Kriza ekonomike detyron Financat t’u drejtohet kredive tregtare. Paratë kërkohen brenda vitit 2009 për t’u përdorur në investime
Ervin Koçi
Edhe viti që do të nisë për pak ditë do të jetë “i zi” për ekonominë shqiptare, e cila, e mbërthyer keq nga kriza globale, do të detyrohet të marrë borxhe të mëdha. Kjo gjë po përgatitet të bëhet sërish nga qeveria shqiptare, e cila është përgatitur që të aplikojë për të marrë një sasi të konsiderueshme parash në formën e kredisë tregtare nga donatorë apo banka të ndryshme të huaja. Pasi mori gjatë vitit 2008 një sasi prej rreth 300 milionë eurosh në formën e kredisë nga bankat tregtare (para borxh), pjesën më të madhe të së cilës (rreth 230 milionë euro) ajo e investoi vetëm për rrugën super të kushtueshme “Durrës-Kukës” dhe këto vetëm për segmentin “Rrëshen-Kalimash”, qeveria shqiptare, edhe borxhin që kërkon për vitin 2009, e ka “porositur” në po atë sasi. Nëpërmjet Ministrisë së Financave qeveria shqiptare ka lëshuar tashmë ofertën ndërkombëtare për kredinë, që varion nga 200 deri 250 milionë euro, dhe që u është drejtuar institucioneve financiare ndërkombëtare. Ndërkohë kujtojmë se nga sasia e parave të marra si kredi gjatë këtij viti, përveç investimit për rrugën “Durrës-Kukës”, edhe pjesa tjetër që mbeti nga sasia prej rreth 300 milionë eurosh, qeveria e investoi po në infrastrukturën rrugore, për akse të mbetura përgjysmë ose të panisura ende në jug dhe veri të vendit. Sasia e parave që do të merret gjatë vitit që po vjen (2009) do ta fusë vendin në një borxh të jashtëzakonshëm, për të cilin shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë për breza me radhë përqindjen dhe interesat e tij.
Aplikimi për kredinë
Qeveria shqiptare e ka zyrtarizuar tashmë kërkesën e saj për një borxh të konsiderueshëm gjatë vitit 2009, të cilin ua kërkon bankave tregtare të huaja. Informacioni zyrtar “kërkesë-oferta” është publikuar zyrtarisht në gjuhën angleze në ueb-sajtin (faqen elektronike) zyrtare të Ministrisë së Financave të Shqipërisë, e cila do të jetë dhe aplikuesja e ngarkuar nga qeveria për këtë kredi. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, në informacionin e publikuar lidhur me këtë ofertë zyrtare, shprehimisht thuhet: “Qeveria shqiptare, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, është duke kërkuar një ofertë për financimin për nevojat e saj të shpenzimeve kapitale për vitin 2009. Procedurat e kredisë do të përdoren në mbështetje me prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin. Në këtë drejtim ne jemi të lutur të ftojmë institucionet kryesore financiare të konsiderojnë këtë kërkesë për propozim financimi dhe të marrim oferta me shkrim, jo më vonë se 15 janari i vitit 2009. Procedurat e kredisë janë që të disbursohen tërësisht gjatë vitit 2009. Këtu përfshihen si më poshtë: 1- Prezantimi i ofertës së plotë për 200-250 milionë euro. 2- Prezantimi i eksperiencave të financimeve të ngjashme që janë bërë më parë”. Po këtë ofertë janë përcaktuar qartë edhe pikat e kontaktit të caktuara nga ministria për ofruesit. Ato janë: “Personi i kontaktit në Ministrinë e Financave është: Zoti Xhentil Demiraj, drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit të Borxhit në Ministrinë e Financave të Shqipërisë”.
Interesat e borxheve
Borxhet e mëdha dhe interesat e tyre gjithmonë në rritje që qeveria shqiptare ka marrë nga organizmat financiarë ndërkombëtarë, rrezikojnë ta “hedhin në erë” zbatimin e buxhetit të shtetit në vitin 2009. Fatura e kostos së borxhit që jo vetëm kjo qeveri, por dhe paraardhëset e saj kanë marrë për të financuar shpenzimet publike, po vjen duke u rënduar nga viti në vit. Në buxhetin e shtetit të vitit 2009 qeveria ka vënë në dispozicion për të paguar interesat e borxhit publik më shumë se 36 miliardë lekë, ose mbi 360 milionë dollarë. Krahasuar me vitin e kaluar kjo shifër është rreth 3.5 miliardë lekë, ose mbi 35 milionë dollarë më e madhe. Krahasuar me vitin 2005 shpenzimet për koston e borxhit janë rreth 7 miliardë lekë, ose 70 milionë dollarë më të larta. Pjesa dërrmuese e këtyre interesave do të shkojnë në llogari të bankave tregtare në vend, të cilat do të përfitojnë vitin e ardhshëm nga qeveria plot 31.4 miliardë lekë, ose 315 milionë dollarë. Ndërsa pjesa e mbetur prej 42 milionë dollarësh janë interesa për borxhin e jashtëm. Kostoja e borxhit është në rritje këtë vit edhe në raport me prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave, që tashmë ka marrë edhe miratimin në qeveri, parashikon që vitin e ardhshëm shpenzimet për interesa të jenë 3.1 për qind e Produktit Kombëtar nga 3 për qind që janë për këtë vit.
Shpenzimet për borxhin
Qeveria kishte premtuar se në vitin 2009 shpenzimet për borxhin publik nuk do të ishin më të larta se 2.8 për qind e PBB-së. Borxhi publik në Shqipëri përbën më shumë se 53 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Në total, fatura e borxhit është rreth 5.5 miliardë dollarë dhe pjesa dërrmuese e tij është marrë nga bankat private në vend. Por vitet e fundit qeveria ka ndërmarrë një reformë, me anë të së cilës synon ta orientojë huamarrjen publike në tregun e huaj, nën argumentin e interesave më të ulëta por edhe impakteve më të mëdha në ekonomi. Por po kështu edhe shpenzimet në total që parashikohen në projektbuxhetin e vitit 2009 i kanë dalë më të larta ministrisë së Financave se sa mbledhja e të ardhurave. Kështu, shuma e të ardhurave në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 llogaritet të arrijë 332.586 milionë lekë, ndërsa shuma e shpenzimeve llogaritet të arrijë në 382.596 milionë lekë, ose 5.1 milionë lekë më tepër.
Shifra
332 586
milionë lekë llogaritet të arrijë shuma e të ardhurave në buxhetin e shtetit për vitin 2009
382 596
milionë lekë llogaritet të arrijnë vlerën shpenzimet në buxhetin e shtetit për vitin 2009
36 835
milionë lekë llogariten shpenzimet e pushtetit vendor në buxhetin e shtetit për vitin 2009
18 423
milionë lekë llogaritet grandi i pakushtëzuar i buxhetit qendror në projektin e Ministrisë së Financave
50 010
milionë lekë llogaritet të arrijë vlerën deficiti financiar në buxhetin e shtetit për vitin 2009
Përkthimi simultan i kërkesë-ofertës së Ministrisë së Financave
“Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave.
Subjekti: Kërkesë për propozim financimi
qeveria shqiptare e përfaqësuar nga Ministria e Financave është duke kërkuar një ofertë për financimin për nevojat e saj të shpenzimeve kapitale për vitin 2009. Procedurat e kredisë do të përdoren në mbështetje me prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin. Në këtë drejtim, ne jemi të lutur të ftojmë institucionet kryesore financiare të konsiderojnë këtë kërkesë për propozim financimi dhe të marrim oferta me shkrim, jo më vonë se 15 janari i vitit 2009. Procedurat e kredisë janë që të disbursohen tërësisht gjatë vitit 2009. Këtu përfshihen si më poshtë:
- Prezantimi i ofertës së plotë për 200-250 milionë euro
- Prezantimi i eksperiencave të financimeve të ngjashme që janë bërë më parë.
Vlerësimi i ofertave do të bëhet nga komisioni i vlerësimit në Ministrinë e Financave. Fituesi i tenderit do të shpallet ai që do të ofrojë koston më të ulët duke marrë në konsideratë kërkesat e tenderit.
Personi i kontaktit në Ministrinë e Financave është:
Zoti Xhentil Demiraj
Drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit të Borxhit
Ministria e Financave të Shqipërisë
Blv. “Dëshmorët e kombit”
Tiranë, Shqipëri
E- mail: xhdemiraj@minfin.gov.al
Tel: +355 422 48968
Fax: +355 422 58435
Burimi: Ministria e Financave”
Krijoni Kontakt