Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    Sekuestrimi i pasurive të kolaboracionistëve, një histori abuzimi

    Duke parë ankesat e shumta që kanë mbërritur në redaksi, si dhe proceset gjyqësore që po zhvillohen për çështjet e pronave të konfiskuara nga regjimi komunist për të gjithë bashkëpunëtorët e gjermanëve dhe italianëve, gazeta “Albania” hap një seri shkrimesh në lidhje me këtë çështje. Nga të dhënat e para, konstatohet se shumë prej pronave të bllokuara nga regjimi komunist, pas viteve ‘90 ndërruan destinacionin dhe u dolën pronarë të rinj. Këto prona, të patundshme ose të tundshme, kaluan përmes filtrave të falsifikimeve dhe manipulimeve në zyrat kadastrale apo në zyrat e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në artikullin e parë të këtij cikli shkrimesh po sjellim mënyrën se si veproi regjimi komunist për sekuestrimin e pasurive për të gjithë personat e akuzuar si ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve, përfshirë edhe ata që dolën zyrtarisht kundër regjimit.

    Si u realizua sekuestrimi i pasurive të kundërshtarëve të regjimit në vitin 1945

    Konfiskimet e para të regjimit komunist, hapat për ngritjen e bazës ligjore
    Procesi nisi që më 18 dhjetor 1944 dhe vazhdoi disa vite radhazi

    Menjëherë pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste, qeveria “Hoxha” urdhëroi bllokimin dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive të bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Në këtë proces sekuestrimi u përfshinë edhe eksponentë politikë që dolën kundër partisë në pushtet, shqiptarët që u arratisën jashtë vendit apo të gjithë shtetasit e huaj që kishin kryer aktivitet tregtar në vendin tonë përpara apo gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu nisi edhe procesi i zhdukjes së pronës private në Shqipëri i cili u realizua në disa etapa.
    Procesi politik
    Fillimisht regjimi nuk e zhduku tërësisht atë, por u mor me konfiskimet e pronave të kundërshtarëve të tij, të cilët në kohën e ardhjes së komunistëve në pushtet përbëheshin nga tri kategori: ish-pushtetarë, nëpunës ose funksionarë që ishin të inkuadruar në strukturat shtetërore gjatë Luftës së Dytë Botërore; ish-drejtues të formacioneve politike jokomuniste, kryesisht të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit; ish-drejtues të shtetit të Ahmet Zogut të papërzier me luftën; kundërshtarë të zakonshëm të regjimit komunist, pa aktivitet, të vlerësuar si të tillë (si kundërshtarë) nga organet politike të ngarkuara me verifikimin e tyre. Në këtë periudhë, nisi procesi i bllokimit të pasurive për të gjithë shtetasit që u arratisën jashtë vendit në shenjë revolte kundër regjimit Hoxha. Po ashtu, gjatë viteve 1945-1946 nisi procesi i verifikimit të pasurive edhe për tregtarët apo sipërmarrësit e huaj që kishin kryer aktivitetin e tyre në Shqipëri deri në vitin 1945.
    “Kriminelët e luftës”
    Në rastin e përgjithshëm, për ata që kishin qenë në administratën e kohës së luftës, si dhe që kishin drejtues të forcave politike të ndryshme jokomuniste, përdorej termi “kriminel lufte”. Në të vërtetë, në pjesën më të madhe të listës së “kriminelëve të luftës” do të gjesh njerëz që nuk dinin të përdornin as armët, ndërsa është fakt se asnjë gjyq politik i viteve të pasluftës nuk vërtetoi dot ndonjë “krim lufte”. Të gjitha akuzat ishin dhe mbetën vetëm politike. Mirëpo procesi që ndoqi besnikërisht hapat e parë të sovjetizimit të vendit ishte ai që u mor me kategorinë e “kriminelëve” dhe kundërshtarëve të regjimit. Më vonë nuk kishte asgjë rëndësi, pasi vendin e konfiskimeve e zunë shtetëzimet. Ky studim i përgjithshëm sjell ndër të tjera edhe disa shembuj pa marrë përsipër se janë të gjitha për të treguar konkretisht se si ka ecur ky proces jo shumë i trajtuar.
    Strukturat e sekuestrove
    Vetëm pak ditë pasi ishte shpallur çlirimi i vendit, Enver Hoxha nisi “hakmarrjen” ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duke u marrë pasuritë e tundshme dhe të patundshme. Hapi i parë ishte krijimi i komisioneve vendore për administrimin e pasurisë. Ministria e Ekonomisë udhëzonte më 18 dhjetor 1944 prefekturat se për të studiuar dhe administruar pasuritë e të arratisurve do të formoheshin komisione në çdo prefekturë e nënprefekturë. Ato përbëheshin nga përfaqësues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare; Rinisë Antifashiste; Esnafëve (bujq, etj), besnikë të lëvizjes dhe, së fundi, juristët.
    Hartimi i raporteve
    Konsideroheshin të arratisur politikë të gjithë funksionarët e vegjël e të mëdhenj që kishin qenë në shërbim të okupatorëve (“ballistë e njerëz të Legalitetit”), të cilët ndodhen të arratisur brenda dhe jashtë vendit. Sipas udhëzimit, “komisionet hetojnë e diktojnë të gjitha pasuritë e të arratisurve politikë, regjistrojnë e përshkruajnë të gjithë këtë pasuri dhe të gjithë përshkrimin e tyre e përmbledhin në raporte të veçanta për çdo rast, të cilat ia paraqesin komisionit qendror”. Komisionet kujdeseshin për ruajtjen e pasurive.
    Raporti duhej të përmbante: emër, mbiemër, vendbanim, aktivitet politik, përshkrimin e pasurisë, llojin e pasurisë (toka të punuara, livadhe, kullota, pyje, vija uji, vreshta, pemishte, ullinj, mullinj drithi, vaji, godina bujqësore, depozita drithi, bagëti, makina e vegla punimi), cilësimin e kësaj pasurie (sipërfaqja, shtrirja, lloji, rrënjët, kapaciteti, mullinjtë, gjendja e tyre, madhësia e godinave, etj), vendndodhja, si administroheshin më parë, gjendja familjare e të arratisurve, qëndrimi politik etj dhe çasti. Komisionet hetonin e zbulonin “çdo akt mashtrimi e spekulimesh mbi këto pasuri (shitblerje falso), si dhe propozonin mënyrën e administrimit” (AQSH, F.494, V.1945, D.453, fleta 2 – 3).
    Po atë ditë, ministri i Ekonomisë, Medar Shtylla, u dërgonte një qarkore këshillave nacionalçlirimtare me anë të të cilit udhëzoheshin mbi ndihmën që duhej t’i jepnin komisionit qendror.
    Ligji për konfiskimin e pasurive
    Në vijim të këtyre masave, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANÇ), që kishte marrë funksionet e një presidence, nxori “Ligjin” Nr.40, datë 14 janar 1945, “Mbi konfiskimin e pasurive private”, të cilat parashikoheshin që t’u liheshin Komiteteve Ekzekutive. Sipas “ligjit”, konfiskimi vendosej nga gjykata me vendimin e dënimit ose prej një autoriteti tjetër të caktuar nga ligji i posaçëm dhe në rast të moscaktimit nga një anëtar i kryesisë së KANÇ-t që ishte kryetar, 1 gjyqtar, (nga Ministria e Drejtësisë), një ekonomist (nga Ministria e Ekonomisë), një specialist bujqësie (nga Ministria e Bujqësisë), 1 financier (nga Ministria e Financave), 1 ushtarak (nga Ministria e Luftës dhe e Mbrojtjes Kombëtare) dhe 1 sekretar nga komisioni (AQSH, F.489, V.1945, D.45, fleta 5-7). Më 15 janar 1945 doli “ligji” mbi konfiskimin e pasurive të të arratisurve politikë (AQSH, F.490, V.1945, D.141, fleta 1).
    Caktimi i komisionit
    Më 24 prill 1945, Presidenca e Kryesisë së KANÇ-it njoftonte se Gogo Nushi ishte caktuar kryetar i komisionit të posaçëm (po aty, fleta 13). Më 19 prill 1945, komisioni qendror për studimin dhe administrimin e pasurive të të arratisurve politikë paraqiti relacionin përkatës, ku ankohej se komisionet vendore nuk e kishin bërë detyrën dhe anëtarët kishin shkuar vetë në bazë. Komisioni në mbledhjet e përsëritura nën kryesinë e ministrit të Financave, parashtronte se komisioni e shihte të arsyeshme të krijohej pranë Ministrisë së Bujqësisë një zyrë qendrore për administrimin e pasurive bujqësore.
    Kjo zyrë do të kujdesej për krijimin e zyrave agrare në qarqe që do të merreshin me administrimin e tyre. Pasuria urbane (shtëpi qyteti, dyqane, mullinj etj) do të regjistrohej prej Ministrisë së Financave dhe do të administrohej direkt prej saj si pasuri shteti. Të gjitha dokumentet përkatëse shënoheshin me “VF-LP” (AQSH, F.494, V.1945, D.453, fleta 19). Në kuadrin e masave ndaj “kundërshtarëve politikë” u përfshinë nën bllokim edhe skemat e pensioneve. Më 25 maj 1945, Ministria e Financave urdhëronte që të konfiskoheshin edhe pensionet në rast se kishte persona që e përfitonin atë (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 53).


    Box 1
    Urdhri i fshehtë: “Të konfiskohen të gjithë ata që mendojnë kundër nesh”

    Si u kryen konfiskimet e personave të cilësuar “kriminelë lufte”

    Për përgatitjen e kuadrit ligjor, i gjithë mekanizmi që do të çonte në bllokimin e pasurive të personave të akuzuar si bashkëpunëtorë të pushtuesit, apo që ishin kundër regjimit, u përpilua në institucionet e Kuvendit Popullor, Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga Enver Hoxha, apo edhe përmes institucioneve të tjera. Në funksion u vunë gjykatat popullore, të cilat shpallnin publikisht “kriminelët e luftës”. Pas sekuestrimeve paraprake të vendosura më parë, filloi procesi i gjatë i transkriptimeve të pasurive në fjalë. Më poshtë po japim disa prej personave, të shpallur “armiq të popullit”, të cilëve iu sekuestrua pasuria.
    Ali Këlcyra
    I konfiskohet pasuria sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor Fier të datës 7 qershor 1945, i cili, pasi ka marrë Shkresën Nr. 50, datë 30 maj 1945, të komisionit hetues për kriminelët e luftës, sipas së cilit “Ali Këlcyra asht marrë nën akuzë si kriminel lufte, mbasi ka qenë një nga eksponentët e Ballit Kombëtar, ka organizuar dhe dirizhue çeta bashibozuku, të organizuara duke vrarë, çnderuar dhe grabitun popullin”. Konfiskohet edhe pasuria e gruas së tij Dudush.
    -Pasuria e paluajtshme ???????????????përbëhej prej: 6 trarë, 451 shtylla, 3944 binarë, 476 kodroma, 9 dërrasa.
    -Pasuria e luajtshme: ???????????????????6 dyqane, 9 troje ndërtimi, 1032 dynym tokë bujqësore, 250 dynymë e lëndina kullore, 250 dynym pyje. Shtypi e vegla në Muçan. (AQSH, F.484, V.1946, D.464, fleta 145-148).
    Thuhet se duhej konfiskuar edhe Nafije Këlcyra (ndoshta grua e dytë?) që rridhte nga familje bejlerësh dhe kishte 9 dyqane (AQSH, F.505, V.1945, D.513, fleta 249 - 250).
    Bektash Cakrani
    Kjo pasuri konfiskohet më 7 qershor 1945. Theksohej se personi nuk kishte pasuri të paluajtshme. Pasuri të luajtshme kishte: në Martino, Fierëz 376 tokë dhe 160 dynym (AQSH, F.484, V.1945, D.464, fleta 155-156). Në shpronësim futen edhe Kadri e Kujtim Cakrani (fleta 411 – 414).
    Nuredin e Xheladin Vlora
    Komisioni përkatës ka relatuar se pasuria e luajtshme e tyre përbëhej nga: makinë shirëse me motor, makinë misri, kandar.
    Pasuria e paluajtshme përbëhej nga: 1 shtëpi 2-katëshe, me 8 dhoma (komanda e Levanit ishte vendosur), 2 kuzhina, kacek për drithra, 120 rrënjë ullinj, 700 rrënjë pemë në Frakull.
    -Toka bujqësore në Frakull 2115 dynym e papunuar, 4080 dynym, 1000 dynym dhe 3000 dynym kullota, toka në Çerven 1560 dynym dhe 510 çajre. Ferras Pasha 466 dynym, 214 çaire, 60 dynym lëndina, 100 pyll. Motalli 420 dynym, 182 dynym çajre, 250 dynym lëndina, etj. Pronat e regjistruara në 6 faqe nuk ishin gjendur në regjistra. (AQSH, F.494, V.1945, D.464, fleta 158 - 163). Më 12 dhjetor 1946, komisioni vendor konfiskon pasurinë në Vlorë (AQSH, F.505, V.1946, D.145, fleta 148).
    Vizhdan Risilia
    Më 7 korrik 1945, Vizhdan Risilia, ish-prefekt, shënohej si “bashkëpunëtor i Gestapos” dhe si internues i 600 vlonjatëve. Ky nuk kishte pasuri të luajtshme. Pasuria e paluajtshme përbëhej nga një truall në lagjen “Lirimi”, 65 rrënjë ullinj, 4 baraka me 16 dhoma, 103 rrënjë ullinj, një vresht i vjetër, në Qafën e Kardëlleshit 48 rrënjë ullinj. Në Bestrovë Gropa e Gurit) baçe 67 rrënjë ullinj, në Bregun e Stefos, baçe 43 rrënjë ullinj, 1 baçe, 54 rrënjë ullinj, lagja “Lirimi” shtëpi banimi e baçe (AQSH, F.494, V.1945, D.464, fleta 16-17). Në listë përfshihen edhe Adem dhe Enver Risilia.
    Eqrem dhe Safa Vlora
    Eqrem Vlora – ish-ministër dhe i vëllai i Safa Vlora, të bijtë e Syrja Vlorës, ishin ndër personat që u ndëshkuan nga regjimi “Hoxha”. Më 7 korrik 1945, në Vlorë konfiskohen: hotel Tirana (2-katësh), 1 shtëpi me 9 dhoma me 14 rrënjë ullinj+garazh, një shtëpi në skelë, 1 truall. Të tjerat janë në emër të babait e vëllezërve të tij Namik e Ferit, të cilat sigurisht u sekuestruan më vonë.
    Sui generis

  2. #2
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Emrat e personave dhe rrethet ku u sekuestruan pasuritë nga komunistët

    Arka e shtetit siguroi të ardhura të mëdha nga sekuestrimet e pronave.

    Procesi i nisur duket që ka pasur vështirësi në procedimin teknik të tij, pasi mekanizmat e ngritura nuk kishin shpejtësinë e duhur të veprimit. Më 4 tetor 1945, ministri i Financave, Ramadan Çitaku, i drejtohet Komisionit Qendror të Konfiskimit të Pasurive private duke thënë se në buxhetin preventiv, Ministria e Financave parashikonte të ardhura të konsiderueshme nga këto pasuri dhe për këtë kërkonte përshpejtimin e punës (AQSH, F.505, V.1945, D.510, fleta 43). Në këtë numër, gazeta sjell të dhëna për bllokimet dhe sekuestrimet e pasurive në qarkun e Shkodrës, ku u ndëshkuan familjet e Ernest Koliqit, Engjëll Çobës dhe kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni. Po ashtu, përmes të dhënave dhe dokumenteve tregohet edhe inventari i pasurisë që shteti i mori familjes Vrioni, një ndër më të pasurat në të gjithë vendin.
    Shkodër
    Më 25 tetor 1945, Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Shkodrës relatonte për pasuritë e Maliq Bushatit, Ernest Koliqit, Gjon Marka Gjonit dhe Engjëll Çobës, të cilat vlerësoheshin të konsiderueshme (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 47).
    Malli i Maliq Bushatit
    Më 22 gusht 1946, komisioni vendor në bazë të Nenit 1 të Dekretligjit Nr. 249, datë 27 maj 1946, u mblodh për konfiskimin e pasurisë së Maliq Bushatit, nga lagjja “28 Nëntori”, duke vendosur: konfiskimin e një shtëpie të lartë ndër 72 pjesë (vetë 14) në lagjen e tij, ndërsa mobiliet i kishte marrë korpusi. Më 8 gusht 1945, për pasurinë e tij u hartua një listë mobiliesh e sendesh shtëpiake, 182 dengje sanë me nga 44 kg secila dhe 776 me grurë si dhe 62 dengje sanë (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 277, 43).
    Hasan Dosti
    Komisioni vendor i Gjirokastrës më 14 nëntor 1946 mori në shqyrtim konfiskimin e pasurisë së Hasan Dostit, mbi bazën e dokumenteve të vendosur qysh më 18 janar 1946. Ara në Kardhiq, Plesat, korie pylli në Kardhiq. Truall 1086.54 metra katrorë në Tiranën e Re (AQSH, F.505, V.1946, D.145, fleta 94).
    Izedin Vrioni dhe Qemal Vrioni
    Komisioni më 18 nëntor 1946 mori vendimin mbi bazë të vendimit të gjykatës speciale mbi konfiskimin e pasurive të të përmendurve. Më 7 qershor 1946, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës Fier kishte sekuestruar pasuritë e atjeshme të dy personave. I gjithë kapitali i fabrikës së miellit “Myzeqeja” në Fier në të cilën Qemal Vrioni ka derdhur 42 mijë franga shqiptare me gjithë aksione për një shumë prej 20 mijë frangash shqiptare. E mbesa e Qemalit, Mediha Libohova, është ankuar se një shtëpi në Durrës ishte blerë nga ajo Qemalit më 1940, ndërsa Avroviti Naço kërkonte 10 mijë franga për llogari të vëllait të saj të vdekur Kristaq Napo, i cili kishte mbrojtur Qemal Vrionin. Konstatohej se Izedin Vrioni nuk ishte dënuar prej gjykatës me konfiskim të pasurisë dhe duhej urdhëruar ngritja e sekuestros së bërë mbi pasurinë e tij. Ndërsa ajo e Qemal Vrionit nuk kishte asnjë pengesë për t’iu konfiskuar. Konsiderohej shitje fiktive edhe ajo e Medihasë; si dhe shtëpia dhe trualli në rrethin e Durrësit. Qemal Vrioni i ka dhënë italianit Guabandilla një shtëpi në Komo dhe ka marrë prej tij shtëpinë në Durrës, të cilën ia ka shitur Medihasë, e cila është regjistruar më 12 gusht 1944. Për këtë ishte vendosur ngritja e sekuestros mbi vendimin e 7 qershorit 1945 të Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës Fier, mbi gjysmën e pasurisë që i takonte Izedin Vrionit. Po ashtu, konfiskoheshin të gjitha pronat e para vitit 1940 të Qemal Vrionit. Lista ndahet në 18 zëra (2 shtëpi, njëra e haremit dhe të tjerat dyqane), 300 m2 në Durrës, pallat në Durrës (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 224-244).
    Më pas tregohen edhe pasuritë e tjera; 62 dyqane, 2 magazina, 1 furrë, 1 shtëpi, 1 han, qindra troje në Fier, mbi 1 mijë dynym çiflig, kullota etj, në Mbrostar mbi 1500 dynym tokë punimi në Koxharë, 2500 dynym pyje kullotë, 2000 tokë çajre, 650 dynym tokë e punuar në Mbyetm etj
    Aqif Përmeti
    Aqif Përmeti kishte familjen e tij të përbërë prej tre vetash. Astriti i biri dhe Shqipja e bija. Më 20 nëntor 1946, komisioni vendor konfiskoi 2 toka në Selishtë të Tiranës së Re prej 1100 m2, 2/3 e 1 shtëpie në Tiranën e Re, 6 dhoma 1 kuzhinë (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 73).


    Urdhri i brendshëm në vitin 1946: “Të konfiskohen pasuritë e kundërshtarëve!”

    Procesi i sekuestrimeve të pasurive u duk qartë se ishte një proces politik për të ndëshkuar kundërshtarët. Udhëzimi i 17 majit 1946, i firmosur nga ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, që iu dërgua në formën e qarkores komiteteve ekzekutive, thotë se “ligji” i 15 dhjetorit 1944 mbi konfiskimet kishte karakter gjenerik dhe përfshinte si ato të arratisur para hyrjes në fuqi dhe ato pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe ata që nuk ishin larg po që mbanin qëndrim armiqësor ndaj pushtetit të ri për arsye politike. Kjo do të thoshte se ky proces në të vërtetë hartohej kundër kundërshtarëve politikë dhe jo vetëm ndaj atyre, të cilët, dashje pa dashje, kishin një lidhje me periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
    Ministri Konomi kërkonte që për personat e larguar dhe që nuk ishin kundër regjimit të merrej mendimi i Ministrisë së Drejtësisë (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 16). Kjo qarkore më 6 gusht 1946 u bëhet e njohur prefekturave edhe nga Ministria e Financave, por duke shtuar edhe shpejtimin e veprimeve të personave të arratisur “si partizanë despotikë të Zogut e të tjerëve që janë larg Shqipërisë, por që para ose pas 7 prillit 1939 mbajnë qëndrim armiqësor”. (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 97).
    Në një raport justifikues të Ministrisë së Financave mbi krijimin e komisioneve vendore thuhej se kishte konfuzion në administrim dhe duheshin edhe disa vjet të mbaronte kjo punë, duke kërkuar shikimin e Ligjit Nr.40, të 14 janarit 1945, që të parashikonin krijimin e komisioneve vendore me proregativat e Komisionit Qendror (AQSH, F.489, V.1946, D.41, fleta 9).
    Më 27 maj 1946, PKP nxorri dekretin “Mbi krijimin e komisioneve vendore për konfiskimin e pasurive në bazë të Ligjit Nr.40, ku parashikohej që përveç komisionit qendror mund të krijonte komisione vendore në prefektura. Ligji 30 gusht 1946 (AQSH, F.489, V.1946, D.145, fleta 1).
    Më 24 korrik 1946, Prokuroria e Përgjithshme kërkonte nga Ministria e Financave zbatimin e ligjit nga komitetet ekzekutive mbi sekuestrot e konfiskimet e mallrave pasi vihej në dukje se seksionet e financës po shisnin e po shpërdoronin sendet e luajtshme (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 12).
    Më 18 shtator 1946 iu dërgua një qarkore komiteteve ekzekutive të prefekturave me anën e së cilës kërkohej përmbajtja ndaj dispozitave ligjore (po aty, fleta 20).
    Më 5 gusht 1946, Ramadan Çitaku u dërgoi qarkore komiteteve ekzekutive duke thënë se për çdo gjë kërkonte të dhëna të sakta (fleta 14).
    Sui generis

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    kush eshte kolaboracionisti..?

    kush e percakton ?

    hasani i thot hysenit..ti je kolaboracionist..
    po dhe hyseni mund ti thote hasanit..ti je kolaboracionist..

    jo thot hasani se un luftova okupatorin.. e ti hysen.. u lidhe me okupatorin..
    por dhe hyseni mund ti thot hasanit se me okupator u lidhe ti..e un e luftova..

    pra kush eshte okupatori..

    te gjitha keto i vendos vota.. e lire e demokratike..

    populli ftohet ne votim.. prej ketij votimi del nji asamble kombetare apo nje parlament..
    ky parlament merr vendime.. me rendesi.. duke zgjedhur institucionet shtetrore.. e keto institucione.. kryejn detyrat..

    e ne mesin e detyrave.. eshte dhe se.. kush do jete.. ai grup a komision qe do percaktoj.. kujt i themi okupator.. kujt i themi kolaboracionist..
    athere veprohet sipas ligjit..

    a kishim ne shqiperi votime demokratike..
    jooo..

    pra dhe vendimet e marra nga institucione te pa votuara nuk kan baz ligjore.. pra as te drejte ti thone dikujt .. na mo.. ti.. kolaboracionist.. eja ktu te te rras ne biruc.. te te var prej lo.qesh te te zhdëp ne hu.. e te ti rrjep 7 lekuret e ti marr florinjte jeten familjen shtepin e katandine..

    pra cdo veprim i bere nga guberna e hoxhes.. si gjat luftes si pas luftes e ne vazhdim.. nuk eshte tjater vec.. nje zinxhir paudhesish poshtersish e krimesh pa fund..

    nje shembull..
    pasaniku kol kuqali.. babai i antifashistit e deshmorit gjik kuqali.. e ka mbajtur me buke e dyshek e jorgan me pupla.. enver hoxhen me shoke.. ne shtepin e tij luksoze..gjat viteve 41-43.. e mbas clirimit ..(me nder me than) .. te ngratin kol e masakrojn ne birucat e enver hoxhes.. dhe vdes baba i desmorit.. e furnizuesi me ushqime ilace veshmbathje.. e me miljona franga ari.. i cetave partizane.. nga dajaku i bishave enveriste..qe i thonin vehtes ..pushtet popullor.. pa u votuar kurre demokratikisht..

    keshtu jan pra punet e verteta.. te atyre.. gjerave me lart qe shkruan..gazeta.. me nota justifikuse..per regjimin kanibal.. pasusit e te cilve.. jan padrone te rakipit..te albanies..



    ..

  4. #4
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Sekuestrimet e pronave të ish-zogistëve dhe të “kriminelëve të luftës”

    Ligji që miratoi Kuvendi Popullor sekuestroi pronat e zyrtarëve të Mbretit Zog. Lista e personave që konsiderohen “kriminelë lufte” dhe heqja e pasurive

    Më 22 nëntor 1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor shpalli ligjin e votuar po atë ditë nga Kuvendi Popullor “mbi kontrollin e pasurive të vëna gjatë regjimeve të kaluara prej funksionarëve dhe sipërmarrësve të shtetit”. Mbi bazën e tij, të gjitha ndërtesat e ngritura ose të blera në kohën e regjimeve të kaluara prej ministrave, deputetëve, funksionarëve të shtetit ose bashkive, si dhe prej personave që kanë qenë gjatë këtyre regjimeve sipërmarrës të shtetit, ku nuk ishin në gjendje të justifikonin burimin e ligjshëm të tyre, deklarohej shtetëzimi me vendim të Ministrisë së Ekonomisë mbi propozimin e komiteteve ekzekutive të këshillave popullorë të nënprefekturave (AQSH, F.490, V.1946, D.232, fleta 1). Në bazë të këtij ligji, të gjithë ata persona që nuk kishin pasur fare lidhje me luftën, por që kishin pasur poste të rëndësishme para vitit 1939, konfiskoheshin në bazë të dëshirës së atyre që kishin ardhur në pushtet.
    Terenc Toçi
    Komisioni vendosi më 22 nëntor 1946 se përderisa 3 personat në ngarkim të T. T. ishin larguar në vendin e origjinës, nuk gëzonin të drejtën e beneficës ligjore. Pasuria e Toçit përfshin:
    - 2 parcela trojesh Tiranë me 3228.57 metra (vila Bardha) dhe shtëpia 2-katëshe si dhe trualli dhe banjat e Durrësit (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 75).
    Fiqri e Dilaver Dine
    Më 20 dhjetor 1946 komisioni në Peshkopi konfiskoi pronat e tij që përfshinin:
    - trojet e 1 shtëpie të djegur prej 2 dynymësh, 1 furrë buke, trojet e 1 shtëpie të djegur me 1 dynym, 1 shtëpi 2 kate me 7 dhoma. Veç kësaj edhe pasuri e tundshme 2 kuajsh, 1 viç, 2 lopë, 1 çarçaf kravate, paratë e 208 kg rrush e 76 kg mollë e 810 kg misër. 14 copë ara prej 99 dynymësh, disa vreshta prej 2 dynymësh në Pocestë, 1 pemishte 1 dynym në Trepçe (AQSH, F.505, V.1946, D.146, fleta 255).
    Qazim Mulleti
    Më 31 dhjetor 1946 vendoset për sekuestrimin e pronave të prefektit Qazim Mulletit në Tiranë. Vendoset për ¾ e një shtëpie në lagjen “Sulejman Pasha” me 311 m2, truall 302.43, 4 dyqane të ngritura 1942-1943, parcelë në veri me rrugën “Ciano”. Dy baraka në rrugën “Dajti” (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 92).
    “Kriminelët e luftës”
    Më 27 janar 1947, Kryeministria njoftonte Ministrinë e Financave se u ka kërkuar komisioneve vendore konfiskimin e pasurisë së kriminelëve të luftës e të armiqve të popullit që t’i përfaqësojë sa më parë veprimet e në fund të muajit të dërgojë nga një raport.
    Vlora dhe Korça
    Më 27 janar 1947 komisioni i Vlorës mori vendim të gjithë personat që ishin në listat e “kriminelëve” (AQSH, F.490, V.1946, D.252, fleta 13 – 14). Vetëm Korça kishte 350 dosje të tilla.
    Shpronësimi i kunatit të Enver Hoxhës
    Më 10 shkurt 1947 kunatit të Enver Hoxhës, Bahri Omarit, i konfiskohet pasuria. Atij i merret 1/6 e 5 dyqaneve në tregun e Gjirokastrës, parcelë trualli prej 910 metrash katrorë në Tiranën e Re. 1/3 iu la familjes në lagjen “Cfakë” të Gjirokastrës (AQSH, F.505, V.1947, D.316, fleta 15).
    Raporti i Elbasanit
    Më 18 shkurt 1946 komisioni i Elbasanit i dërgoi një raport për konfiskimin e pasurisë private të Prefekturës Elbasan. Thuhej se kishte edhe 38 vendime dhe gati edhe 7 dosje të tjera, duke pasur në dorë edhe 25 të tjera (AQSH, F.490, V.1946, D.252, fleta 23).
    Më 21 shkurt 1947 komisioni vendor i Kukësit i dërgoi raport Kryeministrisë në të cilin vëreheshin mangësi veprimesh.
    Konfiskimi i Abdurrahman Dibrës
    Më 14 shkurt 1947 merrej vendimi i konfiskimit për Abdurrahman Dibrën në lidhje me kontrollin e pasurive të zyrtarëve të regjimit antipopullor të Ahmet Zogut. Theksohet se pasuria e tij me pajisjet moderne dhe të kushtueshme nuk kishte mundësi të ishte vënë nga shitja e ndonjë çifligu në Dibrën e Madhe, por i burimeve të jashtëligjshme dhe dallavereve. Komiteti i propozonte Ministrisë së Financave nxjerrjen e vendimit të shtetëzimit të pasurisë së tij: një ndërtesë prej 7 dhomash; afërsisht prej 200 metrash katrorë në lagjen “1 Maji” (lagjja “Abdulla bej”) e transkriptuar më 19 nëntor 1943. Vendimi doli më 14 mars 1947 (AQSH, F.505, V.1947, D.184, fleta 88).
    Pandeli Evangjeli
    Më 14 shkurt 1947 komisioni i Tiranës vendosi të propozojë shtetëzimin e pronave të Pandeli Evangjelit, ish-politikan i lartë i regjimit zogist dhe aksioner në SITA, Stamles, Maliq, Portland Çimento, Banka Kombëtare dhe kinema “Majestik” në Korçë. Theksohej se nuk kishte mundësi që një pasuri e tillë ta kishte vënë përveçse me dallavere. Pasuria ishte 1 pallat 2-katësh në lagjen “11 Janari”, i regjistruar më 30 qershor 1928 (AQSH, F.505, V.1947, D.185, fleta 86). Vendimi u mor më 14 mars 1947.
    Kolë Thaçi
    Më 14 shkurt 1947 komisioni i Komitetit Ekzekutiv të KP të Nënprefekturës Tiranë, me të njëjtën arsye, kërkoi shtetëzimin e pronave të tij që ishin një truall 1510 metra katrorë dhe dy ndërtesa mbi të, të regjistruara më 13 maj 1933 dhe 23 maj 1934. Ish-ministri i Financave ishte larguar nga politika në vitin 1939 dhe kishte vdekur më 1941-shin.
    Zef Kadarja
    Më 6 mars 1947 komisioni vendor i Qarkut Tiranë vendosi konfiskimin e pasurisë së tij:
    - truall në Selitë Tirana e Re prej 1100 m2 truall, Tirana e re 182 m2 me shtëpi dhe një shtëpi me 8 dhoma. Pasuria e tundshme ishte shumë e madhe, përfshirë këtu gardërobën e tij, kolltukë, bibliotekë. Në Durrës Kadarja kishte një vilë dhe dy troje, ndërsa në Shkodër dy shtëpi të tjera.
    Safet Butka
    Komisioni vendor pranë Komitetit Ekzekutiv të KP të Prefekturës së Korçës konfiskoi gjysmën e shtëpisë në Butkë, 5 dhoma, 2 divane, 2 ballkone. Pasuri e tundshme 1 ka, 5 dhen, 1 mëshqerrë (AQSH, F.505, V.1947, D.315, fleta 77).
    Daut Çarçani
    Komisioni në Tiranë, më 28 mars 1947, vendosi konfiskimin e 4/5 e një trualli në “Ismail Efendi” (504 m2) dhe 4/5 e një shtëpie po aty (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 21-22).
    Thoma Orollogaj
    Komiteti Ekzekutiv i KP të Prefekturës Tiranë më 5 prill 1947 vendosi që t’i propozojë Ministrisë së Financave konfiskimin e pasurisë pasi nuk kishte mundësi që ai “ta kishte vënë vetë këtë pasuri”. Një shtëpi në lagjen “Ismail Efendi” (regjistruar më 1 mars 1935), një truall 1100 m2 me ndërtesë, 1/2 e një objekti në Rrugën e Barrikadave (regjistruar më 4 prill 1936) (AQSH, F.505, V.1947, D.186, fleta 122). Po ashtu edhe 1 shtëpi më 22 mars 1945 dhe aksionet nga kinema “Majestik”. Më 6 qershor 1947 del edhe vendimi i ministrisë.
    Faik Shatku
    Më 14 prill KE e KP të Prefekturës Tiranë vendosi për shtetëzimin e pronave pasi kishte vdekur ky person, duke kundërshtuar të venë Razie Shatku se pasurinë Faiku e kishte nga vjehrra, Zyhra Krisfca. Iu shpronësuar 583 m2 truall e shtëpia në lagjen “Abdulla bej” (rruga “Qemal Stafa”) e transkriptuar më 22 shtator 1942. Vendimi u mor në bazë të vërtetimit nr. 32 datë 1 prill 1947 (AQSH, F.505, V.1947, D.186, fleta 208).
    Mehdi Frashëri
    Më 19 prill 1947 nga komisioni i Gjirokastrës, mbi pasurinë e Mehdi Frashërit, e sekuestruar më 17 shtator 1946. Një shtëpi e djegur, gërmadhë, me një dynym në Frashër (AQSH, F.505, V.1947, D.316, fleta 155) dhe një truall në Tiranë 1100 m2 në lagjen “9 Korriku” si dhe shtëpia me 17 dhoma e pasuria brenda saj (AQSH, F.505, V.1947, D.311, fleta 80).
    Sui generis

  5. #5
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Akuza: “Si u abuzua me pronat e Jakup Shalsit pas vitit 1994”

    Flet Dallëndyshe Shalsi (Klosi) për pronat e sekuestruara në komunizëm.

    “Shteti komunist më sekuestroi pronën, por i regjistroi në arkiva, ndërsa pas vitit 1994 pasuria e familjes sime është falsifikuar dhe marrë në mënyrë abuzive nga të tjerët”, - kjo është akuza e Dallëndyshe Shalsit (Klosit) që ka bërë në adresë të institucioneve të shtetit në lidhje me pasurinë që trashëgoi nga Jakup Shalsi, i cili është dënuar me vdekje nga regjimi komunist në vitin 1945. Përmes një interviste të dhënë për gazetën, e bija e Jakup Shalsit, një nga tregtarët më të mëdhenj të periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, tregon skemën e abuzimeve që janë bërë pas vitit 1994 me pasuritë e patundshme nëpër zyrat e Hipotekave dhe Gjykatat në rrethet e Durrësit dhe Beratit. Ajo pohon se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit për grabitjen që i është bërë pasurisë së familjes së saj.

    Cila është origjina e babait tuaj dhe kur ka lindur?
    Babai im, Jakup Shalsi, është nga Berati. Ai ka lindur më 31 dhjetor 1905. Im atë ka mbaruar shkollën amerikane bujqësore në Lushnje. Pas përfundimit të shkollës, një nga më të mirat e kohës, ai dinte shumë gjuhë të huaja si: anglisht, italisht. Origjina e familjes sime vinte nga një rreth pronarësh që në kohën e Perandorisë osmane.

    Kur ka filluar të merret me biznes Jakup Shalsi?
    Nga viti 1937 deri në vitin 1944. Ai merrej me tregti dhe aktivitet në fushën e bujqësisë, industrisë, transportit. Kishte disa shoqëri të përbashkëta me italianët.

    Kur është martuar dhe sa fëmijë ka pasur Shalsi?
    Është martuar në vitin 1930. Ka pasur dy kurora. Në kurorën e parë ka pesë fëmijë: Zare Shalsi është gruaja e kurorës së parë, me fëmijët: Hasan, Flutura Shalsi (Nazaraj), Lumturi Shalsi (Meta), unë Dallëndyshja dhe Trubullirën (Dajçi) që jetoi në Burrel. Ndërsa bashkëshortja, në martesën e dytë, është Hasbie Shalsi, e cila ka vdekur në vitin 1987 në Berat. Sipas Aktit të Trashëgimisë, me Nr. 29/ 31, datë 4 11 1991, emrat e fëmijëve me martesën e dytë janë: Zenel Shalsi, Fatime Shalsi (Salillari), Afesa Shalsi (Aliçka). Babai im mbajti dy gra njëherësh, pasi nëna ime, Zare, nuk lindi fëmijë për 15 vjet martesë. Më pas lindën pesë fëmijë. Po ashtu, lindën edhe tre të tjerë me gruan e dytë, Hasbien.

    Cili ka qenë aktiviteti i babait tuaj deri gjatë Luftës së Dytë Botërore?
    Gjatë kohës së Zogut, im atë ka qenë deputet. Njëkohësisht, ai është marrë me aktivitet tregtar. Jakup Shalsi ka qenë njohur si nacionalist. Enveri e akuzonte atë se ishte me Ballin Kombëtar.

    Po në fushën e biznesit, cilat janë kompanitë e babait tuaj që ka pasur deri në vitin 1944?
    “Stambla” ka qenë njëra ndër kompanitë më të mëdha. Drejtues i kompanisë ka qenë Spiro Kallço nga Durrësi. Ka pasur edhe firmën “Viseko Roko”, shoqëri anonime tregtare, me qendër në Durrës dhe me degë në të gjithë Shqipërinë. Shoqëria “AIPA”, e cila ishte me aksioner italian. Qendra e saj ishte në Kuçovë dhe kishte aktivitet në të gjithë Shqipërinë. “AIPA” merrej me tregtinë e vajgurit. Në vitin 1949, babai im hapi shoqërinë e transportit “SATA”. Sipas të dhënave që ekzistojnë në Arkivën e Shtetit, në pronësi të babait tim janë regjistruar edhe këto shoqëri: EIA, me qendër në Shijak, e cila kishte aktivitet në sektorin e bujqësisë; shoqëria “SIBST”, “SAFA”, “La Commisionaria”, “Metalurgjika”, “Sangjergo”, “Fratinelli”. Sipas gjurmimeve që kam bërë, edhe firmat “Simonçini”, “Birra Korça” dhe shoqëria anonime “Krraba” kanë pasur për pronar Jakup Shalsin.

    Ku vërtetohet e gjithë kjo pasuri?
    Këto shoqëri vërtetohen në Fondin 505, të vitit 1945, me Dosjen Nr. 511, që ndodhet në Arkivën e Shtetit në Tiranë. Në të njëjtin Fond, këto të dhëna janë edhe në Dosjen Nr. 142, fletët 4, 7, 53, 56, 83, ku tregohet se firmat personale tregtare në Durrës e Roskovec janë të Jakup Shalsit dhe jo të Anastas Hebës. Në Fondin 505, në fletët me numër 52, 53, vërtetohet se Sami Qeribashi ka qenë përfaqësues i firmave të shoqërive anonime të Jakup Shalsit, siç vërtetohet nga Komisioni i Konfiskimit të Pasurive Private të Tatimeve të Jashtëzakonshme në Prefekturën e Durrësit dhe në Fondin e Shpronësimeve të vitit 1945, të Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Tiranës. Këto vërtetohen edhe në Gazetën Zyrtare Nr. 29, datë 29.03.1946. Në këto dokumente tregohet se Hoteli Dei Dojxhi, që ka dalë në shpallje ankandi; kinema “Tomorri”, Hotel Kontinental, kinemaja që ndodhet pranë Bashkisë së Durrësit, të gjitha këto janë pasuri që i janë shpronësuar Jakup Shalsit, me administratorë të asaj kohe: Sami Qeribashi, Axham Zini, Gani dhe Ilmi Qipi, që janë nipërit e Enver Hoxhës. Këto vërtetohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit të Shtetit në Tiranë. Në Fondin Nr. 1005, të vitit 1946, pikërisht në Dosjen Nr. 223, në fletën 48, drejtori i Administratës Autonome, Hotel Dajti, Koço Theodhosi, vërteton se pasuria e Jakup Shalsit vjen pas shtetit. Këto i vërteton edhe Koçi Xoxe në vitin 1944, ku lajmëron Komitetet Ekzekutive në rrethe që t’i bëhet një shkresë Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për pronat e Jakup Shalsit që disponon në Durrës, Tiranë, Berat, Kuçovë, etj.. Pasuria e tij vërtetohet edhe nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vasil Ziu, në vitin 1944. Edhe Prokuroria e Beratit vërteton pasurinë e familjes Shalsi me Vendimin e Komisionit të Pushtetit Lokal të Prefekturës së Beratit Nr. 33/1, datë 3.6.1947 se Jakup Shalsi ka ndërtuar në Durrës hotelin “Dej Dojxhi” dhe ndërtesën dykatëshe, si dhe katër shtëpi në lagjen “Varosh”.

    Në cilat burime e keni të faktuar pasurinë e babait tuaj?

    Të gjitha këto tregohen në Fondin e Bankës së Napolit, me Nr 182, të vitit 1937, dosja 37/3, fleta 113, 114, 115; Fondi i Bankës së Napolit me Nr 1982, të vitit 1937, dosja 44, në fletët 203, 206, 214; Fondi 282, i vitit 1937, me dosje Nr. 43, në fletën 171, Fondi i Ministrisë së Financave, me NR. 505, i vitit 1945, me dosje Nr. 51, fletët 45, 46; Fondi Nr. 278, i vitit 1934, me dosje Nr. 6, me numër fletësh; 102, 104, 107; Fondi Nr. 282, i vitit 1937 - 1943, në dosjen me Nr. 44, në fletët 203, 204, 205, 206. Po ashtu, këto të dhëna jepen edhe në Fondin e Industri-Minierave, të vitit 1936, në fletët 101– 105. Pasuria e babait tim faktohet edhe nga të dhënat e Seksionit Financiar të Kuçovës, në dokumentet e vitit 1947.

    Kur është bërë sekuestrimi i pasurisë dhe përse e bëri shteti komunist një gjë të tillë?
    Sekuestrimi i pasurisë së babait tim nga regjimi komunist ka nisur që më 29 dhjetor 1944 dhe ka përfunduar në vitin 1983. Me Vendimin Nr. 8 të Gjykatës Ushtarake është sekuestruar pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e babait tim. Po ashtu, me Vendimin Nr. 125 të datës 5/3.1945, i lëshuar nga Komiteti Ekzekutiv i Beratit, janë sekuestruar edhe disa prona që ndodheshin në këtë qark, megjithëse lista që i lidhet këtij vendimi mungon. Unë kam dyshime se është zhdukur. Me Vendimin Nr. 1, datë 19/03/1945, të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili, duke u bazuar në Vendimin e Gjykatës Ushtarake, nxjerr nga regjistrat e rregullta hipotekore kadastrale dhe i shkon për shpallje Fletores Zyrtare Nr. 3, datë 23.11.1945 e gjithë pasuria e babait tim.

    Cila është prejardhja e pasurisë së babait tuaj?
    Prejardhja e pasurisë vjen nga Rakip Shalsi, gjyshi i Jakupit. Kjo provohet edhe në dokumentet e nxjerra nga Drejtoria e Arkivit të Shtetit. Po ashtu, edhe nga pasuria e Selimit, babai i tij. Në kohën e Zogut, babai e ka vënë pasurinë vetë, me aktivitetin e tij. Për këtë flasin tapitë dhe dokumentet e lëshuara nga shteti i asaj kohe.


    Kur keni lindur ju dhe si e keni kaluar jetën gjatë periudhës së komunizmit?
    Kam lindur në vitin 1941. Kur është bërë sekuestrimi i pronës së familjes sonë, unë kam qenë vetëm 4 vjeçe. Gjatë kohës së komunizmit nuk është mbajtur asnjë pasuri nga familja Shalsi. Pjesëtarët e familjes sime kanë jetuar të internuar në fshatin Tuç të Rrethit të Pukës për 20 vjet, që prej vitit 1969. Deri në atë kohë, unë kam qenë banore në Tiranë. Në vitin 1992 jam rikthyer në kryeqytet. Vëllezërit kanë qenë në Rërëz të Beratit, në vendlindjen e babait. Anëtarët e tjerë të familjes u internuan në zona të ndryshme të vendit.

    Kur keni filluar t’i kërkoni pronat?
    Kam nisur t’i kërkoj në vitin 1994 dhe deri sot. Kam marrë dhjetëra avokatë, të cilëve u kam dhënë prokurë të posaçme për të nxjerrë pronat e familjes sime.

    Kur e keni përgatitur aktin e trashëgimisë dhe çfarë përmban?
    Akti i Trashëgimisë është marrë me Vendim Gjykate, me Nr. 29, në vitin 1992, në Gjykatën e Beratit dhe ka kërkues vëllain tim për baba, Zenel Shalsin. Ky akt njeh pronarë të të gjithë kësaj pasurie: Zaren, Hasanin, Fluturën, Lumturinë, mua, Trubullirën, Hazbien (e vdekur në vitin 1987) Fatimen (e vdekur në vitin 1987) dhe Afesën (e vdekur në Amerikë në vitin 2007).

    Sa prona njihen me Aktin e Trashëgimisë?
    Vetëm në Qarkun e Beratit njihen 76 prona. Me këtë akt trashëgimie kam kërkuar njohjen e pronësisë, por më është refuzuar.

    Pse është refuzuar në Durrës njohja e pasurive të babait tuaj?
    Jam përjashtuar nga njohja e pasurisë pasi janë hequr nga dosja 73 dokumente që vërtetojnë pronësinë në Durrës, Shkozet, Arapaj, Rrushbull etj.. Kjo pasuri ka kaluar në bazë të dokumenteve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në emrin e Sami Qeribashit, Omer Fortuzit, Zeki Beqirajt, një shtetasi arab dhe Zamir Hasës.

    Pra, ju mendoni se është manipuluar dokumentacioni i pronësisë nga viti 1991 dhe në vazhdim?
    Gjatë kohës së komunizmit janë ruajtur të gjitha dokumentacionet. Falsifikimi ka nisur pas vitit 1991 në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës. Janë falsifikuar dokumentet e pronësisë së Hotel Vollgës, regjistri i tapive nga Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës, që vërtetohet nga nëpunësi i asaj kohe të regjistrimit të pasurive private, Adem Haxhillari; në Shkozet janë falsifikuar 310 dynym troje, të cilat kanë qenë në pronësinë e Jakup Shalsit, që kanë kaluar në pronësi të Vilson dhe Vangjel Hebës. Këta i kanë marrë pronat sot. Edlira Heba ka lëshuar 15 vërtetime pronësie në vitin 1992, që ia ka kaluar njerëzve të afërm të saj. Familja Heba ka qenë tagrambledhëse në firmën e Jakup Shalsit. Ai nuk ka qenë pronar. Edhe në fshatin Roskovec ka marrë pronat familja Hebaj.

    Kush i ka marrë pronat e familjes Shalsi?
    Deri tani, nipërit e familjes Shalsi kanë marrë 59 prona (objekte). Mes tyre janë edhe shumë persona që kanë përfituar përmes skemave abuzive. Zenel Shalsi (vëllai im nga ana e babait) ka bërë pjesëtim pasurie me nipërit e babait. Kjo provohet në Protokollin Nr. 154/2, vendimi i komisionit të pronave, i cili sot është fshehur.

    Po për pronat jashtë vendit, a keni ndërmarrë ndonjë hap për t’i marrë?
    Sipas dokumenteve, babai im ka pasuri në formën e depozitave bankare në Itali, konkretisht në qytetet e Milanos, Torinos dhe Padovas; në Zvicër, SHBA, etj.. Deri tani kemi dështuar për tërheqjen e kësaj pasurie.

    Përderisa njiheni si trashëgimtare e pasurisë së babait, a keni marrë ndonjë pronë?
    Njihem si trashëgimtare në Kuçovë, me 6 shtëpi 1-katëshe, në lagjen “Llukan Prifti”. Në të njëjtin qytet kam edhe dy ndërtesa dykatëshe dhe 8 dyqane. Janë edhe 9 shtëpi në lagjen “11 Shkurti” (ndërtesa dhe troje), të cilat janë njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por deri tani institucionet përkatëse nuk më kanë pajisur me certifikata pronësie.
    Sui generis

Tema të Ngjashme

  1. Pasqyra e temave historike
    Nga Fiori në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 31-05-2011, 15:43
  2. Sikur Hollivudi Te Bente Filma Me Histori Shqiptare.
    Nga nikas në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 08-07-2009, 03:15
  3. "Një histori e deformuar nga serbët”
    Nga RaPSouL në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-01-2009, 21:44
  4. Histori me emra dhe emra pa histori
    Nga Enri në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-07-2003, 16:28
  5. E verteta ne Histori
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 21-05-2003, 11:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •