. Romani e ka një kumt: Vizioni i utopisë negative i mbarsur me ëndrra komuniste, është sa barbar aq edhe histerik e mandej bëhet patologjik vite më vonë. Të udhëhequr nga vizioni, shqiptarët nisin kalvarin dantesk të mundimeve. Krijohen kampe të mëdhaja me të burgosur politikë që torturohen në kantiere ndërtimi. Disa arratisen duke lënë peng edhe jetën e tyre, vetëm që t’i shpëtojnë përndjekjes. Prej ngjarjeve në roman, vë re se si në shtete të ndryshme të botës kapitaliste, përfshi dhe SHBA, krijohen kampe dhe geto emigrantësh nga vendet e Lindjes. Autori e ka ngjizur fabulën e tij në familjet që kanë qenë fillimisht të privilegjura nga Partia, Diktatori dhe udhëheqësit e saj komunistë. Ngjarja përfundon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të populluar nga shqiptarët e arratisur nga vendi i tyre famëkeq.

    Autori ka zhbiruar lojën intelektuale tek personazhi i tij Arbeni, një i ri që është pak ndryshe. Ai dyshon dhe nuk beson në atë që ndodh. Por është edhe naiv, aq sa për të kuptuar nëpërmjet tij naivitetin e një populli fatkeq. Kjo i jep më tepër veçanti e universalizëm romanit.

    Subjekti i romanit është futurologjik. Nuk është formalist. Në roman nuk ka asnjë emër udhëheqësi, persekutori ose të njëshit të diktaturës. Shfaqet para syve tanë si në filmat bardhë e zi koha kur në Shqipëri ka triumfuar komunizmi që u shoqërua me bastisjen e pronave, kulteve dhe institucioneve shtetërore, me zhdukjen e çdo biznesi dhe zejtarie, dhe solli mjerimin dhe varfërinë. Personazhi kryesor quhet Arben Omani, ai ka ende aftësinë e të menduarit dhe të të ndjerit. Ndryshe është nëna e tij Nedo, një komuniste e betuar e cila ka humbur çdo kënaqësi të të jetuarit dhe më tepër ia ka ënda vetizolimin, të cilin e konsideron si një virtyt. Ajo e ndjen se nuk i përket më vetes së saj, çdo dështim, arritje, fitore, lumturi e virtyt frymëzoheshin nga udhëheqja e ishin rrjedhin prej saj. Në këtë roman do të kuptojmë se ngaqë komunizmi sundoi gjatë në Shqipëri, për fat të keq mori me tepricë fizionomi shqiptare. Ende nuk janë bërë studime të sakta dhe shkencore për pasojat e tij, psikologjike, ekonomike dhe shëndetësore, pasojat e krimit mbi vlerat e kulturës etnike dhe kombëtare. Romani “Ëndrra komuniste” zbulon shumë më tepër. Të vërtetat ende manipulohen, edhe pse për fat të keq komunizmi nuk është vetëm shqiptar, por edhe mbarëbotëror. Cen Tabaku e ka zbuluar këtë ëndërr në proces dhe metamorfozë të një personazhi që përfaqëson rininë e indoktrinuar.



    Pse titullohet romani “Ëndrra komuniste”


    Pse është titulluar ky roman “Ëndrra komuniste”. Autori të lë të kuptosh se është sëmundje, ose ves i njerëzimit që të miklohet nga ëndërrat e bukura, kryesisht nga ato që shihen me sy hapur, por ëndrrat e gjumit, sidomos ato të vrazhdëtat përpiqet t’i dëbojë me shpejtësi nga kujtesa. Arbeni personazhi kryesor ka parë një ëndërr që ua tregon njerëzve më të dashur; sikur portretet e udhëheqësve binin një nga një në shesh. Kaq mjafton që ai të trajtohet si armik i popullit dhe më vonë ta burgosin pa arsye. Përveç groteskut me ëndrrën e Arbenit që i tmerron të gjithë, titulli i romanit mbart edhe një kuptim simbolik. Në roman ëndrra komuniste nuk serviret për t’u dashur si e tillë, por për t’u urryer në thelbin e saj. Nga ana tjetër shkrimtari mban një qëndrim pacifist, duke i dashur dhe ndjerë mëshirë e keqardhje jo vetëm për viktimat, por edhe shkaktarët e viktimizimit. Megjithatë të vërtetat në roman i dalin ndoresh autorit, ato të bëjnë ta urresh me gjithë shpirt totalitarizmin dhe të gjitha çmenduritë kolektive të këtij lloji dhe të ndjesh neveri për qenien njerëzore të të maturuar dhe indoktrinuar në këtë lloj sistemi shoqëror. Romani ka efekte të fuqishme. “Ëndrra komuniste” vjen si një vepër me një stil të çuditshëm letrar, sa të rrjedhshëm, e bruto në dukje, aq Owrell-ian e misterioz në thelb. Cen Tabaku i sjell lexuesit shqiptar, e atij ndërkombëtar pikërisht librin e munguar: të munguar në llojin e veprës epope. Shkurt “Ëndrra komuniste” është një vepër epope e llojit të rrallë. Koha do të vendos çmime të tjera mbi këtë libër, por sot për sot brendia e tij hedh dritë të qartë mbi disa mistere të aktualizimit të diktaturës komuniste për 50 vjet në Shqipëri. Vlerën, kësaj vepre, ia ka shtuar edhe qëndrimi i autorit në gjysmën e kohës së sundimit të pushtetit të diktaturës së saj jashtë Shqipërisë, i arratisur në SHBA 32 vjet më parë. Pra Cen Tabaku është më i besueshmi, sepse nuk ka rënë nën hipnozë, siç u ka ndodhur shumicës së shqiptarëve që jetuan, pranuan, lejuan, diktuan dhe e pësuan nga kjo diktaturë nga më të egrat në botë.



    Romani epope


    Romanet epope që përfaqësojnë epokën e diktaturës, janë relativisht pak në krahasim me ngjarjet që kanë kushtëzuar fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dëshmitarë realë që kanë përjetuar ferrin e burgjeve komuniste dhe kanë pasur të njëjtën përvojë si At Zef Pëllumbi, Maks Velo, Henrik Gjoka, Visar Zhiti, kanë sjellë përkatësisht veprat “Rrno për me tregue”, “Kohë antishenjë”, “Metmorfoza e një brezi të humbur”, “Ferri i çarë”. Pas diktaturës ata kanë krijuar një lulesë në zhanrin e romanit epope, e vërteta e të cilave u kundëvihet në mënyrë absolute romaneve të epopesë së realizmit socialist. Tashmë lulesës së këtij zhanri të një romanit epope i shtohet në gjuhën shqipe vepra e Cen Tabakut e titulluar “Ëndrra komuniste”. Ky është një roman vëllimor, por elegant dhe i hollë në prurje, i ndryshëm nga të gjitha veprat e sipërpërmendura. Sigurisht që këta autorë janë edhe më të mirët. Cen Tabaku prezantohet, pas kaq vitesh arratisje nga Shqipëria, i ndryshëm për risinë dhe thurrjen e fabulës. Romanet e deritanishme kanë trajtuar vuajtjen, ndëshkimet, mizoritë e ferrit komunist, me qartësi e tejpashmëri, me dhimbje dhe përvojë urrejtjeje e neverie që buron nga kjo dhimbje. Kur ne kemi dy të tretat Shqipëri jashtë kufijve, një pjesë e madhe e së cilës është larguar nga pasojat e komunizmit dhe dimë pak për ata shqiptarë: shkrimtari Cen Tabaku rrëfen shumë më tepër. Romani i Cen Tabakut trajton në një këndëvështrim tjetër atë që ka ndodhur, eskluzivisht ndryshe. Mirë se vuajtëm e duruam, e po vuajmë akoma pasojat, po cila qe, ku, kur fillloi ajo ëndërr e marrë që solli këtë çmenduri kolektive në Shqipëri, që shkatërroi një popull, aq sa ende për 20 vjet liri nuk e ka marrë veten.



    II.


    Kush është Hysen Tabaku


    Hysen (Cen) Tabaku vjen nga një familje tregëtare durrësake me origjinë tiranase. I ati Ramazan Tabaku ka qenë një nga kontribuesit më të më të mëdhenj në forimin e Çetës së Pezës. Ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Çlirimtar dhe ndihmoi pa përtim çetën partizane deri ditën kur i vëllai i tij Abdulla Tabaku u kap nga forcat gjermane duke transportuar municion luftarak dhe u internua në Mathauzen të Gjermanisë, ku u vra si dëshmor për çlirimin e atdheut kundër nazi-fashistëve.

    Çlirimi e gjeti babain e tij në punëra të ndryshme shtetërore për organizimin e shtetit në fushën e tregëtisë. Vala komuniste bëri një spastrim të shumë elementeve pjesëmarrës të sistemit në fuqi. Ajo valë përfshiu dhe babain e Hysen Tabakut, i cili u dënua në gjyqin famëkeq të grupit të deputetëve të shpallur si armiq të diktaturës. Abdulla Tabaku u dënua në fillim me pushkatim, pastaj ia kthyen dënimin në burgim të përjetshëm. Me arrestimin e babait të tij, familja e Cen Tabakut filloi të përndiqej politikisht duke marrë një të tatëpjetë të dhimbshme. Persekutimi, vuajtja fizike dhe shpirtërore nuk mbaruan deri në ardhjen e demokracisë. Si rezultat i këtyre raplezaljeve humbi të drejtat civile e gjithë familja e Cen Tabakut. Sistemi komunist i mori kësaj familjeje 109 vjet jetë nëpër burgje dhe internime dhe prapë ai thotë: Forgive but never forget! (Fal por kurrë mos harro!)



    III.


    Rrëfim i autorit


    -Epilogu


    Me anë të këtij epilogu dua të falenderoj miqtë dhe të afërmit e mi për mbështetjen morale dhe kurajon pa rezervë që kanë dhënë duke më shtyrë të shpreh dëshirat dhe mendimet që kanë qenë grumbulluar prej shumë vitesh. Romani trajton probleme shoqërore që i përkasin një periudhe pesëdhjetëvjeçare, atëherë kur Tiranë kishte një popullsi të vogël dhe njerëzit njihnin njëri tjetrin me rrënjë dhe me degë. Duke parë zhvillimin që ka marrë kryeqyteti ynë, jam përpjekur që të sjellë një pjesë të jetës së përditshme të asaj kohe, pjesërisht me ngjarje aktuale, pjesërisht me fantazi, pjesërisht me njerëz të vërtetë dhe njerëz të krijuar nga imagjinata. Shumica e emrave në këtë roman nuk janë të vërtetë. Në rast se gjendet ndonjë ngjarje që ka lidhje me jetën e ndonjë individi, të jetë i bindur që s’kam qëllim ofendimi dhe kërkoj ndjesë për ndonjë keqkuptim.

    Një pjesë të dëshmive kryesore i kam marrë nga vëllai im shpirtëror Fiqiri Muça, të cilin e thërrasim Li.

    Liu është një njeri që ka vuajtur shpirtënisht më shumë se ne të tjerët me padrejtësitë e sistemit të kaluar komunist. Ai vazhdoi të vuajë akoma me padrejtësitë që bëhen nga grupet politike që qeverisin Shqipërinë e ditëve tona. Vendi ynë ka nevojë të zgjidh çështjet e pronave në mënyrë që të afrojë popullin nga kjo dasi artificiale e krijuar nga ligji 7501. Njerëzit e civilizuar duhet të heqin dorë nga paragjykimet, qofshin ato raciale apo krahinore.

    Shqipëria është një dhe e pandarë, nga Konispoli deri në Vermosh. Ne jemi të gjithë shqiptarë.

    Romani bën thirrje edhe për zhdukjen e paragjykimeve ideologjike mes shqiptarëve, për pajtim ndërmjet klasave. Duke marrë parasysh një shprehje angleze që dua ta përsëris këtu: Forgive but never forget! (Fal por kurrë mos harro!), ftoj lexuesit të reflektojnë në këtë mesazh kaq altruist dhe largpamës.

    Dëshiroj të falenderoj një mik jashtëzakonisht të mirë familjar për përkrahjen që më ka dhënë, me udhëzimet dhe përpjekjet për botimin e këtij romani, poetin e mrekullueshëm Ferik Ferra. Profesor Ferrik Ferra më ka drejtuar në zgjidhjen e problemeve që kanë lindur gjatë redaktimit të këtij romani. Vite më parë, e shoqja e zotit Ferra, zonja Brunilda Zavalani Ferra, është treguar jashtëzakonisht e interesuar për botimin e këtij romani, duke më dhënë nxitje të vazhdueshme që gjë unë e kam bërë me dëshirë të madhe. Falenderoj me zemër punonjësin që është marrë me shtypjen e romanit tim, zotninë Gëzim Zajmi. Pa ndihmën bujare të tij nuk do isha në gjendje të bëja me duart e mija këtë roman kaq të bukur.

    Shpresoj se duke lexuar këtë roman, do të gjeni pak nga vetja juaj.


    Sinqerisht


    Cen Tabaku
    Sui generis

  2. #2
    Ylli i mëngjesit Maska e edona
    Anëtarësuar
    26-10-2002
    Vendndodhja
    diku larg, shume larg,
    Postime
    200
    ka edhe shume per tu thene per familjen e Cen Tabakut.

    deshta vetem nje fjale te vellaut te Cenit ta potenCoj ketu ne forum, Ylli Tabakut i cili nese nuk gaboj ka qendru 24 apo 27 vjet ne burg, HYNA PA I RA BRISK FYTYRËS, E DOLA PA FLOKË

    ajo fjale edhe sot e asaj dite me ka mbet ne koke, se qka ka be nje psikopat (enver hoxha),
    ylli i mëngjesit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 159
    Postimi i Fundit: 19-03-2010, 07:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •