Mënyrë e re për ndërrimin e valvolës në zemër

Një grup mjekësh në Nju Jork po përdorin një mënyrë të re jo-kirugjike për zevendësimin e valvolës së zemrës tek pacientët kardiakë. Deri tani nga kjo metodë kanë përfituar qindra vetë. Mjekët shpresojnë se procedura e re do të shmangë nga përdorimi mënyrën kirurgjike për zevendësimin e valvulës në zemër, që kryehet me një prerje gjatësore në kafazin e kraharorit të pacientit.

Para disa muajsh, murgesha Dugan nuk ishte në gjendje të bënte vetëm pak sepse i merrej fryma. Zemra e saj nuk funksiononte si duhej dhe kjo i shkaktonte asaj lodhje e pagjumësi.Mjekët e diagnostikuan atë me aortik stenosis, gjendje që shkakton ngushtimin e valvolës së zemrës.

Doktor Martin Leon i qëndrës mjekësore Columbia Presbiterian në Nju Jork thotë se kur valvola nuk hapet normalisht, në zemër krijohet presion. Në këto raste, pacienti nuk mbushet dot me frymë sepse trysnia ndjehet në mushkëri, të cilat akumulojnë ujë, por mund të shkaktojë edhe dhimbje në gjoks, marrje mendsh, humbje ndjenjash a rënie të fikësh.

Murgesha Dugan kishte nevojë për një valvulë të re në zemër.Por në moshën 91 vjeçare, shanset që ajo të mbetej gjallë pas një operimi ishin tepër të pakta. Gjatë operacionit kirugët hapin kafazin e kraharorit të pacintit për të vendosur valvolën. Në qëndrën Columbia Presbyterian, mjekët kishin disa muaj që merreshin me prova klinike për zëvendësimin e valvolës në zemër duke përdorur një teknikë të re, pa operacion. Në prova të tilla pacientët marrin pjesë vullnetarisht. Kështu edhe mugesha Duhan pranoi t’i nënshtrohej kësaj prove klinike për zevendësimin e valvulës në zemrën e saj.



Kjo teknikë është e ngjashme me procedurën e katheterizimit ku një tub i hollë a tel përdoret për hapjen a çbllokimin e artereve. Në këtë rast, valvola vendoset në maje të tjelit futet në arter dhe shtyhet deri në vendin e duhur, ndërsa mjekët ndjekin lëvizjen nëpërmjet imazheve të skanimit. Doktor Leon thotë se edhe këtë herë procedura doli me shumë sukses dhe murgesha Dugan iu kthye jetës normale. Mjekët ofrojnë këtë procedurë të re vetëm për njerëzit që nuk mund të përballojnë fizikisht ndërhyrjen kirugjike për zevendësimin e valvulës. Ata shpresojnë se pas provave të mjaftueshme klinike, nga kjo procedurë do të përfitojnë mbi 100 mijë pacientë të tjerë nga mbarë Shtetet e Bashkuara.





Disa barna kundër astmës, të dëmshme

Disa barna mjaft të përdorëshme për trajtimin e astmës mund të mos jenë shumë përfituese për fëmijët, thuhet në një studimi qeveritar. Por sipas studimit të agjencisë amerikane për ushqimet dhe barnat, këto ilaçe duket se nuk pakësojnë ose nuk lehtësojnë simptomat e astmës tek fëmijët, ndërkohë që shtojnë gjasat për efekte të dëmshme anësore.

Shumë studime kanë treguar se Advair, Serevent, Foradil dhe Symbicort përmirësojnë funksionimin e mushkërive dhe pakësojnë nevojën për ndërhyrje urgjente tek pacientët që vuajnë nga astma. Por kërkimet e reja kanë ngritur disa pyetje serioze lidhu me rrezikun e mundshëm të barmave kundër astmës, që pacienti i merr duke i thithur nëpërmjet paisjes. Një shqyrtim i kryer nga libraria Cochrane tregon se fëmijët që përdorin pajisjet për thijen e barnave përmirësuan funskionimin e mushkërisë por rreziku i tyre për t’u prekur nga ndonjë sulm i ashpër astmatik nuk u pakësua.

Agjencia amerikane që kujdeset për cilësinë e ushqimit dhe barnave tani po kryen hetime rreth cilësisë së këtyre ilaçeve.Para dy vjetësh, kjo agjenci i detyroi firmat farmaceutike të shtonin në etiketën e këtyre ilaçve edhe paralajmërimin mbi shtimin e mundshëm të gjasave për vdekje nga astma. Sipas një analize të re të kësaj agjencie qeveritare, fëmijët nën moshën 11 vjeç të prekur nga astma, mund të jenë veçanërisht në rrezik.

Disa ekspertë mendojnë se thithja e ilaçeve kundër astmës është e rrezikëshme, por të tjerë thonë se përfitimet janë më të mëdha, të paktën për personat në moshë të rritur. Të gjitha këto të dhëna janë duke u shqyrtuar me kujdes nga agjencia e ilaçeve, e cila deri tani nuk ka dalë me ndonjë vendim për të lejuar ose ndaluar shitjen në farmaci të ilaçeve Ilaçet Advair, Serevent, Foradil dhe Symbicort që thithen për të lehtësuar frymëmarrjen tek personat që vuajnë nga astma.



Gripi këtë vit, rezistent ndaj ilaçeve

Ekspertët amerikanë të shëndetësisë thonë se gripi këtë vit është rezistent ndaj shumë prej barnave të zakonëshme antivirusalë dhe shqetësohen se një gjendje e tillë mund të bëhet shkak për më shumë shtrime në spital e vdekje sesa më parë si pasojë e gripit. Njerëzit që preken nga gripi trajtohen zakonisht me Tamiflu. Por qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve paralajmëron se ky ilaç është treguar i paefektshëm ndaj shumë rasteve të gripit këtë vit. Ekspertët mendojnë se virusi i gripit ka pësuar një ndryshim. Ata thonë se shkaku nuk është përdorimi i tepruar i Tamiflusë, por gjithashtu nuk janë në gjendje të thonë se nga se është shkaktuar ky ndryshim. Deri tani në Shtetet e Bashkuara, nuk janë vënë re raste të rënda gripi. Megjithatë mjekët shqetësohen se nëse kjo prirje ndryshon dhe rastet e gripit shtohen, ata nuk kanë ndonjë ilaç të efektshëm për t’i trajtuar pacientët e tyre. E vetmja gjë që ekspertët rekomandojnë në këtë situatë është që njerëzit të vaksinohen kundër gripit dhe të lajnë duart rregullisht për të mbrojtur veten nga infeksioni.