Mbahet Konferenca e parë shqiptare për luftën kundër kancerit në qafën e mitrës
Tiranë, 19 janar 16:56 NOA - Në javën evropiane të luftës kundër kancerit të qafës së mitrës, sapo ka hyrë në treg vaksina e parë kundër kancerit të qafës së mitrës, e cila zhvillohet në tre faza.
Momenti aktual (zero), pas një muaji dhe pas 6 muajsh. Një sasi dozash, firma GlaksoSmithKline në bashkëpunim me MSH, do t’i shpërndajë falas një grupi të përzgjedhur femrash në nevojë.
Specialistët vlerësojnë se dalja e vaksinës për mbrojtjen nga kjo sëmundje, krijon mundësi shumë të fuqishme për të shpëtuar jetët e femrave. Parandalimi nëpërmjet vaksinimit dhe kryerjes së depistimeve (PAP testit) periodike, reduktojnë riskun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës deri në 94 %.
Në strategjinë e re të vaksinimit në Shqipëri, është parashikuar që pas pak vitesh, të merret seriozisht në konsideratë përfshirja e vaksinës së re HPV (virusit të papilomës humane), në programin kombëtar të vaksinimit.
***
Me rastin e Javës Evropiane të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, u mbajt konferenca e parë në Shqipëri, për luftën kundër kancerit të qafës së mitrës.
E organizuar nga Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe me mbështetje financiare të firmës farmaceutike GlaxoSmithKline, kjo konferencë kishte për qëllim sensibilizimin e grave shqiptare në luftën kundër kësaj sëmundje vdekjeprurëse.
Ministrja Godo vlerësoi se Java Evropiane e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, parashtron për Ministrinë e Shëndetësisë, si objektiv primar, forcimin e punës për ndërgjegjësimin tek të tërë grupet e shoqërisë shqiptare, lidhur me këtë sëmundje, si edhe me mundësitë e mëdha që ekzistojnë për parandalimin e saj.
Parandalimi
Ministrja e shëndetësisë, znj.Godo tha në këtë konferencë se rruga jonë e progresit është parandalimi.
Ajo veçoi këtu: “Ngritja dhe përmirësimi i programeve efektive të parandalimit të kancerit cervical, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian, për depistimin e kancerit cervical.
Nxitja dhe përfitimi nga shkëmbimi i praktikave më të mira midis vendeve të Evropës, në mënyrë që, të gjithë të përfitojnë nga ekspertizat e niveleve të larta.
Mbështetjen e studimeve apo kërkimeve shkencore, të cilat synojnë ndriçimin e fakteve të reja, lidhur me përmirësimin e metodave të depistimit si edhe vaksinimit kundër papilomës virusale, me qëllim reduktimin në minimum të këtij lloj kanceri.
Megjithëse në Shqipëri ekziston një traditë jo e papërfillshme në fushën e kontrollit të kancerit të cerviksit, përsëri jemi në hapat e para të instalimit të një sistemi efikas të depistimit.
Ende ne kemi një nivel shumë të ulët të pap-testit, ku vetëm një përqindje e vogël e grave shprehin interes.
Sakaq, sistemi ynë shëndetësor ka mungesat e veta e duke qenë të ndërgjegjshëm për këtë, jemi sot këtu, për të shprehur gatishmërinë tonë në përmirësimin e vazhdueshëm të këtij sistemi, duke ftuar femrat shqiptare në përdorimin e shërbimeve të depistimit, në mënyrë që të rrisim presionin mbi sistemin dhe përgjegjësinë tonë, për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me cilësi kësaj kërkese.
Shifrat
Në Europë çdo vit, të paktën 500 000 femra zhvillojnë kancer të qafës së mitrës dhe 250.000, vdesin prej tij. Në mbarë botën, çdo dy minuta një grua vdes nga kanceri i qafës së mitrës
Në Shqipëri ky lloj kanceri ka një incidencë mesatare prej 4.1 për 100 000 banorë. Ai përbën 51.2% të rasteve me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror.
Vihet re një tendencë e dyfishimit të të prekurave nga kjo sëmundje pas vitit 1993. Ndërkohë që shumë problematik mbetet fakti se shumica e rasteve diagnostikohen në stade të avancuara të sëmundjes, të tretin ose të katërtin, ku rreziku për jetën është jashtëzakonisht i madh.
Reagimi
Duke parë edhe këto statistika, ministrja Godo cilësoi në fjalën e saj se aktualisht, “jemi duke punuar me partnerë brenda dhe jashtë vendit dhe, brenda pak javësh do të fillojë puna në drejtim të rritjes së kapacitetit midis profesionistëve të shëndetësisë, përmirësimit të teknologjisë mjekësore diagnostikuese, instalimit të protokolleve dhe sistemeve të referencës dhe sidomos në drejtim të ndërgjegjësimit të grave shqiptare, duke i pajisur ato me të gjitha njohuritë e nevojshme lidhur me problemin shëndetësor, praktikat e këshilluara dhe mënyrën se si mund të përdorin sistemin shëndetësor”.
Krijoni Kontakt