A t’ju tregoj me çka i përsosë Allahu virtytet dhe i lartëson gradat?

Njeriu i madh realisht,sa herë që ngjitet në horizontet e përsosurisë i zgjerohet kraharori i tij,i shtohet butësia,ua fal gabimet personale njerëzve dhe ua pranon arsyetimet për lëshimet e tyre.
Nëse atë e sulmon ndonjë mendjelehtë,ai atë e shikon nga pozita e lartë e tij,ashtu siç i shikon filozofi fëmijët të cilët lozin në rrugë,e të cilët ndoshta edhe mund ta gjuajnë me gurë.

Ky kuptim na e sqaron neve mençurinë e Hudit,paqja e Allahut qoftë mbi të,duke e dëgjuar përgjigjen e popullit të vet pasi që i thirri në njëshmërinë e Allahut,kur ata thanë:
“…Ne po të shohim mendjelehtë dhe të konsiderojmë vërtet rrenacak!Tha (Hudi):O populli im,nuk jam mendjelehtë,por unë jam i dërguar prej Zotit të botëve.Që të komunikoj shpalljet e Zotit tim dhe unë jam këshillues besnik për ju.”(El-A’rafë,66-6)

Një ditë prej ditëve, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u ligjëroi njerëzve, dhe mes të tjerash u tha:
“Njerëzit janë krijuar në grada të ndryshme:ka disa prej tyre të cilët ngadalë hidhërohen,e shpejt falin;ndërsa disa shpejt hidhërohen dhe shpejt falin kurse disa ngadalë hidhërohen dhe ngadalë falin.
Dijeni se disa prej tyre shpejt hidhërohen,e ngadalë falin.Dijeni se më i miri prej tyre është ai i cili ngadalë hidhërohet,e shpejt falë,e më i keqi prej tyre është ai i cili shpejt hidhërohet e ngadalë falë.”

“Dijeni se hidhërimi është një gacë në zemrën e njeriut.A nuk e keni vërejtur se i skuqen sytë dhe i fryhen damarët? Kush ndjen diçka të këtillë,le të ngjitet për toke.”(Transmeton Tirmidhiu)
Respektivisht le të mbetet në vendin e tij dhe le të ulet,ngase kur lëshohet pas flakës së hidhërimit prish çdo gjë pa vetëdije dhe nën shtypjen e madhe të pasioneve nuk lë vend për konsolidimin e tyre.

Një njeri i tha të Dërguarit,llavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:
“Më këshillo,por jo shumë tepër,se frikohem mos të harroj.”
I Dërguari i tha:“Mos u hidhëro.”(Transmeton Buhariu,Tirmidhiu,Taberaniu dhe të tjerë.Ky version është sipas Tirmidhiut).

Shpëtimi nga këto konflikte të ashpra është në dominimin e butësisë mbi hidhërimin dhe dominimin e faljes mbi hakmarrjen.
Nuk ka dyshim se njeriun e zemëron çdo sulm ndaj personalitetit të tij,apo ndaj atij që e do dhe kur i jepet rasti i hakmarrjes,nxiton në pagimin e të keqes me një tjetër si ajo.
Ai nuk mund të qetësohet derisa nuk e ngushton borxhliun e vet aq sa vetë ai ka përjetuar dhembje.

I Dërguari,lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“A t’ju tregoj me çka i përsosë Allahu virtytet dhe i lartëson gradat?”
Shokët thanë:“Po,o i Dërguar i Allahut.”
Tha:“Të jesh i butë ndaj atij që është arrogant ndaj teje,t’ia falësh atij që të ka bërë ndonjë padrejtësi t’i japësh atij që të ka injoruar dhe t’i mbash lidhjet me atë që të ka lënë (nuk të vjen).”

Kur’ani Famëlartë këto virtyte i konsideroi rrugë shpëtimi,e cila e shpie njeriun me nxitim në xhenetet e larta:

“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit,hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit,të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie,edhe kur janë në vështirësi,e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve.Allahu i do bamirësit.”(Ali Imran,133-134)

Zekirja Curri