Arcangelo Michele
Për t'u futur drejt në rrethanat e zhvillimit të artit piktural mesjetar shqiptar, duhet të
mbahet parasysh se Shqipëria gjatë shekujve të mesjetës deri në pushtimin turk, me
pak përjashtime, bënte pjesë në kuadrin e Perandorisë bizantine. Gjithashtu duhet
mbajtur parasysh se Kisha në Shqipëri, në pjesën më të madhe të saj ka qenë e ritit
lindor. Nëpërmjet të Kishës, në Shqipërinë e Mesjetës, bashkë me gjuhën kishtare
greke, u përhapën edhe ndikimet e letërsisë fetare, të arkitekturës dhe të pikturës.
Duke u nisur nga Kostandinopoja, që ishte kryeqyteti i Perandorisë këto ndikime,
nëpër rrugët e mirënjohora të Selanikut e të Ohrit, futeshin nëpër qendra më të
brendshme të vendit tonë, si ne Selasfor (Zvezdë), qendër lokale e krahinës së Korçës
dhe Kolonjës, dhe në Berat, qendër lokale e Shqipërisë së mesme, trashëgimtare edhe
e objekteve kulturale të qyteteve që rrënoheshin, ndër të cilët vlejnë të përmenden
Durrësi, Skampa dhe Glavenica.
Duhet ditur se thesari artistik i realizuar aga populli shqiptar gjatë mesjetës, sidomos
në artin e ikonave dhe atë te miniaturës së dorëshkrimeve, për shkak te rrethanave
shumë te vështira, të njohura në histori, sot paraqitet thellësisht i reduktuar.
Në Shqipëri, në fushën e arteve figurative, veprat më të vjetra mesjetare, që kanë
mundur të ruhen deri më sot, janë ato të miniaturës së dorëshkrimeve fetare, të cilat
fillojnë nga kodet e shek. IX dhe vazhdojnë në kodet e çdo shekulli suksesiv, deri në
shek. XIV, duke mos përfshirë këtu kodin më të vjetër të shek. VI, të njohur në
literaturën spéciale me emrin Codex Berantinus porpureus Φ, i cili ruan vetëm një
dekor në formë zemre. Numri i këtyre kodeve nuk arrin sot në më shumë se 63
vëllime, duke mos llogaritur këtu dorëshkrimet e kohës se okupacionit otoman, që
janë me pak të rëndësishme.
Këto dorëshkrime. që në përmbajtje, shprehin ideologjinë fetare të klasës sunduese
feudale, nga ana tjetër përbëjnë dokumenta me rëndësi të madhe historike dhe janë
thesarë të vërtetë përsa u përket vlerave artistike që kanë.
Përveç bukurisë së rrallë kaligrafike, ato janë të stolisur edhe me figura në miniaturë,
me vinjeta, kanone e iniciale të pikturuara.
Miniatura e shek. IX e X në Shqipëri paraqitet e stilit grafik dekorativ, ku figurat janë
ndërtuar në mënyrë skematike, prej linjash të drejta të thyera, dhe ku format e
gjymtyrëve dhe pozicioni përcaktohet me anë linjash të lakuara, me siluetë e vizatim të
sakët, realizuar me një finesë të theksuar. Në miniaturën e shek. X mënyra e trajtimit
të figurave paraqitet më piktoreske, më plastike e me volum, me ngjyra të kultivuara,
të përdorura me tone me gradacione. Këto miniatura nuk shquhen për shprehje të
lartë artistike.
Në Shqipëri zhvillimin më të lartë miniatura e dorëshkrimeve mesjetare e arrin aty nga
fundi i shek. XI ose fillimi i shek. XII, me miniaturën e dy kodeve tepër luksoze të
Vlorës, ku bie ne sy një sintetizim i elementeve të stilit bizantin, që sapo kishte arritur
formimin e tij të plotë, me ato të traditës së artit antik.
Në miniaturën e kodeve të Vlorës vërehen tipa te sanksionuar në pikturën bizantine,
rrethuar nga një ambient arkitektonik bizantin, kurse si portrete dhe në tërësi, figurat
kanë një trajtim piktoresk e real, të modeluar me plastikë të plotë, të realizuar prej
linjash të lakuara, pa konture të theksuara, me qëndrime të sakta, të ekuilibruara, me
ngjyra të mirëkultivuara, të lehta, gracioze, me tone të përdorura me gradacione e
mjeshtëri të larta: me lëvizje të matura dhe me vështrime të qeta por të menduara
thellë, elemente këto që njihen si të pikturës antike të shekujve të parë të erës sonë,
por që vërehen edhe në miniaturën e shek. X të Kostandinopojës.
Realizimi i miniaturës së nivelit të lartë në Shqipëri përkon në kohë edhe në
zhvillimin e gjinive të tjera të arteve figurative, si p.sh. me pikturën monumentale të
shek. XII të Rubikut, me atë të shën Mërisë së Cerkës (Leskovik) etj., si dhe me ikonat
më të vjetra që kanë mundur të ruhen deri më sot, siç janë ato të Beratit dhe ato të
Korçës.
Riprodhimi në Shqipëri i kodeve mesjetare dhe i stolisjes së tyre me miniatura dhe
vepra arti, dëshmon për një nivel të lartë kultural të vendit, sidomos për një pozitë të
veçantë të aristokracisë feudale shqiptare gjatë shekujve të mesjetës. Kjo gjen
mbështetje edhe tek mbishkrimet autografe të autorëve ose të piktorëve miniaturistë,
që përmendin edhe porositësit e veprave.
Përsa u përket ikonave të pikturuara në dërrasë, që kanë mundur te ruhen deri me sot,
ato më të hershmet i përkasin vetëm shek. XII. Në përgjithësi nga prodhimtaria e tri
shekujve të fundit para okupacionit turk në Shqipëri nuk ruhen më tepër se rreth 30
copë ikona, nga të cilat pjesa më e madhe i përket shek. XIV.
Ikonat e Shqipërisë të shek. XII paraqiten të stilit kaligrafik bizantin dhe të një
ndërtimi të lartë artistik, si në kompozimin në tërësi, si edhe në modelimin e detajeve
në imtësi. Figurat përkufizohen prej një siluete të lehtë kafeje, e cila ecën në bazë të
një linje të gravuar më parë mbi grundin e ikonës. Portretet modelohen me konture te
buta kafeje mbi okrin e zbetë te karnacionit dhe sankir kafeje të errët.
Këto figura frontale ose gadi frontale, me qëndrime vertikale, me lëvizje të matura, të
paisura me botë të pasur shpirtërore, paraqiten madhështore dhe tepër serioze. Për
vlerat e tyre artistike dy ikona të shën Mërisë odigitria, ajo e Mborjes, shumë e
dëmtuar, dhe ajo e paraklisit Bllashtojna, e një shpelle të Prespës, me plot të drejtë
mund të radhiten ndër më të bukurat e stilit klasik bizantin ne përgjithësi.
Piktura bizantine vepronte sipas temave e kanoneve të sanksionuara aga rregulla të
rrepta të dogmës kishëtare si përsa u përket temave e subjekteve ashtu edhe përsa i
përket mënyrës se parafytyrimit të skenave dhe figurave. Çdo shprehje e artit të
kultivuar në mesjetë bëhej nëpërmjet tematikës fetare. Në këtë kontekst janë shprehur
edhe ndjenjat, idetë, konfliktet, kontradiktat ideore të atyre shekujve. Piktorë të
ndryshëm mesjetarë të ndrydhur nga kanunet dogmatikë kishëtare të stilit bizantin
janë përpjekur të shprehin ndjenjat, mendimet e tyre me anë të formës së përkryer, të
linjës, të koloritit e ndonjëherë edhe duke mos i respektuar kanonet tematike. Këto
fenomene i shohim gjatë gjithë historisë së pikturës bizantine edhe në Shqipëri.
Piktura e shek. XIII në Shqipëri, si ajo e ikonave dhe ajo e miniaturës se
dorëshkrimeve, nuk paraqitet më me atë finesë të theksuar nga ana artistike si ajo e
shekullit të mëparshëm. Kjo gjendje e pikturës sonë të shek. XIII mund të thuhet se
përputhet gadi plotësisht me atë të pikturës po të këtij shekulli të viseve të tjera
ballkanike në të dyja gjinitë që po ekspozojmë.
Arti i epokës së sundimit të Makedonëve dhe të Komnenëve por sidomos, ai i kohës
së paleologëve, prej gjysmës së dytë të shek. XIII dhe gjatë shek. XIV, që pati
lulëzimin dhe zhvillimin e vet në Kostandinopojë dhe në Selanik, pati një ndikim të
thellë edhe në monumentet e kulturës shqiptare te kohës, mbi pikturën monumentale,
mbi ikonën e mbi letërsinë agjiografike por jo mbi miniaturën. Vetëm se këtu nuk
është fjala për një riprodhim të thjeshtë të elementëve e tipareve bizantine në një
ambient që qëndroi thjeshtësisht pasiv.
Ikona e Shqipërisë e ruajtur nga shekulli XIII karakterizohet nga tipare që përbëjnë
stilin thjeshtë bizantin me figura të zgjatura, të imaterializuara me qëndrime frontale,
trajtuar me linja të thyera, me shumë stolisje në rrobet, me tipa të sansionuar me
përmbajtje të theksuar serioze.
Portretet e këtyre ikonave janë modeluar me konture të theksuara e me ngjyra të errëta
karnacioni me okër të zbetë e me kontraste. Këto figura, ndonëse pa gjallëri fizike,
paraqiten të realizuara me art, me vështrime sugjestive.
Ky stil i ikonës në Shqipëri, si edhe në viset e tjera ballkanike, pëson ndryshime qysh
nga fundi i shek. XIII.
Figurat në ikonat e shek. XIV të Shqipërisë paraqiten me tipare artistike më të
përparuara drejt realizmit, në frymën e asaj rryme artistike përparimtare që në Bizant u
quajt «rilindja e artit bizantin».
Këtë rrymë bizantinologët e lidhin me çlirimin e Kostandinopojës nga latinët (1261),
kurse në Shqipëri, ajo duhet të lidhet edhe me zhvillimin e fuqive ekonomike e
shoqërore të vendit, me fuqizimin e klasës sunduese feudale shqiptare, me rritjen e
fuqizimin e qyteteve dhe me krijimin e principatave feudale shqiptare.
Fenomeni i shkëputjes nga vartësia politike e Bizantit ndodh edhe në fushën e
pikturës, e cila duke ruajtur nga njëra anë tiparet e përbashkëta të origjinës, fillon të
vejë në dukje dhe karakteristika të saj të veçanta. Shekulli i XIV në Shqipëri
karakterizohet me ndërtimin e një numri të rëndësishëm monumentesh të kultit të
krishterë, por nga ikonat që stolisnin ato monumente ruhen fare pak, ato nuk i arrijnë
të 20 copët, dhe janë nga ato të mëdhatë të ikonostasit, përveç një te vogle.
Në Shqipëri nuk konstatohet të ketë patur ikona të vogla me skenat e «festave të
mëdha» nga ungjilli ose me figurat e apostojve gjysëm figurë mbi ikonastasët e epokës
paraturke. I vetmi ikonostas prej druri i ruajtur i shek. XIV me të gjithë ikonat është ai
i shën Mërisë së Maligradit, dhe ky pa ikona të vogla mbi ato të mëdhatë, ndofta për
faktin se, skenat e «festave të mëdha» në kishat paraturke ishin të pikturuara mbi suva
në faqet e mureve, dhe nuk shihesh e nevojshme që ato skena te përsëriteshin në
ikona të vogla mbi ato të mëdhatë. Mbas pushtimit otoman, kur ekonomia paraqitej
thellësisht e rrënuar nuk ishte e mundur të ndërtoheshin kisha të mëdha dhe t'i
stolisnin me piktura murale. Ndofta për të mos munguar skenat e festave të mëdha në
ato pak kisha të vogla e të vobegta që ndërtoheshin, kleri kërkonte t'i pikturojë skenat
në ikona të vogla dhe filluan të vendosen këto mbi ikonostaset e kapelave që qenë të
parat ndërtime kulti mbas ngjarjes së okupacionit.
Më vonë, kur vendi filloi relativisht te mëkëmbej nga ana ekonomike. ndonëse kishat
filluan të ndërtoheshin të mëdha dhe të stoliseshin me piktura murale, përdorimi i
ikonave të vogla me «festat e mëdha» ne miniature mbi ikonostaset mbeti si një traditë
e një stolisjeje të zakonshme, që vazhdoi deri në shekullin tonë.
Ikona të shek. XIV që ruhen deri më sot në Shqipëri janë ato të Beratit dhe ato të
rrethit të Korçës. Përveç ikonës se Pagzorit të kishës së Maligradit dhe asaj të shën
Mëhillit të kishës së fshatit Opar, paraqitur me gjithë trupin në këmbë, të gjitha ikonat
e tjera, janë pikturuar ne gjysëm figure.
Figurat e këtyre ikonave, në ndërtimin e tyre, karakteristikat kryesore ne përgjithësi i
kanë gadi të njejta dhe të njohura në ikonografinë bizantine. Figurat janë dhënë
brenda kornizës, vendosur në mënyrë simetrike dhe shumica me qëndrim frontal
vertikal.
Figurat e ikonave të shek. XIV te Shqipërisë karakterizohen nga tipare artistike më të
përparuara, që vërehen në ndërtimin e tyre arritur më anë linjash shumë elegante, që
evidencojnë bukur format e tyre voluminoze.
Ndonëse nga njëra anë këto figura janë trajtuar me tipare më të përparuara, sidomos
në modelimin e portreteve të tyre, për arsye të kompozimit me qendrim te rreptë
vertikal, statik, dhe me shprehje psikologjike të një bote të veçantë shpirtërore, që
reflektohet në vështrimet e fuqishme të tyre, ato marrin një pamje akademike,
solemne.
Të këtij stili janë të gjitha ikonat e Shqipërisë te shek. XIV, por për tiparet më
interesante që vërehen në plastikën e avancuar e siluetën harmonike në vështrimin e
fuqishëm të syve të mëdhenj me vetulla të larta, që e mbërthejnë spektatorin, bie fort
në sy figura e Shën Mëhillit të Mborjes, në madhësi natyrale, e rrallë për bukurinë e saj
artistike. Me të vërtetë kjo vepër mund të konsiderohet nga më të bukurat prodhime
artistike në gjithë krijimtarinë artistike të territorit bizantin në përgjithësi gjatë shek.
XIV.
Në këto ikona të shek. XIV të Shqipërisë, vërehen edhe disa veçori vendase, që i bëjnë
të ndryshojnë mjaft nga ikonat analoge të vendeve të tjera.
Veçoria kryesore në artin e këtyre ikonave konsiston në trajtimin plastik më të
avancuar që i ka përshkuar figurat, e që ka kontribuar dhe në tipizimin e figurave,
duke i bërë ato të ndryshojnë nga tipat analogë të ikonave të huaja.
Por kjo veçori që vërehet në ikonat e Shqipërisë të shek. XIV, nuk mund të
konsiderohet se i largon ato nga stili bizantin, sepse në fakt ato i ruajnë të gjitha tiparet
karakteristike të pikturës bizantine, por mund të thuhet se ajo formon një tipar të
fazës më përparimtare të artit të rilindjes bizantine, që ka arritur të zhvillohet në
ikonën e Shqipërisë në atë shekull.
Përveç asaj veçorie të përgjithshme të ikonave të shek. XIV, të tërheq në mënyrë të
veçantë vëmendjen një ikonë e Manastirit të Shën Mërisë së Postenanit, ikona e shën e
Premtes e cila nga mënyra e kompozimit dhe e trajtimit duhet t'i vishet shek. XIV.
Kjo ikonë paraqitet me tipare të theksuara veçorie, diçka me art naiv ne krahasim me
ikonat e tjera të atij shekulli, por me një bukuri tërheqëse. me qendrim frontal dhe të
rreptë vertakal, me një qafë të gjatë e të bukur, si në figurat e artit egjyptian, me sy të
mëdhenj në formë bajamje e me qerpikë të zez, që përherë të parë i hasim të përdoren
në ikonën tonë. Kjo figurë me një trajtim dekorativ, ka një bukuri prej tiparesh
origjinale të vendeve tona malore. Brerorja e saj është ndërtuar prej grundi në reljef
dhe stolisur me motive florale, si dhe gjithë sfondi i figurës, që sot paraqitet gadi i
bardhë, sepse ari me të cilin ka qënë veshur është fshirë. Anash ikonës, në formë
kuadratesh, janë pikturuar në miniature skena nga jeta e shën e Premtes. Megjithëse
figura është dëmtuar diçka në veshjet, nga plasja e ngjyrave, ajo e ruan madhështinë e
bukurisë së saj origjinale. Me këtë vepër piktori anonim i malësive shqiptare ndofta ka
dashur të largohet nga arti i zakonshëm dhe të japi diçka thilajse gadi krejt të veten,
simbas gustos dhe imagjinatës malsore shqiptare.
Krijoni Kontakt